Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 August 2025Main stream

Ura të reja bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe policisë kineze

5 August 2025 at 15:27

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda priti në një takim zyrtar, ministër-këshilltarin e Ambasadës Kineze në Shqipëri, Huang Xuehu.

Fokusi i këtij takimi, i cili u zhvillua në ambientet e DPPSh-së, me pjesëmarrjen e drejtuesve të lartë të strukturave qendrore, ishte ndërtimi i urave të reja të bashkëpunimit bilateral, nëpërmjet nënshkrimit të një marrëveshjeje të përbashkët dhe krijimit të pikës së kontaktit të Policisë kineze, në Policinë e Shtetit.

Proda dhe Huang u dakordësuan se këto elemente do të jenë përgjigjja më efikase kundër krimit të organizuar ndërkontinental.

Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua për operacionet e fundit të Policisë së Shtetit, kundër shfrytëzimit për prostitucion, objekt i të cilave kanë qenë shtetase kineze të rekrutuara për të ushtruar këtë veprimtari të kundërligjshme, në apartamente me qira, në vendin tonë.

Në vijim të angazhimit policor për ndjekjen penale të shtetasve përgjegjës, ka patur një qasje të integruar institucionale, për t’iu ofruar asistencë shtetaseve të përfshira në këto raste.

Proda, gjatë takimit, theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit, nëpërmjet shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, me qëllim parandalimin dhe goditjen më efikase të krimit ndërkombëtar.

Nga ana e tij, ministër-këshilltar Huang falënderoi Policinë e Shtetit për bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu angazhimin e agjencive ligjzbatuese kineze, për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët policor ndërkombëtar.

/gj.m//a.f/

 

The post Ura të reja bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe policisë kineze appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Rënia e turizmit, pasojë e zhvlerësimit të monedhave të huaja

5 August 2025 at 15:47

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në një konferencë për shtyp se, “shkaku madhor i rënies dramatike të turizmit është narko-euroja”.

Berisha u shpreh se, “potenciali turistik i vendit është i jashtëzakonshëm. Brigjet e lumenjve, deteve dhe liqeneve të saj janë pasuri përrallore”.

“Nga viti 2005 deri në vitin 2012, pas ndërtimit të infrastrukturës rrugore dhe asaj dixhitale, numri i turistëve u rrit nga 300 mijë që ishte në vitin 2005 në 4 milionë e 700 mijë”, tha Berisha.

Sipas tij, numri i turistëve ka vazhduar të rritet në mënyrë të padiskutueshme.

“2-3 vitet e fundit është paraqitur një numër prej 10 milionësh, i cili përbën një mashtrim të vërtetë sepse përfshin të gjithë pasagjerët shqiptarë dhe rajonalë të linjave ajrore Easy Jet, Ryanair të Rinasit”, theksoi ai.

Por, shtoi Berisha, “pavarësisht nga ky mashtrim i madh, numri i turistëve është rritur në mënyrë të pamohueshme”.

Mirëpo, shtoi kreu i PD, “viti i kaluar shënoi një rënie drastike të turistëve në brigjet, plazhet e detrave dhe liqeneve të Shqipërisë”.

Kjo rënie drastike, sipas tij, vazhdoi këtë vit akoma më e thellë.

“Shkaku i kësaj rënie, në mënyrën më të pabesueshme, por edhe të pandershme dhe të padenjë, fshihet nga narkoqeveria, fshihet nga mediat e narkoqeverisë, fshihet nga ekonomistët e vendit, mediat e vendit dhe operatorët turistikë.E bëjnë këtë nga padija apo nga frika dhe kodi i mafies, unë nuk mund ta them”, tha Berisha.

“Por u them me përgjegjësi të plotë se shkaku madhor i kësaj rënie dramatike është narkoeuroja. Rënia e vlerës së euros në 35 përqind, rënia e vlerës së dollarit në 35 përqind, rënie e shpejtë dhe instalimi i saj në këtë nivel, bëri që turisti që më parë me 100 euro blinte shërbimet dhe mallrat e caktuara, një vit më pas duhet të shpenzonte në Shqipëri 135 euro, Të fshehësh këtë, bëhesh bashkëfajtor në një krim”.

Pra, shtoi Berisha, “zhvlerësimi që iu bë monedhës europiane dhe amerikane në Shqipëri nga kontejnerët me euro dhe dollarë të narkosve shqiptarë, zhvlerësimi prej 35 përqind, goditi turizmin në mënyrën më të egër, pasi çdo turist në Shqipëri duhet të shpenzonte për të njëjtat shpenzime, të njëjta blerje, 35 më shumë euro”.

