Pretendimi: Filmimi i largimit të Apollo 11 nga sipërfaqja e Hënës provon se udhëtimi ishte i rremë
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Teoritë konspirative janë po aq të vjetra sa dhe vetë bota. Një prej tyre është edhe udhëtimi i njeriut në Hënë plot 56 vite më parë. Në rrjet qarkullojnë disa video me pikëpyetje që ngrenë dyshime mbi vërtetësinë e këtij udhëtimi historik.
Video e parë, që shfaq filmimet origjinale të largimit të misionit nga Hëna, shoqërohet me pyetje: si erdhi kjo video kur ekipi u kthye në Tokë?
Videoja mbështetet mbi argumentin se videoja do të mund ta transmetohej vetëm nëse dikush prej astronautëve do të qëndronte në sipërfaqen e Hënës për të filmuar dhe më pas transportonte kamerën fizikisht në Tokë. Ajo që nuk përmendet në postimin e videos është fakti që pamjet e Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin duke shkelur në sipërfaqen hënore, dhe më pas largimi i anijes së tyre kozmike, u transmetuan drejtpërdrejt më 20 korrik 1969.
Pra, nuk pati nevojë që ekipi në Hënë të kthente kaseta në Tokë për të transmetuar imazhet, pasi teknologjia ekzistonte që në atë kohë për transmetime përmes antenave dhe kamerave.
Siç e shpjegon edhe Muzeumi i Shkencës në Britaninë e Madhe, ekipi i Apollo 11 ishte i pajisur me një kamerë të veçantë që mund të transmetonte video dhe imazhe drejt Tokës. I vendosur në sipërfaqen e Hënës nga Armstrong dhe Buzz Aldrin, sinjali i marrë nga kamera më pas u transmetua përmes një antene drejt Tokës, ku u prit nga stacionet në Australi, përpara se të kalonte në stacionin e Huston (Teksas) dhe të transmetohej live në televizionet në të gjithë botën (NASA, Smithsonian Air & Space).
Videoja e dytë ngre pyetjen se si Presidenti i atëhershëm, Richard Nixon mund të kishte pasur një telefonatë të drejtpërdrejtë me Armstrong, i cili ndodhej në Hënë. Nixon arriti të telefononte në Hënë nëpërmjet një transmetimi radio-telefonik, pra duke përdorur si teknologjinë e telefonave dhe atë të transmetimeve radio. Thirrja shkoi nga Uashingtoni, D.C., në Huston. Pastaj, u drejtua në hapësirë duke përdorur CapCom, një kapsulë komunikuese, që përdoret nga NASA për të mbajtur kontakt me astronautët gjatë misioneve hapësinore.
Të dyja këto pretendime kanë disa dekada që qarkullojnë në rrjet dhe janë hedhur poshtë edhe nga verifikues të tjerë. Edhe Faktoje ka hedhur poshtë disa postime te ngjashme mbi udhëtimin në Hënë, i cili vazhdon të mbetet një magnet për teori
Pretendimi: Kjo është video e pjesëmarrjes së Cristiano Ronaldo në varrimin e vëllezërve Jota
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Aksidenti tragjik që i mori jetën futbollistit portugez Diogo Jota dhe vëllait të tij, më 3 korrik 2025, u bë një lajm botëror përtej publikut sportdashës. Në ditët që pasuan, një nga titujt që qarkulloi ishte mungesa e yllit portugez Cristiano Ronaldo në varrimin e dy vëllezërve Jota.
Duke shfrytëzuar këtë interes, në rrjet qarkulloi një video që pretendoi se shfaqte Ronaldon duke marrë pjesë në këtë funeral. Pamjet u publikuan në 4 korrik edhe nga portali në gjuhën shqipe Politikajashtme.com, duke siguruar mbi 860 mijë shikime dhe qindra komente.
Në video dallohet Ronaldo që po ecën i ndjekur nga një turmë fansash që e ndjekin duke i bërë fotografi. Në anglisht shkruhet mbi video “Cristiano Ronaldo ka mbërritur në funeralin e Diogo Jota”. Në të vërtetë, Ronaldo nuk mori pjesë në funeral dhe videoja në fjalë nuk ka të bëjë me këtë ngjarje.
Videoja nuk ka një origjinë të qartë edhe pse versoni me shkrimin në anglisht duket të jetë marrë nga platforma TikTok ku postimi ka arritur mbi 2.5 milion reagime. Në rrjet kanë qarkulluar imazhe të tjera të këtij tipi, duke përfshirë imazhe të manipuluara me AI, por asnjëra prej tyre nuk është e vërtetë, ose është nxjerrë nga konteksti.
Varrimi i vëllezërve Jota u mbajt më 5 korrik në Igreja Paroquial de Gondomar, pranë Portos. Disa figura të shquara nga bota e futbollit ishin të pranishëm, përfshirë shokët e ekipit të Liverpoolit. Megjithatë, mungonte dukshëm Cristiano Ronaldo me të cilin Jota ka luajtur në ekpin kombëtar të Portugalisë.
Sipas burimeve të besueshme si Yahoo Sports, Ronaldo vendosi të mos marrë pjesë në funeral për arsye personale. Duke cituar mediat portugeze, Yahoo Sports raporton se duke ditur natyrën e famës së tij, Ronaldo donte të shmangte turmat që mund ta kthenin funeralin në një spektakël mediatik, duke respektuar kështu familjen e Jotës.
Motra e tij, Katia Aveiro, konfirmoi se Ronaldo bëri këtë zgjedhje në konsultim dhe me familjen e Jotës, për të evituar atë që i kishte ndodhur vetë Ronaldos gjatë funeralit të të atit në 2005. Edhe përse mungoi nga funerali, Ronaldo i bëri homazh Jotës me një mesazh të përzemërt në Instagram.
Nga Sebi Alla Në njërën dorë ventilatorin dhe në tjetrën fëmijën e tij, një i ri del nga Spitali Pediatrik në Tiranë kur temperaturat atë ditë kapën 37 gradë celcius. Edhe pse godina është moderne, me investime të dukshme si në hapësirë ashtu edhe në organizim, sistemi i kondicionimit në të gjithë pavionët e pediatrisë “funksionon përgjysmë”, me përjashtim të Reanimacionit pediatrik dhe Urgjencës.
“Ne sot jemi këtu për ta vijuar këtë mision, për rritjen e kapaciteteve dhe të shërbimeve për trajtime inovatore dhe kushte më të mira për pothuajse 10 mijë fëmijë e familje që marrin shërbim çdo vit. Në këtë godinë që hap dyert sot ‘Godina e Specialiteteve’, janë të vendosura reparte të rëndësishme si ai i Nefrologjisë, i Dializës Pediatrike, i Fizioterapisë, i Pneumologjisë, i Alergologjisë, Shërbimi i Kirurgjisë Infantile dhe Laboratori i Biologjisë Molekulare”, tha kryeministri Edi Rama më 21 shkurt të këtij viti gjatë një vizite në QSUNT, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu.
Më herët, Rama kishte ndarë pamjet e Pediatrisë së Specialiteteve në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, duke garantuar nga ana e tij kushte bashkëkohore dhe një shërbim shëndetësor cilësor. Rreth 5 muaj pas kësaj deklarate, në QSUNT, konkretisht në Pavionët e Spitalit të Pediatrisë, është shfaqur problemi i kondicionimit.
Deklaratat e Ramës ndër vite
Ndërkohë transformimi i QSUT ka qenë një premtim i kryeministrit Edi Rama qysh prej vitit 2013. Në vitin 2015 Kryeministri Edi Rama publikoi një video përmbledhje disa minutëshe mbi punën, projektet, duke nënvizuar se, “rilindja e QSUT është një ndër ndërmarrjet më të vështira të mandatit të parë qeverisës”.
Edhe në prag të mandatit të katërt Rama erdhi sërish me këtë kartë, duke theksuar madje se, QSUT do të kthehet në pikë referimi për të gjithë Ballkanin.
Kondicionerë në hyrje…
Faktoje.al bëri një vëzhgim në të gjithë pavionët e Pediatrisë dhe konstatoi se në holle, korridore dhe dhomat e mjekëve dhe infermierëve, sistemi i kondicionimit funksionon relativisht mirë. Problem janë dhomat e shtrimeve ku familjarët e pacientëve të vegjël detyrohen të marrin ventilatorë dhe mjete të tjera (kondicionerë të vegjël portativ), për të krijuar kushte të domosdoshme. Edhe nga vetë stafi pranohet se ndonëse godinat janë të reja, kondicionimi shpesh është me probleme. Po ashtu edhe familjarë të pacientëve e përjetojnë këtë fenomen dhe për një kohë të gjatë qëndrojnë në korridore, ndërsa shpeshherë fëmijët e shtruar që janë në këto pavione dhe kanë mundësi të lëvizin i nxjerrin herë pas here në korridore ku temperaturat janë të përballueshme.
Pediatria salla e pritjes Pediatria nefrodializa Pediatria salla e konsultimeve
E re, por me probleme
Në pavionin e konsultave pediatrike në katin e parë të godinës sistemi i kondicionimit është relativisht i mirë, ku korridoret, por edhe dhomat e mjekëve specialistë që kryejnë vizita dhe ekzaminime ka të instaluar sistemin dhe vihen në punë. Në katet e sipërme disa pavione janë me probleme të theksuara. Në pavionin e Nefrodializës paraditen e 8 korrikut sistemi i kondicionimit është i fikur, ndonëse pranohet se në korridore dhe dhomat e personelit, mjekë-infermierë eksiston sistemi, por shpesh nuk vihet në punë.
Nën zë ata u shprehën se kjo situatë vjen si pasojë e ngarkesës së rrjetit elektrik.
Po ashtu probleme të tilla shfaqeshin në tre pavionët e tjerë Neoro-Gastro-Endokrino.
Faktoje.al iu drejtua me disa pyetje Drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për problematikat e sistemit të kondicionimit në spitalin e ri Pediatrik, por deri në botimin e këtij shkrimi nuk pati reagim.
