Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 July 2025Main stream

Plazhi në Lungomare i kthehet qytetarëve, Rama fton profesionistët: Bëhuni pjesë e kësaj përpjekjeje

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Në Lungomaren e Vlorës një tjetër sipërfaqe plazhi publik i është rikthyer turistëve dhe qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në Lungomaren e Vlorës ndërsa inkurajoi profesionistët të bëhen pjesë e aplikimeve për detyrat e shpalluara vakante nga bashkia e qytetit bregdetar.

“Në Lungomaren e Vlorës një tjetër sipërfaqe plazhi publik i është rikthyer turistëve dhe qytetarëve, ndërkohë që i inkurajoj të gjithë profesionistët e Vlorës të aplikojnë për t’u bërë pjesë e kësaj përpjekjeje, duke u përfshirë në intervistat e punës”, shkroi Rama.

Bashkia e Vlorës njoftoi sot se gjatë një kontrolli në zonën e Lungomares, u konstatuan parregullsi dhe në orët e para të mëngjesit, Policia dhe strukturat bashkiake ndërhynë dhe hoqën 40 çadra dhe 80 shezlongë të vendosura në mënyrë të paligjshme.

Hapësira prej rreth 500 metra katrorë do të kthehet tashmë në plazh publik, në shërbim të pushuesve.

Ndërkaq, pas dorëheqjeve të drejtorave të drejtorive, Bashkia Vlorë ka shpallur vakancat për të gjithë ata që besojnë se kanë përvojën, gatishmërinë dhe përgjegjshmërinë e duhur për të kontribuar dhe për t’i shërbyer zhvillimit të qytetit, në të gjitha nivelet.

Në Vlorë sikundër edhe në bashki të tjera të vendit ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike në mbrojtje të komunitetit.

/gj.m/j.p/

The post Plazhi në Lungomare i kthehet qytetarëve, Rama fton profesionistët: Bëhuni pjesë e kësaj përpjekjeje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërron jetë në Durrës ish-ambasadori gjerman, Werner Daum

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Ish-ambasadori i Gjermanisë, Werner Daum ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare.

Ai është gjetur i pajetë në një hotel në Durrës.

Ish-diplomati ndodhej për një vizitë në Shqipëri, dhe dy ditë më parë, mori pjesë së bashku me Sali Berishën në inaugurimin e shtatores së dëshmorit të demokracisë, Josif Budo në Kavajë.

Werner Daum shërbeu si ambasador në Shqipëri nga viti 1987 deri në vitin 1990, pikërisht në kohën kur nisi lëvizja kundër regjimit komunist.

Ai hapi dyert e ambasadës gjermane për shqiptarët, duke dalë kundër udhëzimeve të qeverisë së tij.

Në një intervistë të dhënë më vonë, ai pranoi se bëri këtë gjë qëllimisht, duke e ditur se eksodi masiv i shqiptarëve do sillte edhe rrëzimin e regjimit komunist.

Ish-ambasadori Daum mbërriti në Shqipëri pak ditë më parë për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së Josif Budos në Kavajë, ku ishte i pranishëm edhe kreu i PD, Sali Berisha.

Daum u nderua me një Certifikatë Mirënjohjeje nga kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, për kontributin e tij në momentet historike të vitit 1990. /j.p/

The post Ndërron jetë në Durrës ish-ambasadori gjerman, Werner Daum appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“KF Tirana” zyrtarizon blerjen e mbrojtësit të majtë, Georgios Valerianos

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ “KF Tirana” ka zyrtarizuar blerjen e mbrojtësit të majtë Georgios Valerianos.

Valerianos ka një karrierë solide në elitën e futbollit grek dhe përvoja ndërkombëtare.

Sipas klubit, Valerianos vjen për të shtuar forcë, përvojë dhe karakter në repartin difensiv të skuadrës.

“Zyrtare: Georgios Valerianos është bardheblu! KF Tirana mirëpret mbrojtësin e majtë Georgios Valerianos, i cili i bashkohet skuadrës sonë për sezonin e ri! Me një karrierë solide në elitën e futbollit grek dhe përvoja ndërkombëtare, Valerianos vjen për të shtuar forcë, përvojë dhe karakter në repartin difensiv të skuadrës sonë. Mirë se erdhe Georgios! Bardheblutë janë shtëpia jote e re”, shkruan klubi bardheblu.

