Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 July 2025Lajme Shqiperi

BM – IA përshpejton diagnostikimin e kancerit të lëkurës në pjesë të largëta të botës

LONDËR, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Një studiuese universitare skoceze ka zhvilluar mjete të inteligjencës artificiale që mund t’u japin njerëzve në zona të largëta të botës qasje në diagnoza të shpejta dhe potencialisht shpëtimtare të kancerit të lëkurës.

Tess Watt, një studente doktorature në Universitetin Heriot-Watt në Edinburg, e cila udhëhoqi projektin për të zhvilluar teknologjinë, tha se ”qëllimi është të mundësojë diagnostikimin e hershëm të problemeve të lëkurës kudo në botë, pa pasur nevojë të konsultohet drejtpërdrejt me një dermatolog”.

Teknologjia funksionon edhe pa qasje në internet.

Sistemi kërkon që një pacient të bëjë një fotografi të problemit të tij të lëkurës duke përdorur një aparat fotografik të vogël të lidhur me një pajisje Raspberry Pi, një kompjuter portativ me kosto të ulët dhe me efikasitet energjetik, i aftë të ruajë sasi të mëdha informacioni.

Fotografia analizohet në kohë reale duke përdorur sistemet më të fundit të klasifikimit të imazheve, duke e krahasuar atë me një grup të dhënash masive prej mijëra imazhesh të ruajtura në pajisje për të arritur në një diagnozë.

Rezultatet më pas ndahen me një klinikë lokale të mjekut të përgjithshëm për të filluar një plan të përshtatshëm trajtimi.

Projekti besohet të jetë i pari i këtij lloji që kombinon diagnozën mjekësore të bazuar në inteligjencën artificiale me qëllimin e ofrimit të shërbimeve për komunitetet e largëta./ /os/

The post BM – IA përshpejton diagnostikimin e kancerit të lëkurës në pjesë të largëta të botës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Prona në Theth e pacenueshme, historitë me resorte këndvështrim i ngushtë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se në Theth nuk do ndërtohen resorte apo hotele të mëdha.

Gjatë komunikimit në rubrikën “Sy m’sy”, Kryeministri iu përgjigj komentit të një qytetari që shprehet se “ndërtimet në Theth u shembën për t’i hapur rrugë planit të radhës së ndërtimeve për oligarkët”.

Rama tha se “këto janë përrallat me të cilat u kanë mbushur kokën, ose inati dhe mllefi ndaj qeverisë, ose zhytja e kokës në kanalet e infektuara të ujërave të zeza mediatike”.

“Nuk ndodh kjo kështu! Prona është e pacenueshme. Nëse prona është e dikujt, cilido që do të investojë në atë pronë duhet të merret vesh me dikë. Nuk ka shans të ndodhë ndryshe, ndërkohë që në Theth e kundërta është e vërtetë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi faktin se në Theth nuk do të ketë zhvillime pas pastrimit të madh, përveçse në raste specifike të lidhura me ata që jetojnë aty.

“Nuk është Thethi vendi për resorte turistike, vendi për hotele të mëdha, për histori të tilla që janë pjesë e fantazisë së njerëzve me kënd të ngushtë shikimi”, tha Rama.

/e.i/j.p/

The post Rama: Prona në Theth e pacenueshme, historitë me resorte këndvështrim i ngushtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Mandati i katërt për Rilindjen Urbane 2.0, transformim i shërbimeve jetike

TIRANË, 21 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se mandati i katërt do të jetë mandati i Rilindjes Urbane 2.0.

Kjo, sipas kryeministrit, do të thotë më shumë hapësira publike të rikualifikuara me përfshirjen e arkitektëve të huaj.

Duke iu përgjigjur pyetjeve dhe komenteve të adresuara nga qytetarët në platformat sociale, Rama theksoi se “fatmirësisht kemi një rrjet arkitektësh të huaj si pakkush në këtë botë me një numër të konsiderueshëm edhe arkitektësh shqiptarë.

“Janë 60 arkitektë lokalë që janë angazhuar në Tiranë në 8 grupe pune, që po merren ndërkohë me projektet, sepse nuk është thjesht të heqim gjërat, por të krijojmë situata të reja të kualifikuara nga pikëpamja urbane në territoret e komuniteteve”, nënvizoi Rama.

Kryeministri siguroi se kjo gjë do të ndodhi në të gjithë perimetrin e Tiranës hap pas hapi.

“Tirana ka nevojë të ngjitet në një nivel tjetër të hapësirave publike, të kulturës urbane, cilësisë së shërbimeve dhe estetikës së shërbimeve sepse ky është momenti ku ne mund ta humbasim bastin e madh të Shqipërisë kampione e Ballkanit në turizëm, nëse nuk i japim cilësi estetike shërbimeve tona”, tha Rama.

Sipas tij, “ky është momenti edhe për transformimin e disa shërbimeve jetike nga shërbimi me ujë, tek shërbimi i pastrimit, të cilat do t’i reformojmë rrënjësisht.

“Ashtu sikundër edhe te kontrolli mbi territorin dhe kontrolli i sigurisë ushqimore. Këto janë piketa kyçe të mandatit të katërt dhe që lidhen drejtpërdrejt edhe me anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, tha Rama. /j.p/

The post Rama: Mandati i katërt për Rilindjen Urbane 2.0, transformim i shërbimeve jetike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rruga Milot-Balldre, Rama: Sapo të kemi kontratën e rregullt do të fillojmë edhe këtë segment

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se për ndërtimin e segmentit rrugor “Milot-Balldre” duhet konkurrencë dhe një partner i besueshëm ndaj edhe procedura e koncesionit është anuluar.

