Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 July 2025Lajme Shqiperi

Vengu: 953 forca dhe 56 mjete zjarrfikëse të angazhuara në shuarjen e zjarreve

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri me dije sot se Forcat e Armatosura, strukturat e AKMC-së dhe të emergjencave civile vendore vijojnë të jenë në terren dhe me operacione nga ajri për përballimin e vatrave aktive.

Ministri Vengu ndau pamje të një prej operacioneve nga ajri për shuarjen e zjarreve në Borsh, ndërsa u shpreh se “të angazhuar në terren sot janë 953 forca, 56 mjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe në mbështetje një avion Canadair italian”.

Vengu nënvizoi se operacionet po zhvillohen në këto zona:

Parku Kombëtar i Lurës – Dibër

Zall Gjoçaj – Mat

Qafë Buall – Bulqizë / Plan i Bardhë – Klos

Kalasë – Delvinë

Markat – Konispol

Piqeras e Sasaj – Himarë

Fang e Kulme – Rrëshen

Dishnicë – Korçë

Parku i Prespës – Pustec

Fushëbardhë e Skërficë – Gjirokastër

Dragobi – Tropojë

Mali i Shkëlzenit – Tropojë

Shëngjergj – Tiranë

Kuç – Vorë / Shetel – Shijak

Bjeshka e Rahovicës – Malësi e Madhe

/e.i//r.e/

The post Vengu: 953 forca dhe 56 mjete zjarrfikëse të angazhuara në shuarjen e zjarreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dënohen tre të akuzuar për sulmin terrorist ndaj KKZ-së në Mitrovicën e Veriut

PRISHTINË, 28 korrik /ATSH/ Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot fajtorë Millun Millenkoviq – Llunen, Aleksandar Vllajiqin dhe Dejan Pantiqin për sulmin me bomba dore ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2022.

Millun Millenkoviq – Llune dhe Aleksandar Vllajiq janë dënuar me pesë vjet burgim, i akuzuari tjetër Dejan Pantiq me dy vite burgim, ndërkaq Miomir Vakiq është liruar nga akuza, meqë nuk është vërtetuar fajësia. Llune ishte përmendur si organizatori kryesor i sulmit.

Të akuzuarit nuk ishin të pranishëm në gjykatë të hënën, më 28 korrik 2025.

Aktgjykimi në rastin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2022, është shpallur sot, më 28 korrik, në Gjykatën themelore në Prishtinë.

Prokuroria e Kosovës kishte ngritur aktakuzë në dhjetor të vitit 2023 për veprën penale “akt terrorist”. Ata akuzohen për sulm me mjete shpërthyese ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Kosovës duke rrezikuar jetën e zyrtarëve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Në dhjetor të vitit 2022, u hodhën dy mjete shpërthyese në zyrat e KQZ-së, prej të cilave njëra shpërtheu.

/KosovaPress/

The post Dënohen tre të akuzuar për sulmin terrorist ndaj KKZ-së në Mitrovicën e Veriut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet shkrimtari, përkthyesi dhe studiuesi Arshi Pipa

28 July 2025 at 11:18

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot shkrimtarin, përkthyesin dhe studiuesin Arshi Pipa.

Arshi Pipa lindi më 28 korrik 1920, në qytetin e Shkodrës. Pasi kreu mësimet e mesme në liceun e vendlindjes, studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, ku u diplomua më 1942 me dizertacionin: “Morali dhe feja tek filozofi Henri Bergson”. U kthye në Shqipëri dhe deri më 1946 filloi të jepte mësim në shkollat e mesme në Tiranë dhe Durrës.

Gjatë periudhës kur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve nisi botimin e organit të vet “Bota e Re”, Arshi Pipa me Mitrush Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues. Iu kërkua të shkruante diçka për përvjetorin e vdekjes së Migjenit, shkrim që nuk u pëlqye nga njerëzit e partisë. Në 27 prill 1946 e arrestuan dhe e dënuan me dy vjet heqje lirie. U ridënua më 20 dhjetor 1947 me 20 vjet heqje lirie si bashkëthemelues i grupit socialdemokrat. Vuajti në burgjet dhe kampet e internimit (Durrës, Gjirokastër, Korçë, Burrel etj.) U lirua më 26 prill 1956 dhe në 1957 u arratis bashkë me të motrën. Fillimisht u vendos në Sarajevë deri në vitin 1959 dhe më pas emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1959-n.

Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët” e botoi në vitin 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruar në letra cigaresh, në burgjet e kampet e punës së detyruar, e botoi në Romë në vitin 1959.

Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69) dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane.

Pipa ka lënë një trashëgimi të pasur në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Gjatë kohës që jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu një vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”. Shkrimet e tij të botuara në shqip, anglisht, frëngjisht dhe italisht ndahen në poezi, estetikë e filozofi si dhe kritikë letrare.

Përsa u përket studimeve dhe kritikës, disa prej tyre janë: “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare, “Fan Noli si një nga figurat komëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Humanistët italo-shqiptarë”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare” etj.

Arshi Pipa u nda nga jeta më 20 korrik 1997, në Uashington D.C.

/r.e/

The post Përkujtohet shkrimtari, përkthyesi dhe studiuesi Arshi Pipa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: 5500 vende të lira pune në Platformën Kombëtare të Punësimit

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Ministri iEkonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja njoftoi sot se, në Platformën Kombëtare të Punësimit, puna.gov.al, janë shpallur 5500 vende të lira pune në të gjithë vendin.

Tashmë çdo punëkërkues plotëson online dosjen respektive dhe çdokush gjen punën më të mirë të mundshme apo kandidatin më të mirë për një vend pune përmes “puna.gov.al”.

Gonxhja ndau sot në rrjetet sociale një videoinformacion më të zgjeruar mbi degët dhe sektorët që ofrojnë vende e lira të punës.