/gj.m/j.p/

The post “KF Tirana” zyrtarizon blerjen e mbrojtësit të majtë, Georgios Valerianos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lumi Buna rrjedh i lirë pas 50 vitesh, Rama: Përfundon faza e dytë e pastrimit

TIRANË, 12 korrik /ATSH/Lumi Buna tashmë rrjedh i lirë në shtratin e tij, pas 50 vitesh me përfundimin e fazës së dytë të ndërhyrjes për pastrimin e shtratit pranë zonës së Dajlanit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lumi Buna ku ka përfunduar pastrimi në zonën e Dajlanit në Shkodër.

“Lumi Buna pas shumë vitesh rrjedh i lirë në shtratin e vet, pas mbylljes me sukses të fazës së dytë të ndërhyrjes për pastrimin e çlirimin e shumëpritur të zonës së Dajlanit në Shkodër”, shprehet Rama.

Edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, më herët e cilësoi këtë si një operacion të rëndësishëm ku pas 50 vitesh, lumi Buna rrjedh i lirë në shtratin e vet dhe i hap rrugë një epoke të re për këtë pasuri natyrore.

Ai ka falënderuar të gjitha strukturat që kontribuan që nga momenti i parë në këtë ndërhyrje, dhe veçanërisht ndaj Forcave të Armatosura nën kujdesin e Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Sipas kryebashkiakut të Shkodrës, ekipet e punës në terren punuan me profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, të udhëhequr nga nënkolonel Shkumbin Gjana, nënkolonel Egert Kuka dhe të mbështetur nga kolonel Shkëlzen Mhillaj, drejtues i operacionit, të cilët bënë të mundur çmontimin e plotë të strukturës metalike (dajlanit) në lumin Buna.

Beci ka nënvizuar se “ky operacion nuk është vetëm një arritje teknike, por një hap i madh drejt mbrojtjes së mjedisit dhe rikthimit të lirisë natyrore të lumit Buna një aset i çmuar për qytetin dhe gjithë rajonin”.

Sipas bashkisë së Shkodrës, në fazën e parë të ndërhyrjes për pastrimin e shtratit të lumit Buna janë hequr rrjetat dhe pinarët, ndërsa në fazën e dytë pjesët metalike që kanë pasur nevojë për ndërhyrje më të specializuar.

1 nga 5

/gj.m/

 

The post Lumi Buna rrjedh i lirë pas 50 vitesh, Rama: Përfundon faza e dytë e pastrimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parku i Drilonit, oaz qetësie dhe bukurie natyrore që të magjeps

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Në skajin juglindor të Shqipërisë, vetëm pak minuta larg qytetit të Pogradecit, ndodhet një nga perlat më të çmuara të turizmit natyror: Parku i Drilonit.

Ky vend i rrallë është kthyer prej vitesh në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj, falë gjelbërimit të dendur, burimeve të kristalta dhe faunës së pasur ujore.

Sapo hyn në park, ndjen menjëherë qetësinë që mbizotëron. Rrugicat e shtruara me gurë kalojnë nën hijen e plepave shumëvjeçarë, ndërsa zhurma e lehtë e gjetheve që përplasen nga era krijon një atmosferë të veçantë çlodhjeje.

Burimet natyrore të Drilonit, të cilat furnizojnë direkt liqenin e Pogradecit, përshkojnë parkun përmes kanaleve të qeta ku notojnë shpendët dhe mjellmat e bardha.

Turistët ndalen shpesh për të fotografuar këtë bukuri natyrore, ndërsa fëmijët ndjekin me sy zogjtë që lëvizin lirshëm mbi ujë.

Prania e kafeneve tradicionale buzë kanaleve të liqenit e bën përvojën edhe më të këndshme për vizitorët që duan të shijojnë një pije nën freskinë e pemëve dhe zërat e natyrës.

Driloni është një destinacion që çdo vit tërheq mijëra vizitorë që kërkojnë pak qetësi, bukuri dhe frymëzim. Për ata që duan të largohen për pak nga zhurma e qyteteve, Driloni mbetet një zgjedhje ideale për relaks dhe kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën e paprekur të Shqipërisë juglindore.

Pranë Drilonit është edhe fshati Tushemisht me “Zonjën nga qyteti”, i cili së bashku me Parkun natyror të Drilonit janë shndërruar në një pol të ri ekoturistik jo vetëm për Pogradecin, por edhe për Korçën.

Driloni apo Voloreka siç e quajnë pogradecarët, vetëm 6 km larg Pogradecit, është një nga mrekullitë natyrore dhe një nga atraksionet më të bukura në vendin tonë, ku investimet e realizuara me ndërtimin e rreth 4 mijë metra rrugica për këmbësorët që kanë zgjeruar sipërfaqen e parkut, kanë nxjerr më në pah potencialin turistik të kësaj zone.

