Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 20 July 2025Main stream

Mustafa kritikon qeverinë në detyrë: Kushtetuta nuk lejon dy poste, mospërfillja sjell përgjegjësi ligjore

20 July 2025 at 15:22

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kujtuar një vendim të ndërmarrë gjatë mandatit të tij në vitin 2017 për lirimin nga detyra të disa anëtarëve të kabinetit qeveritar, të cilët sapo kishin fituar mandatin si deputetë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të Kushtetutës edhe në mungesë të ligjeve specifike.

Mustafa përmes një postimi në rrjetin social Facebook thekson se këtë veprim e kishte marrë në prag të certifikimit të rezultateve zgjedhore në atë vit.

“Në prag të certifikimit të rezultateve zgjedhore të vitit 2017, në konsultim me Zyrën Ligjore të KM dhe me këshilltarin juridik të Kryeministrit, që sot është kryetar i Odës së Avokatëve, në harmoni me nenin 72 të Kushtetutës, si kryeministër në detyrë lirova nga detyra një zëvendëskryeministër dhe 8 ministra të cilët kishin fituar mandatin e deputetit. Qeveritarët e liruar nga detyra ishin: Ramiz Kelmendi, zëvendëskryeministër, ministrat; dr. Kujtim Shala, dr, Avdullah Hoti, dr. Enver Hoxhaj, dr, Lutfi Zharku, Memli Krasniqi, dr, Hykmete Bajrami, Arban Abrashi dhe Rasim Demiri”, ka shkruar Mustafa.

Sipas tij, qëllimi nuk ishte të tregohej si shembull i zbatimit të Kushtetutës, por të shmangej shkelja e saj.

“Këtë veprim nuk e ndërmorëm që të jemi shembull i zbatimit të Kushtetutës, por që të preventojmë të mos bëhemi shembull i shkeljes së saj”, ka shkruar Mustafa.

Ish-kryeministri shton se të gjithë zyrtarët e liruar nga detyra në atë kohë e kishin kërkuar vetë largimin për të respektuar mandatin e tyre të ri si deputetë dhe për të shmangur
mospërputhshmëri kushtetuese.

Ai rikujton se në atë kohë mungonte Ligji për Qeverinë, por tashmë ekziston një bazë e qartë ligjore.

“Edhe pse në atë kohë Kosova nuk e kishte Ligjin për Qeverinë, i cili tani në mënyrë eksplicite e bën ligjërisht të detyrueshme normën kushtetuese se asnjë person nuk mundet në të njëjtën kohë të ushtrojë pozita ekzekutive dhe ato legjislative”, shprehet Mustafa.

Mustafa ka shprehur shqetësim për qëndrimin në pushtet në kundërshtim me Kushtetutën dhe paralajmëron përgjegjësi ligjore.

“Qeveria në detyrë nuk duhet t’i lejojë vetes veprim antikushtetues dhe të qëndrojë në pushtet në shkelje të ligjit. Atëherë jo vetëm se do duhej dhënë përgjegjësi për veprime jo legale dhe jo legjitime, por edhe të pret përgjegjësia individuale para ligjit për pasojat e krijuara nga mospërfillja e gjyqësorit”, ka shkruar Mustafa. /Telegrafi/

The post Mustafa kritikon qeverinë në detyrë: Kushtetuta nuk lejon dy poste, mospërfillja sjell përgjegjësi ligjore appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Albin Kurti prezanton Artan Abrashin kandidat për kryetar të Prizrenit

19 July 2025 at 21:28

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, sonte në Prizren ka prezantuar publikisht kandidatin e partisë së tij për kryetar komune.

Në një ngjarje të mbajtur në sheshin Kej, përballë Xhamisë së Sinan Pashës në qendër të Prizrenit, u bë e ditur se kandidati i VV-së për kryetar të Komunës së Prizrenit në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025 është Artan Abrashi.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se Abrashi është një figurë me vizion, i ndershëm dhe punëtor, duke theksuar se Vetëvendosje po hyn në këto zgjedhje me një ekip të fortë dhe një program të qartë për ndryshim dhe përparim në qytet.

Zyrtarët e partisë bënë të ditur se gjatë fushatës zgjedhore do të ketë takime të tjera me qytetarët në të gjitha lagjet e Prizrenit. /RTK/

The post Albin Kurti prezanton Artan Abrashin kandidat për kryetar të Prizrenit appeared first on Telegrafi.

U takuan pa zhurmë, përfundon takimi Kurti–Limaj

19 July 2025 at 16:49

Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj duket se kanë përfunduar takimin e shumëpërfolur këto ditë.

Ende nuk dihen detaje nëse ka pasur dakordim për ndonjë marrëveshje për të dalë nga kriza politike.

Megjithatë, Kurti është parë duke u larguar nga ambientet e një restoranti në lagjen Pejton të kryeqytetit, shumë afër selisë së NISMA-s.

Pamjet nga largimi i Kurtit janë publikuar nga mediumi “Nacionale”.

Kujtojmë se NISMA vijon të këmbëngulë për postin e kryeparlamentarit, siç deklaroi edhe deputetja Xhevahire Izmaku, e cila theksoi se Limaj në krye të Kuvendit është “mundësia më e mirë për vendin”.

Ndërkaq LVV nuk ka bërë të ditur nëse do të mund ta ndryshoj emrin e Albulena Haxhiut.

Afati për formimin e institucioneve përfundon më 26 korrik. Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se, në mungesë të marrëveshjes lënda do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. /Telegrafi/

The post U takuan pa zhurmë, përfundon takimi Kurti–Limaj appeared first on Telegrafi.

