Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2025Lajme Kosove

Xhevahire Izmaku kandidate e Nismës për kryetare të Vushtrrisë

23 July 2025 at 19:59

Deputetja e NISMA-s, Xhevahire Izmaku, ka bërë të ditur se do të jetë kandidate e partisë së saj për kryetare të Komunës së Vushtrrisë.

Ajo në T7 ka thënë se do t’i hyjë garës për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë të këtij viti.

“Do të kandidoj për kryetare të Vushtrrisë”, ka thënë Izmaku.

Theksojmë se zgjedhjet për kryetar komune mbahet më 12 tetor.

The post Xhevahire Izmaku kandidate e Nismës për kryetare të Vushtrrisë appeared first on Telegrafi.

Kosova kërkon sqarime për ndalimin e Lulzim Halilit, Serbia hesht

23 July 2025 at 19:56

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se ende nuk ka marrë informacione zyrtare nga autoritetet serbe lidhur me arrestimin e shtetasit të Kosovës, Lulzim Halili.

Në një reagim zyrtar, MPJD bëri të ditur se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka tentuar të konfirmojë arrestimin përmes kontaktit me Stacionin Policor në Svilajnac mbrëmjen e 22 korrikut, rreth orës 23:00. Sipas ministrisë, zyrtari policor kujdestar në atë stacion ka refuzuar të japë detaje mbi rastin.

“Sot, më 23 korrik 2025, Zyra Ndërlidhëse i ka adresuar një kërkesë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë dhe me njoftim paralel për Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, për të konfirmuar zyrtarisht arrestimin dhe për të marrë informata shtesë lidhur me rastin. Deri më tani, nuk kemi pranuar përgjigje nga pala serbe,” thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Po ashtu, ministria ka bërë të ditur se ka informuar për këtë zhvillim edhe misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it në Serbi, si dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian.

MPJD thekson se, sapo të konfirmohet nëse Halili do të përballet me masë paraburgimi dhe do të nisë procedura penale ndaj tij, Zyra Ndërlidhëse do të parashtrojë kërkesë zyrtare për vizitë në Qendrën e Mbajtjes ku ndodhet ai.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) tha se emri i Lulzim Halilit, që raportohet se u arrestua në Serbi një ditë më parë, nuk është gjetur në arkivat e veteranëve të luftës e as në listat e disa brigadave të UÇK-së.

Mediat në Serbi kanë raportuar se Halili dyshohet për krime lufte kundër njerëzimit.

Ai pretendohet se ka qenë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka vepruar në rajonet e Prishtinës, Pejës dhe Gjakovës, si dhe pretendohet se ka marrë pjesë në një sulm ndaj një posti ushtarak jugosllav në Koshare.

Radio Televizioni i Serbisë tha se Halilit i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh dhe më pas ai pritet të dërgohet në prokurorinë përkatëse për t’u përballur me kallëzim penal.

Viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës.

Arrestimi i fundit vjen në kohën e rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi më 18 korrik në Kosovë u arrestua Igor Popoviq, ndihmësi i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale të “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit”, pasi gjatë një fjalimi në Rahovec e kishte cilësuar UÇK-në si “organizatë terroriste”.

Serbia ka kërkuar lirimin e tij dhe ka paralajmëruar për “pasoja të paparashikueshme”, ndërkaq kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin përmes Serbisë, pasi ka thënë se ka indikacione për provokime dhe ndalime arbitrare të qytetarëve të Kosovës.

Ndryshe, në Koshare, – në vendin ku Halili akuzohet nga Serbia se ka kryer krime – ishte një post kufitar i Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, i vendosur në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, në shpatet e Pashtrikut. Më 9 prill 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë, aty shpërtheu një betejë e përgjakshme, që zgjati 67 ditë, mes forcave të ushtrisë jugosllave dhe UÇK-së.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, në betejën e Koshareve u vranë 108 ushtarë të ushtrisë jugosllave, ndërsa sipas zyrtarëve në Kosovë, në këtë betejë janë vrarë 114 pjesëtarë të UÇK-së. Autoritetet jugosllave kishin deklaruar po ashtu se NATO-ja kishte bombarduar zonën e Koshares në maj të vitit 1999.

Beteja në Koshare përfundoi më 14 qershor 1999, kur Ushtria e Jugosllavisë u tërhoq nga Kosova, në përputhje me marrëveshjen që i dha fund bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë së atëhershme.

Fushata ajrore e NATO-s ndaj Jugosllavisë filloi më 24 mars 1999. Sipas NATO-s, ndërhyrja ushtarake u ndërmor për shkak të shtypjes dhe dëbimit të shqiptarëve nga Kosova nga forcat serbe të sigurisë. Kjo fushatë ajrore zgjati për 78 ditë.

The post Kosova kërkon sqarime për ndalimin e Lulzim Halilit, Serbia hesht appeared first on Telegrafi.

Mban erë të pakëndshme dhe lulëzon vetëm një herë në disa vite: Lulja më e madhe në botë ndodhet në Berlin

23 July 2025 at 19:53

Lulja që mashtron insektet me erën e saj të rëndë për t’u pllenuar

E ardhur nga pyjet tropikale të shiut në Sumatra, Indonezi, lulja “Titan arum” mund të arrijë mbi tre metra lartësi, duke e bërë atë lulen më të madhe në botë. Por nuk është vetëm madhësia ajo që e bën këtë bimë kaq spektakolare – ajo lulëzon jashtëzakonisht rrallë dhe lulëzimi zgjat vetëm tre ditë. Ditën e parë të lulëzimit, bima lëshon një erë të fortë që i ngjan mishit të kalbur. Ky aromë tërheq insekte që ushqehen në mishin e kalbur dhe pikërisht ato ndihmojnë në pllenimin e lules.

Çfarë është Titan arum?

Titan arum u përshkrua shkencërisht për herë të parë në vitin 1878 nga botanisti italian Odoardo Beccari. Meqë në natyrë rritet vetëm në Sumatra, ekzistenca e saj është e rrezikuar për shkak të shkatërrimit të pyjeve tropikale.