Driloni është një burim karstik që përbëhet nga tri vija uji që rrjedhin për t’u derdhur disa dhjetëra metra më tej, në bregun juglindor të liqenit. Njëri prej tyre, ai më kryesori, krijon një basen të madh ujor, ku mund të shëtitësh, vozitësh me varkë, të shijosh bukuritë e florës dhe faunës së pasur.

Rrugicat e ndërtuara lidhin të gjithë sipërfaqen nga burimet e Drilonit në fshatin Gurras, deri në shëtitoren përgjatë liqenit të Ohrit.

Sipërfaqja ku shtrihet shëtitorja e Tushemishtit dhe Parku i Drilonit është shumëfishuar në 150 hektarë, e gjitha në funksion të turizmit, me 13 ura të reja, shëtitore, korsi biçikletash, 8 mijë pemë të mbjella, 5 km gjatësi e lundrueshme me varkë.

Driloni i Pogradecit Foto: Florjan Abazaj
1 nga 14

/gj.m//r.e//a.f/

The post Parku i Drilonit, oaz qetësie dhe bukurie natyrore që të magjeps appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hartim i planit të bashkëpunimit strategjik Shqipëri–Kosovë 2025–2028

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Hartimi i planit të bashkëpunimit strategjik Shqipëri–Kosovë 2025–2028 u diskutua në Tiranë, mes përfaqësuesve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se, ky nuk është thjesht një bashkëpunim teknik, është një marrëdhënie vëllazërore që forcohet çdo ditë, me besim, respekt dhe vizion të përbashkët për sigurinë e vendeve tona dhe të gjithë rajonit.

“FSK ka bërë hapa të mëdhenj përpara në transformimin dhe modernizimin e saj dhe Shqipëria do të vijojë ta mbështesë me të gjitha mundësitë, në çdo fushë ku ka nevojë: nga arsimimi dhe stërvitja, te shkëmbimi i eksperiencave dhe ndërtimi i kapaciteteve”, thekson MM.

MM shprehu vendosmërinë për ta çuar edhe më tej këtë bashkëpunim.

/gj.m/j.p/

The post Hartim i planit të bashkëpunimit strategjik Shqipëri–Kosovë 2025–2028 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 11 July 2025Main stream

Akademia e Forcave të Armatosura hap aplikimet për vitin akademik 2025–2026

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Akademia e Forcave të Armatosura ka hapur aplikimet për vitin akademik 2025–2026.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu shprehet në një postim në rrjetet sociale se kjo nuk është vetëm karrierë ushtarake, por edhe formim profesional në disa drejtime të rëndësishme.

Duke e cilësuar si një dritare për një të ardhme me uniformë dhe karrierë, Vengu fton të rinjtë që të bashkohen me të rinjtë dhe të rejat që zgjedhin sfidën, disiplinën dhe dinjitetin, dhe të zgjedhin Akademinë që formon liderët e së ardhmes.

Aplikimi realizohet vetëm online përmes portalit zyrtar www.ualbania.al.

/gj.m/j.p/

 

The post Akademia e Forcave të Armatosura hap aplikimet për vitin akademik 2025–2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rikonstruksioni i hidrovorit të Vlorës, Vengu: Nxit rritjen e kapaciteteve për turizmin

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Qeveria ka miratuar vendimin për rikonstruksionin e hidrovorit e Vlorës.

Ky projekt do të minimizojë rrezikun e përmbytjeve dhe do të forcojë mbrojtjen e qytetit ndaj reshjeve intensive.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu e cilësoi këtë vendim në një postim në rrjetet sociale si një lajm të rëndësishëm për Vlorën që nxit rritjen e kapaciteteve për një qytet turistik gjithëvjetor falë përmirësimit të standarteve të infrastrukturës.

Projekti që do të financohet nga buxheti i shtetit, në kuadër të programit “Menaxhimi i Infrastrukturës së Kullimit dhe Ujitjes”, me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural parashikon rikonstruksion të plotë të hidrovorit për të rritur në mënyrë të ndjeshme rritjen e kapacitetit për largimin e ujrave.

Vengu theksoi se ky është një investim për sigurinë, jetën dhe të ardhmen e qytetarëve të Vlorës.

1 nga 2

/gj.m/j.p/

The post Rikonstruksioni i hidrovorit të Vlorës, Vengu: Nxit rritjen e kapaciteteve për turizmin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbahen homazhet për “Dëshmorin e Atdheut”, kapiten Arben Anamali

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Këtë të premte u zhvilluan homazhe në nderim të “Dëshmorit të Atdheut” kapitenit Arben Anamali, i cili humbi jetën në ujërat e Liqenit të Shkodrës teksa po shpëtonte dy turistë.