Investimi 9 milionë euro
Foto nga pjesa e jashtme e Pediatrise se rikonstruktuar
Ndërtimi i Spitalit të ri Pediatrik në QSUNT ka kushtuar 9 milionë euro dhe përfshin si ndërtesën e re ashtu edhe rikonstruksionin e pjesshëm të godinës ekzistuese (Peditarisë së Përgjithshme). Puna nisi në vitin 2020 dhe pesë vite më vonë u kthye në funksional, duke i dhënë shërbim rreth 130 mijë pacientëve në vit, nga të gjitha rrethet, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Shëndetësisë. Janë rreth 8200 metra katrorë godinë që shërben për të gjithë pavionet dhe një kat nëntokë, kryesisht si magazinë. “Eshtë një investim që pritej prej shumë vitesh, për të ofruar standardet që meritojnë mjekët por edhe që meritojnë të kenë fëmijët që trajtohen me këto shërbime. Projekti prek të gjithë pediatrinë, si godinat që i nënshtrohen rehabilitimit ashtu edhe ndërtimin e godinës së re. Do të pajiset me aparatura të teknologjisë së lartë”, tha ish-ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në tetor të vitit 2020, ndërsa objekti ishte në ndërtim e sipër.
Pediatria e Përgjithshme
Pamje nga Pediatria e Pergjithshme
Në godinën e Pediatrisë së Përgjithshme, ku ndodhen dy pavionë, Infektivi dhe Kardiologjia pediatrike sistemi i kondicionimit mungon tërësisht. Godina ka njohur rikonstruksion të pjesshëm, si pjesë e gjithë investimit, por kushtet janë dukshëm jo të krahasueshme me godinën e re. Premtimi nga kryeministri Edi Rama është se brenda këtij viti në atë godinë do të ketë investim të ri. “Më vjen shumë mirë, që mjekëve dhe infermierëve të Pediatrisë u japim mundësinë e një tjetër strukture të standardeve më të larta bashkëkohore, ndërkohë që së shpejti me financimet e këtij viti do të realizojmë dhe transformimin e strukturës së tretë të Pediatrisë Infektive”, tha Rama.
Përfundimi
Dhomat e stafit shëndetësor dhe dhomat e pacientëve janë të reja bashkë me shtretërit, por që në muajt e parë të inaugurimit, problem është sistemi i kondicionimit. Stafit të pediatrisë jo zyrtarisht i është komunikuar se në disa raste rrjeti nuk mban dhe detyrohen t’i stakojnë disa herë pajisjet e kondicionimit, ndërsa në pavionë të tjerë nuk ka fare sistem të tillë. Ndaj dhe Faktoje.al e konsideron deklaratën e kryeministrit Edi Rama si gjysmë të vërtetë lidhur me kushtet që gjetëm në Spitalin e Pediatrisë.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert”në Tiranë
Nga Mimoza Picari – Në Shqipëri prej 17 vitesh zhvillohet vetëm transplanti i veshkave në dy struktura shëndetësore private, i cili rimbursohet nga buxheti i shtetit. Për transplantet e tjera qytetarët që kanë mundësi financiare drejtohen jashtë vendit, ndërsa autoritetet nuk dhanë shpjegime nëse ka ose jo Ministria e Shëndetësisë protokolle bashkëpunimi me institucione shëndetësore në vende të tjera për qytetarë, që kanë nevoja të tilla. Mjekë dhe ekspertë thonë se duhen shtuar përpjekjet për zhvillimin e mëtejshëm të fushës së transplanteve, e cila paraqet sfida të shumta, që nga edukimi i shoqërisë për dhurimin e organeve dhe deri tek kostot e larta të ofrimit të këtij shërbimi.
Sistemi shëndetësor në Shqipëri paraqet sfida të shumta kur bëhet fjalë për transplantet e organeve. Megjithëse ligji i vitit 2011 “Për transplantimin e indeve, të qelizave dhe të organeve në republikën e Shqipërisë” vendosi një bazë për të gjitha organet, transplantet kryhen vetëm për veshkat, e rregulluar ligjërisht në vitin 1997.
Ky shërbim ofrohet në dy spitale private, dhe rimbursohet nga buxheti i shtetit. Që prej vitit 2008 janë kryer 335 transplante të veshkave nga donatorë të gjallë me lidhje familjare, sipas të dhënave të publikuara në kongresin ndërkombëtar të organizuar për herë të parë në Shqipëri nga Shoqata Evropiane e Transplantimit të Organeve. Por gjithçka ka mbetur këtu, ndërsa mjekë dhe ekspertë të fushës së shëndetësisë po ngrenë një debat mbi përparimin e fushës së transplanteve që do të bënte të mundur transplantin e melçisë, palcës së kockës apo pankreasit, kundrejt afro 15 -18 tipologjive të transplanteve që zhvillohen sot në botë, disa prej tyre në faza eksperimentale.
Shefi i klinikës 1 kirurgjikale në QSUT Arvin Dibra, tha për Faktoje.al se duhen shtuar përpjekjet për t’i hapur rrugë kryerjes së tranplanteve të tjera në vend përveç atij të veshkave, që është më i shpeshti në botë.
“Duke pasur parasysh epidemiologjinë dhe nevojat për transplante pak a shumë mendoj se duhet të jenë të ngjashme dhe këtu tek ne. Mendoj se është një fushë për të cilën duhet të fillojmë të punojmë dhe të përpiqemi për ta ofruar edhe këtë shërbim, i cili është shumë kompleks dhe për pasojë ka dhe nevojë për një kujdes të veçantë shumëplanësh. Në sytë e njerëzve mund të jetë dhe iluzioni që mjafton që të dish ta marrësh dhe ta heqësh dhe ta vendosësh një organ por ndërkohë ka një plan shumëdimensional për të cilin duhet të fillojmë të punojmë, pa të cilin çdo akt unik transplanti, siç mund të jenë dhe ato që u bënë dikur në QSUT, do të mbeteshin në vlerën e një individi dhe jo të një shërbimi”, thotë Arvin Dibra, shef i klinikës 1 kirurgjikale në QSUT.
Nga ana tjetër mjekja e shërbimit të nefrologjisë në Shqipëri Arjana Strakosha tha në një përgjigje me shkrim për Faktoje. al se nevojiten disa përmirësime edhe në fushën e transplantit të veshkave, që synojnë transplante nga donatorë kadaverik, si dhe rregullime ligjore që mundësojnë realizimin e transplantit të veshkave me shkëmbim donatoresh të gjallë në rastet kur nuk ka pajtueshmëri.
Por pyetja që shtrohet sot me këtë panoramë që ofron mjekësia në Shqipëri është: Çfarë ndodh me qytetarët që kanë nevoja jetike për transplante të organeve të tjera? Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj interesit të Faktoje.al për një intervistë në lidhje me problematikat e transplanteve në Shqipëri, dhe nuk mundi të qartësojë ( deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi) nëse ka apo jo kjo Ministri protokolle bashkëpunimi me institucione shëndetësore jashtë vendit për kryerjen e llojeve të tjera të transplanteve kundrejt rimbursimit nga buxheti i shtetit shqiptar.
Por nga të dhëna të siguruara në rrugë jo zyrtare mësohet se shumica dërrmuese e qytetarëve që kanë nevoja të tilla, duhet t’i gjejnë vetë mundësitë jashtë vendit me shpenzimet e tyre.
Faktoje.al arriti të sigurojë dëshminë e qytetarit Ermal Muhametaj, që ka kryer transplantin e palcës së kockës në Turqi, (Spitali Acibadem) si dhe dëshminë e të afërmes së një pacienteje që ka kryer transplantin e mëlçisë, të cilët pasi janë diagnostikuar në Shqipëri, iu është bërë e ditur nga mjekët se nuk mund të kurohen në vend.
“Më tha mjeku këtu mund të shesësh shtëpinë dhe gjithçka, por zgjidhje në Shqipëri nuk ke. E vetmja mënyrë ishte të ikja jashtë. Turqia ishte e hapur për të udhëtuar në atë kohë se bëhet fjalë për vitin 2020, në kohën e Covid-it, dhe aty u drejtuam”, thotë Z. Muhametaj.
E afërmja e pacientes që ka kryer transplantin e mëlçisë në Turqi, kërkoi të mbetej anonim. Ajo konfirmoi të njëjtën situatë si Zoti Muhametaj.
“Mjekët shqiptarë na thanë nuk ka zgjidhje këtu në Shqipëri nuk mund të realizohet asnjë lloj mjekimi tjetër. Nëse ju nuk do përpiqeni dhe nuk do gjeni një rrugë për të shkuar në një spital jashtë vendit për të kryer transplantin nuk do gjeni zgjidhje as në strukturat shtetërore dhe as në ato private shëndetësore në Shqipëri, dhe pacientja mund të jetojë dy deri në tre muaj”, thotë e afërmja e pacientes e cila kërkoi të mbetej anonim.
Sot të dy pacientët gëzojnë shëndet të mirë në vitin e pestë dhe të tretë përkatësisht pas kryerjes së transplanteve, por buxheti i tyre familjar është dëmtuar rëndë. Z. Muhametaj thotë se familja e tij ka shpenzuar deri tani mbi 200 mijë euro ndërsa e afërmja e pacientes tjetër rreth 80 mijë euro, si pasojë dhe të disa ndërhyrjeve të tjera të paparashikuara.
Faktoje.al kontaktoi dhe me përfaqësuesen e Spitalit turk “Acibadem” në Shqipëri, për të mësuar më shumë mbi numrin e pacientëve shqiptarë që kryen transplante në vitin 2024 vetëm në këtë spital si dhe mbi kostot e disave prej tyre.
“Aplikime janë shumë po për arsye të kostove dhe të frikërave të ndryshme të tipit që ‘ku do ta marr organin, kujt do t’ia jap organin’ – janë bërë 17 transplante për veshkat, për mëlçinë 8 dhe për palcën e kockës janë bërë 16. Transplanti i veshkës, si paketë vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën është 20 mijë euro, transplanti i mëlçisë është 60 mijë euro ndërsa ai i palcës së kockës 35 mijë euro”, konfirmon Flora Manuka, përfaqësuese e grupit spitalor turk “Acibadem” në Shqipëri.