Rama iu përgjigjet pyetjeve dhe komenteve të adresuara nga qytetarët në platformat sociale, ku veçoi pyetjen e një komentuesi se kur do të ndërtohet ky segment rrugor.

“E kemi shpjeguar dhe rishpjeguar. Është në proces, ne i kemi të gjitha gati, por na duhet transprencë, na duhet konkurrencë dhe një partner i besueshëm. Për këtë arsye edhe procesi është anuluar dy herë në mos gabohem, apo tre herë”, tha Rama.

Kryeministri bëri të ditur se sapo të kemi kontratën e lidhur në mënyrë të rregullt dhe të plotë do të fillojmë edhe këtë segment.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka anuluar në 14 korrik procedurën e koncesionit për ndërtimin e segmentit rrugor “Milot-Balldre” me vlerë 364.7 milionë euro dhe kohëzgjatje 35 vjet.

Arsyeja e anulimit është pasi asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përmbushi kërkesat e procedurës konkurruese.

Gjurma e propozuar e rrugës “Milot-Balldre” fillon në nyjen e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjera rrugore Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre.

Autostrada e re Milot-Balldre parashikohet të jetë një autostradë e kategorisë A, cilësia më e lartë e rrugëve të standardit europian.

Kjo autostradë do të ketë një gjatësi prej 17 km, dhe do të jetë tërësisht e mbyllur në të dy krahët. Gjerësia e saj do të jetë nga tre korsi në të dy krahët e lëvizjes dhe do të mundësojë ecjen me një shpejtësi prej 120 km/orë.

/m.m/j.p/

 

The post Rruga Milot-Balldre, Rama: Sapo të kemi kontratën e rregullt do të fillojmë edhe këtë segment appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ndryshimet e drejtorëve, domosdoshmëri për angazhim të të rinjve

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ndryshimet e drejtorëve në bashkive kryesore të vendit janë një domosdoshmëri për të dhënë një impuls të ri dhe për të adresuar problematikat që nuk lidhen vetëm me buxhetin, por edhe me përkushtimin dhe vëmendjen ndaj zhvillimit të këtyre bashkive.

Në rubrikën “Sy Më Sy”, ku Kryeministri i përgjigjet pyetjeve të ndjekësve të tij në rrjetet sociale, Rama tha se gjithsesi nuk duhet të futen të gjithë në një “thes”.

“Dorëheqjet e drejtorëve nga strukturat e bashkive kryesore janë një nevojë urgjente për të dhënë një impuls të ri dhe për të shkundur mekanizmat e topitura të disa bashkive. Kjo është e domosdoshme për të adresuar problematikat që nuk lidhen me buxhetet e mëdha, por me vëmendjen dhe përkushtimin që duhet të kenë drejtuesit e këtyre bashkive”, u shpreh Kryeministri.

Ai përmendi gjithashtu ndryshimet pozitive që po ndodhin në disa bashki, si ato në Vlorë, ku ka pasur një rritje të menjëhershme të performancës, jo për shkak të buxheteve, por për shkak të vëmendjes së shtuar.

“Vlora është një shembull i qartë për ndryshimin e menjëhershëm që po ndodh në një kohë të shkurtër, jo për shkak të shtimit të buxhetit, por për shkak të vëmendjes të shtuar. Këtu janë angazhuar të gjithë deputetët, së bashku me kryetarin e bashkisë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se është hapur një proces, janë ftuar të rinjtë, djem dhe vajza, nga të gjitha rrugët e jetës, që të bëhen drejtues të rinj të bashkive.

“Asnjë prej atyre që kanë drejtuar më parë nuk duhet të qëndrojë për vite të tjera aty. Ndërkohë ka të tjerë që kanë vite që mendojnë se duhet t’u vijë radha dhe duhet ta kenë këtë mundësi, kudo në të gjitha bashkitë e mëdha. Nuk po flasim vetëm për bashkitë e vogla, ku burimet njerëzore janë më të kufizuara”, u shpreh Rama. /j.p/

The post Rama: Ndryshimet e drejtorëve, domosdoshmëri për angazhim të të rinjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapësirat publike, Rama: E patolerueshme që shërbimet të kthehen në zaptime

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se zaptimi i hapësirave publike është një fenomen i papranueshëm që kthehet në një pamundësi për komunitetin për të pasur një jetë normale.

Në komunikimin e drejtpërdrejtë sot në rubrikën “Sy m’sy”, Kryeministri foli sërish për aksionin e lirimit të hapësirave publike në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke adresuar edhe komentet dhe pyetjet e qytetarëve në rrjetet sociale lidhur me kohën e zgjedhur për këtë ndërhyrje.

Një qytetar shkruan se pse nuk u prit që ky aksion të bëhet pas verës, sepse turistët mendojnë se ka rënë “bomba”.

Rama tha se teoria e turistëve është një teori që nuk ka asnjë lloj vlere.

“Nuk do të shkojmë në ekstreme të kësaj natyre dhe do të arrijmë hap pas hap të krijojmë një vijë të padukshme, por të pranuar nga të gjithë ku 70 % parimisht se mund të jetë 65%, 75% do jetë për qytetarët dhe tjetra për bizneset. Është komplet e natyrshme që të shërbehet edhe jashtë, sepse ne jemi vend mesdhetar dhe është bukur për jetën e qytetit që të ketë shërbime jashtë. Por, nga ana tjetër ajo që është e shëmtuar dhe e patolerueshme është që këto shërbime të kthehen në zaptime, në presion dhe pamundësi për komunitetin për të pasur pjesën normale të jetës”, tha Rama.