“Pozicione për të gjitha nivelet arsimore dhe sektorë të ndryshëm ju presin”, shkroi Gonxhja, teksa ftoi të rinjtë të aplikojnë për t’u punësuar.

Platforma shërben po ashtu dhe për punëdhënësit, të cilët mund të publikojnë vendet e lira të punës për të gjetur punëkërkuesit e duhur.

Platforma ofron informacion mbi vendet e lira të punës në Shqipëri, ku ndërmarrjet hoteliere, industria nxjerrëse, prodhimet artizanale, arsimi dhe formimi profesional, industria ushqimore, administrata publike dhe ndërtimi janë edhe sektorët që kanë më tepër kërkesa për punësim.

Aksesi në platformë realizohet duke vendosur të njëjtat kredenciale si në portalin “e-Albania”.

Për 2025-n parashikohet të ketë një normë papunësie njëshifrore, në masën 9,8%. Kjo është hera e parë në tri dekadat e fundit që Shqipëria do të ketë një normë papunësie njëshifrore.

/r.e/

The post Gonxhja: 5500 vende të lira pune në Platformën Kombëtare të Punësimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aplikimet për universitet, Manastirliu ndan mesazhet e maturantëve ekselentë të Tiranës

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Të gjithë maturantët, të cilët duan të vijojnë studimet e larta në universitete, do të kenë mundësi nga nesër (29 korrik) deri më datë 3 gusht që të aplikojnë për programet që dëshirojnë të ndjekin përmes portalit “U-Albania”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu përcolli sot mesazhet e një grupi maturantësh ekselentë të gjimnazeve të Tiranës, të cilët kanë dhënë mesazhe për bashkëmoshatarët e tyre, duke i ftuar ata që të studiojnë në universitetet publike në Shqipëri.

Ata shprehen se kanë zgjedhur të studiojnë në Shqipëri dhe në universitetet publike për të dhënë kontributin profesional në vendin e tyre.

“Unë do të studioj për Inxhinieri Informatike në Universitetin Politeknik të Tiranës”, thotë një maturant, ndërsa një tjetër shprehet se mezi pret që të realizojë ëndrrën e tij në Universitetin e Tiranës.

“Jo çdo rrugë që shkon larg të çon përpara, ndaj unë zgjedh të studioj në vendin tim”, shprehet një tjetër i ri.

“Mjekësia nuk është një degë që kam zgjedhur, por një mision që dua ta shërbej për popullin tim”, tha një tjetër maturante.

Më herët, ministrja Manastirliu bëri me dije se procesi i aplikimit dhe regjistrimit realizohet online në portalin universitar “U-Albania”.

Sipas kalendarit të publikuar, faza e parë ka nisur më 8 korrik dhe mbaron më 28 korrik dhe është faza e pagesave të tarifave.

Kandidatët, përpara aplikimit për zgjedhjen e preferencave në portalin e aplikimit universitar, kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 lekë, në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet faturës për arkëtim, të cilën e shkarkojnë në portalin “U-Albania”. Pagesa kryhet deri në datën 28 korrik 2025. Pas dorëzimit të mandatit të pagesës, sekretaritë e shkollave konfirmojnë pagesën e kryer brenda datës 28 korrik, në portalin “U-Albania”.

Më tej, realizohet aplikimi online dhe për këtë periudha e përcaktuar është 29 korrik deri në 3 gusht. Në këtë periudhë, maturantët zgjedhin 10 programe studimi.

Më 29 gusht deri në 11 shtator është faza e regjistrimit në Institucionet e Arsimit të Lartë, ndërsa do të ketë publikim real të renditjes, që do të bëhet në 7 faza 48-orëshe përgjatë 14 ditëve.

Në fund është faza e çregjistrimit, për të cilën është caktuar një kohëzgjatje dyditore, nga 12-13 shtator.

/e.i//r.e/

The post Aplikimet për universitet, Manastirliu ndan mesazhet e maturantëve ekselentë të Tiranës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Ministrat francezë: Marrëveshja tregtare BE-SHBA ka merita, por është e pabalancuar

28 July 2025 at 10:54

PARIS, 28 korrik /ATSH/- Ministrat e qeverisë franceze thanë se marrëveshja tregtare kornizë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kishte disa përparësi – ku përfshihen përjashtimet për disa sektorë kyç të biznesit francez, siç janë pijet alkoolike – por megjithatë ajo ishte e pabalancuar, sipas “Reuters”.

“Marrëveshja tregtare e negociuar nga Komisioni Evropian me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të sjellë stabilitet të përkohshëm për aktorët ekonomikë të kërcënuar nga përshkallëzimi i tarifave amerikane, por kjo është e pabalancuar”, shkroi ministri francez i Çështjeve Evropiane, Benjamin Haddad në X.

Ky qëndrim u mbështet nga ministri francez i Industrisë, Marc Ferracci, i cili tha se do të nevojiteshin më shumë bisedime – të cilat mund të zgjasin me javë ose muaj – përpara se marrëveshja të përfundohej zyrtarisht.

Ferracci tha se duhej bërë më shumë në lidhje me ribalancimin e marrëdhënieve tregtare mes BE-së dhe SHBA-së.

“Ky nuk është fundi i historisë”, tha Ferracci për RTL.

Donald Trump njoftoi dje marrëveshjen me BE-në, e cila parashikon tarifa prej 15% për shumicën e mallrave që hyjnë në SHBA nga Evropa dhe kërkon që blloku të bëjë investime të mëdha në produktet energjetike amerikane – duke shmangur luftën tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë. //a.i/

 

 

The post PARIS – Ministrat francezë: Marrëveshja tregtare BE-SHBA ka merita, por është e pabalancuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Këshilli Europian, 15 milionë euro në mbështetje të FA shqiptare

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Këshilli Europian miratoi masën e dytë të ndihmës dypalëshe në kuadër të Mekanizmit Evropian të Paqes prej 15 milionë eurosh, me qëllim forcimin e kapaciteteve dhe aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, duke e çuar shumën e përgjithshme të mbështetjes për Shqipërinë në 28 milionë euro deri më sot.

