Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 July 2025Abc News

Gisele Pelicot nderohet me titullin më të lartë të Francës

By: Re Nato
13 July 2025 at 17:49

Gisele Pelicot, gruaja franceze që ka fituar vëmendje ndërkombëtare pasi ka dëshmuar publikisht në gjyqin për dhunimin masiv që ka përjetuar, i është ndarë titulli më i lartë i Francës.

Kjo 72-vjeçare është emëruar Kalorëse e Legjionit të Nderit, sipas një liste të publikuar para Ditës Kombëtare të Francës.

Pelicot ka hequr dorë nga e drejta për anonimitet në një gjyq të profilit të lartë kundër burrit të saj, i cili e ka droguar dhe dhunuar, si dhe i ka ftuar dhjetëra burra tjerë të huaj që të abuzojnë me të për gati një dekadë.

Pelicot është në mesin e 589 personave që u është ndarë ky çmim prestigjioz.

Ajo ka marrë pjesë në seancat gjyqësore pothuajse çdo ditë.

Ato kanë përfunduar në dhjetor të vitit të kaluar dhe Dominique Pelicotit, 72-vjeçar, i është dhënë dënim maksimal prej 20 vjetësh burgim për dhunim, pasi e ka pranuar se e ka dhunuar Giselen dhe i ka rekrutuar rreth 50 burra për ta dhunuar, derisa ajo ka qenë pa vetëdije në shtrat.

Gaza, 6 fëmijë palestinezë vriten ndërsa prisnin të mbushnin ujë

By: Re Nato
13 July 2025 at 17:30

Dhjetë persona, përfshirë gjashtë fëmijë, janë vrarë në një sulm ajror izraelit, ndërsa prisnin të mbushnin ujë në Gazën qendrore.

Trupat e tyre u dërguan në Spitalin al-Awda të Nuseirat, i cili trajtoi gjithashtu 16 persona të plagosur, përfshirë shtatë fëmijë.

Dëshmitarët okularë thanë se një dron qëlloi një raketë drejt një turme që priste në radhë me bidona bosh pranë një cisterne uji në kampin e refugjatëve al-Nuseirat.

Banorët nxituan në vendngjarje dhe transportuan të plagosurit duke përdorur automjete private dhe karroca, shkruan BBC.

Bëhet e ditur se sulmi vjen ndërsa sulmet ajrore izraelite në të gjithë Rripin e Gazës janë përshkallëzuar.

Një zëdhënës i Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Gazës tha se 19 palestinezë të tjerë ishin vrarë sot, në tre sulme të ndara në ndërtesa banimi në Gazën qendrore dhe në Qytetin e Gazës.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) tha se spitali i tij në terren në Rafah kishte pranuar 132 pacientë “që vuanin nga lëndime të lidhura me armë” vetëm të shtunën, 31 prej të cilëve vdiqën./abcnews.al

Shefi i NATO-s, të hënën në Uashington/ Rutte do të takohet me presidentin Trump

By: Re Nato
13 July 2025 at 17:08

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, do të vizitojë Uashingtonin nesër për takime me Donald Trump dhe zyrtarët e lartë të kabinetit të tij.

Njoftimi për shtyp që njoftonte vizitën nuk dha një arsye të menjëhershme për udhëtimin, por Trump tha së fundmi se do të ishte i gatshëm të furnizonte me armë Ukrainën nëpërmjet NATO-s.

Presidenti amerikan ka premtuar gjithashtu se do të bëjë një “deklaratë të rëndësishme” në lidhje me Rusinë nesër, të cilën disa besojnë se mund të jetë mbështetja e tij për një projektligj për sanksione kundër Moskës.

Përveç takimit me Trump gjatë udhëtimit dy-ditor, Rutte do të zhvillojë bisedime edhe me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhe sekretarin e mbrojtjes, Pete Hegseth./abcnews.al

Siguria Detare, nga Ksamili në Koman/ Kontrollohen 254 mjete lundruese, bllokohen 36 prej tyre

By: Re Nato
13 July 2025 at 16:54

Në një aksion të nisur nga Ksamili në jug e deri në Koman në veri, policia ka sekuestruar dhe bllokuar 36 mjete lundruese, ndërsa ka mundur që të shpëtoje nga mbytja, 18 persona, shqiptarë dhe të huaj.