Kryeministri tha se nuk është qeveria që merret me karriget dhe tavolinat, por sipas Ramës, sot jemi në kushtet e një mobilizimi për t’i dhënë një përgjigje shteruese shqetësimit të qytetarëve të panumërt në kryeqytet dhe qytete e mëdha të vënë re gjatë gjithë fushatës për asfiksimin e hapësirave publike si pasojë e karrigeve, vazove, luleve, ngrehinave metalike, pergolatave siç i quajnë në Vlorë.

“Unë shpresoj që të jenë marrë taksat për çdo metër katror të zaptuar që të paktën të ketë përfituar pushteti vendor të gjitha ato tarifa që burojnë nga çdo tavolinë, por nuk besoj të jenë mbledhur të gjitha për fat të keq”, vijoi ai.

Një tjetër komentues shkruan në platformat sociale se “duhet ngritur një shtet që funksionon dhe jo një ushtri socialiste.

“Nëse ka një gjë që ne e kemi bërë dhe ne jemi krenarë që kemi shmangur bërjen e një ushtrie socialiste, se po të mos e kishim bërë ndryshe me të gjitha të metat e veta, me të gjitha boshllëqet e veta nuk do ishim sot në kushtet kur negociojmë për anëtarësimin me BE-në dhe një nga pikat tona më të forta është transformimi i administratës publike”, pohoi Rama.

“Unë nuk kam asnjë arsye të mendoj që sot në vitin 2025 të ndërtohet pa leje. Nuk ngelen ata pa asnjë të ardhur, ku unë dhe ne jemi këtu të mendojmë për 99% të shqiptarëve, që nuk ndërtojnë pa leje, por kërkojnë fundin e këtij fenomeni”, u shpreh Kryeministri.

/e.i/j.p/

The post Hapësirat publike, Rama: E patolerueshme që shërbimet të kthehen në zaptime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: “Bankers Petroleum” i detyrohet shtetit shqiptar 240 milionë euro

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka fituar një arbitrazh ndërkombëtar kundër kompanisë “Bankers Petroleum”, e cila tani i detyrohet shtetit shqiptar 240 milionë euro.

Në rubrikën “Sy Më Sy”, ku Kryeministri i përgjigjet pyetjeve të ndjekësve të tij në rrjetet sociale, Rama tha se “Bankers” ka qenë një prej ndërmarrjeve që ka shkaktuar probleme të mëdha për vendin.

“Ne kemi fituar me “Bankers” një arbitrazh dhe “Bankers” na detyrohet 240 milionë euro. Ka ardhur dita që Prokuroria të hetojë në mënyrë të pavarur. I heq kapelen Prokurorisë përkatëse që ka bërë hetimin në këtë rast dhe uroj që të nxjerrë ‘ujin e zi’ në këtë ndërmarrje ku realisht ka pasur shumë problematika”, u shpreh Kryeministri.

Rama theksoi se koncesioni i “Bankers Petroleum” është një nga shumë kontratat që janë trashëguar nga qeveritë e mëparshme dhe që kanë sjellë kosto të larta për buxhetin e shtetit.

“Është kosto e një koncesioni të bërë para se unë të merrja detyrën”, shtoi ai.

Kryeministri theksoi se ka pasur shumë diskutime për koncesionet që qeveria e tij ka dhënë, por u shpreh se do t’i ribënte të gjitha ato, pasi janë në shërbim të popullit shqiptar.
“Është folur dhe stërfolur për koncesionet që kemi dhënë ne. Po t’i rikthehesha 100 herë, të gjitha nuk do t’i lija pa i ribërë, sepse janë të gjitha në shërbim të popullit shqiptar. Por koncesionet që kemi trashëguar janë “vrimat e zeza””, tha Rama.

Në lidhje me projektet koncesionare të qeverisë së tij, ai përmendi disa nga investimet më të rëndësishme, si rruga e Arbrit, pastrimi urban dhe sterilizimi i pajisjeve mjekësore, të cilat nuk kanë pasur kosto për qytetarët.

“Pavarësisht se në ndonjë rast mund të ketë pasur ndonjë problem, koncesionet apo partneritetet publike-private (PPP) kanë mundësuar ndërtimin e rrugës së Arbrit pa asnjë kosto për qytetarët. Po kështu, kemi bërë të mundur pastrimin e qyteteve tona pa asnjë barrë financiare për publikun, krahasuar me koston e pastrimit dhe trajtimit të mbetjeve në vendet e tjera, ku as që fillon puna nën 30 euro për ton, ndërsa në shumë vende të tjera shkon mbi 100 euro për ton”, u shpreh ai.

Gjithashtu, Rama theksoi përmirësimet në sektorin shëndetësor.

“Kemi bërë të mundur sterilizimin e të gjithë instrumenteve mjekësorë dhe kemi sjellë një rënie drastike të infeksioneve pas operacioneve. Kemi garantuar analiza laboratorike të një game të gjerë në të gjitha spitalet tona, pa kosto për publikun. Askush nuk paguan për një analizë apo shërbim spitalor bazik, ndryshe nga më parë”, tha ai.

