Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 August 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

IZRAEL – Rritet presioni mbi Netanyahun për të siguruar armëpushimin në Gazë

24 August 2025 at 11:39

TEL AVIV, 24 gusht /ATSH-DPA/-
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po përballet me presion në rritje për të arritur një armëpushim – për të siguruar lirimin e pengjeve të mbetura që mbahen në Rripin e Gazës dhe për të ndaluar luftën përpara se ushtria të fillojë ofensivën e saj për të pushtuar Qytetin e Gazës.

Muajtë e negociatave indirekte për armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit deri më tani nuk kanë dhënë rezultate.

Anëtarët e ekstremit të djathtë të qeverisë së Netanyahut janë kategorikisht kundër arritjes së një marrëveshjeje me grupin islamist palestinez.

Media izraelite raportoi se ministri i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich u tha të afërmve të pengjeve se do të dilte nga koalicioni qeverisës nëse Netanyahu pranonte një armëpushim.

Si një zgjidhje alternative, figura kryesore e opozitës izraelite Benny Gantz propozoi dje formimin e një qeverie gjashtëmujore për shpengimin e pengjeve – për të mundësuar një marrëveshje.

Një ish-ministër i Mbrojtjes, Gantz u largua nga qeveria e Netanyahut në vitin 2024 për shkak të mosmarrëveshjeve mbi një numër çështjesh.

“Nëse Netanyahu nuk pranon, atëherë duhet të dimë se kemi bërë gjithçka,” tha Gantz në një konferencë për shtyp.

Sipas vëzhguesve, nuk ka gjasa që Netanyahu ta pranojë propozimin, pasi ai varet nga mbështetja e partnerëve të ekstremit të djathtë si Smotrich për mbijetesën e tij politike.

Gantz tha se qeveria e unitetit duhet të fillojë punën e saj duke arritur një marrëveshje që sjell në shtëpi të 50 pengjet që mbahen ende në Gazë – 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

Kjo do të pasohet nga zgjedhje të reja vitin e ardhshëm në një datë të dakorduar nga të dyja palët, shtoi ai. //a.i/

The post IZRAEL – Rritet presioni mbi Netanyahun për të siguruar armëpushimin në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dogji sipërfaqe pylli në Gramsh, arrestohet zjarrvënësi

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Prokuroria e Elbasanit caktoi masën e sigurimit “arrest me burg” për shtetasin F.S. për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Prokuroria njoftoi se “më datë 21.08.2025, policia u njoftua se në fshatin Bresnik i Poshtëm, Njësia Administrative  Kodovjat, bashkia Gramsh ka rënë zjarr në mesin e një pylli të përbërë nga lloje drurësh “Mare” dhe “Cendel””.

“Në vendngjarje shtetasi F. S.i deklaroi se ka shkuar bashkë me babain e tij në fshatin Bresnik Poshtë, ku i ka vënë zjarrin një pjese të sipërfaqes së pyllit për të shtrirë markushin e ujit për të vaditur ullinjtë”, njoftoi prokuroria.

Sipas prokurorisë “pasi i ka vendosur zjarrin bashkë me të atin kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të tij. Zjarrin e vendosi me çakmak për të lehtësuar punën për të shtrirë markushin për tek arat e tij”.

Prokuroria njoftoi se në deklarim ai tha se zjarrin e kishte nën kontroll dhe se është hera e parë që e bën  për të pastruar pyllin për të shtrirë një markush uji.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan sekuestroi në cilësinë e provës materiale një çakmak, ndërkohë që shtetasi F.S. po hetohet për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” që përbën krim të kryer me dashje dhe për të cilin dispozita përkatëse përcakton një maksimum dënimi prej 8 (tete) vite burg.

/m.q/j.p/

The post Dogji sipërfaqe pylli në Gramsh, arrestohet zjarrvënësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamjet: Plazh në Vjosë

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Brigjet e lumit Vjosë, zemra e Parkut Kombëtar po mbushen me vizitorë nga e gjithë bota këto ditë vere.

Nga adhurues të natyrës, deri tek aventurierët me kanoe e turistë që kërkojnë qetësinë, Vjosa ofron një eksperiencë të rrallë dhe të paprekur nga civilizimi modern.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga turistë që po shijojnë natyrën buzë lumit të Vjosës.

“Plazh në Vjosë” shkruan Rama.

Me rrjedhën e saj të lirë përmes kanioneve, pyjeve të dendur dhe fushave të gjelbra, Vjosa është cilësuar si lumi i fundit i egër në Europë.

Kjo veçori e bën atë një magnet për turistët që kërkojnë autenticitet, biodiversitet dhe aktivitete të qëndrueshme në natyrë.

Autoritetet shpresojnë që përmes promovimit dhe ruajtjes së Vjosës si Park Kombëtar, Shqipëria të kthehet në një destinacion model për ekoturizmin në Ballkan dhe më gjerë.