Gjatë javës së fundit, janë kontrolluar 254 mjete lundruese, nga të cilat janë bllpkuar 24 Jet Ski, 5 Skafe, 4 gomone dhe 3 varka metalike kanë qënë jashtë zonave të miratuara dhe pa dokumentacion përkatës.

Policia thotë se 13 mjete lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative 100,000 lekë secili.

Ndërkohë nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 10 raste për t’u ardhur në ndihmë 18 shtetasve, të cilët ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet e tyre lundruese.

Policia Kufitare apelon për respektimin e rregullave për përdorimin e mjeteve lundruese, pasi askush nuk do të tolerohet./abcnews.al

Problematikat e qytetarëve në Tiranë/ Rama mbledhje të hënën me deputetët dhe drejtorët e bashkisë

By: Re Nato
13 July 2025 at 16:36

Paraditen e së hënës, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë mbledhje me deputetët e qarkut të Tiranës dhe kandidatët e drejtorët e bashkisë.

ABC News mëson se takimi, që do të mbahet tek Hotel Tirana, do të ketë në fokus evidendimin e problematikave që janë hasur në terren.

Lidhur me këto problematika, deputetët do të raportojnë te kreu i qeverisë, Edi Rama.

Më 4 korrik në një takim që zhvilloi me deputetët e Tiranës Rama u ka kërkuar atyre për dy javë, të evidentojnë problematikat e qytetit përmes kontakteve të drejtpërdrejta me qytetarët./abcnews.al

 

 

Kosovë/ Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e 46-të

By: Re Nato
13 July 2025 at 16:22

Kuvendi i Kosovës nuk është konsituuar as të dielën e 13 korrikut, dhe kështu deputetët kanë shënuar herën e 46-të që mblidhen, akuzojnë njëri-tjetrin dhe nuk e finalizojnë procesin.

Pavarësisht që deputetët e secilës parti insistojë në rëndësinë e formimit të institucioneve të reja, ato prapëseprapë nuk lëkunden nga qëndrimet e kundërta që kanë.

Në seancën e 13 korrikut kanë marrë pjesë 82 deputetë.

Edhe pasi kryesuesi i seancës, Avni Dehari e ka mbyllur seancën, disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë vazhduar të mbajnë fjalime drejtuar qytetarëve të Kosovës me thirrjet që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – partia që ka fituar më shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit – t’i japë fund kësaj situate.

Sipas tyre, LVV-ja po e “saboton qëllimshëm shtetin”.

Situata është bllokuar pasi PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.

Vera shton urgjencat/ Brataj: Temperaturat e larta rëndojnë shëndetin tek të moshuarit

By: Re Nato
13 July 2025 at 16:02

Telefonat bien më shpesh se zakonisht.  Në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore thirrjet për ndihmë janë shtuar.

Kryesisht  të moshuarve e të sëmurëve kronikë vala e të nxehtit që ka përfshirë vendin  iu ka rënduar shëndetin.  Nuk kanë munguar as fëmijët që kanë pasur nevojë per ndihmë mjekësore.

“Thirrjet janë 200 – 300 në ditë, më shumë se muaji kaluar,  rreth 15 – 20 misione më shumë  sa I përket numrit të vizitave në banesë nga personeli.

Rreth  15% është vetëm  presioni arterial, shumë I përhapur, ka herë pas here kriza hipertensive.

15%  virozat dhe gastrointeritet që shfaqen me temperaturë, me të vjella, me dhimbje koke, gjendje febrile, dehidratime dhe  rreth 9.5% janë pickimet dhe alergjitë.”

Por ndryshe nga muajt e mëparshëm urgjencat më së shumti  janë zhvendosur nga Tirana  në bregdet.  Numri I vizitave  që kryhen  në  disa prej  qendrave shëndetësore verore  sipas   Drejtorit të Urgjencës Kombëtare është I ngjashëm me atë të një spitali.

“Në Tiranë jemi pak më pak se kemi një spostim te popullsisë, por sidomos zonat bregdetare që kanë më shumë thirrje dhe misione.

“Kemi qendra shëndetësore që funksionojnë si spitale realisht, Velipoja që është në vend të parë me 1 mijë 770  vizita në qershor qe I bie rreth  50 në ditë, Shëngjini me 1500 -1600, plazhi I Durrësit,  Drimadha,  Ksamili, kanë më shumë rolin e spitaleve sesa të ashtuquajtura  qendra shëndetësore.

