Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 July 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

Manastirliu: Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, pikë referimi për arsimin e lartë

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi sot një diskutim në EduLab, me rektorin e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, prof. dr. Shkëlqim Fortuzi dhe tri studente të ciklit master.

Ministrja Manastirliu tha se Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit po kthehet në një pikë referimi për arsimin e lartë, duke u fokusuar në përgatitjen e të rinjve për tregun e punës dhe në ndërtimin e urave të qëndrueshme të bashkëpunimit mes studentëve dhe sipërmarrjes”.

Manastirliu u ndal edhe te një prej programeve të hapura në bashkëpunim me Universitetin “La Sapienza” të Romës, ndërsa foli edhe për risitë që sjell ky vit akademik me hapjen e programeve të reja bachelor dhe master në fushat e biznesit, turizmit dhe teknologjisë digjitale, në bashkëpunim me universitete prestigjioze evropiane.

“Universiteti “Aleksandër Moisiu” është një universitet ku studentët kanë ardhur në rritje, ndërsa interesi është shtuar. Edhe ju jeni adaptuar duke riorganizuar me programet e reja falë një bashkëpunimi me Universitetin “La Sapienza” në Romë”, u shpreh Manastirliu.

Gjithashtu, rektori i këtij universiteti, prof. dr. Shkëlqim Fortuzi tha se institucioni arsimor që ai drejton është fokusuar që studentët t’i afrojë sa më shumë me tregun e punës.

“Një mundësi e shkëlqyer për studentët, jo vetëm që një pjesë të studimeve të tyre të ciklit master ta zhvillojnë në “La Sapienza”, por çdo ditë e më shumë ne kemi programe të përbashkëta studimi me universitete evropiane. Po punojmë fort që të nxisim mobilitetet nëpërmjet programeve Erasmus+, për të motivuar stafin akademik, kërkuesit shkencorë, studentët tanë për të qenë pjesë e programeve Horizont Evropa”, vijoi Manastirliu.

Tri studentet e ciklit master pranë këtij universiteti, ndanë gjithashtu vlerësimet e tyre duke e konsideruar një risi qasjen e diplomave të dyfishta në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, ndërsa thanë se një pjesë të studimeve të tyre i kanë zhvilluar në “La Sapienza” në Romë.

/e.i/r.e/

The post Manastirliu: Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, pikë referimi për arsimin e lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkrimtarja shqiptare, kandidate për Booker Prize 2025

30 July 2025 at 11:53

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit njoftoi sot se shkrimtarja shqiptare, Ledia Xhoga, është kandidate për çmimin e madh të letërsisë, Booker Prize 2025.

Xhoga, me romanin e saj “Misinterpretation”, renditet në listën e gjatë të pretendentëve për këtë çmim prestigjioz.

Ledia Xhoga është shkrimtarja e dytë shqiptare që kandidon për Booker Prize pas Ismail Kadaresë që e ka fituar çmimin, “The International Booker Prize”, në vitin e themelimit të kësaj kategorie, në 2005. Kadare ishte njëri prej kandidatëve edhe dy herë të tjera, në 2017-n dhe në 2024-n.

Fituesi i këtij viti për Booker Prize do të shpallet më datë 10 nëntor 2025.

Booker Prize është çmimi kryesor letrar në botën anglishtfolëse, dhe ka sjellë njohje, shpërblim dhe lexues për letërsinë artistike për më shumë se pesë dekada. Ai u dha për herë të parë në vitin 1969.

Ky çmim synon të inkurajojë më shumë leximin e letërsisë artistike cilësore nga e gjithë bota dhe tashmë, sipas stitistikave, e ka pasur një ndikim. Puna jetike e përkthyesve shpërblehet me çmimin prej 50 000 paund të ndarë në mënyrë të barabartë midis autorit dhe përkthyesit. Çdo autor dhe përkthyes në listën e ngushtë merr gjithashtu 2500 paund.

1 nga 4

/r.e/

The post Shkrimtarja shqiptare, kandidate për Booker Prize 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paralajmërimet për cunami, ambasada e Shqipërisë në Japoni: Shtetasit shqiptarë të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Pas paralajmërimeve nga autoritetet japoneze për një cunami, ambasada shqiptare në Japoni u ka bërë thirrje shqiptarëve që ndodhen atje që të ndjekin me vëmendje udhëzimet dhe informacionet nga autoritete lokale.

Paralajmërimet për cunami deri në 3 metra përgjatë bregdetit të Paqësorit të Japonisë nga Hokkaido në Wakayama erdhën pas tërmetit të fortë me magnitudë 8,7 ballë që goditi lindjen e Gadishullit Kamçatka, në Rusi.

“Në vijim të paralajmërimeve të autoriteteve japoneze për tsunami në disa rajone të vendit, iu bëjmë thirrje shtetasve shqiptarë që ndodhen në Japoni të ndjekin me vëmendje informacionet e publikuara dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e autoriteteve lokale”, njoftoi ambasada shqiptare në Japoni.