Rama shtoi se nuk ka asnjë problem personal me ndonjë emër të caktuar kompanish.

“Nuk kam asnjë problem për sa i përket ‘Bankers’, kush e ka bërë ‘Bankers’-in apo çfarëdo emri tjetër që mund të gjesh nëpër rrugët e historisë ekonomike të Shqipërisë”, deklaroi ai. /j.p/

The post Rama: “Bankers Petroleum” i detyrohet shtetit shqiptar 240 milionë euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Monitorim teknologjik i territorit përmes dronëve

TIRANË, 21 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se po punohet për të nisur monitorimin teknologjik të strukturuar të territorit përmes dronëve.

Rama iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve dhe komenteve të adresuara nga qytetarët në platformat sociale lidhur me aksionin e ndërmarrë së fundi në territor për lirimin e hapësirave publike.

“Ka lloj-lloj qasjesh dhe unë dua të prek një pikë që e shoh të rishfaqet shpesh: ‘përse gjithmonë kështu?’. Jo, nuk është gjithmonë kështu. Ka një problematikë me territorin por është ku e ku në krahasim me më parë. Ne na duhet të rikthehemi herë pas here sepse ka ende për të bërë, por jo sepse gjërat janë në pikën ku ishin më parë”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se “patjetër që ka nevojë për riorganizim të mëtejshëm”.

“Kjo nuk është një çështje thjesht dhe vetëm inspektorësh dhe inspektimesh, por e vendosjes në një nivel tjetër të kontrollit përmes teknologjisë”, theksoi ai.

Kryeministri bëri të ditur se “jemi shumë afër edhe në këtë aspekt ndërkohë që kemi nisur punën me monitorimin teknologjik të rrugëve”.

“Kemi Qendrën e Monitorimit të Trafikut, kemi pjesë të këtij plani pune edhe monitorimin e shkollave, por ndërkohë jemi në një proces për të nisur edhe monitorimin teknologjik të strukturuar të territorit ku do të mund të ndjekim gjithçka ndodh në territor përmes dronëve”, theksoi ai.

Ndërkohë, sipas kryeministrit, informacioni i marrë nga dronët do të bëjë që puna e inspektorëve në terren të ballafaqohet me vëzhgimin e teknologjisë.

“Kjo do të na çojë komplet në një nivel tjetër dhe do të jemi shumë më të sigurt për mos prapakthimin e asnjë progresi në këtë drejtim. Duhet të jemi shumë të qartë se ky nuk është proces që nuk merr parasysh se këtu duhet të krijojmë harmoni dhe bashkëjetesë në harmoni mes interesit të qytetarëve, atyre që kanë nevojë për hapësirat e tyre, qoftë për të kaluar në këmbë lirisht apo për të qëndruar lirisht në hapësirat komunitare dhe biznesit” shtoi Rama. /j.p/

The post Rama: Monitorim teknologjik i territorit përmes dronëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Lirimi i hapësirave publike në kryeqytet, kërkesa kryesore e komunitetit

TIRANË, 21 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se nga takimet në terren ka qenë absolutisht nga të katër anët e kryeqytetit e qartë kërkesa numër 1 e komunitetit për lirimin e hapësirave publike.

Rama iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve dhe komenteve të adresuara nga qytetarët në platformat sociale, duke u ndalur te aksioni për lirimin e hapësirave publike.

Rama kujtoi se në këto zgjedhje ishte pjesë e skuadrës së Tiranës për herë të parë, ndaj  dhe ndryshe nga herët e tjera ka pasur një seri të gjatë takimesh në Tiranë.

“Praktikisht kam mundur të shoh dhe të kaloj në shumë territore të Tiranës që nuk i kisha parë prej kohësh, pasi nuk më kishte çuar puna. Kam vënë re dy gjëra që më kanë bërë shumë përshtypje: transformimi pozitiv që ka pësuar Tirana në territore deri shumë periferike që në kohët e mëparshme kanë qenë shumë larg parametrave më të thjeshtë të imunizimit, por edhe negative në aspektin e një ekspansioni”, shtoi Rama.

Sipas tij, “ka një zgjerim të kufijve të veprimtarisë të njësive të shërbimit në hapësirat publike”.

“Këtë gjë e kam dëgjuar në mënyrë të përsëritur edhe nga qytetarët e Tiranës, kjo ishte baza e një shqetësimi. Më pas ne nuk kemi ndenjur rehat por përkundrazi pak ditë pasi zgjedhjet përfunduan me një rezultat që ishte i jashtëzakonshëm, një rekord absolut por që vjen me një përgjegjësi shumë të madhe, kemi diskutuar për domosdoshmërinë që të kthehemi në territor dhe të shohim se çfarë shqetësimesh ka komuniteti, nga ato që i kemi dëgjuar pak ose mund të mos i kemi identifikuar”, shtoi Rama.

Kryeministri bëri të ditur se deputetët e PS-së kanë qenë në territor në mënyrë të vazhdueshme në Tiranë, në Vlorë, në Durrës dhe në disa qytete të tjera të mëdha të vendit për tu ritakuar me komunitetin.

“Kjo në kushtet kur kemi pasur në Tiranë një situatë jo të zakonshme. Tiranës i mungon praktikisht drejtimi prej tanimë një kohe jo të shkurtër për një kryeqytet. Një histori tjetër për një ditë tjetër. Ndaj kemi riorganizuar tërësisht veten duke vendosur deputetët në një pozicion edhe më kërkues për sa i përket të qëndruarit afër dhe identifikuar problemet në territor”, shtoi Rama. /j.p/

The post Rama: Lirimi i hapësirave publike në kryeqytet, kërkesa kryesore e komunitetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Si ushqehet Jannik Sinner ”mbreti” i Wimbledonit?