Mbi 16 mije vizita  4386 janë turistë të huaj,   26% të huaj 74% shqiptarë.

Ka pas referime per spitale, 3.15%  e atyre qe kanë shkuar kanë pas nevojë për vlerësim më të detajuar.”

Përballë  temperaturave të larta  drejtori I Ugjencës Kombëtare iu këshillon qytetarëve.

“Nëse ka ekspozim të gjatë në diell veç të vjellave, lodhje, këputje dhe konfuzion sigurisht që  duhet të marrë në telefon 127 për të dhënë jo vetëm një rekomandim, por dhe për të shkuar në vendngjarje se këto persona janë në vështirësi të eleminojnë  lagështinë që prodhon organizmi.”/abcnews.al

Rriten helmimet nga alkooli/ Mjekët: Kryesisht të rinjtë, e përziejnë me drogën

By: Rovena
13 July 2025 at 15:43

Vera shton festat e bashkë me to dhe konsumin e alkoolit.  Abuzimi me sasinë dhe përziera me substanca narkotike ka shtuar  dhe helmimet.

Mjekët në shërbimin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë thonë se janë në fluksin e punës.

“Me rritjen e temperaturave kanë filluar të rriten dhe rastet toksikologjike. Më shumë intoksikacione nga alkooli, së bashku dhe substancat e tjera. Rritet sasia e konsumimit të alkoolit gjithashtu dhe kombinimi me substanca të tjera, lëndë narkotike. Alkooli varjon nga birra, vera dhe kokteilet e ndryshme, të gjitha llojet”, tha mjekja Matilda Kambo.

Pacientët më të shpeshtë që kërkojnë ndihmën e mjekëve toksikologë  janë djem dhe vajza, kryesisht të rinj. Më shumë gjatë fundjavës. Disa prej tyre paraqiten dhe në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Në përgjithësi gjatë fundjavës rastet dhe rriten për shkak dhe të festave që ndodhin dhe në sezonin veror. Raste që vijnë në urgjencë, por duke përmendur këtu dhe rastet që hospitalizohen për shkak të varësive të ndryshme”, shtoi Matilda Kambo.

Mund të vijnë dhe në koma alkoolike. Pra niveli i alkoolit është aq i lartë sa pacienti fillon dhe humbet koshiencën. Duhet të marrë terapi  dhe të dalë nga gjendja. Kryesisht janë të rinj, variojnë moshat 20, 25,  30, 35 vjeç.

Ndërkohë  që  këto kohë temperaturash të larta alkooli  mund të bëhet shkak për  helmime të rënda  mjekët rendisin dhe të tjera  dëmesh që vijnë prej tij.

“Alkooli është drogë si të gjithë drogërat e tjera dhe alkooli dëmton.  Dëmton organizmin, dëmton zemrën, dëmton trurin, na plak, demenca e alkoolit, alkooli nuk ka freskon,  alkooli na dehidron dhe na sëmur”, përfundoi mjekja.

Të shumtë kanë qenë dhe turistët të cilët për shkak të teprimit me alkoolin  kanë kërkuar ndihmë pranë urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë./abcnews.al

Plazhi “i fshehur” i Shkodrës/ Në brigjët e Bunës, zgjidhet gjithnjë e më tepër gjatë verës

By: Re Nato
13 July 2025 at 15:38

Në brigjet e lumit Buna, në zonën e Dajçit në Shkodër ndodhet një plazh i vogël I cili po pëlqehet gjithnjë e më tepër këtë sezon veror.

Për banorët vendas, ai rikthen nostalgjinë e kohëve kur noti në lumin e fshatit ishte një pjesë e pandarë e verës.

Ndërsa për të huajt  po kthehet në një  vend  për të pushuar  ndërsa vizitojnë  veriun e Shqipërisë.

“Jam nga Malta. Është hera e dytë që vij. Ma kanë sugjeruar miqtë e mi që janë shqiptarë. Më së shumti më pëlqen natyra këtu dhe temperaturat, të cilat nuk janë shumë të larta dhe janë më të përshtatshme se ato në vendin prej nga vij, sidomos për muajin korrik. Do ta rivizitoj, por fillimisht do të qëndroj këtu për dy javë. Do të qëndroj më shumë në veri të vendit, sepse – siç e përmenda – më pëlqejnë temperaturat që nuk janë aq të larta sa në vendin tim. E rekomandoj shumë Shqipërinë. Është një vend fantastik, me natyrë të mrekullueshme, njerëz shumë mikpritës dhe ushqim fantastik.”

