Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 July 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

Arkeologët dhe studiuesit austriakë vizituan Tumën e Kamenicës

14 July 2025 at 11:56

TIRANË, 14 korrik//ATSH/ Tuma e Kamenicës u vizitua nga 25 arkeologë, filologë dhe studiues të ndryshëm austriakë të cilët treguan interes të veçantë për këtë monument të rëndësishëm të trashëgimisë shqiptare.

Vizita u shoqërua me diskutime mbi vlerat arkeologjike dhe mënyrat e interpretimit të të dhënave të zbuluara gjatë gërmimeve në këtë sit unik, i cili gjendet rreth 15 km larg Korçës dhe konsiderohet si një ndër sitet arkeologjike më të rëndësishme në Ballkan.

Në këtë vendvarrim prehistorik janë evidentuar varre, skelete kockore, objekte arkeologjike si qeramikë, armë, stoli prej bronxi, hekuri, argjendi, ari, qelibari dhe kocke.

Kjo tumë është më e madhja e gjetur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Varret më të hershëm të saj i përkasin periudhës së bronzit të vonë rreth shek XII p.e.s.

Kjo tumë ka pushuar së funksionuari rreth mesit të shek VI p.es, pra ka një histori gati 700- vjeçare. /j.p/

The post Arkeologët dhe studiuesit austriakë vizituan Tumën e Kamenicës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Udhërrëfyesi për jurisprudencën e Kushtetueses, Gonzato: Qytetarët duhet ta kuptojnë e të kenë besim tek Drejtësia

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Gjykata Kushtetuese organizoi sot aktivitetin për prezantimin e Udhërrëfyesit (Guidës) së Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë – Vëllimi II”.

Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në fjalën e tij në këtë aktivitet deklaroi se, drejtësia e dhënë nga gjykatat do të jetë një kontribut i çmuar në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Gonzato theksoi se është me rëndësi që drejtësia të jetë e dukshme dhe e prekshme për qytetarët.

“Sot nuk është rasti për të rishikuar përparësitë e Reformës në Drejtësi. Megjithatë, dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi për të theksuar vlerën e dialogut. Këto elemente janë kyçe që vendimet e formës së prerë të përmbushin standardet e larta të vendosura nga Gjykata Kushtetuese. Ky është një proces i vazhdueshëm”, tha ai.

Drejtësia, shtoi ambasadori Gonzato, “jo vetëm duhet të jepet, por edhe duhet të duket që po jepet”.

Gonzato nënvizoi faktin se duhet dialog e transparencë e vazhdueshme ndërmjet institucioneve të drejtësisë.

“Vendimet e formës së prerë duhet të përmbushin standardet dhe të rrisin besimin, duke ndërtuar ura mes gjykatave dhe një gjuhë të përbashkët për këto institucione. Drejtësia jo vetëm duhet të jepet, por qytetarët duhet ta shohin, ta kuptojnë e të kenë besim”, tha Gonzato.

Vetëm kështu, theksoi ai, “anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të shihet si një mundësi transformuese”.

Gonzato gjithashtu theksoi se, “Gjykata Kushtetuese ka krijuar një trupë të pasur dhe komplekse jurisprudence që ka mbrojtur të drejtat themelore dhe ka kontribuar në reformën në drejtësi”.

“Për ta kuptuar, këto sfida me të cilat përballen profesionistët nuk kanë të bëjnë vetëm me kuptimin e përmbajtjes së vendimeve, por interpretimin e tyre në kohë dhe zbatimin praktik”, tha ai.

Prandaj, shtoi Gonzato, “vlen ky udhërrëfyes sepse përfaqëson një përgjigje të fortë ndaj këtyre sfidave. Ky udhërrëfyes ofron një bazë praktike njohurish për të nxënit e vazhdueshëm gjyqësor”.

/gj.m/j.p/

 

The post Udhërrëfyesi për jurisprudencën e Kushtetueses, Gonzato: Qytetarët duhet ta kuptojnë e të kenë besim tek Drejtësia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Macron: Liria e Evropës po përballet me sfidat më të mëdha që nga LIIB

14 July 2025 at 11:50

PARIS, 14 korrik  /ATSH/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron ka paraqitur planet për një rritje të madhe të shpenzimeve për mbrojtjen, duke paralajmëruar se liria e Evropës po përballet me një “kërcënim më të madh” se kurrë më parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, sipas BBC.

Në një fjalim drejtuar forcave të armatosura në Paris, ai tha se “po jetojmë në një moment vendimtar” për shkak të gjendjes komplekse gjeopolitike.

Macron kërkoi që shpenzimet për mbrojtjen e Francës të rriten me 3,5 miliardë euro vitin e ardhshëm dhe më pas edhe me 3,0 miliardë euro të tjera në vitin 2027.

Duke iu referuar kërcënimit nga Rusia, ai dënoi “politikat imperialiste” dhe “fuqitë që aneksojnë territore”.

Macron premtoi të dyfishojë buxhetin ushtarak të Francës deri në vitin 2027, tre vjet më herët nga sa ishte planifikuar fillimisht.

Në vitin 2017, buxheti i mbrojtjes ishte 32 miliardë euro dhe sipas planeve do të arrijë në 64 miliardë euro për dy vjet.

Këto propozime duhet ende të miratohen nga qeveria franceze.

“Që të jesh i lirë në këtë botë, duhet të jesh i frikshëm. Që të jesh i frikshëm, duhet të jesh i fuqishëm”, tha ai në fjalim, i cili u mbajt në prag të Ditës së Bastijës.

Macron tha se bota po përjeton rikthimin e fuqisë bërthamore dhe “përhapjen e konflikteve të mëdha”.

Ai përmendi gjithashtu bombardimin amerikan të Iranit, luftimet mes Indisë dhe Pakistanit dhe atë që e quajti “luhatjet e mbështetjes amerikane për Ukrainën”.