Titan arum lulëzon gjatë natës. Ky proces fillon pasdite, kur struktura gjethore gjigante në bazë të bimës, e quajtur spata, hapet ngadalë duke zbuluar majën qendrore të lartë, të njohur si spadiks. Në mbrëmje, bima është në lulëzim të plotë. Natën e parë, Titan arum lëshon një aromë intensive që i ngjan mishit të kalbur. Kjo aromë e fortë zbehet natën e dytë, ndërsa spata fillon të mbyllet gradualisht. Ditën e tretë lulëzimi përfundon, pasi lulja nis të vyshket dhe të kalbet. Pas këtij cikli, bima hyn në një fazë pushimi. Më pas zhvillon një gjethe gjigante që mund të arrijë disa metra dhe ngjan me një pemë të vogël. Kjo gjethe grumbullon energji për dy vite, para se të vyshket përsëri, transmeton Telegrafi.

Era e pakëndshme

Era karakteristike e Titan arum ka një rol të rëndësishëm në strategjinë e saj të pllenimit. Bima lëshon aromën e një kafshe të dekompozuar për të tërhequr insekte që zakonisht kërkojnë mish të kalbur si një vend për të hedhur vezë. Por, në vend se të gjejnë një vend të përshtatshëm për vezë, këto insekte futen brenda strukturës së lules dhe pa e kuptuar ndihmojnë në pllenim. Natën e parë të lulëzimit, vetëm lulet femërore, të fshehura thellë brenda kurorës së lules, janë gati të marrin polenin. Natën e dytë, hapen lulet mashkullore dhe lëshojnë polenin.

E rrallë dhe e rrezikuar

Titan arum (Amorphophallus titanum) është një bimë shumëvjeçare që i përket familjes Araceae. Ajo formon një rizomë nëntokësore që mund të arrijë deri në 100 kg peshë. Kur rizoma arrin madhësinë e duhur, gjë që mund të zgjasë disa vite, bima zhvillon lulëzimin, një grup lulesh mbi një kërcell që mund të arrijë deri në tre metra lartësi. Libri i Rekordeve Guinness i ka dhënë lulëzimit të Titan arum titullin “lulja më e lartë në botë”.

Kjo bimë gjendet në serën me begonja në Kopshtin Botanik të Berlinit, ku temperatura mesatare është 30 gradë Celsius dhe lagështia arrin 80%. Megjithëse këto kushte janë ideale për bimën, për vizitorët mund të jenë sfiduese dhe të pakëndshme, për shkak të nxehtësisë së lartë dhe aromës së rëndë.

/Telegrafi/

 

The post Mban erë të pakëndshme dhe lulëzon vetëm një herë në disa vite: Lulja më e madhe në botë ndodhet në Berlin appeared first on Telegrafi.

Çmenduri 24-orëshe për David Hanckon: Al Nassr e përzë nga hoteli pasi arriti marrëveshje – kalon te gjiganti spanjoll

23 July 2025 at 19:52

David Hancko përjetoi një nga episodet më dramatike të këtij afati kalimtar – një udhëtim i rrallë nga një marrëveshje e arritur, në përçmim të hapur, e deri te një mundësi e artë në një nga klubet më të mëdha të Evropës.

Mbrojtësi sllovak kishte arritur një marrëveshje të plotë me klubin saudit Al Nassr, ndërsa edhe Feyenoord kishte pranuar ofertën prej 40 milionë euro, që do të ishte shitja më e madhe në historinë e klubit holandez. Ai udhëtoi drejt Austrisë për t’iu bashkuar kampit stërvitor të Al Nassr, me gjithçka të përgatitur për prezantim.

Por situata mori një kthesë të çuditshme. Në vend të përshëndetjeve me shokët e rinj të skuadrës – përfshirë yllin Cristiano Ronaldo – Hancko u izolua në një hotel të veçuar dhe nuk u lejua të stërvitej apo të hynte në ambientet e skuadrës.

 

🚨 @NicoSchira 🚨

David Hancko is one step away to Al Nassr from Feyenoord. Agreed personal terms for a contract until 2028. pic.twitter.com/xjk2BUqNbh

— Al Nassr Zone (@TheNassrZone) June 7, 2025

Disa ditë më vonë, klubi saudit e njoftoi se nuk do ta finalizonte transferimin dhe se lojtari nuk ishte më i dëshiruar në ekip.

“E turpshme dhe e paprecedent,” e quajti këtë sjellje zëdhënësi i Feyenoord, Raymond Salomon. “Ai kishte marrëveshje të plotë me klubin, dhe ata e thirrën në kamp vetëm për t’i mbyllur derën në fytyrë. Nuk ndodh kështu në futbollin profesionist”.

Situata u bë edhe më e rëndë për Hanckon, pasi kishte liruar apartamentin në Rotterdam dhe ishte përshëndetur me shokët e skuadrës.

Por kur gjithçka dukej se po shkatërrohej, erdhi kthesa e papritur – dhe e artë.

Vetëm disa orë pas përfundimit dramatik të aventurës me Al Nassr, Atlético Madrid hyri fuqishëm në garë dhe arriti një marrëveshje me Feyenoord për transferimin e Hanckos. Tani pritet vetëm kalimi i vizitave mjekësore dhe nënshkrimi i kontratës që do ta bëjë zyrtarisht pjesë të gjigantit spanjoll.

 

Acuerdo con el Feyenoord para el traspaso de Dávid Hancko.

El defensa internacional eslovaco firmará su nuevo contrato una vez supere el pertinente reconocimiento médico.

➡ https://t.co/P8Xnr9LOCF pic.twitter.com/dic3qxqb3X

— Atlético de Madrid (@Atleti) July 23, 2025

Nga një përjashtim i pazakontë në Austri, në një karrierë që rifillon në një prej ligave më të forta në botë – kjo ishte çmenduria 24-orëshe e David Hanckos, i cili është gati të shkruajë një kapitull të ri të madh në “Civitas Metropolitano” nën drejtimin e Diego Simeones. /Telegrafi/ 

The post Çmenduri 24-orëshe për David Hanckon: Al Nassr e përzë nga hoteli pasi arriti marrëveshje – kalon te gjiganti spanjoll appeared first on Telegrafi.

Torta e çuditshme e Selena Gomez për sitëlindjes: Ajo i zëvendësoi qirinjtë e ditëlindjes me turshi

23 July 2025 at 19:52

Selena Gomez festoi dje ditëlindjen e saj të 33-të dhe përveç mesazhit emocional që ndau me fansat, një detaj i pazakontë në tortën e ditëlindjes tërhoqi vëmendjen e shumë njerëzve, duke i habitur ata.