“Jam nga Spanja. Më pëlqen shumë këtu – plazhi, uji është krejtësisht i pastër dhe më pëlqen që mund të bëj padel.”

Në këtë gji të qetë dhe të mbrojtur dhjetëra vizitorë gjejnë çlodhje dhe freski mes gjelbërimit dhe ujërave të pastra të Bunës çdo ditë./abcnews.al

Izraeli plagosi presidentin e Iranit/ Lajmi publikohet nga mediat në Teheran: Gjatë sulmit me raketa

By: Re Nato
13 July 2025 at 15:19

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian,  u plagos gjatë një sulmi ajror izraelit që goditi një mbledhje të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare në Teheran ne 16 qershor, sipas asaj që konfirmoi agjensia gjysmë zyrtare e Lajmeve Fars e cila citon burime pranë Gardës Revolucionare.

Sipas asaj që shkruan Media Iraniane sulmi që plagosi presidentin ndodhi gjatë luftës 12 ditore me Izraelin, ku 6 raketa goditën ndërtesën në pjesën perëndimore të Teheranit ku po zhvillohej mbledhja me pjesëmarrjen e krerëve të tri pushteteve: presidentit Pezeshkian, kryetarit të parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf dhe kreut të drejtësisë, Gholamhossein Mohseni Ejei.

Presidenti 70-vjeçar pësoi një plagë në këmbë dhe u detyrua të largohej përmes një daljeje emergjente të planifikuar më parë. Sipas Fars, edhe disa zyrtarë të tjerë pësuan lëndime të lehta. “Pas shpërthimeve, u ndërpre energjia elektrike në katin ku po mbahej  mbledhja,” thuhet në raportin e agjencisë. Sulmi ka ngjashmeri me atë që vrau udhëheqësin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në Bejrut vitin e kaluar. Të gjitha daljet e ndërtesës thuhet se janë goditur për të bllokuar arratisjen dhe për të ndalur qarkullimin e ajrit.

Kryetari I Korpusit te Gardes Revolucionare te Iranit , Mohsen Rezaei, deklaroi në televizionin shtetëror se “Izraeli goditi gjashtë zona ne ndertesen ku po mbajeh mbledhja e Keshillit, por sipas tij askush nuk pesoi lendime serioze.

Megjithëse presidenti nuk kishte përmendur më herët se ishte plagosur, në një intervistë të fundit me gazetarin amerikan Tucker Carlson, ai e pranoi se ishte objektiv i një atentati nga Izraeli. “Po, ata tentuan të më vrisnin. Vepruan në përputhje me këtë, por dështuan”, tha ai.

Deklaratat e tij shkaktuan zemërim në parlamentin iranian. 24 deputetë e akuzuan presidentin në një letër të përbashkët për “minim të sigurisë kombëtare” për shkak të hapjes ndaj dialogut me SHBA-në dhe bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, e cila tashmë është dëbuar nga vendi.

Pas sulmit, autoritetet iraniane kanë arrestuar mbi 700 persona nën dyshimet për bashkëpunim me Izraelin dhe po shqyrtojnë një ligj të ri emergjent që parashikon dënime më të rënda për spiunazh, përfshirë edhe dënimin me vdekje./abcnews.al

Stuhitë e fuqishme dhe përmbytjet përfshijnë Spanjën

By: Rovena
13 July 2025 at 15:07

Disa zona në Spanjë, përfshirë bregdetin e Katalonjës, Aragonin dhe Castellonin, janë përfshirë nga alarme për stuhi dhe reshje të forta, njofton Associated Press.

Një mesazh paralajmërues u dërgua në telefonat celularë të popullsisë për të paralajmëruar reshjet e rrëmbyeshme.

“Reshjet do të shoqërohen me stuhi, erëra të forta dhe vetëtima. Shmangni udhëtimet këtë pasdite të së shtunës dhe ndiqni të gjitha këshillat”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga agjencia meteorologjike e Katalonjës

Pamjet nga zjarrfikësit e Katalonjës dhe Qeveria e Castellonit në Valencia kanë treguar për rrugë të përmbytura dhe zona të tjera që janë goditur nga shirat e dendur.