​Partitë ish-opozitare: VV-ja po mban peng kuvendin e qeverinë

19 July 2025 at 12:59

Partitë të cilat kanë qenë në opozitë në mandatin e fundit kanë qëndruar sërish në sallën e Kuvendit të Kosovës pas dështimit të përpjekjes së 49-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Sipas PDK-së, LDK-së, e AAK-së, “Lëvizja Vetëvendosje po mban peng Kuvendin, Qeverinë dhe po shkel Kushtetutën, ligjin e të gjitha normat juridike”.

Deputeti i PDK-,së Artan Behrami tha se Lëvizja Vetëvendosje po keqpërdor të drejtën për të propozuar kryetarin e kuvendit për agjenda antidemokratike që kërcënojnë në përmbysje të rendit kushtetues.

“Kuvendi i Kosovës në këto 49 seanca është ndarë në këto parti që kemi mbetur në sallë për të mbrojtur Kushtetutën – aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Ligjin e rregulloren dhe praktikat parlamentare. Partitë që sapo dolën, janë parti që keqpërdorin të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit për agjenda anti-demokratike që kërcënojnë në përmbysje të rendit kushtetues që mbajnë peng Kuvendin, Qeverinë dhe shkelin Kushtetutën, ligjin dhe të gjitha normat”, tha Behrami.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Arjeta Abazi theksoi se Kuvendi është kthyer në një “teatër të stërzgjatur për shkak të një partie që nuk ka kuptuar që pushteti nuk është pronë personale”.

“Le të mos shtiremi se gjithçka është në rregull, seancë pas seance dhe ende nuk po arrijmë të ecim përpara. Kuvendi është kthyer në një teatër të stërzgjatur, ku për fat të keq aktorët kryesorë janë më të interesuar për skenën sesa për skenarin dhe nuk po ndalemi për shkak të ndonjë emergjence apo fatkeqësie natyrore, po për shkak të një partie që ende nuk e ka kuptuar që pushteti nuk është pronë personale, një parti që për 20 vjet luftoi për të ardhur në pushtet e sot po e shkatrrën atë përmes kokfortësisë dhe arrogancës”, theksoi Abazi, raporton kp.

E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se Gjykata Supreme e ka bërë të qartë se VV-ja po shkel ligjin dhe Kushtetutën.

“Gjykata Supreme e ka thënë qartë dhe me një vendim ua ka qartësuar qartë njerëzve që po shkelin ligjin dhe Kushtetutën se nuk kanë të drejtë me marrë asnjë vendim, ndërsa Kurti po mburret po thotë qeverisje dy plus. I ke uzurpuar institucionet, Kuvendin dhe Qeverinë”, tha Kadrijaj.

Sot, dështoi sërish tentimi i 49-të për konstitumin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Dështimi ndodhi, pasi që ashtu si herët e kaluara, me mosarritjen e formimit të Komisionit për votim të fshehtë. Vetëm 50 deputetë votuan pro këtij Komisioni.

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari theksoi se vazhdimi i seancës së radhës mbahet të hënën në orën 11:00.

The post ​Partitë ish-opozitare: VV-ja po mban peng kuvendin e qeverinë appeared first on Telegrafi.

Vazhdon bllokada, dështon edhe tentativa e 49-të për konstituimin e Kuvendit

19 July 2025 at 11:29

Ka dështuar edhe përpjekja e 49-të për konstituimin e Kuvendit.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u bëri thirrje subjekteve politike që të propozojnë nga një përfaqësues për Komisionin Zgjedhor, i cili do të mundësonte zgjedhjen e kryetares së Kuvendit dhe të nënkryetarëve, transmeton Telegrafi.

Subjektet politike nuk ofruan propozim, duke sjellë kështu një tjetër dështim në procesin e konstituimit të Kuvendit.

Ndryshe, deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, ka paralajmëruar se sot mund të ketë takim ndërmjet liderit të LVV-së, Albin Kurti dhe kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj.

“Ne presim që sot të zhvillohet takimi, jemi në afatin e fundit kushtetues. Unë pres sinjal pozitiv nga takimi që besoj sot do të ndodhë. Pres sinjal pozitiv, guxim nga lideri i LVV-së, Albin Kurti, duke e parë që jemi në afatin e fundit kushtetues. Ky është realiteti politik, Limaj e ka zgjatur dorën e bashkëpunimit, presim nga lideri i LVV-së që të ketë vullnet dhe ta përkthejë në veprim të shpejt politik”, theksoi ajo.

Që nga 15 prilli, Kuvendi ka dështuar plot 47 herë radhazi në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Procesi i konstituimit ka mbetur i bllokuar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por kjo kandidaturë nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e tjera parlamentare. /Telegrafi/

The post Vazhdon bllokada, dështon edhe tentativa e 49-të për konstituimin e Kuvendit appeared first on Telegrafi.

Nisma nuk heq dorë nga posti i kryeparlamentarit, Izmaku paralajmëron takimin Kurti – Limaj

19 July 2025 at 11:11

Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, para nisjes së seancës konstituive, deklaroi se sot mund të ketë takim ndërmjet Albin Kurtit dhe Fatmir Limaj.

Ajo tha se kjo është mundësia e fundit, që të arrihet një marrëveshje dhe të dilet nga ngërçi, transmeton Telegrafi.

“Ne presim që sot të zhvillohet takimi, jemi në afatin e fundit kushtetues. Unë pres sinjal pozitiv nga takimi që  besoj sot do të ndodhë. Pres sinjal pozitiv, guxim nga lideri i LVV-së, Albin Kurti, duke e parë që jemi në afatin e fundit kushtetues. Ky është realiteti politik, Limaj e ka zgjatur dorën e bashkëpunimit, presim nga lideri i LVV-së që të ketë vullnet dhe ta përkthejë në veprim të shpejt politik”, theksoi ajo.

Izmaku deklaroi se posti i kryparlamentarit nuk është kusht, por që Fatmir Limaj është alternativa e vetme./Telegrafi/

 

 

The post Nisma nuk heq dorë nga posti i kryeparlamentarit, Izmaku paralajmëron takimin Kurti – Limaj appeared first on Telegrafi.