Në vend të një njoftimi për ditëlindje, Selena shfrytëzoi rastin për të tërhequr vëmendjen ndaj një çështjeje të rëndësishme – shëndetit mendor të të rinjve.

Në ditëlindjen e saj, më 22 korrik, ajo i kujtoi publikut Fondin e Ndikimit të Rare – një organizatë që ajo e themeloi me qëllim përmirësimin e aksesit në shërbimet e shëndetit mendor për të rinjtë në të gjithë botën.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Selena Gomez (@selenagomez)

“Pesë vjet më parë, në ditëlindjen time, ne lançuam Fondin e Ndikimit të Rare me një qëllim të thjeshtë: të ndihmojmë të rinjtë në mbarë botën të ndihen të parë dhe të mbështetur. Shëndeti mendor ka qenë gjithmonë personalisht i rëndësishëm për mua dhe doja të krijoja diçka që do të bënte një ndryshim të qëndrueshëm”, shkroi Selena.

Ajo shtoi se deri më tani, falë donacioneve, fondi ka arritur të ndihmojë më shumë se dy milionë të rinj dhe të mbështesë 30 organizata në të gjithë botën. “Dhe ky është vetëm fillimi”, tha ajo dhe i ftoi të gjithë të bashkohen me iniciativën. “Faleminderit që jeni aty, për njëri-tjetrin dhe për brezin e ardhshëm. Kjo është ajo që do të thotë të kesh një ndikim të rrallë”.

Por, përveç këtij mesazhi, vëmendjen e tërhoqi edhe torta e ditëlindjes që ajo postoi. Konkretisht, torta jeshile në formë zemre nuk tërhoqi komente për shkak të detajit të pazakontë, ku në vend të qirinjve, torta kishte dekorime në formën e turshive.

@itsbennyblancofry pickles and get laid

♬ Little Things – Adrián Berenguer

Kjo zgjedhje e pazakontë ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale.

“Nuk jam i sigurt, por ‘torta e ditëlindjes me temë turshie’ tingëllon gabim”, shkroi një përdorues. Një tjetër bëri shaka, “Një tortë me temë turshie?”, ndërsa një i tretë shtoi, “Pse askush nuk po flet për qirinjtë në formë turshie?”

Është gjithashtu interesante që i fejuari i saj, Benny Blanco, bëri tatuazh logon e markës së saj të preferuar të turshive, Best Maid Pickles, në thonjtë e këmbëve në vitin 2024. Për Ditën e Shën Valentinit, ai i dërgoi asaj një kavanoz të madh me to nga Teksasi dhe më pas ndau një video në TikTok në të cilën i skuq ato në vaj. /Telegrafi/

The post Torta e çuditshme e Selena Gomez për sitëlindjes: Ajo i zëvendësoi qirinjtë e ditëlindjes me turshi appeared first on Telegrafi.

Trajneri i fitnesit, Arbër Peci: Mos harro ujin, është stëevitja më e thjeshtë që nuk e bëjmë

23 July 2025 at 19:50

Nëse dikush më pyet cili është veprimi më i rëndësishëm gjatë ushtrimeve, përgjigjja ime do të ishte: pirja e ujit.

Në botën e fitnesit flasim shumë për teknika, për peshën që ngremë apo për ushtrimet më efikase. Por shpesh harrojmë një element bazë pa të cilin asgjë nga këto nuk funksionon: hidrimin. Pa ujë të mjaftueshëm, nuk ka pompim muskulor dhe pa pompim, një nga qëllimet kryesore të stërvitjes bie poshtë.

Çfarë është pompimi? Është procesi kur gjaku qarkullon me intensitet në muskujt që punojnë, duke i bërë ata të duken më të plotë dhe më të fortë. Është shenjë që muskujt po marrin gjak, oksigjen dhe lëndë ushqyese për t’u zhvilluar. Por nëse jemi të dehidratuar, ky efekt zhduket. Vëllimi i gjakut bie. Qarkullimi ngadalësohet. Muskujt nuk marrin atë që u nevojitet.

Pirja e ujit para, gjatë dhe pas stërvitjes nuk është luks është domosdoshmëri. Përveçse ndihmon pompimin, parandalon ngërçet, rrit përqendrimin, ndihmon rigjenerimin dhe mban performancën në nivel të lartë.

Shumë sportistë pyesin: “Çka me pi për të pasur pompim?”

Filloni me gjënë më të thjeshtë: ujin.

Sepse edhe suplementi më i shtrenjtë, në një trup të dehidratuar, është si fara në tokë të thatë. /Telegrafi/

The post Trajneri i fitnesit, Arbër Peci: Mos harro ujin, është stëevitja më e thjeshtë që nuk e bëjmë appeared first on Telegrafi.

Gjini reagon pas arrestimit të katër zyrtarëve komunalë në Gjakovë: Prokuroria të sqarojë për çfarë po akuzohen

23 July 2025 at 19:48

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas arrestimit të katër zyrtarëve komunalë nga Policia e Kosovës, të dyshuar për përfshirje në veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjini e ka cilësuar këtë veprim si të panevojshëm, duke shprehur besimin e plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e kolegëve të tij.

Ai ka kërkuar nga Prokuroria që të sqarojë publikisht arsyet konkrete të arrestimit, sidomos për faktin se ngjarja ka ndodhur në një kohë të ndjeshme para zgjedhjeve.

“Jam sinqerisht i befasuar me arrestimin e ish-kolegëve dhe kolegëve të mi. E shoh këtë arrestim si plotësisht të panevojshëm, derisa kjo ngjarje ka shkaktuar shqetësim të kuptueshëm – si brenda institucionit, ashtu edhe në opinionin publik. Jam i bindur në ndershmërinë dhe profesionalizmin e kolegëve dhe ish-kolegëve të mi,” ka deklaruar Gjini.

Policia e Kosovës konfirmoi se katër persona janë arrestuar më 23 korrik 2025 në Gjakovë, me dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas zëdhënësit të Policisë, Daut Hoxha, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh me vendim të Prokurorit të Shtetit.

“Policia e Kosovës, konkretisht hetues kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kanë ndërmarrë veprime hetimore në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga zyrtarë komunalë në Gjakovë. Katër persona të dyshuar janë intervistuar dhe ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit,” tha Hoxha.