Institucionet vendore i shprehën ngushëllime familjarëve teksa vunë theksin tek akti heroik që Arbeni kreu për të shpëtuar jetën e të tjerëve.

“Erdhëm për t’i shprehur ngushëllimet familjes Anamali, për aktin heroik të Arbenit. Për t’i shprehur të gjithë mbështetjen familjes, për të shprehur solidaritetin në këtë ditë të vështirë por gjithashtu jemi edhe krenarë për aktin sublim të tij. Është shumë e dhimbshme për moshën e tij, fjalët janë të tepërta”, tha prefektja e qarkut Shkodër, Majlinda Angoni.

Mes lotësh bashkëshortja e të ndjerit tregon për momentet kur mësoi lajmin e rëndë.

“Është një dhimbje e madhe për të gjithë familjen tonë për nanën, mua për fëmijët. Për të gjithë që e kanë njohur sepse ka qenë njeri shumë i mirë dhe i përkushtuar. Dha jetën e vet për turistët. Një kolege e tij më mori në telefon e më tha që po niste dikë të më marrë sepse Arbeni ka pësuar një aksident në liqen. Mendova që aksident të lehtë por nuk e mendova kurrë që është mbytur sepse ka qenë shumë i fortë fizikisht, notar i mirë”, tha bashkëshortja e të ndjerit, Najada Anamali.

Arben Anamali ishte kapiten në anijen e cila shërbente për shëtitjen e turistëve në Liqenin e Shkodrës.

Ai hyri në liqen për të shpëtuar 2 turistë që po mbyteshin por fatkeqësisht nuk mundi të dilte i gjallë.  Pas 48 orësh kërkime trupi i tij u gjet nga polumbarët. Mes nderimesh “Dëshmori i Atdheut” Arben Anamali u përcoll sot për në banesën e fundit.

Kapiteni Arben Anamali u shpall dje “Dëshmor i Atdheut”. Kryeministri Edi Rama  u shpreh në një postim në rrjetet sociale se, “nderojmë me mirënjohjen më të lartë të Republikës, Kapiten Arben Anamalin, drejtuesin e anijes turistike të Bashkisë Shkodër që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar jetën e dy turistëve në Liqenin e Shkodrës”.

Kryeministri Rama u shpreh se kapiten Anamali do të mbetet i paharruar.

/gj.m/j.p/

The post Mbahen homazhet për “Dëshmorin e Atdheut”, kapiten Arben Anamali appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama iu kërkon kryebashkiakëve shkarkimin e nënkryetarëve: Bëni rifreskim

TIRANË, 11 korrik /ATSH/  Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me kryetarët e bashkive, për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” dhe rrugës së pandalshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Gjatë këtij takimi Rama iu kërkoi kryebashkiakëve edhe shkarkimin e nënkryetarëve.

“Është e domosdoshme dhe nënkryetarët është mirë të ndryshojnë. Sepse i shoh shumë të lodhur, shumë shumë të lodhur, i shoh të rraskapitur. I shoh të rraskapitur. Juve s’ndryshoni dot. Edhe dy vjet, edhe dy vjet keni, si të doni”, iu drejtua Rama kryebashkiakëve.

“Nuk besoj se dëgjova bashkinë e Lezhës në këtë drejtim, apo një sërë bashkish të tjera, që jo se i kanë me shkëlqim ato yjet që kanë aty, po se e di që keni vështirësi të gjeni yje të tjera. Megjithatë, në nderin tënd është që t’i shkarkosh gjithë, po kjo është një çështje që ti e sheh vetë”, iu drejtua Rama, kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreut.

“Ajo që unë them është që tek nënkryetarët bëni mirë të bëni një rifreskim të madh. Se dhe nga mënyra si qeshët, ishte shumë e qartë që edhe ju vetë e ndjeni që mezi po i mbani në krahë ata. Edhe tani që u kujtuat po mendoni se në cilën orë të gjumit janë, ndërkohë që ju keni ardhur në Durrës këtu. S’besoj se ndonjëri nga ata është tani në terren”, tha Rama.

/gj.m/j.p/

 

The post Rama iu kërkon kryebashkiakëve shkarkimin e nënkryetarëve: Bëni rifreskim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK godet grupin e trafikut të narkotikëve, 7 të arrestuar

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvilloi një operacion të gjerë në qarqet Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe Tiranë ndaj personave nën hetim për trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika Latine në vendet e BE.

Ky operacion u krye në kuadër të procedimit penal të vitit 2023 dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, datë 10.07.2025.

Nga 13 personat e identifikuar deri tani të përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal, janë arrestuar 7 persona, ndërsa 6 të tjerë janë në kërkim.