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato vlerësoi sot se ky është një hap tjetër i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit BE – Shqipëri në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Shqipëria është një vend partner i afërt dhe i qëndrueshëm i Bashkimit Evropian në politikën e jashtme dhe të sigurisë”, tha ambasadori Gonzato, pas miratimit të masës së dytë të asistencës dypalëshe në kuadër në mbështetje të Forcave të Armatosura shqiptare.

Vendimi plotëson mbështetjen e ofruar tashmë nga Bashkimi Europian dhe synon të forcojë më tej dislokueshmërinë e Forcave të Armatosura shqiptare.

Masa e ndihmës do të rrisë gjithashtu potencialin e Shqipërisë për të kontribuar në operacionet dhe misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të BE-së, si dhe në koalicionet ndërkombëtare.

Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Kaja Kallas vlerësoi se “Shqipëria është partnere e ngushtë dhe e përhershme e BE-së në politikat e jashtme dhe ato të sigurisë, kontribuuese në operacionet e BE-së dhe aleate e NATO-s”.

Kallas theksoi se “forcimi i bashkëpunimit me Shqipërinë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përforcon drejtpërdrejt stabilitetin, sigurinë dhe paqen në Evropë”.

Vendimi i Këshillit ilustron angazhimin e fortë dhe të vazhdueshëm të BE-së me Shqipërinë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ai pasqyron gjithashtu angazhimin e ndërsjellë për të forcuar bashkëpunimin në këtë fushë, duke u bazuar te nënshkrimi i Partneritetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes mes BE-së dhe Shqipërisë në nëntor 2024 dhe çelja e Dialogut të parë të Sigurisë dhe Mbrojtjes në prill 2025.

Miratimi i një pakete të re mbështetëse njeh përputhshmërinë e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Përmes masës së Mekanizmit Evropian të Paqes, BE-ja do t’u ofrojë Forcave të Armatosura Shqiptare automjete të lehta të blinduara shumëfunksionale, si dhe automjete taktike dhe inxhinierike dhe, kur është e nevojshme, furnizime dhe shërbime përkatëse, duke përfshirë trajnim operativ dhe të mirëmbajtjes.

Mekanizmi Evropian i Paqes u krijua në mars të vitit 2021 për financimin e masave në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë për parandalimin e konflikteve, për ruajtjen e paqes dhe për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar.

Në veçanti, Mekanizmi Evropian i Paqes i mundëson BE-së të financojë masa të hartuara për forcimin e kapaciteteve të shteteve të treta, si dhe organizatave rajonale dhe ndërkombëtare në lidhje me çështjet ushtarake dhe të mbrojtjes.

Masa e parë e ndihmës dypalëshe në kuadër të Mekanizmit Evropian të Paqes në mbështetje të Forcave të Armatosura shqiptare, me vlerë 13 milionë euro, u miratua në korrik të vitit 2024.

/m.m/

The post Këshilli Europian, 15 milionë euro në mbështetje të FA shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Realizohet kranioplastika e parë, mjekët e spitalit “Memorial” i kthejnë shpresën për jetën 75-vjeçarit

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Ekipi i mjekëve në spitalin “Memorial” të Fierit ka realizuar një ndërhyrje të avancuar neurokirurgjikale te një pacient i moshës 75-vjeçare.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot lajmin, duke e konsideruar një tjetër histori suksesi në spitalin “Memorial” Fier, ku është realizuar kranioplastika e parë.

Koçiu bëri me dije se bëhet fjalë për “një ndërhyrje të avancuar neurokirurgjikale që i ktheu shpresën për jetën një pacienti 75-vjeçar, pas një goditjeje të rëndë në tru”.

Ministrja Koçiu u shpreh se pas gjashtë muajsh pritjeje dhe përkujdesje të vazhdueshme, pjesa e munguar e kraniotomisë iu vendos sërish pacientit, i cili tashmë ka dalë nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.

Koçiu u shprehu mirënjohjen ekipit mjekësor, dr. Egemen Nursoy, dr. Klaudio Disha, dr. Hasan Bayindir, dr. Holta Kraja, dr. Xhesika Hoxha dhe infermieres Fjorida Ago.

Spitali Rajonal Memorial Fier është e para strukturë spitalore ku është pilotuar autonomia menaxheriale duke i hapur rrugë dhënies së kartës së autonomisë edhe për QSUNT dhe katër spitale rajonale, në Durrës, Lezhë, Vlorë dhe Shkodër.

Ekipi i mjekëve në spitalin “Memorial” të Fierit gjatë ndërhyrjes neurokirurgjikale te një paci...
1 nga 3

/e.i/r.e/

The post Koçiu: Realizohet kranioplastika e parë, mjekët e spitalit “Memorial” i kthejnë shpresën për jetën 75-vjeçarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dua Lipa tregon se kur do të vijë në Prishtinë

By: Kult Plus
28 July 2025 at 11:54

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, do të vijë në Prishtinë javën e ardhshme për të marrë pjesë në Festivalin Sunny Hill. Lajmin e ka konfirmuar vetë artistja nëpërmjet një videoje të postuar në profilin e saj në Instagram.

Dua Lipa do të jetë pjesë e këtij festivali madhështor që do të mbahet nga 1 deri më 3 gusht. Këngëtarja ka paralajmëruar se ky do të jetë edicioni më i madh i festivalit deri tani, duke treguar se është shumë e emocionuar për këtë ngjarje,transmeton KultPlus

“Jam e lumtur që do vijë në shtëpinë time, në Prishtinë javën e ardhshme. Ky do të jetë edicioni më i madh. Jam shumë krenare se sa shumë është rritur. Mezi pres t’iu shoh të gjithëve. Ju dua shumë,” ka thënë Lipa në video.