Ndaj rastit janë duke vazhduar hetimet për të vërtetuar rrethanat dhe përgjegjësitë lidhur me këtë çështje.

The post Gjini reagon pas arrestimit të katër zyrtarëve komunalë në Gjakovë: Prokuroria të sqarojë për çfarë po akuzohen appeared first on Telegrafi.

Mërgimtarët në masë vijnë përmes Serbisë, injorojnë thirrjet

23 July 2025 at 19:44

Vetëm në tri ditët e fundit, nga pikat kufitare në Lindje dhe Veri kanë hyrë afro 90 mijë persona, të cilët kryesisht janë mërgimtarë që kalojnë përmes Serbisë për në Kosovë.

Përkundër thirrjeve që të mos kalohet në këto pika, ata thonë se ose nuk i kanë dëgjuar ato, ose që në të kaluarën nuk kanë pasur probleme.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin udhëtimet drejt territorit të Serbisë, sepse ka indikacione për provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe ndaj qytetarëve tanë”, ka thënë Albin Kurti, në konferencë për media më 21 korrik 2025.

Këtë thirrje kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e bëri në konferencën e fundit, e ndër të rrallat që ka bërë në këtë kohë.

Por, kosovarët kryesisht nga mërgimi, megjithatë në masë të madhe vazhdojnë të vijnë pikërisht rrugëve të njëjta – duke kapërcyer përmes Serbisë.

RTVDukagjini kërkoi nga Policia e Kosovës numrin e qytetarëve që kanë hyrë në territorin e Kosovës në dy muajt e fundit.

Por, brenda ditës ata nuk arritën të sigurojnë këto të dhëna dhe dërguan shifrat e qytetarëve që kanë hyrë nga e diela e kësaj jave.

Të dielën e kaluar, në total nga pikëkalimet me Serbinë në lindje dhe veri, kanë hyrë 33,417 persona.

Të hënën, 29,561 persona, siç thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, vetëm 24 orë më parë, në total 26,068 qytetarë kanë hyrë në Kosovë.
Daljet janë dukshëm më të vogla.

E qytetarët që vinin këtë të mërkurë nga pika kufitare në Merdare, patën qëndrime të ndryshme. Disa nga ta thanë se nuk po vlerësohet mjaftueshëm rrezikshmëria nga ta.

“Më së pari, ata që janë të pa vetëdijshëm hinë, se ata që janë të vetëdijshëm… po, është njeriu i pa vetëdijshëm, s’ka pas rrezik më herët, edhe e sheh si qytetar, si faqe nuk i pëlqen, edhe e arreston”, ka thënë Milazim Bajgora, Mërgimtar nga Gjermania.

Ka nga ata të cilët thonë se thirrjet që të shmanget kalimi nëpër Serbi, nuk i kanë dëgjuar.

“Me thanë të drejtën, unë i përcjelli lajmet kohët e fundit, edhe punoj në mbramje edhe nuk i kam përcjellë shumë, amo të shqetësuar jemi gjithë herat, amo kështu kaluam mirë, nuk u kanë keq diçka”.

“Kisha apelu valla mos me i ra knej, me i ra për Shqipëri andej, pa më gjatë amo, mos me rreziku veten as familjen e vet, shumë problem, këta edhe i lënë me qëllim kapak me hi njëherë-dyherë edhe tani e arreston”.

Në mesditë, gjatë kohës sa qëndroi ekipi i Dukagjinit në pikëkalimin kufitar të Merdares, nuk pati kolona të gjata dhe pritjet ishin të shkurta, siq ishte gjendja edhe në pikat e tjera, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

The post Mërgimtarët në masë vijnë përmes Serbisë, injorojnë thirrjet appeared first on Telegrafi.

Fjalët e para të Rashfordit si lojtar i Barcelonës – zbulon njeriun që e bindi të kalonte në Camp Nou

23 July 2025 at 19:42

Marcus Rashford ka shpërthyer në emocione pas transferimit të tij te Barcelona në formë huazimi nga Manchester United.

Në deklaratën e tij të parë si lojtar i Barcelonës, Rashford u shpreh: “Barcelona është një klub ku ëndrrat e njerëzve bëhen realitet”, deklaroi fillimisht anglezi.

Ajo që ky klub përfaqëson ka shumë rëndësi për mua dhe ndihem sikur jam në shtëpi – kjo ishte një faktor i madh në vendimin tim. Ndihem sikur po bashkohem me një familje”.

“Nëse jam te Barça, kjo është edhe për shkak të Hansi Flick. Bisedat që pata me të ishin shumë pozitive. Ai ka dëshmuar se është një nga trajnerët më të mirë”.

“Ai udhëhoqi një ekip të ri drejt një sezoni kaq të suksesshëm, është rikthyer në parasezon duke dëshiruar edhe më shumë”, ka shtuar më tej Rashford.

Ky transferim vjen pas një kontrolli mjekësor të kryer më 21 korrik dhe pas një periudhe të vështirë për Rashfordin te United, ku ai humbi fanellën ikonike me numrin 9 dhe kaloi përkohësisht te Aston Villa në formë huazimi.

27-vjeçari, i cili ka zhvilluar 409 ndeshje dhe ka shënuar 130 gola me fanellën e Manchester United, shpreson të rilindë karrierën e tij në “Camp Nou”.

Barcelona, e cila po përballet me sfida të mëdha financiare dhe një borxh të vlerësuar rreth 1.4 miliardë dollarë, do të mbulojë të gjithë pagën e Rashford gjatë periudhës së huazimit.

Marrëveshja përfshin një opsion blerjeje në fund të sezonit, nëse palët vendosin ta bëjnë transferimin të përhershëm.

Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të përziera: një pjesë e tifozëve e mirëpresin energjinë dhe përvojën e Rashford, ndërsa të tjerë shprehen skeptikë, duke e konsideruar si një përforcim të mundshëm për stolin e skuadrës.

A do të jetë ky fillimi i një kapitulli të ri dhe të suksesshëm për Marcus Rashford te Blaugrana? Mbetet për t’u parë – por emocionet janë të larta. /Telegrafi/

The post Fjalët e para të Rashfordit si lojtar i Barcelonës – zbulon njeriun që e bindi të kalonte në Camp Nou appeared first on Telegrafi.