/gj.m//a.f/

 

 

The post Berisha: Rënia e turizmit, pasojë e zhvlerësimit të monedhave të huaja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Reagimi i ministrit të Jashtëm fakton se shqiptarët u përballën me një farsë elektorale

5 August 2025 at 13:39

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot në një konferencë për shtyp mbi letrën që ministri i Punëve të Jashtme i ka drejtuar institucioneve ndërkombëtare të përfshira në vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 në Shqipëri.

Berisha theksoi se ministri i Jashtëm reagoi dje në mënyrën më të papërgjegjshme.

“Për çdo qytetar shqiptar, unë shtroj pyetjen: një letër misioneve vëzhguese ndërkombëtare vetëm një orë pas publikimit të raportit të tyre, a mund t’i dërgonte ministri i Jashtëm i vendit?

Një letër atyre misioneve mund t’u dërgonte opozita, por kurrë dhe në asnjë radhë ministri i Jashtëm nuk bëhej dot palë me PS-në, veçse duke dëshmuar atë që kanë shkruar misionet e vëzhgimit se në Shqipëri partia dhe shteti ishin një dhe për rrjedhojë nuk mund të ketë zgjedhje por veçse farsë”, tha Berisha.

Pra, theksoi kreu i PD, “letra e ministrit dhe reagimi i tij mbrapa, fakton edhe njëherë se shqiptarët u përballën me një farsë elektorale”.

Berisha akuzoi gjithashtu edhe kreun e SPAK, Altin Dumanin si avokat të këtij krimi të shëmtuar.

“Ministri vetë, është bashkë me Dumanin, një avokat i këtij krimi të shëmtuar. Unë dënoj me forcën më të madhe këtë deklaratë, reagimin e tij”, tha Berisha.

“Keni parasysh sot se deputeti Asllan Dogjani është në ndjekje absolutisht pa asnjë shkak ligjor. Tani përpiqen, po merren me një problem të zgjedhjeve të vitit 2023 me aktivistin e PD, Shkëlqim Hoxha sepse disa paskan paguar disa bileta për të ardhur dhe votuar në Rrogozhinë. Pra, gjithçka bëhet për të mbuluar farsën”, u shpreh Berisha.

/gj.m//a.f/

 

 

The post Berisha: Reagimi i ministrit të Jashtëm fakton se shqiptarët u përballën me një farsë elektorale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria pjesë e deklaratë së përbashkët mbi kërcënimet shtetërore nga shërbimet e inteligjencës iraniane

5 August 2025 at 13:27

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Shqipëria, Belgjika, Danimarka, Gjermania, Finlanda, Franca, Kanadaja, Holanda, Austria, Suedia, Spanja, Çekia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një deklaratë të përbashkët mbi kërcënimet shtetërore nga shërbimet e inteligjencës iraniane.

Në këtë deklaratë të shpërndarë nga Ministria e Jashtme e Republikës Federale të Gjermanisë thuhet se, Shqipëria, Belgjika, Danimarka, Gjermania, Finlanda, Franca, Kanadaja, Holanda, Austria, Suedia, Spanja, Çekia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara dënojnë numrin në rritje të kërcënimeve që burojnë nga shteti iranian përmes shërbimeve të tij të inteligjencës në territoret tona përkatëse.

Këto vende i konsiderojnë këto lloj sulmesh, pavarësisht objektivit të tyre, si shkelje të sovranitetit dhe janë të vendosura t’u japin fund menjëherë këtyre aktiviteteve të paligjshme në territoret përkatëse.

“Shqipëria, Austria, Belgjika, Kanadaja, Republika Çeke, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Spanja, Suedia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të dënojnë numrin në rritje të kërcënimeve shtetërore nga shërbimet sekrete iraniane në territoret tona përkatëse.

Ne jemi të bashkuar në kundërshtimin tonë ndaj përpjekjeve të shërbimeve sekrete iraniane për të vrarë, rrëmbyer dhe intimiduar njerëz në Evropë dhe Amerikën e Veriut, në shkelje të qartë të sovranitetit tonë. Këto shërbime po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me organizatat kriminale ndërkombëtare duke synuar gazetarët, disidentët, qytetarët hebrenj dhe zyrtarët aktualë dhe të mëparshëm në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Kjo është e papranueshme.

Ne i konsiderojmë këto lloje sulmesh, pavarësisht nga objektivi, si shkelje të sovranitetit tonë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të parandaluar që këto veprime të ndodhin dhe u bëjmë thirrje autoriteteve iraniane që menjëherë t’u japin fund aktiviteteve të tilla të paligjshme në territoret tona përkatëse”, thuhet në deklaratë.

/gj.m//a.f/

 

The post Shqipëria pjesë e deklaratë së përbashkët mbi kërcënimet shtetërore nga shërbimet e inteligjencës iraniane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Partizani përforcon sulmin, rikthen brazilianin Da Silva

5 August 2025 at 11:55

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Partizani ka rikthyer në ekip sulmuesin Victor Da Silva.