LONDËR, 21 korrik /ATSH-ANSA/ – Si ushqehet mbreti i Wimbledonit, Jannik Sinner? Padyshim mirë.

Kampioni i tenisit ndjek një dietë të ekuilibruar dhe të kontrolluar si të gjithë atletët, por ka disa fakte interesante për t’u ditur.

Ja një shpjegim me tetë pika i dietës së Jannikut.

1. Adhurues i karotave

Jannik Sinner i do karotat. Ai i ha ato në çdo duke i preferuar ato ndaj ushqimeve të tjera – zakonisht bananeve – që kolegët e tij i hanë shpesh.

Ato janë një rimbushje perfekte: karotat ju ngopin, rimbushin mineralet e humbura përmes djersës dhe janë të pasura me vitaminë A, e cila mbron lëkurën nga dëmtimi i diellit.

2. Lëng kastraveci turshi

Një tjetër frazë e padëshiruar? Lëng kastraveci turshi, i cili u bë viral pas fitores së tij në Australian Open sepse Jannik Sinner piu pak prej tij atje.

Lëngu i kastravecit turshi është një suplement natyral: është i pasur me natrium dhe kalium, të cilat ndihmojnë funksionin e muskujve dhe zvogëlojnë rrezikun e ngërçeve, të cilat janë shumë të zakonshme gjatë një sforcimi të zgjatur si një ndeshje tenisi.

3. Një mëngjes i shëndetshëm

Tërshërë, fruta dhe mjaltë në ditët e ndeshjeve, ose kos, fruta të thata dhe bukë integrale me reçel ose mjaltë: ky është mëngjesi i tij për t’u imituar, i balancuar në mënyrë të përkryer me proteina, karbohidrate dhe yndyrna të shëndetshme.

4. Ha drekë dhe darkë të balancuara në mënyrë të përkryer

Nuk ka sekrete të veçanta në dietën e tij. Jannik Sinner ha atë që të gjithë duhet të hamë, padyshim në sasi të përshtatura sipas nevojave të tij.

Burimet e tij të karbohidrateve përfshijnë makaronat ose orizin kaf, ndërsa mishi i bardhë dhe peshku janë burimet e tij të preferuara të proteinave.

Për më tepër, si gjithmonë, ai shoqëron çdo vakt me një dozë të shëndetshme perimesh për t’u siguruar që po merr mjaftueshëm fibra, vitamina dhe minerale.

Por ai kurrë nuk e tepron me perimet, si për të shmangur fryrjen ashtu edhe sepse ato nuk janë ushqimi i tij i preferuar.

5. Ushqimi i tij ”ngushëllues” është ushqimi i gatuar në shtëpi

Kur është pyetur se nga cila pjatë nuk do të hiqte dorë kurrë, Jannik Sinner është përgjigjur gjithmonë me bindje se janë duart e gjyshes së tij, Maria.

Në përgjithësi, ai e do gatimin në shtëpi, prandaj ndoshta shefi i tij personal është babai i tij, Hanspeter, një shef kuzhine profesionist.

Në ditët pa ndeshje, ai gjithashtu përgatit ushqim ngushëllues për të, siç është tigani i malësorit me petulla të mbetura, mish derri dhe lakër.

6. Disa kënaqësi të rralla

Pica me miqtë, sushi, peshk me patate të skuqura dhe ëmbëlsira.

“I dua dhe shpesh kënaqem. Në fund të fundit, nuk humbet një ndeshje sepse ha pak ëmbëlsirë”, tha ai në një intervistë.

Dhe kur bëhet fjalë për ëmbëlsira, Jannik Sinner nuk e ka fshehur kurrë preferencën e tij për ato të bëra në shtëpi, si strudeli ose biskotat e bëra në shtëpi nga gjyshja ose nëna e tij Siglinde.

7. Ai nuk ka obsesione “shëndetësore”

Dieta e Jannik Sinner nuk përfshin as tepricat “e shëndetshme” që karakterizojnë dietat e kampionëve të tjerë të tenisit.

Spanjolli Carlos Alcaraz, për shembull, e ka eliminuar plotësisht glutenin nga dieta e tij pavarësisht se nuk është intolerant ose alergjik. Ngjashëm me Djokovic, i cili gjithashtu ka eliminuar të gjitha sheqernat e rafinuar.

8. Nuk ha ushqime ultra të përpunuara

Jannik Sinner nuk ha ushqime ultra të përpunuara si ushqime të lehta dhe pije me sheqer. Ai i ka eliminuar ato plotësisht./   /os/

The post SOFT NEWS – Si ushqehet Jannik Sinner ”mbreti” i Wimbledonit? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Me moton #MitroLove, Mitrovica International Jazz Days vjen prej 8 deri më 10 gusht

By: KultPlus
21 July 2025 at 10:00

Festivali Mitrovica International Jazz Days rikthehet nga data 8 deri më 10 gusht 2025, duke sjellë përsëri në qytet tingujt e mrekullueshëm të muzikës xhaz, performanca të shkëlqyera nga vende të ndryshme të botës dhe momente të paharrueshme.

