Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 August 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Riafirmohet bashkëpunimi Tokio-Seul, përpara takimit Lee-Trump

23 August 2025 at 19:00

TOKIO, 23 gusht /ATSH/ – Kryeministri japonez Shigeru Ishiba dhe presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung riafirmuan sot bashkëpunimin në fushën e sigurisë midis dy fqinjëve të Azisë Lindore, para një takimi që Lee do të zhvillojë të hënën me presidentin amerikan Donald Trump, sipas Reuters.

Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Japoni që nga marrja e detyrës në qershor, Lee u takua me Ishiba në rezidencën e kryeministrit në Tokio për të diskutuar marrëdhëniet bilaterale, përfshirë bashkëpunimin më të ngushtë në fushën e sigurisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të një marrëveshjeje tripalëshe, të nënshkruar nga paraardhësit e tyre.

“Marrëdhëniet e qëndrueshme sjellin përfitime për të dy vendet tona dhe për rajonin tonë”, tha Ishiba gjatë raundit të zgjeruar të bisedimeve të samitit.

“Është gjithashtu thelbësore të forcojmë aleancën me SHBA-në”, theksoi ai.

Fitorja e menjëhershme në zgjedhje e Lee-së, pas shkarkimit të presidentit konservator Yoon Suk Yeol për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ngjalli shqetësime në Tokio se marrëdhëniet me Seulin mund të përkeqësoheshin.

Lee ka kritikuar përpjekjet e kaluara për të përmirësuar marrëdhëniet, të cilat janë tensionuar nga pakënaqësitë për sundimin kolonial të Japonisë mbi gadishullin korean gjatë periudhës 1910–1945.

Qeveria e Koresë së Jugut shprehu javën e kaluar “zhgënjim dhe keqardhje të thellë” pasi zyrtarë japonezë vizituan një faltore në Tokio për të rënët e luftës së Japonisë, të cilën shumë koreanë e shohin si simbol të agresionit ushtarak japonez.

Megjithatë, Lee ka thënë se mbështet marrëdhënie më të afërta me Japoni, duke përfshirë takimin e tij të parë me Ishiba në kuadër të një samiti të G7-s në Kanada në qershor.

Pavarësisht dallimeve, të dy aleatët e SHBA-së mbështeten fort te Uashingtoni për të kundërshtuar ndikimin në rritje të Kinës në rajon.

Së bashku, ata presin rreth 80 000 trupa amerikane, dhjetëra anije lufte dhe qindra avionë ushtarakë amerikanë.

“Duke qenë se rendi ndërkombëtar ka pësuar luhatje kohët e fundit mbi çështje tregtare dhe sigurie, mendoj se Koreja e Jugut dhe Japonia, të cilat kanë qëndrime të ngjashme në vlera, sisteme dhe ideologji, duhet të forcojnë bashkëpunimin më shumë se kurrë”, tha Lee gjatë takimit me Ishiba.

Japonia dhe Koreja e Jugut gjithashtu ndajnë interes të përbashkët për tregtinë, duke rënë dakord për tarifa 15% mbi importet amerikane të mallrave të tyre pasi Trump kishte kërcënuar me tarifa më të larta./  /Ad.Ab./

The post FOKUS – Riafirmohet bashkëpunimi Tokio-Seul, përpara takimit Lee-Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Maratona e notit “Agron Ruvina” në Pogradec, homazh sportiv me jehonë ndërkombëtare

TIRANË, 23 gusht /ATSH/  Më shumë se 100 notarë nga e gjithë Shqipëria dhe jashtë saj morën pjesë në edicionin e pestë të Maratonës së Notit “Agron Ruvina”, e kthyer tashmë në një traditë të rëndësishme sportive në qytetin e Pogradecit.

Maratona, që zhvillohet në ujërat e liqenit të Ohrit në nder të notarit të njohur Agron Ruvina, ka tërhequr këtë vit garues nga vende si Greqia, Ukraina dhe Islanda, duke i dhënë aktivitetit një dimension ndërkombëtar.

Në kategorinë e moshës 14-vjeçare, Lizi Gusho dhe Devi Shtaro u shpallën fitues përkatësisht në kategorinë e vajzave dhe të djemve.

“Jam shumë e lodhur, por e lumtur që fitova. Jetoj dhe stërvitem në SHBA, por jam nga Pogradeci dhe është krenari të jem pjesë e kësaj gare,” – u shpreh Lizi Gusho pas fitores.

“I lodhur, por i emocionuar. Ishte një sfidë e bukur,” – tha Devi Shtaro.

Triumf në kategorinë e notarëve veteranë shënoi Ana Angjellari, e cila pas tre pjesëmarrjesh arriti më në fund vendin e parë.

“Jam shumë e lumtur. Ky ishte synimi im prej tre vitesh. Besoj kjo do të jetë edhe pjesëmarrja ime e fundit,” – tha ajo me emocione.

Organizatori Vladimir Mato theksoi rëndësinë e rritjes së vazhdueshme të interesit për maratonën:

“Kemi mbi 100 pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe nga jashtë vendit. Kjo tregon se eventi po fiton emër dhe respekt.”

E pranishme në aktivitet, Sofika Ruvina, motra e notar Agron Ruvinës, u shpreh e emocionuar për nderin që i bëhet çdo vit vëllait të saj:

“Fjalët janë të pakta për të. Krenohemi pa masë me Agronin dhe jemi të nderuar për çdo kujtim që mbetet gjallë përmes kësaj maratone.”

Maratona e Notit “Agron Ruvina” konfirmon edhe një herë lidhjen e veçantë të Pogradecit me sportin e notit dhe shërben si frymëzim për brezat e rinj që duan të ndjekin pasionin në ujërat e ëmbla të liqenit të Ohrit.

The post Maratona e notit “Agron Ruvina” në Pogradec, homazh sportiv me jehonë ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MJEDIS – Ngadalësohet përkohësisht shkrirja e akullit në Arktik

23 August 2025 at 18:23

LONDËR, 23 gusht /ATSH/ – Shkrirja e akullit në Arktik është ngadalësuar ndjeshëm gjatë 20 viteve të fundit, raportojnë shkencëtarët, pa pasur një rënie statistikisht të rëndësishme të shtrirjes së tij që nga viti 2005, sipas “The Independent”.