Sulmuesi brazilian, i cili fitoi titullin me “demat” dy vite më parë, ka vendosur të rikthehet te kryeqytetasit.

Klubi i Partizanit ka njoftuar se palët kanë firmosur kontratë për një vit, me mundësi rinovimi për një tjetër sezon.

Da Silva është bashkuar menjëherë me ekipin në stërvitje, për të qenë gati për sezonin e ri. Braziliani e njeh mirë kampionatin, pasi përveç Partizanit ka luajtur edhe me Vllazninë e Bylisin.

“FK Partizani ka kënaqësinë të njoftojë rikthimin e Victor Da Silva në familjen e kuqe.

Pas aventurës së suksesshme në sezonin 2022-2023, ku kontribuoi në fitimin e titullit të 17-të kampion të Shqipërisë, sulmuesi brazilian riveshë fanellën e kuqe.

Da Silva ka nënshkruar një kontratë 1+1 dhe sot i është bashkuar grupit në seancën e radhës stërvitore”, thuhet në njoftimin e klubit.

/gj.m//a.f/

 

 

The post Partizani përforcon sulmin, rikthen brazilianin Da Silva appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Daku shkëlqen në Rusi, 4 gola në 3 ndeshje

5 August 2025 at 09:42

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku po kalon një formë të shkëlqyer në fillimin e sezonit të ri në kampionatin rus.

Ai ishte protagonist absolut në fitoren e Rubin Kazan ndaj Sochi, duke shënuar dy gola dhe duke i dhënë skuadrës së tij tri pikë të vlefshme.

Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të Rubin Kazan, me Dakun që realizoi fillimisht nga pika e bardhë në minutën e 12-të, për të zhbllokuar sfidën me një penallti që u fitua nga vetë ai.

Në pjesën e dytë Daku vulosi fitoren në minutën e 78-të, me një finalizim që është për t’u parë disa herë.

27-vjeçari nga Gjilani kontrolloi bukur një pasim të gjatë dhe me finesë ia hodhi portierit topin me parabol, teksa sfera fundin e udhës e kishte në rrjetë.

Me këtë dopietë, e para e tij për këtë sezon, Daku shkon në kuotën e 4 golave në katër ndeshje dhe është kthyer në një nga emrat më të spikatur të kampionatit në këto javët e para.

E nisëm mirë ndeshjen, por më pas Sochi u përmirësua. Gjatë pushimit, thamë se nuk mund ta humbisnim përqendrimin dhe se duhej të shënonim një gol tjetër. Megjithatë, ata arritën ta ngushtonin diferencën dhe ndeshja ishte e tensionuar deri në fund.

Kur shënova golin e parë, përshëndeta Oleg Ivanovin, tregova se ia dedikoja atij për ditëlindje. Fatkeqësisht, nuk pata kohë të blija një dhuratë, por ndoshta nuk ishte e nevojshme, sepse loja jonë në fakt u bë një dhuratë”, tha Daku pas sfidës.

Jehonë golit të Dakut i ka bërë edhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla i cili ka ndarë videon e golit të sulmuesit shqiptar.

“Shqiponja Mirlind Daku po fluturon lart. Katër gola në tre ndeshje. Ndiqeni çfarë kontrolli topi dhe çfarë realizim”, shkruan Daku.

/gj.m//a.f/

The post Daku shkëlqen në Rusi, 4 gola në 3 ndeshje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 4 August 2025Main stream

Ambasadori gjerman viziton fshatin Bisnicë në Pogradec

4 August 2025 at 19:21

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner vizitoi së fundmi fshatin Bishnicë në rrethin e Pogradecit, ku organizata gjermane humanitare “Christliches Hilfswerk Wismar” prej shumë vitesh zhvillon punë sociale dhe me të rinjtë.

Ambasada financoi sigurimin e materialeve të ndërtimit për një qendër shëndetësore, e cila u ndërtua me punë vullnetare.

Mirëmbajtja e godinës sigurohet nga Bashkia e Pogradecit, e cila në të njëjtën ndërtesë menaxhon edhe një shkollë komunitare.

Ky projekt është një shembull i bukur i ndihmës “Hilfe zur Selbsthilfe” dhe i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të ndryshme.

Ambasada gjermane shprehu në një postim në rrjetet sociale falenderime të përzemërta për Bashkinë, komunën Vërçan dhe organizatën “Christliches Hilfswerk Wismar”, si dhe për kryetarin e saj të palodhur, Frieder Weinhold.

“Së bashku kemi dhënë një kontribut të rëndësishëm për të ardhmen e Bishnicës”, thekson Ambasada gjermane.

/gj.m/r.e//a.f/

The post Ambasadori gjerman viziton fshatin Bisnicë në Pogradec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK çon për gjykim pesë shtetas për blerje votash në zgjedhjet e 2023-shit

4 August 2025 at 17:38

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, kërkesën për gjykim të çështjes penale nr. 161 të vitit 2023, në ngarkim të shtetasve Limon Shala, Fatmir Thaçi, Florant Saraçi, Engjell Cara dhe Shkëlqim Hoxha.