Muajin e kaluar, vendet anëtare të NATO-s ranë dakord të angazhohen që të shpenzojnë 5% të PBB-së çdo vit për mbrojtje, nga objektivi i mëparshëm prej 2%./  /Ad.Ab./

The post FRANCË – Macron: Liria e Evropës po përballet me sfidat më të mëdha që nga LIIB appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

80-vjetori i Statutit të Komunitetit Bektashi

14 July 2025 at 11:43

TIRANË, 14 korrik//ATSH/ Më 14 korrik të vitit 1945 u aprovua Statuti i Komunitetit Bektashi, pak kohë pas mbajtjes së Kongresit të 4-të në Tiranë, ku u hodh për herë të parë ideja e zgjatimit të këtyre mbledhjeve në një rang ndërkombëtar.

Statuti i miratuar përfshinte rregulla mbi strukturën hierarkike të kryesuar nga Këshilli i Përgjithshëm, mbi përbërjen e klerit si dhe të ardhurat e shpenzimet. Fillesat e organizimit të Komunitetit Bektashi u shënuan më 26 shtator 1929 me mbajtjen e Kongresit të Parë të Bektashinjve, në Teqenë e Turanit, në Korçë, e cila do të bëhej Qendra e Parë Botërore e Përkohshme e Bektashizmit në Shqipëri.

Pas këtyre zhvillimeve, me vendim të mbretit Zog, në gusht të vitit 1930, Selia e Shenjtë Botërore e Bektashinjve u përcaktua në Tiranë. Më 16 prill 1950, në kryeqytet do të mbahej Kongresi i Pestë Kombëtar, i fundit në radhë, i zhvilluar gjatë regjimit diktatorial 45-vjeçar. Pas rënies së regjimit, kongresi do të rimbahej në korrik 1993. /j.p/

The post 80-vjetori i Statutit të Komunitetit Bektashi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Këshillimi i karrierës, Manastirliu: Mbi 16 mijë prindër të informuar për prirjet e fëmijëve

 

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Një vit pas vendosjes së rolit të ri të mësuesit koordinator të orientimit të karrierës në shkollat e arsimit parauniversitar, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me mësuesit koordinatorë, ku u ndanë përvoja, u vlerësuan arritjet dhe u diskutuan hapat e mëtejshëm për fuqizimin e këtij funksioni kyç.

Në fjalën e saj, ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes shkollës, familjes dhe aktorëve të tjerë për t’i orientuar fëmijët drejt zgjedhjeve të informuara për të ardhmen.

“Klasa është njësia bazë e shkollës, shkolla është njësia bazë e sistemit tonë arsimor dhe është e rëndësishme që politikat që orientohen nga lart, pra nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, bazuar në nevojat kombëtare dhe ato globale që sot janë për sa i përket tregut global të punës, por edhe përgatitjes së brezave të rinj për profesionet e së ardhmes, të mundet që të ndërthuren me atë që ne e kemi kaq shumë të vlefshme me identifikimin e prirjeve të talenteve të fëmijëve tanë, me promovimin e prirjeve dhe të talenteve të fëmijëve tanë. Ndaj kemi përfshirë për të parën herë rolin e mësuesit i cili koordinon të gjithë instrumentet dhe paketën e mbështetjes për orientimin e karrierës në shkollë”, theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu bëri të ditur se këtë vit, përmes sistemit SMIP, janë dërguar mbi 16 mijë letra informuese për prindërit, në lidhje me prirjet dhe arritjet e fëmijëve, si pjesë e një procesi gjithëpërfshirës të orientimit në karrierë.

“Ne kemi mbi 300 mësues të cilët orientojnë nxënësit për të ardhmen në arsimin e lartë, në arsimin profesional apo tregun e punës, të kenë edhe më shumë mekanizma për të forcuar rolin e tyre dhe për të ndikuar në zgjedhjet inteligjente të nxënësve në bashkëpunim me prindërit. Roli juaj është një rol thelbësor dhe i rëndësishëm për identifikimin e prirjeve dhe talenteve të nxënësve tanë, që jo vetëm nis që në një moshë të hershme, por fillon dhe konsolidohet duke nisur që nga klasa e 6-të kur nxënësit janë nga mosha 11-12 vjeç”, theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu tha se “identifikimi i prirjeve dhe talenteve fillon me takimet në grup, me vizitat në institucione, me vizitat në biznese, me vetë profesionistët që vijnë në shkollë dhe flasin. Këtë vit, me përfundimin e vitit shkollor, janë më shumë se 16 mijë letra informuese që u kanë vajtur prindërve përmes sistemit SMIP nga mësuesit koordinatorë për orientimin e karrierës, mësuesit kujdestarë, të cilët kanë informuar prindërit për nxënësit, për prirjet e tyre, për talentet e shfaqura, për arritjet e tyre. Nëse ne duam një gjeneratë të përgatitur që i përgjigjet sfidave të shekullit 21, na duhet që në këtë mision për arsimin, mësuesit koordinatorë të orientimit të karrierës të marrin një rol edhe më të fuqishëm”.

Sipas të dhënave të këtij viti, është regjistruar një rritje prej 10% e interesit të nxënësve për arsimin profesional, duke dëshmuar efektivitetin e këtij roli të ri në sistemin arsimor.

Takimi shërbeu gjithashtu si një platformë reflektimi mbi sfidat dhe si një nxitje për mbështetje të mëtejshme për mësuesit koordinatorë, si hallka kyçe për ndërtimin e një sistemi arsimor të orientuar drejt së ardhmes.