Pra, ata pacientë me fat që mund të përballojnë shuma të konsiderueshme financiare dhe kur gjithçka shkon mirë, ia dalin të kurohen në spitale të ndryshme jashtë vendit. Ndërkaq nuk ka të dhëna se sa qytetarë kanë kryer transplante jashtë kufijve apo sa kanë pasur nevojë për transplante të tilla, apo dhe të tjera, dhe kanë humbur jetën për shkak të pamundësive financiare. Faktoje.al nuk mundi të marrë një koment nga Ministria e Shëndetësisë për këtë çështje, por edhe për aspekte të tjera që lidhen me situatën aktuale dhe të ardhmen në fushën e transplanteve, deri në publikimin e këtij shkrimi.
E megjithatë mjaft ekspertë tashmë e dinë se çfarë kërkohet, si për transplantin e veshkave ashtu dhe për zhvillimin në të ardhmen të transplanteve të tjera në Shqipëri.
“Një aspekt që afekton procesin e transplantit është aspekti i cilësisë. Pra një shërbim mjekësor për të ofruar transplantin duhet patjetër të ketë garanci që ky proces bëhet i një cilësie të lartë profesionale. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është ai i sigurisë, sepse mund të kemi abuzime nga operatorë të ndryshëm që mund ta ofrojnë, apo nga profesionistë që mund të jenë problematikë në këtë drejtim. Transplantimi është një proces që afekton dhe buxhetin. Transplantimi konsumon një buxhet shumë të lartë të sistemit shëndetësor. Ky sistem duhet të jetë dhe garantor i jetës së individëve duke rritur normat e buxhetit në drejtim të ofrimit të mundësisë më të lartë të transplantimit”, argumenton për Faktoje.al Qamil Dika, pedagog në Fakultetin e mjekësisë Tiranë.
Shefi i klinikës 1 kirurgjikale në QSUT, Zoti Dibra i konfirmoi Faktoje.al se kanë filluar disa përgatitje në rrafshin teknik dhe social përsa i takon zhvillimit të mëtejshëm të fushës së transplanteve, duke veçuar këtu një projekt serioz, siç e cilëson ai, për të cilin po punon një grup pune nga Ministria e Shëndetësisë, QSUT-së dhe Universitetit Tor Vergata në Romë. Mjaft rëndësi sipas Z. Dibra ka përgatitja dhe specializimi i ekipeve mjekësore si dhe i shoqërisë për konceptin e dhurimin të organeve.
“Dhurimi është problem edhe në vendet e zhvilluara. Ne jemi të vetëdijshëm që ka 30-40 vjet që flitet punohet, miratohen ligje për këtë gjë dhe sërish donacioni është një problem. Edhe tek ne duhet të fillojmë dhe të mendojmë për të orientuar mendimin shoqëror drejt nevojës për një trajtim të tillë, siç është bërë goxha punë në drejtim të dhurimit të gjakut. Po të krahasojmë me kohën e para 20 apo 25 viteve jemi shumë më mirë. Kemi akoma shumë nevoja të paplotësuara por jemi ndjeshëm më mirë se sa ishim. Duhet të fillojmë të punojmë dhe në këtë drejtim”, argumenton Z. Dibra.
Fusha e transplanteve edhe në botën e zhvilluar paraqet sfida të shumta ndërsa në vendet e rajonit ato janë më të mëdha. Nga ana tjetër mjekësisë shqiptare, e cila ka kaluar në vitet e tranzicionit në një rrugë të mundimshme me përparime të ngadalta, herë të qëndrueshme dhe herë jo, do t’i duhet ende kohë për t’u ballafaquar me një fushë sfiduese si ajo e transplantimit të organeve. Por sot profesionistët e fushës së shëndetësisë shqiptare po nxisin debatin për to, i cili së paku për momentin shtron rrugën e së ardhmes në këtë drejtim.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert”në Tiranë
Nga Sebi Alla- Për të paktën 5 viteradhazi tezat e provimeve të maturës u publikuan dendur në rrjetet sociale, kur provimi ende nuk kishte përfunduar. Më i fundit ishte testi i matematikës ku vetëm 20 minuta pas nisjes së testimit për rreth 27 mijë maturantë teza doli, duke hedhur dyshime në dështimin për marrjen e masave, por edhe të kopjimit dhe deformimit të rezultatit për maturantë të caktuar. “Provimi i Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës, po zhvillohet në përputhje të plotë me standardet e sigurisë të përcaktuara në rregulloren përkatëse dhe publikimi i tezës së provimit pasi nxënësit kanë nisur testimin, nuk ndikon në mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit“, tha zyrtarisht Ministria e Arsimit në një reagim në rrjetet sociale. I njëjti qëndrim është mbajtur edhe për lëndët e tjera pas publikimit të tezave
Rregullorja
Ndërkohë Qendra e Shërbimeve Arsimore ka të publikuar (qysh prej vitit 2023) një rregullore të gjatë të ndryshuar me 34 nene për zhvillimin e Maturës Shtetërore dhe Maturës Shtetërore Profesionale, mbi të cilën u bazua edhe udhëzimi mbi organizimin dhe zhvillimin e provimit të maturës shtetërore për këtë vit.
Konkretisht në nenin 21 thuhet se përgjegjësi i administrimit të provimit, ka për detyrë të mos publikojë në asnjë mënyrë apo formë testin e Maturës Shtetërore gjatë procesit të administrimit. Jo vetëm. Në nenin 34 të rregullores së publikuar në faqen online parashikohen edhe një sërë masash disiplinore që në rastin e publikimit para kohe të testit parashikohet deri edhe largim nga puna.
Ekspertët
Për ekspertin e çështjeve arsimore, prof Ndriçim Mehmeti, publikimi i tezave të provimit pasi ka nisur testimi është papërgjegjshmëri institucionale. “Përgjigja e njëjtë në çdo dalje teze, e MAS, se ‘kjo nuk cenon procesin’, është një tallje me publikun, nxënësit dhe prindërit, duke rritur dozën e papërgjegjshmërisë së institucionit më të lartë të arsimit në Shqipëri”, thotë Mehmeti. Po sipas tij, “në raportet e saj, QSHA, (shënim; Qendra e Shërbimeve Arsimore), thekson faktin se ka rritje fiktive të notave në rrethe dhe në Tiranë dhe nuk ka asnjë analizë se përse ndodh një gjë e tillë”
Përgjegjësit
Përgjegjësia për mbarëvajtjen e provimeve nis nga Ministria e Arsimit, Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar dhe Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar, nën kupolën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Të katërta institucionet nuk ia kanë dalë të ndalojnë publikimin e tezave pa përfunduar ende provimi por edhe të zbulojnë rastet e fotografimit dhe më pas publikimit.
I vetmi rast me masë ndëshkimore është shënuar në Durrës ku një maturant u përjashtua pasi u kap duke fotografuar tezën.
Neni 23 i rregullores së publikuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore ndalon mbajtjen e celularit të maturantit gjatë procesit të votimit.
Faktoje.al i dërgoi ndërkohë Ministrisë së Arsimit disa pyetje në lidhje me këtë problematikë, konkretisht se, përse dalin çdo vit tezat, çfarë masash janë marrë dhe a ndikon kjo shkelje në procesin e provimeve. Por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk pati reagim. Procesi për përgjigjet është në fazën e ankimimit.
Dyshime për “ndërhyrje”
“Sikundër pranojnë mësuesit që janë në administrim, atyre u bëhet presion me vendin e punës që të lejojnë nxënës të caktuar të kopjojnë, e madje ta shpërndajnë vetë kopjen. Në disa shkolla shkohet nga vetë Përgjegjësit e Administrimit dhe punonjës të MAS, me lista se kush do të ndihmohet”, thotë për Faktoje.al Mehmeti. Sipas tij, edhe masat për moslejimin e kopjimeve apo favorizimit për maturantë të veçantë janë problem i pranishëm. “Bllokuesit për valët e celularëve dalin jashtë funksionit qëllimisht që në fillim të provimit dhe po ashtu kontrolli fizik behët formalisht, pa asnjë përgjegjësi. Askush nuk është dënuar apo penalizuar, kështu që procesi i Maturës në fakt është kthyer në një skenë krimi, ku vidhet e grabitet dija në mes të ditës me bekimin e MAS dhe ata që e pësojnë janë nxënësit që kanë punuar e djersitur 12 vite me radhë”, vëren Mehmeti.
Ndikimi në nivelin e aftësive
Eksperti i çështjeve arsimore Ndriçim Mehmeti shtjellon më tej për Faktoje.al se nga viti në vit ka rënie të nivelit arsimor. “E vërteta e hidhur është se në arsimin e lartë po shkojnë gjithnjë e më pak nxënës të mirë. Këtë e tregojnë arritjet e këtij viti ku nota mesatare si në matematikë dhe në letërsi është 1 notë më pak se vitin e kaluar. Kemi më pak nxënës ekselent dhe më shumë nxënës me arritjet minimale, pra të notës 5 dhe 6”, thotë Mehmeti, ndërsa përgjegjësinë e sheh më së shumti në institucionet drejtuese arsimore në vend. “Rezultatet në një pjesë të mirë janë të deformuara dhe më e keqja është se nuk ka asnjë tentativë për të frenuar këtë fenomen. Ministria e Arsimit bën analiza të mbyllura, me njerëzit e saj që në fakt janë përgjegjësit kryesor të kësaj situate katastrofike në arsim…”, thotë ai.
Përfundimi
Publikimi i të gjithë tezave të provimit për maturën konsiderohet një fenomen i përsëritur ndër vite dhe masat e marra nuk kanë dhënë rezultate pozitive. Dyshimet se publikimi i tezave mund të ndikojë në një masë të caktuar edhe në tjetërsimin e rezultateve të vërteta për maturantë të caktuar mbetet edhe pse raportet zyrtare në këtë drejtim mungojnë. Por rregullorja për vitin 2025 ekziston. Dhe ajo është shkelur hapur në të paktën dy nene të saj (neni 21 dhe neni 23).