”Ky zbulim është befasues”, thonë ata, ”duke qenë se emetimet e karbonit nga djegia e karburanteve fosile kanë vazhduar të rriten dhe të bllokojnë gjithnjë e më shumë nxehtësi gjatë kësaj kohe”.

Ata mendojnë se ndryshimet natyrore në rrymat oqeanike, të cilat kufizojnë shkrirjen e akullit, kanë balancuar rritjen e vazhdueshme të temperaturave globale.

Megjithatë, kjo është vetëm një shtyrje e përkohshme, dhe shkrirja ka shumë gjasa të rifillojë me një ritëm rreth dyfish më të shpejtë brenda 5-10 vitet e ardhshme.

Këto gjetje nuk do të thonë se akulli i Arktikut po rikuperohet.

Sipërfaqja e akullit në shtator – kur arrin minimumin vjetor – është përgjysmuar që nga viti 1979, kur nisën matjet satelitore.

Kriza klimatike mbetet “pa asnjë dyshim reale”, theksuan shkencëtarët, dhe nevoja për veprime urgjente për të shmangur pasojat më të rënda nuk ka ndryshuar.

Variacioni natyror që ka shkaktuar këtë ngadalësim lidhet ndoshta me luhatjet shumë-dekadëshe të rrymave në Oqeanin Atlantik dhe Paqësor, të cilat ndikojnë në sasinë e ujit të ngrohtë që hyn në Arktik.

Megjithatë, Arktiku pritet që gjatë këtij shekulli të përballet me periudha pa akull, duke dëmtuar njerëzit dhe jetën e egër në rajon dhe duke përshpejtuar ngrohjen globale, pasi oqeani i errët thith më shumë nxehtësi.

“Është befasuese, kur sot diskutohet nëse ngrohja globale po përshpejtohet, që ne po flasim për një ngadalësim. Lajmi i mirë është se 10-15 vite më parë, kur humbja e akullit po përshpejtohej, disa flisnin për një Arktik pa akull para vitit 2020. Por tani variabiliteti natyror ka kaluar në fazën e balancimit të humbjes së akullit. Kjo na ka dhënë pak më shumë kohë, por është një shtyrje e përkohshme – kur të mbarojë, lajmet nuk do të jenë të mira”, tha Mark England nga Universiteti i Exeter, i cili udhëhoqi studimin.

Studimi, i botuar në revistën “Geophysical Research Letters”, përdori dy grupe të dhënash për nivelet e akullit detar në Arktik nga viti 1979 deri më sot.

Shkencëtarët analizuan sipërfaqen e akullit për çdo muaj të vitit dhe ngadalësimi u pa në të gjitha rastet. /Ad.Ab./

The post MJEDIS – Ngadalësohet përkohësisht shkrirja e akullit në Arktik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ura e Dragotit, një kryevepër inxhinierike mbi lumin Vjosa

TIRANË, 23 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama e cilësoi Urën e Dragotit, si një nga veprat më të rëndësishme inxhinierike dhe historike të Shqipërisë.

E ndërtuar në vitet 1930, kjo urë lidh Tepelenën me Përmetin, duke shërbyer si një nyje e rëndësishme infrastrukturore dhe një simbol i zhvillimit të jugut të vendit.

“Një kryevepër inxhinierike që qëndron krenare mbi Vjosë,” shkroi Kryeministri në rrjetet sociale, duke theksuar vlerat historike dhe estetike të strukturës.

Me arkitekturën e saj karakteristike dhe pozicionimin strategjik mbi lumin Vjosa, ura është jo vetëm funksionale, por edhe një pikë referimi për udhëtarët dhe vizitorët që eksplorojnë bukuritë natyrore të Parkut Kombëtar të Vjosës.

Në një kohë kur zhvillimi i turizmit natyror dhe kulturor po merr gjithnjë e më shumë vëmendje, Ura e Dragotit mbetet dëshmi e një tradite ndërtimi që kombinon funksionin me hijeshinë arkitektonike.  e.xh/

The post Rama: Ura e Dragotit, një kryevepër inxhinierike mbi lumin Vjosa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndahet nga jeta gazetari dhe publicisti i njohur Artur Zheji

TIRANË, 23 gusht /ATSH/ Gazetari, analisti dhe ish-drejtori i përgjithshëm i ATSH-së, Artur Zheji është ndarë sot nga jeta në moshën 64-vjeçare.

Ai ka ndërruar jetë në qytetin e Sarandës, ku ndodhej për pushime së bashku me familjen.

Policia e Shtetit në njoftimin zyrtar bëri me diej se “sot, rreth orës 16:10, në afërsi të rrugës “Butrinti”, shtetasi A. Zh., 64 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në një restorant dhe gjatë transportit drejt spitalit me autoambulancë, ka ndërruar jetë”.

Me një karrierë të gjatë në media, Zheji u bë një nga zërat dhe penat më të spikatur të gazetarisë dhe debatit publik në Shqipëri. Ai ka shërbyer në funksione drejtuese në disa media, në Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Për vite me radhë, Zheji do të jepte kontributin e tij si analist, drejtues emisioni, por edhe si editorialist dhe komentues politik, duke lënë gjurmë në mendimin mediatik shqiptar.

I lindur më 29 gusht 1961, Artur Zheji ishte i biri i euriditit të njohur shqiptar Petro Zhejit dhe aktores së njohur shqiptare Besa Imamit.

Zheji u diplomua për regjisor në Institutin e Lartë të Arteve, ku spikati dhe la gjurmën e tij në dramaturgjinë shqiptare. Në skenën e Teatrit Kombëtar, u vendos në skenë drama e tij “Raimonda”, përgjatë kohës së diplomimit.