13 personat nën hetim: M. Gj., A. A., K. M., S. M., D. H., J. (alias I.) M., A. Gj., L., (alias A.,) Ç., (alias H., I., Ç.,), L. L., S. L., E. D., V. R., dhe E (alias M.) R., të cilët, dyshohet se kanë marrë pjesë në aktivitete të paligjshme kriminale respektivisht në 11 episode.

7 personat ndaj të cilëve u ekzekutuan masat e sigurisë (parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale): A. Gj., V. R., A. A., M. Gj., J. (alias I) M., S. L dhe E. D.

6 personat në kërkim: : K. M., D. H., E. R., L. L., S. M., L. Ç.

Për 6 personat e tjerë, shumica e të cilëve ndodhen jashtë vendit, nuk është bërë ende i mundur arrestimi, janë lëshuar urdhër-arreste kombëtare dhe ndërkombëtare.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe Europol, po punon për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

SPAK bën të ditur se, nga hetimet e deritanishme ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se personat e dyshuar, në funksion të aktivitetit të paligjshëm në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të BE-së, me qëllim përfitimi monetar si dhe të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, kanë komunikuar mes tyre edhe me anë të aplikacionit të platformës së enkriptuar, “Sky ECC”¸ komunikime të cilat janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë, në kuadër të ndihmës së ndërsjellët juridike në fushën penale.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këto momente ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se personat nën hetim M. Gj., K. M., S. M., J. (alias I.) M., A.A., D. H., A. Gj., L.,(alias A.,) Ç., (alias H., I., Ç.,), L. L., S. L., në 7 (shtatë) episode, gjatë viteve 2020-2021 kanë konsumuar elementët e veprave penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal.

Sasia e lëndëve narkotike të sekuestruara në këto 7 (shtatë) episode: 3585 kg kokainë; 701 kg canabis sattiva; 4.2 kg heroinë.

Gjithashtu, i hetuari S. M., në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se ka konsumuar edhe elementët e veprave penale “Ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal, lidhur me episodin e datës 8.1.2021, gjatë të cilit janë ndaluar nga policia në ujërat detare, 55 shtetasve sirianë, të cilët kanë patur destinacion Italinë.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këto momente ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se personat nën hetim M. Gj., K. M., S. M., E. D., V. R., dhe E.(alias M.) R., gjatë vitit 2020 kanë konsumuar në 3 (tre) episode, elementët e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim.

Këta të hetuar, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim tek funksionarë të drejtësisë, me qëllim lehtësimin e masës së sigurimit personal apo zbutjen e masës së dënimit në episodet respektive, kundrejt përfitimit të shumave monetare prej 7,500 euro, 4000 euro dhe 4000 euro.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar e provuar se i hetuari E. D., në periudhën objekt hetimi ka ushtruar funksionin e Shefit të Policisë Kriminale, njëkohësisht dhe Zv. Shef i Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, i cili, të dhënat e administruara në sistemin TIMS, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës i kanë vënë në dispozicion të personit nën hetim (K. M.,), duke konsumuar edhe elementët e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

Gjithashtu, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. U., banues në Tiranë, si i dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Materialet lidhur me këtë shtetas i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe nga policia gjyqësore janë ekzekutuar 12 (dymbëdhjetë) vendimet e Gjykatës, si dhe janë realizuar kontrolle (banesash, automjetesh, dhe personash).

Sekuestrimet e kryera deri tani janë 5 automjete të markave të ndryshme si (Maserati, Porche, Audi RS6, Audi E TRON, Volksëagen golf 8, motor Honda XADV ), 38.970 Euro, 200 dollarë, 8 telefona celularë (disa të enkriptuar), 1 armë sportive, 40 fishekë të kalibrit 7.62 mm,   lëndë narkotike e dyshuar “kokainë”,  dokumente të ndryshme.

Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave për persona të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale.

SPAK falënderon për mbështetjen dhe ndihmën autoritetet e drejtësisë franceze, ekuadoriane, italiane, serbe, Eurojust dhe Europol.

/gj.m/j.p/

The post SPAK godet grupin e trafikut të narkotikëve, 7 të arrestuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gara malore e shpejtësisë “Kruja Hill Climb”, Rama: Adrenalinë dhe mikpritje shqiptare

TIRANË, 11 korrik /ATSH/  Në Krujë u zhvillua edhe këtë vit gara malore e shpejtësisë “Kruja Hill Climb” me trofeun “Skënderbe 2025”.

Kjo garë është pjesë e kalendarit ndërkombëtar “FIA – Central European Zone”.