Në mungesë të një përgjigje zyrtare të ministrisë se çfarë është bërë në këtë drejtim si dhe, duke ballafaquar përmbajtjen e rregullores së hartuar nga vetë ministria me fenomenin që u përsërit, angazhimin për mos publikimin e tezave të provimit gjatë procesit të administrimit do ta konsiderojmë të pambajtur.
Pretendimi: Ushtarët izraelitë po përgatisin kurthe brenda ndihmave humanitare në Gaza
Verdikti: Mungon konteksti
Barbara Halla
Një video e postuar në një llogari shqipfolëse në Facebook pretendon se tregon ushtarë të Forcave Mbrojtëse Izraelite (IDF) duke përgatitur “kurthe eksplozivi” brenda ndihmave humanitare në Gaza. Në pamje shihen disa ushtarë që po lidhin me detonatorë dhe kabllo ndezëse që përdoren në këto raste dhjetra fuçi plastike në ngjyrë blu. Pretendimi, i publikuar në 27 qershor, është pjesë e akuzave për sulme të qëllimshme nga ushtria izraelite ndaj popullsisë civile palestineve në pikat e ngritura në Gaza për shpërndarjen e ushqimeve dhe ndihmave të tjera humanitare. Nëse një pretendim i tillë do të ishte i vërtetë, do të ndodheshim përpara një prove të rëndë të një masakre ndaj civilëve palestinezë në Gaza.
Verifikimi nëpërmjet motorrëve të kërkimit të Google Lens zbulon se qarkullojnë disa video dhe imazhe të tilla të reparteve ushtarake izralite në Gaza. Në ditët e fundit të qershorit, kjo video është ripublikuar duke argumentuar se tregon ushtarët e vrarë në një sulm kurth të Hamas. Raportohet se shtatë ushtarë të IDF u vranë dhe 16 u plagosën në këtë sulm të Hamas në qytetin e Khan Yunis në Rripin e Gazës.
Edhe pse nuk mund të thuhet me siguri nëse janë të njëjtën ushtarë, është e pranuar tashmë se ushtria izraelite ka përdorur që prej fillimit të operacionit të saj masivisht eksploziv për të mbyllur tunelet nëntokësore të shfrytëzuara nga Hamas.
Çfarë duket e pabazë është pretendime se eksplozivët janë kurthe për ndihmat që u jepen palestinezëve, pavarësisht fuçive plastike blu që ndonjëherë përdoren për ruajtjen e ushqimeve në këtë rajon.
Këto fuçi përbëhen nga polietileni me dendësi të lartë (HDPE), gjë që i bën ato të forta, të papërshkueshme nga ndryshku dhe rezistente ndaj kimikateve. Ato janë projektuar për ruajtjen dhe transportimin e sigurt të materialeve të ndryshme, por gjithashtu edhe produktet ushqimore, si përshembull vaji.
Modeli i fuçive plastike në ngjyrë në blu që ofrohet për shitje në internet
Nevojitet të theksohet se prej 27 qershorit, kur është publikuar video, nuk është raportuar nga burimet palestineze si dhe aktorët ndërkombëtarë ndonjë shpërthim eksplozivi në fuçitë e ndihmave humanitare në Gaza në formatin e një kurthi. Gjithashtu, ndihmat që shpërndahen në Gaza nuk paketohen në fuçi të tilla plastike.
Nevojitet të theksohet se në Gaza ka edhe një “luftë informative” pro dhe kundër operacioneve të Izraelit për të fituar mbështetjen e opinionit ndërkombëtar. Në dy vitet e fundit, IDF është akuzuar me prova se ka shtrëmbëruar faktet për të justifikuar sulmet në Gaza. Për shembull, bombardimi i Spitalit Arab Al-Ahli në Gaza në tetor 2023 fillimisht iu ngarkua një rakete të shkrepur gabimisht nga militantët palestinezë. Hetime të pavarura nga organizata për të drejtat e njeriut, si Human Rights Ëatch, arritën në përfundimin se detajet kryesore mbetën të paqarta, me të dyja palët që paraqitën prova kontradiktore.
Në prill të vitit 2024, shtatë punonjës humanitarë të organizatës World Central Kitchen u vranë nga sulmet izraelite me dronë, pavarësisht se grupi i tyre i kishte koordinuar lëvizjet e tij me IDF-në. Pas hetimeve të mëtejshme IDF shkarkoi nga detyra dy oficerë të lartë nga trupa e saj për gabimin në rastin e sulmit.
Pretendimi: Rusia vendosi ndërprerjen e energjisë dhe internetit në orët e natës për të rritur lindshmërinë
Verdikti: I pavërtetë
Barbara Halla
Një artikull i publikuar në disa media shqipfolëse pretendon se Rusia po ndërpret energjinë elektrike dhe internetin çdo natë pas orës 22:00 për të rritur lindshmërinë në vend. Njoftohet se qeveria ruse i ka parashikuar këto nisma për të limituar kohën që njerëzit kalojnë online në orët e vona, dhe për t’i shtyrë, sidomos çiftet e reja, të kalojnë më shumë kohë së bashku. Në instagram, ky lajm ka marrë mbi 7,000 pëlqime dhe propozime që një nismë e tillë të replikohet edhe në vendin tonë.
Në të vërtetë, qeveria ruse nuk ka ndërmarrë një nismë të tillë dhe këtu bëhet fjalë ende për një propozim të një deputeti dhe jo për një ligj të ri. Në instagram, ky lajm i rremë ka marrë mbi 7,000 pëlqime.
Artikulli në fjalë citon “burime zyrtare” për miratimin e ligjit por pa specifikuar cilat janë këto burime. Në fakt, nuk ka asnjë vendimmarrje nga qeveria ruse mbi një masë të tillë. Ky lajm duket se ka si origjinë një postim në rrjetin X/Twitter nga llogaria Times Algebra ku shkruhet: “LAJM I RËNDËSISHËM Rusia do të ndërpresë energjinë elektrike dhe internetin pas orës 22:00 për të rritur lindjet.”
Nga verifikimit në mediat zyrtare ruse, mësohet se politikani rus Mikhail Ivanov ka propozuar në parlamentin rus një ligj sipas të cilit çifteve ruse pa fëmijë duhet t’u ndalohet hyrja në rrjetet sociale natën vonë, në një përpjekje për t’i inkurajuar ata të kryejnë marrëdhënie seksuale dhe të krijojnë familje. Propozimi i Ivanov vjen pasi lindjet në Rusi kanë arritur numrin më të ulët në 25 vite, duke ndjekur tendencën e shumë vendeve të tjera në botë.
Në rrjetet sociale, Ivanov ka thënë se “Nëse të rinjtë kalojnë netët para telefonave të tyre në vend që t’i kushtojnë vëmendje njëri-tjetrit, atëherë kjo është një rrugë që nuk çon askund.”
Qeveria ruse është e shqetësuar për situatën e lindjeve në vend dhe për këtë arsye ka ndërrmarrë disa nisma për t’ju kundërvënë kësaj tendence në popullsinë e saj. Në Rusi po zhvillohet një fushatë legjislative e udhëhequr nga figura të fuqishme, duke përfshirë Vyacheslav Volodin, kryetar i Dumës, siç njihet parlamenti rus, për të ndaluar të ashtuquajturën “propagandën e njerëzve pa fëmijë”.
Sipas Reuters, Volodin njoftoi plane për të ndaluar filmat, reklamat dhe mediat që promovojnë një jetë pa fëmijë, duke paralajmëruar se kjo shkon ndesh me “vlerat tradicionale” të shoqërisë ruse. Kjo fushatë ka nisur që në tetor të vitit 2024 dhe sipas propozimit individët mund të përballen me gjoba deri në 400,000 rubla ($ 4,300 dollarë), ndërsa kompanitë mund të gjobiten deri në 5 milionë rubla ($53,000 dollarë) nëse i shtyn njerëzit të mos bëjnë fëmijë. Pra pretendimi se Rusia ka nisur ndërprerje të energjisë dhe internetit çdo natë për t’i detyruar njerëzit të kenë fëmijë është i rremë, dhe nuk lidhet me masat e vërteta që po diskutohen. Masat e vërteta po përqendrohet te censura e medias dhe gjobat kundër atyre që shkojnë kundër vlerave që Kremlini i konsideron tradicionale.
Nga Jona Plumbi- Në një takim me drejtuesit e agjencive më të mëdha të lajmeve në botë, presidenti rus Vladimir Putin, i njohur për përdorimin e argumenteve ligjore të shtrembëruara për të mbuluar qëllimet e tij politike, edhe këtë herë zgjodhi të justifikojë luftën në Ukrainë me një precedent të njohur: Kosovën.
Putin artikuloi një justifikim për luftën në Ukrainë dhe aneksimin e territoreve lindore, Donetsk dhe Luhansk duke theksuar se “nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së, këto dy rajone kishin të drejtë të shkëputeshin nga Ukraina”
E drejta e popujve për vetëvendosje ishte argumenti i tij i parë. Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, që vendosi se një shpallje e njëanshme e pavarësisë nuk përmban shkelje të së drejtës ndërkombëtare, ishte argumenti i dytë. Këto dy elemente, sipas tij, përbënin një bazë të padiskutueshme për ndarjen e Donbasit dhe ndërhyrjen e mëvonshme ushtarake të Rusisë.
Mediat reaguan menjëherë. Në Shqipëri, të tunduar nga dëshira për një titull që premton klikime të shumta, mediat njoftuan se Putini “njeh” Kosovën.
Njohësi i politikave ndërkombëtare, Ledion Krisafi, shpjegon se kjo nuk mund të quhet njohje nga Rusia për Kosovën, pasi që të ketë njohje duhet që ajo të bëhet zyrtarisht dhe në këtë rast Putin thjesht përdori shembullin e Kosovës si model për rajonet e Ukrainës me idenë që nëse Kosova ka marrë pavarësinë, ky është precedent për çdo rajon tjetër në botë.
