“Trump president atipik, por me qasje të qartë gjeopolitike”, Mediu: Ndërhyrja për konfliktin Iran-Izrael pati efekt të jashtëzakonshëm
Deputeti Fatmir Mediu, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ka komentuar zhvillimet e fundit gjeopolitike dhe ndikimin e SHBA-së në skenën ndërkombëtare. Ai theksoi se administrata amerikane, me në krye Donald Trump, po rikthen disa prej traditave të hershme diplomatike të Uashingtonit, duke e pozicionuar sërish Amerikën si një fuqi dominuese globale.
Sipas tij, jemi përballë një rikthimi të disa prej pozicioneve tradicionale të diplomacisë amerikane, të cilat, sipas tij, ishin dëmtuar apo lënë pas dore në vitet e fundit.
Mediu vlerësoi se kjo qasje nuk është një risi ekskluzive e Trump, por pjesë e një kthimi në një filozofi më të hershme të politikës së jashtme amerikane, që synon rikthimin e ndikimit global të SHBA-së. Ai e cilësoi Trump si një president atipik, por me vizion të qartë gjeopolitik, i cili, sipas tij, ka goditur drejtpërdrejt rivalët strategjikë të Amerikës, me theks të veçantë mbi Kinën dhe Iranin.
“Trump ka përcaktuar qartë se cili është rivali i tij, dhe ai është Kina. Ndërhyrjet e tij kanë shkaktuar një krizë të thellë në ekonominë kineze”, u shpreh Mediu. Ai shtoi gjithashtu se qasja e Trump ndaj marrëdhënieve mes Iranit dhe Izraelit ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në balancat gjeopolitike në Lindjen e Mesme.
Në përfundim, Mediu theksoi se nën drejtimin e Trump, SHBA po e rikthen rolin e saj jo vetëm si një fuqi ekonomike dhe ushtarake, por edhe si një shtyllë kyçe në arkitekturën e sigurisë globale, përfshirë brenda NATO-s.
“Unë mendoj që ka një rikthim të disa pozicioneve të SHBA në raport me gjeopolitikën. Kjo diplomaci nuk është vetëm e Trump ka qenë e hershme. Është një rikthim i disa traditave amerikane, të cilat u dëmtuan rishtazi. Shkuan shumë larg nga sa ne mund ta mendonim. Për sa i përket Trump, dihet që është një President atipik, që ka atë këndvështrimin si president. Ai është një njeri që i ka pasur të gjitha gjërat me bollëk, dhe ajo që i kishte munguar është pushteti që ka tani.
Është president që jo vetëm që po e kthen Amerikën në forcë, po bën dhe një gjeopolitikë të re në mbarë botën. Kina po zhvillohej me ritme të tilla, që sipas ekspertëve ishte e pakonkurrueshme edhe nga Amerikan, në tregti, ekonomi, apo ushtri. Trump e ka përcaktuar qëndrimin e vet e ka gjetur se kush rivali i tij dhe padyshim që është Kina. Raporti që mori Trump me Kinën solli një krizë në ekonominë kineze. Lëvizjes e Trump ndaj Iran-Izrael pati një efekt të jashtëzakonshëm gjeopolitik. Trump e ka çuar në një nivel tjetër fuqinë e Amerikës, si fuqi e NATO-s”, tha Mediu./abcnews.al