Në rast nevoje për ndihmë, Ambasada ka publikuar adresa dhe numra kontakti.

embassy.tokyo@mfa.gov.al

WhatsApp: +81-70-9023-3905

+81 80 4357 2971

Përditësime në gjuhën angleze janë të disponueshme si vijon:

Agjensia Japoneze e Meteorologjisë https://www.jma.go.jp/jma/indexe.html

NHK World:� https://www3.nhk.or.jp/nhkworld/en/live/

Më shumë se 2 milionë njerëz në Japoni u urdhëruan të evakuohen për shkak të rrezikut për cunami.

/m.q/r.e/

The post Paralajmërimet për cunami, ambasada e Shqipërisë në Japoni: Shtetasit shqiptarë të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Programi EU4School, përfundojnë dy objekte arsimore në Lezhë

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Në Bashkinë Lezhë, programi “EU4Schools”, ka bërë të mundur rindërtimin dhe/apo riparimin e plotë të dy objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Përmes një publikimi në rrjete sociale, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Shqipëri bën me dije se këto dy institucione arsimore janë shkolla 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti” dhe shkolla 9-vjeçare e kopshti “Fran Ivanaj”, Ishull-Shëngjin.

Pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, Programi “EU4Schools” (“BE për Shkollat”) ka siguruar mjedise më të sigurta dhe bashkëkohore për afro 1 000 nxënës, fëmijë dhe mësues të këtyre dy institucioneve, si dhe 68 000 banorë të komuniteteve të prekura.

Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me 75 milioë euro dhe zbatohet nga UNDP në Shqipëri në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.

Deri tani në kuadër të këtij projekti janë përfunduar 61 nga 63 objekte arsimore në 11 bashki të prekura nga tërmeti i 2019-s, duke ndikuar në jetën e mbi 25 000 fëmijëve, nxënësve dhe mësuesve.

/r.e/

The post Programi EU4School, përfundojnë dy objekte arsimore në Lezhë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Fëmijët në Gaza po vdesin urie, më shumë ndihma ushqimore

30 July 2025 at 11:43

UASHINGTON, 30 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump kërkoi rritjen e ndihmës ushqimore për civilët në Rripin e Gazës duke paralajmëruar se fëmijët atje po vuajnë nga uria.

”Qoftë edhe nëse nuk e pranojnë si uri, ata janë fëmijë që po vdesin nga uria”, tha Trump për gazetarët gjatë udhëtimit të tij me ”Air Force One”, në kthim nga Skocia drejt Uashingtonit.

”Shikon nënat, i duan aq shumë fëmijët e tyre. Por, s’ka asgjë që duket se mund të bëjnë”, shtoi ai.

Kur u pyet nëse e kishte diskutuar këtë çështje me Zonjën e Parë Melania, presidenti Trump u përgjigj se ”ajo sheh të njëjtat pamje që shihni edhe ju, që i shohim të gjithë. Dhe mendoj se kushdo, përveç nëse është me të vërtetë pa zemër, ose më keq akoma, i çmendur, nuk ka çfarë të thuash tjetër përveçse se është e tmerrshme kur sheh fëmijët në atë gjendje”.

”Duhet t’u çojnë ushqime. Dhe ne do t’u çojmë ushqime”, tha Trump.

Presidenti amerikan ka bërë më parë thirrje për më shumë ndihmë nga Izraeli për popullsinë e uritur në Gaza, duke adoptuar një ton dukshëm më të ashpër mbi këtë çështje.

Ndërkohë, qëndrimi zyrtar i qeverisë amerikane mbetet se grupi islamik palestinez ”Hamas” mban përgjegjësinë kryesore për krizën humanitare në Gaza./ /Ad.Ab./

 

The post SHBA – Trump: Fëmijët në Gaza po vdesin urie, më shumë ndihma ushqimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo City kërkojnë kalimin në raundin tjetër të UEFA Conference League

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo City do të zbresin nesër në fushë për ndeshjet e kthimit të raundit të dytë të UEFA Conference League.

Të trija skuadrat shqiptare vijnë pas fitoreve në përballjet e para dhe synojnë të ruajnë avantazhin për të siguruar kualifikimin.

Egnatia do të presë Dinamo Minskun në stadiumin “Arena Egnatia”, pas fitores 0-2 në transfertë ndaj skuadrës bjelloruse. Ndeshja do të luhet të enjten në orën 21:00.

Dinamo City do të luajë ndeshjen e kthimit kundër AC Escaldes në stadiumin “Elbasan Arena”. Pas suksesit 1-2 në ndeshjen e parë, dinamovitët kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv për të kaluar më tej. Takimi do të nisë në orën 20:45.

Sakaq, Vllaznia do të udhëtojë drejt Islandës për ndeshjen e kthimit kundër Vikingur. Shkodranët fituan 2-1 sfidën e parë të zhvilluar më 24 korrik në stadiumin “Loro Boriçi” dhe tashmë synojnë të ruajnë epërsinë. Ndeshja e kthimit do të nisë në orën 20:45.

The post Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo City kërkojnë kalimin në raundin tjetër të UEFA Conference League appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tregu i sigurimeve rritje me rreth 8% në gjysmën e parë të vitit

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Tregu i sigurimeve shënoi rritje gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Referuar raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit arritën 12,8 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 8%, krahasuar me periudhën janar-qershor 2024.