“Kruja Hill Climb” solli pjesëmarrës nga Hungaria, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria, të cilët, përveç adrenalinës së garave shijuan edhe mikpritjen shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo garë.

“Trofeu Skënderbe 2025. Edhe këtë vit, gara malore e shpejtësisë “Kruja Hill Climb”, pjesë e kalendarit ndërkombëtar FIA – Central European Zone, solli pjesëmarrës nga Hungaria, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria, të cilët, përveç adrenalinës së garave, shijuan edhe mikpritjen tonë”, u shpreh Rama.

“Kruja Hill Climb” është një ngjarje sporti motorik, konkretisht një garë ngjitjeje në kodër, pjesë e kalendarit të Zonës Qendrore Evropiane të FIA-s (FIA CEZ).

Kjo garë mbahet në Krujë, Shqipëri, dhe njihet si “Kupa Skënderbeu”.

Këtë vit eventi u zhvillua në 4-6 korrik.

Pista e ngjitjes në kodër është relativisht e shkurtër, 1.9 km, por e njohur për intensitetin dhe shpejtësitë e larta.

/gj.m/j.p/

The post Gara malore e shpejtësisë “Kruja Hill Climb”, Rama: Adrenalinë dhe mikpritje shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Youth Exchange and Study, Hammond mirëpret nxënësit pas kthimit nga SHBA

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Zëvendësshefja në detyrë e misionit në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Kathryn Hammond mirëpriti sot nxënësit e programit Youth Exchange and Study (YES), të cilët u kthyen në shtëpi pas një viti studimi jashtë vendit në shkolla të mesme në të gjithë Amerikën.

Nxënësit ndanë përvojat e tyre nga pjesëmarrja në ekipet e sporteve, në mbrëmjet e maturës, festat e Super Boël, skuadra e debatit, si dhe mënyrat se si e prezantuan vendin e tyre, Shqipërinë, para nxënësve amerikanë.

/gj.m/j.p/

 

The post Youth Exchange and Study, Hammond mirëpret nxënësit pas kthimit nga SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Shteti, aktor në sigurimin dhe në shpërndarjen e naftës

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me kryetarët e bashkive, për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” dhe rrugës së pandalshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Duke folur për vizionin “Bujqësia 2030”, Rama nënvizoi se, “po punojmë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe me Ministrinë e Financave për të ndryshuar diҫka shumë të rëndësishme në jetën e përditshëm të njerëzve që ka të bëjë me naftën dhe për të futur edhe shtetin si aktor në sigurimin dhe në shpërndarjen e naftës”.

Ky, theksoi Rama, “do të jetë një hap shumë i madh përpara në funksion të furnizimit me naftë dhe të mbajtjes së ҫmimit në një nivel të arsyeshëm, por edhe të garantimit të karburantit për arsye të sigurisë kombëtare”.

Nga ana tjetër, shtoi Rama, “do të jetë një hap shumë i rëndësishëm, po ashtu edhe për të bërë një politikë tjetër komplet me naftën, kur vjen puna tek bujqësia. Siҫ thashë, që s’është e nevojshme të jetë ajo që ka qenë deri më sot, por që ajo që ka qenë deri më sot ka qenë e kushtëzuar nga të tjera kufizime që i ka pasur dhe akoma i ka sistemi që po mundohemi ta plotësojmë me instrumentet e teknologjisë dixhitale dhe kështu me radhë”.

“Por është e sigurt që edhe këtu bashkëpunimi me njësitë e pushtetit vendor është kyҫ”, theksoi Rama.

Kryeministri theksoi se, “problemi kryesor është të mbushim boshllëkun me kapacitete njerëzore dhe me struktura në ҫdo bashki”.

/gj.m/j.p/

 

The post Rama: Shteti, aktor në sigurimin dhe në shpërndarjen e naftës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Subvencionimet në bujqësi do të bazohen tek fatura

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me kryetarët e bashkive, për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” dhe rrugës së pandalshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Duke folur për vizionin “Bujqësia 2030″, Rama foli për efikasitetin e drejtorive.

“Ne jemi vend shumë i vogël për të pasur drejtori gjithandej edhe kaq sa janë, janë shumë. Sepse kur vjen puna tek efikasiteti pastaj, e keni parë vetë sesa efikase janë. Dhe problemi nuk është se është në Korҫë apo Pogradec, problemi është sa efikase është drejtoria dhe aty pastaj tek efikasiteti mendoj se ka shumë për të korrigjuar”, tha Rama.

Rama u shpreh se “në takimin me fermerët në Cërrik u tha qartë që do të lëvizim nga subvencionimi i përgjithshëm po e quaj, tek subvencionimi për njësi prodhuese”.