Në përfundim të hetimeve të kryera, të mbështetura në prova dhe analiza ligjore, ka rezultuar se shtetasit Engjell Cara, Limon Shala, Fatmir Thaçi dhe Florant Saraçi janë vënë nën akuzë për kryerjen e veprës penale,“Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

Shtetasi Shkëlqim Hoxha akuzohet për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Hetimet treguan se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë siguruar dhe ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm (të dokumentuara në 64 raste), me qëllim që të votonin në favor të kandidatit Shkëlqim Hoxha, në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë.

Gjithashtu, ka rezultuar se shtetasi Shkëlqim Hoxha ishte në dijeni të kësaj veprimtarie të paligjshme, më konkretisht se shtetasit Fatmir Thaçi dhe Limon Shala ishin të angazhuar në sigurimin dhe ofrimin e biletave të udhëtimit për persona të ndryshëm, me qëllim pjesëmarrjen në votime si dhe dhënien e votës në favor të tij, për shkak të cilësisë së tij si kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë Rrogozhinë. Ai nuk e ka kallëzuar në organet kompetente, në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, konkretisht nenin 300 i Kodit Penal.

Procedimi penal nr. 161/2023 është bashkuar me procedimin penal nr. 162/2023, duke u hetuar si një çështje e vetme, për shkak të përputhjes së fakteve dhe subjekteve nën hetim.

Regjistrimi i procedimeve është bërë mbi bazën e referimeve të përcjella nga strukturat hetimore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

/gj.m/r.e//a.f/

The post SPAK çon për gjykim pesë shtetas për blerje votash në zgjedhjet e 2023-shit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Shtetit njofton procedurat për studimin në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit

4 August 2025 at 17:34

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Policisë e Shtetit njoftoi sot për plotësimin e formularit A1/A1Z për të gjithë punonjësit e Policisë që duan të studiojnë në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, dhe për ata shtetas që kanë përfunduar shkollën e mesme edhe përpara vitit 2024.

Në vijim të procedurave të konkurrimit të hapur me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për ndjekjen e programit të studimit “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë i studimeve “Bachelor”, në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, në Akademinë e Sigurisë, për 150 kuota të lira, të shtetasve që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, Policia e Shtetit njofton se, “në zbatim të Urdhrit nr. 189, datë 04.08.2025, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka miratuar periudhën e aplikimeve me formularin A1/A1Z, për Maturën Shtetërore 2025, më datë 06 gusht 2025″.

Sa më sipër, Policia e Shtetit sqaron se formulari A1 dhe A1Z do të jetë aktiv për t’u plotësuar më datë 06 gusht 2025, nga ora 08:00 deri në orën 16:00, në shërbimin elektronik “Matura Shtetërore”, nëpërmjet portalit e-Albania.

Formulari A1 duhet të plotësohet nga maturantët e këtij viti shkollor, ndërsa formulari A1Z plotësohet nga të gjithë kandidatët që duan të aplikojnë për ndjekjen e studimeve të arsimit të lartë.

Formularët A1/A1Z plotësohen fillimisht online nëpërmjet portalit e-Albania dhe më pas duhet të konfirmohen në shkollën përkatëse nga vetë maturanti ose kandidati.

Në kategorinë kandidat përfshihen dhe punonjësit e Policisë të cilët janë të interesuar për të ndjekur programin e studimit “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë i studimeve “Bachelor”, në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, në Akademinë e Sigurisë.

Ky proces lidhet me raundin e dytë, sipas kalendarit të aplikimeve për universitet 2025, të miratuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar, bën të ditur Policia e Shtetit.

/gj.m/r.e//a.f/

The post Policia e Shtetit njofton procedurat për studimin në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon lirimi i hapësirave publike, Rama: Iku dhe treni… vazhdojmë

4 August 2025 at 17:18

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike nga disa subjekte private të cilat kishin zaptuar pa leje hapësirën publike.

“Iku dhe treni… Vazhdojmë”, shkruan Rama, teksa ndan një video ku tregohen sesi bizneset po lirojnë hapësirat e zaptuara, që tashmë po u rikthehen qytetarëve.

Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Lirimi i hapësirave publike ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

1 nga 4

/gj.m//a.f//r.e/

The post Vijon lirimi i hapësirave publike, Rama: Iku dhe treni… vazhdojmë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: 170 evente këtë gusht me aplikacionin TEA

4 August 2025 at 17:06

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Aplikacioni TEA (Tourism Events of Albania) këtë sezon veror ofron një përvojë të përmirësuar dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që dëshirojnë të eksplorojnë bukuritë natyrore dhe kulturore të vendit.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se në këtë aplikacion turistët e shumtë vendas dhe të huaj, që po vizitojnë vendin tonë, mund të gjejnë 170 evente këtë gusht.