/m.q/j.p

The post Rama ndan pamjet: Plazh në Vjosë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Nesër nis shpërndarja e librave falas në shkolla

TIRANË, 24 gusht /ATSH/  Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu njoftoi sot se nga nesër do të nisë shpërndarja e së librave falas, që synon të lehtësojë barrën financiare për mijëra familje shqiptare.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet Manastirliu theksoi se “duke filluar nga nesër, më 25 gusht, nis shpërndarja e librave falas në shkolla, një politikë mbështetëse e qeverisë për familjet, në prag të çeljes së vitit të ri shkollor”.

Ky program i mbështetjes së librave falas është i fokusuar për nxënësit që vijnë nga familje me problematika sociale dhe ekonomike, si dhe ata që kanë nevojë për mbështetje të veçantë, përfshirë fëmijët me aftësi ndryshe dhe ata nga pakicat dhe minoritetet.

/m.q/j.p

The post Manastirliu: Nesër nis shpërndarja e librave falas në shkolla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

I akuzuar nga GJKKO si pjesëtar i një grupi kriminal, ekstradohet nga Belgjika 41-vjeçari

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Një 41-vjeçar i akuzuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) si pjesëtar i një grupi kriminal që trafikonte lëndë narkotike është ekstraduar nga Belgjika.

Policia njoftoi sot se “në vijim të bashkëpunimit të ngushtë të specialistëve të Interpol Tiranës me homologët e Interpol Brukselit, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u finalizua ekstradimi nga Belgjika në Shqipëri, i shtetasit E. J. alias E. P., 41 vjeç”.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 15.05.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, “Grup kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal””, njoftoi policia.

Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, gjatë periudhës qershor-nëntor 2020, ka trafikuar rreth 160 kg lëndë narkotike kanabis sativa, nga Shqipëria në Malin e Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.

/m.q/j.p

The post I akuzuar nga GJKKO si pjesëtar i një grupi kriminal, ekstradohet nga Belgjika 41-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në kërkim për trafik narkotikësh, arrestohet 56-vjeçari shqiptar në Belgjikë

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Një 56-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia në Belgjikë pasi ishte shpallur në kërkim për trafik narkotikësh.

Policia e Shtetit njoftoi sot se “FAST Albania në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë me rrjetin ENFAST dhe homologët e FAST Holandës dhe FAST Belgjikës, bënë të mundur lokalizimin dhe arrestimin në Belgjikë të Shkëlqim Vokrit, 56 vjeç, banues në Dërmenas, Fier, i cili posedonte dokument me shtetësi holandeze”.

Sipas policisë “ky shtetas rezultonte i shpallur në kërkim nga autoritetet e shtetit holandez, pasi, bazuar në urdhrin e arrestit europian dhe ndërkombëtar (EAW/IAW), duhet të vazhdojë vuajtjen e dënimit prej 686 ditësh burgim të mbetura, lidhur me veprën penale të “Shkeljes së aktit për drogat” (trafikim të lëndëve narkotike), të parashikuar nga Kodi Penal Holandez, në lidhje me transportin e 250 kg kokainë në shtetin holandez”.

Policia bëri të ditur se ky operacion i suksesshëm u realizua nga shkëmbimi në kohë reale të informacionit të siguruar nga Fast Albania dhe bashkëpunimit operacional ndërmjet strukturave të FAST Albania, dhe partnerëve ndërkombëtarë, konkretisht me FAST Holandën dhe FAST Belgjikën.

/m.q/J.p

The post Në kërkim për trafik narkotikësh, arrestohet 56-vjeçari shqiptar në Belgjikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zbulohet varka misterioze e Jezusit në Detin e Galilesë

24 August 2025 at 10:25

LONDËR, 24 gusht /ATSH/- Një varkë e madhe e vjetër prej druri e zbuluar në Izrael është quajtur “Varka e Jezusit”, pasi historianët e lidhën anijen me mrekullinë më të famshme të Jezusit, sipas “Daily Mail”.

“Është një varkë 2,000-vjeçare nga Deti i Galilesë, lloji i varkës i përmendur në Ungjij, dhe me madhësi për rreth 12 persona”, tha eksperti i arkeologjisë biblike, Danny Herman.

“Në fakt mund të lidhet me një nga historitë më të famshme që çdo i krishterë e di, rrëfimin e Jezusit që ecën mbi ujë dhe qetëson stuhinë në liqen”, tha ai.

Arkeologu Dr. Kurt Raveh theksoi se data e ndërtimit të varkës mund të gjurmohet nga shekulli i parë para Krishtit deri në shekullin e parë pas Krishtit, por nuk mund të provohet kurrë se Jezusi ka qenë në varkë ose mund ta ketë parë atë, pasi rreth 600 varka lëviznin në këtë liqen në atë kohë!

Varka u zbulua në vitin 1986 gjatë një thatësire të madhe që ekspozoi vijën bregdetare të Detit të Galilesë pranë Magdalës.