Numri i kontratave të lidhura gjatë gjysmës së parë të vitit arriti 755 806, një rritje prej 8,06% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo tregon një rritje të interesit nga konsumatorët dhe një forcim të besimit në sigurimet e ofruara nga kompanitë e sigurimeve.

Në aspektin e ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, tregu vazhdon të jetë i orientuar kryesisht tek sigurimet e jo-jetës, të cilat kanë kontribuar me 90,98% të vëllimit të përgjithshëm të primeve.

Ndërkohë, sigurimet e jetës kanë zënë vetëm 8,99%, një përqindje që mbetet e ulët.

Në ndarjen sipas llojit të sigurimeve, primet e shkruara bruto të sigurimeve vullnetare zënë 41,29% të totalit, ndërsa sigurimet e detyrueshme zënë 58,71% të tregut.

Ndërkohë, dëmet e paguara bruto gjatë periudhës janar-qershor 2025 shënuan një ulje të lehtë prej 0,73%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në rreth 4 miliardë lekë.

Sigurimi motorik shënoi rritje të konsiderueshme në dëmet e paguara, me një vlerë prej 2640 milionë lekësh, që përbën një rritje prej 6,48% krahasuar me vitin e kaluar.

/r.e/

The post Tregu i sigurimeve rritje me rreth 8% në gjysmën e parë të vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM vlerëson koordinimin e FSK-së me KFOR-in lidhur me operacionin e kërkimit në Ujman

PRISHTINË, 30 korrik /ATSH/ Ambasada e Britanisë së Madhe ka vlerësuar sot koordinimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it lidhur me operacionin që u zhvillua për kërkimin e një personi në Liqenin e Ujmanit.

Ambasada tha se operacioni është dëshmi e aftësive të kërkim-shpëtimit të Forcës dhe në përputhje me marrëveshjet afatgjata midis KFOR-it dhe FSK-së.

“Ne e përgëzojmë KFOR-in për ofrimin e mbështetjes dhe sigurisë gjatë gjithë këtij operacioni dhe i shprehim ngushëllime familjes së burrit që fatkeqësisht humbi jetën. Britania e Madhe mbështet plotësisht misionin e KFOR-it për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë. Bashkëpunimi i ngushtë mes KFOR-it, FSK-së dhe reaguesve të tjerë të sigurisë përfshirë Policinë e Kosovës dhe EULEX-in janë jetik për suksesin e misionit të KFOR-it”.

FSK-ja arriti dje, më 29 korrik, të gjejë trupin e pajetë të një personi i cili u raportua se kishte rënë nga ura në Liqenin e Ujmanit të dielën.

Ekipet e specializuara të Forcës u përfshinë në operacion vetëm në ditën e tretë dhe kjo erdhi pasi KFOR-i e autorizoi FSK-në që të zhvillojë këtë operacion humanitar.

Dislokimi i trupave të FSK-së në veriun e banuar me shumicë serbe mund të bëhet vetëm me pëlqim paraprak të KFOR-it, në bazë të një zotimi që është bërë në vitin 2013 nga Qeveria e Kosovës dhe NATO.

Ujmani ndodhet në Zubin Potok – një prej katër komunave veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. /KosovaPress/

The post BM vlerëson koordinimin e FSK-së me KFOR-in lidhur me operacionin e kërkimit në Ujman appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PL: Turistët konsumojnë produkte importi, fermerët shqiptarë të përjashtuar nga zinxhiri i furnizimit

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Partia e Lirisë deklaroi sot se sektori i turizmit nuk po mbështetet nga qeveria, ndërsa evidentoi disa nga problematikat me të cilat haset ky sektor.

Në një deklaratë për mediet zëvendëssekretarja e përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu tha se bizneset e vogla po goditen çdo ditë, në vend që të mbështeten.

“Sektori i turizmit jo vetëm që nuk ndihmohet nga qeveria, por po goditet çdo ditë. Bizneset e vogla që mbajnë peshën kryesore të turizmit veror, në vend që të mbështeten për të zgjeruar ofertën përtej muajve të nxehtë, të sigurohet furnizimi me ujë dhe drita, po sulmohen me rruspa, dënohen me gjoba selektive, dhe shantazhohen nga inspektorë që vijnë me porosi politike.

“Qeveria po godet bizneset familjare në Himarë, Ksamil, Vlorë e Durrës që rrëzohen njëra pas tjetrës për t’ia lënë vendin oligarkëve dhe projekteve betonizuese”, tha Haxhiu.

Sipas Haxhiut, më shumë se 80% e ushqimeve që konsumohen nga turistët janë të importuara.

“Fermerët shqiptarë janë të përjashtuar nga zinxhiri i furnizimit, sepse qeveria nuk ka krijuar asnjë mekanizëm të organizuar për ta lidhur bujqësinë me turizmin. Turizmi në Shqipëri pasuron tregjet e huaja duke lënë bujqësinë shqiptare të falimentojë”, tha Haxhiu.