Mes këtyre eventeve përfshihen koncerte, festa, tradita dhe më shumë. Rama ftoi të gjithë të interesuarit ta instalojnë këtë aplikacion, për të mos humbur asnjë nga aktivitetet turistike që zhvillohen në vend.

“170 Evente këtë gusht. Koncerte, festa, tradita dhe më shumë – të gjitha në TEA. Shkarko tani dhe zgjidh ku do të jesh këtë verë  tourismeventsofalbania.com”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Aplikacioni TEA, i vetmi udhërrëfyes digjital i Shqipërisë turistike është një shembull i shkëlqyer sesi teknologjia mund të përdoret për të përmirësuar dhe modernizuar përvojën turistike, duke ofruar informacion të shpejtë, të saktë dhe të përshtatur për turistët.

Që nga prezantimi i tij, ky aplikacion u ka mundësuar turistëve të kenë një përvojë më të pasur dhe të lehtë në eksplorimin e destinacioneve turistike të vendit. Me TEA, turistët navigojnë nëpër destinacione të ndryshme turistike të Shqipërisë. Ata njihen me monumentet historike, aktivitetet kulturore dhe artistike, por edhe informacion mbi shërbimet utilitare në nevojë të turistëve, si: hotele, bare e restorante, kontakte, etj.

TEA e sjell informacionin të organizuar në një format të thjeshtë, duke u mundësuar udhëtarëve të planifikojnë lehtësisht itinerarin e tyre të pushimeve.

Ky aplikacion është i disponueshëm falas në Apple Store dhe në Play Store dhe është projekt i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe i Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

/gj.m/r.e//a.f/

The post Rama: 170 evente këtë gusht me aplikacionin TEA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bergner viziton shkollën verore arkeologjike në Pogradec

4 August 2025 at 16:50

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Ambasadori i Gjerminisë në Shqipëri, Karl Bergner vizitoi javën e shkuar një shkollë verore arkeologjike në Pogradec me studentë dhe staf pedagogjik nga Shqipëria, Gjermania, SHBA, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Kina.

Ambasada gjermane në Tiranë vuri theksin tek angazhimi dhe entuziazmi i pjesëmarrësve që ishin mbresëlënës.

Njëkohësisht, Ambasada thekson se, shkolla është një shembull i bukur se si bashkëpunimi shkencor mund të kontribuojë në mirëkuptimin mes popujve.

Në periudhën e Neolitit (që është tema e shkollës verore), kufijtë nuk kishin aspak rëndësi; akoma më shumë kishin rrjetet tregtare ndërkufitare (shpeshherë me mijëra kilometra).

Gjetjet nga gërmimet dëshmojnë në mënyrë mbresëlënëse se çfarë roli të rëndësishëm ka pasur pellgu i Korçës që në periudhën e Neolitit.

Shkolla verore është një bashkëpunim mes Universitetit të Këlnit, Universitetit të Tiranës, Universitetit Goce Delčev të Shtipit (Maqedonia e Veriut) dhe Institutit të Arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ajo mbështet punën e “Korça Regional Neolithic Project”, një bashkëpunim mes Institutit të Arkeologjisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Universitetit të Këlnit dhe University at Buffalo.

1 nga 5

/gj.m/r.e//a.f/

The post Bergner viziton shkollën verore arkeologjike në Pogradec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Dështon tentativa e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 26 korrik /ATSH/ Deputetët kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin e Kosovës edhe në vazhdimin e seancës pak para mesnatës.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka tentuar sërish të formojë komisionin e fshehtë për votimin e kryeparlamentarit, por kjo nuk është mbështetur nga partitë e tjera parlamentare.

Vazhdimi i kësaj seance u bë pak para mesnatës, pas një tjetre që u mbajt mesditën e së shtunës.

Kjo ishte tentativa e fundit për konstituimin e Kuvendit pak para se të mbyllet afati 30-ditor, i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e trupave të Kuvendit.

Sipas vendimit të Kushtetueses, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë veprim apo vendim lidhur me konstituimin e legjislaturës së nëntë nga 27 korriku e deri më 8 gusht. /KosovaPress/

The post Dështon tentativa e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu nga Baza e Kuçovës: 36 vatra zjarri në 24 orët e fundit, të gjitha forcat në gatishmëri nga ajri e toka

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndodhet sot në qarkun e Beratit, ku po ndjek nga afër operacionin për shuarjen zjarrit në zonën e Shpiragut dhe monitorimin nga baza e Kuçovës, prej nga ngrihen edhe avionët e ardhur nga misionet e vendeve partnere.

Në një deklaratë për mediet nga kjo bazë, Vengu bëri një pasqyrë të situatës në 12 qarqet.