Festivalin Sunny Hill, që ka fituar popullaritet ndërkombëtar, pritet të sjellë një mori artistësh të njohur dhe një atmosferë spektakolare në kryeqytetin e Kosovës. Fansat e Duas dhe muzikës globale tashmë janë të ngazëllyer për këtë edicion të veçantë/KultPlus.com

Martohet vajza e Steve Jobs, kaq milionë euro i kushtoi

By: Kult Plus
28 July 2025 at 11:43

Eve Jobs, vajza e bashkëthemeluesit të Apple, Steve Jobs, u martua me kampionin olimpik të hipizmit, Harry Charles.

Çifti u martua në Kishën e Shën Mikelit në fshatin anglez të Great Tew.

Të ftuarit e pranishëm shkëlqenin me fustane elegante dhe kostume zyrtare, dhe midis nëntë shoqërueseve të nuses me fustane sateni të kuq ishte edhe Jessica Springsteen, vajza e legjendës së muzikës Bruce Springsteen.

Lista e të ftuarve përfshinte shumë personazhe të famshëm si Princesha Beatrice dhe bashkëshorti i saj Eduardo Mapelli Mozzi, Kamala Harris si dhe vajza e Bill Gates.

Eva mbërriti në ceremoni me makinë private 30 minuta me vonesë, dhe 45 minuta më vonë, ajo dhe Charles thanë “Po”-në e tyre.

Pas dasmës, çifti u largua nga kisha me një furgon luksoz Mercedes dhe u drejtua për në pritjen e dasmës.
Dasma e plotë, e cila kushtoi rreth afro gjashtë milionë euro, u organizua nga organizatori i famshëm i eventeve Stanley Gatti. Një burim pranë çiftit zbuloi për gazetën Sun se ishte një ngjarje shoqërore që nuk do të mbahet mend dhe se e kishte kthyer përmbys të gjithë Oxfordshire-in.

Eve dhe Charles konfirmuan lidhjen e tyre gjatë Lojërave Olimpike të Parisit 2024, ku atleti britanik fitoi medaljen e artë. Eve, e cila është vetë një hipiste dhe modele e suksesshme, e mbështeti atë nga tribunat.
Çifti është në një lidhje që nga viti 2022. Pas suksesit të tij olimpik, Charles i tha revistës Tatler se mezi pret të kalojë kohë me të dashurën e tij./KultPlus.com

Gati për “Sunny Hill Festival”-in? Ja çfarë mund të merrni me vete

By: Kult Plus
28 July 2025 at 11:32

A jeni bërë gati për edicionin më të madh ndonjëherë të “Festivalit Sunny Hill”? A keni menduar se çfarë të merrni me vete? Lista më poshtë mund t’ju ndihmojë.

Prishtinë, Na ndajnë edhe pak ditë deri të edicioni më i ri i “Festivalit Sunny Hill”. Koha e duhur për të shikuar listën e gjërave që duhet të merrni me vete dhe atyre që nuk lejohen në hapësirat e festivalit. Ky udhëzues është menduar për t’ju ndihmuar që të përgatiteni për një përvojë të paharrueshme, të sigurt dhe pa shqetësime.

Çka mund të merrni me vete?
ID – Letërnjoftim/pasaportë ose dokument tjetër identifikues;
Powerbank – që të mos mbeteni pa bateri në momentet më të mira;
Syze dielli dhe kapelë – për të shijuar ditët me diell pa u shqetësuar.
SPF/krem mbrojtës nga dielli – sepse kujdesi për lëkurën nuk del kurrë nga moda;
Çantë shpine ose tote bag, si dhe një xhaketë apo duks për netët e freskëta;
Kamera (jo profesionale) – për të kapur kujtimet më të bukura;
Mos harroni të pini shumë ujë, të konsumoni alkool me përgjegjësi dhe të kujdeseni për ambientin.

Çka nuk duhet të merrni me vete, për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e të gjithëve!
Substanca të paligjshme dhe narkotike;
Produkte aerosolike (sprej, deodorant, parfume etj);
Ushqime e pije nga jashtë;
Objekte të mprehta.
Festoni me përgjegjësi dhe nëse akoma nuk keni blerë biletën tuaj tani keni mundësinë e fundit. Klikoni në link dhe bëhuni gati për një eksperiencë të paharruar: https://sunnyhillfestival.com/

Rame Lahaj International Opera Festival: Marigona Qerkezi sonte ndriçon Prishtinën me “Opera Night”

By: Kult Plus
28 July 2025 at 11:22

Sot, më 28 korrik, Prishtina do të bëhet skena e një mbrëmje magjike operistike. Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj, sopranoja e njohur Marigona Qerkezi do të ngjitet në skenën e hapur pranë Bibliotekës Kombëtare, duke sjellë një performance të jashtëzakonshme, e cila do të mbledhë adhuruesit e muzikës klasike dhe operës nga gjithë rajoni.

Mbrëmja e titulluar “Opera Night”, e cila do të nisë në orën 20:30, do të ofrojë një repertor të pasur muzikor, duke sjellë arie nga kompozitorët më të mëdhenj të operës, si Giuseppe Verdi, Giacomo Puccini, dhe Leonard Bernstein. Ky repertor do të udhëtojë përmes epokave dhe ndjenjave, duke përfshirë dramatizmin dhe pasionin e operës klasike, por edhe energjinë dhe freskinë e kompozitorëve modernë,transmeton KultPlus

Marigona Qerkezi, një nga zërat më të njohur të Kosovës, ka një karrierë ndërkombëtare të suksesshme dhe ka performuar në disa nga skenat më prestigjioze të botës. Pasionin dhe përvojën e saj, ajo do ta sjellë sot për publikun e Prishtinës, duke interpretuar disa prej arieve më të njohura të operës, që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e muzikës.