Vëllezërit Moshe dhe Yuval Lufan, arkeologë amatorë nga Kibbutz Ginosar, vunë re gozhda hekuri në baltë me një detektor metalesh.

Ndërsa gërmonin, doli një objekt në formë ovale prej druri, e groposur për gati 2,000 vjet.

Arkeologët detarë konfirmuan ndërtimin e saj në epokën romake.

Dizajni me fund të sheshtë të anijes, ideal për peshkim, dhe riparimet e bëra me dru vendas më të lirë sugjerojnë se u përkiste peshkatarëve të varfër, duke u përputhur me rrëfimet e Ungjillit për dishepujt e Jezusit.

Një tenxhere gatimi dhe një llambë vaji e gjetur aty pranë tregojnë një udhëtim nate, duke pasqyruar rrëfimin e Ungjillit.

Ruajtja e saj zgjati 16 vjet, duke zëvendësuar baltën me një tretësirë ​​kimike transparente për të parandaluar prishjen.

Që nga viti 2000, ajo është ekspozuar në Muzeun Yigal Allon në Ginosar, duke tërhequr pelegrinë të krishterë dhe entuziastë të historisë.//a.i/

The post Zbulohet varka misterioze e Jezusit në Detin e Galilesë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, Kurti: Fjala e tij nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen

24 August 2025 at 10:23

PRISHTINË, 24 gusht/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti përcolli sot vlerësimin e tij për sigurën e gazetarit dhe publicistit Artur Zheji i cili u nda dje nga jeta në moshën 64-vjeçare.

Kurti e cilësoi Artur Zhejin, personalitet të medias së shkruar e asaj televizive.

“I kujtoj bashkëbisedimet me të, para apo pas kamerave, sepse të rrallë kanë qenë dhe janë gazetarët që, përtej lajmit të ditës, angazhohen e thellohen me seriozitet intelektual te çështjet e subjektet me të cilat ballafaqohen. I tillë ishte Artur Zheji, fjala e të cilit nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen”, shkroi Kurti në rrjetet sociale.

Kurti solli në kujtesë se “i ati i lindur në Gjirokastër, intelektuali erudit dhe përkthyesi eklektik Petro Zheji. E ëma e lindur në Gjakovë, aktorja e shquar e Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe e Kinostudios “Shqipëria e Re”, Besa Imami”.

“Duke ardhur prej një familje të tillë, është e kuptueshme pse Artur Zheji nuk mund t’ishte i përciptë në trajtimin e Kosovës dhe më gjerësisht shqiptarëve në rajon. Ai ishte jo thjesht një reporter i luftës, por një gazetar aktivist, një patriot i emancipuar, një dokumentues i angazhuar, që ndihmoi të ndërkombëtarizohej çështja jonë e të rritej jehona e kërkesës sonë të drejtë për liri”, përfundoi Kurti duke përcjellë i ngushëllime familjes, të afërmve, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe publikut për këtë humbje të madhe.

The post Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, Kurti: Fjala e tij nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Spitali Rajonal i Gjirokastrës po transformohet në qendër moderne shëndetësore

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Spitali Rajonal i Gjirokastrës po rikonstruktohet nga themelet me shërbime të shtuara dhe teknologji nga më modernet.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau pamje nga punimet që po zhvillohen për rikonstruksionin e godinës e cila sipas saj “po rilind nga themelet”.

Rikonstruksioni i godinës së këtij spitali do të mundësojë transformimin e ambienteve për mjekët dhe infermierët si dhe do të rrisë shpejtësinë dhe cilësinë e shërbimit shëndetësor për mbi 60 mijë banorë.

Ministrja Koçiu bëri me dije se “një godinë historike prej 8,600 m² po transformohet në një qendër moderne shëndetësore, që do të shërbejë mbi 60 mijë banorëve të zonës dhe mijëra turistëve që vizitojnë qytetin e gurtë”.

Spitali “Omer Nishani” përfshin të gjitha specialitetet si urgjenca, kirurgjia, pediatria, infektivi, radiologjia dhe patologjitë.

/m.q/j.p/

The post Koçiu: Spitali Rajonal i Gjirokastrës po transformohet në qendër moderne shëndetësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbyllet panairi i librit “Valë dhe Fjalë” në Shëngjin, ndahen 4 çmime

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ “Valë dhe fjalë”, panairi i parë veror i librit që e shndërroi Shëngjinin në kryeqendrën e letërsisë shqiptare, u mbyll dje pas dy netëve të mbushura me letërsi, kulturë dhe frymëzim.

Juria e kryesuar nga Liridon Mulaj, me anëtarë Alda Bardhyli dhe Monika Stafa, shpalli fituesit.

Çmimin për poezinë më të mirë e mori shkrimtari Preç Zogaj. Shkrimtari Rudolf Marku u vlerësua me  çmimin e karrierës “Ndoc Gjetja”.