Pra, përdorimi që Putini i bën rastit të Kosovës nuk është ndryshim diplomatik, por një manipulim taktik. Ai nuk e përkrah të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, por përdor argumentin ligjor të Perëndimit për të justifikuar një agresion ushtarak.
Kjo vërtetohet edhe nga fakti se kjo nuk është hera e parë që Putin përdor këtë taktikë. Ai prej vitesh përdor lexime të së drejtës ndërkombëtare për të justifikuar ndërhyrje dhe aneksime. Gjeorgjinë në vitin 2008. Krimenë në 2014-ën. Donbasin në 2022-shin. Në çdo rast, Putin ngre një kornizë të rreme legjitimiteti që, kur analizohet më nga afër, bie ndesh me vetë parimet që pretendon të mbrojë.
Për shembull, në vitin 2022 mediat shqiptare njoftuan se “Putin njeh pavarësinë e Kosovës” pikërisht sepse ka krahasuar njohjen e pavarësisë së rajoneve të Ukrainës lindore bazuar mbi precedentin e Kosovës.
Edhe asokohe, pak ditë pas kësaj deklarate, ambasadori i Rusisë në Serbi sqaroi se “nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë ndryshim në qëndrimin e Federatës Ruse sa i përket çështjes së Kosovës” duke vërtetuar se e gjitha është një taktikë politike dhe jo një njohje e Kosovës.
Sa i përket opinionit të GJND-së për Kosovën, vendimi nuk dha njohje ndërkombëtare apo status shtetëror. Gjykata sqaroi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
“Gjykata ka arritur në përfundimin se miratimi i deklaratës së pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare të përgjithshme, rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit ose Kornizën Kushtetuese. Si pasojë, miratimi i asaj deklarate nuk shkeli asnjë rregull të zbatueshëm të së drejtës ndërkombëtare”, shkruan opinioni i gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në anën tjetër, Ledion Krisafi, shpjegon se paralelizmi që Putin bën mes Kosovës dhe rajonit të Donbasit nuk qëndron.
“Ukraina është shtet unitar, Jugosllavia ka qenë shtet federal. Kushtetuta e 1974-ës i dha Kosovës një status më të lartë duke i dhënë atribute të një Republike brenda Jugosllavisë. Si pjesë e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosovës i lindte e drejta të kërkonte shkëputje nga Federata ashtu si subjektet e tjera federale”– Ledion Krisafi, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Kjo gjë nuk ka ndodhur me Donjeckun dhe Luhanskun, vijon ai, pasi asnjë prej tyre nuk ishte subjekt federal, sepse vetë Ukraina nuk është shtet federal.
Për Krisafin çështja mund të shtrohet edhe në një aspekt moral pasi në Kosovë ka pasur përpjekje për, të paktën, dëbimin e një popullsie të tërë, gjë që prapë nuk ka ndodhur në Ukrainë.
Nga Jona Plumbi- Një video që ka qarkulluar gjerësisht në rrjet ku tregohen disa vija të kuqërremta në qiell është interpretuar si raketa në qiellin shqiptar.
Stuhi raketash edhe në qiellin shqiptar?, shkruan faqja JOQ që e ka shpërndarë videon në fjalë. Sipas tekstit që shoqëron publikimin, ato që duken në video janë “raketa” të ngjashme si ato të Izraelit, që duket se kanë përshkuar edhe qiellin shqiptar.
“JOQ Albania ka marrë me dhjetëra raportime nga qytetarë të ndryshëm të vendit në Elbasan, Tiranë, Lezhë e Shkodër për raketa në qiell rreth orës 3-4 të mëngjesit”, shkruan JOQ.
Në fund të përshkrimit të videos, faqja JOQ është kujdesur të shkruajë se “pamjet e mbërritura në redaksinë tonë tregojnë qiellin e shndritur, por askush nuk e di çfarë janë”
Ajo që bie në sy është se teksti përshkrues i videos është i edituar, por Instagrami, ndryshe nga Facebook-u, nuk lejon të shihet cila pjesë e tekstit është ndryshuar.
Videoja ndërkohë është shpërndarë edhe nga të tjerë portale apo faqe. Kështu Lokimagazine.com ka riprodhuar të njëjtin tekst dhe video të marrë nga JOQ. Teksti ndryshon vetëm në fjalinë e fundit ku Lokimagazine shkruan: “Pamjet e mbërritura në redaksinë tonë tregojnë më së miri praninë e tyre, por askush nuk mund ta thotë nga kanë ardhur apo pse”
Duket se ky ka qenë edhe teksti origjinal i publikimit në faqen e JOQ përpara se ai të ndryshohej.
Një tjetër portal në rrjet e shpërndan videon duke e marrë nga Lokimagazine, me titull “Qytetarët në alarm! Stuhi raketash kapen në qiellin shqiptar?”
Videoja është shpërndarë edhe nga faqe të tjera në rrjete sociale që njoftuan “raketa mbi territorin shqiptar”
Edhe pse videoja nuk ka një objekt apo mënyrë për të verifikuar nëse pamja është vërtetë e xhiruar në Shqipëri apo jo, ajo që mund të vërtetohet përmes një kërkimi me Google Lens është se pamja që shfaqet në këtë video është parë nga shumë qytetarë të shumë shteteve në periudha të ndryshme.
Një kërkim pak më i thelluar tregon se pamja e videos, duket më e ngjashme me një starlink që ka shpërthyer në qiell sesa me raketa.
Pamje nga video e JOQ
*satelit starlink që ka shpërthyer
*raketa izraelite në qiell të xhiruara me telefon
Starlink është një konstelacion satelitor i zhvilluar nga SpaceX, kompania private e hapësirës e themeluar nga Elon Musk. Qëllimi kryesor i këtij sistemi është të ofrojë internet me shpejtësi të lartë dhe vonesë të ulët në të gjithë botën. Sistemi përbëhet nga mijëra satelitë të vegjël që orbitojnë Tokën në lartësi të ulët (rreth 550 km), të cilët komunikojnë me terminalet tokësore dhe antenat e përdoruesve.
Kur një satelit i Starlink shpërthen ose hyn në atmosferën e Tokës në mënyrë të pakontrolluar, zakonisht për shkak të një defekti, përplasjeje ose deorbitimi të planifikuar, ai krijon një spektakël dramatik dritash në qiell. Sateliti digjet për shkak të fërkimit me atmosferën, duke u dukur si një vijë e ndritshme ose një grup dritash, që lëvizin shpejt dhe shpërbëhen. Mund të ngjajë me një shi meteorësh ose një top zjarri. Njerëzit shpesh i ngatërrojnë këto dukuri me UFO apo lëshime raketash për shkak të formave dhe ndriçimit të pazakontë.
Nga Sebi Alla Kryebashkiaku aktual i Vlorës, Ermal Dredha, në nisje të punës së tij në vitin 2023, shpalli “prioritet pastrimin e qytetit” dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetjeve. Për të tretin vit radhazi, Vlora ka përjetuar në periudhën e sezonit turistik disa herë djegie të mbetjeve urbane në venddepozim pranë lagjes 24 Maji.
Problematika
“Isha aty atë ditë (më 7 qershor) kur u ndez zjarri në fushën e depozitimit të mbetjeve. Dukej si shpërthim bërthamor mjedisor. Është e patolerueshme djegia e mbetjeve”, tha për Faktoje.al eksperti mjedisor, Lavdosh Ferruni.
Ende nuk ka një studim të mirëfilltë sa është sasia e mbetjeve urbane që krijojnë problematikë aty, por diskutohet të jetë mbi 350 mijë ton dhe përveç erës së rëndë, kryesisht banorët pranë vendgrumbullimit të mbetjeve janë të riskuar seriozisht në shëndet. “Dioksina dhe furanet që dalin nga djegia e mbetjeve, janë të vërtetuara që janë kancerogjene. Gjithashtu ka kontaminim në tokë, ujë dhe ajër. Djegiet e mbetjeve urbane, veçanërisht plastika, klasifikohet nga ndotjet më të rrezikshme”, thotë Ferruni.
Foto nga mbetjet ne lagjen 24 Maji ne Vlore
Reagimi
Vetë Bashkia Vlorë shkon edhe më “larg” në problematikën e djegies së mbetjeve, duke pranuar se ka pasoja të rënda, e madje ndikim edhe në ngrohjen globale. “Djegia e mbetjeve çliron në ajër shumë elementë si dioksina, furane, polikarbone, okside të squfurit, okside të azotit CO2 dhe metani i çliruar nga mbetjet kontribuojnë në ngrohjen globale. Tymin dhe aromën e rëndë e përjetojnë komunitetet përreth”, konstaton Bashkia Vlorë në përgjigjen e dhënë për Faktoje.al.
Ndërkohë, kreu i bashkisë Ermal Dredha nuk është i vetmi që premtoi zgjidhjen e këtij problemi. “Na kanë premtuar se do zgjidhet kjo çështje. Madje para zgjedhjeve erdhën disa deputetë dhe na thanë që mbetjet do të largohen, por asgjë nuk shihet, plehrat vijojnë të hidhen ende”, shprehet për Faktoje.al Valentin Aliaj.
“Ehhh sa kemi dëgjuar nga këta, çdo kryetar bashkie që ka ardhur këtë ka thënë gjithnjë; ’do ta zgjidhim shpejt’, po ku është zgjidhja?”, ngre pyetjen banori tjetër Ismail Lazaj, duke treguar me dorë malin e madh me mbetje që në dy tre vatra të vogla vijon të nxjerrë tym.
Fakt
Mes një pirgu të madh me mbetje, dy barinj heqin udhën për një tufë të madhe dhensh, ngjyra e të cilëve ka marrë tërësisht pamjen e mbeturinave urbane, një gri e theksuar. Lirshmërinë ua prish zhurma e një kamionçine me logon e Bashkisë Vlorë të mbushur me plehra, e cila shkarkon vrullshëm dhe largohet shpejt për të mos rënë në sy. Me këtë pamje Faktoje.al u përball mëngjesin e 16 qershorit në nisjen e sezonit turistik në Vlorë.