Vengu informoi për situatën e vatrave të zjarrit, aksionin nga toka dhe ajri, rreziqet dhe masat e marra deri tani.

Ministri shpjegoi se sot ka qenë një nga ditët më të nxehta që nuk e favorizuan situatën e zjarreve, me temperatura 44-45 gradë, teksa ndërhyrjet vijojnë me intensitet.

Numërohen 36 vatra zjarri vetëm gjatë 24 orëve të fundit, ku janë shuar 12 dhe 24 mbeten aktive. Tre qarqe janë problematike: Vlorë, Berat dhe Dibër. Aktive në misione edhe baza e helikopterëve të Farkës.

“Gjendemi në bazën e Kuçovës, nga ku monitorohet situata dhe janë angazhuar forca, përfshi edhe avionët Canadair prej 48 orësh në të gjitha vatrat e zjarreve në mbarë vendin, sikurse edhe në bazën e Farkës, nga ku operojnë helikopterët. Situata shkoi edhe sipas parashikimeve, pasi temperaturat ishin të larta, kapën shifra ekstreme deri në 44-45 gradë celcius. Për këtë arsye kemi pasur një situatë me 36 vatra të deklaruara në mbarë vendin dhe për të cilat punohet me të gjitha mjetet për fikjen e tyre. Janë shuar 12 prej tyre dhe 24 janë ende aktive. Në terren ndodhen edhe forcat e shumta në të gjitha bashkitë. Aktualisht operacioni nga ajri është pezulluar për shkak të errësirës dhe do rinisi nesër. Bëhen plane punë operacionale për ndërhyrje një ditë para”, tha ministri.

Ai dha detaje edhe për hartën e zjarreve dhe zonat më kritike ku është përqëndruar vëmendja e trupave dhe institucioneve.

“Më të prekura janë 3 qarqe, i Vlorës, Dibrës, ku angazhohen edhe dy helikopter dhe forca nga Tirana dhe situata është përmirësuar ndjeshëm. Ka pasur intensitet të vatrës. Si dhe në qarkun e Beratit, ku ka pasur vatra aktive, por e kemi mbajtur nën kontroll situatën si në Paftal, ashtu edhe në Shpirag, ku jemi mbështetur nga helikopterët, si dhe forcave aleate kroate dhe italiane që kanë bërë fluturime në disa qarqe. Jemi përqendruar në Borsh, Piqeras, Selenicë, Shashicë, kaninë dhe forcat janë të angazhuara në terren. Mbahen nën kontroll dhe me përqëndrim banesat, antenat, urbanistika, tunelet, transformatorët dhe kemi një kontroll të situatës me forca në terren dhe do qëndrojmë në gatishmëri gjatë gjithë natës, për të rinisur në mëngjes”, tha ai.

Ministri deklaroi se edhe mbështetja që kanë gjetur nga vënedet partnere dhe Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile ka qenë i madh.

“Kemi pasur mbështetje të plotë të forcave aleate, ka vajtje-ardhje të mjeteve të këtyre aleatëve, shkojnë dhe vijnë për misione. Por janë prezentë edhe nga vende të tjera dhe do vijojnë, ku i gjithë mekanizmi i mbrojtjes europiane është në gatishmëri”, theksoi Vengu.

/gj.m/

 

 

 

The post Vengu nga Baza e Kuçovës: 36 vatra zjarri në 24 orët e fundit, të gjitha forcat në gatishmëri nga ajri e toka appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata e zjarreve në vend, PD thirrje qytetarëve: Largohuni nga zonat në rrezik 

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Partia Demokratike  reagoi sot për situatën e zjarreve në vend.

Në një deklaratë për mediet, PD u bërn thirrje banorëve, qytetarëve dhe turistëve të tregojnë kujdes të shtuar, të largohen sa më parë nga zonat e kërcënuara dhe të ndihmojnë këdo në rrezik.

“Nga Jugu në Veri, Shqipëria është pushtuar nga zjarret. Ndërkohë që, u bëjmë thirrje banorëve, qytetarëve dhe turistëve të tregojnë kujdes të shtuar, të largohen sa më parë nga zonat e kërcënuara, dhe të ndihmojnë këdo në rrezik. Partia Demokratike shpreh indinjatën e thellë me reagimin minimalist dhe thuajse përqeshës të autoriteteve”, thekson PD.

Sipas PD, “jo vetëm ndërhyrjet bëhen me vonesë, por janë mungesa e alarmit dhe angazhimit që e bëjnë situatën të duket edhe më kaotike, kërcënuese dhe dëshpëruese”.

“Zjarret, përmbytjet, fatkeqësitë natyrore përsëriten në Shqipëri, si në të gjithë botën, dhe kjo nuk është në dorë të qeverive, por përgatitjet, gatishmëria, vullneti, janë detyrë dhe në dorë të tyre”, nënvizon PD.