Pas diplomimit, Zheji u zhvendos në Itali ku qëndroi për rreth 10 vite. Aty, ai punoi në “Radio Radicale” si specialist i çështjeve të Evropës dhe Ballkanit, përgjatë kohës së luftës së Kosovës, duke u bërë kështu dhe një zë i rëndësishëm i shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Që prej vitit 2017, ai ishte drejtues i emisionit politik dhe analitik 360 Gradë.

Zheji la pas dy vajza dhe një djalë, së bashku me bashkëshorten e tij. Humbja e tij e papritur ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe kolegët dhe opinionin publik, të cilët e shihnin si një figurë me integritet dhe profesionalizëm të lartë. Vdekja e tij është një humbje e madhe për gazetarinë, analizën politike dhe median shqiptare në përgjithësi.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Taulant Balla ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të publicistit Zheji. “Shumë, shumë i trishtë lajmi për ndarjen e parakohshme të gazetarit Artur Zheji. U prehsh në paqe mik”, shprehet Balla në rrjetet sociale.

Kreu i PD, Sali Berisha shkruan: “Homazh për Artur Zhejin! Miq, gazeteri, analisti, botuesi, publicisti i mirënjohur Artur Zheji mbylli sot, papritmas dhe parakohe, sytë përgjithmonë. Duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, miqve të afërmëve, unë lutem së bashku me ta që shpirti i Arturit të tyre të dashur të gjejë paqen e merituar. Amin”.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shkruan në një reagim në rrjetet sociale se “Lajm i hidhur i ndarjes nga jeta të gazetarit, publicistit dhe analistit të njohur Artur Zheji (1961–2025)! Zheji u shqua për kontributin e tij në fushën e medias dhe publicistikës, si dhe në artin skenik, ku ka lënë gjurmë si regjisor dhe autor i veprave artistike.Trashëgimia e tij profesionale mbetet pjesë e historisë së gazetarisë dhe kulturës shqiptare. Ngushëllime familjes, kolegëve dhe komunitetit mediak”.

Teatri Kombëtar shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta të Artur Zhejit i cili jo vetëm si gazetar, por edhe publicist dhe dramaturg ka lënë gjurmë në skenën teatrore shqiptare.
“Në krijimtarinë e tij, fjala u bë reflektim i kohës dhe i shoqërisë, duke pasuruar jo vetëm medien dhe debatin publik, por edhe skenën tonë kombëtare. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në historinë e artit dhe kulturës sonë. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik”, thuhet në mesazhin e Teatrit Kombëtar.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shkruan se “gazetari Zheji do të mbetet në kujtesën e publikut për stilin e vet oratorik, pasurinë shprehëse që mbartte, për forcën verbale të polemikës dhe sidomos për integritetin dhe ndjeshmërinë e lartë në mbrojtje dhe shprehjen krenare të identitetit të vet kombëtar shqiotar. Fjala dhe qëndrimet e analistit Artur Zheji, përbënin një pikë reference për shumë kolegë të huaj që ndjekin dhe merren me problematikat shqiptare në rajon”.

:Gjuha dhe aftësia shkrimore e Artur Zhejit përbëjnë një kuotë standarti, cilësie dhe intelektualizmi në mediumet tona, deri më sot.
Ndalja e papritur e jetës së tij krijon një ndërprerje të ndieshme në fjalën dhe shfaqjen mediatike, në gamën e analizës politike dhe debatit sociopolitik shqiptar si dhe në rrafshin e polemikës apo diskutimit të çështjeve historike dhe identitare me kolegë, media të rajonit dhe të huaja në përgjithësi.Ndarja e papritur nga jeta e Artur Zhejit është një akt pikëllimi për shumëkënd që e ka njohur, që e ka përcjellë apo që e ka ditur se nga vinte dhe çfarë përfaqësonte. U prehsh në paqe kolegu dhe miku ynë Zheji! Ngushëllime familjes!I paharrueshëm je”, shprehet Unioni i Gazetarëve Shqiptarë
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka shprehur ngushëllime pas ndarjes së parakohshme nga jeta të gazetarit dhe publicistit të njohur, Artur Zheji. “Me një karrierë të gjatë dhe të pasur në fushën e publicistikës dhe medias, Zheji u shqua si një nga personalitetet më të respektuar të gazetarisë shqiptare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme me analizat, shkrimet dhe kontributin e tij në zhvillimin e mendimit kritik e profesional në vend. Në këtë moment të dhimbshëm, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe miqve të tij, duke ndarë me ta dhimbjen për humbjen e një personaliteti të rrallë të medias shqiptare”, thuhet në mesazh.

The post Ndahet nga jeta gazetari dhe publicisti i njohur Artur Zheji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Shkencëtarët zbulojnë jetëgjatësinë maksimale të njeriut

23 August 2025 at 17:45

AMSTERDAM, 23 gusht /ATSH/ – Kërkimet e kryera në Holandë kanë treguar se kufiri maksimal i jetëgjatësisë për femrat është 115,7 vjet, ndërsa për meshkujt është pak më i ulët, 114,1 vjet, por sidoqoftë, është një kohë shumë e gjatë, sipas “The Newsweek”.

Ky përfundim u arrit nga disa statistika në në Universitetin e Tilburgut dhe në Universitetin Erasmus të Roterdamit, të cilët studiuan të dhënat e 75 000 personave që kanë ndërruar jetë në Holandë gjatë 30 viteve të fundit.

Njëri prej tre shkencëtarëve që realizuan studimin, profesori John Einmahl, i cituar nga ”Medical Express”, cili se “mesatarisht, njerëzit po jetojnë më gjatë, por më të moshuarit ndër ne nuk janë bërë më të moshuar gjatë 30 viteve të fundit. Ka padyshim një mur këtu. Sigurisht, jetëgjatësia mesatare është rritur. Megjithatë, tavani maksimal nuk ka ndryshuar”.

Për ta bërë të qartë, kjo nuk ka të bëjë me jetëgjatësinë mesatare, por me “jetëgjatësinë maksimale”, e cila përcakton sa gjatë mund të jetojë një individ i vetëm nëse kujdeset për veten.

