Burimi: The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Pas shumë ditëve të dërgimit të sinjaleve të paqarta, presidenti Donald Trump autorizoi sulmet ushtarake të shkallës së gjerë, kundër objekteve bërthamore të Iranit në Natanz, Fordo dhe Isfahan. Sulmet, me gjasë, i kanë shkaktuar dëme shkatërrimtare programit bërthamor të Iranit dhe e kanë lënë Lindjen e Mesme në një gjendje të pasigurisë së thellë.
Trumpi i ka paraqitur këto sulme si një veprim i izoluar ushtarak, me qëllim që ta detyrojë Iranin të rikthehet në tryezën e bisedimeve, por një përgjigje e ashpër nga Teherani mund të nxisë një luftë më të gjerë rajonale.
Që prej 13 qershorit, kur Izraeli nisi Operacionin Luani në Ngritje [Rising Lion] për të shkatërruar programin bërthamor iranian, kam biseduar me ekspertë dhe burime të shumta në Teheran që janë të njohur me mendësinë e politikës së sigurisë së Iranit. Këto biseda zbuluan tronditjen dhe zemërimin e Iranit ndaj veprimeve të Izraelit dhe Amerikës, por edhe një vendosmëri të hekurt që e bën të dyshimtë ndryshimin e regjimit në Iran dhe zbutjen afatgjatë të kërcënimit iranian.
Edhe pse udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, dhe Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kanë paralajmëruar prej dekadash për një luftë të mundshme me Izraelin, në Teheran mbizotëronte një ndjenjë e përgjithshme befasie për kohën dhe shkallën e veprimeve sulmuese të Izraelit.
Pjesëmarrja aktive e Iranit në negociatat bërthamore me ShBA-në shihej si një faktor që me gjasë do të pengonte sulmet izraelite ndaj objekteve ushtarake iraniane.
Një ndjesi e ngjashme befasie shoqëroi edhe sulmet e natës. Në Teheran kishte një optimizëm të heshtur se Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe apo edhe presidenti rus Vladimir Putin do ta bindnin Trumpin për pasojat destabilizuese të një sulmi ushtarak në shkallë të gjerë.
Tani që skenari më i keq është bërë realitet, Irani po përpiqet të koordinojë një reagim efektiv hakmarrës. Efektiviteti i kësaj hakmarrjeje është i kufizuar nga mungesa e mbështetjes së jashtme. Edhe pse ushtria iraniane e ndihmoi Rusinë në pushtimin e Ukrainës, ekspertët iranianë, me të cilët bisedova, kishin pak shpresë se Kremlini do të vinte në ndihmë të Iranit. Dëgjova edhe teori konspirative se Putini nuk do ta ndihmojë Iranin, sepse ai është nën ndikimin e diasporës ruso-hebraike në Izrael.
Kjo do të thotë se përgjigjja e Iranit ka të ngjarë të jetë asimetrike dhe graduale. Pavarësisht retorikës luftarake nga sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem, dhe figura të larta të udhëheqjes së grupit Huti të Jemenit, Irani heziton të mobilizojë milicitë e tij të jashtme kundër ShBA-së. Ndërkohë që sulmi i raportuar ndaj bazës amerikane Ain al-Asad në Irakun perëndimor, javën e kaluar, tregoi aftësinë e Iranit për të goditur personelin ushtarak amerikan, strategjia e preferuar e Teheranit është të hakmerret në mënyrë asimetrike ndaj Izraelit.
Duke marrë parasysh mirëqenien ekonomike të Izraelit dhe tolerancën e paktë për humbje njerëzore, Irani beson se mund ta detyrojë kryeministrin Benjamin Netanyahu të tërhiqet.
Besimi i Iranit se koha është në anën e tij është i lidhur ngushtë me kujtesën historike. Gjatë Luftës Iran-Irak m 1980-‘88, forcat iraniane përballuan sulme me armë kimike nga Iraku dhe mbështetjen e fshehtë amerikane për arsenalin ushtarak të presidentit irakian, Saddam Hussein. Këto kujtime po përdoren nga linja e ashpër e Iranit dhe nga mediat shtetërore për të krijuar një mobilizim patriotik pro-regjimit.
Falë efikasitetit të propagandës shtetërore iraniane dhe ndjenjës kolektive të zemërimit kundër Izraelit dhe Perëndimit, populli iranian nuk pritet të nxisë një revolucion të gjerë kundër regjimit. Kjo nuk do të thotë se ndryshimi i regjimit në Iran është një fantazi e plotë.
Dështimi i strategjive të sigurisë së Khameneit, përfshirë përdorimin e milicive të jashtme dhe strategjinë e parandalimit bërthamor, mund të bindë elementë të pakënaqur të vijës së ashpër brenda IRGC-së që të marrin pushtetin përmes një grushti shteti. Ky skenar, i cili po diskutohet gjerësisht në Teheran, mund të sjellë një Iran më pak të parashikueshëm, të përcaktuar për të mbushur boshllëqet në arsenalin e tij ushtarak konvencional dhe për të rindërtuar çfarë ka mbetur nga programi i pasurimit të uraniumit.
Ky rrezik duhet të jetë në qendër të vëmendjes së atyre që mbështesin rrëzimin e Khameneit në ShBA, Izrael dhe Evropë. Edhe pse Amerika dhe Izraeli kanë ndërmarrë hapa të mëdhenj për të penguar potencialin kërcënues afatshkurtër të Iranit, rreziqet afatgjata mbeten. Përshkallëzimet e mëtejshme ushtarake kundër Iranit duhet të jenë të menduara me kujdes, pasi mund të çojnë pa dashje në një shkëmbim fitimesh afatshkurtra, por me pasiguri afatgjatë. /Telegrafi/
The post Irani mund të jetë më i rrezikshëm se kurrë appeared first on Telegrafi.