/k.s/j.p/

The post Këshillimi i karrierës, Manastirliu: Mbi 16 mijë prindër të informuar për prirjet e fëmijëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndezi zjarr me pasojë djegien e qindra pemëve të ullirit, arrestohet 41-vjeçari në Rrogozhinë

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Një shtetas 41-vjeçar nga Rrogozhina u arrestua nga Policia, pasi ndezi zjarr dhe për pasojë u dogjën qindra pemë ulliri, pemë frutore dhe 10 ha bimësi, si dhe u rrezikuan banesat përreth.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit se në lagjen e Shimve, bashkia Rrogozhinë, kishte rënë zjarr dhe ishte përhapur në një sipërfaqe të madhe, menjëherë kanë shkuar në zonën ku kishte rënë zjarri dhe vijuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, pas disa minutash, është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i mjedisit pyjor”, i autorit të dyshuar, shtetasit I. R., 41 vjeç, banues në Rrogozhinë.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas ka qenë duke punuar në oborrin e një banese dhe ka ndezur zjarr aty, për djegien e mbeturinave. Si pasojë e erës së fortë, zjarri është përhapur shpejt duke djegur një sipërfaqe toke me bimësi rreth 10 ha, qindra pemë ulliri dhe pemë frutore, si dhe ka vënë në rrezik serioz përfshirjen nga flakët, të banesave përreth.
Ndërkohë, shërbimet zjarrfikëse, me ndihmën e shërbimeve të Policisë, pas disa orësh, bënë të mundur fikjen e zjarrit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të mos shkaktojnë zjarr në asnjë rast, pasi do të përballen me ligjin.
/k.s/j.p/

The post Ndezi zjarr me pasojë djegien e qindra pemëve të ullirit, arrestohet 41-vjeçari në Rrogozhinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manja: Udhërrëfyesi i Gjykatës Kushtetuese, hap domethënës për përmirësimin e kulturës juridike

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Gjykata Kushtetuese organizoi sot aktivitetin për prezantimin e Udhërrëfyesit (Guidës) së Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë – Vëllimi II”.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në fjalën e tij deklaroi se, “publikimi i këtij vëllimi të ri është një hap domethënës për përmirësimin e kulturës juridike në vend”.

“Ai ofron një pasqyrë të qartë dhe të sistemuar të praktikës kushtetuese, duke shërbyer si një mjet i vyer jo vetëm për juristët, akademikët dhe studentët, por edhe për çdo qytetar që dëshiron të njohë më mirë të drejtat dhe liritë e tij”, tha Manja.

Kjo, theksoi Manja, “është dëshmi e përkushtimit institucional për transparencë, edukim juridik dhe forcim të besimit të publikut te drejtësia. Duke e bërë jurisprudencën më të aksesueshme dhe të kuptueshme, ne kontribuojmë drejtpërdrejt në krijimin e një kulture të respektit ndaj Kushtetutës dhe të drejtave themelore të njeriut”.

Në një shtet demokratik, shtoi ministri, “Gjykata Kushtetuese është garant i rendit juridik dhe i parimeve mbi të cilat ngrihet Republika. Përmes vendimmarrjes së saj, ajo mbron ekuilibrin mes pushteteve, siguron kufizimin e ndërhyrjeve arbitrare dhe mbron liritë dhe të drejtat themelore të individit”.

“Ky institucion nuk është thjesht një gjykatë që shqyrton çështje juridike – është mbrojtësi i kontratës sonë shoqërore, i themeleve të demokracisë sonë dhe i stabilitetit të shtetit”, nënvizoi Manja.

Manja theksoi se, Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës, i miratuar në fund të vitit të kaluar, përmban masa të qarta dhe ambicioze për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e transparencës.

Ai synon përmirësimin e sistemit të publikimit të vendimeve, zhvillimin e mjeteve të reja të informimit për publikun dhe profesionistët, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin efektiv të vendimeve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve dhe shkëmbimeve me gjykatat partnere në Evropë”, u shpreh Manja.

Këto masa, shtoi ai, “nuk janë qëllim në vetvete, por pjesë e një vizioni më të gjerë për të garantuar një drejtësi më të hapur, të përgjegjshme dhe të besueshme për qytetarët”.

Manja nënvizoi se, “për Shqipërinë, procesi i integrimit evropian nuk është thjesht një objektiv politik, por një reformë e thellë shoqërore dhe institucionale. Përafrimi me standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe të shtetit të së drejtës kërkon një sistem drejtësie që është i pavarur, i drejtë dhe efektiv”.

Në këtë proces, shtoi Manja, “Gjykata Kushtetuese ka një rol kyç: të sigurojë që çdo ndryshim ligjor apo institucional të respektojë Kushtetutën dhe vlerat themelore mbi të cilat mbështetet rendi ynë demokratik”.

Manja theksoi se, “Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të mbështesë me të gjitha mjetet institucionale këtë proces. Ne jemi të vendosur të punojmë ngushtësisht me Gjykatën Kushtetuese, me gjykatat e tjera, me shoqërinë civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për të garantuar zbatimin e reformave dhe ndërtimin e një drejtësie që i shërben vërtet qytetarit”.

Kjo, shtoi ai, “nuk është një punë që mund të bëhet vetëm. Kërkon bashkëpunim të ngushtë, mirëbesim dhe dialog të hapur ndërmjet të gjitha institucioneve”.

/gj.m/j.p/

The post Manja: Udhërrëfyesi i Gjykatës Kushtetuese, hap domethënës për përmirësimin e kulturës juridike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zaçaj: Kushtetutshmëria, pasaporta e vetme në rrugën e integrimit drejt Evropës së bashkuar

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Gjykata Kushtetuese organizoi sot aktivitin për prezantimin e Udhërrëfyesit (Guidës) së Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë – Vëllimi II”.

Kryetarja e Gjykata Kushtetuese, Holta Zaçaj në fjalën e saj u shpreh se, “udhërrëfyesi është shumë më tepër se një botim: është i pari i këtij lloji që organizon në mënyrë sistematike vendimet e Gjykatës, duke përfshirë gjithçka: nga parimet themelore kushtetuese, liritë dhe të drejtat e njeriut, organizmin, funksionimin dhe parimet mbi të cilat ushtrojnë veprimtarinë institucionet shtetërore, në këndvështrim të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke siguruar transparencë e akses në drejtësinë kushtetuese, si dhe duke ofruar një mjet të nevojshëm për të kuptuar evolucionin e saj në Shqipëri”.

“Ky udhërrëfyes është një dëshmi e gjallë e trashëgimisë së drejtësisë kushtetuese të Shqipërisë, e pasqyruar në vendimet kyçe të Gjykatës Kushtetuese. Shumë nga këto vendime janë shtyllat themelore të drejtësisë shqiptare, duke shënuar momente vendimtare në zhvillimin demokratik të vendit çka u jep atyre edhe një rëndësi historike. Ato pasqyrojnë sfidat e vazhdueshme të shoqërisë sonë dhe të reformave të ndërmarra, duke vënë në pah rolin e pazëvendësueshëm të Gjykatës Kushtetuese në mbrojtjen e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe vlerave njerëzore që janë sanksionuar në tekstin e Kushtetutës tonë”, theksoi ajo.