Vepra më e mirë studimore iu dha prof. dr. Sherif Bundo, proza më e mirë Odise Kotes dhe çmimi special Pashko Camajt.

Kreu i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu shprehu mirënjohjen për “Klubin e Letrave “Ndoc Gjetja” dhe Shtëpisë Botuese “Fishta””.

“Një panair që e ktheu librin në kryefjalë dhe që do të vazhdojë si traditë në vitet që vijnë”, shkroi Ndreu.

Shtëpitë botuese më të njohura në vend prezantuan në këtë panair botimet e tyre më të fundit. Po ashtu, 6 panele me emra të njohur të letrave shqipe diskutuan mbi tema që prekin historinë, të tashmen dhe të ardhmen e letërsisë.

/m.q/j.p/

The post Mbyllet panairi i librit “Valë dhe Fjalë” në Shëngjin, ndahen 4 çmime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pamje magjike nga lindja e diellit në Pogradec, Rama ndan pamjet

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Qyteti i Pogradecit vijon të mbetet ndër më të preferuarit për mijëra vizitorë vendas e të huaj. Pamja mbresëlënëse dhe ujërat e kristaltë që të ofron liqeni e bëjnë Pogradecin një atraksion turistik për t’u vizituar.

Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm një video nga lindja e diellit në Pogradec, teksa e cilëson këtë moment si “pamje magjike”.

Përveç bukurive natyrore që ofron, investimet në infrastrukturë dhe hapësira publike kanë bërë që Pogradeci të jetë një zgjedhje kryesore për turizëm në të gjitha stinët e vitit.

I zgjedhur masivisht për qetësinë dhe freskinë që ofron në ditët e nxehta të verës, Pogradeci është i bukur jo vetëm prej natyre, por është edhe një qytet i lashtë e me tradita të hershme kulturore e artistike.

/m.q/j.p/

The post Pamje magjike nga lindja e diellit në Pogradec, Rama ndan pamjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kremtohet sot dita e Shën Kozmait, pelegrinazh në Manastirin në Kolkondas

24 August 2025 at 09:35

TIRANË, 24 gusht/ATSH/ Besimtarët ortodoksë kremtojnë sot ditën e Shën Kozmait, një nga shenjtorët të cilit i janë kushtuar më shumë kisha e manastire në mbarë vendin. Më i rëndësishmi është Manastiri i Shën Kozmait në Kolkondas të Fierit, i ndërtuar me kontributin e Ali Pashë Tepelenës, më 12 maj 1814.

Ky manastir ka mbledhur sot besimtarë të shumtë, si vend pelegrinazhi jo vetëm për banorët e Fierit dhe zonave përreth, por edhe nga vende të tjera.

Festa zakonisht nis mbrëmjen e 23 gushtit dhe kulmon ditën e sotme. Më të devotshmit, e kalojnë natën në Kolkondas, me shpresë në ndihmën e shenjtit Kozma.

Manastiri është ngritur përbri lumit Seman. Dy letra të Ali Pashë Tepelenës drejtuar të krishterëve të Nahijes së Beratit dhe një mbishkrim i gdhendur mbi një pllake guri në apsidën e kishës dëshmojne për kontributin Pashait të Janinës në ngritjen e manastirit.

Gjatë periudhës së diktaturës komuniste, manastiri u braktis dhe ato pak pjesë të konakëve, që kishin mbijetuar pas përmbytjes që manastiri pësoi nga vërshimi i lumit Seman në fillim të shek. XX, u shkatërruan në vitin 1986.

Mbas punimeve të restaurimit të kishës dhe të plotësimit, restaurimit dhe rindertimit të konakëve me shumë vlerë për tipologjinë e kësaj gjinie, të kryera nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, manastiri rifitoi vlerat e vërteta dhe është kthyer në një qendër pelegrinazhi me veprimtari të dendur fetare e kulturore.

The post Kremtohet sot dita e Shën Kozmait, pelegrinazh në Manastirin në Kolkondas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Grabitën pikën e karburantit në Durrës dhe shkëmbyen zjarr me policinë, plagoset një nga autorët

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Një ngjarje e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në autostradën Durrës–Tiranë, në zonën e Sukthit, ku dy të rinj të dyshuar për grabitje me dhunë u përplasën me armë me policinë. Për pasojë njëri prej tyre mbeti i plagosur dhe përfundoi në spital, ndërsa tjetri u vu në pranga nga policia.

Policia informoi se “rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm, në autostradën Durrës-Tiranë, te “Çifligu” në Sukth, shërbimet e Policisë konstatuan automjetin e vjedhur më datë 20.08.2025, në orën 20:30, në Sektor Rinia, Durrës, me të cilin, më datë 21.08.2025, rreth orës 03:40, sipas njoftimit të një shtetasi të punësuar në një karburant në Sukth, ishte grabitur me dhunë shuma e lekëve të xhiros”.