Këto zbulime përputhen me një studim të kryer në SHBA, ku u zbulua një kufi i ngjashëm, duke treguar se jetëgjatësia maksimale e njeriut “ndalet në të 90-at” dhe është e pamundur të kalojë 115 vjetët.

Këto shifra bien ndesh me rastin e gruas franceze Jeanne Louise Calmen, e cila jetoi për një kohë të pabesueshme, 122 vjet.

Ajo është ende mbajtësja e rekordit botëror si njeriu më jetëgjatë i njohur ndonjëherë, e lindur më 1875 dhe e ndarë nga jeta më 1997.

Nuk dihet nëse arritja e saj do të tejkalohet ndonjëherë, por Einmahl synon ta publikojë studimin e tij muajin e ardhshëm, i cili mund të zbulojë çelësin e një jete më të gjatë.

Gjithsesi, është mirë të dimë që grupi muzikor “Oasis“ ka gënjyer kur tha “You and I are gonna live forever”,  (”Ti dhe unë do të jetojmë përjetësisht”)./  /Ad.Ab./

 

The post FOKUS – Shkencëtarët zbulojnë jetëgjatësinë maksimale të njeriut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PEKIN – Kina e gatshme për dërgimin e trupave paqeruajtëse në Ukrainë

23 August 2025 at 17:08

PEKIN, 23 gusht /ATSH-ANSA/ – Kina do të ishte e gatshme të dërgonte trupa paqeruajtëse në Ukrainë sipas një mandati të OKB-së.

Kjo është ajo që raporton ”Welt am Sonntag” duke cituar burime diplomatike evropiane që mësuan informacionin nga zyrtarët e qeverisë kineze.

“Qeveria kineze do të ishte e përgatitur ta bënte këtë vetëm nëse trupat do të vendoseshin sipas një mandati të OKB-së”, theksuan burimet.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini kritikoi planet e presidentit francez, Emmanuel Macron të cilat parashikojnë ”ushtri evropiane, riarmatim evropian dhe borxhe të përbashkëta evropiane për të blerë raketa” për Ukrainën.

”Vish helmetën, xhaketën, pushkën dhe shko në Ukrainë”, mësohet t’i ketë thënë Salvini presidentit Macron duke komentuar propozimin e Francës për të dërguar trupa atje./ /os/

The post PEKIN – Kina e gatshme për dërgimin e trupave paqeruajtëse në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Dobrindt mbron politikën e rreptë për pranimin e afganëve

23 August 2025 at 17:08

BERLIN, 23 gusht / ATSH- DPA/ –  Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, hodhi sot poshtë thirrjet për të përshpejtuar aplikimet për azil nga afganët, pavarësisht kritikave nga komisioneri i qeverisë për të drejtat e njeriut.

“Nuk jam i gatshëm të heq dorë nga procedurat standarde të pranimit apo kontrollet e sigurisë”, tha Dobrindt.

Ai shtoi se qeveria, e cila mori detyrën në fillim të majit, nuk mund të pritej të zgjidhte probleme që ishin grumbulluar për vite, duke akuzuar qeverinë e mëparshme se ia kishte lënë atij këtë “barrë”.

Dobrindt u zotua të shqyrtonte aplikimet në mënyrë që të sigurohej saktësia maksimale mbi atë se kush po hynte në vend, nga vjen, për çfarë arsye dhe nëse kishte të drejtë për azil.

“Dhe nëse pranimi nuk është i justifikuar, nuk do ta mbështes këtë. Po e bëj me kujdes dhe kjo do të marrë kohë”, shtoi ai duke sinjalizuar se procesi do të zgjasë me muaj.

Ndërkohë, komisioneri për të drejtat e njeriut, Lars Castellucci, u bëri thirrje ministrive të Brendshme dhe asaj të Jashtme të përshpejtojnë aplikimet e afganëve në Pakistan, të cilët shihen si veçanërisht të rrezikuar nga persekutimi i talebanëve.

Castellucci theksoi se koalicioni i kancelarit Friedrich Merz kishte rënë dakord për një politikë migrimi të rregullt dhe humanitare, por kontrollet lidhur me Afganistanin nuk po e plotësonin asnjërin nga këto kritere.  /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Dobrindt mbron politikën e rreptë për pranimin e afganëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IMT: Mbi 53 mijë m² sipërfaqe publike e liruar në Tiranë

23 August 2025 at 16:54

TIRANË, 23 gusht  /ATSH/ Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Tiranë ka bërë një bilanc të punës së kryer për lirimin e hapësirave publike.

Deri tani janë liruar 53 031 m² hapësira publike të zaptuara vetëm në kryeqytet.

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit bën me dije se gjatë kësaj periudhe janë bërë 1 408 çmontime, 1 167 prej të cilave janë kryer vullnetarisht nga bizneset, ndërsa 241 me ekzekutime vendimesh.

Kryeministri Edi Rama është shprehur  se, lirimi i hapësirave publike nuk është aksion, po faza e parë e një transformimi të ri.

Lirimi i hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin prej muajit korrik.

Në këtë kuadër, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Lirimi i hapësirave publike ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/gj.m/

The post IMT: Mbi 53 mijë m² sipërfaqe publike e liruar në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Shkarkohet shefi i Shërbimit Sekret Ushtarak

23 August 2025 at 16:31

UASHINGTON, 23 gusht /ATSH-AFP/ – Një zyrtar i lartë amerikan njoftoi shkarkimin e kreut të Shërbimit Sekret Ushtarak (DIA), pas shkarkimit të disa oficerëve të lartë në muajt e fundit.
Shkarkimi i gjenerallejtnant Jeffrey Kruse, i cili kishte mbajtur këtë pozicion që nga fillimi i vitit 2024, vjen menjëherë pasi departamenti i tij vlerësoi se sulmet amerikane ndaj Iranit në qershor e kishin kthyer programin bërthamor të Teheranit disa vite prapa.

Ky raport, i cili është raportuar gjerësisht në shtyp, ndryshon ndjeshëm nga pohimet e presidentit Donald Trump se sulmet në fjalë shkatërruan plotësisht vendet bërthamore të synuara.

