Normal view

Balla: Fund gardheve në plazhe dhe ndërtimeve gjatë sezonit turistik, ndryshimet në ligj nesër në Kuvend

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njoftoi përmes një videomesazhi se në seancën plenare të së enjtes Kuvendi i Shqipërisë do të shqyrtojë ndryshimet në ligjin “Për Turizmin”, të cilat synojnë të rrisin standardet në zonat turistike dhe të mbrojnë interesin e pushuesve.

Balla bëri të ditur se një nga ndryshimet kryesore parashikon ndalimin e proceseve të ndërtimit gjatë sezonit turistik në zonat turistike dhe pranë strukturave akomoduese.

Sipas tij, kjo masë vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve të shumta të pushuesve për zhurmat dhe punimet e ndërtimit gjatë periudhës së pushimeve.

“Synimi është që të ndalen zhurmat e makinerive të betonit dhe çdo proces tjetër ndërtimi gjatë sezonit turistik. Aty ku bashkitë nuk arritën ta zgjidhnin këtë problem me vendimet e tyre, tani do ta zgjidhim me ligj”, u shpreh Balla.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me garantimin e aksesit të lirë në plazhe. Balla theksoi se, pas hyrjes në fuqi të ligjit, çdo subjekt që administron një stacion plazhi do të ketë detyrimin të garantojë kalimin e lirë dhe të pandërprerë të qytetarëve drejt bregut të detit, si edhe lëvizjen përgjatë vijës bregdetare dhe ndërmjet hapësirave publike të plazhit.

Sipas projektligjit, ndalohet vendosja e gardheve, mureve, barrierave apo çdo pengese tjetër fizike, të përhershme ose të përkohshme, që kufizon ose pengon aksesin e qytetarëve në plazh.

Balla u shpreh se me këto ndryshime synohet t’i jepet fund përfundimisht praktikës së bllokimit të hyrjeve në plazhe me gardhe apo barriera, duke garantuar të drejtën e çdo qytetari për akses të lirë në bregdet.

/gj.m/

The post Balla: Fund gardheve në plazhe dhe ndërtimeve gjatë sezonit turistik, ndryshimet në ligj nesër në Kuvend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ndërhymë për të mbrojtur zemrën e Thethit, zhvillimi duhet të bëhet me leje

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Thethit për Paketën e Maleve, foli për ndërhyrjet e qeverisë në këtë zonë dhe për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit malor.

Rama hodhi poshtë pretendimet se qeveria kishte nxitur ndërtime të reja pa leje në Theth, duke deklaruar se qëndrimi i tij ka qenë gjithmonë për legalizimin e ndërtimeve ekzistuese dhe jo për lejimin e ndërtimeve të reja pa kontroll.

“Është tërësisht e pavërtetë dhe ju jeni të gjithë dëshmitarë që unë kam ardhur këtu dhe kam thënë: ‘Vazhdoni ju, ndërtoni se ne do t’i legalizojmë’. Unë kam ardhur këtu dhe kam thënë që do të legalizojmë ekzistueset”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se në një zonë të mbrojtur natyrore si Thethi, edhe shumë banesa të trashëguara ndër vite nuk kishin dokumentacion të rregullt dhe se procesi i legalizimit lidhet me objektet ekzistuese.

Sipas Ramës, pas vizitës së tij në Theth ka pasur një rritje të ndërtimeve të paligjshme, të cilat, sipas tij, prekën një nga zonat më të identifikueshme të fshatit.

“Ajo që ndodhi, dhe ju e dini shumë mirë, ishte që pas vizitës sime shpërtheu ndërtimtaria e paligjshme këtu. U arrit të goditej zemra e Thethit”, tha ai.

Rama solli si shembull simbolin më të njohur të zonës, kishën e Thethit dhe lëndinën përreth saj.

“Po të shkruash ‘Theth’ në të gjitha gjuhët e botës në Google, pamja e parë që del është kisha me lëndinën e gjelbër. Lëndina e gjelbër u zaptua, u vunë me shpejtësi disa shtëpi druri, u rrethua, u shtrua me zhavorr dhe u kthye në një plagë mu në mes të Thethit”, deklaroi kryeministri.

Ai theksoi se synimi i qeverisë është që zhvillimi i zonave malore të vijojë me standarde më të larta, përmes projekteve cilësore dhe respektimit të rregullave urbanistike.

“Tani ne duhet ta çojmë në një nivel tjetër zhvillimin. Duhet të rrisim cilësinë me sistem dhe me leje, me projekte cilësore. Jo ‘hajde ndërto’”, theksoi Rama.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Ndërhymë për të mbrojtur zemrën e Thethit, zhvillimi duhet të bëhet me leje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nufi: Rekrutimi në Forcat e Armatosura, mundësi për karrierë dhe shërbim ndaj vendit

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se Forcat e Armatosura shqiptare vijojnë përpjekjet për të afruar të rinjtë përmes procesit të rekrutimit, duke ofruar mundësi për zhvillim profesional dhe përfitime që lidhen me statusin e ushtarakut.

Në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë, i pyetur për rekrutimet në Forcat e Armatosura dhe interesin e të rinjve për t’iu bashkuar ushtrisë, Nufi u shpreh se Shqipëria ka një angazhim të rëndësishëm me trupa në misionet paqeruajtëse në botë.

Ai theksoi se Ministria e Mbrojtjes ka ndërmarrë një fushatë për rekrutimin e të rinjve në Forcat e Armatosura, duke synuar rritjen e kapaciteteve dhe afrimin e brezit të ri me strukturat ushtarake.

Sipas Nufit, të rinjtë shqiptarë që zgjedhin të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura përfitojnë jo vetëm mundësinë për një karrierë profesionale, por edhe një sërë avantazhesh që lidhen me statusin e ushtarakut, trajnimin, zhvillimin profesional dhe përfitimet që ofron shërbimi ushtarak.