“Pra nuk do të subvencionojmë përpara, do të subvencionojmë bazuar tek fatura. Kush tregon faturën e gjësë që ka prodhuar dhe shitur do të marrë mbështetjen përkatëse. Kush do të vazhdojë të operojë pa faturë në mënyrë informale nuk ka pse të pretendojë të subvencionohet për një arsye shumë të thjeshtë, se pastaj në këtë formë primitive subvencionimi përfitojnë shumë nga ata që nuk janë as prodhues dhe nuk janë as kontribuues”, tha Rama.

Ashtu sikundër, shtoi kryeministri, “tokat e dhëna me qira, ose në përdorim të të tretëve që i punojnë, marrin subvencion, po atë subvencion nuk e marrin ata që punojnë tokën dhe që i nxjerrin prodhimin, por e marrin ata që e kanë dhënë me qira dhe që mund të jenë dhe në Itali apo në Greqi. Ky është një tjetër boshllëk që do të duhet ta adresojmë dhe pikërisht adresimin do ta bëjmë duke u spostuar drejt atyre që janë në gjendje të tregojnë faturën”.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Subvencionimet në bujqësi do të bazohen tek fatura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Të ndryshojë seriozisht menaxhimi i mbetjeve të fshatit

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me kryetarët e bashkive, për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” dhe rrugës së pandalshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Duke folur për vizionin “Bujqësia 2030”, Rama vuri theksin edhe tek domosdoshmëria për t’u marrë seriozisht me mbetjet e fshatit edhe për të ndryshuar seriozisht menaxhimin edhe të mbetjeve të fshatit duke marrë shembullin e Cërrikut.

“Kemi edhe shembullin e Roskovecit, që nuk është tamam si ai i Cërrikut, se nuk është plotësisht i suksesshëm, por që prapë është një shembull që duhet marrë, në mënyrë që të ndryshojë situata me mbetjet. Se do jetë një problem shumë i madh. Shumë shumë i madh. E dëgjuat në paraqitjen që bëri Majlinda. Do të jetë një problem që do vazhdojë edhe pas anëtarësimit”, theksoi Rama.

Kështu që, shtoi kryeministri, “na duhet patjetër që paralelisht me krijimin e operatorit të trajtimit të mbetjeve në nivel kombëtar për sa i përket gjithë atyre 200 depozitimeve, landfilleve, inceneratorëve, për të pasur një gjë të koordinuar, të qendërzuar, të filloni të punoni nëpër bashki për ndarjen në burim, për riciklimin, për ripërdorimin. Se nuk mund të jetë kjo histori hidh plehrat, mbulo kazanët me plehra dhe pastaj merr gjysmën e plehrave ҫoi në vend-depozitim edhe gjysmën tjetër lëri që të presin gjysmën që vjen të nesërmen që mbulon prapë kazanët e plehrave”.

Kjo, tha Rama, “është një pjesë jashtëzakonisht sfiduese e kalimit nga fshati në qytet. Në kuptimin e të bërit nga një vend fshat në një vend qytet i Europës dhe i kalimit nga një shekull në një shekull tjetër në aspektin e përkatësisë europiane”.

“Nuk mund të jemi një vend i BE-së me plehrat që gjysma mblidhen edhe hidhen të pandara dhe pa asnjë riciklim diku dhe gjysma tjetër lihen të kalben nëpër rrugë”, nënvizoi Rama.

Ndërkohë, kreu i qeverisë evidentoi Beratin, i cili tha ai, “ka ndërtuar një pikë shumë mbresëlënëse riciklimi. Edhe ajo duhet parë se nuk është ndonjë shkencë shumë e madhe”.

/gj.m/j.p/

 

The post Rama: Të ndryshojë seriozisht menaxhimi i mbetjeve të fshatit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Riorganizim i bashkive për t’i dhënë më shumë hapësirë bujqësisë

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me kryetarët e bashkive, për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” dhe rrugës së pandalshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Duke folur për vizionin “Bujqësia 2030”, Rama theksoi se, “ajo që mbetet një sfidë e sfidave është bujqësia vendore, në kuptimin e qeverisjes vendore”.

Rama shprehu besimin se, “është e domosdoshme që të shikohen organigramat me këtë sy dhe që pjesa e bujqësisë në organikën e bashkive të zërë vendin e merituar. Nga 70% në 30% deri në 30% me 70%”.