Për herë të parë, shtoi Zaçaj “jurisprudenca e plotë e Gjykatës Kushtetuese bëhet e aksesueshme në një format të strukturuar dhe gjithëpërfshirës, duke mundësuar një kuptim më të mirë dhe një përdorim praktik të parimeve e standardeve kushtetuese”.

Ajo theksoi se, ky dokument shërben si një burim i rëndësishëm reference për disa arsye.

“Për vetë Gjykatën Kushtetuese pasi udhërrëfyesi është konceptuar si një dokument pune, i cili ndihmon dhe lehtëson analizën dhe kërkimin shkencor, ashtu edhe shkrimin e arsyetimin ligjor.  Së dyti, për gjykatat e zakonshme – udhërrëfyesi ofron një pikë referimi të qartë në ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore, interpretimin tonë të dispozitave kyçe kushtetuese. Së treti, për prokurorët pasi për shkak të rolit kyç që kanë prokurorët në zbatimin e ligjit, së katërti, për avokatët dhe praktikantet e ligjit”, tha ajo.

Për institucionet ekzekutive, udhërrëfyesi ofron qartësi se si parimet kushtetuese duhet të udhëheqin vendimmarrjen ekzekutive, duke siguruar që politikat dhe veprimet e kësaj dege të pushtetit të reflektojnë angazhimin për sundimin e ligjit dhe të drejtat e qytetarëve.  Ndërkohë vuri në dukje ajo, për qytetarët dhe shoqërinë civile udhërrëfyesi bën të aksesueshme dhe të kuptueshme parimet kushtetuese duke u mundësuar qytetarëve të angazhohen më mirë për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Duke diskutuar për ndikimin e thellë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Zaçaj u shpreh se, “është e rëndësishme të theksojmë se këto vendime nuk janë thjesht me vlerë historike, ato vazhdojnë të formësojnë dhe pasurojnë peizazhin aktual ligjor përmes autoritetit të tyre precedencial”.

“Është po aq e rëndësishme të nënvizohet se autoriteti i këtyre vendimeve nuk është teorik. Përpjekjet për të kundërshtuar apo për të vënë në diskutim ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm minojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, por edhe destabilizojnë qeverisjen demokratike”, tha ajo.

Zaçaj shtoi se, “vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese, as opsionale për t`u zbatuar—ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet.

Dështimi në ekzekutimin e këtyre vendimeve vë në diskutim vetë Kushtetutën dhe kërcënon integritetin e sundimit të ligjit, i cili kërkon që të gjitha institucionet shtetërore, jo vetëm të respektojnë vendimet e Gjykatës por edhe të veprojnë në shina kushtetuese”.

Kjo, nënvizoi Zaçaj, “ vlen gjithashtu për të mbajtur në vëmendje se kur institucionet përfshirë edhe ato gjyqësore krijojnë konflikte kushtetuese apo veprojnë jashtë kuadrit kushtetues – kjo minon vet legjitimitetin e sistemit ligjor dhe gërryen besimin e publikut”.

Ndaj, shtoi ajo, “Kushtetutshmëria si mënyrë të qeni dhe të sjelluri është pasaporta jonë e vetme në rrugën e integrimit drejt Evropës së bashkuar”.

“Ne jetojmë në një moment historik jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë dhe na duhet të kujtojmë se vetëm demokracia, nuk mjafton.  Sundimi i shumicës, edhe kur është i ligjshëm, mund të çojë në ligje që kufizojnë ose shkelin të drejtat themelore. Prandaj, është e domosdoshme që demokracia të jetë kushtetuese, me kufij për pushtetet, respekt të sundimit të ligjit dhe një pushtet gjyqësor të pavarur. Vetëm kështu demokracia nuk është thjesht dhe vetëm një mekanizëm qeverisës por një kulturë lirie, përgjegjshmëria dhe llogaridhënieje”, theksoi Zaçaj.

Megjithatë, shtoi  ajo, “edhe vetë Kushtetuta, sado perfekte të jetë, nuk është e mjaftueshme. Është Gjykata Kushtetuese ajo që i jep kuptim, zbatim dhe mbrojtje asaj. Duke interpretuar vlerat mbi të cilat mbështeten dinjiteti njerëzor, barazia, liria dhe drejtësia, ajo siguron që parimet kushtetuese dhe të drejtat themelore të ruhen dhe te garantohen”.

Në këtë këndvështrim, Zaçaj theksoi se, mbetet një sfidë e vazhdueshme që drejtësia të jetë, jo vetëm e drejtë, por mbi të gjitha kushtetuese.

Udhërrëfyesi (Guida) e Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë – Vëllimi II” përmbledh standardet e mbajtura në vendimmarrjen e saj që prej vitit 1992 sa i takon parimeve të së drejtës, ndarjes së pushteteve si dhe të drejtave kushtetuese substanciale.

Si një instrument i rëndësishëm i cili do të shërbejë për një njohje edhe më të mirë të vendimmarrjes dhe drejtësisë kushtetuese, ky vëllim i ri ndjek dhe plotëson udhërrëfyesin e parë të Gjykatës të botuar në vitin 2024, i cili përmban jurisprudencën e periudhës 1998-2023 të Gjykatës me fokus ankimin individual kushtetues.

Vëllimi i dytë i Udhërrëfyesit, në pjesën a parë të tij përmbledh vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me parimet e përgjithshme të të drejtave dhe lirive themelore si dhe vendimmarrjen mbi të drejtat substanciale. Në pjesën e dytë ai paraqet standardet në jurisprudencën e Gjykatës mbi ndarjen e pushteteve si dhe mbi organizimin e funksionimin e organeve kushtetuese ku përfshihen institucionet si Presidenti, Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Avokati i Popullit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjykatat e prokuroria si dhe organet e qeverisjes vendore.

