TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvilloi një operacion të gjerë në qarqet Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe Tiranë ndaj personave nën hetim për trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika Latine në vendet e BE.
Ky operacion u krye në kuadër të procedimit penal të vitit 2023 dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, datë 10.07.2025.
Nga 13 personat e identifikuar deri tani të përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal, janë arrestuar 7 persona, ndërsa 6 të tjerë janë në kërkim.
13 personat nën hetim: M. Gj., A. A., K. M., S. M., D. H., J. (alias I.) M., A. Gj., L., (alias A.,) Ç., (alias H., I., Ç.,), L. L., S. L., E. D., V. R., dhe E (alias M.) R., të cilët, dyshohet se kanë marrë pjesë në aktivitete të paligjshme kriminale respektivisht në 11 episode.
7 personat ndaj të cilëve u ekzekutuan masat e sigurisë (parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale): A. Gj., V. R., A. A., M. Gj., J. (alias I) M., S. L dhe E. D.
6 personat në kërkim: : K. M., D. H., E. R., L. L., S. M., L. Ç.
Për 6 personat e tjerë, shumica e të cilëve ndodhen jashtë vendit, nuk është bërë ende i mundur arrestimi, janë lëshuar urdhër-arreste kombëtare dhe ndërkombëtare.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe Europol, po punon për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
SPAK bën të ditur se, nga hetimet e deritanishme ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se personat e dyshuar, në funksion të aktivitetit të paligjshëm në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të BE-së, me qëllim përfitimi monetar si dhe të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, kanë komunikuar mes tyre edhe me anë të aplikacionit të platformës së enkriptuar, “Sky ECC”¸ komunikime të cilat janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë, në kuadër të ndihmës së ndërsjellët juridike në fushën penale.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këto momente ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se personat nën hetim M. Gj., K. M., S. M., J. (alias I.) M., A.A., D. H., A. Gj., L.,(alias A.,) Ç., (alias H., I., Ç.,), L. L., S. L., në 7 (shtatë) episode, gjatë viteve 2020-2021 kanë konsumuar elementët e veprave penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal.
Sasia e lëndëve narkotike të sekuestruara në këto 7 (shtatë) episode: 3585 kg kokainë; 701 kg canabis sattiva; 4.2 kg heroinë.
Gjithashtu, i hetuari S. M., në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se ka konsumuar edhe elementët e veprave penale “Ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal, lidhur me episodin e datës 8.1.2021, gjatë të cilit janë ndaluar nga policia në ujërat detare, 55 shtetasve sirianë, të cilët kanë patur destinacion Italinë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këto momente ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se personat nën hetim M. Gj., K. M., S. M., E. D., V. R., dhe E.(alias M.) R., gjatë vitit 2020 kanë konsumuar në 3 (tre) episode, elementët e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim.
Këta të hetuar, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim tek funksionarë të drejtësisë, me qëllim lehtësimin e masës së sigurimit personal apo zbutjen e masës së dënimit në episodet respektive, kundrejt përfitimit të shumave monetare prej 7,500 euro, 4000 euro dhe 4000 euro.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar e provuar se i hetuari E. D., në periudhën objekt hetimi ka ushtruar funksionin e Shefit të Policisë Kriminale, njëkohësisht dhe Zv. Shef i Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, i cili, të dhënat e administruara në sistemin TIMS, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës i kanë vënë në dispozicion të personit nën hetim (K. M.,), duke konsumuar edhe elementët e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.
Gjithashtu, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. U., banues në Tiranë, si i dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Materialet lidhur me këtë shtetas i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe nga policia gjyqësore janë ekzekutuar 12 (dymbëdhjetë) vendimet e Gjykatës, si dhe janë realizuar kontrolle (banesash, automjetesh, dhe personash).
Sekuestrimet e kryera deri tani janë 5 automjete të markave të ndryshme si (Maserati, Porche, Audi RS6, Audi E TRON, Volksëagen golf 8, motor Honda XADV ), 38.970 Euro, 200 dollarë, 8 telefona celularë (disa të enkriptuar), 1 armë sportive, 40 fishekë të kalibrit 7.62 mm, lëndë narkotike e dyshuar “kokainë”, dokumente të ndryshme.
Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave për persona të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale.
SPAK falënderon për mbështetjen dhe ndihmën autoritetet e drejtësisë franceze, ekuadoriane, italiane, serbe, Eurojust dhe Europol.
/gj.m/j.p/
The post SPAK godet grupin e trafikut të narkotikëve, 7 të arrestuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.