Ai shtoi se rekrutimi i të rinjve është një proces i vazhdueshëm dhe se synimi është krijimi i një force të mirëtrajnuar, profesionale dhe të gatshme për të përballuar detyrimet kombëtare dhe ndërkombëtare.

/gj.m/j.p/

The post Nufi: Rekrutimi në Forcat e Armatosura, mundësi për karrierë dhe shërbim ndaj vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nufi: Kemi nisur përgatitjet për samitin e NATO-s në Tiranë, presim datën e zhvillimit

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi sot se vendimi për zhvillimin e një samiti të NATO-s në Tiranë do të merret nga krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Aleancës.

Në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë, i pyetur për mundësinë e organizimit të një samiti të NATO-s në kryeqytetin shqiptar, Nufi sqaroi se zhvillimi i samiteve përcaktohet nga vendimmarrja e vendeve anëtare dhe jo nga struktura administrative e Aleancës.

“Që samiti do zhvillohet në Tiranë është vendosur në Hagë, nuk është vendosur në Ankara”, tha ai.

“Ka një vendimmarrje, një angazhim nga Aleanca që lidhet me zhvillimin e samiteve dhe kjo bëhet nga krerët e shteteve. Organizata është organizuese e punës, por zhvillimin e samiteve e vendosin krerët e shteteve të vendeve anëtare”, tha Nufi.

Ai bëri të ditur se ende nuk është përcaktuar nëse një samit i ardhshëm do të zhvillohet në vitin 2027 apo 2028, duke theksuar se ky është një vendim që i takon Aleancës.

“Samiti i radhës, nëse do të jetë në vitin 2027 apo në vitin 2028, do të përcaktohet nga Aleanca. Në momentin që do të bëhet e ditur data ku do të zhvillohet samiti, atëherë do të merren edhe masat për angazhimin”, u shpreh ministri.

Nufi tha se institucionet shqiptare kanë nisur përgatitjet paraprake dhe kanë ngritur një task-forcë, duke marrë si referencë edhe eksperiencat e vendeve të tjera në organizimin e aktiviteteve të tilla ndërkombëtare.

“Kemi ngritur task-forcën, kemi parë një shembull shumë të mirë të zhvillimit të samitit në Ankara dhe të samiteve të tjera. Do të shikojmë, në momentin e vendosjes së saktë, edhe angazhimin e kësaj task-force dhe të gjithë elementëve të qeverisë shqiptare për zhvillimin e samitit”, deklaroi ai.

Sipas ministrit, përgatitjet do të përfshijnë të gjitha aspektet që lidhen me organizimin e një aktiviteti të përmasave të tilla, duke përfshirë sigurinë, transportin, logjistikën dhe koordinimin institucional.

Duke folur për angazhimet e NATO-s për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje, Nufi u ndal te vendimet e marra në samitet e fundit të Aleancës.

“E kam thënë dhe e ritheksoj në Samitin e Hagës u vendos që shpenzimet për mbrojtjen të shkojnë në 5%. Në samitin e Ankarasë  u diskutua konkretisht se sa është masa e arritur dhe mund të themi se nga të gjitha shtetet anëtare ka një angazhim për të mbajtur atë që është vendosur në Samitin e Hagës”, tha ai.

Ministri theksoi se në samitin që do zhvillohet në Tiranë do të fokusohen në diskutimin e masave konkrete për forcimin e sigurisë së përgjithshme të Aleancës dhe zbatimin e vendimeve të marra nga vendet anëtare.

/gj.m/j.p/

The post Nufi: Kemi nisur përgatitjet për samitin e NATO-s në Tiranë, presim datën e zhvillimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: “Paketa e Maleve” nuk është për uzurpues apo oligarkë, por për trashëgimtarët e pronave

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se ekzistojnë keqkuptime të mëdha lidhur me “Paketën e Maleve”, duke theksuar se kjo nismë synon t’u japë mundësi trashëgimtarëve të pronave në zonat ku toka nuk është ndarë sipas ligjit 7501, për të zhvilluar ekonomikisht pasuritë e tyre.

Gjatë një bashkëbisedimi të hapur me banorët për “Paketën e Maleve”, Rama u bëri thirrje qytetarëve që të informohen për përmbajtjen e kësaj nisme dhe të mos bien pre, sipas tij, të deklaratave të pavërteta rreth saj.

“Për Paketën e Maleve ka një keqkuptim shumë të madh. Është shumë e rëndësishme që të gjithë ata që kanë një pronë të trashëguar dhe që janë jashtë perimetrit të legjislacionit ekzistues të ligjit 7501, ta dëgjojnë dhe ta kuptojnë deri në fund se për çfarë bëhet fjalë dhe të mos bien pre e gjithë marrëzive dhe ligësive që thuhen lidhur me këtë proces dhe me Paketën e Maleve”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se kjo paketë, sipas tij, është e kundërta e pretendimeve se mund t’u marrë tokën pronarëve apo t’ua kalojë atë subjekteve të tjera.

“Paketa e Maleve është ekzaktësisht e kundërta e të gjitha këtyre që thuhen. Ekzaktësisht e kundërta. Nuk është as për uzurpues, as për biznesmenë që nuk kanë lidhje dhe nuk kanë marrëveshje me ju, as për oligarkë, as për asgjë tjetër, përveçse për të vënë në lëvizje ekonominë e trashëgimtarëve të pronave në territore ku toka nuk është ndarë sipas ligjit 7501”, u shpreh Rama.

Ai tha se në këto zona banorët kanë ruajtur kufijtë tradicionalë të pronave të trashëguara dhe në shumicën e rasteve nuk kanë konflikte me njëri-tjetrin.

“E keni ndarë tokën mes jush me kufijtë e vjetër dhe, përgjithësisht, jo gjithmonë, por përgjithësisht, nuk keni konflikte me njëri-tjetrin. Kjo është Paketa e Maleve. Nuk është asgjë tjetër”, deklaroi kryeministri.