Kjo mospërputhje thuhet se e zemëroi udhëheqësin republikan.

“Jeffrey Kruse nuk do të shërbejë më si drejtor i DIA-s”, tha zyrtari i lartë ushtarak, duke folur në kushte anonimiteti.
Ai nuk dha një arsye për shkarkimin.

Që kur u kthye në pushtet, udhëheqësi republikan ka kryesuar shkarkimin e shumë zyrtarëve të lartë të Pentagonit.

Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, një besnik i Donald Trump, mbron të drejtën e presidentit për të zgjedhur udhëheqjen e ushtrisë sipas gjykimit të tij, por ligjvënësit demokratë kanë shprehur shqetësim për politizimin e mundshëm të saj. / /Ad.Ab./

The post SHBA – Shkarkohet shefi i Shërbimit Sekret Ushtarak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shpallen 3 projektet fitues për filma me metrazh të gjatë në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë

TIRANË, 23 gusht /ATSH/ Në një aktivitet të zhvilluar pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK), janë shpallur tre projektet fituese që do të realizohen si filma artistikë me metrazh të gjatë, në kuadër të mbështetjes së QKK-së për kinematografinë kombëtare dhe bashkëprodhimet ndërkombëtare.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, tha se “këto projekte të reja përfaqësojnë zëra të ndryshëm krijues dhe sjellin histori me potencial të lartë artistik dhe kulturor për ekranin shqiptar dhe ndërkombëtar”. Filmat fitues janë: “Diell i Ftohtë”, Produksioni: Artalb Film Productions, Regji & Skenar: Gentian Koçi, Producent: Blerina Hankollari. Filmi i dytë “E Bardhë… E Kuqe” me produksion ARTFILM P&D, Regji & Skenar: Pluton Vasi, Producent: Vjollca Dedei. Filmi i tretë fiturs u shpall, “Revoltë në Ferr” me produksion Mediavision, Regji: Namik Ajazi dhe skenar Visar Zhiti dhe producent Namik Ajazi.

Ministri Gonxhja, përgëzoi ekipet fituese dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së talenteve vendase, duke nxitur zhvillimin e industrisë së filmit dhe promovimin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare të kinemasë.

Projektet pritet të marrin jetë së shpejti dhe të sjellin në jetë histori që pasqyrojnë realitete, emocione dhe sfida të reja.

The post Shpallen 3 projektet fitues për filma me metrazh të gjatë në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Ukraina shënon Ditën e Flamurit, ndërsa rusët pretendojnë përparime në lindje

23 August 2025 at 15:45

KIEV, 23 gusht /ATSH-DPA/ – Ukraina shënoi sot Ditën e Flamurit Kombëtar, me një ceremoni në të cilën mori pjesë presidenti Volodymyr Zelensky në Kiev.

“Ky flamur mishëron një ndjenjë çlirimi për ata që i kthejmë nga robëria ruse”, tha Zelensky në një postim në X.

“Kur shohin ngjyrat e Ukrainës, e kuptojnë: e keqja ka mbaruar”, theksoi ai.

”Flamuri blu dhe i verdhë përfaqësonte gjithashtu një simbol shprese për ukrainasit që jetojnë në territorin e pushtuar nga rusët”, tha ai.

Të dielën, vendi i shkatërruar nga lufta do të festojë Ditën e Pavarësisë për të shënuar largimin nga Bashkimi Sovjetik 34 vjet më parë.

Dita shënon gjithashtu tre vjet e gjysmë që nga pushtimi i plotë rus në shkurt 2022.

Në Moskë, Ministria e Mbrojtjes raportoi se trupat ruse po vazhdonin përparimin e tyre në Ukrainën lindore, duke marrë fshatin Kleban-Byk në juglindje të Kostyantynivka, i cili po mbrohet nga trupat ukrainase.

Nëse raportet janë të sakta, trupat ukrainase në Shcherbynivka në jug do të jenë praktikisht të pafuqishme, pasi tërheqja e tyre është bllokuar nga një digë.

As vëzhguesit ushtarakë rusë dhe as ata ukrainas nuk konfirmuan në hartat e tyre se Kleban-Byk ishte marrë, dhe raporti i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës i referohej vetëm sulmeve ndaj Shcherbynivka.

Më parë, Shtabi i Përgjithshëm raportoi se një avion luftarak ukrainas MiG-29 ishte rrëzuar gjatë uljes pas një sulmi, duke vrarë pilotin.

”Shkaku i rrëzimit ishte ende duke u hetuar”, tha ai.

MiG-29, i cili daton që nga epoka sovjetike, formon bazën e forcës së vogël ajrore të Ukrainës, e cila ka marrë avionë të të njëjtit lloj nga Polonia dhe Sllovakia që nga pushtimi i plotë rus në shkurt 2022.

Forcat ajrore raportuan gjithashtu sulme nga 49 dronë rusë gjatë natës, 36 prej të cilëve ishin kapur.

U raportuan sulme në shtatë vende, dhe sirena bastisjeje ajrore u dëgjuan në Kiev gjatë mëngjesit.

Kryebashkiaku i Kievit Vitali Klitschko tha se mbrojtja ajrore ishte në veprim dhe se një dron ra në një rrugë./  a.jor.

The post KOMENT – Ukraina shënon Ditën e Flamurit, ndërsa rusët pretendojnë përparime në lindje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UGJSH: KLGJ të reagojë dhe mbajë qëndrim ndaj sulmeve që i’u bëhen gjyqtarëve

TIRANË, 23 gusht /ATSH/ Unioni i Gjyqtarëve ka reaguar lidhur me qendrimet e e kryeministrit Edi Rama drejtuar dy gjyqtarëve, Hazbi Balliu dhe Klarent Demiri, të cilët sipas kreut të qeverisë, me vendimet e tyre kanë cënuar interesin publik.