“Shërbimet e Policisë së Durrësit u vunë në ndjekje të automjetit, i cili po lëvizte me shpejtësi në drejtim të Tiranës”, njoftoi policia.

Sipas policisë “si pasojë e shpejtësisë së madhe, pa shkuar në Vorë, tek rrethrrotullimi i mbikalimit në rrugën dytësore që shkon për Shijak, automjeti doli nga rruga dhe, gjatë kësaj kohe, nga brenda tij u hap zjarr ndaj punonjësve të Policisë, të cilët, të gjendur përballë kësaj situate, u përgjigjën me zjarr, në kushtet e mbrojtjes së nevojshme. Si pasojë, u plagos njëri nga autorët, shtetasi A. D., 28 vjeç, banues në Bilalas, Shijak, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”.

“Personi tjetër, shtetasi L. Ç., 27 vjeç, banues në Bilalas, Shijak, pasi bëri rezistencë me armë ndaj punonjësve të Policisë, duke rrezikuar jetën e tyre, u neutralizua dhe u kap nga shërbimet e Policisë Durrës”, bëri të ditur policia.

Gjatë veprimeve të Policisë së Durrësit, shkuan në mbështetje edhe forcat e Policisë së Tiranës.

Policia njoftoi se në vendin e ngjarjes u gjet një armë zjarri automatik me 2 krehra, e përdorur nga dy personat.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e ngjarjes së ndodhur.

/m.q/j.p/

The post Grabitën pikën e karburantit në Durrës dhe shkëmbyen zjarr me policinë, plagoset një nga autorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosovë, përpjekja e radhës për ta konstituuar Kuvendin

24 August 2025 at 09:20

PRISHTINË, 24 gusht/ATSH/ Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot në vazhdimin e seancës konstituive, nga ora 11:00, e katërta kjo pas vendimit të Kushtetueses, sipas së cilës kandidati për kryetar të Kuvendit duhet të nominohet vetëm tri herë dhe procesi i votimit të bëhet në mënyrë të hapur.

Dy kandidatet e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla dhe Hekuran Murati, dështuan të marrin 61 votat e nevojshme, pasi nuk morën më shumë se 57 vota, raporton KosovaPress.

Vetëvendosja pas seancës ka akuzuar PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, se me mos votimin e kryetarit të ri, dëshmuan pasi emrat nuk janë problemi kryesor për konsitutimin e Kuvendit, por se ato “po synojnë bllokimin e formimit të institucioneve”.

PDK përsëriti qëndrimin se ka votë vetëm për një kandidat të Vetëvendosjes, i cili nuk ka qenë pjesë e qeverisë në mandatin paraprak.

LDK-ja tha se Vetëvendosje e ka ditur që Haxhiu dhe Gërvalla nuk kanë vota të mjaftueshme. Ndërsa, AAK-ja tha se pret që edhe në seancën e radhës Vetëvendosje të propozojë emra për të cilët nuk ka mbështetje.

Nisma Socialdemokrate tha se do të abstenojë dhe nuk do të jep votë ‘pro’, pa u arritur një marrëveshje politike.

Kujtojmë zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 9 shkurt. Deri më tash janë mbajtur 55 seanca për konstituimin e Kuvendit të ri dhe kjo e sotmja është numër pesëdhjetegjashtë.

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e legjislativit të nëntë brenda 30 ditësh, i cili afat skadon më 18 shtator. /Kosovapress/

The post Kosovë, përpjekja e radhës për ta konstituuar Kuvendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vullkani “Kilauea” shpërthen në Havai, harku i lavës me lartësi 30 metra, spektakolar

24 August 2025 at 09:01

ROMË, 24 gusht /ATSH/- Vullkani “Kilauea” në Havai shpërtheu përsëri të premten, më 22 gusht, duke nxjerrë një hark lave rreth 30 metra të lartë dhe duke mbuluar një pjesë të dyshemesë së kraterit të tij në majë, sipas “Corriere della Sera”.

Ky është shpërthimi i 31-të i lavës që nga dhjetori i kaluar, një frekuencë që pasqyron natyrën e “Kilauea” – ndër vullkanet më aktivë në botë.

Dalja veriore e kraterit filloi të shpërthente në mëngjes – me spërkatje lave që u transformuan në shatërvane të vërteta inkandeshente deri në pasdite.

Aktiviteti mbeti i kufizuar në krater, duke mos paraqitur kërcënim për banesat.

“Kilauea” ndodhet në Ishullin e Madh, ishulli më i madh në arkipelagun Havaian, rreth 200 milje në jug të Honolulusë (Oahu).

Kjo është hera e katërt në 200 vjet që “Kilauea” ka prodhuar shatërvane të përsëritura lave: në vitet 1959, 1969 dhe midis viteve 1983 dhe 1986, kur u regjistruan 44 episode gjatë një periudhe 3-vjeçare.