Duke marrë si shembull rastin e një banori të zonës, Rama shpjegoi mënyrën se si do të funksionojë procesi i formalizimit të pronësisë përmes kësaj pakete.

Sipas tij, trashëgimtarët që kanë të drejtë mbi një territor, por që aktualisht nuk rezultojnë pronarë në regjistrat e kadastrës, do të mund ta përfitojnë pronën sipas procedurave të përcaktuara.

“Mariani dhe dy vëllezërit e tij janë pronarë të këtij territori me zakon, por kjo pronë sot është pronë shtetërore. Pra, janë pronarë që nuk e posedojnë pronën e tyre në kuptimin e ligjit. Kadastra nuk ka në këtë territor asgjë tjetër përveç pronës shtetërore”, tha Rama.

Ai shpjegoi edhe arsyen e përcaktimit të çmimit simbolik prej 1 euroje në këtë proces.

“Kjo shpjegon pse ne kemi vendosur atë 1 euro. Sepse në momentin kur Mariani dhe vëllezërit do të marrin lejen, do të marrin edhe pronën me 1 euro, në perimetrin e përcaktuar. Dhe në momentin kur ndërtimi do të mbarojë, ata do të marrin hipotekën dhe prona do të bëhet e tyrja”, u shpreh kryeministri.

Rama hodhi poshtë pretendimet se përmes “Paketës së Maleve” toka e banorëve do t’u kalojë personave apo subjekteve të tjera.

“Historia me fantazma, me biznesmenë, me oligarkë, me alienë që do të vijnë nëpër male të marrin tokat e njerëzve që i kanë trashëguar, është histori e njerëzve ose krejt të painformuar, ose thellësisht shpirtzinj, sepse histori tjetër të tillë nuk ka”, tha Rama.

Sipas tij, qëllimi i kësaj nisme është kthimi i pronave të trashëguara në burime zhvillimi ekonomik për komunitetet e zonave malore.

/gj.m/j.p/

The post Rama: “Paketa e Maleve” nuk është për uzurpues apo oligarkë, por për trashëgimtarët e pronave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria dërgon togë të Forcave të Armatosura në brigadën shumëkombëshe në Rumani

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi sot se Këshilli i Ministrave miratoi projektvendimin për dërgimin e një toge nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë në brigadën shumëkombëshe që ndodhet në Rumani.

Në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë, Nufi bëri të ditur se ky vendim vjen në kuadër të angazhimeve të Shqipërisë për rritjen e kontributit në misionet ndërkombëtare dhe në mbështetje të sigurisë kolektive të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u miratua projektvendimi për dërgimin e një toge nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë tek brigada shumëkombëshe që ndodhet në Rumani. Ky projektvendim është në vijim të të gjitha angazhimeve të qeverisë shqiptare për një angazhim shtesë në misionet ndërkombëtare”, u shpreh ministri.

Sipas tij, Shqipëria do të bëhet pjesë e kësaj brigade shumëkombëshe në Rumani, si pjesë e kontributit të krahut juglindor dhe masave mbrojtëse që Aleanca ka parashikuar për këtë pjesë të Ballkanit dhe të rajonit.

“Ky mision shtesë është në vazhdën e të gjitha misioneve të tjera që kemi dhe angazhimi i trupave tona do të jetë i tillë që do të ndikojë në forcimin e sigurisë, si në rajonin e Rumanisë ashtu edhe në këtë shtet”, deklaroi Nufi.

Ministri theksoi se pjesëmarrja e Forcave të Armatosura shqiptare në këtë mision mbështetet edhe në eksperiencën e krijuar nga angazhimet e mëparshme ndërkombëtare, gjithmonë në kuadër të sigurisë kolektive të Aleancës së NATO-s.

Ministrat Nufi dhe Lamallari pas mbledhjes së qeverisë, foto: Andrin Hoxha
1 nga 5

/gj.m/j.p/

The post Shqipëria dërgon togë të Forcave të Armatosura në brigadën shumëkombëshe në Rumani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Illyrian Guard krijon rrjetin e parë me 100 vullnetarë për emergjencat, Lamallari: Model europian për mbrojtjen civile

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të grupit të parë prej 50 punonjësish të kompanisë publike Illyrian Guard Sh.A., të cilët kanë përfunduar me sukses programin e trajnimit “Vullnetarizmi në Mbrojtjen Civile”, të zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, si dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

Ndërkohë që 50 punonjës të tjerë po trajnohen dhe do të certifikohen duke e çuar kështu në 100 numrin total të vullnetarëve nga kjo kompani.

Kjo trupë e trajnuar për zjarret dhe jo vetëm, shënon një moment të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve kombëtare për përballimin e emergjencave civile, duke hedhur themelet e një rrjeti të qëndrueshëm vullnetarësh të certifikuar, të gatshëm për të mbështetur strukturat profesionale në situata të jashtëzakonshme.

Në fjalën e tij, ministri Lamallari e cilësoi këtë nismë si një kthesë domethënëse për sistemin shqiptar të mbrojtjes civile, duke theksuar se mbrojtja e jetës, pronës dhe mjedisit është një përgjegjësi që kërkon bashkimin e institucioneve, sektorit privat dhe qytetarëve.

“Më vjen mirë që për herë të parë vullnetarët në mbrojtjen tonë civile vijnë nga kompania Illyrian Guard, pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ky nuk është vetëm zbatimi për herë të parë i asaj që është parashikuar në ligj, por nga ana tjetër është edhe një model i mirë për t’u replikuar nga kushdo që ndan të njëjtin nivel ndërgjegjësimi qytetar dhe dashurie për vendin. Ky certifikim nuk është thjesht një dokument. Ai është një përgjegjësi dhe një premtim se kur vendi të ketë nevojë, ju do të jeni të gatshëm të kontribuoni. Vullnetarët e trajnuar janë një hallkë e domosdoshme e zinxhirit të sigurisë. Ata nuk zëvendësojnë strukturat profesionale, por i mbështesin ato, duke rritur aftësinë e vendit për të reaguar shpejt dhe me efikasitet”, u shpreh ministri.