Ky koncert është një mundësi e shkëlqyer për dashamirësit e muzikës klasike dhe operës, pasi hyrja është falas, një dhuratë për ata që duan të përjetojnë një natë të paharrueshme në një nga ambientet më të veçanta të qytetit të Prishtinës./KultPlus.com

Giovanni Boccaccio, zëri i parë i realizmit në letërsinë italiane

By: Kult Plus
28 July 2025 at 11:15

Giovanni Boccaccio (1313–1375) është një ndër figurat më përfaqësuese të letërsisë italiane të shekullit XIV, dhe një nga etërit themelues të humanizmit evropian

Ai i dha jetë një stili të ri letrar që ndërthurte elementët klasikë me një vëzhgim të hollë mbi natyrën njerëzore, duke sjellë një realitet më tokësor në letërsinë e kohës së tij. I lindur në Certaldo ose ndoshta në Firence, si bir i një tregtari të pasur, Boccaccio jetoi në mes të krizave politike, murtajës së zezë dhe përmbysjeve shoqërore ngjarje që më vonë do të përshkonin fuqishëm veprat e tij. Veprimi i tij më i famshëm, “Dekameroni”, është një monument i rrëfimit klasik.

Me 100 tregime të strukturuara përmes dhjetë të rinjve që strehohen në një vilë larg murtajës që ka goditur Firencen, libri është një enciklopedi e jetës së përditshme, e pasioneve njerëzore dhe e moralit të paqëndrueshëm të kohës. Aty gjenden figura klerikësh të korruptuar, gra të zgjuara, tregtarë të pafat dhe princër naivë të gjithë të përshkruar me një ironi fine dhe një gjuhë të gjallë që fliste për një Itali në transformim. Përtej “Dekameronit”, Boccaccio ishte një studiues i pasionuar i antikitetit klasik.

Ai ishte mik i ngushtë i Francesco Petrarca-s dhe përfaqësonte me të atë binom të artë të fillimeve të humanizmit Boccaccio si rrëfimtar i ndjeshmërisë popullore, Petrarca si zëri më formal i latinishtes klasike. Në fund të jetës, Boccaccio iu përkushtua studimeve të Dantes dhe shkroi komente mbi “Komedinë Hyjnore”, duke ndihmuar në kanonizimin e poetit të madh si simbol i kulturës italiane. Stili i tij ishte i lirshëm, rrëfimtar, shpesh me humor të hollë dhe një vështrim realist që nuk gjykohej nga dogmat fetare, por nga logjika e jetës së përditshme. Ai e konsideronte dashurinë një fuqi çliruese, shpeshherë rebeluese, ndërsa të dashuruarit i portretizonte si qenie që sfidonin normat për hir të ndjenjës dhe mendjes. Në letërsinë evropiane, Boccaccio la një ndikim të madh. Dekameroni shërbeu si model për rrëfime të mëvonshme, përfshirë edhe Canterbury Tales të Chaucer-it në Angli.

Struktura e tregimeve brenda një kornize një teknikë letrare që më pas do të përdorej gjerësisht është një nga trashëgimitë më të forta të tij. Për më tepër, Boccaccio ishte ndër të parët që shkroi në italishten vulgare, duke i dhënë kështu dinjitet gjuhës së popullit, një akt që më vonë do të përqafohej nga autorë të Rilindjes. Pas vdekjes, figura e tij kaloi në heshtje për një periudhë, por më pas rilindësit dhe studiuesit modernë e rivlerësuan si një ndër figurat që hodhi urën mes mesjetës dhe modernitetit.
Në Certaldo, ku kaloi vitet e fundit, çdo vit mbahet një festival në nder të tij, ndërsa në akademitë italiane, emri i tij qëndron krahas Dantes dhe Petrarcës si pjesë e “Triadës së Madhe”. Xhovani Bokaço nuk ishte thjesht një shkrimtar që tregonte histori ai ishte një vrojtues i jetës, një humanist që e kuptonte se përmes rrëfimit, njeriu mund të çlirohej, të qeshte, të kritikonte dhe të mbijetonte. Ai shkroi për njerëzit siç janë, jo siç do të donim të ishin. Dhe në këtë ndershmëri qëndron përjetësia e tij./konica.al

“Lumina” – Festivali i muzikës elektronike që ndryshoi atmosferën e Korçës

By: Kult Plus
28 July 2025 at 10:54

Festivali i muzikës elektronike Lumina solli emocion dhe ritëm gjatë dy netëve që kapërcyen çdo pritshmëri.

Aktiviteti dëshmoi edhe një herë se Korça është jo vetëm një qytet i kulturës dhe historisë, por edhe i rinisë dhe energjisë së jashtëzakonshme. Mbrëmja e dytë e Lumina Electronic Festival përfundoi me një superatmosferë. Muzika elektronike, natyra dhe të rinjtë u bënë një dhe e ndezën Korçën për dy net rresht.

Të rinjtë, vendas dhe turistë, u entuziazmuan, në një atmosferë që vështirë të përshkruhet me fjalë.

“Kjo është Korça që po ndërtojmë bashkë, një qytet që rreh ndryshe, që jeton me ritmin e kohës dhe që frymëzon të ardhmen. Faleminderit të gjithëve që ishit pjesë e kësaj përvoje unike”, shkroi kryebashkiaku Sotiraq Filo në rrjetet sociale, ku edhe ndau një album me pamjet nga mbrëmja e fundit, që e cilësoi si “magji nën yje”/atsh/

Aksi rrugor Ura e Çerenecit – Zgosht, transformon Dibrën dhe Elbasanin për Zhvillim Rural dhe Turizëm Malor

By: Kult Plus
28 July 2025 at 10:22

Rruga e re Ura e Çerenecit – Zgosht, e cila është rreth 47 km e gjatë dhe lidh Dibrën me Elbasanin, përbën një investim me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale pamje pas përfundimit të punimeve për këtë segment rrugor, duke theksuar ndikimin e madh që do të ketë ky projekt për përmirësimin e infrastrukturës dhe ndërlidhjen mes dy qarqeve të vendit.