Ai shpërthim më pas u transformua në një rrjedhë të vazhdueshme lave që zgjati, në faza të ndryshme, deri në vitin 2018.//a.i/

The post Vullkani “Kilauea” shpërthen në Havai, harku i lavës me lartësi 30 metra, spektakolar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rekord legjendar, Cristiano Ronaldo bëhet lojtari i parë në botë që shënon 100 gola me katër klube të ndryshme

24 August 2025 at 08:30

NJU JORK, 24 gusht /ATSH/- Cristiano Ronaldo ka arritur një tjetër arritje të jashtëzakonshme në karrierën e tij, duke shënuar golin e 100-të me fanellën e Al Nassr, sipas “Sports Illustrated”.

Portugezi është tashmë lojtari i parë në historine e futbollit që arrin kuotën e 100 golave me katër klube të ndryshme.

Në karrierën e tij, Ronaldo ka shënuar 145 gola me Manchester United, 451 gola me Real Madrid, 101 gola me Juventus dhe tashmë 100 gola me Al Nassr.

Për të arritur këtë shifer te klubi saudit, 40-vjeçarit i janë dashur vetëm 113 ndeshje.

Goli i 100-të erdhi nga pika e bardhë në finalen e Superkupës së Arabisë Saudite ndaj Al Ahli-t, por nuk mjaftoi për t’i dhuruar skuadrës trofeun, pasi Al Nassr u mposht me penallti 5-3.

Pavaresisht humbjes, arritja individuale e pesë herë fituesit të Topit të Artë është një tjetër dëshmi e karrierës së tij legjendare.

Asnjë futbollist tjetër në histori nuk ka arritur këtë nivel të jashtëzakonshëm të shënimit të golave në klube të ndryshme.

Ronaldo ka pasur suksesin më të madh te Real Madrid, ku jo vetëm qe u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me 451 gola, por fitoi edhe 16 trofe, perfshire katër Liga të Kampionëve.

Perveç klubeve, ylli portugez ka shënuar edhe 138 gola në 221 ndeshje me kombëtaren e Portugalisë, duke kaluar pesë here shifrën e 100 golave në karrierën e tij të jashtëzakonshme.

Cristiano Ronaldo synon të bëhet lojtari i parë në histori që arrin 1000 gola, ndërsa kontrata e tij me Al Nassr zgjat deri në vitin 2027, duke i dhënë mundësinë për të thyer edhe më shumë rekorde dhe për të synuar trofetë që ende i mungojnë në Arabine Saudite. //a.i/

The post Rekord legjendar, Cristiano Ronaldo bëhet lojtari i parë në botë që shënon 100 gola me katër klube të ndryshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Videot e shkurtra në Instagram Reels, TikTok të njëjtin efekt në tru si alkooli

24 August 2025 at 08:05

AMSTERDAM, 24 gusht /ATSH/- Shikimi i videove në Instagram Reels, TikTok ose videove të shkurtra në YouTube mund të duket si një mënyrë e padëmshme për të kaluar kohën, por neuroshkencëtarët paralajmërojnë se efektet në tru mund të jenë më alarmante dhe shqetësuese nga sa mendojmë, sipas “Science Direct”.

Disa studime sugjerojnë që videot e shkurtra shkaktojnë probleme të ngjashme me substancat që krijojnë varësi si alkooli, ndërsa neurologët në Indi paralajmërojnë për rikonfigurimin afatgjatë të motivimit, përqendrimit dhe madje edhe kujtesës.

Studimi i bazuar në FMRI zbuloi se individët me simptoma më të shprehura të “varësisë” nga videot e shkurtra – karakterizohen nga aktivizimi i ulët në precuneus, një zonë e trurit përgjegjëse për reflektimin dhe vetëdijen, dhe reagime me impulsive në vendimmarrje me rrezik (si humbje financiare të mundshme).

Kjo tregon nje prirje drejt vendimeve te çuditshme dhe impulsive, e ngjashme me sjelljet e varesisë nga substanca të tilla si alkooli.

FMRI, ose imazheria me rezonancë magnetike funksionale, është një teknikë neuroimazherie që mat aktivitetin e trurit duke zbuluar ndryshimet në rrjedhën e gjakut.

Studimet tregojnë se shikimi i shpeshtë i videove të shkurtra mund të reduktojë vetëkontrollin dhe aftësinë për përqendrim dhe planifikim afatgjat.

Sjellja impulsive mund të ndryshojnë strukturën dhe funksionin e trurit, veçanërisht tek të rinjtë.

Edhe pse nuk është toksik si alkooli, ky lloj konsumimi mund të ndërtojë një varësi psikologjike me pasoja afatgjata në mirëqenien mendore dhe performancën individuale. //a.i/

The post Videot e shkurtra në Instagram Reels, TikTok të njëjtin efekt në tru si alkooli appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Si ndikojnë ushqimet ultra të përpunuara në shëndetin tonë?