Shkëlqeu sezonin e kaluar – Valmir Nafiu vazhdon me FC Ferizajn

23 July 2025 at 19:32

FC Ferizaj ka arritur marrëveshje me Valmir Nafiun për vazhdimin e kontratës edhe për edicionin 2025/26 në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Nafiu, i cili iu bashkua ekipit në fazën pranverore të sezonit të kaluar, ishte një ndër figurat kyçe në arritjen e qëllimit për mbijetesë në elitë.

Në 16 paraqitje, sulmuesi i gjithanshëm kontribuoi me 4 gola dhe 2 asistime, duke qenë shpesh vendimtar në ndeshje të rëndësishme për grumbullimin e pikëve.

Me përvojën, kualitetin dhe profesionalizmin e tij, ai pritet të luajë një rol edhe më të madh në edicionin e ri, duke qenë një armë shtesë në repartin ofensiv për trajnerin Arsim Abazi.

“Me përvojën dhe kontributin e tij të çmuar, Nafiu do të jetë sërish pjesë e rëndësishme e ekipit tonë në vazhdim të rrugëtimit në Superligë!”, thuhet në njoftimin e klubit.

Nafiu në të shkuarën ka luajtur për klube si Hamburg, Skënderbeu, Apoel Nicosia, Kosice, Renova, Otrant, Shkëndija, dhe Gjilani.  /Telegrafi/ 

 

The post Shkëlqeu sezonin e kaluar – Valmir Nafiu vazhdon me FC Ferizajn appeared first on Telegrafi.

Taktika e Dritës i ‘çmend’ danezët – trajneri Neestrup dhe sulmuesi Elyounoussi lavdërojnë skuadrën e Zekirija Ramadanit

23 July 2025 at 17:55

Fitorja 2-0 e FC Copenhagen ndaj FC Dritës në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues për Ligën e Kampionëve i ka lënë pa fjalë as trajnerin danez Jacob Neestrup, e as yllin norvegjez të ekipit, Mohamed Elyounoussi – por jo vetëm për rezultatet, por edhe për mënyrën sesi Drita u paraqit në “Parken”.

Në një ndeshje ku dy penalltitë e Magnus Mattsson vendosën gjithçka në pjesën e dytë, trajneri Neestrup e përshkroi përballjen si “sfiduese” dhe vlerësoi punën e lojtarëve të tij, por edhe qasjen taktike të kampionëve nga Gjilani, me trajnerin Zekirija Ramadani.

“Në përputhje me pritshmëritë, Drita ishte e vështirë për t’u çarë, ndaj na u desh shumë durim. Ata kanë një mbrojtje solide dhe e kontrolluan lojën me thellësi dhe topa të gjatë. Na vunë në siklet me ritmin që na e ndërprenë përmes këndoreve dhe rivënieve anësore – gjëra që nuk i menaxhuam gjithmonë mirë”, deklaroi Neestrup.

Trajneri i kampionëve danezë pranoi se nuk ishte ndeshje e lehtë dhe se fitorja erdhi falë thellësisë së skuadrës dhe durimit në lojë.

Ai përmendi gjithashtu se hyrja e Mattsson ishte vendimtare dhe theksoi paraqitjen e mirë të Moukoko dhe përballimin e ndryshimeve të papritura në formacion për shkak të lëndimeve.

Por ishte ylli i gjigantëve danez, Mohamed Elyounoussi ai që e vuri në pah më qartë atë që e bëri Dritën “të veçantë” në këtë sfidë.

“Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë. Më ndiqte një lojtar gjatë gjithë kohës, kudo që shkoja – qoftë në krahun e djathtë apo të majtë. Ishte një mbulim ekstrem, një për një, që më habiti”, u shpreh sulmuesi norvegjez.

Ai tregoi se për të “shkëputur” ndjekjen, u përpoq të ndërronte pozicione në mënyrë të qëllimshme dhe se nga ato lëvizje erdhën dy penalltitë e fituara.

“Drita na testoi durimin dhe disiplinën taktike. Duhej të improvizonim me rotacione për të thyer sistemin e tyre të markimit,” shtoi ai.

Pavarësisht humbjes, Drita doli nga kjo përballje me kokën lart dhe me respekt të madh nga një skuadër elitare evropiane. /Telegrafi/ 

The post Taktika e Dritës i ‘çmend’ danezët – trajneri Neestrup dhe sulmuesi Elyounoussi lavdërojnë skuadrën e Zekirija Ramadanit appeared first on Telegrafi.

Zac Efron tregoi trupin e tij të formësuar në fushën e golfit, vëllai i tij më i vogël tërhoqi vëmendjen

23 July 2025 at 17:53

Aktori i njohur Zac Efron (37) ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve të tij, këtë herë me një paraqitje krejt të çlirët dhe pa bluzë. Ylli i Hollywood-it është fotografuar duke luajtur golf me vëllain e tij Dylan Efron (33), ndërsa tregonte fizikun e tij të tonifikuar dhe lëvizte nëpër fushë me makinë golfi.

Zac dhe Dylan – ky i fundit influencer dhe producent – u treguan të aftë në lojë, dhe videoja që ndanë me ndjekësit u përhap menjëherë në rrjetet sociale, duke gjeneruar një valë të madhe reagimesh pozitive.

Komentet nuk munguan: “Fatmirësisht Instagrami s’ka kufizim për sa herë mund të shikosh një video!”, “Është ky një ëndërr?”, “Ju lutem, kurrë mos harroni sa i pashëm është Zac Efron”, “Unë ofrohem vullnetarisht të ngas makinën e golfit!” – ishin vetëm disa nga reagimet në postim.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Zac Efron (@zacefron)

Shumë fansa e krahasuan këtë paraqitje me një nga skenat më ikonike të filmit High School Musical 2, ku personazhi i Zac-ut, Troy Bolton, këndon me pasion këngën Bet On It ndërsa ecën në një fushë golfi. Sipas tyre, ishte “një mundësi e humbur” që kjo këngë të mos përdorej si sfond për videon e re.

Ndërkohë, vëllai i Zac-ut, Dylan, po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje nga publiku – jo vetëm për ngjashmërinë fizike me të, por edhe për angazhimin e tij në botën televizive. Në muajin maj, ai mori pjesë në festivalin televiziv të Variety së bashku me pjesëmarrësit e tjerë të emisionit The Traitors US, një reality show ku debutoi në fillim të këtij viti dhe ndau një çmim prej 204,300 dollarësh me ekipin e tij.