Të dy vëllimet e Udhërrëfyesit, përfaqësojnë një përpjekje të rëndësishme për të sistematizuar dhe bërë edhe më të aksesueshme jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, duke synuar rritjen e transparencës, konsistencës dhe forcimin e kulturës kushtetuese në vend, në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave e lirive të individit.

Botimi është rezultat i një pune të përbashkët të Gjykatës me ekspertë të shquar të së drejtës kushtetuese dhe mbështetet në një metodologji të qartë hulumtimi dhe sistematizimi.

Ky vëllim u realizua me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, si dhe me kontributin e Fondacionit Konrad Adenauer Stiftung. Ai është i disponueshëm në format botimi të shtypur si dhe në format elektronik të cilin e gjeni në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese paraqet udhërrëfyesin, foto: Florian Abazaj
1 nga 7
Gonzato gjatë paraqitjes së Udhërrëfyesit të Kushtetueses, foto: Florian Abazaj

/gj.m/j.p/

The post Zaçaj: Kushtetutshmëria, pasaporta e vetme në rrugën e integrimit drejt Evropës së bashkuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Në tetor, konferencë ndërkombëtare mbi Reformën në Drejtësi

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Gjykata Kushtetuese organizoi sot aktivitetin për prezantimin e Udhërrëfyesit (Guidës) së Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë – Vëllimi II”.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet deklaroi se, në tetor të këtij viti do të mbahet një Konferencë Ndërkombëtare me fokus Reformën në Drejtësi.

“Po ndaj me ju një lajm të rëndësishëm, në tetor 2025 në rastin e 7-vjetorit të Komisionit të Venecias dhe të 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, përvjetor i shënuar dje më 13 korrik, Kuvendi i Shqipërisë do të organizojë konferencë ndërkombëtare e cila do të fokusohet në Reformën në Drejtësi, Reformën Zgjedhore, dhe Drejtësinë Kushtetuese”, tha Spiropali.

Spiropali u shpreh se, një nga panelet do t’i kushtohet pikërisht sfidave dhe rolit të gjykatave kushtetuese në ruajtjen e rendit demokratik në vendet anëtare të KiE-së”.

Kjo, theksoi kryeparlamentarja, “do të jetë një mundësi për të ndarë përvoja dhe për të ndërtuar një vizion të qartë për të ardhmen e Shqipërisë në Europë dhe më gjerë.

Spiropali shtoi se, Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të mbështesë Reformën në Drejtësi.

Spiropali gjithashtu vlerësoi rolin kyç të Gjykatës Kushtetuese në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe theksoi se, vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm historik.

“Shqipëria po kalon një etapë të rëndësishme në forcimin e institucioneve demokratike, në rrugëtimin drejt anëtarësimit në familjen europiane dhe në rritjen e prestigjit ndërkombëtar. Nga të gjithë ne kërkohet bashkëpunim i ngushtë për të çuar përpara këto procese jetike”, u shpreh ajo.

Duke iu referuar udhërrëfyesit të jurisprudencës, kryeparlamentarja nënvizoi se, ky botim përbën një mjet të rëndësishëm për të kuptuar dhe zbatuar vendimet kushtetuese në praktikën institucionale dhe ligjore të Shqipërisë.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë një kontribut i rëndësishëm në forcimin e shtetit të së drejtës. Ky vëllim vijon punën e nisur me botimin e parë dhe ofron një instrument të vlefshëm për analizën dhe zbatimin e jurisprudencës kushtetuese”, tha Spiropali.

/gj.m/j.p/

 

The post Spiropali: Në tetor, konferencë ndërkombëtare mbi Reformën në Drejtësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Po punojmë për sistem të ri të furnizimit me naftë, kontroll efikas i çmimit

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” deklaroi se po punohet për një sistem të ri të furnizimit me naftë.

“Jemi duke punuar intensivisht me Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës për një sistem të ri të furnizimit të naftës, është një domosdoshmëri dhe një mundësi për të kaluar edhe tek furnizimi i naftës me një komponent të ri të shtetit si protagonist në realizmin e kontratave dhe furnizimin me naftë”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se ” kemi shumë besim që kjo do të sjellë një kontroll shumë efikas qoftë mbi çmimin dhe mbi gjithë sistemin e qarkullimit të naftës”.

Rama foli gjithashtu edhe për qasjen ndaj pronës.

“Ka ardhur koha që të kalojmë në një rol të ri të shtetit, të qeverisë në ekonomi të prodhojmë sukses duke u bërë palë, pjesë dhe për këtë arsye po të shikoni kemi ndryshuar gjithë qasjen ndaj pronës në tërësi dhe kemi vendosur shtetin në rolin e pronarit që nuk lëshon prona por merr pjesën e vet për llogari të qytetarëve”, tha Rama.

Duke u ndalur edhe tek furnizimi i barnave Rama tha se “po punojmë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me çështjen e barnave për furnizimin e të gjithë sistemit qoftë atij publik qoftë atij privat me barna dhe përsëri me shtetin si palë, si protagonist”.

/k.s/j.p/

The post Rama: Po punojmë për sistem të ri të furnizimit me naftë, kontroll efikas i çmimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Objektet e prishura në Theth janë të muajve të fundit, premtimi ynë jo për ndërtimet pa leje

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me deputetët, ministrat  dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste për Tiranën për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” dhe rrugës drejt BE-së.

Në fjalën e tij, Rama foli edhe për situatën e krijuar në Theth, teksa u shpreh se janë legalizuar rreth 300 ndërtesa pa leje në këtë zonë.

“Ne nuk kemi prerë në besë askënd. Ne kemi shkuar në Theth së bashku me kryetarin e bashkisë dhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe me Agjencinë e Kadastrës dhe qysh se ne kemi shkuar dhe i kemi premtuar legalizimin e të gjithë shtëpive të vjetra në Theth gjë që ishte problemi më kryesor i atyre banorëve autoktonë atje ne e kemi përmbyllur atë proces me rreth 300 legalizime që ata tani disponojnë dhe kanë pronën e tyre në zonën e Thethit”, tha Rama.