Në reagimin për Faktoje.al, Bashkia Vlorë pranon se aty vijojnë të hidhen mbetje, por, sipas tyre, janë materiale që nuk pranohen për përpunim në Landfill. “Në vendgrumbullimin e vjetër hidhen vetëm mbetje inerte të cilat nuk pranohen në Landfill si: mbetjet e orendive shtëpiake, pajisjet elektroshtëpiake, pajisjet hidrosanitare, mbetjet e pajisjeve elektronike dhe materialeve të ndërtimit”, thotë Ndërmarrja e Pastrimit e Bashkisë Vlorë.
Nje kamioncine nga Bashkia Vlore duke shkarkuar mbetje urbane Foto: Atdhe Mulla
Faktoje.al, në dy raste konstatoi se kamionçinat shkarkuan mbetje urbane. Lagjja “24 Maji” në Vlorë, në pikën ndarëse mes Pyllit të Sodës dhe Zvërnecit, është kthyer në një burim të frikshëm infeksionesh nga mbetjet, erës së rëndë, dioksidit të karbonit nga djegia dhe pasiviteti nga administrata lokale në përballimin e situatës. “Aty është sëmundje e madhe. Sidomos mëngjesi kur digjen plehrat është problem, nuk marrim dot frymë”, thotë Ismail Lazaj, një banor i zonës, nga të paktit që pranoi të fliste, pasi frika se po folën u hapen probleme në punë, apo në biznesin e vogël, është e madhe.
Bashkia
“Mos të hidhen akuza në tym, sepse i bëhet dëm Vlorës. Është gjithë ajo punë kolosale. Duhet të kuptojmë një gjë, ka 40 e ca vite që përdoret ajo fushë mbetjesh dhe është jashtë kapaciteteve. Lufta më e madhe që ne kemi pasur, të paktën që kur kam marrë këtë detyrë, ka qenë pjesa ligjore, për të vënë në funksion landfillin. Mbetjet urbane shkojnë të gjitha në landfillin e Sherishtës, që prej 26 prillit 2025”, tha në një reagim të fundit publik, Ermal Dredha, kryetar i Bashkisë Vlorë. Ky institucion në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al pranoi problematikën, ndërsa thekson se fenomeni i djegieve në vendgrumbullimin e mbetjeve nuk është i ri. “Situata problematike përsa i përket mbetjeve urbane në fushën e vendgrumbullimit është një situatë e përsëritur edhe në vitet e kaluara”, thuhet në reagimin e Bashkisë Vlorë, ndërsa shtojnë se: “për shkaqet e kësaj problematike janë bërë të gjitha denoncimet ku institucionet përkatëse janë në proces hetimi, nëse janë të qëllimshme apo aksidentale”.
Kryebashkiaku Dredha foli gjithashtu edhe për mundësinë e kapsulimit të vendgrumbullimit të mbetjeve, por në përgjigjen zyrtare nga Bashkia Vlorë, nuk konfirmohet një projekt i tillë. “Ndërmarrja e Pastrimit nuk ka një informacion mbi projektin për kapsulimin e mbetjeve, koston dhe nëse këtë projekt do ta realizojë vetë bashkia apo me kontraktor”, thuhet në reagim, ndërsa pranohet prej tyre se: “nuk mund të flasim definitivisht për mbylljen përfundimtare të problemit në fushëdepozitimin e vjetër të mbetjeve”.
Foto Atdhe Mulla Foto nga mbetjet ne lagjen 24 Maj
Ligji i mbetjeve
Për menaxhimin e mbetjeve urbane ka një ligj të veçantë që përcakton qartë se si duhet të trajtohen mbetjet, cilët institucione janë përgjegjëse dhe çfarë masash merren në raste të shkeljeve. Ligji nr. 10 463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, e ka të qartë: përgjegjësia për menaxhimin, mirëmbajtjen dhe sigurinë e fushave të mbetjeve bie plotësisht mbi njësitë e qeverisjes vendore. Po duke iu referuar ligjit, disa paragrafe të tjerë saktësojnë edhe masat ndëshkimore në rast të shkeljeve të procedurave në trajtimin e mbetjeve ku konkretisht djegia e mbetjeve në mënyrë të pakontrolluar është e ndaluar dhe përbën shkelje, që mund të ndëshkohet me masa administrative dhe ndjekje penale, në varësi të pasojave.
Përfundim
Faktoje.al pa nga afër fushën e mbetjeve dhe u konstatua se mbetjet urbane që mblidhen në Vlorë dhe Orikum vijojnë të hidhen në këtë fushëdepozitimi mbetjesh edhe pas deklaratës së kryebashiakut Dredha se ai venddepozitim nuk përdorej më. Faktoje.al dokumentoi me pamje se në të paktën dy raste mëngjesin dhe drekën e 16 qershorit mjete me logon e Bashkisë Vlorë shkarkuan mbetje në venddepozitimin e lagjes 24 Maji.
“Plehrat vijojnë të hidhen. Ditën vijnë kamionçina të vogla gati çdo dy orë dhe i hedhin plehrat, ndërsa gjatë natës kamionët e mëdha me mbetje shtohen”, thotë për Faktoje.al, Valentin Aliaj, një i ri i cili ka lindur aty dhe është rritur bashkë me mbetjet që i zenë frymën.
Ndaj dhe, çështjen e trajtimit të mbetjeve në Vlorë deri më tani do ta konsiderojmë premtim të pambajtur.
“Faktoje.al”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët
Pretendimi: Edi Rama është ekzekutuar dhe zëvendësuar me një klon të tij
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Kryeministri Rama mund të ndjehet krenar që është rreshtuar tashmë ndër udhëheqësit botërorë që pretendohet nga grupimet konspiracioniste se janë ekzekutuar dhe zëvendësuar me klone të kontrolluara. Në Facebook po qarkullon një postim sipas të cilit Rama i është bashkuar Hillary Clinton, Joe Biden, apo George Soros në burgun ushtarak të Guantanamos.
Ky pretendim nuk bazohet në asnjë fakt, por vjen nga teoritë e grupit ekstremist QAnon, një teori konspiracioni, e cila ka lindur online në vitin 2017 dhe që prej atëhere ka përhapur fakte dhe teori të rreme, sidomos kundër politikanëve të majtë. Kjo nuk është hera e parë që teori të tilla janë shpërndarë në mediat shqiptare. Siç e ka verifikuar Faktoje, akuza të tilla janë bërë edhe ndaj presidentit Obama, Joe Biden dhe Papë Franceskut.
Edi Rama, për shembull, ka bërë paraqitje të shumta publike të verifikueshme, duke përfshirë samite ndërkombëtare dhe konferenca për shtyp. Nuk ka asnjë provë të besueshme që sugjeron se ai është ekzekutuar ose zëvendësuar.
Përtej pretendimit mbi Edi Ramën, postimi në fjalë përmban disa teori konspiracioni të ndryshme, të cilat përsëri të nuk bazohet në asnjë provë. Për shembull, aty pretendohet se disa liderë botërorë janë ekzekutuar ose janë arrestuar dhe çuar në burgun famëkeq të Guantanamos. Pretendimi se ekzistojnë mbi 700,000 aktakuza të vulosura që do të përndiqen nga gjykatat ushtarake sekrete në Gjirin e Guantanamos është një narrativë e përsëritur e QAnon. Që në vitin 2021, kjo narrativë qarkullonte mbi Hillary Clinton si pjesë e dëmtimit të imazhit të saj si një kandidaturë e besueshme për presidente.
Në bazë të të dhënave të gjykatave, raporteve ligjore dhe njoftimeve për shtyp të Pentagonit, nuk ka asnjë provë se Guantanamo po përgatitet për një aktivitet të tillë. Sipas të dhënave të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA, për momentin në Guantanamo ka vetëm 15 persona, kryesisht të lidhur me akuza terrorizmi. Nuk ka pasur asnjë zgjerim masiv, asnjë aktivitet të verifikuar të gjykatës ushtarake që përfshin figura si Obama, Clinton ose Biden, dhe asnjë provë për “ekzekutime masive” siç pretendohet në postim.
Edhe pretendimi se Trump dërgoi Gardën Kombëtare në Guantanamo nuk është i vërtetë. Garda Kombëtare është një forcë vendase nën autoritetin e guvernatorëve të SHBA-së dhe nuk mund të vendoset në Kubë nga Trump. Për më tepër asnjë burim zyrtar ose mediatik nuk ka raportuar për një ngjarje të tillë, që do të çonte patjetër në një incident ndërkombëtar.
Së fundmi, postimi shtyn pretendime se personat e ekzekutuar apo arrestuar, janë akuzuar për abuzime satanike, kanë sakrifikuar fëmijë dhe përdorin teknologjitë sekrete të alienëve. Këtu bëhet fjalë përsëri për teori konspiracioni.
QAnon është një teori konspiracioni e ekstremit të djathtë që nisi rreth vitit nga 2017 nga postime anonime në internet që pretendonin se një grup politikanësh, personazhe të famshëm, udhëheqës biznesi, janë të angazhuar në trafikimin e fëmijëve, rituale satanike dhe korrupsionin global. Mbështetësit besojnë se Presidenti Donald Trump po punon fshehurazi për të çmontuar këtë grupim dhe se arrestimet masive, gjykatat ushtarake dhe ekzekutimet do të ndodhin së shpejti. FBI ka paralajmëruar se QAnon mund të kthehet në një kërcënim të brendshëm terrorist për shkak të potencialit të tij për të nxitur dhunë dhe për të radikalizuar ndjekësit.
Pretendimi: Ivermectina po zhduket nga kompanitë farmaceutike pasi shëron kancerin dhe Covid-19
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Një një postim në rrjetin social Facebook janë rikthyer pretendimet e pabaza mbi medikamentin antiparazitar Ivermectinë, pretendime të cilat Faktoje i ka analizuar edhe më parë si të pavërteta. Pretendimet në këtë postim janë hedhur poshtë nga autoritetet shëndetësore dhe kërkimet e pavarura mjekësore, sidomos përsa i përket roli që Ivermectina luan në shërimin e kancerit apo COVID-19.