Haxhiu theksoi gjithashtu se bregdeti shqiptar është i ndotur.

“Ujërat detare janë të ndotura me baktere dhe mbetje fekale, në nivele që do të çonin në mbylljen e plazheve në çdo vend të BE-së. Asnjë kanalizim i ndarë, asnjë sistem trajtimi, asnjë strategji kombëtare për mbrojtjen e vijës bregdetare, vetëm fasada, vetëm reklama”, u shpreh Haxhiu.

Haxhiu shtoi se Shqipëria ka nevojë për vizion, për mbështetje reale, për investime në rrugë, ujësjellës, kanalizime, për mbrojtje të mjedisit dhe forcim të ekonomisë vendase.

“Mbështetja e vërtetë për ekonominë shqiptare është te fermeri që prodhon domaten, te punëtori i hotelit që jeton me një rrogë sezonale, te familja që ka ndërtuar një bujtinë në fshat”, tha Haxhiu.

/m.q/r.e/

The post PL: Turistët konsumojnë produkte importi, fermerët shqiptarë të përjashtuar nga zinxhiri i furnizimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMA zhvillon tryezën e fundit të konsultimit publik, Krasniqi: Të vendosur në luftën kundër piraterisë

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Autoriteti i Mediave Audiovizive zhvilloi në Pogradec, tryezën e fundit të Konsultimit Publik për ndryshimet që ka propozuar në rregulloren: “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së autorizimeve”.

Kryetarja e AMA-s u shpreh se është marrë dakordësia e mbi 70% operatorëve të autorizuar nga AMA, me të cilët janë realizuar konsultime gjatë këtyre javëve, në gjithë Shqipërinë, për këto ndryshime.

Krasniqi tha se janë propozuar ndryshime që kanë të bëjnë me shtimin e masave përforcuese të respektimit të ligjit.

“Të gjithë subjektet audiovizivë që shesin produkt audioviziv duhet t’i përmbahen vetëm produktit për të cilin janë të licencuar; ky licencim nuk ka lidhje me qasjen në kanalet e hapura për qytetarët”, vijoi Krasniqi.

Kryetarja e AMA-s, theksoi se “është e rëndësishme të kuptohet se, aktiviteti që disa subjekte kanë zgjedhur të bëjnë, duke shitur kanalet e lira bashkë me produktin për të cilin janë të autorizuar, është devijim nga ligji dhe shfrytëzim i hapësirave, që deri tani kanë ekzistuar në rregulloren e autorizimeve”.

“Ky abuzim nuk mund të vazhdojë më! Kjo masë përforcuese e ligjshmërisë nuk është frenim i teknologjisë, por frenim i abuzimit të ndodhur deri më sot nga subjekte që, atë çfarë është pa pagesë, e kanë shitur me gjoja arsyen se po i shërbejnë publikut”, pohoi Krasniqi.

“Për këto arsye të gjithë subjektet duhet të përgatiten që të modulojnë dekoderat dhe të zbatojnë ligjin. Nuk ka asnjë arsye që kanalet e lira për publikun të përfshihen brenda paketave të subjekteve ritransmetuese, pa pasur marrëveshje me prodhuesit e produktit”, nënvizoi Krasniqi, duke theksuar se AMA mbetet e palëkundur në luftën e saj dhe se paligjshmëria duhet dhe do të marrë fund.

Autoriteti i Mediave Audiovizive në Pogradec gjatë tryezës së fundit të Konsultimit Publik
1 nga 5

/e.i/r.e/

The post AMA zhvillon tryezën e fundit të konsultimit publik, Krasniqi: Të vendosur në luftën kundër piraterisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

JAPONI – Dallgë të larta përfshijnë bregdetin verior të vendit, pas tërmetit në Rusi

30 July 2025 at 09:33

TOKIO, 30 korrik /ATSH-DPA/ – Japonia lëshoi sot paralajmërime për cunami, pasi një tërmet i fuqishëm goditi gadishullin Kamçatka të Rusisë duke shkaktuar rritje të baticës përgjatë pjesëve të vijës bregdetare veriore.

”Dallgë deri në 60 centimetra u vunë re përgjatë brigjeve të prefekturave Hokkaido dhe Iwate”, raportoi transmetuesi publik NHK.

Autoritetet paralajmëruan se dallgët e cunamit mund të arrijnë deri në tre metra.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë u bëri thirrje banorëve në zonat bregdetare të evakuohen në vende më të larta ose në strehimore të caktuara dhe i këshilloi ata të qëndrojnë në vende të sigurta pavarësisht nxehtësisë intensive të verës.

”Paralajmërimi mund të mbetet në fuqi për një ditë tjetër ose më gjatë”, tha agjencia.

Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima ose dëme, sipas një zëdhënësi të qeverisë.