Me moton #MitroLove, festivali vazhdon misionin e tij për të promovuar muzikën cilësore dhe për të fuqizuar të rinjtë dhe gratë në skenën lokale dhe ndërkombëtare të xhazit.

Këtë vit hapet edhe një mundësi e veçantë: Mitrovica International Jazz Days fton muzikantë të rinj 18-30 vjeç që luajnë jazz, rock, alternative, hip-hop, punk, metal, new wave, fusion, pop dhe zhanre të tjera moderne, të aplikojnë për performancë si solistë ose si grup deri në pesë muzikantë. Aplikimi është i hapur deri më 25 korrik 2025.

Të rinjtë e talentuar janë të mirëpritur të performojnë në skenat alternative të festivalit! Ju rikujtojmë se në pranverën e këtij viti, MIJD prezantoi për herë të parë Serinë e Muajit të Xhazit me emra të mëdhenj si muzikantja ikonike Aziza Mustafa Zadeh, Elina Duni dhe Nils Kugelmann Trio (promovuar nga stenda gjermane në panairin më të madh të xhazit në Europë, JazzAhead). Me dashuri, Mitrovica mirëpret të gjithë adhuruesit e muzikës në vendin tonë! #MitroLove/ KultPlus.com

RËNKIMI

By: Kult Plus
21 July 2025 at 10:00

Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat
e vatrat shkimbur deri në një,

Zogun në qiell vrarë ta kanë.
Me duar të mia të çara
me rrashtat tona t’shpura mbuluar të kanë.

Pragje thyer e konaqe mbyllur…
Për gjithkë e për askë vrarëjemi…
Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!

Plepi im qiellin do ta shpojë,
plepi im i kallur –
qiellin e humbur majë një shpate./KultPlus.com

Dollia shqiptare, pasuri kombëtare e trashëgimisë kulturore

By: Kult Plus
21 July 2025 at 09:30

Riti i dollisë zë një vend të veçantë në mikpritjen shqiptare. “Kripë, bukë e zemër” është shprehja që karakterizon mikpritjen shqiptare, ndërsa në shekuj institucioni i mikut ka zënë vend në jetën shoqërore.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit përcolli sot në rrjetet sociale momente nga riti i Dollisë Shqiptare, të shpallur Pasuri Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore si një traditë e lashtë e mikpritjes shqiptare, nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jo Materiale.

Dollia është një kryevepër e ngritjes në piedestal të miqve, të të ftuarëve apo vizitorëve në sofrat shqiptare që simbolizon kulmin e mikpritjes, gëzimit dhe haresë, synon lartësimin shpirtëror të palës pritëse dhe miqve në një event, gosti, dasmë, ceremonial apo çdo festim tjetër.

Dollia përfaqëson kurorëzimin e mikpritjes shqiptare si një institucion unik, tradicional, të lashtë, klasik dhe modern.

Me anë të dollisë, mikpritësi respekton miqtë, të ftuarit apo vizitorët duke sjellë momente solemne e duke i bërë ata të ndjehen si në shtëpinë e tyre./atsh/KultPlus.com

Ali Podrimja në detaje e përshkroi vdekjen buzë lumit

By: KultPlus
21 July 2025 at 09:06

Ali Podrimja

E nata ka mbuluar gjurmët dhe klithjet

Je shtrirë buzë lumit i sëmurë
lumit i ke folur në veshin guaskë
ai të ka bartur
dikah të ka bartur
kah vedi
e ti i ke folur me zemër
e dhimbje e të rëna ke ndjerë
në shpirt
në trup

e ti i ke folur lumit të thellë
ai ka ikur kah brigjet e humbura
prej sëmundjes sate ka ikur

e ti je shtrirë buzë lumit të gufuar

lumi ka përgjuar jetën tënde tërë kohën
të ka pushtuar si magjia të ka mashtruar pastaj
lumi të ka vënë në gjumë pas nëntëdhjetenëntë
vjet pagjumësie
dhe ka ikur kah brigjet e humbura

ti ashtu me shpirt në hava i shtrirë
ke soditur sytë e zgurdulluar të heshtjes

e nata i ka mbuluar gjurmët dhe klithjet./KultPlus.com

Shqipëria hap dyert e ‘skllavërisë moderne’ për punëtorët e huaj

21 July 2025 at 08:31

Në hollin e zhurmshëm të aeroportit të Rinasit, mesditën e 13 korrikut, Maricel* qesh dhe qan njëkohësisht. “Jemi të lira, jemi të lira,” përsërit ajo me një gëzim të papërmbajtur. Vetëm pak çaste më parë, situata dukej e pashpresë. Maricel, një punëtore 40- vjeçare nga Filipinet ishte në prag të dëbimit të detyruar dhe të […]

The post Shqipëria hap dyert e ‘skllavërisë moderne’ për punëtorët e huaj appeared first on Reporter.al.

Plazhet shqiptare si ringje boksi, mund të bësh para duke vënë baste

21 July 2025 at 10:00

Nga Leonard Veizi

A po i afrojmë apo po i largojmë turistët?

Me shumë gjasa, ne shqiptarët nuk e përballuam dhe as e menaxhuam siç duhet lukuninë e turistëve të huaj që u derdhën drejt Shqipërisë sapo disa media të mëdha ndërkombëtare shpallën se në brigjet e Adriatikut ndodhej një vend piktoresk me çmime të favorshme.

Për peizazhin nuk gënjeu askush. Por ndoshta harroi të përmendte që pas kodrave me ullinj e plazheve me rërë të artë, fshiheshin pirgje plehrash që konkurronin në lartësi me shezlonët.