“Siç e kemi parë prej vitesh, qeveria dërgon ushtrinë dhe zjarrfikësit, të cilët u sulen zjarreve me shkurre, me lopata dhe batanije, si në një vend të Botës së Tretë, apo të sapodalë nga lufta dhe në mungesë të mjeteve bazike”, shton PD.

“Një pamje tjetër shohim prej tri javësh në Theth, Tiranë dhe gjithandej nëpër Shqipëri. Për të shembur bujtinat në Theth dhe marrë para shitësit të rigonit në Sarandë, qeveria dërgoi IMT, Tatimet, Policinë dhe Ushtrinë, me mjete të rënda, me arrogancë, të armatosur deri në dhëmbë, në luftë me qytetarët”, shprehet PD.

PD thekson se, “Për Edi Ramën, prioritet absolut është uzurpimi i pushtetit lokal, jo zjarret dhe dhjetëra problemet që kërcënojnë qytetarët dhe jetën e tyre. Për Edi Ramën, prioritet është spektakli me satelitët “Albania 1” dhe “2”, apo dronët për të cilët, pasi i hedh në Facebook për t’u mburrur nuk ka kush as t’i lexojë dhe as kush t’i komandojë. Sepse, Edi Rama e ka bërë ushtrinë e një vendi të NATOs, një organizatë që shkon të fikë zjarret me shkurre dhe pagure”.

Prandaj, shton PD, “përballja me zjarret dhe fatkeqësitë natyrore që kërcënojnë qytetarët janë të mekura”.

“Do të jetë kështu këtë verë dhe tjetrën, sepse Edi Rama nuk kujtohet dhe as kujdeset për infrastrukturën e shtetit, për fondet e emergjencave, për modernzimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit. Paratë që i merr nga taksat i bën shpenzime luksi për vete dhe ministrat, udhëtime me carter, koncerte të shtrenjta apo kopësht 4 milion euro në oborrin e Kryeministrisë”, shton PD.

“Edi Rama është me pushime, pasi bëri zhurmën me drejtorët, me heqjen e tendave dhe terrorizimin e Thethit, por zjarret nuk bëjnë pushim dhe pyjet, territori, bizneset, shtëpitë dhe jeta e qytetarëve është në rrezik. Edi Rama nuk është zjarrfikës, por ai nuk mund të lejohet të jetë Kryeministri që hedh Shqipërinë në zjarr”, përfundon deklarata e PD.

/gj.m/

The post Situata e zjarreve në vend, PD thirrje qytetarëve: Largohuni nga zonat në rrezik  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Vendoset nën kontroll zjarri në fshatin Markat në Konispol

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Zjarri në fshatin Markat në Konispol është vendosur nën kontroll, falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të koordinuar të forcave në terren.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndau sot pamje nga operacioni I shuarjes së zjarrit në këtë fshat, ku morën pjesë  2 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë nga MZSH Konispol, 2 automjete me 12 efektivë nga BMEC dhe 1 helikopter i Forcave të Armatosura.

Vengu theksoi se falë reagimit të menjëhershëm, u shmang përhapja e flakëve në zona të banuara dhe me rëndësi bujqësore.

1 nga 5

/gj.m/

The post Vengu: Vendoset nën kontroll zjarri në fshatin Markat në Konispol appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga plazhi i Golemit

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga plazhi i Golemit.

Plazhi i Golemit, i ndodhur në zonën e Kavajës vetëm pak kilometra nga Durrësi dhe rreth 40 minuta nga Tirana, mbetet një nga destinacionet më të preferuara të pushuesve vendas dhe të huaj gjatë sezonit veror.

Me një vijë bregdetare të gjatë, rërë të artë, ujëra të pastër kristal dhe një peizazh që përputh natyrën me infrastrukturën turistike, Golemi është kthyer në një magnet për turizmin bregdetar shqiptar.

Vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm hotelet, resortet, vilat dhe restorantet që ofrojnë shërbime cilësore dhe mikpritje tradicionale.

Së fundmi në këtë plazh mudn të shijohet edhe një eksperienca off-road në plazhin e Golemit.

Kjo iniciativë e veçantë ofron udhëtime nëpër shtigje të fshehura dhe terrene sfiduese, ku natyra e egër takon emocionin e aventurës.

Destinacioni është ideal për të zbuluar peizazhe të mrekullueshme dhe vende që rrallë shihen nga turistët e zakonshëm.

Turizmi off-road është një formë e turizmit aventurier që konsiston në udhëtime dhe eksplorime nëpër terrene të vështira, natyrore dhe jashtë rrugëve të asfaltuara, duke përdorur mjete të posaçme si fuoristrada (4×4), quad, motoçikleta etj.

