Korrupsion në zgjedhje dhe rrjedhje informacioni sekret, SPAK dërgon për gjykim tre të pandehur
TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal në ngarkim të tre shtetasve të pandehur për rrjedhje informacioni sekret dhe korrupsion në zgjedhje.
SPAK dërgoi për gjykim shtetasit Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri të akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale: “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje”.
Nga aktet e administruara për këtë procedim penal, ka rezultuar e provuar se të pandehurit; Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “SkyEcc”. I pandehuri Altin Hajri ka qenë përdorues edhe i platformës tjetër të enkriptuar, “Matrix”.
Nga tërësia e veprimeve të kryera hetimore, ka rezultuar e provuar se të pandehurit në 8 episode të ndryshme, gjatë periudhës 1 maj 2020 deri në datë 8 mars 2021, janë vënë në dijeni të të dhënave në sistemin “TIMS”, mbi një person të shpallur në kërkim, si edhe të disa informacioneve sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Këto informacione lidheshin me planet e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por edhe në Qarkun e Durrësit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim, për kryerjen e elementëve të veprave penale në kuadër të krimit të organizuar.
Këto informacione që u siguruan nga të pandehurit, u janë transmetuar personave të shpallur në kërkim, duke konsumuar elementët e veprës penale “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa, komunikimet që të pandehurit kanë zhvilluar me bashkëbiseduesit e tyre, përmes aplikacionit të enkriptuar “SkyEcc”, u kanë shërbyer si një e dhënë e rëndësishme për të qëndruar të fshehur dhe për t’i shpëtuar kapjes apo arrestimit nga strukturat e policisë, duke konsumuar edhe elementët e veprës penale, “Përkrahje e autorit të krimit”.
Nga analiza e komunikimeve të platformave të enkriptuara “SkyECC” dhe “Matrix” ka rezultuar se i pandehuri, Jurgis Çyrbja, gjatë periudhës objekt hetimi ka qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (në legjislaturën 2017-2021), por është zgjedhur deputet edhe në legjislaturën, 2021-2025, deri në momentin e depozitimit të dorëheqjes (datë 9 tetor 2024).
Në periudhën objekt hetimi, ky i pandehur ka pasur marrëdhënie të ngushtë miqësore me të pandehurin, Altin Hajri, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale.
I pandehuri Jurgis Çyrbja, për shkak edhe të funksionit si deputet, i ka ofruar dhe premtuar të pandehurit, Altin Hajri, se do të ushtronte ndikim tek agjencitë e zbatimit të ligjit (polici dhe prokurori), në këmbim të mbështetjes elektorale, duke konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Nga ana tjetër, i pandehuri Altin Hajri, duke pranuar favoret e ofruara nga ana e të pandehurit Jurgis Çyrbja, por në këmbim të votimit në favor të tij, si dhe angazhimit për t’i siguar vota ka konsumuar elementë të veprës penale të “Korrupsion pasiv në zgjedhje”.
Për interesa të këtij procedimi penal është bërë e mundur ekzekutimi i letërporosisë drejtuar autoriteteve të drejtësisë holandeze për disa përdorues të platformës së enkriptuar “Matrix”.
Nga analizimi i disa prej komunikimeve, ka rezultuar e provuar se gjatë periudhës tetor – dhjetor 2024, i pandehuri, Altin Hajri dhe bashkëbiseduesit e tij, diskutojnë lidhur me momentin e ekzekutimit të masës së sigurimit personal ndaj të pandehurve: Jurgis Çyrbja dhe Ahmet Masha, (datë 20 tetor 2024 dhe në vijim).
Nga përmbajtja e komunikimeve evidentohet njohja mes të pandehurve, pohimi i përmbajtjes së komunikimeve të zhvilluara mes tyre me anë të platformës së enkriptuar “SkyEcc”, si dhe veprimet e paligjshme të kryera në episodet objekt akuze, ku janë pohuar dhe vendtakimet që kanë realizuar me punonjësit e policisë, të cilët i kanë informuar edhe për operacionet e zhvilluara për kapjen e personave në kërkim.
Nga analiza e akteve të administruara deri në këto momente, ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova se funksionarë publik, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në 8 raste, kanë zbuluar akte, të përcaktuar si “sekret shtetëror” nga ligji, pasi me përmbajtjen e tyre, rezulton se janë vënë në dijeni edhe të pandehurit objekt gjykimi, duke konsumuar elementët e veprës penale “Zbulim i akteve ose të dhënave sekrete”.
Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të të pandehurve: Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, si dhe të funksionarëve publikë, të cilët kanë zbuluar akte të përcaktuar nga ligji si “sekret shtëtor”, Prokuroria e Posaçme ka proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal të vitit 2024 në procedimin e vitit 2025. Hetimet rreth këtij procedimi vijojnë.
SPAK falënderoi po ashtu autoriteteve të drejtësisë franceze, holandeze, belge, Eurojust dhe Europol, të cilët kanë mbështetur dhe ndihmuar SPAK për këtë procedim penal.
/m.m/j.p/
The post Korrupsion në zgjedhje dhe rrjedhje informacioni sekret, SPAK dërgon për gjykim tre të pandehur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.