Nuk ka konstituim të Kuvendit të Kosovës, dështon seanca e 49-të

By: Elva
19 July 2025 at 11:48

Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan për të 49-tën herë me radhë për të konstituuar përbërjen parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Seanca e së shtunës u mbajt mes paralajmërimeve se më vonë gjatë ditës kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të takohet me udhëheqësin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në përpjekje për […]

The post Nuk ka konstituim të Kuvendit të Kosovës, dështon seanca e 49-të appeared first on BoldNews.al.

Sot përpjekja e 49-të për konstituimin e Kuvendit, a do të ketë takim Kurti-Limaj?

19 July 2025 at 08:16

Deputetët e Kuvendit do të mblidhen sërish sot, duke filluar nga ora 11:00, në një tjetër përpjekje për ta konstituar legjislaturën e re.

Që nga 15 prilli, Kuvendi ka dështuar plot 48 herë radhazi në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, raporton Telegrafi.

Procesi i konstituimit ka mbetur i bllokuar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por kjo kandidaturë nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e tjera parlamentare.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka propozuar që votimi për kryetaren të zhvillohet në mënyrë të fshehtë, por ky propozim nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvend.

Në seancën e kaluar, nga LVV deklaruan se do të ketë takim ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj, në përpjekje për të arritur marrëveshje për bashkëpunim. Takimi mes Kurtit dhe Limajt ende nuk ka ndodhur, ndërsa, mbetet të shihet nëse dyshja do të takohet para seancës konstituive.

Ndryshe, të premten, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi sot një takim konsultativ me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në kuadër të përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Takimi u zhvillua në prag të përfundimit të afatit kushtetues, të përcaktuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, respektivisht deri më 26 korrik 2025.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese obligon konstituimin përfundimtar brenda 30 ditëve nga seanca e parë, duke e vënë afatin deri në 26 korrik./Telegrafi/

 

The post Sot përpjekja e 49-të për konstituimin e Kuvendit, a do të ketë takim Kurti-Limaj? appeared first on Telegrafi.

Haxhiu: Kemi vullnet për bashkëpunim me Nismën

17 July 2025 at 12:37

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka theksuar se partia e saj është e hapur për bashkëpunim me Nismën Socialdemokrate, në përpjekje për të tejkaluar ngërçin institucional që po zgjat tashmë prej më shumë se katër muajsh.

Megjithatë, ajo ka qenë e qartë në qëndrimin se propozimi për kryetarin e Kuvendit i takon LVV-së si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Sa i përket takimeve me Nismën, ne kemi thënë që kemi vullnet për bashkëpunim. Ato do të ndodhin, do të ketë takim të kryetarit Kurti me kryetarin Limajn dhe pas përmbylljes së takimeve do të ketë njoftim për opinionin publik nëse do të ketë apo jo marrëveshje”, ka deklaruar Haxhiu pas përfundimit të seancës së 48-të të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Duke iu referuar bllokadës për zgjedhjen e kryekuvendarit, Haxhiu theksoi se kandidimi i saj për këtë pozitë është i bazuar në legjitimitetin që i është dhënë partisë së saj nga zgjedhjet, por mungesa e votave ka pamundësuar përmbylljen e procesit.

“Së pari, unë nuk e kam karrigen e kryekuvendarit. Jam e propozuar nga LVV për këtë pozitë, por kjo nuk ka ndodhur për faktin se duhen 61 vota. Situata është e tillë që deputetët e opozitës vijnë në seancë, por nuk marrin pjesë fare në votim”, tha ajo.

Në seancën e sotme, të 48-tën me radhë, në sallë ishin të pranishëm 100 deputetë, por vetëm 51 prej tyre morën pjesë në votim, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim duke bërë që Kuvendi të mos konstituohet sërish. /Telegrafi/

The post Haxhiu: Kemi vullnet për bashkëpunim me Nismën appeared first on Telegrafi.

Zgjedhjet e 12 tetorit, kush është në garë për komunën e Fushë Kosovës dhe të Obiliqit?

16 July 2025 at 08:37

Subjektet politike kanë nisur zyrtarizimin e kandidatëve për kryetarë të komunave, për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor. Një garë interesante pritet të zhvillohet në disa komuna të Kosovës, ku kryetarët aktualë synojnë të ruajnë pushtetin, ndërsa kandidatët e rinj synojnë të fitojnë besimin e qytetarëve.

Pa dyshim edhe në komunat si Obiliq e Fushë Kosovë, gara do të jetë mjaft interesante, transmeton Telegrafi.

Komuna e Fushë Kosovës tash e 25 vite ka qenë nën udhëheqjen e LDK-së me Burim Berishën e që kësaj radhe, LDK synon sërish këtë komunë por me kandidatin Besnik Osmani i cili është nënkryetar i komunës.

Në garë për Fushë Kosovën janë edhe kandidatët tjerë, AAK ka zyrtarizuar Vildane Latifin, LVV e ka zyrtarizuar Valon Prebrezën dhe PDK pritet që në garë ta ketë Rrahim Ternavën.

LDK po ashtu tenton ta vazhdojë udhëheqjen e komunës së Obiliqit, me kryetarin aktual, Xhafer Gashi, i cili në zgjedhjet e 12 tetorit kërkon sërish besimin e votuesve.

AAK për Obiliq ka zyrtarizuar kandidatin Ali Krasniqi, ndërsa nga LVV do të jetë deputeti aktual Halil Thaçi, ndërsa PDK ende nuk ka bërë të ditur se kush do të jetë kandidat zyrtar. Lista mund të shtohet me kandidatë të tjerë nga NISMA dhe parti e iniciativa të tjera.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tashmë ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale të vjeshtës. Nga KQZ kanë njoftuar se tashmë kanë hapur procesin e aplikimit për certifikimin e subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, kishte deklaruar për Telegrafin se subjektet politike mund të aplikojnë deri më 13 gusht.