Turistët erdhën me entuziazëm, por shumë prej tyre u larguan me një ndjesi zhgënjimi që nuk e lan as deti.

Kohët e fundit, Shqipëria ka qenë në qendër të vëmendjes jo për promovime vezulluese, por për kronika dhune që ngjajnë më shumë me raporte nga ringje boksi sesa me fletëpalosje turistike.

Në lajme dhe rrjete sociale shfaqen pa ndërprerje pamje ku vendasit i nisin debatet me grusht, i vijojnë me bishta çadrash dhe, nëse argumenti logjik dështon, përfundojnë me armë zjarri. Turizëm “all-inclusive”, që përfshin edhe traumën si suvenir.

Në fakt, një turist mund të humbasë ca orë nxirjeje nga dielli, por mund të fitojë më shumë duke vënë baste për gladiatorët që përplasen çdo ditë në arenën e improvizuar të plazhit.

A nuk do ishte më me leverdi të organizonim një kampionat kombëtar “Plazh Fight Club” dhe ta përfshimë në guidat turistike si atraksion?

Ndërkohë, tregu shqiptar ofron gjithmonë diçka të re – zakonisht një rritje çmimesh.

Çmimet janë të kripura, shërbimi pa kripë, dhe fatura shpesh të kujton Parisin – vetëm se mungon Kulla Eiffel dhe ndonjë kamerier që të sjell ujë pa u thirrur tri herë.

Në rrjetet sociale, turistët shfaqen të hutuar: “Na thanë Shqipëria është e lirë… po për kë?”, pyesin teksa numërojnë centët para se të porosisin një birrë që kushton sa një koktej në Berlin.

Dhe të kemi parasysh: Shqipëria ende nuk ka përjetuar vërshimin e turistëve me xhepa të rëndë.

Nuk na kanë zbarkuar milionerët e rivierës franceze, por kryesisht backpacker-ët me Google Maps në dorë dhe tenda në çantën pas shpine. Ata që hanë një herë në ditë dhe flenë në kampingje – jo sepse janë aventurierë, por sepse hotelet me pesë yje u duken si zyrat e NASA-s: të paarritshme.

Ndërkohë, edhe personeli që duhet t’i presë, thjesht… nuk ekziston. Ai i trajnuar jo e jo, por nuk gjen as personel të patrajnuar.

Po shteti?

Ai është aty… diku.Jo për të vendosur standarde, por për të bërë foto me drone dhe për të lëshuar slogane. Në vend të strategjive, kemi spote me violina, ndërsa në realitet pushuesit ballafaqohen me tejmbushje, kaos urbanistik dhe pagesa “cash-only” që kalojnë nën radarin e tatimorit.

Mediat vendase, nga ana tjetër, kanë marrë rolin e Public Relations-it zyrtar. Ndërsa dhuna përhapet si valët e detit, ato vazhdojnë të flasin për “vit rekord turistik”, një term që duket se matet me numrin e makinave që bllokojnë rrugët, jo me kënaqësinë e turistëve.

Çdo raport është një trumbetë suksesi – edhe kur plazhi ngjan me një landfill me shezlonë.

Jemi një vend që ecim kuturu nëpër ekonomi tregu, e me një shpresë gati fetare për integrimin në Europë.

Por ndoshta, më parë duhet të integrojmë veten me veten, me ndonjë standard, ndonjë ndjeshmëri ndaj tjetrit, dhe ndonjë përpjekje për të kuptuar që turistët nuk janë vetëm për t’u shtrydhur si limonë në gusht, por për t’i kthyer sërish në maj. Sepse nëse vazhdojmë kështu, mund të kemi një turizëm “të qëndrueshëm” – në kuptimin që nuk do lëvizë më askush drejt nesh.

Dhe kur të kujtojmë vitet kur bregdeti gëlonte nga të huaj, do na mbetet vetëm nostalgjia… dhe ndonjë bast i humbur në ringun e rërës.

Rama: “Bankers” na detyrohet 240 mln euro, Prokuroria t’ia nxjerrë ujin e zi!

By: el da
21 July 2025 at 09:44

Kryeministri Edi Rama u ndal sot, 21 korrik, te “Bankers Petroleum”, duke mbështetur Prokurorinë e Fierit në hetimin e kësaj kompanie.

“Së pari, ne kemi fituar me Bankersin një arbitrazh dhe kjo kompani na detyrohet 240 milion euro! Shyqyr që ka ardhur dita që Prokuroria investigon në mënyrë të pavarur, i heq kapelen që ka bërë këtë hetim dhe uroj t’i nxjerrë të gjithë ujin e zi asaj ndërmarrje ku realisht ka pasur shumë problematika dhe është akoma sot kostoja e një koncesioni të dhënë para se të merrja detyrën”, tha Rama gjatë komunikimit virtual me qytetarët.

“Unë s’kam asnjë problem me Bankersin apo kush e ka bërë Bankers, apo kush ka lidhje me ato emra. S’kam fare asnjë problem”, theksoi Rama.

Kujtojmë se sipas Prokurorisë së Fierit, hetimi për” Bankers Petroleum” Albania ka nisur në dhjetor të 2024-ës, ku është dokumentuar ngritja e skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar dhe fshehje të ardhurash për të cilën dyshohen nëntë persona (tanimë të arrestuar) si dhe pesë të tjerë të shpallur në kërkim.