Duke u ndalur te sfidat që paraqesin zjarret gjatë sezonit veror, ministri vlerësoi angazhimin e Illyrian Guard për tejkalimin e rolit të saj të përditshëm, duke investuar në rritjen e kapaciteteve kombëtare të mbrojtjes civile dhe në promovimin e kulturës së vullnetarizmit.

Administratori i Illyrian Guard, Florenc Spaho, në fjalën e tij evidentoi punën për modernizimin dhe transformimin e kompanisë teksa theksoi, se krahas grupit të parë prej 50 punonjësish, po trajnohen edhe 50 të tjerë, për të qenë në dispozicion të mbrojtjes civile në rast situatash emergjente.

Në total Illyrian Guard do të ketë 100 punonjës të trajnuar për të marrë pjesë në operacione për shuarjen e zjarrit, përmbytje apo situata të tjera emergjente.

“Prania juaj sot është një dëshmi e rëndësisë që ka bashkëpunimi ndërmjet institucioneve në forcimin e kapaciteteve të vendit tonë për t’u përballur me çdo sfidë. Një falënderim i veçantë shkon për secilin prej 50 vullnetarëve që certifikohen sot dhe për të gjithë ata që javën tjetër fillojnë trajnimin në bashkëpunim me institucionet homologe. Ju nuk jeni vetëm punonjës të Illyrian Guard. Ju jeni qytetarë që keni zgjedhur të merrni një përgjegjësi shtesë ndaj shoqërisë. Sot merrni një certifikatë, por vlera juaj nuk qëndron te dokumenti që do të mbani në dorë. Vlera juaj qëndron te gatishmëria që mbani në zemër. Shpresojmë që të mos kemi kurrë nevojë për ndërhyrjen tuaj në situata të rënda, por kemi sigurinë se, nëse ajo ditë vjen, ju do të jeni aty, të përgatitur, të gatshëm dhe të organizuar për të shërbyer”, tha Spaho.

1 nga 2

/gj.m/j.p/

The post Illyrian Guard krijon rrjetin e parë me 100 vullnetarë për emergjencat, Lamallari: Model europian për mbrojtjen civile appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Modernizimi i Kuvendit me IA, Peleshi takim me përfaqësues të Kongresit Amerikan dhe POPVOX Foundation

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi një takim me përfaqësues të Kongresit Amerikan dhe të POPVOX Foundation, në kuadër të workshop-it rajonal për modernizimin e parlamenteve përmes Inteligjencës Artificiale, që po zhvillohet në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë.

Në këtë aktivitet marrin pjesë përfaqësues të parlamenteve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Moldavisë, të cilët po shkëmbejnë përvoja dhe praktika të mira mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale në mbështetje të proceseve parlamentare.

Gjatë takimit u diskutua mbi rolin që teknologjitë e reja mund të luajnë në rritjen e efikasitetit të institucioneve ligjvënëse, përmirësimin e transparencës dhe zgjerimin e aksesit të qytetarëve në informacionin parlamentar.

Inteligjenca Artificiale po sjell ndryshime të rëndësishme në mënyrën e funksionimit të parlamenteve moderne, duke ofruar mundësi të reja për përpunimin e informacionit, menaxhimin e proceseve institucionale dhe komunikimin me publikun.

Kuvendi i Shqipërisë ka ndërmarrë hapa konkretë në drejtim të digjitalizimit dhe synon të jetë një nga institucionet udhëheqëse në rajon për modernizimin parlamentar përmes teknologjisë dhe inovacionit.

Në këtë kuadër, u vlerësua edhe partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbështetja e vazhdueshme për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e proceseve të modernizimit të Kuvendit të Shqipërisë.

1 nga 3

/gj.m/j.p/

The post Modernizimi i Kuvendit me IA, Peleshi takim me përfaqësues të Kongresit Amerikan dhe POPVOX Foundation appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Debate në komisionin e Reformës Zgjedhore, shtyhet seanca dëgjimore me drejtorin e Policisë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore kishte sot në rendin e ditës seancë dëgjimore me përfaqësues të Policisë së Shtetit, ku në fokus ishte efikasiteti i masave penale në procesin zgjedhor, sfidat e evidentuara në praktikë dhe propozimet për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional për garantimin e integritetit të zgjedhjeve.

Në mbledhje ishte i pranishëm zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, ndërsa mungesa e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, solli debate mes anëtares së komisionit nga Partia Demokratike, Albana Vokshi, dhe bashkëkryetarit socialist të komisionit, Damian Gjiknuri.

Vokshi kërkoi që mbledhja të mos zhvillohej pa praninë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duke propozuar shtyrjen e seancës për një moment tjetër.

“Unë propozoj që kjo mbledhje të mos zhvillohet me zëvendësdrejtuesit. Mund ta dinim më përpara, sepse ka një komunikim më përpara. Nuk ka më të rëndësishme se Komisioni i Reformës Zgjedhore”, tha Vokshi.

Nga ana tjetër, Gjiknuri u shpreh se do të ishte më mirë që në komision të ishte i pranishëm drejtuesi i Policisë së Shtetit, por theksoi se edhe përfaqësuesit e tjerë të institucionit mund të japin informacionet e nevojshme.

“E mira do të ishte të ishte prezent drejtuesi i policisë. Mos t’i ngatërrojmë rolet. Nuk kemi rol të bëjmë Komision Hetimor ne, nuk po verifikojmë ngjarje këtu. Patjetër që për të gjitha eksperiencat tuaja negative ne do të flasim këtu, por këtu jemi të marrim një mendim çfarë nuk ka shkuar mirë. Këtë gjë mund ta bëjë edhe nëndrejtori”, u shpreh Gjiknuri.

Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, i pranishëm në komision, shpjegoi se pjesëmarrja e tij lidhej me rolin që kishte pasur në procesin zgjedhor të vitit 2025.

