Nis pastrimi i inerteve në Theth, Rama: Rilindja Urbane 2.0, jetike për Shqipërinë 2030
TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Në Theth ka nisur sot, me mbështetjen e forcave të xhenjos, pastrimi i mbetjeve inerte pas shembjes së ndërtimeve pa leje.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky aksion, ndërsa siguroi se forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit.
“Ka nisur sot në Theth me mbështetjen e forcave të xhenjos, pastrimi i mbetjeve inerte të ekzekutimit të vendimeve në ngarkim të 40 subjekteve që kishin mbjellë mbi 100 ngrehina pa leje, nga ato me mure, tek ato me kontruksion metalik e me dru, në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë e të peizazhit magjepsës të asaj zone dhe të turizmit që kanë kultivuar në vite ata që kanë sakrifikuar për ta bërë Thethin destinacionin që është sot”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, kryeministri theksoi se “mbetet edhe nje godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT-së dhe rikthimi i Thethit në normalitetin e para kësaj marrëzie kriminale”.
“Ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE”, u shpreh kryeministri Rama.
/m.m//r.e//a.f/
The post Nis pastrimi i inerteve në Theth, Rama: Rilindja Urbane 2.0, jetike për Shqipërinë 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.