“Duke filluar nga dita e sotme, 26 qershor dhe deri më 13 gusht 2025, subjektet politike mund të aplikojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale”, deklaroi ai.

Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 do të mbahen më 12 tetor dhe do të përcaktojnë përbërjen e re të Kuvendeve Komunale si dhe Kryetarët e rinj të Komunave në të gjithë vendin. /Telegrafi/

 

 

 

 

 

 

The post Zgjedhjet e 12 tetorit, kush është në garë për komunën e Fushë Kosovës dhe të Obiliqit? appeared first on Telegrafi.

​Kriza politike, Bogujevci me kërkesë ndaj qytetarëve: Duhet t’i mbani përgjegjës partitë opozitare

15 July 2025 at 11:35

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka akuzuar partitë që deri tani ishin në opozitë për krizën politike në vend.

Ajo kërkoi nga qytetarët që të kërkojnë përgjegjësi dhe llogaridhënie, siç tha ndaj deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, që sipas saj nuk po votojnë për konstituim të Kuvendit dhe formim të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

“Presim që deputetët të votojnë dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese që është vota, cila formë që është ajo. Mendoj që krijohet një precedentë të keq në seancën konstituive ku përcaktohet rregull e saktë nga kushtetuesja dhe deputetët nuk marrin pjesë në votim. S’mundemi me ecë përpara kur deputetët nuk votojnë, të them të drejtën nuk po kuptoj më se as çka dëshirojnë dhe çka votojnë. S’ka sens sesi është duke vepruar opozita dhe duhet kërkohet përgjegjësi dhe llogaridhënie nga qytetarët që i kanë votuar”, tha ajo.

Këto komente ajo i bëri duke hyrë në objektin e Kuvendit për seancën konstituive për herë të 47-të.

Ngërçi aktual është të formimi i komisionit për votim të fshehtë të zgjedhjes së kryeparlamentarit, meqë partitë që deri tani ishin në opozitë po e kundërshtojnë të njëjtën.

Në formë të hapur, kandidatja e LVV-së, Albulena Haxhiu nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për të marrë postin e kryeparlamentares./kp/

The post ​Kriza politike, Bogujevci me kërkesë ndaj qytetarëve: Duhet t’i mbani përgjegjës partitë opozitare appeared first on Telegrafi.

Ngërçi në Kuvend, sot përpjekja e 47-të për konstituim

15 July 2025 at 07:07

Deputetët e Kuvendit do të mblidhen sërish sot, duke filluar nga ora 11:00, në një tjetër përpjekje për ta konstituar legjislaturën e re.

Që nga 15 prilli, Kuvendi ka dështuar plot 46 herë radhazi në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, raporton Telegrafi.

Procesi i konstituimit ka mbetur i bllokuar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por kjo kandidaturë nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e tjera parlamentare.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka propozuar që votimi për kryetaren të zhvillohet në mënyrë të fshehtë, por ky propozim nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvend.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt. /Telegrafi/

The post Ngërçi në Kuvend, sot përpjekja e 47-të për konstituim appeared first on Telegrafi.

46 tentime të dështuara, a po shkon Kosova drejt zgjedhjeve të dyfishta?

14 July 2025 at 11:34

Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa Qeveria e re nuk është formuar. Deri më tani janë regjistruar 46 përpjekje të dështuara për konstituimin e Kuvendit, ndërsa rreziku për zgjedhje të reja po rritet nga dita në ditë.

Përplasjet politike rreth mënyrës së votimit për kryetarin e Kuvendit, mungesa e konsensusit politik dhe pazaret për zgjedhjet lokale kanë bllokuar funksionimin institucional. Ndërkohë, “afati kushtetues” i korrikut po afrohet dhe zgjidhja ende nuk shihet askund.

Çfarë ka ndodhur deri më tani?

Zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 9 shkurt, ndërsa në fund të marsit u certifikuan rezultatet, duke hapur rrugën për konstituimin e institucioneve.

Por, që nga ajo kohë, vendi ndodhet në një ngërç institucional të paprecedentë, ku Kuvendi nuk është konstituuar dhe nuk është zgjedhur një Qeveri e re.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka insistuar që votimi për kryetarin e Kuvendit të bëhet me votim të fshehtë, dhe ka propozuar për këtë pozitë Albulena Haxhiun. Mirëpo, kjo nuk është mbështetur nga partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK.

Si pasojë, vendi ndodhet në një bllokadë të thellë institucionale.  Kuvendi nuk mund të miratojë ligje, të formojë komisione, apo të mbikëqyrë qeverinë n për çështje të rëndësishme si inflacioni, kriza energjetike apo skandalet që mund të shpërthejnë në ndërkohë.

Çfarë pritet të ndodhë?

Afati për formimin e institucioneve po i afrohet fundit. Nëse deri në fund të korrikut nuk arrihet marrëveshje, për shembull mes LVV-së, Nismës Socialdemokrate dhe përfaqësuesve të pakicave jo-serbe, atëherë zgjedhjet e reja parlamentare do të jenë të pashmangshme.

Këto zgjedhje pritet të mbahen pas atyre lokale, të planifikuara për 12 tetor.

Nëse shkohet në zgjedhje të reja, Qeveria Kurti do të mbetet në detyrë deri pas zgjedhjeve lokale, ndërsa kalkulimet politike për balotazhin në disa komuna do të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në marrëveshjet eventuale për qeverinë e re. Kjo situatë do të jetë vendimtare edhe për një tjetër çështje të rëndësishme, zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, pasi mandati i Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon në fillim të vitit 2026.