Qeveria në Tokio ngriti një ekip reagimi ndaj krizave për të monitoruar situatën./   /Ad.Ab./

The post JAPONI – Dallgë të larta përfshijnë bregdetin verior të vendit, pas tërmetit në Rusi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: “Onufri” i Beratit, çdo ditë mikpret qindra vizitorë

30 July 2025 at 09:27

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Të shumtë janë vizitorët që shohin nga afër pasuritë që ruan në fondin e tij Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, u shpreh se janë me qindra vizitorë nga e gjithë bota, që çdo ditë mikpriten nga “Onufri”, i cili u ofron atyre një përvojë të pasur shpirtërore dhe artistike përmes ikonave të rralla dhe audioguidës në disa gjuhë të huaja.

Muzeu Ikonografik “Onufri” ndodhet në qendër të lagjes së banuar në kalanë e Beratit. Ai është përshtatur në ambientet e Katedrales “Fjetja e Shën Marisë”. Arkitektura ku është vendosur muzeu është kisha më e madhe e lagjes Kala. Ajo ka qenë Katedralja e qytetit të Beratit dhe së bashku me ndërtesat e Mitropolisë formonte një kompleks arkitektonik.

Nga ky kompleks ka mbetur vetëm kisha, e cila është ndërtuar në vitin 1797, por që mendohet se është rindërtuar mbi themelet e një kishe më të vjetër. Nga të dhënat historike, dimë se Katedralja ka funksionuar si e tillë deri në vitin 1967, viti i reformës ateiste, kur mjediset e komuniteteve fetare kaluan nën administrimin e shtetit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo, piktorët me mbiemër Çetiri e shumë piktorë të tjerë anonimë.

/r.e/

The post Gonxhja: “Onufri” i Beratit, çdo ditë mikpret qindra vizitorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në kërkim nga Italia për trafik narkotikësh, arrestohet 39-vjeçari në Shijak


TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Një 39-vjeçar i dënuar në Itali, me 7 vjet, 7 muaj e 12 ditë burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike, është arrestuar në Shijak.

Policia njoftoi sot se “në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, në bashkëpunim me Shërbimet Operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 57″”.

“Gjatë këtij operacioni, u kap në fshatin Hardhisht, Shijak, dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi Fatjan Stafa, 39 vjeç, banues në fshatin Pjezë, Durrës”, njoftoi Policia.

Sipas Policisë, “ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Firences, me vendimin e datës 08.10.2024, e ka dënuar me 7 vjet, 7 muaj e 12 ditë burgim, për për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike”.

Interpol Tirana vijon procedurat në bashkëpunim me autoritetet italiane, për ekstradimin e këtij shtetasi.

/m.q/r.e/

The post Në kërkim nga Italia për trafik narkotikësh, arrestohet 39-vjeçari në Shijak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga bregu i Bunës në Dajç

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Bregu i Bunës në zonën e Dajçit (Shkodër) është një tjetër atraksion turistik që po tërheq pushues të shumtë vendas, por edhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregu i Bunës në Dajç, aty ku ujërat e pastra të lumit Buna dhe pemët e larta janë bërë njësh me natyrën e bukur të kësaj zone, duke e kthyer në një atraksion gjithnjë e më të kërkuar për vizitorët vendas dhe të huaj.

I rrethuar nga gjelbërimi dhe ujërat e lumit Buna, kjo zonë ofron çlodhje larg zhurmës dhe temperaturave përvëluese të qytetit.

Një gji i qetë dhe i mbrojtur, ku pushuesit gjejnë kombinimin perfekt mes natyrës së virgjër dhe mikpritjes lokale, plazhi i vogël në Dajç po fiton një vend të veçantë në hartën e destinacioneve alternative të turizmit në Shqipëri.

Foto nga bregu i Bunës në zonën e Dajçit të Shkodrës
1 nga 3

/e.i/r.e/

The post Rama ndan pamje nga bregu i Bunës në Dajç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Havai mbyll të gjitha portet pas alarmit për cunami

UASHINGTON, 30 korrik /ATSH-DPA/ – Portet në të gjithë Havain u mbyllën, pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 8,8 ballë Rihter që goditi Paqësorin pranë gadishullit të Kamçatkas, në Lindjen e Largët ruse.

Roja bregdetare ka udhëzuar anijet tregtare që drejtohen për në portet e Havait që të qëndrojnë në det për momentin.

Një paralajmërim për cunami është lëshuar për Havain, me televizionet lokale që transmetojnë pamje të kamerave në plazhe që monitorojnë vijën bregdetare.

Një tërmet me magnitudë 8,8 ndodhi në orën 23:24 GMT, rreth 136 kilometra në juglindje të gadishullit Kamçatka, në detin Bering në një thellësi prej rreth 20 kilometrash, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS).

USGS fillimisht kishte raportuar magnitudë si 8,0.

Sipas USGS, tërmeti ishte më i forti në botë që nga katastrofa e Fukushimës, në mars 2011, dhe është tejkaluar vetëm nga pesë tërmete që nga fillimi i matjeve.

Japonia, Rusia dhe pjesë të Shteteve të Bashkuara lëshuan paralajmërime për cunami pas tërmetit të fuqishëm nënujor./  a.jor.