Agjencia kombëtare e motit AEMET ka bërë të ditur se ekzistojnë gjasa të larta për përmbytje të menjëhershme në tetë provinca, përfshirë në Huesca, Teruel dhe Zaragoza, si dhe Barcelonë, Girona, Lleida, Tarragona e Castellón.

Alarmi është luhatur mes nivelit të kuq dhe atij portokalli, dhe pritej të çaktivizohej në mbrëmjen e së shtunës, teksa të gjitha shërbimet lokale dhe rajonale të trenave në Katalonjë u pezulluan për disa orë

Ndër të tjera, një njësi e emergjencave në kuadër të Ushtrisë spanjolle u dislokua në qytetin verilindor të Zaragozës, pas stuhive të forta që shkaktuan përmbytje në gjithë provincën.

Pamjet e publikuara nga Njësia e Emergjencave Ushtarake (UME) kanë shfaqur ekipet e ndërhyrjes duke larguar ujin e tepërt dhe duke vendosur barriera rrugore për të parandaluar përmbytje të mëtejshme.

Ekipet lokale të shpëtimit në Zaragoza nuk kanë raportuar për viktima.

Aksidenti i rëndë në autostradën Tiranë–Durrës ku humbi jetën 18-vjeçari, arrestohet i riu në Tiranë

By: Rovena
13 July 2025 at 15:02

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 19-vjeçar, përgjegjës për aksidentin tragjik që ndodhi ditën e djeshmë në autostradën Tiranë–Durrës, ku për pasojë humbi jetën një 18-vjeçar dhe mbeti i dëmtuar pasagjeri tjetër.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor Tiranë arrestuan shtetasin D. D., 19 vjeç, pasi ditën e djeshme, në autostradën “Tiranë–Durrës”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti  ka humbur jetën pasagjeri, shtetasi E. B., 18 vjeç, banues në Durrës, si dhe janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri tjetër, shtetasi E. Sh., 19 vjeç, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia e Tiranës./abcnews.al

I shpallur në kërkim për kultivim të lëndëve narkotike/ Arrestohet 25-vjeçari në Lezhë

By: Rovena
13 July 2025 at 14:52

Policia e Lezhës ka arrestuar një 25-vjeçar të shpallur më parë në kërkim për kultivim të lëndënve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.

“Në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, të zhvilluar më datë 25.05.2025, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim:M. B., 25 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, të kryera në bashkëpunim”, njofton policia./abcnews.al

Policia e Shtetit vlerësohet sërish për masat e marra në Giro d’Italia dhe në edicionin e 82-të, të Turit Çiklistik të Shqipërisë

By: Rovena
13 July 2025 at 14:12

Pas vlerësimit të parë nga RCS Sport & Events, organizatorja ndërkombëtare e Giro d’Italia, Policia e Shtetit ka marrë një tjetër vlerësim të rëndësishëm për angazhimin e saj maksimal dhe profesionalizmin në garantimin e sigurisë gjatë dy eventeve të mëdha sportive: Giro d’Italia dhe Turi i 82-të Çiklistik i Shqipërisë.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, me porosi të Presidentit të Unionit Europian të Çiklizmit (UEC), Enrico Della Casa, dhe Presidentit të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), David Lappartient, i dhuroi Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, kaskën e një prej çiklistëve të ekipit Movistar që mori pjesë në Giro d’Italia, si shenjë simbolike mirënjohjeje për punën dhe kontributin e Policisë Shqiptare.

Takimi u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku u theksua roli i jashtëzakonshëm i strukturave policore në mbarëvajtjen e të dy garave.

