Igor Angelovski pranë stolit të Prishtinës, kryeqytetasit në bisedime të avancuara me ish-trajnerin e Maqedonisë së Veriut
FC Prishtina është në kërkim të trajnerit të ri pas largimit të Arsim Thaqit.
Pozitën e trajnerit të përkoshëm në klubin kryeqytetas e ka marrë Blerim Bunjaku, i cili ishte ndihmës i Thaqit të larguar.
Burime të Telegrafit pranë klubit prishtinas kanë raportuar se kandidati kryesor për ta marrë rolin e trajnerit te Prishtina është një emër me përvojë të madhe në arenën ndërkombëtare, Igor Angelovski.
Klubi më i trofeshëm kosovar ka zhvilluar bisedime me trajnerin maqedonas dhe gjasat janë të mëdha që ai të marrë drejtimin e klubit në ditët në vijim.
Kush është Igor Angelovski?
I lindur në Shkup më 2 qershor 1976, Angelovski është një nga trajnerët më të njohur në futbollin e Maqedonisë së Veriut, me një karrierë që shtrihet nga futbolli vendor e deri te kombëtarja.
Ai e nisi karrierën si trajner me Rabotnickin, duke fituar titullin kampion dhe dy Kupa të Maqedonisë, për t’u ngjitur shpejt në skenën ndërkombëtare. Kulmi i suksesit të tij erdhi me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, të cilën e drejtoi në një epokë historike, duke e kualifikuar për herë të parë në Kampionatin Evropian Euro 2020, një sukses që i dha vendin prestigjin futbollistik të munguar deri atëherë.
Pasi përfundoi misionin me përfaqësuesen, Angelovski provoi aventurën me HNK Gorica në Kroaci dhe më pas me Caspiy Aqtau në Kazakistan, ndërsa tani është shumë pranë rikthimit në një bankinë serioze, këtë herë në Superligën e Kosovës.
FC Prishtina nën tranzicion – Blerim Bunjaku në rolin e përkohshëm
Pas largimit të Arsim Thaqit, stervitjet momentalisht janë marrë përsipër nga ndihmëstrajneri Blerim Bunjaku, i cili do të udhëheqë përgatitjet e skuadrës derisa të zyrtarizohet emri i trajnerit të ri.
Burime të Telegrafit konfirmojnë se negociatat me Angelovskin janë në fazën përfundimtare, dhe një marrëveshje mund të konkretizohet shumë shpejt, pasi vetë tekniku shihet si profili ideal për objektivat ambiciozë të klubit, rikthimi në majat e futbollit kosovar dhe sukses në arenën ndërkombëtare.
Nëse zyrtarizohet, Igor Angelovski do të jetë trajneri më i njohur që ka drejtuar ndonjëherë FC Prishtinën dhe një figurë që mund të sjellë qetësi, disiplinë dhe përvojë elitare në një klub që synon të ndërtojë një identitet të fortë rajonal dhe evropian. /Telegrafi/
The post Igor Angelovski pranë stolit të Prishtinës, kryeqytetasit në bisedime të avancuara me ish-trajnerin e Maqedonisë së Veriut appeared first on Telegrafi.