“Pra premtimi ynë ka qenë do të legalizojmë pronën e gjyshërve. Premtimi ynë nuk ka qenë, dhe kurrë nuk e kemi bërë këtë në asnjë nivel dhe askush nga përfaqësuesit tanë në asnjë cep të Shqipërisë, na jepni votën ju dhe ndërtoni pa leje”, theksoi Rama.

“Dhe të gjitha këto ndërtime që janë prishur deri në gurin e fundit janë ndërtime të bëra në muajt e fundit, nuk janë ndërtime të kohës kur ne kemi qenë aty. Ka pasur një turravrap të madh në Theth dhe e përsëris, jo vetëm nga disa prej banorëve, por dhe nga individë që s’kanë lidhje fare me Thethin. Që janë ngjitur atje lart për të ndërtuar”, u shpreh kryeministri.

“Ne kemi bërë legalizimet. Kemi bërë planin urbanistik siç e kemi premtuar. Kemi vendosur edhe financimin për të realizuar transformimin e nevojshëm në zonën qendrore të Thethit dhe ajo është një zonë e mbrojtur, ku ndryshe nga çfarë dëgjova që predikohet po ashtu, që medemek po i hapim rrugë oligarkëve tonë. Megjithëse në Shqipëri s’ka asnjë oligark. Aty nuk bëhet fjalë për të lejuar ndërtime dhe për të bërë resorte turistike. Është absolutisht jashtë çdo lloj opsioni”, theksoi kreu i qeverisë.

“Të gjitha teoritë lidhur me këtë operacion janë për të ardhur keq, janë të bazuara në dezinformim. Thethi dhe banorët e tij nuk janë ata që janë shfaqur nëpër ekrane duke bërë zhurma. Kishte dalë dhe një bajraktar tani së fundmi. Ata janë një grusht njerëzish që nuk kanë lidhje fare me të vërtetën e kësaj historie dhe me marrëdhënien tonë me Thethin dhe me banorët e Thethit”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se është bërë edhe Paketa e Maleve për t’ia u lehtësuar banorëve të këtyre zonave për të marrë lejet për ndërtime.

“Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim të gjithë ata njerëz që kanë prona nëpër male me kushtin që t’i drejtohen institucioneve dhe të marrin lejen përkatëse. Madje kemi bërë dhe Paketën e Maleve për t’ia u lehtësuar dhe më shumë, duke pasur parasysh që një pjesë e tyre nuk kanë tituj pronësie sepse në zona të caktuara nuk është njohur 7501”, u shpreh Rama.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Objektet e prishura në Theth janë të muajve të fundit, premtimi ynë jo për ndërtimet pa leje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Po hetohet pushtimi kriminal i qendrës së Thethit, legalizuam rreth 300 shtëpi të vjetra

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se situata në Theth nuk ka të bëjë me ndërtime për nevoja jetese, por me një pushtim të qëllimshëm kriminal të një prej zonave më të rëndësishme natyrore të vendit.

Gjatë një takimi për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030”, Rama theksoi se duhet të jetë e qartë për të gjithë qasja dhe qëndrimi i qeverisë ndaj ndërtimeve të paligjshme në Theth.

“Kam vënë re një teori për të ardhur keq, ku përpiqen t’i lënë fajin vetëm strukturave të shtetit. Por nuk bëhet fjalë për disa njerëz të shkretë që kanë ndërtuar për të futur kokën, por për individë, jo banorë të zonës, që kanë ndërtuar për qëllime fitimi”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se Policia e Shtetit është duke hetuar se si ka ndodhur ky “pushtim kriminal i zemrës së Thethit” dhe kush qëndron pas tij.

Sipas kryeministrit, janë goditur 40 subjekte ndërtimi, disa prej të cilave kanë pasur më shumë se një ndërtesë.

“Strukturat e shtetit kanë përgjegjësi, por nuk ka teori që e amniston shkelësin e ligjit. Mbetet për t’u parë çfarë do të vendosë Këshilli i Lartë i Prokurorisë për zonjën Gjeli, e cila nuk ka pranuar të nisë as hetimin”, tha Rama.

Ai vlerësoi gjithashtu bashkinë e Shkodrës për marrjen e përgjegjësisë së saj në këtë proces dhe iu përgjigj kritikave që, sipas tij, janë të pabaza.

“Jam habitur edhe nga një prift që foli sikur ne i joshëm e i premë në besë këta njerëz. Ne kemi përmbyllur procesin e legalizimit të shtëpive të vjetra. Janë rreth 300 legalizime që ata disponojnë dhe nuk kemi premtuar kurrë që vota do të thotë ndërtim pa leje”, theksoi kryeministri.

Sipas tij, ndërhyrjet ndërtimore në Theth janë kryer muajt e fundit dhe nuk lidhen me periudha kur qeveria ka qenë e angazhuar në atë zonë me projekte të ligjshme zhvillimi.

The post Rama: Po hetohet pushtimi kriminal i qendrës së Thethit, legalizuam rreth 300 shtëpi të vjetra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kalaja Trekëndore e Butrintit, fortesë madhështore e stilit venecian

14 July 2025 at 09:46


TIRANË, 14 korrik//ATSH/ Fortesa Trekëndore është një nga objektet historike më të dukshme dhe më madhështore të Butrintit. Fortesa është vendi ideal për të interpretuar rolin e venecianëve në Butrint, bashkë me të edhe arkeologjinë pas-klasike, ku për ta vizituar udhëtohet me lundër përmes Kanalit të Vivarit. Lundra është mjeti  i aksesit për stafin e menaxhimit dhe vizitorët për në Fortesën Trekëndore.

Kjo kala ka nevojë për konservim dhe këto punime janë përfshirë në ndërhyrjet e rekomanduara në Planin e Konservimit të Planit te Menaxhimit te Integruar te Butrintit. Ajo ka një oborr të brendshëm mjaft të madh për komunitetin dhe kryerjen e veprimtarive të tjera.

Kalaja Trekëndore ndodhet në bregun jugor të kanalit të Vivarit, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Emri rrjedh nga planimetria e saj në formën e një trekëndëshi. Në të tri këndet e saj janë ndërtuar kulla në formë rrethore prej të cilave ajo jugperëndimore ruhet në lartësinë e plotë.