“Është kënaqësi që ndodhem në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe pranë zotit Proda. Ndihem mirë për vlerësimet që janë bërë nga Federata Botërore, si për Giro d’Italia, ashtu edhe për xhiron e Shqipërisë. Një nga komisarët më të rëndësishëm të gjithë gjykimeve që ka bërë në Evropë dhe në Ballkan, më ka thënë dy fjalë në Vlorë që më janë ngulitur në kokë. Kur erdha, tha, për në Shqipëri, më kishin folur jashtëzakonisht, në kuptimin që ky shtet ka probleme, por në organizimin e Policisë së Shtetit është një nga policitë që mund të merren shembull në Ballkan dhe në Evropë. Më e rëndësishmja ishte që nuk pati asnjë rrëzim. Ky është një lloj sporti që ka shumë probleme, me rrezik, dhe u mbyll Giro d’Italia në mënyrë të shkëlqyer. Dhe erdhi qershia mbi tortë: xhiroja e Shqipërisë. Ndaj jemi këtu për të falënderuar Policinë, nga punonjësi më i thjeshtë deri te Drejtori i Përgjithshëm, zoti Proda. Kemi sjellë një kaskë të Giro d’Italia, të një prej çiklistëve të ekipit Movistar, në emër të Presidentit të UCI-së, si një dhuratë për Policinë Shqiptare”, tha Presidenti i Federatës së Çiklizmit, Skënder Anxhaku.

“Faleminderit, vlerësim i madh për Policinë e Shtetit. Jam i nderuar të kem sot në Drejtorinë e Policisë Presidentin e Federatës së Çiklizmit, zotin Anxhaku. E kam thënë edhe më parë: ta shikoje garën, ishte spektakolare, por të shërbeje për të marrë masat e sigurisë që gara të zhvillohej, ishte akoma edhe më spektakolare. Falënderoj për vlerësimin Federatën e Çiklizmit. Është një nder i veçantë dhe siguroj që Policia e Shtetit është e gatshme të ofrojë shërbime sigurie për çdo lloj aktiviteti sportiv në vend, jo vetëm për çiklizmin”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Në përfundim të takimit, Anxhaku i ka dorëzuar zyrtarisht Drejtorit të Përgjithshëm kaskën e çiklistit të ekipit Movistar që mori pjesë në Giro d’Italia, si shenjë vlerësimi në emër të drejtuesve të UEC dhe UCI.

I zhdukur prej gati një muaji/ Familja kërkon ndihmë për gjetjen e 23-vjeçarit: Së fundi ka qenë në Francë

By: Rovena
13 July 2025 at 13:53

Një 23-vjeçar rezulton i zhdukur prej më shumë se një muaji, ndërsa familjarët kanë bërë kallëzim në Policinë e Memaliajt për ndihmë në gjetjen e tij.

Një grua ka bërë kallëzim në Policinë e Memaliajt, pasi kërkon ndohmë për gjetjen e djalit të saj 23-vjeç. Ajo ka deklaruar se që prej 10 qershorit ka humbur kontaktet me djalin e saj, sipas saj i riu ka qenë së fundmi në Francë, por prej atëherë nuk ka pasur asnjë komunikim me ta.

Policia ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave dhe për gjetjen e të riut./abcnews.al

Korça preferohet edhe për arkeologjinë/ Mijëra turistë vizitojnë Tumën e Kamenicës

By: Rovena
13 July 2025 at 13:46

Në Korçë sitet arkeologjike po tërheqin gjithnjë e më tepër turistë. Një prej tyre ëshë Tuma e Kamenicës e cila daton prej shekullit të  XII para Krishtit.

Një grup historianësh të antikitetit, mjekësh dhe mësues nga Universiteti i Vjenës dhe Salsburgut kishin planifikur që një vit më parë për ta vizituar. Vizitorët mbetën të befasuar nga jao që panë.

“Punoj në departamentin e antikitetit në universitetin e Salsburgut dhe fokusi im janë arkeologjia nënujore dhe historia e mjekësisë.  Shumë mbresëlënëse, më pëlqeu shumë. Një zonë shumë e rëndësishme këtu dhe nga sa dëgjova ka një lidhje mes vendndodhjes dhe Tumës këtu gjë që është shumë e rrallë.  Është shumë e rëndësishme puna që është bërë këtu jo vetëm në anën e mjekësisë pra është shumë impresionuese. Shqipëria është një vend shumë interesant, jam i lumtur që jam këtu.   Kam qenë vite më parë dhe kam vizituar Butrintin dhe këtë herë kam parë shumë vende historike dhe arkeologjike”, tha një turist.