“Pra, ka bashki në Shqipëri të cilat kanë nevojë të kenë më shumë vëmendje dhe më shumë theks dhe më shumë dije për bujqësinë dhe për fshatin sesa për qendrën e vogël të qytetit. Dhe kanë nevojë të kenë shumë më tepër forca që merren me bujqësinë dhe me fshatin sesa merren me punët komunale të qytetit”, tha Rama.

Në këtë drejtim, theksoi kreu i qeverisë, “duhet parë gjithë riorganizimi”.

“Departamentet e bujqësisë dhe të fshatit në drejtoritë e bujqësitë dhe fshatit në bashki duhet të jenë shumë të artikuluara dhe patjetër që dhe drejtimi i bashkisë duhet ndarë midis nën/kryetarëve që merren me çështjet urbane dhe atyre që merren me çështjet rurale, është e domosdoshme”, tha Rama.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Riorganizim i bashkive për t’i dhënë më shumë hapësirë bujqësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Conference League, ‘Vllaznia” humb 0-1 ndeshjen e parë ndaj letonezëve të “BFC Daugavpils”

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ “Vllaznia” ka luajtur ndeshjen e parë të raundit të parë në ‘UEFA Conference League’ ndaj “BFC Daugavpils”.

Kuqeblutë u mposhtën në “Elbasan Arena” me rezultatin minimal 0-1.

Trajneri Edi Martinaj e nisi me këtë formacion titullar: Qarri (GK), Gurishta, Kouros, Bajrami, Yago, Qato, Krymi, Sala, Dodaj, Balaj (C), Kruja.

Shkodranët ishin të pafat, pasi dominuan të gjithë takimin, krijuan raste të shumta shënimi, por pa mundur të gjenin rrugën e rrjetës.

Në fundin e takimit, në minutën e 85-të, ‘Daugavpils’ shënoi golin e fitores me Lizunovs dhe ndeshja u mbyll 0-1.

Ndeshja e kthimit ‘BFC Daugavpils’ – ‘Vllaznia’ do të luhet më 17 korrik, në orën 17:00, në stadiumin “LNK Sporta Parks” në Riga, ku kuqeblutë do të kërkojnë përmbysjen e madhe për t’u kualifikuar në raundin e dytë të Conference League. /j.p/

The post Conference League, ‘Vllaznia” humb 0-1 ndeshjen e parë ndaj letonezëve të “BFC Daugavpils” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forca Detare shpëton 3 persona në Gjirin e Gramës

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Forca Detare finalizoi me sukses një operacion të vështirë shpëtimi, pasi një velierë me tre persona në bord pësoi defekt në motorë në afërsi të Gjirit të Gramës, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.

Pas marrjes së sinjalit për ndihmë, anija e gatshme e Forcës Detare, P-116 “BORA”, u angazhua menjëherë dhe bëri të mundur shpëtimin e tyre.

Në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Vlorës dhe Qendrën Kombëtare të Koordinimit të Kërkim-Shpëtimit Detar (QKKSH), operacioni SAR u përmbyll me sukses.

Të tre personat u evakuuan të sigurt dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Veliera u rimorkua me sukses dhe u ankorua në portin e Himarës

Ministria e Mbrojtjes thekson se, shpëtimi i jetës në det mbetet prioritet absolut i Forcës së Sigurisë Detare.

/gj.m/j.p/

 

The post Forca Detare shpëton 3 persona në Gjirin e Gramës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UEFA Conference League, “Partizani” barazon 1-1 me “Kalju” në transfertë

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ “Partizani” ka barazuar 1-1 në ndeshjen e parë të raundit të parë të UEFA Conference League ndaj “Kalju”.

Sfida e luajtur në “Kadrioru Staadion” në Talin të Estonisë nuk pati fitues, teksa golin e vetëm për ‘Partizan’-in e shënoi Xhuliano Skuka.

Trajneri Skënder Gega e nisi me formacionin titullar: Qirko (GK), Buxhelaj, Mehmeti, Preka, Martinez, Malaj, Saliou, Kote, Keko, Skuka (C), Garcia.

Pjesa e parë e ndeshjes nuk pati asnjë gol dhe u mbyll 0-0. Fraksioni i dytë nisi më mirë për ekipin e Kalju, që mori avantazhin me Mattias Mannilaan.

Megjithatë, avantazhi zgjati shumë pak, pasi Partizani barazoi rezultatin me Skukën.

Deri në fund asgjë nuk ndryshoi në rezultat dhe ndeshja u mbyll në barazim 1-1.

Ndeshja e kthimit Partizani – Kalju, ku do të vendoset gjithçka për kualifikimin, do të luhet më 17 korrik, në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:00. /j.p/

The post UEFA Conference League, “Partizani” barazon 1-1 me “Kalju” në transfertë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