Ndërtimi i saj i takon disa fazave. Muret e kalasë, frëngjitë me mbulesë pllakash në formë çatie dhe kulla dykatëshe në pjesën jugperëndimore janë ndër ndërtimet më të hershme të saj.

Kalaja Trekëndore është pjesë e rëndësishme e sistemit fortifikues të Butrintit duke siguruar mbrojtjen si nga pjesa fushore ashtu dhe nga pjesa e detit Jon me të cilin lidhet përmes kanalit të Vivarit. /j.p/

The post Kalaja Trekëndore e Butrintit, fortesë madhështore e stilit venecian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Operator kombëtar për furnizimin me ujë dhe menaxhimin e mbetjeve

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama në takimin me deputetët e qarkut të Tiranës u ndal edhe tek disa problematika në bashkinë e Tiranës, ku theksoi domosdoshmërinë e krijimit të operatorit të shpërndarjes së ujit.

“Këto problematika lidhen me administrimin e një qyteti që rritet përditë ku ka një ngarkesë shumë të madhe të nevojave që shtohen përditë si pastrimi, hapësirat publike , furnizimi me ujë dhe shërbimet e tjera”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur se “kemi ngritur grupet e punës për të ndihmuar bashkinë me një formë të brendshëm organizative dhe me një reformë tërësore të shërbimeve”.

“Këto do të diskutohen më tutje nga pjesëtarët e grupeve të punës në vijim me strukturat e bashkisë, por dua të vë theksin tek çështjet e shërbimit me ujë ku përfundimisht jemi të sigurt që duhet të kalojmë në një fazë tjetër dhe duhet të krijojmë Operatorin e Shpërndarjes së Ujit njësoj si Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë vuri në dukje se “na duhet një ndërmarrje kombëtare e ujit dhe një korporatë e re, e cila të adresojë problemin e investimeve,  të adresojë problemin e të gjitha marrëdhënieve me donatorë dhe me institucionet financiare në të gjithë Shqipërinë dhe të adresojë problemin e fragmentarizimit të burimeve dhe menaxhimit që pas 30 e kusur vitesh është e kotë që të presim të sjellë rezultate të dëshiruar edhe pse ka përmirësime nga bashkimi i operatorëve në territore të ndryshme që janë të dukshme, por janë të pamjaftueshme dhe nuk mund të rrimë të presim”.

“Qoftë për ujin edhe për trajtimin e e mbetjeve do të duhet të kalojmë në nivel kombëtar dhe do të duhet të krijojmë sinergji me ndërmarrje, në korporata ndërkombëtare të nivelit më të lartë në një fazë të caktuar. Kjo do të na ndihmojë për një mijë e një arsye të çojmë në një nivel tjetër qoftë shërbimin me furnizimin me ujë qoftë investimet dhe patjetër edhe transparencën në të gjitha këto procese ku ka shumë aktorë, fragmentarizim dhe shumë humbje të të gjitha natyrave”, tha Rama.

Më tej Rama tha se “kemi në sistemin e trajtimit të mbetjeve një hartë që sot është shumë më ndryshe nga ajo që ishte, kur s’kishte fare trajtim mbetjesh, por që duhet të konsolidohet dhe të bëhet një sistem i trajtimit të mbetjeve në nivel kombëtar”.

“Po ashtu jemi duke punuar intensivisht me Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës për një sistem të ri të furnizimit të naftës është një domosdoshmëri dhe një mundësi për të kaluar edhe tek furnizimi i naftës me një komponent të ri të shtetit si protagonist në realizmin e kontratave dhe furnizimin me naftë gjë që kemi shumë besim që do të sjellë një kontroll shumë efikas qoftë mbi çmimin dhe mbi gjithë sistemin e qarkullimit të naftës”, tha Rama.

/k.s/j.p/

The post Rama: Operator kombëtar për furnizimin me ujë dhe menaxhimin e mbetjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tatimet nisin kontrollin për formalizimin e tregut bujqësor dhe blegtoral

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Nga sot nis në gjithë vendin kontrolli i tatimpaguesve që tregtojnë produkte ushqimore dhe blegtorale, me qëllim jo vetëm formalizimin e sektorit, por edhe garantimin e cilësisë së produkteve ushqimore në mbrojtje të konsumatorit.

Më 7 korrik, Administrata Tatimore ka njoftuar rreth 12 mijë tatimpagues përmes faqes zyrtare dhe mesazheve pop-up në llogaritë e tyre në e-Filing, duke u bërë thirrje që çdo mall të shoqërohet me faturë tatimore të fiskalizuar.

Ata paralajmërohen se në rast mosrespektimi do të përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rikujton se çdo produkt bujqësor dhe blegtoral që disponohet dhe shitet duhet të shoqërohet me faturë të fiskalizuar të blerjes, ku duhet të identifikohet qartë shitësi dhe origjina e produktit.

Gjithashtu, çdo produkt që tregtohet tek konsumatori final duhet të shoqërohet me faturë të fiskalizuar, ku të pasqyrohet saktë emërtimi dhe çmimi i produktit. /j.p/

The post Tatimet nisin kontrollin për formalizimin e tregut bujqësor dhe blegtoral appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Proces i thellë reformimi për sigurinë ushqimore, nis konfiskimi i bulmetit dhe mishit pa faturë

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se siguria ushqimore mbetet një nga pikat më të dobëta në raport me standardet e Bashkimit Europian dhe se qeveria ka nisur një proces të thellë reformimi në këtë drejtim.

Gjatë një takimi me drejtues të pushtetit lokal dhe anëtarë të kabinetit, Rama bëri të ditur se ka nisur tashmë kontrolli dhe konfiskimi i produkteve ushqimore që tregtohen pa faturë, veçanërisht në sektorin e bulmetrave dhe mishit të freskët.

“Na duhet të hedhim hapa shumë të mëdhenj përpara, sepse kjo është një nga pikat më të dobëta që kemi edhe në raport me negociatat për anëtarësim në BE”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se pezullimi i veprimtarisë së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe nisja e një procesi testimi të të gjithë inspektorëve me gojë dhe me shkrim është vetëm hapi i parë.