“Vij nga Vjena dhe jam mësuese e latinishtes ndaj jam shumë e interesuar për arkeologjinë e Ballkanit.  Ne kemi shumë studentë me origjinë nga vendet e Ballkanit si Maqedonia e Veriut, Bosnja si edhe Shqipëria ndaj më shërben të kuptoj më shumë për vendet nga ata vijnë. Mendoj që është shumë interesante dhe keni bërë një punë shumë të mirë në mënyrën sesi e prezantoni historinë tuaj. Mendoj që është ende duke u zhvilluar dhe ajo që i shkrova bashkëshortit tim dje është që jam shumë kurioze sesi do të duket pas 10 vitesh ndaj shpresoj të vijmë pas 10 vitesh për ta pare”, u shpreh një turiste.

“Kemi 2-3 ditë që kemi ndërmarrë këtë tur dhe kemi parë Tiranën dhe Shkodrën. Jemi duke vizituar sitet antike dhe prehistorike dhe ky vend është shumë i pasur. Jam mësuese e latinishtes dhe anglishtes në Vjenë, Austri. Kemi një program shumë të ngjeshur, kemi parë gërmimet e Linit ishte një pamje shumë e bukur në liqen.  Është mahnitëse, kemi qenë më herët në një tur në Bullgari dhe aty kemi parë tuma të ngjashme, çka më kujton disi atë kulturë.   Interesi im kryesor është kultura romake dhe më pëlqeu shumë rruga Egnatia në Elbasan, por mendoj që ky muze këtu është shumë informues, dhe i mbajtur shumë mire”, shtoi një tjetër.

Në Tumën e Kamenicës  ndërtuar në shekullin e 12 para erës së re deri  tani janë zbuluar 400 skelete njerëzore të asaj periudhe dhe rreth 3500 objekte arkeologjike. Ajo përfaqëson monumentin më të madh mortor të zbuluar në Shqipëri./abcnews.al

Aksident në aksin Qafë Mali- Fierz/ Turisti kroat rrëzohet nga motomjeti dhe përfundon në spital

By: Rovena
13 July 2025 at 13:37

Një aksident ka ndodhur mesditën e kësaj të diele, rreth orës 12:25, në aksin rrugor ” Qafë Mali- Fierz “, ku turisti kroat  D. J., dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit dhe si pasojë motomjeti është rrëzuar. Turisti është dërguar për mjekim në Spitalin e Pukës, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit./abcnews.al

Qytetet marrin “frymë”/ Një javë nga porosia e Ramës, vijon lirimi i hapësirave publike

By: Rovena
13 July 2025 at 13:27

Nga plazhet tek pallatet. Një javë nga porosia e kryeministrit, hapësirat publike po lirohen nga ndërtimet pa leje. Në Golem të Kavajës, Policia ka ndërhyrë në një hapësirë e përshtatur si biznes nga dy qytetarët, të cilët tashmë akuzohen për Pushtim të Tokës.

Kurse në Tiranë, Policia ka liruar një hapësirë pallatesh e cila prej kohësh ishte kthyer vendparkim automjetesh. Nën hetim është vendosur autori 39-vjeçar në rrugën Medar Shtylla, kurse automjetet e parkuara u hoqën me karrotrec.

Nga ana tjetër, edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka filluar menjëherë zbatimin e porosisë së kryeministrit Rama për ndërtimet pa leje.

Në një deklaratë zyrtare, institucioni përgjegjës për energjinë paralajmëron se nuk do të pranohet asnjë kërkesë e re për lidhje të energjisë me çdo ndërtesë pa leje apo dhe ato me probleme.

“OSHEE është angazhuar për të forcuar kontrollin dhe për të mos lejuar asnjë lidhje të re me rrjetin elektrik për ndërtimet që nuk përmbushin kriteret ligjore. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet kërkesave për lidhje të reja, me qëllim që të shmangen çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin. OSHEE nuk do të pranojë kërkesat për lidhje me energji elektrike të ndërtesave pa leje ndërtimi ose që nuk kanë zbatuar kushtet e lejes ndertimit.”

Në kuadër të këtij aksioni, OSHEE ka filluar kontrollet në territor në bashkëpunim me IMT dhe Policinë e strukturat përgjegjëse, pas porosive të kryeministrit kundër ndërtimeve pa leje.

Dy ditë më parë, në një mbledhje me ministra e kryebashkiakë në Durrës, kryeministri Rama si një nga masat për parandalimin e ndërtimeve pa leje, kërkoi ndalimin e furnizimit me energji elektrike dhe ujë për çdo ndërtim pa leje./abcnews.al

 

❌
❌