“Me rrugën e re Bulqizë–Librazhd, aksi Ura e Çerenecit–Zgosht, që jo vetëm lidh Dibrën me Elbasanin, por krijon një korridor të ri lindor duke sjellë më afër bukuritë natyrore dhe pasuritë e turizmit malor, nxit ekonominë rurale dhe i jep jetë sipërmarrjeve të reja bujqësore e turistike,” shkruan Rama në postimin e tij.

Ky segment rrugor është i rëndësishëm për përmirësimin e mundësive të hyrje-daljeve për komunitetet lokale, fermerët dhe ndërmarrjet e tjera ekonomike, duke ofruar një rrugë të shpejtë dhe të sigurt për turistët që duan të vizitojnë destinacione në Shqipërinë lindore. Disa prej këtyre destinacioneve përfshijnë Parkun Shebenik-Jabllanicë në Librazhd dhe zonat kulturore, natyrore e historike në qarkun e Dibrës,transmeton KultPlus.com

Ky projekt, përveç ndikimit të tij ekonomik, do të kontribuojë në forcimin e turizmit malor dhe zhvillimin e bizneseve të reja, duke sjellë mundësi të reja për sipërmarrësit dhe të rinjtë në këto zona. Po ashtu, hapja e një pike kufitare të re në Urat e Bushtricës, pjesë e Korridorit 8, që po ndërtohet nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, do të lehtësojë lëvizjen e banorëve dhe turistëve, duke ofruar lidhje më të shpejta dhe më të sigurta me vendet fqinje.

Kjo rrugë do të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë rurale, duke nxitur më shumë investime dhe mundësi për të rinjtë e zonave përkatëse, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetet e këtyre rajoneve./KultPlus.com

Situata me zjarret/ Ministria e Mbrojtjes: Në 24 orë u raportuan 34 vatra, 17 ende aktive

By: Ke Si
28 July 2025 at 11:59

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 34 vatra zjarri nga të cilat 17 janë ende aktive, 6 janë nën monitorim dhe 11 janë shuar.

Vatrat aktive janë regjistruar në zonat e mëposhtme, ku puna në terren vijon pa ndërprerje për izolimin dhe kontrollin e flakëve:

– Në Parkun Kombëtar të Lurës, i zhvilluar në dy vatra të mëdha në drejtim të Fushës së Pelave, ku nuk rrezikon banesa, dhe në kahun lindor të Gurë-Lurës, ku ka pasur shtrirjen më të madhe, duke kaluar Fushën e Pllajës dhe mbi fshatin Sinë të njësisë administrative Arras. Në terren janë angazhuar mbi 54 forca të strukturave operacionale.

– Në fshatin Zall Gjoçaj, bashkia Mat, vijon puna për shuarjen e zjarrit me një shtrirje mbi 14 km, me zhvillime në tre kahe, nga Mas Deja ku përfshin sipërfaqe të konsiderueshme në pyje, në vendin e quajtur Qafa e Tollës , si dhe në vendin e quajtur Fushë Kuqe. Në terren u angazhuan 54 forca dhe sot pritet të shkojnë dhe 30 efektive të FA dhe 15 forca vendore

– Në Qafë Buall, bashkia Bulqizë, vazhdon aktive vija e zjarrit nga Rruga e Arbrit me drejtim nga Maja e Lepurit. Operacioni me ndërhyrje nga ajri ka penguar konsiderueshëm zhvillimin e vatrës. Vazhdon aktive vatra në Malin e Allushit, në Plan të Bardhë, Bashkia Klos që paraqet vështirësi për vënien nën kontroll, megjithë dislokimin në terren afro 130 forcave nga të gjitha strukturat dhe Helikopterit të Forcës Ajrore.

– Në fshatin Kalas, bashkia Delvinë, ku si rezultat i erës së fortë, zjarri kaloi nga ana e Himarës dhe zbriti drejt një lagjeje të fshatit, por pa paraqitur rrezik për banesa, ndërsa u bë i mundur edhe evakuimi i banorëve. Në vendngjarje, u angazhuan rreth 75 forca nga strukturat operacionale. Gjithashtu në zonë operoi dhe një Helikopter i Forcës Ajrore.

– Në fshatin Markat, Bashkia Konispol zjarri u përhap ditën e djeshme drejt fshatit Shalës. Pas angazhimit të forcave të struktura operacionale dhe FA, sot vatra e zjarrit paraqitet e izoluar.

– Në fshatrat Piqeras dhe Sasaj, bashkia Himarë vatrat janë kthyer problematike gjatë orëve të natës, ku rrezikoheshin banesat dhe u bë i mundur evakuimi i banorëve. Në terren u angazhuan 9 mjete zjarrfikëse, një ambulancë, helikopterët e FA dhe avioni canadair italian i mundësuar nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile, duke e neutralizuar situatën atje.

– Në fshatin Fang, njësia administrative Rubik, është e pamundur ndërhyrja për shkak të pjerrësisë së madhe të shpatit të malit, të veshur me dëllinja, që favorizojnë zjarrin. Në fshatin Kulme, njësia administrative Rrëshen, situata është më e qëndrueshme dhe po mbahet nën kontroll, pas angazhimit të afro 85 forcave nga strukturat operacionale. Situata paraqitet nën kontroll.

– Në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë, vazhdon aktiv zjarri ndërmjet fshatrave Dishnicë dhe Barç në bimësi të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara.