Në mungesë të një kompromisi politik, vendi po hyn në një cikël të rrezikshëm./Telegrafi/.

The post 46 tentime të dështuara, a po shkon Kosova drejt zgjedhjeve të dyfishta? appeared first on Telegrafi.

Aktivitet pa leje i LVV-së në zonë të mbrojtur në Badovc – Bulliqi thotë s’kishte nevojë për leje

13 July 2025 at 23:53

Lëvizja Vetëvendosje – dega në Podujevë, ka organizuar një aktivitet në zonën e mbrojtur të Liqenit të Badovcit, duke përfshirë grilla dhe lundrim me varka por me vete nuk e kishin lejen me të cilën do të duhej ti pajiste Ministria e Mjedisit. I pranishëm ishte edhe kryetari Shpejtim Bulliqi, i cili nënkupton se s’kishte nevojë për leje ngase ligji është shfuqizuar. Por ekspertët ligjorë thonë të kundërtën.

ndalon ose së paku kërkon leje për mbajtjen e aktiviteteve në zonat që gëzojnë mbrojtje të veçantë.

Por për dikë, këto nuk duket se kanë peshë.

Lëvizja Vetëvendosje – Dega në Podujevë ka mbajtur një aktivitet me mbështetësitë e saj në Orllat, buzë Liqenit të Badovcit.

Kjo e fundit është zonë e mbrojtur ujore dhe menaxhohet nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore.

Skarë, muzikë e lundrim. Këto i përfshin aktiviteti e po këto, i ndalon edhe ligji për mbrojtjen e ujërave.

I pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Podujevës që vjen nga kjo parti e që konsideron se nuk pati nevojë për leje.

“Kjo hapsirë është hapsirë e frekuentuar shumë, veçanërisht në numër të madh në ditët e vikendit dhe ajo çka po bëjmë ne në nivel lokal po bëjmë çka është e mundshme që ti rrimë gati të kujdesemi për mjedisin të cilin ndoshta jo edhe rrallë, është në nivelin që duam ta kemi. Përndryshe, masat që janë nxjerrë para pak kohe janë tërheq nga Ministria e Mjedisit prandaj zhvillimi i këtyre aktiviteve nuk është diçka që bie në kundërshtim”, ka theksuar Shpejtim Bulliqi, kryetar i Podujevës.

I pyetur nëse do marrë përgjegjësi në rast se aktiviteti përbën shkelje, Bulliqi shprehet i sigurt se s’do ketë nevojë.

“Sigurisht që ne jemi ata që kujdesemi mos me pas shkelje, punojmë që mos të ketë shkelje dhe kjo çështje është më se normale”, ka theksuar Shpejtim Bulliqi, kryetar i Podujevës.

Por njohës të ligjit kanë qëndrim tjetër duke thënë se aktivitete të tilla, përbëjnë shkelje të ligjit.

“Aktivitetet, përfshirë ato lundruese, ushqimin, ,mbeturinat dhe të tjerat që mund të rezultojnë me ndotjen e ujërave janë të ndaluara dhe është përgjegjësi e secilit të mos marrë veprime të tilla. Për më tepër, çdo aktivitet i tillë duhet të denoncohet, të lajmërohet paraprakisht tek inspektorati i Mjedisit e natyrisht, janë të detyruar të inspektojnë nëse kemi të bëjmë me ndotje të mjedisit. Mund të shqiptojnë gjoba, po qe e arsyeshme. Aktivitetet e tilla duhet lajmëruar paraprakisht dhe  është e domsodshme prezenca e inspektorëve në mënyrë që të konsttaohet nëse kemi tendencë për ndotje të ujërave”, ka theksuar Ardian Bajraktari, avokat.

Interesimit të Dukagjinit lidhur me këtë çështje, nuk i është përgjigjur Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapsinor dhe Infrastrukturës./RTV Dukagjini/

The post Aktivitet pa leje i LVV-së në zonë të mbrojtur në Badovc – Bulliqi thotë s’kishte nevojë për leje appeared first on Telegrafi.

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit, opozita akuzon Kurtin


PRISHTINË, 13 korrik/ATSH/ Ka dështuar sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Shkak për dështimin e 46-të në radhë ishte mos arritja e 61 votave të nevojshme nga mazhoranca për t’i hapur rrugën votimit të fshehtë, si edhe votimit të Albuela Haxhiut si kryetare të Kuvendit, propozim i Lëvizjes Vetëvendosjes dhe aleatëve të saj në mazhorancë.

Seanca e radhës do të mbahet të martën, më 15 korrik, në orën 11:00.

Pas dështimit të seancës së 46-të të konstituimit të Kuvendit, edhe kësaj radhe partitë e tjera, PDK, LDK e AAK-ja kanë shfrytëzuar foltoren e Kuvendit për t’i dhënë qëndrimet e tyre lidhur me krizën politike në vend.

Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku tha se që nga pavarësia e Kosovës, Kosova asnjëherë nuk është përballur me një papërgjegjësi kaq të madhe institucionale, e krejt kjo sipas tij, si pasojë e egos së pa kontrolluar për pushtet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj shtoi se fakti që fjalimet e deputetëve po mbahen pa mikrofon, regji e rekordim zyrtarë nga Kuvendi, tregon se institucioni që duhet të jetë tempull i demokracisë, është sot pasqyrë e një krize të thellë politike që po dëmton funksionimin demokratik të shtetit.

Zemaj tha se kjo është një sabotim i qëllimshëm i shtetit nga LVV-ja.

E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se më 26 korrik bëhen një muaj nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituim të Kuvendit, ndërsa LVV-ja sipas saj, nuk ka angazhim as ditorë, javorë e mujorë për të konstatuar Kuvendin e Kosovës.