Ivermectina u krijua si një trajtim antiparazitar dhe zbuluesit e saj fituan Çmimin Nobel në 2015 për përdorimin e tij kundër disa sëmundjeve si verbëria apo probleme me sistemin limfatik të kafshëve. Megjithatë promovimi i saj si një kurë për COVID-19 dhe kancerin nuk mbështetet nga prova të besueshme shkencore.
Së pari, ky postimi pretendon se “mjekë inteligjentë dhe të sinqertë” e përdorën Ivermectinën për të trajtuar me sukses COVID-19. Ky pretendim nisi pasi administrata e parë Trump, duke përfshirë vetë presidentin, u përpoqën të diskreditonin vaksinat zyrtare ndaj COVID-19 dhe nxitën përdorimin e këtij trajtimi të paverifikuar.
Në realitet, studimet të mirëfillta në fushën e mjekësisë kanë provuar se Ivermectina nuk është efektive në parandalimin ose trajtimin e COVID-19.
Së dyti, postimi pretendon në mënyrë të rreme se Ivermectina është “provuar” se shëron lloje të caktuara të kancerit dhe nënkupton një komplot nga kompanitë e mëdha farmaceutike për të fshehur këtë informacion. Për momentin nuk ka prova klinike që tregojnë se Ivermectina shëron ose trajton në mënyrë të konsiderueshme kancerin tek njerëzit. Ndërsa disa studime paraklinike (të bazuara në laborator) kanë hetuar efektet e Ivermectinës në qelizat kancerogjene, këto studime janë paraprake dhe jo të mjaftueshme për të nxjerrë përfundime në lidhje me përdorimin e saj klinik.
Së fundmi, ideja se kompanitë farmaceutike po komplotojnë për të “eliminuar” Ivermectinën sepse është një kurë e lirë është një teori konspiracioni që përpiqet te hedhë poshtë besimin ndaj vaksinave dhe punës shkencore që bëjnë këto kompani në përgjithësi. Ivermectina është një trajtim që gjendet ende në shitje të lirë në farmaci dhe mungesat në disa prej tyre është pasojë e legjendës së përhapur online dhe kërkesës në rritje nga klientët për ta siguruar medikamentin. Nëse do të ishte vërtet një trajtim i shkëlqyer për kancerin ose COVID-19, kompanitë do të kishin arsye financiarë për ta studiuar dhe tregtuar atë, jo për ta fshehur si kurë.
Nga Sebi Alla – Shkolla e re nuk ka zë fëmijësh, e aq më pak mësuesish. Godina ngjan një investim i shkuar dëm, ku të vetmet që thyejnë heshtjen janë tetë fëmijë të kopshtit. Shtatë klasa të shkollës qëndrojnë mbyllur në fshatin Gurrë e Madhe, Njësia Administrative Petrelë, vetëm 13 kilometra nga qendra e Tiranës, por arsimimi i fëmijëve është problem thelbësor për prindërit e 44 nxënësve, prej të cilëve 23 të arsimit fillor dhe 21 arsimit 9-vjeçar.
“Kam mbesën në klasë të pestë, por ka pesë vite që udhëton çdo ditë të procesit mësimor në fshatin Daias,” thotë për Faktoje.al Ermulla Hoxha. Ai tregon se fëmijët çohen herët në mëngjes, nisen me një autobus dhe vajtje-ardhje u duhen tetë kilometra në ditë, në një rraskapitje të vazhdueshme përgjatë vitit shkollor. Situatë e njëjtë raportohet jo zyrtarisht se është edhe në pesë fshatra të tjerë të Njësisë Petrelë.
Shkolla e re ne Gurre e Madhe Shkolla e re ne Gurre e Madhe
Shkolla dhe nxënës po, mësues jo
Në fundin e vitit të kaluar, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, u shpreh se “janë mbi 500 shkolla në rang vendi që janë të hapura dhe komuniteti i nxënësve dhe mësuesit por edhe struktura të tjera janë prezentë dhe jashtë orarit mësimor dhe aktiviteteve sociale, kulturore dhe sportive. Po flasim në një kohë kur ne sot që flasim kemi me qindra shkolla të rehabilituara në këto vite, të cilat tashmë kanë edhe infrastrukturë sportive”. Në shumë fshatra të vendit shkollat janë, veçanërisht për arsimin fillor, por nuk emërohen mësues në pretendimin e numrit të ulët të nxënësve. “Ka shumë fshatra në vend që nuk u ofrohet arsimi bazë. Ndonëse në një pjesë të tyre ka shkolla dhe ambiente relativisht të mira, nuk emërohen mësues nën pretekstin e mungesës së nxënësve dhe kjo është shkelje dhe mohim për të drejtën e arsimimit”, thotë për Faktoje.al Ndriçim Mehmeti.
Tri shkelje…
Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti shprehet se në këtë rast dhe shumë të tjera në të gjithë vendin janë tre shkelje; të Kushtetutës; ligjit të arsimit parauniversitar dhe udhëzimeve të ministrisë. Në nenin 57 të Kushtetutës së Shqipërisë thuhet: “1. Kushdo ka të drejtën për arsimim. 2. Arsimi shkollor i detyrueshëm caktohet me ligj”.
Prof Mehmeti thotë për Faktoje.al se arsimi duhet parë si elementi thelbësor i një shoqërie dhe ai nis që nga kopshtet deri në arsimin e lartë. “Shteti është i detyruar të japë shërbimin arsimor aty ku janë, pavarësisht se sa nxënës janë”, thotë Mehmeti. Gjithashtu, nisur nga rasti konkret, Faktoje.al iu referua një udhëzimi të Ministrisë së Arsimit mbi hapjen e klasave për numër nxënës dhe në rast mosplotësimi do të kalonin në klasa kolektive. Udhëzimi nr 14, datë 10.07.2023 i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në pikën 2 thotë: Në institucionet arsimore kur nuk plotësohet numri i nxënësve në përputhje me pikën A/1 (shënim; pika A/1 “klasat e veçanta në zonat urbane të formohen në jo më pak se 15 nxënës dhe në zonat rurale të formohen në jo më pak se 10 nxënës”), mësimi të organizohet në klasa të bashkuara”.
Më pas në të njëjtin udhëzim përcaktohet edhe numri i klasave të bashkuara. “Numri i klasave të bashkuara përcaktohet sipas këtij rregulli: një klasë kur numri i nxënësve nga klasa I-V është deri dhe 10 nxënës dhe dy klasa kur numri i nxënësve është nga 11-20”. Ky udhëzim është shkelur në rastin konkret në fshatin Gurrë e Madhe, pasi numri i nxënësve të ciklit fillor është 23. Duhet të ishin të hapura të paktën dy klasa. “Përderisa ka një shkollë, plotësohet edhe kriteri i të paktën klasave kolektive, drejtoritë arsimore duhet të emërojnë mësuesit përkatës”, thotë Mehmeti, i cili shton se ka shumë mësues që qëndrojnë në pritje të emërimeve.
Faktoje.al iu drejtua Ministrisë së Arsimit me disa pyetje mbi problematikën e mbylljes së shkollave në zonat rurale dhe moszbatimin e udhëzimit për hapjen e klasave kolektive, por deri në botimin e këtij shkrimi nuk kemi përgjigje
Të rraskapitur në bankë…
Eksperti i çështjeve të arsimit parauniversitar prof Ndriçim Mehmeti shprehet se është e provuar se lodhja fizike (zgjimi herët në mëngjes dhe udhëtimi i gjatë), ndikojnë në mësimxënësie, veçanërisht tek fëmijët e arsimit fillor.
Shkolla ne Daias ku shkojne cdo dite nxenesit e fshatit Gurre e Madhe Shkolla ne Daias Shkolla ne Daias Ne nje nga klasat e shkolles ne Daias ku shkojne cdo dite 44 nxenes nga fshati Gurre e Madhe
“Për një fëmijë që e ka shkollën larg nevojitet zgjim më i shpejtë. Më pas kjo i shton edhe udhëtimin e gjatë, në këmbë ose makinë dhe bie efektiviteti në mësimnxënie”, thotë Mehmeti. Ai vijon më tej se nuk është vetëm mungesa e përqendrimit në orët e mësimit, por edhe pasditja problem për tu përgatitur për të nesërmen. “Një nxënës i ciklit fillor ka orën e mësimit, por me rëndësi mbetet edhe përgatitja pas mësimit”. Ndërsa duke iu referuar rasteve konkrete eksperti shprehet se: “Udhëtimet e gjata ndikojnë në lodhje fizike, por edhe humbje kohe. Një nxënës ka sistemin e tij si fizik ashtu edhe psikologjik në kushte të caktuara që të ketë efektivitet në mësimxënie”, komenton Mehmeti.
Paradoksi
Ne foto: Shkolla ne Daias ku mesojne edhe 44 nxenesit e fshatit Gurre e Madhe
Shkolla e re e ndërtuar në Gurrë të Madhe me një kapacitet për deri në 150 nxënës, qëndron e mbyllur, ndërsa fëmijët e tre fshatrave zhvillojnë mësimin në Shkollën e fshatit Daias, e ndërtuar në vitin 1957.
Ne foto: Drejtoresha e shkkoles ne fshatin Daias, Juliana Jaçaj
Drejtoresha e kësaj shkolle, Juliana Jaçaj, thotë për Faktoje.al se nga arsimi fillor deri në atë 9-vjeçar janë 126 nxënës me një staf prej 13 mësuesish. “Kushtet janë relativisht të mira. Ambientet janë pak të ngushta sepse kjo shkollë është ndërtuar në vitin 1957 por ka pasur disa rikonstruksione”, thotë drejtoresha Jaçaj. Ajo pranon se shkolla në fshatin Gurrë e Madhe është ndërtuar vitet e fundit dhe ka kapacitet më të madh dhe kushte më të mira, por nuk mund të thotë se përse është vendosur që mësimi për tre fshatra të zhvillohet në një shkollë të ndërtuar që në vitin 1957.