“Kam qenë përgjegjës për procesin zgjedhor 2025. Kam propozuar ndryshimet e ligjit për Policinë e Shtetit dhe reformën zgjedhore. Drejtori ka qenë përgjegjës në një qark gjatë zgjedhjeve”, deklaroi Bizhga.

Në përfundim të diskutimeve, u vendos që seanca dëgjimore të shtyhet në një datë tjetër, kur në Komisionin e Reformës Zgjedhore të jetë i pranishëm drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

/gj.m/j.p/

 

The post Debate në komisionin e Reformës Zgjedhore, shtyhet seanca dëgjimore me drejtorin e Policisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gogu: 553 persona u liruan nga Amnistia Penale, 863 të tjerë përfituan ulje dënimi

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot se amnistia penale e miratuar nga Kuvendi është zbatuar plotësisht, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe prokuroritë e rretheve gjyqësore në të gjithë vendin.

Në një konferencë për shtyp, Gogu bëri të ditur se ligji për amnistinë penale u miratua më 18 qershor, hyri në fuqi më 15 korrik dhe tashmë është zbatuar në tërësi.

Sipas ministrit, deri tani 553 persona janë liruar nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, ndërsa 863 persona kanë përfituar ulje dënimi. Gjithashtu, më shumë se 2 300 persona kanë përfituar nga shërbimi i provës.

Gogu theksoi se kriteret e përfitimit nga amnistia nuk përcaktohen nga Ministria e Drejtësisë apo nga opinioni publik, por nga ligji i miratuar nga Kuvendi.

“Kriteret e amnistisë nuk i cakton as ministri i Drejtësisë dhe as opinioni publik. Kriteret e amnistisë i vendos Kuvendi, i cili e ka miratuar dhe ne kemi zbatuar duke bërë përjashtimet: krimi i organizuar, korrupsioni, vrasjet në rrethana cilësuese, terrorizmi”, u shpreh ministri.

Ai tha se amnistia ka synuar të dallojë rastet kur masa e dënimit e ka përmbushur qëllimin e saj dhe kur personat mund të riintegrohen në shoqëri.

“Janë përcaktuar ata persona për të cilët dënimi e ka kryer qëllimin e vet dhe pjesa e mbetur mund të shërbejë për rehabilitim, duke u kthyer në shoqëri”, deklaroi Gogu.

Ministri bëri të ditur se shërbimi i provës do të vijojë mbështetjen dhe mbikëqyrjen për personat që kanë përfituar nga ulja e dënimit dhe masat alternative.

“Janë 10 594 persona që ndodhen nën mbikëqyrjen e shërbimit të provës, nga të cilët 10 284 janë të rritur, ndërsa 310 janë të mitur”, tha ai.

Duke folur për sistemin penitenciar, Gogu u shpreh se objektivi është balancimi mes sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe procesit të rehabilitimit të të dënuarve.

“Po synojmë të drejtpeshojmë sigurinë në sistemin penitenciar dhe rehabilitimin gjithashtu”, deklaroi ministri.

Ai bëri të ditur se janë zhvilluar qindra inspektime në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, ku janë sekuestruar telefona, lëndë narkotike dhe sende të ndaluara.

“Kemi pasur me qindra inspektime në IEVP. Me dhjetëra telefona janë sekuestruar, si dhe lëndë narkotike e objekte të ndaluara në ambientet e institucioneve të vuajtjes së dënimit”, u shpreh Gogu.

Ministri theksoi gjithashtu se programet e rehabilitimit vijojnë në bashkëpunim me institucionet fetare dhe organizatat jofitimprurëse, me qëllim përgatitjen e të dënuarve për rikthimin në jetën normale pas përfundimit të dënimit.

/gj.m/j.p/

The post Gogu: 553 persona u liruan nga Amnistia Penale, 863 të tjerë përfituan ulje dënimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gogu: Mbi tre mijë qytetarë përfituan ndihmë juridike falas gjatë gjashtëmujorit të parë

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, Ministria e Drejtësisë ka vijuar të forcojë aksesin e qytetarëve në drejtësi, përmes zgjerimit të shërbimit të ndihmës juridike falas në të gjithë vendin.

Në një konferencë për shtyp, Gogu, duke prezantuar bilancin e punës së Ministrisë së Drejtësisë për këtë periudhë, tha se institucioni ka qenë pranë qytetarëve në shërbimet që lidhen drejtpërdrejt me sistemin e drejtësisë.

“Gjatë këtij gjashtëmujori, ne si Ministri e Drejtësisë kemi qenë aty ku drejtësia takohet me qytetarët”, u shpreh Gogu.

Ministri theksoi se një nga arritjet kryesore të reformës në drejtësi është garantimi i aksesit në ndihmë juridike për qytetarët që nuk kanë mundësi ekonomike.

“Kemi marrë një zotim në Republikën e Shqipërisë me nisjen e reformës në drejtësi, asnjë qytetar me pamundësi ekonomike nuk mund të mbetet pas për sa i përket asistencës juridike dhe mbrojtjes ligjore”, tha ai.

Gogu bëri të ditur se gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, 3 174 qytetarë në të gjithë vendin kanë përfituar shërbime të ndihmës juridike parësore.

“Në këto gjashtë muaj, 3 174 qytetarë në të gjithë republikën kanë marrë shërbim nga ndihma juridike parësore, pra nga zyrat dhe sportelet tona, duke përfituar ndihmë juridike falas”, deklaroi ministri.

Ai shtoi se është rritur edhe numri i qytetarëve që kanë përfituar ndihmë juridike përmes përfaqësimit me avokat të caktuar nga gjykata.

“Sa i përket vendimeve të gjykatave për caktimin e avokatit falas në seancat gjyqësore, janë dhënë 604 vendime, çka përfaqëson një rritje prej 38%”, tha Gogu.

Sipas ministrit, këto të dhëna dëshmojnë zgjerimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi dhe funksionimin e skemës së ndihmës juridike falas si një instrument në mbështetje të shtresave në nevojë.