“Nga sot ka nisur procesi i kontrollit dhe konfiskimit të qumështit dhe produkteve të tjera të bulmetit që tregtohen pa faturë. Kjo është një çështje jetike për shëndetin e konsumatorëve, veçanërisht në këto temperatura të larta, ku rreziku është shumë i madh”, theksoi kreu i qeverisë.

Sipas tij, tregtimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit të freskët pa faturë nuk do të tolerohet më.

“Kushdo që do të tentojë ta tregtojë një mall të tillë pa faturë, do ta humbasë atë si mall. Pasiguria ushqimore është një kërcënim serioz”, tha Rama. /j.p/

The post Rama: Proces i thellë reformimi për sigurinë ushqimore, nis konfiskimi i bulmetit dhe mishit pa faturë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Do t’i shesim BE-së raketat ”Patriot” për Ukrainën

14 July 2025 at 09:25

UASHINGTON, 14 korrik /ATSH-DPA/  – Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se synon t’i shesë Bashkimit Evropian raketat “Patriot”, që më pas blloku i 27 vendeve t’ia japë Ukrainës.

Duke folur me gazetarët në aeroportin ushtarak të bazës ”Andrews”, pranë Uashingtonit, Trump e përshkroi marrëveshjen si një transaksion biznesi, duke thënë se “Bashkimi Evropian po paguan për to. Ne nuk po paguajmë asgjë për to, por do t’ua dërgojmë… do t’u dërgojmë atyre sisteme ‘Patriot”.

“Nuk kam rënë dakord ende për numrin, por ata do të kenë disa sepse kanë nevojë për mbrojtje”, shtoi ai.

Presidenti amerikan nuk tha se cilat vende të BE-së do të paguanin për armët dhe as nuk dha detaje./  /Ad.Ab./

The post SHBA – Trump: Do t’i shesim BE-së raketat ”Patriot” për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kroçera “Silver Whisper” me 383 turistë mbërrin në portin e Vlorës

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Në Portin e  Vlorës mbërriti sot kroçera “Silver Whisper”.

Kapiteneria e Portit të Vlorës bëri të ditur për ATSH-në se “kroçera ka në bord 383 turistë  me kombësi të ndryshme, si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Australia, Kanadaja, etj”.

Anija kroçerë është nisur nga porti i Barit-Itali dhe do të qëndrojë në portin e Vlorës deri në orën 23:00 dhe më pas do të ketë destinacion portin e Galipolit – Itali.

Çdo vit vjen duke u shtuar numri i kroçerave që vizitojnë portin e Vlorës. Fluksi i vizitorëve me kroçera lidhet me plazhet e kristalta të detit Jon dhe trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë.

1 nga 4

/k.s/j.p/

The post Kroçera “Silver Whisper” me 383 turistë mbërrin në portin e Vlorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Mozaikët e Bazilikës B në Bylis, ku historia është qendisur me gurë

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Qyteti antik i Bylisit është një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike në territorin e Shqipërisë. Ai shtrihet sapo del nga qyteti i vogël i Ballshit, 10 km larg tij, në krahun e djathtë të rrugës, ku të bie në sy një varg kodrash të larta.

Ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot pamje nga mozaikët e Bazilikës B në Bylis, duke e cilësuar këtë si një vend ku historia është qëndisur me gurë.

Ky destinacion është një magnet për turistët që janë të interesuar për të zbuluar thesarin e pasur të trashëgimisë arkeologjike të Shqipërisë.

Në hyrje të parkut, vizitorët përballen me një peizazh të shkëlqyer natyror, me kodra të gjelbëruara që rrethojnë vendin. Në horizont, pamjet e rrënojave të lashta bëjnë që zemra të dridhet me emocion.

Kjo zonë është një muze i hapur nën qiell, që ofron një udhëtim emocionues nëpër kohë për të zbuluar pasurinë e lashtë të Bylisit.

Në brendësi të parkut, vizitorët ndeshen me strukturat e mrekullueshme të qytetit ilir të Bylisit. Ndër të tjera, një pamje e mahnitshme është amfiteatri i lashtë që ngrihet përpara tyre. Ky amfiteatër i lashtë ka një pamje impresionuese, duke u ngritur midis kështjellës së shkëlqyer dhe fushës së hapur. Kur shikon përgjatë mureve të tij të lashta, ndihesh i kapur nga ndjenja e përjetshme e historisë.

Pamjet e mrekullueshme të Parkut Arkeologjik të Bylisit nuk janë vetëm një shfaqje e këndshme për sytë, por ato shpalosin thellësinë e një trashëgimie të pasur historike dhe kulturore. Në këtë mjedis të pazakontë, vizitorët ndihen të lidhur ngushtë me kohën dhe historinë, duke bërë që kjo përvojë të jetë një udhëtim i paharrueshëm nëpër epokat e lashta të Shqipërisë.

/e.i//a.f/

The post Gonxhja: Mozaikët e Bazilikës B në Bylis, ku historia është qendisur me gurë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 14/7/2025

PARIS (Francë) – Paradë ushtarake në Champs-Élysées për Ditën e Bastijës.

PARIS (Francë) – Fishekzjarre në Kullën Eiffel dhe koreografi me dron për Ditën e Bastijës.

BOTA – 60 vjet më parë, sonda amerikane ”Mariner 4” fotografoi me sukses Marsin.

TIANJIN (Kinë) – Vizitë nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

BRUKSEL (Belgjikë) – Tarifat e BE-së për produktet amerikane pritet të hyjnë në fuqi në hakmarrje për tarifat e çelikut dhe aluminit të SHBA-së.

BRUKSEL (Belgjikë) – Takim i ministrave të Bujqësisë të BE-së.

BRUKSEL (Belgjikë) – Takimi i ministrave të Tregtisë të BE-së.

HAGË (Holandë) – Gjykata e Kosovës jep vendimin në gjyqin e apelit të ish-rebelit “Komandant Ujku”.

OKB – Vota e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Rinovimin e Misionit të OKB-së në Haiti.

OKB – Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së do të paraqesë Raportin Vjetor mbi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 14/7/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