Kadrjaj theksoi se kjo po bëhet qëllimshëm për bojkot të konstituimit të Kuvendit të Kosovës nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

 

/Kosovapress/

The post Dështon sërish konstituimi i Kuvendit, opozita akuzon Kurtin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot, tentativa e radhës për konstituimin e Kuvendit në Kosovë

PRISHTINË, 13 korrik/ATSH/ Deputetët do të mblidhen sot për të 46 herë më radhë në tentativën e 46-të për të konstituar Kuvendin e Kosovës.

Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi i ri ka mbetur i pa konstituar në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve. Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë arritur të sigurojnë votat e mjaftueshme për Albulena Haxhiun, të cilën e kanë propozuar si kryetare të Kuvendit. Në mungesë të numrave ata kanë propozuar që votimi nga i hapur të kalojë në të fshehtë.

Komisioni që mundëson votimin e fshehtë nuk po mbështetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo çështje madje është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka dhënë aktgjykimin e saj, por i njëjti po interpretohen në mënyra të ndryshme nga subjektet politike.Kushtetuesja ka sjellë aktvendim sipas të cilit legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

PDK dhe AAK i kanë kërkuar LVV-së që ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit me arsyetimin se ka punuar në dëm të interesave të shtetit. Kurse, LDK ka deklaruar se nuk do ta votojë asnjë kandidatë.

Këto parti kanë thënë se Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë as votat për formimin e Qeverisë, për çka kanë thënë se nevojitet marrëveshje politike. Megjithatë, në LVV kanë thënë se kjo duhet provuar duke votuar fillimisht konstituimin e Kuvendit.

Ndërkohë, PDK dhe LDK iu ka drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese që të sqarojë nëse seancat e fundit kanë shkelur Kushtetutën. Gjithashtu, edhe presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se së shpejti do t’i dërgohet Kushtetuese se cilat janë masat që duhet të merren nëse nuk konstituohet Kuvendi deri më afatin e paraparë prej një muajsh.

Kujtojmë, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më nëntë (9) shkurt. Mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më pesëmbëdhjetë (15) prill. Që nga ajo datë çdo dyzetetetë (48) orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur ndonjë rezultat konkret.

/kosovapress/

The post Sot, tentativa e radhës për konstituimin e Kuvendit në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot përpjekja e 45-të për konstituimin e Kuvendit

11 July 2025 at 07:07

Deputetët e Kuvendit do të mblidhen sërish sot, duke filluar nga ora 11:00, në një tjetër përpjekje për ta konstituar legjislaturën e re.

Që nga 15 prilli, Kuvendi ka dështuar plot 44 herë radhazi në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, raporton Telegrafi.

Procesi i konstituimit ka mbetur i bllokuar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por kjo kandidaturë nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e tjera parlamentare.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka propozuar që votimi për kryetaren të zhvillohet në mënyrë të fshehtë, por ky propozim nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvend.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt. /Telegrafi/

 

 

The post Sot përpjekja e 45-të për konstituimin e Kuvendit appeared first on Telegrafi.

“Propagandë e LDK-së, apo e LVV-së”, cila është e vërteta për buxhetin e kryeqytetit?

9 July 2025 at 20:39

Përplasjet mes Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike janë duke vazhduar tash e disa ditë në Prishtinë, tani për çështjen e buxhetit.

Dy palët, akuzojnë njëra tjetrën për propagandë, e nga shoqëria civile thonë se vetëm miratimi i ndryshimeve të Buxhetit nga Kuvendi i Kosovës, mund ta zhbllokojnë buxhetin.

Për çerdhe pa ushqim për fëmijët, shkruante këtë të hënë kryetari i Prishtinës Përparim Rama.

Këtë mes tjerash e kishte përmendur në një postim ku numëronte ndikimin e asaj që i pari e Prishtinës, e konsideron bllokadë të qëllimshme të nivelit qendror.

Buxheti i miratuar me vonesë për një numër arsyesh, në dhjetor të vitit të kaluar, nuk ka arritur të përfshihet në Ligjin për Buxhetin, pa një kuvend të konstituuar.

Por, kjo nuk ka penguar dy partitë, LDK-në me kryetarin Rama që udhëheq me kryeqytetin e Vetëvendosjen, që synon këtë komunë, të akuzojnë njëra tjetrën për propagandë.

Me fjalën e njëjtë, asambleistë të LDK-së, flasin edhe për deklaratat që vijnë nga Vetëvendosje, për rritje të shpenzimeve për mbi 2 milionë euro.

“Shihet ashiqare se ka qenë e qëllimshme. Qëllimi kryesor është se Prishtina udhëhiqet nga një subjekt tjetër dhe Vetëvendosja ashiqare, ka qëllime që ta marrë udhëheqjen e Prishtinës. Bllokimi i buxhetit rrezikon çdo sferë të komunës, shërbimet, mallrat, shërbimi në çerdhe, urgjenca, si tash që kemi nevojë për automjete për zjarrfikësit, derivatet. Komuna s’ka mjete për ti paguar. Është tërsisht propoagandë e LVV. Ato pagesa janë ekzekutuar siç ka kërkuar raporti i auditorit për qëllime gjyqësore. E dini se konkrata koletkive e obligon komunën të paguajë shujtën dha pagat jubilare për arsim. Këto pagesa janë bërë nga komuna”, ka theksuar Fiknete Bejta, asambliste e LDK-së në Prishtinë.

Por, edhe një herë tjetër, nga dega e Vetëvendosjes në Prishtinë, situatën, nuk e shohin si të ndikuar nga niveli qendror.

“Pyetja logjike në këtë rast është: nëse paska bllokadë nga qeveria, ku po i merr Komuna e Prishtinës gjithë këto miliona euro për t’i shpenzuar? Edhe më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2024. Përgjigjja është e thjeshtë dhe konkrete: nuk ka bllokadë nga niveli qendror. Ka dezinformata dhe të pavërteta nga niveli lokal. E gjithë kjo propagandë e LDK-së dhe Përparim Ramës në Prishtinë është akti i fundit i një qeverisjeje që do të mbahet mend si njëra nga më të dobëtat që ka pasur ndonjëherë kryeqyteti”, ka deklaruar Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të LVV-së.