/gj.m/

The post Gogu: Mbi tre mijë qytetarë përfituan ndihmë juridike falas gjatë gjashtëmujorit të parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gogu: Reforma në drejtësi në fazë konsolidimi, vlerësime nga KE për vetingun si etapë historike

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot se raporti i fundit i Komisionit Evropian për Sundimin e Ligjit vlerëson përparimin e Shqipërisë në konsolidimin e reformës në drejtësi, duke evidentuar përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar (vetting), uljen e numrit të çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë dhe nisjen e procesit të dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë.

Në një konferencë për shtyp, Gogu tha se raporti përbën një vlerësim të rëndësishëm nga partnerët evropianë.

“Dua ta nis me një vlerësim të sistemit të drejtësisë nga partnerët evropianë. Pak ditë më parë u publikua Raporti për Sundimin e Ligjit për Shqipërinë. Është një instrument që Komisioni Evropian e harton për të gjitha vendet anëtare dhe që tashmë përfshin edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat vlerësohen me të njëjtën metodologji si vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Gogu.

Sipas ministrit, mesazhi kryesor i raportit është se reforma në drejtësi po hyn në fazë konsolidimi.

“Shqipëria po konsolidon reformën në drejtësi. Ky është pohimi kryesor i raportit”, u shpreh ai.

Gogu theksoi se raporti vlerëson përfundimin e procesit të vetingut, duke e konsideruar atë etapë historike si konsolidim të pavarësisë dhe të integritetit të sistemit gjyqësor.

Një tjetër element i vlerësuar, sipas tij, është puna e Gjykatës së Lartë në uljen e çështjeve të prapambetura.

“Raporti përsërit se ulja me 60% e backlog-ut në Gjykatën e Lartë është një reduktim serioz dhe një shenjë e mirë për sistemin. Ky model duhet të përsëritet në çdo shkallë të gjyqësorit, në apel dhe në shkallën e parë, dhe i kemi të gjitha mundësitë që kjo të ndodhë në muajt në vijim”, tha Gogu.

Ministri u ndal edhe te procesi i dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë, i cili, sipas tij, do të sjellë përfitime konkrete për qytetarët.

“Raporti njeh nisjen e procesit të dixhitalizimit në të gjithë sistemin e drejtësisë shqiptare, si në sistemin gjyqësor, ashtu edhe në atë prokurorial. Nuk është thjesht modernitet për hir të modernitetit, por do të kemi më pak radhë, më shumë transparencë, më shumë eficiencë në sistemin gjyqësor dhe më pak qytetarë që presin në gjykata”, u shpreh ai.

Sipas Gogut, raporti vlerëson gjithashtu bashkëpunimin ndërinstitucional mes institucioneve të drejtësisë, ku Ministria e Drejtësisë ka rol koordinues.

Ministri theksoi se raporti evidenton edhe disa sfida që kërkojnë adresim në vijim.

“Raporti ka edhe disa gjetje që janë sfiduese për sistemin e drejtësisë, siç janë vonesat në proceset e vlerësimit. Procedurat e vlerësimit duhet të përshpejtohen, vakancat në sistem duhet të plotësohen sa më parë, lufta kundër korrupsionit duhet të fuqizohet edhe më tej dhe besimi i qytetarëve te drejtësia duhet të rritet edhe më shumë”, theksoi Gogu.

/gj.m/j.p/

The post Gogu: Reforma në drejtësi në fazë konsolidimi, vlerësime nga KE për vetingun si etapë historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekspertë kanadezë trajnojnë efektivë të shërbimit zjarrfikës

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Misioni kanadez “Firefighters Without Borders Canada” (Zjarrfikës pa Kufij) po zhvillon një program kombëtar trajnimesh në Shqipëri, në bashkëpunim me institucionet shqiptare të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale, se programi synon rritjen e kapaciteteve profesionale të efektivëve zjarrfikës dhe përmirësimin e gatishmërisë për përballimin e situatave emergjente.

Ekspertët kanadezë, të udhëhequr nga Robert Dubbert, përmbyllën në Berat fazën e parë të trajnimit me efektivët e shërbimit zjarrfikës.

Gjatë trajnimit u ndanë përvoja dhe praktika më të mira ndërkombëtare për ndërhyrjet në raste zjarresh, përmbytjesh, aksidentesh rrugore dhe situatash të tjera emergjente.

Pas përfundimit të kësaj faze në Berat, programi do të vijojë në bashki të tjera të vendit, duke përfshirë efektivë të shërbimeve zjarrfikëse nga disa qytete.

Sipas ministrit Demo, ky bashkëpunim synon forcimin e kapaciteteve profesionale, rritjen e gatishmërisë operacionale dhe garantimin e një reagimi sa më të shpejtë dhe efikas në mbrojtje të jetës dhe sigurisë së qytetarëve.

/gj.m/j.p/

The post Ekspertë kanadezë trajnojnë efektivë të shërbimit zjarrfikës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ylli pret koordinatorin e TİKA-s në Tiranë, diskutohet bashkëpunimi për zhvillimin e sportit dhe infrastrukturës sportive

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli, priti në një takim në zyrën e tij Koordinatorin e Programit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) në Tiranë, Murat Ölçenoğlu, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në projekte që mbështesin zhvillimin e sportit dhe infrastrukturës sportive në Shqipëri.

Sipas njoftimit të KOKSH-it, takimi kishte si qëllim njohjen reciproke dhe shqyrtimin e mundësive për realizimin e projekteve të përbashkëta në shërbim të sportit shqiptar.

Gjatë bisedës, Ylli prezantoi arritjet e viteve të fundit, projektet strategjike dhe vizionin për zhvillimin e sportit në vend.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua projektit “Tirana Olympic City”, i cilësuar si projekti më ambicioz për krijimin e një qendre moderne sportive me standarde ndërkombëtare, që synon të transformojë infrastrukturën sportive në Shqipëri dhe të krijojë kushte më të mira për sportistët dhe brezat e rinj.