Unioni i gjyqtarëve në reagimin e tij, thekson se “ka ndjekur me vëmendje pakënaqësitë e shprehura publikisht nga ana e publikisht nga ana e Kryeministrit ndaj disa vendimeve gjyqësore, duke anatemuar personalisht gjyqtarët për vendimmarrjet dhe kthyer ushtrimin e detyrës kushtetuese në një gjyq publik, ku njëra nga palët ndërgjygjëse për shkak të fuqisë, hapësirës mediatike dhe virtuale, jo vetëm denigron figurën e gjyqtarëve individualë, por ushtron presion të hapur ndaj trupës gjyqësore në tërësi, duke përcjellë mesazhin te gjyqtarët se nëse vendimmarrja e tyre nuk do të pëlqehet, do të jenë objektivat e radhës”.

“UGJSH mirëpret dhe inkurajon çdo kritikë ndaj gjyqtarëve dhe punës së tyre, kur këto kritika janë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, të cilat kanë për qëllim t’i shërbejnë rritjes së besimit të publikut tek gjykatat, forcimit të pavarësisë së gjykatave, të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës”, theksohet në reagim, teksa dënohet

UGJSH thekson se “çdo palë që është e pakënaqur, ka të drejtën e ankimit në një gjykatë më të lartë, apo vendosë në lëvizje organet disiplinore për çdo shkelje të ligjit qe pretendon se ka kryer gjyqtari”.

“Republika e Shqipërisë është një republikë parlamentare, ku ndarja e pushteteve e sanksionuar qartësisht në Kushtetute, është një ndër shtyllat kryesore, mbi të cilat është ndërtuar dhe qëndron demokracia jonë parlamentare dhe zhvillohet shoqëria jonë. Në këtë kuadër kushtetues funksionon edhe sistemi gjyqësor dhe ushtrohet vendimmarrja nga gjykatat. Është ky kuadër kushtetues dhe ligjor, sipas të cilit janë përcaktuar saktë subjektet, koha dhe mënyrat e kontrollit të një vendimi gjyqësor, i cili kursesi nuk lejon përfaqësues të pushteteve të tjera të anatemojnë vendimet e gjykatave e aq me keq, të kërkojnë ndëshkimin e gjyqtarëve, kur nuk u pëlqejnë vendimet e tyre”, vijon regimi.

UGJSH kërkon që “Çdo veprim i kujtdo qoftë, që shmanget nga kuadri kushtetues dhe ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë, jo vetëm që nuk i shërben forcimit të shtetit ligjor, por përkundrazi, është një hap prapa për pavarësinë e pushtetit gjyqësor, forcimin e shtetit të së drejtës dhe minon besimin e publikut te drejtësia”.

UGJSH dëshiron të theksojë angazhimin maksimal kundër çdo fenomeni antiligjor të vërejtur në punën e përditshme të gjykatave, sikurse dhe angazhimin e plotë në mbrojtje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë së gjykatave, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve dhe forcimit të sundimit të ligjit në vend.

Së fundmi, UGJSH i bën thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor si qeveri e gjyqësorit dhe organi i ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligji për të garantuar pavarësinë dhe integritetin e gjyqtarëve, që të reagojë dhe mbajë qëndrim ndaj sulmeve që i’u bëhen gjyqtarëve për shkak të detyrës, pavarësisht se nga vijnë ato.

/a.f/

The post UGJSH: KLGJ të reagojë dhe mbajë qëndrim ndaj sulmeve që i’u bëhen gjyqtarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Një pilot vdes, pas rrëzimit të një avioni ushtarak ”MiG-29”

23 August 2025 at 15:11

KIEV, 23 gusht  /ATSH-DPA/ – Një avion luftarak ukrainas tip “MiG-29” u rrëzua gjatë uljes pas një fluturimi, duke shkaktuar vdekjen e pilotit, njoftoi sot  Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës.

Shkaku i aksidentit ende po hetohet.

“MiG-29”, i cili daton që nga koha sovjetike, përbën bazën e forcës ajrore të vogël të Ukrainës, e cila ka marrë avionë të së njëjtit lloj nga Polonia dhe Sllovakia që prej fillimit të pushtimit të plotë rus në shkurt 2022.

Forca ajrore raportoi gjithashtu për sulme me 49 dronë rusë gjatë natës, prej të cilëve 36 u rrëzuan. U raportuan goditje në shtatë zona, ndërsa në mëngjes ranë sirenat e alarmit në Kiev.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se mbrojtja ajrore ishte në veprim dhe se një dron kishte rënë mbi një rrugë. /Ad.Ab./

The post UKRAINË – Një pilot vdes, pas rrëzimit të një avioni ushtarak ”MiG-29” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndalimi i vizitave për Thaçin në Hagë vlerësohet si shkelje e Konventës Evropiane

23 August 2025 at 15:01

PRISHTINË, 23 gusht/ATSH/Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, për t’iu ndaluar njëmbëdhjetë personave vizitat te ish-presidenti ,Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim, po cilësohet si shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe si një vendim i palogjikshëm.

Më 18 gusht 2025, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot mori këtë vendim i cili parashikonte ndalimin e vizitave për njëmbëdhjetë persona, mes tyre Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati dhe katër të tjerë me emra të redaktuar.

Kufizimi i vizitave për Thaçin erdhi pas kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e cila kishte kërkuar që ndalimi të vlente edhe për tre vëllezërit e Thaçit, por gjykata e refuzoi këtë kërkesë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kontaktit familjar, sidomos pas vdekjes së babait të tij.

Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini vlerëson se ky vendim i Speciales karshi ish-presidentit, Thaçi është shkelje e nenit 8 të Konventës Evropiane, i cili i garanton secilit njeri të drejtën për jetë private dhe familjare.

Për bindjen e tij, kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga trupi gjykues është dashur të refuzohet në tërësi ngase nuk e plotëson testin e propercionalitetit.

Kërkesa e ZPS-së në pikën aktuale të gjykimit kur në shtator pritet të nis dëgjimi i dëshmitarëve nga ana e mbrojtjes po konsiderohet e palogjikshme.

Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala për KosovaPress, se Gjykata Speciale thuajse të gjitha kërkesat e ZPS-së i ka aprovuar, por jo edhe të mbrojtjes së të akuzuarve.