Edhe pse zakonisht punon si koordinator prodhimi në projekte të mëdha si American Sniper dhe Ready Player One, Dylan ka pranuar se hyrja në një reality nuk ishte një vendim i lehtë: “Nuk thashë menjëherë ‘po’. Më kanë ofruar audicione për emisione të ndryshme si Survivor, por gjithmonë i kam refuzuar. Kjo ishte hera e parë që ndjeva se mund dhe doja të provoja”.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Dylan Efron (@dylanefron)

Ai shtoi se më parë i ishte ofruar edhe pjesëmarrja në Love Island, por formati i atij programi nuk përputhej me preferencat e tij.

Zac, në një intervistë për Entertainment Tonight në qershor, u shpreh i bindur për suksesin e vëllait të tij: “Gjithmonë ka pasur fat në lojëra. Që fëmijë, i dilte menjëherë Yahtzee në hedhjen e parë. Mendoj se do të fitojë”.

Dylan Efron preferon të ruajë privatësinë për jetën e tij personale, por së fundmi ka konfirmuar një lidhje që ishte përfolur prej kohësh.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Dylan Efron (@dylanefron)

Gjatë një interviste në podcastin The Viall Files në mars të këtij viti, ai pranoi: “Jam në një lidhje”, duke shtuar se partnerja e tij nuk është aktive në rrjetet sociale dhe punon një punë të zakonshme me orar të rregullt, nga 9 deri në 5.

Sipas revistës People, bëhet fjalë për Courtney King, dashuria e tij e hershme nga shkolla e mesme, me të cilën është në lidhje prej të paktën vitit 2016. Edhe pse rrallë shfaqen bashkë në publik, burime pranë çiftit thonë se lidhja e tyre është e qëndrueshme dhe e konsoliduar ndër vite. /Telegrafi/

The post Zac Efron tregoi trupin e tij të formësuar në fushën e golfit, vëllai i tij më i vogël tërhoqi vëmendjen appeared first on Telegrafi.

Rama nënshkruan vendimin: Banesat komunale për familjet e dëshmorëve, në shfrytëzim për 99 vjet

23 July 2025 at 17:47

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot se ka nënshkruar një vendim të rëndësishëm që garanton siguri afatgjatë për familjet e dëshmorëve të Republikës së Kosovës.

Banesat komunale, të cilat më herët ishin ndarë për këto familje për periudha të shkurtra kohore, tani do të jepen për shfrytëzim për një periudhë prej 99 vjetësh.

“Ne kemi vlerësuar se është koha që këto familje të kenë jo vetëm strehë, por siguri të plotë e afatgjatë”, theksoi Rama, duke shtuar se ky veprim nuk është një akt favori, por një hap institucional drejt drejtësisë dhe kujtesës kolektive.

Ai vuri në dukje se ky vendim është një vazhdimësi e një politike të nisur vite më parë dhe e miratuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës, por tani përforcohet me një afat që garanton stabilitet dhe trajtim të qëndrueshëm për familjet që kanë sakrifikuar më shumë se gjithçka për lirinë e vendit.

“Prishtina u detyrohet familjeve të dëshmorëve jo vetëm nderim moral, por edhe trajtim dinjitoz dhe të qëndrueshëm”, tha ai, duke shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e tyre.

The post Rama nënshkruan vendimin: Banesat komunale për familjet e dëshmorëve, në shfrytëzim për 99 vjet appeared first on Telegrafi.

Çiftet që ka gjasa të mos divorcohen kurrë praktikojnë tre zakone

23 July 2025 at 17:44

Mbajtja e një marrëdhënieje cilësore dhe të qëndrueshme nuk bazohet në përsosmëri, por në zakonet e përditshme që partnerët përvetësojnë për të pranuar më lehtë ndryshimet midis tyre dhe për të krijuar një ndjenjë afërsie.

Çiftet që qëndrojnë bashkë për një kohë të gjatë nuk i shmangin problemet, por mësojnë t’i zgjidhin ato në një mënyrë të qetë dhe të menduar mirë.

Një marrëdhënie e suksesshme kërkon përpjekje, por kur disa zakone të shëndetshme bëhen pjesë e rutinës suaj të përditshme, jeta së bashku bëhet më e këndshme dhe më rezistente ndaj krizave. Këto janë llojet e zakoneve që, sipas këshilltares Mitzi Bockmann, shpesh praktikohen nga çiftet që nuk kanë gjasa të divorcohen ndonjëherë

Ata bëjnë një pushim kur gjërat tensionohen

Kur sjellja e partnerit tuaj fillon të ndihet shumë irrituese, është e dobishme të distancoheni përkohësisht, thotë këshilluesja. “Në vend që të reagoni me zemërim, çiftet e lumtura e dinë kur kanë nevojë për hapësirë. Qoftë duke shkuar në një dhomë tjetër, duke bërë një shëtitje apo duke dëgjuar muzikë (me kufje), krijimi i distancës fizike shpesh zvogëlon tensionin dhe parandalon konfliktin e panevojshëm”, shpjegoi ajo për YourTango.

Ata nuk i shtypin frustrimet

Në vend që të heshtin dhe të ushqejnë pakënaqësi, çiftet e suksesshme flasin hapur për atë që i shqetëson, por vetëm pasi të jenë qetësuar. “Në vend që të bëjnë akuza, ata përshkruajnë se si një sjellje e caktuar i prek emocionalisht, gjë që i lejon partnerit të tyre të përgjigjet pa u mbrojtur. Kjo qasje inkurajon mirëkuptimin dhe zgjidhjen e problemeve në vend që të grinden”, thotë Bockmann.

Ata tregojnë mirëkuptim të ndërsjellë

Çiftet e lumtura e dinë se askush nuk është perfekt. “Në vend që ta shohin njëri-tjetrin si burim frustrimi, ata i kujtojnë vetes se shumica e zakoneve nuk drejtohen qëllimisht kundër partnerit të tyre. Ata e pranojnë se kanë të metat dhe gabimet e tyre dhe janë të gatshëm të tregojnë tolerancë dhe t’i japin palës tjetër pak hapësirë”, përfundon këshilltari.

The post Çiftet që ka gjasa të mos divorcohen kurrë praktikojnë tre zakone appeared first on Telegrafi.