– Në Parkun Kombëtar të Prespës, fshati Lajthizë, Bashkia Pustec, për fikjen e zjarrit që vijon me intensitet të ulët, janë angazhuar rreth 100 forca nga strukturat operacionale.

– Në fshatin Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës, bashkia Gjirokastër, vatra ndodhet në lartësi të madhe dhe i paaksesueshëm nga forcat dhe mjetet. Pjesa me e madhe e rreth 60 forcave operacionale punuan për izolimin e zjarrit për të mos lejuar kalimin në zonën e mbrojtur në pyllin e Zhulatit.

– Në fshatin Dragobi, brenda Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore. Terreni është shkëmbor dhe me dru halorë, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen nga toka.

– Në Malin e Shkëlzenit, Bashkia Tropojë, vatra e zjarrit ndodhet në një terren të vështirë, zonë kullotash duke bërë të pamundur ndërhyrja në këmbë.

– Në vendin e quajtur “Fusha e Staneve”, në Shëngjergj, Bashkia Tiranë, zjarri është përhapur në kullota dhe në sipërfaqe pyjore. Vijon puna me intensitet të shtuar për nga strukturat operacionale. Situata është nën kontroll dhe nuk paraqit rrezik për banesat.

– Në fshatin Ibë, bashkia Tiranë, aktualisht janë aktive 3 vatra zjarri, nën kontroll dhe me rrezik të ulët. Zjarri është shuar në rreth 90%, po punohet nga efektivët e MZSH Tiranë dhe forca pyjore. Helikopteri i Forcës Ajrore ka ndërhyrë në një sipërfaqe me shkurre të dendura. Situata është nën kontroll dhe nuk paraqit rrezik për banesat.

– Në fshatin Kuç, bashkia Vorë ka mbërritur zjarri i ardhur nga bashkia Shijak (fshati Shetel, Në krahun e bashkisë Shijak, ku janë angazhuar rreth 30 forca zjarri është shuar. Në krahun e bashkisë Vorë, zjarri vijon aktiv. Në vendngjarje janë 60 forca nga strukturat operacionale. Terreni është i vështirë, por rreziku nga banesat u evitua falë ndërhyrjes së helikopterit Cougar të Forcës Ajrore.

– Në Bjeshkën e Rahovicës, bashkia Malësi e Madhe, pranë kufirit me Malin e Zi, vijon të mbetet aktive vatra e zjarrit e rënë në një sipërfaqe me pyje. Terreni i thyer e bënë të vështirë ndërhyrjen, dhe zjarri ka marrë përmasa.
Janë nën monitorim vatrat si më poshtë: Livadhet e Peladhisë, bashka Bulqizë; Në vendin e quajtur Shashicë, bashkia Vlorë; Në vendin e quajtur pyjet e Gurakuqit, bashkia Librazhd; në zonën pas malit të Lisecit, bashkia Gramsh; Në fshatin Strelcë, bashkia Maliq; në fshatin Konisbaltë, bashkia Dimal.
Forcat e angazhuara në operacionet për shuarjen e zjarreve :

– 56 automjete zjarrfikëse

– 953 forca operacionale.

– 5 Helikopterë nga Forcat e Armatosura (operuan në disa zona) dhe 1 helikopter Canadair Italian, i ofruar nëpërmjet Mekanizimit të Mbrojtjes Civile Evropiane,

Sipas IGJEO-s, sot priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarkun e Shkodrës dhe të dobëta në shumicën e qarqeve të vendit. Sa u përket zjarreve, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në qarqet Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë pritet nivel rrezik “I MODERUAR”.

Autoritet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë pranë strukturave përkatëse për çdo vatër të dyshimtë./E.T

Shkencëtarët kinezë krijojnë bletën e parë robotike, një “spiune” që do të përdoret për…

By: Ke Si
28 July 2025 at 11:41

Shkencëtarët në Institutin e Teknologjisë të Pekinit vendosën një kontrollues në trurin e bletëve për t’i shndërruar me sukses për herë të parë në “robotë”.

Bletët mund të mbajnë nektarin që peshon rreth 80 përqind të masës së trupit të tyre për 5 km (3 milje) pa pushuar, kështu që ato nuk kanë problem të mbajnë një kontrollues të trurit prej 74 miligramësh të zhvilluar nga studiues kinezë. Pajisja ultra e lehtë mund të lidhet në shpinën e bletës dhe të lidhet me trurin e saj nëpërmjet tre gjilpërave të vogla, duke u lejuar njerëzve të kontrollojnë lëvizjet e insektit.

Kontrolluesi përdor impulse elektrike me intensitet të ulët për t’u futur në lëvizjet e insektit, duke e bërë atë të kthehet majtas, djathtas, të përparojë ose të kthehet prapa, varësisht nga situata. Sipas Profesor Zhao Jieliang, në testet e kryera nga ekipi i tij deri më tani, bletët iu bindën komandave të tyre 9 herë nga 10.

“Robotët me bazë insektesh trashëgojnë lëvizshmërinë superiore, aftësitë e kamuflazhit dhe përshtatshmërinë mjedisore të strehuesve të tyre biologjikë”, shkroi Zhao në një punim të rishikuar nga kolegët të botuar muajin e kaluar. “Krahasuar me alternativat sintetike, ato demonstrojnë fshehtësi të shtuar dhe qëndrueshmëri të zgjatur operacionale, duke i bërë ato të paçmueshme për zbulim të fshehtë në skenarë të tillë si luftimet, antiterrorizmi dhe ndalimi i narkotikëve, si dhe operacionet kritike të ndihmës në rast fatkeqësish.”