/gj.m/

The post Rama ndan pamje nga plazhi i Golemit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Temperatura e larta, OST dhe OSHEE rrisin gatishmërinë për furnizimin me energji elektrike

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Strukturat e sektorit energjetik kanë rritur gatishmërinë në rang vendi, për të minimizuar problemet e furnizimit me energji, në kushtet e rritjes së temperaturave.

OST dhe OSSH, po ndërveprojnë ngushtësisht për të eliminuar sa më shpejtë pasojat që sjell rritja e konsumit dhe regjimi i sforcuar i funksionimit të pajisjeve elektrike.

Konkretisht, linja 110kV Elbasan – Kusath u stakua për shkak të dëmtimit të transformatorit të rrymës, problem që u zgjidh menjëherë nga grupet e OST, duke zëvendësuar në kohë rekord pajisjen.

Në Bistricë, nënstacioni 110/35kV pati problem me transformarorin, duke sjellë stakim të energjisë elektrike deri në 15 minuta për dy nënstacionet e Sarandës dhe atë të Gjirokastrës.

Brigadat e OST dhe OSSH morën masa të menjëhershme për zëvendesimin e pajisjes së dëmtuar në pronësi të Kurum, dhe rikthyen në funksion të plotë sistemin e transmetimit.

Po këto ditë, konkretisht dje, pati një zjarr tek transformatori i fuqisë 110/10kV, në nënstacionin e Ibes, Tiranë. Përmes skemës unazë iu dha energji elektrike brenda një kohe të shkurtër pjesës më të madhe të zonave të prekura.

Brigadat e OSSH dhe OST kanë punuar pa ndërprerje për rivënien në punë dhe zëvendësimin e pjesëve elektrike të dëmtuara në nënstacionin e Ibës. Ky nënstacion është kycur dhe rivendosur në regjim pune sot rreth orës 11.00 të ditës së shtunë.

Situatë që kërkonte kujdes të shtuar ishte edhe stakimi i rrjetit 400kV Zemblak-Kardia, për shkak të zjarrit që ra në pjesën greke, në afërsi të nënstacionit Kardia. Probleme pati edhe në linjën 150kV Bistricë – Mourtos. Problemet me dy linjat e transmetimit nuk sollën stakime për konsumatorët pasi u furnizuan nga linjat paralele.

Stafi i OST është në koordinim me OST greke për koordinimin e veprimeve të rikyҫjes së këtyre linjave. Në tërësi, falë masava të mara nga OSSH dhe OST, situata aktuale e furnizimit me energji elektrike paraqitet stabël.

Autoritetet bëjnë apel për mirëkuptim në zonat ku për arsye sigurie, për shkak të zjarreve, mund të jetë e nevojshme ndërprerja e përkohshme e energjisë.

/gj.m/

The post Temperatura e larta, OST dhe OSHEE rrisin gatishmërinë për furnizimin me energji elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Adem Demaçi ishte simboli i qëndresës

PRISHTINË, 26 korrik /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot me respekt figuren e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçit, duke e cilësuar atë si simbolin e qëndresës, disidentin e pathyeshëm dhe zërin e të pambrojturve.

Presidentja Vjosa Osmani ka shkruar në Facebook se Adem Demaçi ishte simboli i qëndresës, disidenti i pathyeshëm, zëri i të pambrojturve, kritiku i pandalshëm dhe njeriu i lirë edhe kur ishte prapa grilave.

“Në vend të hakmarrjes, ai predikoi paqen. Në vend të urrejtjes, ai mbolli pajtimin. Në vend të frikës, ai fliste me guxim për të vërtetën. Ai sakrifikoi lirinë e tij individuale për lirinë kolektive të popullit të tij. Emri i tij do të jetojë sa vetë liria! Qoftë i përjetshëm kujtimi për Bacën Adem”, ka shkruar Osmani.

Sot, janë mbushur shtatë vjet që kur ndërroi jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i njohur si Mandela i Kosovës.

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). /Kosovapress/

The post Osmani: Adem Demaçi ishte simboli i qëndresës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit në Kosovë, seanca mblidhet sërish në orën 22:00

PRISHTINË, 26 korrik /ATSH/ Ka dështuar sot edhe përpjekja e 53-të për konstitumin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Propozimi për komisionin për të organizuar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit mori vetëm 56 vota.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari tha se në kuadër të përpjekje të vazhdueshme për konstituimin e Kuvendit, vazhdon sonte në orën 22:00 tentativa e fundit para skadimit të afatit të Kushtetueses.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj seancave të Kuvendit, që nga e diela 27 korrik deri më 8 gusht.

Kujtojmë, Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa në seancat e deritanishme kanë dështuar të sigurojnë votat për kryetar të Kuvendit. /Kosovapress/

The post Dështon sërish konstituimi i Kuvendit në Kosovë, seanca mblidhet sërish në orën 22:00 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