Sipas Prokurorisë, shoqëria ka tregtuar mbi 532 miliardë lekë karburant, por në 20 vitet e fundit e ka deklaruar kompaninë me humbje ne vlerën e 11,7 miliardëve, duke i shkaktuar shtetit një dëm të konsiderueshëm financiar./kb

“Në Tiranë, kemi një situatë jo të zakonshme”/ Rama flet për Veliajn në “Sy më sy”

By: el da
21 July 2025 at 09:24

Kryeministri Edi Rama teksa komentoi vendimin për pastrimin e hapësirave publike në Tiranë të zaptuara, u shpreh se në kryqytet ka pasur një situatë jo të zakonshme, referuar arrestimit të Erion Veliajt që ndodhet në burg prej 10 Shkurtit.

Rama u shpreh se Tiranës i mungon drejtimi prej një kohe jo të shkurtër për një kryeqytet, duke theksuar se PS ka riorganuzuar tërësisht veten. Kreu i qeverisë theksoi se “deputetët në pozicion më kërkues, për sa i përket pikërisht për të qëndruar afër dhe për të identifikuar problemet në territoret e kujdestarisë së tyre”.

Edi Rama: Kemi pasur në Tiranë një situatë, ju e dini shumë mirë, jo të zakonshme. Tiranës i mungon drejtimi prej një kohe jo të shkurtër për një kryeqytet.

Kemi riorganizuar tërësisht veten duke vendosur deputetët në pozicion më kërkues, për sa i përket pikërisht për të qëndruar afër dhe për të identifikuar problemet në territoret e kujdestarisë së tyre.

Ka qenë absolutisht nga të katërt anët e kryeqytetit e qartë kërkesa nr 1 që na çlironi hapësirat publike./kb

Aksident tragjik në Athinë, humb jetën 22-vjeçarja nga Vlora

By: el da
21 July 2025 at 09:00

Një 22-vjeçare shqiptare ka humbur jetën nga një aksident tragjik në Athinë. Izabela Kuteli, me origjinë nga Dukati i Vlorës, humbi jetën në mënyrë të parakohshme, duke lënë pas dhimbje të thellë tek familjarët, miqtë dhe gjithë ata që e njohën.

Familjarët, bashkëfshatarët dhe miqtë kanë ndarë mesazhe prekëse ngushëllimi në rrjetet sociale, ndërsa dhimbja për humbjen e saj ka bashkuar zemrat e të gjithëve në këtë moment zie./kb

“Putin do sulmojë me mbi 2 mijë dronë”, gjenerali paralajmëron rrezikun për Ukrainën

By: el da
21 July 2025 at 08:40

Rusia po planifikon të sulmojë me mbi 2 mijë dronë Ukrainën. Këtë fakt e ka bërë të ditur gjenerali gjerman Christian Freuding në një intervistë të publikuar më 19 korrik.

Numri i dronëve marramendës i përshkruar nga Freuding, i cili kryeson grupin e punës për Ukrainën në Ministrinë gjermane të Mbrojtjes, vjen ndërsa Rusia vazhdon të zgjerojë prodhimin e dronëve.

Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme Ukrainase i tha revistës Politico në qershor se Kremlini planifikon të prodhojë 2 milionë dronë dhe 30 mijë dronë me rreze të gjatë veprimi dhe me karrem në vitin 2025, duke shënuar një zgjerim kritik të programit të luftës me dronë të Moskës.

Midis 13 shtatorit 2022 dhe 30 gushtit 2023, forcat ruse qëlluan me gati 2 mijë dronë Shahed në Ukrainë. Kjo “do të paraqesë një sfidë serioze për sistemin e mbrojtjes ajrore ukrainase”, shtoi Freuding në një podcast. “Kundërmasa të zgjuara” janë të nevojshme, shtoi ai, duke vënë në dukje se përdorimi i raketave Patriot kundër dronëve kamikazë rusë është i palogjikshëm, të cilët kushtojnë 30,000-50,000 euro, ndërsa një raketë Patriot kushton mbi 5 milionë.

Sakaq, Moska ka bërë me dije se lufta e Ukrainës është e gjatë dhe komplekse. Deklaratat e Donald Trump tregojnë një dëshirë për të arritur një marrëveshje në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur, por Uashingtoni po e kupton gjithnjë e më shumë kompleksitetin e këtij procesi “të gjatë dhe të vështirë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një intervistë me VGTRK, të cituar nga Tass. Ne jemi mësuar me “retorikë mjaft të ashpër dhe të drejtpërdrejtë”, shtoi Peskov, por “në të njëjtën kohë ai konfirmon qëllimin e tij për të vazhduar të bëjë gjithçka që është e mundur për të lehtësuar një zgjidhje paqësore”.

Në lidhje me një takim mes Trump dhe Putin, Peskov thekson se “ende nuk ka ardhur koha”. Ai pranoi, megjithatë, se kishte filluar ta konsideronte një takim midis dy udhëheqësve “të domosdoshëm” dhe se “me kalimin e kohës, është diçka që padyshim do të ndodhë”. Më pas, shtoi se “mund të jetë e nevojshme të formalizohen disa marrëveshje të rëndësishme të arritura me kalimin e kohës, pas shumë pune”. “Kjo punë ende duhet të bëhet”, vazhdoi ai, duke arritur kështu në përfundimin se koha për një samit midis Trump dhe Putin “ende nuk ka ardhur”./kb

❌
❌