Përderisa dy palët vazhdojnë akuzat e kundër-akuzat, në këtë situatë organizatat monitoruese të punës së Komunës, e vlerësojnë si hap thelbësor zhbllokimi e ngërçit në  Kuvendin e Kosovës.

“Vonesa në miratimin e buxhetit komunal nga Asambleja e Prishtinës në dhjetor të vitit 2024 ka krijuar një pengesë serioze, pasi ky buxhet nuk ka mundur të reflektohet përmes amandamenteve në Ligjin e Buxhetit nga Kuvendi i Kosovës. Roli i Kuvendit është kyç, pasi është institucioni përfundimtar që duhet të miratojë dhe harmonizojë ligjin e buxhetit për të mundësuar zbatimin efektiv të projekteve në nivel lokal. Por, për shkak se Kuvendi ende nuk është konstituar, procesi ka mbetur pezull. Për këtë arsye, është jetike që Kuvendi të konstituohet sa më parë dhe të amandamentohet Ligjii për Buxhetin për vitin 2025, në mënyrë që komunat, përfshirë Prishtinën, por edhe disa tjera, të mund të zbatojnë prioritetet e tyre pa pengesa”, ka theksuar Ardit Dragusha, nga organizata “D+”.

Tash e një kohë, kryetari Përparim Rama dhe Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati janë ballafaquar në rrjete sociale me Ramën që pretendon se po sabotohet dhe ministrin, që ngulë këmbë se komuna s’respektoi dispozitat ligjore dhe LDK-në, që po bllokon konstitutimin e Kuvendit, raporton RTVDukagjini.

The post “Propagandë e LDK-së, apo e LVV-së”, cila është e vërteta për buxhetin e kryeqytetit? appeared first on Telegrafi.

Rreziku i një situate të paprecedentë në Kosovë pas afatit të 26 korrikut

9 July 2025 at 18:27

Situata në Kosovë mbetet e bllokuar, ndërsa heqja e mandateve të deputetëve – një opsion i përmendur në rast të moskonstituimit të Kuvendit deri më 26 korrik – nuk konsiderohet e realizueshme.

Ekspertët paralajmërojnë se, nëse ky afat shkelet, vendi do të përballet me një krizë politike dhe juridike të panjohur më parë.

Askush nuk ka përgjigje të qartë se çfarë do të ndodhë në Kosovë pas 26 korrikut – datë kur skadon afati prej 30 ditësh që Gjykata Kushtetuese u ka dhënë deputetëve të zgjedhur për të konstituuar Kuvendin.

Deri tani, përpjekjet për formimin e këtij institucioni ligjvënës kanë dështuar 44 herë.

Partitë politike vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për ngërçin dhe të mos lëvizin nga qëndrimet e tyre.

Në këtë atmosferë bllokade, ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gjyljeta Mushkolaj, thotë se barra e përgjegjësisë duhet të kalojë tani mbi presidenten e vendit, Vjosa Osmani, e cila e ka detyrë kushtetuese të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve.

Sipas saj, e para e shtetit duhet t’i intensifikojë përpjekjet për arritjen e një konsensusi mes partive politike, dhe nëse kjo dështon, të kërkojë interpretim shtesë nga Gjykata Kushtetuese, për të qartësuar hapat e ardhshëm.

“Gjykata Kushtetuese duhet të jetë më e prerë rreth afatit që e ka përcaktuar dhe pasojave që vijnë pas këtij afati. Roli i Gjykatës Kushtetuese nuk ka përfunduar ende”, thotë Mushkolaj.

Javën e kaluar, presidentja Osmani priti për dy ditë me radhë përfaqësuesit e partive politike, në përpjekje për të zhbllokuar situatën.

Pas takimeve, ajo u shpreh qartë se konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, është “detyrim e jo opsion” dhe u bëri thirrje partive që sa më shpejt të gjejnë zgjidhje.

Radio Evropa e Lirë pyeti Zyrën e Presidentes nëse po e shqyrton mundësinë për t’iu drejtuar Kushtetueses, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Në një deklaratë për mediat më 30 qershor, këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, tha se “nëse paraqitet nevoja, presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) thonë se konsensusi është e vetmja rrugë për të tejkaluar bllokadën dhe për të konstituuar Kuvendin deri më 26 korrik.

Nëse kjo nuk ndodh, Kosova do të përballet me një situatë të panjohur deri më tash, thotë Naim Jakaj nga ky institut.

“Kosova do të hyjë në një situatë të re juridike dhe politike, që nuk e ka përjetuar më herët. Pasojat e saj do t’i ndiejmë në muajt e ardhshëm, në rast se Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik”, thotë Jakaj.

A mund t’iu merret mandati deputetëve?

As Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, nuk ka një përgjigje të qartë për zhvillimet që mund të pasojnë nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik.

Më 9 korrik, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve për këtë çështje, deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha shkurt: “E paparashikuar”.

Dy ditë më parë, ajo përmendi mundësinë që të gjithë deputetët e Kuvendit të humbin mandatin, nëse nuk e konstituojnë institucionin brenda afatit 30-ditor, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

“…janë 120 deputetë të legjislaturës së 9-të, që mund t’iu merret mandati, dhe të vazhdohet pastaj me deputetët që janë në listat e të gjitha partive politike”, tha Kusari-Lila.

Por, Mushkolaj shpjegon se mandatin e deputetëve të zgjedhur në mënyrë demokratike nuk mund ta marrë askush.