The post SHBA – Havai mbyll të gjitha portet pas alarmit për cunami appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Liqeni i Shkodrës në UNESCO, mbahet konferenca përfundimtare Shqipëri – Mali i Zi

30 July 2025 at 08:30

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Në Mal të Zi u mbajt konferenca e përbashkët përfundimtare për përgatitjen e dosjes drejtuar UNESCO-s për shpalljen e Liqenit të Shkodrës si Rezervë Biosfere Ndërkufitare.

Konferenca e përbashkët mblodhi mbi 70 pjesëmarrës nga palët dhe grupet e interesit, aktorët lokalë, donatorët, ekspertët, ministritë përkatëse dhe sekretariati i UNESCO-s.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri të ditur se, dosjet përkatëse të nominimit janë gati për t’u dorëzuar në ministritë përkatëse dhe do të shërbejnë për dy komponentë të rëndësishëm: prezantimin e rezultateve e arritjeve të projektit, si dhe dakordësimin mbi hapat e mëtejshëm të nevojshëm për të krijuar SLW – TBR (Shkodra Lake Watershed-Transboundary Biosphere Reserve/ Pellgu ujëmbledhës i Liqenit të Shkodrës-Rezervë Biosferë Ndërkufitare).

Konferenca përfundimtare shërbeu për të prezantuar arritjet dhe për të përcjellë një mesazh angazhimi dhe bashkëpunimi rajonal për publikun e gjerë. Përmes programit të rezervave të biosferës, një zhvillim i qëndrueshëm i gjelbër është i mundur për rajonin dhe për ta arritur këtë, ndryshimi i mentalitetit dhe i qëndrimit është i domosdoshëm. Gjithashtu, një harmonizim dhe partneritet i palëve të interesuara, është çelësi i suksesit.

Në fund të konferencës panairi i kulturave dhe natyrës shfaqi mundësitë dhe potencialet e rajonit të ardhshëm të Biosferës.

/r.e/

The post Liqeni i Shkodrës në UNESCO, mbahet konferenca përfundimtare Shqipëri – Mali i Zi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSHEE, skema lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për bizneset dhe institucionet

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njoftoi ofrimin e skemave lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve të pagesave të prapambetura të energjisë për bizneset dhe institucionet.

Sipas OSHEE-së, skemat e përshtatura ofrohen për abonentët jofamiljarë, buxhetorë dhe jobuxhetorë dhe bizneset e vogla dhe të mesme.

Skemat e përshtatura mundësojnë lehtësi nga detyrimet e energjisë në shlyerjen deri në 120 këste sipas detyrimit për klientët jofamiljarë.

Gjithashtu mundëson ulje të kamatës nga 50 deri në 100% për jofamiljarët që likuidojnë të gjithë detyrimin.

“Kjo skemë aktmarrëveshje vlen për detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2023”, njofton OSHEE.

/r.e/

The post OSHEE, skema lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për bizneset dhe institucionet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Ndërkombëtare e Miqësisë

30 July 2025 at 08:00

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Sot është Dita Ndërkombëtare e Miqësisë, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2011, me motivacionin se miqësia midis popujve, vendeve, kulturave dhe individëve mund të frymëzojë përpjekjet për paqe dhe të ndërtojë ura midis komuniteteve.

Asambleja e Përgjithshme njeh në dokument rëndësinë e miqësisë si një “ndjenjë fisnike dhe e çmuar në jetën e qenieve njerëzore në mbarë botën”.

Në nderim të kësaj dite, OKB-ja inkurajon qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe grupet e shoqërisë civile të zhvillojnë aktivitete dhe iniciativa që kontribuojnë në promovimin e një dialogu midis qytetërimeve, solidaritetit, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe pajtimit.

Këtë vit, ndërsa bota përballet me diferenca të thella midis kombeve, brenda shoqërive, madje edhe brenda familjeve, thirrja për miqësi nuk është sentimentale. Është thelbësore. Ajo na nxit të guxojmë të besojmë në diçka më të mirë. Është një thirrje për të imagjinuar një të ardhme ku ndryshimi nuk do të thotë distancë dhe ku besimi është më i fortë se frika. Nëpërmjet miqësisë, ne nuk përballemi vetëm me botën ashtu siç është, por fillojmë ta formojmë botën ashtu siç do të donim të ishte.

/r.e/

The post Dita Ndërkombëtare e Miqësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Travel and Tour World”: Pse Shqipëria është sekreti i Mesdheut?

30 July 2025 at 07:34

TIRANË, 29 korrik /ATSH/- E vendosur në cepin juglindor të Evropës, Shqipëria ofron një ndërthurje të bukurisë natyrore magjepsëse, kulturës së pasur lokale dhe çmimeve të përballueshme – që kohët e fundit ka filluar të tërheqë vëmendjen e turistëve – në kërkim të përvojave autentike evropiane, sipas “Travel and Tour World” (TTW).

Me një vijë bregdetare që shtrihet përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, rajoni jugor i Shqipërisë, i njohur si Riviera Shqiptare, është një parajsë.

Këtu, turistët do të gjejnë ujëra të kristalta, plazhe të pastra dhe një atmosferë të qetë – pa turma vizitorësh apo çmime të larta si në destinacionet e tjera të njohura mesdhetare.