Ndalimi i njëmbëdhjetë personave për ta vizituar ish-presidentin, Haxhim Thaçi në Hagë është i papranueshëm edhe për bashkëluftëtarët e tij.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati tha se është për keqardhje sjellja e Gjykatës Speciale karshi Thaçit.

Gjatë kësaj jave, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, nuk ia lejuan ish-presidentit, Hashim Thaçit që ta apelojë vendimin për ndalimin e njëmbëdhjetë personave që ta vizitojnë atë në Hagë.

Në Qendrën e Paraburgimit në Hagë njëri nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi ndodhet që nga nëntori i vitit 2020.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Në qytetin holandez më 15 shtator 2025, pritet të nis paraqitja e provave nga ana e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

/Kosovapress/

The post Ndalimi i vizitave për Thaçin në Hagë vlerësohet si shkelje e Konventës Evropiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Një ditë me bariun” – Udhëtim i veçantë turistik në zemër të Kolonjës

TIRANË, 23 gusht /ATSH/ Një eksperiencë autentike që ndërthur natyrën, traditën dhe mikpritjen shqiptare po merr jetë në Parkun Kombëtar Germenj–Shelegur. “Një ditë me bariun” është një projekt fitues i platformës TIP Korça, i mbështetur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me GIZ, që sjell një model të ri të turizmit rural të qëndrueshëm.

Ky aktivitet i veçantë fton vizitorët të përjetojnë nga afër jetën e përditshme të barinjve të Kolonjës nga shtegtimi i bagëtive dhe shëtitjet me kuaj, te gatimet tradicionale dhe netët magjike nën yje, pranë zjarrit.

Përmes kësaj nisme, promovohet transhumanca, një traditë shekullore e zonës, duke krijuar mundësi të reja ekonomike për komunitetin lokal dhe duke ruajtur trashëgiminë kulturore. Këto aktivitete tashmë janë kthyer në pjesë të paketave turistike që i japin një zhvillim dhe nxitje turizmit rural .

/a.f/

The post “Një ditë me bariun” – Udhëtim i veçantë turistik në zemër të Kolonjës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Dislokimi i trupave amerikane në bregdetin venezuelian presion dhe retorikë

23 August 2025 at 14:41

UASHINGTON, 23 gusht /ATSH-AFP/ – Dislokimi i trupave amerikane në Karaibe, veçanërisht tri anije luftarake në bregdetin e Venezuelës, po nxit retorikën luftarake dhe hamendjet për ndërhyrje tokësore, duke pasur parasysh se të dy vendet kanë pasur  marrëdhënie konfliktuale për vite me radhë.

– Cilat janë qëndrimet zyrtare?

Zyrtarisht, ky dislokim ushtarak synon të frenojë trafikun e drogës dhe mbërritjen e drogës në Shtetet e Bashkuara.

Tre destrojerë do të pozicionohen në brigjet e Venezuelës, në ujërat ndërkombëtare.

Sipas raporteve të medias amerikane, presidenti Donald Trump gjithashtu planifikon të dërgojë 4 000 marinsa.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se ”Trump ishte i përgatitur të përdorte çdo element të fuqisë amerikane për të parandaluar që droga të përmbytë vendin tonë dhe për t’i sjellë ata që janë përgjegjës para drejtësisë.

“Qeveria Maduro nuk është qeveria legjitime e Venezuelës; është një kartel narko-terrorist”, shtoi ajo duke vënë në dukje se presidenti i Venezuelës ishte “nën akuzë në Shtetet e Bashkuara”.

Nga ana e tyre, zyrtarët e lartë venezuelianë sigurojnë unanimisht se vendi do të mbrohet kundër “agresorit”.

Maduro ka folur për një luftë “Davidi kundër Goliathit” dhe ka aktivizuar “një plan të posaçëm me më shumë se 4,5 milionë anëtarë të milicisë”.

“Ajo që ata po kërcënojnë të bëjnë kundër Venezuelës – ndryshimi i regjimit, një sulm terrorist ushtarak – është imorale, kriminale dhe e paligjshme”, tha dje Maduro në Asamblenë Kombëtare.

– Çfarë mendon publiku? 

I publikuar shumë nga qeveria, dislokimi amerikan është një temë bisede në Venezuelë, pa shkaktuar blerje paniku në tregje.

“Teorikisht, nëse (amerikanët) mbërrijnë këtë mëngjes në La Guaira (plazhi i Karakasit), ata do të bëjnë fotografi me venezuelasit, do të pinë një birrë”, qesh Wendy Ramirez, 35 vjeç.

Mbështetësit e Maduros, nga ana e tyre, thonë se janë të sigurt se Shtetet e Bashkuara “gjithmonë duan të shtypin të tjerët. Mjaft më. Forcat e Armatosura Kombëtare Bolivariane janë gati. Është një gjigant, por ka edhe gjigantë me ne: rusët, kinezët”, thotë Gloria Hernandez, një pensioniste 70-vjeçare.

– A është e mundur një ndërhyrje?

Dislokimi amerikan vjen disa ditë pasi Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi njoftoi dyfishimin në 50 milionë dollarë të shpërblimit për informacionin që çon në kapjen e Maduros.

“Analogjitë janë të pashmangshme. Kujtojmë imazhet e Noriegës (ish-kreu i shtetit panamez) duke sfiduar Shtetet e Bashkuara apo Irakun në vitin 2003, Siria tani…”, kujton Edward Rodriguez, një analist politik që ka punuar për opozitën.

Megjithatë, ai dyshon në efektivitetin e imazheve të mobilizimit të milicisë.

“Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Maduro nuk mori as 4,5 milionë vota. Si mund të ketë 4,5 milionë militantë?”, pyet ai.

Opozita, e cila ankohet për mashtrim, pretendon fitoren në zgjedhjet presidenciale.

Uashingtoni, si pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, nuk e ka njohur rizgjedhjen e Maduros.

Mariano de Alba, një specialist i gjeopolitikës me seli në Londër, e konsideron një ndërhyrje të SHBA-së “të pamundur”.