Rreth 500 persona janë paraqitur për përfshirje në ekipet zjarrfikëse në RMV

23 July 2025 at 17:34

Rreth 500 persona janë paraqitur për përfshirje në ekipet zjarrfikëse nëpër njësitë komunale në nivel shteti, ndërkohë që sipas planit do të angazhohen 400. Më së paku interesim kishte në Shkup, ku janë paraqitur vetëm 50 persona. Numri një i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, sqaroi se tani fillon afati dyditor i stërvitjeve, ku njëkohësisht do të bëhet edhe përzgjedhja e atyre që do të zhvillohen në drejtim të zjarrfikësve.

“Kemi pak më pak se 500 persona të paraqitur në të gjithë territorin e shtetit. Neve na nevojiteshin 400. Për fat të keq numri në Shkup është pak më i vogël, ndër 50, ndërsa ne kemi pritur 80 persona. Këta persona, meqë sot përfundon afati formal, në dy tre ditët e ardhshme do të kontaktohen, të njëjtit do të thirren në njësitë lokale të zjarrfikësve, por disa prej tyre, ata në Shkup, në DMSH. Do të fillojnë me së paku dy ditë stërvitje, në këtë periudhë do të bëhet përzgjedhje i atyre që më tej mund të vazhdojnë të zhvillohen në drejtim të zjarrfikësve”, deklaroi Stojançe Angellov, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Lidhur me reagimet për pagesën prej vetëm 24 mijë denarësh, Angellov e cilësoi angazhimin e qytetarëve si vullnetar, duke nënvizuar se ata që do të punësohen, do të paguhen më së paku 40 mijë denarë.

“Këta persona nuk paguhen 24 mijë denarë, këtë më shumë e konsideroj si vullnetarizëm, vlerësoj se është në korniza të kyçjes vullnetare në një masë qeveritare, me qëllim që të njëjtit të përzgjidhen për punësim në njësitë zjarrfikëse lokale territoriale, ku paga është shumë më e lartë. Siç kam informacione sidomos në njësitë territoriale më të forta, prej 40 mijë denarë e më lartë, varësisht nga pozicione”, shtoi Stojançe Angellov, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Angellov, paralajmëroi formimin e një njësie speciale për mbrojtje dhe shpëtim, ku pjesëtarët do të jenë më të paktë në numër, por do të paguhen më shumë se zjarrfikësit. Këta persona do të jenë shumë më të përgatitur fizikisht, dhe do të përdoren në terrenet më të vështira, aty ku një zjarrfikës mesatar nuk do të mund të depërtojë. /Alsat/

The post Rreth 500 persona janë paraqitur për përfshirje në ekipet zjarrfikëse në RMV appeared first on Telegrafi.

Radhë kilometërshe në kufirin Shqipëri–Kosovë

23 July 2025 at 17:32

Temperaturat përvëluese që kanë përfshirë Kosovën këto ditë kanë detyruar autoritetet të marrin masa të jashtëzakonshme për mbrojtjen e infrastrukturës rrugore.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka ndaluar qarkullimin e automjeteve me peshë mbi 15 tonë në rrugët kryesore të vendit – përfshirë autostradat dhe rrugët nacionale e rajonale – në orarin prej orës 11:00 deri në 17:00, nga data 23 korrik deri më 28 korrik 2025.

Ky vendim, megjithëse i motivuar nga arsye sigurie dhe ruajtje e rrugëve, ka sjellë pasoja të menjëhershme në pikën kufitare Kosovë–Shqipëri, konkretisht në Vërmicë.

Prej ditës së parë të hyrjes në fuqi të masës, janë krijuar radhë kilometrike kamionësh në anën shqiptare të kufirit, duke nisur nga fshati Morinë i Kukësit dhe duke u shtrirë deri në hyrje të territorit të Kosovës.

Kolonat e gjata kanë bllokuar një pjesë të konsiderueshme të qarkullimit, duke krijuar jo vetëm vështirësi logjistike, por edhe rrezikshmëri të shtuar.

Shumë nga kamionët e ndalur janë të ngarkuar me karburant dhe gaz, duke qëndruar për orë të tëra nën diellin përvëlues, çka rrit rrezikun për incidente të mundshme si shpërthime apo zjarre.

Situata është bërë edhe më e vështirë për shkak të fluksit të madh të mërgimtarëve kosovarë që po kthehen për pushime në vendlindje, si dhe pushuesve që kthehen nga bregdeti shqiptar.

Kjo ka shtuar më tej ngarkesën në këtë segment kufitar dhe ka shkaktuar kaos e vonesa të shumta, kryesisht në anën kosovare.

Zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit kanë sqaruar se vendimi është i përkohshëm dhe se do të rivlerësohet në bazë të zhvillimeve klimatike në ditët në vijim.

Ata bëjnë thirrje për mirëkuptim dhe bashkëpunim nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, duke theksuar se masa synon ruajtjen e sigurisë dhe infrastrukturës publike në kushte të jashtëzakonshme moti.

The post Radhë kilometërshe në kufirin Shqipëri–Kosovë appeared first on Telegrafi.

BE kërcënon SHBA-në me tarifa ndëshkuese prej 100 miliardë euroshe

23 July 2025 at 17:32

Bashkimi Evropian kërcënon me tarifa ndëshkuese ndaj SHBA-së nëse nuk arrihet marrëveshja tregtare

Bashkimi Evropian po përgatit vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj produkteve amerikane, me vlerë gati 100 miliardë euro – nga uiski e deri te avionët Boeing – nëse presidenti amerikan, Donald Trump nuk arrin një marrëveshje tregtare me BE-në deri në fund të javës së ardhshme.

Komisioni Evropian njoftoi të mërkurën se do të bashkojë dy lista me produkte amerikane të përgatitura më parë, duke përfshirë mallra me vlerë 21 miliardë euro (përfshirë produkte shpendësh dhe alkool) dhe 72 miliardë euro të tjera (makina dhe aeroplanë). Nëse shtetet anëtare miratojnë propozimin në një votim që pritet së shpejti, tarifat do të hyjnë në fuqi më 7 gusht.

Olof Gill, përfaqësuesi tregtar i Komisionit Evropian, deklaroi se BE-ja synon ende të arrijë një marrëveshje, por po përgatitet për çdo skenar. Ai shtoi se bashkimi i dy listave do t’i bëjë kundërmasat më të qarta dhe më të forta.