Vend i përballueshëm dhe i arritshëm

Një nga aspektet më joshëse të vizitës në Shqipëri është përballueshmëria e saj.

Ndryshe nga vendet e tjera mesdhetare si Bregu i Amalfit ose Santorini, Shqipëria ofron çmime  shumë më të ulëta për akomodim, ngrënie dhe aktivitete të tjera.

Një natë në një shtëpi mysafirësh ose në një hotel të vogël – zakonisht kushton midis 20-30 euro.

Të ngrënit jashtë është po aq lirë. Një vakt tipik në një restorant lokal, duke përfshirë ushqime të freskëta deti, sallatë dhe një pije, mund kushtojë rreth 10–15 euro.

Edhe një birrë freskuese pranë plazhit kushton rreth 1–1,50 euro.

Zhvillimi i infrastrukturës

Infrastruktura e Shqipërisë është përmirësuar, vitet e fundit për të mbështetur numrin në rritje të turistëve që vizitojnë vendin.

Qeveria ka investuar në projekte transporti për ta bërë më të lehtë për vizitorët të eksplorojnë vijën bregdetare të mrekullueshme të vendit dhe zonat në brendësi.

Një shembull i dukshëm është Tuneli i Llogarasë i ndërtuar rishtazi, i cili ka ulur ndjeshëm kohën e udhëtimit midis qytetit bregdetar të Vlorës dhe Rivierës Shqiptare.

Ky itinerar i ri e shkurton udhëtimin nga 30 minuta në vetëm 7, duke e bërë atë më të përshtatshëm, efikas dhe të shpejtë – për të aksesuar plazhet e virgjëra të Shqipërisë jugore.

Për më tepër, hapja e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka rritur aksesin në Shqipëri, duke ofruar fluturime direkte nga qytetet kryesore evropiane.

Ky zgjerim po ndihmon në pozicionimin e Shqipërisë si një nga destinacionet më të spikatura në hartë për turistët nga vende të tilla si Britania e Madhe, Gjermania dhe më gjerë.

Kulturë e pasur dhe bukuri natyrore

Shqipëria është një vend i pasur me trashëgimi kulturore dhe bukuri natyrore.

Qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës, të listuara nga UNESCO, të njohura për arkitekturën e tyre osmane, ofrojnë një pamje magjepsëse të së kaluarës së vendit.

Adhuruesit e historisë mund të vizitojnë rrënojat e lashta të Butrintit dhe Apollonisë – ku shfaqen mbetjet e Greqisë së Lashtë, Romës dhe Perandorisë Bizantine.

Përveç vendeve të saj historike, Shqipëria është shtëpia e një shumëllojshmërie mrekullish natyrore.

Alpet Shqiptare, Parku Kombëtar i Lumit Vjosa dhe Liqeni i Shkodrës ofrojnë hapësirë të bollshme për aventura në natyrë, të tilla si ecje në natyrë, rafting dhe vëzhgim i jetës së egër.

Peizazhet e larmishme të Shqipërisë – nga malet dhe lumenjtë te plazhet dhe pyjet – ofrojnë gjithçka për çdo vizitorë.

Ndikimi ekonomik i turizmit: Industria në rritje e Shqipërisë

Turizmi është një sektor thelbësor i ekonomisë së Shqipërisë, duke kontribuar mbi 20% në PBB-në e vendit.

Në vitet e fundit, qeveria shqiptare ka njohur vlerën e turizmit dhe vazhdon të investojë në tërheqjen e vizitorëve ndërkombëtarë.

Bordi i turizmit i vendit ka nisur fushata ndërkombëtare që synojnë turistë nga Britania e Madhe, Gjermania dhe vende të tjera evropiane.

Këto përpjekje synojnë ta pozicionojnë Shqipërinë si një destinacion kryesor për vizitorët që kërkojnë një arratisje unike dhe të përballueshme në Mesdhe.

Qëndrueshmëria sipas planit të strategjisë së turizmit të Shqipërisë

Shqipëria po bën hapa përpara në promovimin e praktikave të turizmit të qëndrueshëm.

Një nga arritjet më të rëndësishme mjedisore të vendit është përcaktimi i lumit Vjosa si park kombëtar, duke siguruar ruajtjen e njërit prej lumenjve të fundit të egër të Evropës.

Ky angazhim për mbrojtjen e burimeve natyrore të Shqipërisë është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të balancuar rritjen e turizmit me ruajtjen e mjedisit.

Qeveria po punon ngushtë me organizatat mjedisore për të siguruar që zhvillimi i ardhshëm të jetë në përputhje me praktikat e qëndrueshme.

Pse Shqipëria është sekreti i Mesdheut?

Shqipëria shquhet si një nga perlat e fundit të pazbuluara të Evropës.

Me plazhet e saj të pastra, historinë e pasur dhe çmimet miqësore, ajo ofron një përvojë udhëtimi autentike dhe të shëndetshme – që është gjithnjë e më e rrallë në destinacionet turistike të komercializuara.