“Populli ua ka dhënë këtë mandat dhe populli ua merr mandatin. Vetëm nëse shkojmë në zgjedhje. Por, përsëri, duhet të konstituohet Kuvendi”, thotë profesoresha në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Jakaj, gjithashtu, nuk e sheh të mundshme heqjen e mandatit të deputetëve.

Ai thekson se Kushtetuta e Kosovës, në nenin 70, përcakton qartë arsyet për përfundimin ose pavlefshmërinë e mandatit të deputetit.

Ato përfshijnë: mosbetimin, dorëheqjen, emërimin në qeveri, përfundimin e mandatit të kuvendit, mungesën prej gjashtë muajsh në seanca, dënimin me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vite burgim, ose vdekjen e deputetit.

“Në asnjë nga pikat e aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese nuk i ka saktësuar pasojat kolektive apo individuale për deputetët, në rast të moskonstituimit brenda afatit prej 30 ditësh”, shton Jakaj.

Muhaxhiri: Nuk ka precedent për marrjen e mandateve

Edhe Artan Muhaxhiri, sociolog dhe njohës i politikës në Kosovë, thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk parashikon marrjen e mandateve nga deputetët, në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit.

Për më tepër, thekson ai, në Kosovën e pasluftës nuk ka ndonjë precedent të ngjashëm.

Ai thotë se një hap i tillë do të kërkonte një vendim të ri të Gjykatës dhe ndryshime në mënyrën e zëvendësimit të deputetëve, por, prapëseprapë, nuk do të garantonte tejkalimin e bllokadës politike që po e pengon formimin e institucioneve.

“E para, ata deputetë që do të vinin, do të kishin më pak legjitimitet dhe pothuajse të gjithë do të ishin anonimë, pa përvojë politike. Vetë fakti që nuk janë zgjedhur, dëshmon se nuk kanë arritur sukses as në garën përbrenda partive të tyre”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se personat që do t’i zëvendësonin deputetët aktualë, do të vepronin nën udhëzimet e liderëve të partive të tyre, ndaj sjellja e tyre në procesin e konstituimit të Kuvendit do të ishte e njëjtë me atë të deputetëve aktualë.

“Do të ktheheshim në pikën ku jemi tash, por me një humbje të kohës dhe me një dëmtim të perspektivës së Kosovës dhe imazhit institucional në përgjithësi”, thekson Muhaxhiri.

Ku ka mbetur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës?

Deri më tani, deputetët kanë përfunduar vetëm dy pika të agjendës: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve.

Procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e nevojshme në disa runde votimi për t’u zgjedhur në këtë post.

Dy parti parlamentare, PDK-ja dhe AAK-ja, e shohin Haxhiun si figurë përçarëse dhe kërkojnë nga Lëvizja Vetëvendosje të propozojë një emër tjetër për kryeparlamentar.

LDK-ja thotë se nuk do të mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për këtë pozitë.

E, Vetëvendosje këmbëngul tani që votimi për Haxhiun të bëhet në mënyrë të fshehtë, duke premtuar se nëse ajo nuk i merr 61 vota, do të propozojë një kandidat tjetër.

Por, kjo formë votimi kundërshtohet nga partitë e tjera, duke e futur situatën në një rreth vicioz.

Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykimin për konstituimin e Kuvendit me afat 30 ditësh më 26 qershor, pas 37 tentativave të dështuara në këtë proces.

Megjithatë, ekspertët kushtetues dhe partitë politike e kanë kuptuar dhe interpretuar këtë vendim në mënyra të ndryshme.

Muhaxhiri thotë se për të tejkaluar bllokadën në Kuvend, është e nevojshme që Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim më të qartë dhe më të drejtpërdrejtë, raporton REL.

The post Rreziku i një situate të paprecedentë në Kosovë pas afatit të 26 korrikut appeared first on Telegrafi.

“Turma ra, Parisi nisi”, Abdixhiku mbështet Paris Gurin pas përplasjes me deputetët e LVV-së

9 July 2025 at 14:24

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka dalë në mbështetje deputetit të kësaj partie, Paris Guri i cili gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës u përball me deputetët e LVV-së.

Abdixhiku u shpreh se prezenca e parë e Gurit në foltoren e Kuvendit u bë më e fuqishme se britmat e pakontrolluara të një turme.

“Siç e thotë Rick, në ‘Rick and Morty’:“Kundërshtimet e juaja s’më lënë përshtypje. Kam parë çfarë duartrokitni.”  Prezenca e një djali të ri në foltore, e para e tij, u bë sot më e fuqishme se britmat e pakontrolluara të një turme. Turma ra. Parisi nisi”, ka shkruar Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së u shpreh krenar me deputetin e ri Guri.

“Paris Guri, krenar me ty. E ardhmja është e bukur”, shkroi Abdixhiku në një reagim në Facebook.

Ndryshe deputeti Paris Guri sot u përplas me deputetët e LVV-së, konkretisht deputeten Fitore Pacolli.

“Fitore qa po kesh ti a i ke kthy 200 mijë euro, mos kesh Fitore se marre. Oj Fitore mos bërtit moj”, tha Guri, mirëpo fjala iu ndërpre nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari duke i thënë se nuk bënë të mbash debat.

“Dy herë tu ka dhënë mundësia”, i tha Dehari deputetit Guri, ndërkaq ky iu përgjigj se “si të flas kur këta qeshin si cirk, si të flas para cirkut”.

Dehari ia mundësoi edhe njëherë fjalën deputetit Guri.  Guri sërish iu drejtua deputetes Pacolli “sje tu më lan me fol Fitore, 200 mijë euro kthej”. /Telegrafi/

 

 

 

The post “Turma ra, Parisi nisi”, Abdixhiku mbështet Paris Gurin pas përplasjes me deputetët e LVV-së appeared first on Telegrafi.

❌
❌