Nisin bllokimet e produkteve pa faturë tatimore, Denaj: Garantojmë ushqime të kontrolluara
TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Nga sot ka hyrë në fuqi detyrimi për lëshimin e faturës tatimore për çdo shitje të produkteve ushqimore, përfshirë ato bujqësore dhe blegtorale, edhe nga fermerët.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe administrata tatimore përmes këtij aksioni të përbashkët synojnë të rrisin transparencën, të forcojnë sigurinë ushqimore dhe të ulin informalitetin në sektor.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur se ky hap është pjesë e një strategjie të gjerë kombëtare që synon formalizimin e ekonomisë agroushqimore, rritjen e gjurmueshmërisë së produkteve bujqësore dhe garantimin e të drejtave të konsumatorit për ushqime të kontrolluara dhe të sigurta.
Sipas kësaj nisme, çdo operator i biznesit ushqimor, përfshirë edhe fermerët që tregtojnë prodhimin e tyre, është i detyruar të lëshojë faturë tatimore për çdo shitje të bërë.
“Faturimi elektronik bëhet forma standarde e raportimit dhe pritet të ndihmojë ndjeshëm në uljen e nivelit të informalitetit, duke mundësuar në të njëjtën kohë një ndjekje të saktë të zinxhirit të shpërndarjes së produkteve”, tha Denaj.
Autoritetet kanë bërë të ditur se subjektet që tregtojnë pa faturë tatimore do të përballen me kontrolle dhe masa ndëshkimore sipas ligjit “Për procedurat tatimore”.
Kjo nismë sjell përfitime të konsiderueshme jo vetëm për konsumatorët, të cilët do të kenë siguri mbi origjinën dhe përbërjen e produkteve që konsumojnë, por edhe për vetë fermerët dhe prodhuesit që formalizohen.
Përmes këtij procesi ata fitojnë mundësinë për të përfituar mbështetje fiskale, duke përfshirë akses në subvencione, kredi dhe programe zhvillimi të dedikuara për sektorin.
Gjithashtu, formalizimi dhe certifikimi i produktit shqiptar rrit konkurrueshmërinë e tij si në tregun vendas, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. /j.p/
The post Nisin bllokimet e produkteve pa faturë tatimore, Denaj: Garantojmë ushqime të kontrolluara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.