Banorët miqësorë dhe mikpritës të vendit, aksesueshmëria e lehtë, përballueshmëria dhe atraksionet e larmishme e bëjnë atë zgjedhjen për një arratisje nga vendet e mbipopulluara.

Pavarësisht nëse jeni duke pushuar në plazhet e pastra të Ksamilit, duke bërë ecje në Alpet Shqiptare apo duke shijuar ushqime të freskëta deti në një restorant lokal, Shqipëria ofron një përvojë të paharrueshme me një kosto shumë më të ulët se destinacionet e njohura.

Ndërsa turizmi në Shqipëri vazhdon të rritet, është e qartë se kjo parajsë mesdhetare është në rrugën e saj për t’u bërë një destinacion që duhet vizituar me patjetër – për një pushim autentik dhe me buxhet të përballueshëm. //a.i/

https://www.travelandtourworld.com/news/article/albania-europes-hidden-mediterranean-gem-for-affordable-travel/

 

 

The post “Travel and Tour World”: Pse Shqipëria është sekreti i Mesdheut? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Çfarë është një cunami?

PARIS, 30 korrik /ATSH-AFP/ – Cunamet, si ato që filluan të godisnin sot brigjet e Paqësorit të Rusisë dhe Japonisë duke shkaktuar alarme në dhjetëra vende, shkaktohen nga tërmete nënujore.

Tërmeti përgjegjës, i cili ndodhi gjatë natës pranë gadishullit Kamçatka rreth orës 23:25 GMT të martën, u vlerësua në një magnitudë prej 8,8 ballësh nga Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) me seli në Havai.

Ai tashmë ka shkaktuar një cunami prej afërsisht 30 centimetrash në Japoninë veriore, evakuimin e punonjësve nga termocentrali bërthamor i Fukushimës – i dëmtuar nga një cunami shkatërrues në vitin 2011 – dhe përmbytjen e një qyteti port në Ishujt Kurile.

Autoritetet kanë paralajmëruar për lartësi të mundshme nga një deri në tre metra në disa vende, përfshirë Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara (Havai dhe Alaska).

Vala e cunamit, e krijuar nga goditja sizmike, fiton energji sa herë që godet shtratin e detit.

Në origjinën e tij, një cunami gjeneron vetëm valë të vogla, me hapësira të gjera, sepse masat e mëdha të ujit të zhvendosura nga tërmeti nxitojnë poshtë thellë përgjatë deformimeve të shtratit të detit, ndryshe nga valët e zakonshme, të cilat ndikojnë vetëm në sipërfaqen e ujit.

Por, ndërsa këto valë përparojnë drejt bregdetit, me një shpejtësi prej rreth 800 km/h, shtrati i oqeanit ngrihet, duke përqendruar energjinë e mbartur nga cunami.

Valët ngadalësohen, afrohen më shumë me njëra-tjetrën dhe lartësia e tyre rritet ndjeshëm, duke arritur mbi 20 metra.

Meqenëse një valë humbet shumë pak energji gjatë përhapjes së saj në det, ajo mund të kryejë distanca të konsiderueshme për të goditur brigjet mijëra kilometra nga origjina e saj.

Për shembull, në vitin 1960, një tërmet me magnitudë 9,5 në Kili shkaktoi një cunami shkatërrues që arriti në bregdetin e Japonisë.

Vendet kryesore të Paqësorit koordinojnë vëzhgimet e tyre për të paralajmëruar për rreziqet e këtyre valëve të oqeanit.

Ndërsa shumica e cunameve ndodhin pas një tërmeti, ka shkaqe të tjera të mundshme: ortekë nënujorë, ndonjëherë të shkaktuar nga tërmetet, si në Guinenë e Re Papua në vitin 1998 (më shumë se 2 000 viktima), shpërthime vullkanike, si në Krakatoa, një ishull i vogël midis Java dhe Sumatra (36 400 viktima në gusht 1883), dhe ndikimi i një asteroidi në ujë.

Valët e vogla mund të shkaktohen edhe nga fenomenet meteorologjike, veçanërisht shkëmbimet e dhunshme termike që çojnë në sisteme me presion të ulët që gjenerojnë erëra të forta.

Më 26 dhjetor 2004, brigjet e një duzine vendesh të Azisë Juglindore u shkatërruan nga një cunami që vrau 220 000 persona.

”Forca e tërmetit në origjinën e tij ishte ekuivalente me afërsisht 23 000 bomba atomike si ajo në Hiroshima”, sipas USGS.

Në mars 2011, Japonia pësoi një tërmet me magnitudë 9,0 të ndjekur nga një cunami gjigant në brigjet verilindore të vendit, një katastrofë që la rreth 20 000 të vdekur ose të zhdukur.

Megjithatë, cunamet nuk kufizohen vetëm në Paqësor.

Atlantiku dhe Mesdheu janë prekur gjithashtu në të kaluarën, siç dëshmohet nga historiani romak Ammianus Marcellus, i cili dëshmoi cunamin në Aleksandri të Egjiptit në vitin 365 pas Krishtit./ a.jor.

The post FOKUS – Çfarë është një cunami? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