Në njoftim theksohet se TİKA, e cila vepron në më shumë se 170 vende, është një nga agjencitë kryesore të bashkëpunimit për zhvillim të Turqisë, me përvojë në zbatimin e projekteve në fusha si arsimi, kultura, shëndetësia, infrastruktura dhe sporti.

Presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, e vlerësoi takimin si një hap të rëndësishëm drejt nismave konkrete të bashkëpunimit në të ardhmen në mbështetje të zhvillimit të sportit shqiptar.

/gj.m/j.p/

The post Ylli pret koordinatorin e TİKA-s në Tiranë, diskutohet bashkëpunimi për zhvillimin e sportit dhe infrastrukturës sportive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nufi: Kapacitetet për përballimin e zjarreve janë rritur ndjeshëm, jemi në monitorim të plotë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi sot se kapacitetet e vendit për përballimin e situatave të zjarreve janë rritur ndjeshëm, si në nivel vendor, ashtu edhe në strukturat qendrore të angazhuara për menaxhimin e emergjencave civile.

I pyetur në një konferencë për shtyp për situatën e zjarreve në vend, Nufi u shpreh se investimet në kapacitete njerëzore dhe teknike kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të gatishmërisë për ndërhyrje.

“Sa i përket situatës së zjarreve, kapacitetet janë shtuar ndjeshëm. Ka një investim jo vetëm në nivel vendor, por edhe te Forcat e Armatosura, te kapacitetet që kemi në BMEC (Baza e Mbështetjes për Emergjencat Civile), apo edhe te të gjitha strukturat e tjera që merren me menaxhimin e emergjencave civile”, tha Nufi.

Ministri theksoi se Shqipëria ka sot kapacitete të konsoliduara për ndërhyrje si nga toka, ashtu edhe nga ajri.

“Kemi një situatë jashtëzakonisht shumë të mirë sa i përket kapaciteteve konkrete që kemi në Republikën e Shqipërisë, si fizike në ndërhyrjet nga toka, por edhe ndërhyrjet nga ajri”, u shpreh ai.

Sipas Nufit, ky vit mund të konsiderohet ndër më të mirët për sa i përket gatishmërisë së kapaciteteve ajrore për shuarjen e zjarreve.

“Besoj që mund të konsiderohet viti më i mirë për gatishmërinë e Forcave Ajrore për shuarjen e zjarreve. Shumë shpejt do të kemi në Republikën e Shqipërisë avionët që qeveria shqiptare ka kontraktuar, në mënyrë që të jenë operacionalë”, deklaroi ministri.

Ai bëri të ditur se kapacitetet e angazhuara deri tani kanë dhënë rezultat dhe se situata e zjarreve është menaxhuar me sukses.

“Besoj që të gjitha këto kapacitete deri tani kanë dhënë rezultat dhe janë menaxhuar të gjitha zjarret. Deri dje në darkë nuk kemi pasur asnjë zjarr aktiv”, tha Nufi.

Ministri bëri të ditur se ndjekja e situatës bëhet në mënyrë të vazhdueshme përmes raporteve ditore të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), si dhe në koordinim me strukturat përgjegjëse.

“Unë marr çdo ditë informacion nga AKMC, raport ditor, raport konkret për çdo situatë zjarri në ndjekje, si me drejtorin, ashtu edhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm në momentin kur aktivizohen forcat tona”, u shpreh ai.

Nufi garantoi se angazhimi i strukturave shtetërore është maksimal, duke nisur nga njësitë e qeverisjes vendore, deri te strukturat qendrore dhe Forcat e Armatosura.

“Ju garantoj që qeveria shqiptare, qoftë në nivel vendor, për anën që ka të bëjë me përgjigjen e parë që vjen nga bashkitë, por edhe pjesën që na takon ne në qeverinë qendrore për angazhimin e trupave tona, është maksimale në kohë reale”, deklaroi ministri.

Ai shtoi se koordinimi me prefektët dhe aktivizimi i AKMC-së dhe Forcave të Armatosura bëhet sipas nevojës, me synim menaxhimin dhe shuarjen e plotë të çdo vatre zjarri.

“Vëmendja është 100% deri në mitigimin e plotë të situatës së zjarrit, shuarjes së tij. Raportohet që zjarri u shua dhe cilat janë pasojat apo masat e marra. Jemi në ndjekje të plotë. Deri dje kemi pasur një rezultat shumë të mirë”, përfundoi Nufi.

/gj.m/j.p/

The post Nufi: Kapacitetet për përballimin e zjarreve janë rritur ndjeshëm, jemi në monitorim të plotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nufi: Deklaratat e ministres serbe për Kosovën, të papranueshme

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi sot se deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviç në lidhje me spastrimin etnik në Kosovë, janë skandaloze dhe të papranueshme.

I pyetur në një konferencë për shtyp për këtë deklaratë, Nufi u shpreh se nuk ka nevojë për shumë komente për natyrën e kësaj deklarate, pasi ajo është e skandaloze dhe e papranueshme.

“Besoj që çdo koment mbi natyrën e asaj deklarate, përveç këtyre dy fjalëve, është i pavend. Është e papranueshme sot që të ketë një deklaratë të tillë. Këtë qëndrim e ka shprehur kryeministri, e ka shprehur edhe Ministria e Punëve të Jashtme. Unë, si ministër i Mbrojtjes, bashkohem plotësisht me qëndrimin e kryeministrit”, tha Nufi.

Ministri theksoi se deklarata të tilla nuk kanë vend në një shoqëri që synon të ecë drejt vlerave evropiane dhe vlerësoi reagimet e atyre qytetarëve serbë që distancohen nga retorika nacionaliste.

“Është e papranueshme që sot ne të kemi një deklaratë të tillë. Besoj që edhe vetë reagimi në Serbi ka treguar se edhe atje njerëzit e arsyes dhe ata që nuk bëjnë pjesë te ultranacionalistët vazhdojnë të kenë atë qëndrim evropian që ne duam të shohim nga pala serbe”, u shpreh ai.