“Kjo nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara kanë vendosur forcën e tyre ushtarake në Karaibe”, tha ai.

Një ndërhyrje e SHBA-së do ta “ndërlikonte” përpjekjen e saj për të “përfunduar luftën në Ukrainë”, pasi do të forconte pozicionin e Putinit, aleatit të Karakasit, në negociata, beson ai.

– Deklarata të forta, por për kë?

Sipas De Albas, Maduro po nxjerr “përfitim politik nga situata”.

Presidenti rregullisht e justifikon krizën ekonomike në vendin e tij me luftën ekonomike të zhvilluar kundër tij nga “perandoria”, dhe këtu ai tregon se “qeveria e tij është në fakt nën rrethim”.

Gjeopolitikani ka frikë se situata mund të përdoret për të forcuar më tej sigurinë, duke rritur mundësinë e “spastrimit” dhe arrestimeve të “kundërshtarëve”.

De Alba thekson se “nëse administrata Trump do të kishte dashur vërtet të sillte ndryshimin e regjimit”, do të kishte preferuar një veprim “surprizë”, duke kujtuar se “i dha ‘Chevron-it’ një licencë të re (për të shfrytëzuar naftën pavarësisht embargos)”.

Për të dy ekspertët, administrata amerikane po kërkon të krijojë “momentum” për të ringjallur opozitën, e cila është në apati, një vit pas zgjedhjeve presidenciale.

“Gjëja më e rëndësishme është që çështja e Venezuelës është rikthyer në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë”, tha Rodriguez./  a.jor.

The post KOMENT – Dislokimi i trupave amerikane në bregdetin venezuelian presion dhe retorikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VARSHAVË – Polakët kundër pjesëmarrjes në forcat paqeruajtëse në Ukrainë

23 August 2025 at 14:10

VARSHAVË, 23 gusht /ATSH–DPA/ – Shumica  e polakëve janë kundër pjesëmarrjes në një forcë shumëkombëshe paqeruajtëse në Ukrainë, sipas një sondazhi të kryer nga agjencia e sondazheve “SW Research”, i publikuar sot.

Sondazhi, i porositur nga gazeta “Rzeczpospolita”, tregoi se 61,1% ishin kundër, 17,3% pro dhe 21,6% të pasigurt për një vendosje të mundshme trupash.

Anketimi  u zhvillua me 800 të anketuar të martën dhe të mërkurën.

Në Evropë ka muaj që zhvillohet një debat për një mundësi vendosjeje të forcave paqeruajtëse në rast të një armëpushimi në Ukrainë.

Në shkurt, kryeministri polak Donald Tusk përjashtoi përfshirjen e drejtpërdrejtë ushtarake, por ofroi mbështetje logjistike dhe politike.

Polonia ndan një kufi mbi 500 kilometra me Ukrainën.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), në korrik Polonia po strehonte rreth një milion refugjatë ukrainas, duke u renditur e dyta pas Gjermanisë me 1,2 milionë./  /Ad.Ab./

The post VARSHAVË – Polakët kundër pjesëmarrjes në forcat paqeruajtëse në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike në Durrës, Rama: Vazhdojmë

23 August 2025 at 14:07

TIRANË, 23 gusht /ATSH/ Në të gjithë vendin vazhdon puna për lirimin e hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret që janë për kalimin e këmbësorëve apo dhe ambientet që u shërbejnë komunitetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në Durrës, nga subjektet që kishin zaptuar pa leje hapësirën publike.

“Durrës, vazhdojmë”, shkruan Rama, krahas pamjeve.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Në këtë kuadër, kryeministri Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Puna ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet dhe vjen në kuadër të programit “Rilimdja Urbane 2.0”

/m.m//a.f/

The post Lirimi i hapësirave publike në Durrës, Rama: Vazhdojmë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Pirja e pamjaftueshme e ujit shkakton reagim më të fortë ndaj stresit

23 August 2025 at 13:55

LONDËR, 23 gusht /ATSH-AA/ – Një studim ka zbuluar se njerëzit që nuk pinë mjaftueshëm ujë çdo ditë mund të përjetojnë një reagim më të fortë biologjik ndaj stresit, raportoi transmetuesi irlandez RTE.

Studiuesit në Universitetin John Moores të Liverpoolit zbuluan se individët me konsum të ulët të lëngjeve çdo ditë lëshojnë nivele më të larta të kortizolit, hormonit kryesor të stresit në trup, kur i nënshtrohen situatave stresuese.

Studimi, i botuar në “Journal of Applied Physiology”, krahasoi dy grupe me nga 16 të rritur secili.

Një grup pinte zakonisht më pak se 1,5 litra ujë në ditë, ndërsa tjetri përmbushte udhëzimet e Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore prej rreth 2,5 litra për burrat dhe 2 litra për gratë.

Nivelet e hidratimit të pjesëmarrësve u gjurmuan gjatë një jave para se të merrnin pjesë në një test stresi që përfshinte një intervistë surprizë pune dhe një sfidë aritmetike mendore para një paneli.

Mostrat e pështymës të mbledhura para dhe pas testit treguan se nivelet e kortizolit u rritën ndjeshëm tek ata me konsum më të ulët të lëngjeve.

“Njerëzit që kanë një konsum të ulët ditor të lëngjeve, të cilët nuk i përmbushin rekomandimet, ka të ngjarë të jenë të hidratuar dobët”, tha Neil Walsh nga Shkolla e Shkencave të Sportit dhe Ushtrimeve të Universitetit.

“Por ajo që nuk dinim ishte nëse, kur i stresoni këta njerëz në kushte të kontrolluara, ata do të kenë një reagim më të madhe ndaj hormoneve të stresit. Nëse e dini që keni një afat të afërt ose një fjalim për të mbajtur, mbajtja e një shisheje uji afër mund të jetë një zakon i mirë me përfitime të mundshme për shëndetin tuaj afatgjatë”, shtoi Walsh./  /os/

The post FOKUS – Pirja e pamjaftueshme e ujit shkakton reagim më të fortë ndaj stresit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