Pas kërcënimeve të Trumpit për tarifa prej 30 për qind mbi të gjitha importet nga BE-ja, Brukseli po forcon qëndrimin e tij. Gjermania, që më parë favorizonte një marrëveshje të shpejtë për të hequr tarifat ekzistuese, tani mbështet përdorimin e “Instrumentit Kundër Detyrimit” (ACI), i cili lejon BE-në të përgjigjet me tarifa dhe ndalim të shërbimeve, një goditje e rëndë për sektorin amerikan të teknologjisë.

Industria evropiane e makinave është goditur rëndë nga tarifat, me kompanitë Stellantis dhe Volvo që raportojnë humbje të mëdha. Presidenti francez Macron dhe kancelari gjerman Merz kanë kërkuar prej kohësh një reagim më të fortë të BE-së ndaj presionit amerikan.

Megjithatë, disa ekspertë kritikojnë vonesën e BE-së në përgjigje dhe sugjerojnë se situata mund të zgjidhet vetëm përmes një takimi personal midis Trump dhe liderëve evropianë.

Kërcënimi i tarifave evropiane vjen para një samiti të rëndësishëm me Kinën, ku BE-ja do të përpiqet të balancojë marrëdhëniet tregtare, ndërsa eksportet kineze drejt Evropës vazhdojnë të rriten dhe sfidat për industrinë gjermane përkeqësohen nga ndalimet e eksportit të metaleve të rralla nga Kina. /Telegrafi/

The post BE kërcënon SHBA-në me tarifa ndëshkuese prej 100 miliardë euroshe appeared first on Telegrafi.

Atletico Madrid synon një transferim tronditës për yllin e Liverpoolit

23 July 2025 at 17:29

Atletico Madridi po përgatitet për një epokë të re në repartin ofensiv, teksa largimi i Angel Correas duket i pashmangshëm. Raportet sugjerojnë se sulmuesi argjentinas është shumë pranë një transferimi në Meksikë, me marrëveshjen që thuhet se është në fazat përfundimtare.

Largimi i Correës do të hapte hapësira në sulm dhe klubi madrilen nuk ka humbur kohë në kërkim të një zëvendësuesi të denjë. Një nga emrat në listën e ngushtë është Darwin Nunez. Sulmuesi uruguaian është i hapur për një largim nga Liverpooli, dhe Atletico ka shprehur interes serioz. Megjithatë, klubi anglez pritet të kërkojë një shumë të konsiderueshme për kartonin e tij.

Ndërsa 26-vjeçari mbetet një opsion interesant, drejtuesit e Atleticos po shqyrtojnë alternativa më të arsyeshme financiarisht. Me çmimet e transferimeve që po rriten ndjeshëm, klubi po vepron me kujdes, sidomos duke pasur parasysh angazhimet që po ndjek aktualisht për Cristian Romeron dhe Alex Baena.

Sipas “Diario AS”, emri më i fundit që ka hyrë në radarin e Atleticos është Federico Chiesa. Edhe pse Liverpooli e transferoi italianin vetëm verën e kaluar, paraqitjet e tij të pakta kanë bërë që klubi të jetë i hapur për largimin e tij – qoftë edhe përmes një huazimi.

Një marrëveshje e tillë do t’i lejonte Atleticos të përforcohej pa tejkaluar buxhetin, ndërsa Napoli është gjithashtu në garë për të rikthyer Chiesan në Serie A. Megjithatë, madrilenët raportohen të jenë favoritë për momentin.

Nëse transferimi realizohet, ai do të shënonte një kapitull të ri për Chiesan, i cili ka regjistruar 235 paraqitje, 47 gola dhe 43 asistime në Serie A. Që nga transferimi i tij te Liverpooli, 27-vjeçari ka luajtur vetëm 6 ndeshje në Premier League, pa shënuar apo asistuar, çka tregon se nuk është pjesë e planeve të trajnerit të ri Arne Slot.

Nga ana tjetër, Liverpooli është i gatshëm të negociojë, pasi ka nevojë për fonde për të financuar një tjetër transferim të madh: Rodrygo-n nga Real Madridi. /Telegrafi/

The post Atletico Madrid synon një transferim tronditës për yllin e Liverpoolit appeared first on Telegrafi.

Arrestohen katër persona në Pejë – kërkuan 30 mijë euro për pronën e viktimës

23 July 2025 at 17:26

Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të suksesshëm në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, duke arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale “detyrim”.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është zhvilluar nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në bashkëpunim me hetimet rajonale në Pejë dhe njësi të tjera relevante, nën koordinimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.

Hetimet kanë zbuluar se të dyshuarit, përmes formave të ndryshme të kanosjes, i kanë pamundësuar viktimës posedimin dhe shfrytëzimin e pronës së tij, të blerë në mënyrë të ligjshme. Madje, për ta lejuar të njëjtin të përdorë pronën, viktima ishte detyruar të paguajë një shumë prej 30.000 eurosh.

Të katër personat janë arrestuar në flagrancë dhe pas intervistimit nga organet kompetente, me vendim të prokurorit të rastit, janë ndaluar për 48 orë.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve të rënda dhe sjelljen e personave të dyshuar para drejtësisë, duke garantuar siguri dhe mbrojtje për qytetarët.

The post Arrestohen katër persona në Pejë – kërkuan 30 mijë euro për pronën e viktimës appeared first on Telegrafi.

Nis regjistrimi i votuesve nga jashtë për votim me postë në Zgjedhjet Lokale 2025

23 July 2025 at 17:24

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë të ditur se tashmë ka filluar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, për votim me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetar të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

Gjatë periudhës 38-ditore (23 korrik 2025 – 29 gusht 2025), të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

Aplikimi për regjistrim duhet të jetë individualë dhe mund të bëhet:

1) përmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose

2) përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

“Për dallim nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në Zgjedhjet Lokale votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përcaktohet se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh”. thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Periudha e votimit përmes postës do të fillojë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025.

Kjo periudhë do të vlejë vetëm për shtetasit që do të arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (23 korrik – 29 gusht 2025).

Zgjedhjet Lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor.

The post Nis regjistrimi i votuesve nga jashtë për votim me postë në Zgjedhjet Lokale 2025 appeared first on Telegrafi.

❌
❌