Gjykata e Posaçme vendosi të ndryshojë masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin. Ai u lirua nga masa e sigurisë “arrest në shtëpi” kundrejt garancisë pasurore në vlerën 3 milionë lekë.
Avokatja Brizida Gjikondi kritikoi ashpër vendimin e Gjykatës së Posaçme, e cila ndryshoi masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin, duke e liruar nga “arresti në shtëpi” dhe duke vendosur një garanci pasurore prej 3 milionë lekësh. Në një intervistë për ABC News, Gjikondi e cilësoi këtë vendim jo vetëm si cinik nga pikëpamja ligjore, por edhe si një shkelje morale, duke theksuar se një person i akuzuar për korrupsion galopant merr lehtësira që dërgojnë një mesazh shqetësues për institucionet e drejtësisë në Shqipëri.
Ajo nënvizoi se Malltezi dhe familja e tij kanë ushtruar presion të hapur ndaj institucioneve të drejtësisë dhe se vendime të tilla janë dëmtuese për besimin e qytetarëve dhe tregojnë lidhje të fshehta mes politikës dhe drejtësisë.
Gjikondi shtoi se SPAK ka të drejtë të ankimojë këtë vendim, i cili sipas saj është një goditje e rëndë ndaj luftës kundër korrupsionit në vend.
“Vendim cinik jo vetëm nga ana ligjore por edhe nga ana morale. Ai akuzohet për korrupsion galopant! Një personi të korruptuar ti pranosh 30 milion lekë tregon edhe një herë që në Shqipëri që i korruptuari ka derën e hapur. Është e disata herë, ku unë kam parë që Malltezi nuk kanë respektuar asnjëherë institucionet. Kanë tentuar të ulin SPAK dhe institucionet e tjera dhe tani i japin garancinë për t’u liruar. Kjo tregon që kemi një influencë në politikë. Të vjedhësh miliarda lekë dhe të shkon si “Pinxho Kapella” dhe t’i pranosh 30 milionë lekë është cinizëm.
Është një presion i hapur, është dhe një goditje e hapur për drejtësinë. Malltezi bashkë me vjehrrin e tij i bëjnë presion të hapur drejtësinë. Këto lloj vendimesh janë një demoralizim për gjithë qytetarët që respektojnë drejtësinë. Janë dritëhije dhe lidhje të fshehta të politikës me drejtësinë. Ne nuk duhet që të ambientohemi me këtë lloj qasje. SPAK ka të drejtë ta ankimojë këtë vendim që është marrë sot, sepse Malltezi ka ndikuar direk apo indirekt për të prishur provat, edhe kur ka qenë arrest në shtëpi. Ai të gjykohet për korrupsion dhe t’i marrësh lekët për garanci, për mua është një skandal i madh. Lekët e korrupsionit ia merr si garanci!”, tha Gjikondi./abcnews.al