Për të krijuar kontrolluesin më të lehtë të insekteve në botë, Zhao dhe ekipi i tij shtypën qarqe në film polimer aq të lehtë dhe fleksibël sa krahët e një insekti që ende lejonin montimin e një numri të madh çipash. Megjithatë, pavarësisht suksesit të tyre të fundit, shkencëtarët ende kanë shumë pengesa për të kapërcyer. Për momentin, bletët ende duhet të lidhen me lidhësin, sepse një bateri mjaftueshëm e madhe peshon 600 miligramë, shumë më tepër sesa mund të mbajnë insektet, dhe në disa raste, këmbët dhe barku i tyre refuzojnë komandat.

“Në hulumtimet e ardhshme, saktësia dhe përsëritshmëria e kontrollit të sjelljes së insekteve do të përmirësohet duke optimizuar sinjalet e stimulimit dhe teknikat e kontrollit”, shkruan studiuesit kinezë. “Zgjerimi i njëkohshëm i moduleve funksionale të shpinës së kontrollit do të përmirësojë aftësitë e perceptimit mjedisor të robotëve të bazuar në insekte, duke avancuar vendosjen e tyre në mjedise komplekse operacionale siç janë misionet e zbulimit.”/ TAR

Trefishohet numri i pensionistëve italianë/ Shqipëria destinacioni i preferuar

By: Ke Si
28 July 2025 at 11:40

Emigracioni i pensionistëve italianë gjatë viteve të fundit po bëhet gjithnjë e më i dukshëm si trend, me Shqipërinë që po shfaqet si një nga destinacionet e tyre kryesore. Kështu nënvizohet në raportin vjetor të INPS-së (Instituti Italian i Sigurimeve Shoqërore), ku Shqipëria renditet ndër zgjedhjet kryesore të emigrantëve italianë në moshë pensioni për shkak të politikave të favorshme tatimore.

Spanja dhe Portugalia kanë qenë më herët destinacionet kryesore për pensionistët italianë, por tanimë Shqipëria dhe Tunizia pozicionohen në vend të parë, pasi sipas INPS-it, të dyja vendet ofrojnë kushte më të mira për pensionistët, taksa më të ulëta, klimë më të butë dhe kosto më të ulët jetese.

Ndërsa Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë pensionistë italianë, kjo tendencë është rezultat edhe i një vendimi të qeverisë shqiptare të janarit 2020, kur u vendos që pensionistët e huaj me lejeqëndrim të posaçëm në Shqipëri të mos tatohen për pensionet që ata përfitojnë nga shteti italian.

Sipas raportit të INPS-it, një aspekt interesant është se gratë italiane po emigrojnë gjithnjë e më pak, ndërsa burrat tani përbëjnë shumicën e emigrantëve. Në vitin 2003, gratë përbënin 60% të emigrantëve italianë, ndërsa në vitin 2023, burrat përfaqësojnë 61% të numrit të emigrantëve.

Në vitet 2010-2023 u trefishua numri i pensionistëve italianë që emigruan jashtë vendit. Nga 10 emigrantë për çdo 100,000 pensionistë në vitin 2010, kjo shifër u rrit në 33 në vitin 2023, duke përfshirë kryesisht pensionistët nga veriu dhe qendra e Italisë, si dhe Sicilinë. Rajonet jugore, si Kalabria, Bazilikata apo Sardenja kanë pasur më pak largime për shkak të kushteve ekonomike dhe lidhjes së fortë me familjet dhe komunitetet lokale./e.t

Hyri për të vjedhur një banesë, policia arreston në flagrancë 43-vjeçarin në Lushnjë

By: Ke Si
28 July 2025 at 11:37

Policia e Lushnjës ka parandaluar vjedhjen e dytë në banesë gjatë 24 orëve të fundit, duke vënë në pranga një 43-vjeçar. Pas njoftimit se një shtetas po tentonte të vidhte në një banesë në qytet, efektivët shkuan në adresën e dhënë, duke arrestuar 43-vjeçarin.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, menjëherë pas njoftimit se një shtetas po tentonte të vidhte në një banesë në qytet, organizuan punën dhe shkuan në adresën e dhënë. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u arrestua në flagrancë, në këtë banesë, autori, shtetasi J. P., 43 vjeç”, njofton Policia.

Ndërkohë vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 43-vjeçari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.  /e.t

Tropojë/ Nëna e tre fëmijëve e zhdukur prej një jave, hetohet edhe krimi në familje!

By: Ke Si
28 July 2025 at 11:23

Një 48-vjeçare nga fshati Bujan i Tropojës rezulton e zhdukur prej datës 22 korrik, duke vënë në lëvizje strukturat e Policisë së Tropojës dhe ato të Kosovës.

Policia po heton prej të paktën tre ditësh kur u bë edhe denoncimi, me dy pista kryesore, largimin e saj për shkak të dhunës në familje dhe një vrasje të mundshme nga bashkëshorti.

Për këtë qëllim më 26 korrik Policia e Kukësit njoftoi se u arrestua 58-vjeçari Imer Shpata, derisa ngjarja të zbardhet plotësisht.

Gruaja, e martuar në Bujan, por me familjen e origjinës në fshatin fqinj Dojan të Njësisë Administrative Bujan, u raportua e larguar nga banesa familjare dhe që prej asaj dite nuk është parë më.

E zhdukura është nënë e tre fëmijëve të rritur, dy djemve, njëri prej të cilëve jeton në Angli, tjetri në Bujan, si dhe e një vajze që banon në Tiranë. Burime policore bëjnë të ditur se dyshohet se largimi i saj ka ardhur si pasojë e dhunës në familje nga bashkëshorti, ndërsa në hetime nuk përjashtohet as pista e vrasjes nga bashkëshorti.

Për gjetjen e 48-vjeçares, Policia e Tropojes është duke bashkëpunuar ngushtë me kolegët e tyre në Kosovë, pasi ekziston mundësia që ajo të jetë drejtuar drejt Gjakovës. Në terren, kërkimet vijojnë pa ndërprerje./e.t

❌
❌