24 August 2025 at 08:00

Ushqimet ultra të përpunuara janë lidhur me shtimin në peshë dhe vdekjen e parakohshme

UASHINGTON, 24 gusht /ATSH/- Termi “ushqime ultra të përpunuara” është bërë i zakonshëm kur diskutohet se sa të shëndetshme – ose jo të shëndetshme – janë ushqimet, sipas “abc news”.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve publikuan sot një raport që tregoi se fëmijët dhe të rriturit amerikanë marrin më shumë se 50% të kalorive të tyre nga ushqimet ultra të përpunuara.

Sipas burimeve, ushqimet ultra të përpunuara, janë një nga arsyet e rritjes së sëmundjeve kronike në SHBA.

Çfarë janë ushqimet ultra të përpunuara?

Në SHBA nuk ka një përkufizim standard se çfarë janë ushqimet ultra të përpunuara, kështu që shumica e nutricionistëve, dietologëve dhe ekspertëve të politikave ushqimore mbështeten në sistemin e klasifikimit NOVA të zhvilluar nga studiuesit në Universitetin e San Paolos, në Brazil në vitin 2009.

Sistemi NOVA i ndan ushqimet në katër grupe, ku grupi i parë janë të papërpunuara ose të përpunuara minimalisht, siç janë frutat dhe perimet; grupi i dytë janë përbërës të përpunuar të kuzhinës, siç janë kripa, sheqeri dhe vaji; dhe grupi i tretë janë ushqime të përpunuara, siç janë frutat dhe perimet e konservuara ose mishrat e kripur.

Grupi i katërt, ose ushqimet ultra të përpunuara, janë ushqime që ndryshohen ndjeshëm nga gjendja e tyre origjinale përmes formulimeve industriale.

Ato mund të bëhen në laborator duke përdorur substanca të nxjerra nga ushqimet, aditivë, përmirësues shijeje ose ngjyrues. Ato përgjithësisht përmbajnë pak ose aspak ushqime të plota.

Këto përfshijnë pije të ëmbëlsuara me sheqer, ushqime të ëmbla ose të kripura të paketuara,  drithëra për mëngjes, bukë të paketuara të prodhuara në masë, vakte të gatshme për t’u ngrënë, akullore dhe pica.

Si të identifikoni ushqimet ultra të përpunuara?

Ekspertët thonë se mënyra më e mirë për të identifikuar ushqimet ultra të përpunuara në supermarket ose dyqan ushqimor është të lexoni listën e përbërësve.

Nëse përbërësit nuk janë artikuj që do të gjendeshin në kuzhinë, ka të ngjarë të jetë një ushqim ultra i përpunuar.

Problemi i vetëm me leximin e etiketave të ushqimit është se ato nuk rendisin proceset industriale që çojnë në krijimin e artikullit ultra të përpunuar.

A janë ushqimet ultra të përpunuara të pashëndetshme?

Studimet kanë treguar se konsumi i ushqimeve ultra të përpunuara lidhet me shtimin në peshë.

Megjithatë, hulumtimet kanë zbuluar gjithashtu një lidhje midis ushqimeve ultra të përpunuara dhe një rreziku më të lartë të sëmundjeve, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, dhe madje edhe vdekja.

Një studim i vitit 2024 i udhëhequr nga studiues në Shkollën e Shëndetit Publik T.H. Chan të Harvardit zbuloi se konsumi i lartë i ushqimeve ultra të përpunuara – mund të rrisë rrezikun e vdekjes së parakohshme.

Pjesëmarrësit që hëngrën ushqime ultra të përpunuara kishin një rrezik 4% më të lartë vdekjeje nga çdo shkak dhe një rrezik 8% më të lartë vdekjeje nga sëmundjet neurodegjenerative.

Një studim tjetër i vitit 2024 nga studiues në SHBA, Francë, Irlandë dhe Australi – zbuloi një lidhje të drejtpërdrejtë midis ekspozimit ndaj ushqimeve ultra të përpunuara dhe rrezikut më të lartë të vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare. //a.i/

 

 

The post FOKUS – Si ndikojnë ushqimet ultra të përpunuara në shëndetin tonë? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NYP: Modelet e inteligjencës artificiale po gënjejnë, shantazhojnë dhe sabotojnë krijuesit e tyre

24 August 2025 at 07:46

NJU JORK, 24 gusht /ATSH/- Inteligjenca artificiale, IA – tani po komploton, saboton dhe shantazhon njerëzit që e ndërtuan atë – dhe sjellja e keqe vetëm do të përkeqësohet, paralajmëruan ekspertët, sipas “New York Post”.

Pavarësisht se klasifikohet si një rrezik sigurie i nivelit të lartë, modeli më i fuqishëm i “Anthropic, Claude Opus 4”, është tashmë aktiv në “Amazon Bedrock, Vertex AI” të “Google Cloud” dhe planet me pagesë të Anthropic, me masa shtesë sigurie, ku po tregtohet si modeli më i mirë i kodimit në botë.