Nufi nënvizoi se çdo deklaratë që lidhet me spastrim etnik apo nxitje të urrejtjes rikthen kujtime të dhimbshme nga e kaluara e rajonit.

“Është e papranueshme çdo lloj deklarate që lidhet me kombin, me spastrime etnike apo me ngjarje që i bëjnë referencë një të shkuare shumë të hidhur dhe një periudhe shumë të errët, sidomos asaj ku ne jemi vetë dëshmitarë: vitit 1999, asaj që ka ndodhur në Kosovë, por edhe asaj që ka ndodhur në Bosnjë-Hercegovinë dhe në ish-Jugosllavi”, tha ministri.

Sipas tij, çdo retorikë e kësaj natyre është e papranueshme dhe duhet dënuar nga të gjithë.

“Çdo retorikë e kësaj natyre është e papranueshme, është e dënueshme dhe është në nderin e gjithë atyre që e kanë pasur në kurriz ta denoncojnë dhe të distancohen prej saj. Ky është qëndrimi ynë i prerë. Çdo lloj përkrahjeje apo çdo lloj heshtjeje përballë një deklarate të tillë është po aq vrastare”, përfundoi Nufi.

/gj.m/j.p/

The post Nufi: Deklaratat e ministres serbe për Kosovën, të papranueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla prezanton ndryshimet ligjore: Rritja e turizmit kërkon standarde më të larta për strukturat akomoduese dhe shërbimet

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla prezantoi sot në mbledhjen e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm projektligjin për disa ndryshime në ligjin “Për Turizmin”, të cilin e cilësoi një hap të rëndësishëm për rritjen e standardeve të sektorit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Balla e vuri theksin te transformimi i vendit.

“Së bashku do ta bëjmë Shqipërinë evropiane princeshë të turizmit mesdhetar dhe do t’u tregojmë edhe të gjithë atyre që e përgojuan si s’ka më keq shtetin tonë, se Shqipëria e ka shumë seriozisht transformimin e saj epokal”, tha Balla.

Më tej gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se Shqipëria ndodhet në një moment historik të zhvillimit të turizmit, duke theksuar se numri i turistëve është rritur gjashtë herë krahasuar me 13 vite më parë. Sipas tij, kjo rritje kërkon standarde më të larta për strukturat akomoduese, shërbimet dhe administrimin e sektorit.

Projektligji parashikon përmirësimin e procesit të kategorizimit dhe klasifikimit të strukturave akomoduese, regjistrimin elektronik të klientëve, krijimin e Regjistrit Qendror të Turizmit, forcimin e administrimit të mbetjeve nga hotelet, si dhe masa për pezullimin e punimeve të ndërtimit gjatë sezonit turistik në zonat turistike.

“Nuk mund të fillojë ndërtimi i një objekti si pallat dhe të përfundojë si hotel. Nëse ndërtohet hotel, ai duhet të projektohet dhe të ndërtohet si i tillë që në fillim”, u shpreh Balla, duke theksuar se Shqipëria duhet të ecë me standardet më të mira evropiane.

/gj.m/j.p/

The post Balla prezanton ndryshimet ligjore: Rritja e turizmit kërkon standarde më të larta për strukturat akomoduese dhe shërbimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj pranon letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Meksikës: Shtysë bashkëpunimit ekonomik

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pranoi sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Meksikës, rezident në Romë, Genaro Fausto Lozano Valencia.

Gjatë takimit, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet miqësore mes Shqipërisë dhe Meksikës.

Kreu i Shtetit shprehu bindjen se mandati i ambasadorit të ri do t’i japë një shtysë të re forcimit të dialogut politik, si edhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, tregtar, kulturor dhe turistik mes dy vendeve.

/gj.m/j.p/

 

The post Begaj pranon letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Meksikës: Shtysë bashkëpunimit ekonomik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Conference League, Dinamo City mëson rivalin e mundshëm të raundit të tretë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Dinamo City ka mësuar emrin e kundërshtarit të mundshëm të raundit të tretë të UEFA Conference League.

Në shortin e hedhur mesditën e sotme në Nion, skuadra shqiptare mësoi se do të përballet me fituesin e çiftit FCSB – Auda, nëse arrin të eliminojë sllovenët e NK Aluminij në raundin e dytë.

Ekipi i drejtuar nga Ilir Daja do ta luajë ndeshjen e parë ndaj NK Aluminij në transfertë, më 23 korrik, duke nisur nga ora 20:00, ndërsa sfida e kthimit do të zhvillohet më 30 korrik, në orën 21:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Në rast kualifikimi, Dinamo City do të përballet me fituesin e çiftit FCSB – Auda. Ndeshja e parë e raundit të tretë është planifikuar të luhet më 6 gusht, ndërsa ajo e kthimit më 13 gusht.

/gj.m/j.p/

The post Conference League, Dinamo City mëson rivalin e mundshëm të raundit të tretë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla pret përfaqësuesin e komunitetit shqiptar në Zvicër: Diaspora, vlerë e çmuar për vendin

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, priti sot në Kuvendin e Shqipërisë, Altin Markun, përfaqësues të diasporës shqiptare në Zvicër dhe drejtues i platformës “Fol Shqip Show”, e cila promovon historitë e suksesit të shqiptarëve në diasporë.

Gjatë takimit, Balla shprehu vlerësimin për kontributin e diasporës në forcimin e lidhjeve me Shqipërinë dhe promovimin e imazhit të vendit jashtë kufijve.

Balla falënderoi Altin Markun për punën e tij në evidentimin e figurave të suksesshme shqiptare përmes platformës “Fol Shqip Show”, duke e cilësuar këtë një nismë me vlerë për komunitetin shqiptar dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar.

/gj.m/j.p/

The post Balla pret përfaqësuesin e komunitetit shqiptar në Zvicër: Diaspora, vlerë e çmuar për vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