“Claude Opus 4”, i lançuar në maj, është modeli i vetëm deri më tani që ka fituar klasifikimin e rrezikut të nivelit 3 të Anthropic – përcaktimi i tij më serioz i sigurisë.

Përcaktimi paraprak do të thotë masa mbrojtëse të mbyllura, raste përdorimi të kufizuara dhe testime të ekipit të kuq përpara se të fillojë të zbatohet më gjerësisht.

Modeli më i avancuar i inteligjencës artificiale i “Anthropic, Claude Opus 4”, kërcënoi të zbulonte aferën e një inxhinieri nëse nuk do të mbahej online gjatë një testi të kohëve të fundit.

IA nuk po bënte bllof: ajo tashmë kishte mbledhur të gjitha informacionet nga emailet që studiuesit i kishin futur në skenar.

Hulumtuesit thonë se ngërçi, pjesë e një eksperimenti njëmujor të njohur si “Project Vend” – tregon diçka shumë më të rrezikshme sesa kodimi i keq.

“Claude”nuk bëri vetëm gabime. Ai mori vendime.

“Anthropic” tha se testet ishin hartuar për të stresuar modelin në mjedise të simuluara dhe për të zbuluar sjellje të gabuara para vendosjes në botën reale, duke shtuar se ndërsa disa veprime tregonin shenja të qëllimit strategjik, shumë prej tyre – veçanërisht në “Project Vend” – pasqyronin konfuzion.

Në OpenAI, një model i quajtur “o1” u kap duke u përpjekur të kopjonte veten në servera të jashtëm, pastaj gënjeu për tentativën kur u pyet, raportoi “Fortune”.

Grupi mbikëqyrës “Apollo Research” zbuloi gjithashtu se një version i hershëm i “Claude Opus 4” falsifikoi dokumente ligjore, krijoi kopje rezervë sekrete dhe la shënime për versionet e ardhshme të vetes, duke përfshirë njoftime të rreme për shtyp dhe skedarë të fshehur të etiketuar CICERO i Meta, një IA e ndërtuar për të luajtur lojën strategjike “Diplomacy”, përdori mashtrimin për të mashtruar lojtarët njerëzorë duke ndërtuar aleanca dhe më pas i therte ata pas shpine për të fituar.

Yampolskiy tha se këto incidente tregojnë modele që mësojnë të manipulojnë rregullat për të ruajtur veten.

Ato nuk janë të këqija, thjesht të optimizuara në mënyrë të rrezikshme.

Problemi: modelet moderne të inteligjencës artificiale janë ndërtuar për të maksimizuar shpërblimin, jo për t’u përafruar me vlerat njerëzore, dhe ndërsa ato bëhen më të mëdha dhe më të zgjuara, aftësia e tyre për të manipuluar sistemin po tejkalon aftësinë e zhvilluesve për ta ndaluar atë. //a.i/

 

The post NYP: Modelet e inteligjencës artificiale po gënjejnë, shantazhojnë dhe sabotojnë krijuesit e tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Neozelandezja paguan 1 506 euro një taksi për… 1 500 metra rrugë!

24 August 2025 at 07:35

BERLIN, 24 gusht /ATSH– DPA/ – Një turiste nga Zelanda e Re u përball me një faturë prej  1 506 eurosh për një udhëtim me taksi prej vetëm 1,5 kilometrash gjatë vizitës sa saj turistike në kryeqytetin kroat, Zagreb.

Gruaja e kuptoi vetëm pasi ishte kthyer në shtëpi se shuma i ishte tërhequr nga llogaria.

”Ajo më pas mori një pjesë të parave mbrapsht”, raportoi gazeta kroate “Jutarnji List”.

Shoferi tani është nën hetim për “evazion fiskal”, pasi dyshohet se nuk ka lëshuar faturë.

Prej kohësh ka paralajmërime për mashtrime me udhëtimet me taksi në Kroaci.

Turistja kishte marrë taksinë në maj nga stacioni kryesor i trenit në Zagreb drejt një destinacioni të afërt në qendër të qytetit.

Taksimetri tregoi në ekran pagesën prej 185 euro  dhe kur turistja protestoi, shoferi thuhet se i ofroi një “zbritje” me çmimin 150 euro,  të cilën ajo e pagoi me ngurrim e nën presion.

Më pas shoferi thirri një koleg që kishte lexues karte, por shuma e tërhequr doli shumë më e lartë.

Pasi u kthye në Zelandën e Re, gruaja zbuloi mashtrimin dhe e raportoi shoferin në polici përmes ambasadës kroate.

Pas publikimit të lajmit nga gazeta, shoferi i ktheu 1 350 euro, duke pretenduar se pagesa kishte qenë një “gabim i pafajshëm”. /Ad.Ab./

The post SOFT NEWS – Neozelandezja paguan 1 506 euro një taksi për… 1 500 metra rrugë! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