Përfundimi
Arsimi fillor dhe 9-vjeçar është i detyruar në vend, por në shumë zona, veçanërisht në fshatra nxënësit detyrohen të udhëtojnë disa kilometra për tu grupuar në një shkollë të caktuar. Edhe në rastet kur plotësohet kriteri i klasave kolektive shkollat në disa zona nuk funksionojnë, pavarësisht se numri i mësuesve që kërkojnë punë është i lartë. Çështjen e arsimit fillor dhe 9-vjeçar dhe ofrimin e shërbimit në zonën ku banojnë konsiderohet premtim pjesërisht i mbajtur nga Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu
Pretendimi: Edi Rama dhe Berisha në panik pas rikthimit të Yuri Kim në Tiranë
Verdikti: E pavërtetë, Clickbait
Barbara Halla
Një artikull po qarkullon në mediat shqiptare ku sugjerohet se ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim është rikthyer në Shqipëri. Në fakt, nuk bëhet fjalë për një rikthim të mirëfilltë, por një titull i cili është përdorur për të tërhequr vëmendjen e lexuesit. Kjo bëhet e qartë në tekstin e artikullit, ku sqarohet metafora e përdorur. Yuri Kim përfundoi misionin e saj diplomatik në Shqipëri në qershor 2023 dhe tani shërben në Departamentit të Shtetit të SHBA-së në Washington.
Artikulli nuk ka të bëjë me Yuri Kim, por me Gledis Nanon, ish-drejtorin e Policisë së Shtetit Shqiptar, i cili ka aplikuar për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH). Në artikull, Nano është një nga 13 kandidatë që ka aplikuar për këtë pozicion, i cili do të përzgjidhet nga drejtuesit e SPAK. Në këtë artikull, Nano paraqitet në mënyrë të pabazë si agjenti i Yuri Kim, e cila prej disa vitesh nuk punon më në Shqipëri. Si titulli dhe artikulli pretendojnë se kandidimi i Nanos është orkestruar nga Kim, edhe përse nuk ka asnjë provë mbi këtë pretendim.
Për më tepër, sugjerimi se kandidatura e tij ka shkaktuar “panik” në qarqet politike paraqitet pa asnjë mbështetje në fakte. Artikulli nuk citon deklarata, dokumente apo reagime nga Edi Rama apo Sali Berisha.
Një nga aludimet e tjera të artikullit ka të bëjë me faktin se që prej ikjes së Kim, Shtetet e Bashkuara nuk kanë emëuar një ambasador të ri në Shqipëri.
Artikullin e portretizon këtë mungesë si të dyshimtë, ose pjesë e një manovre të fshehtë politike. Megjithatë, ky interpretim injoron kontekstin më të gjerë diplomatik. Emërimet e ambasadorëve shpesh përjetojnë vonesa për shkak të problemeve procedurale dhe politike në Washington, veçanërisht procesit të konfirmimit të ambasadorëve të rinj në Senatit e SHBA-së. Disa ambasada amerikane në mbarë botën drejtohen nga chargé d’affaires dhe jo ambasadorë, dhe kjo nuk konsiderohet si e pazakontë.
Artikulli po ashtu përdor akuza të pavërtetuara rreth aleancave të Edi Ramës me figura dhe organizata ndërkombëtare, si ish-agjenti i FBI-së Charles McGonigal, Fondacioni Soros dhe USAID. Këto elemente krijojnë një narrativë sipas të cilës SHBA është kthyer kundër Ramës dhe ai tashmë është në gjendje paniku. Por, këto pretendime mbështeten në aludime dhe jo në fakte, duke synuar të nxisin mosbesimin ndaj institucioneve të Shqipërisë dhe ndaj partneritetit të Ramës me Shtetet e Bashkuara.
Në Shqipëri çështjet e shëndetit mendor tek fëmijët dhe adoleshentët po nxisin gjithnjë e më shumë debate përsa i takon nevojës dhe cilësisë së shërbimeve. Ekspertët ngrenë probleme tejet shqetësuese në këtë drejtim, duke renditur disa faktorë që rëndojnë mbi shendetin mendor të kësaj grupmoshe, mes tyre pasojat e pandemisë Covid 19, varësia nga interneti, bullizmi, dhuna online apo raportet e demtuara me prindërit, shoqërinë apo shkollën. Njohës të fushës janë kritikë dhe nxisin autoritetet të shtojnë shërbimet për shëndetin mendor të fëmijëve, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik i tha Faktoje.al se janë hartuar dhe po zbatohen një sërë strategjish në këtë drejtim.
Në Shqipëri shërbimet mbi shëndetin mendor kanë njohur disa faza zhvillimi në tre dekadat e fundit. Reforma e viteve 2000 në këtë fushë përfshiu shërbimet në komunitet ndërsa me herët, ofroheshin shërbime të specializuara vetëm në qëndra spitalore.
Çështjet e shëndetit mendor gjithnjë kanë nxitur debate përsa i takon ofrimit të shërbimeve. Por një nga problemet më shqetësuese sot lidhet me shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Profesonistë në fushën e shëndetit mendor i thanë Faktoje.al se së fundi pandemia e Covid 19, i shtoi edhe më tej problemet e shëndetit mendor tek kjo grupmoshë si dhe nevojat për të marrë shërbime. Çrregullimet e ankthit, humori i ulët, mungesa e vetëbesimit, ndryshimet në sjellje, janë grupi më i lartë i shqetësimeve, por mjekja psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë, Valbona Alikaj thotë se ajo dhe kolegë të saj po ballafaqohen me disa të reja që kanë nevojë për t’u marrë në analizë.
Po shohim që kemi dhe ndryshime në simptomatika. Shpesh na duken gjërat si të paqarta. Disa gjëra janë sikur nuk kanë qenë para dhjetë vitesh. Dhe besoj se këto duhen riparë”– thotë për Faktoje.al Prof.asc. Valbona Alikaj, mjeke psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë.
Autoritetet zyrtare të shëndetit publik thanë për Faktoje.al se po i kushtojnë vëmendje shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve dhe se në Planin Kombëtar të Veprimit të Shëndetit Mendor 2023-2026 është përfshirë një kapitull i veçantë për këtë qëllim. Specialistja e shëndetit mendor në Institutin e Shëndetit Publik Andia Meksi thotë se Ministria e Shëndetësisë ka filluar të përfshijë psikologë dhe punonjës social në qëndrat shëndetësore të kujdesit parësor, ndërsa janë ngritur qëndra të shërbimeve komunitare për shëndetin mendor në qytetet kryesore të vendit, 3 vetëm në Tiranë. Edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit përgjatë viteve të fundit, ka ndërmarrë një sërë strategjish për të forcuar rolin psiko-social në shkolla.
Ky institucion i tha Faktoje.al se është përmirësuar kuadri ligjor lidhur me organizimin dhe funksionimin e njësive të shërbimit psiko-social duke shtuar se numri i punonjësve të shërbimit psiko-social është rritur vit pas viti. Me tej Ministria e Arsimit sqaroi se sot janë mbi 850 punonjës që ofrojnë shërbime në institucioner arsimore parauniversitare duke theksuar se në varësi të numrit të nxënësve shkollat mund të kenë dhe dy punonjës psiko-socialë.
Por aktivistë që mbrojnë të drejtat e fëmijëve në Shqipëri mendojnë se shërbimet për të rinjtë janë të pamjaftueshme.
“Mungesa e shërbimeve është një ndër ndër hallkat, por flasim për mungesën në tërësi të një qasje që i vendos të rinjtë në qendër. Nuk jemi ende aty ku duhet, që vërtet t’u japim të rinjve shërbimet e duhura”– shprehet për Faktoje.al Altin Hazizaj, Drejtor ekzekutiv i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri.
Nga ana tjetër specialist të shëndetit mendor tërheqin vëmendjen specialistët është bashkëvperimi mes institucioneve.
“Nevojitet një bashkëpunim më i fortë institucional që do të thotë se ato institucione që merren më shërbime shëndetësore, me edukimin, me shërbimet sociale duhet të jenë më të unifikuara dhe më të shpejta përsa i përket përgjigjes për nevojat që kanë sot adoleshentët dhe të rinjtë”– argumenton për Faktoje.al, Andia Meksi, specialiste e shëndetit mendor në Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë.
Psikologët në shkolla po ndeshen sot me një sërë ankesash të fëmijëve dhe adoleshentëve, që nga ato në lidhje me pamjen e jashtme, ankthin, probleme me humorin dhe deri me sjelljen. Grupmosha me nivelin më të lartë të këtyre shqetësimeve është ajo 15-19 vjeç, ndërsa vajzat kanë një tendencë më të lartë për të kërkuar ndihmë, edhe pse mund të mos jenë ato që kanë më së shumti nevojë.
Ekspertët mendojnë se është e vështirë të maten dhe veçanërisht të trajtohen shqetësimet e shëndetit mendor te fëmijët dhe adoleshentët pa kuptuar kontekstet që krijojnë shqetësim. Studimet në këtë rrafsh veçojnë ndërthurjet e gjenetikës, faktorëve mjedisorë që në fëmijërinë e hershme, duke përfshirë prindërimin, shkollimin, ekspozimin ndaj dhunës ose abuzimit, diskriminimin, varfërinë, krizat humanitare dhe emergjencat shëndetësore të cilat mund të ndikojnë në shëndetin mendor të tyre.
Njohës të fushës argumentojnë se një nga problematikat më të thella që ndikon në shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve është përdorimi për një kohë të gjatë dhe pa kontroll i internetit.
“Varësia nga interneti është një nga problematikat kryesore. Sigurisht që në internet mund të gjenden materiale të pakontrolluara, materiale pornografike, me të cilat adoleshenti dhe fëmija mund të jetë në kontakt. Prandaj është shumë e rëndësishme që prindi dhe të afërm të tyre të vendosin kontroll dhe limite për kohën që fëmija kalon rrjete sociale dhe në përdorimin e teknologjisë”- thotë Elisa Bano, psikologe në shkollën 9 vjeçare Naim Frashëri në Tiranë.
Mjekja psikiatre Valbona Alikaj, ndau me Faktoje.al një shembull nga përvoja e saj profesionale në lidhje me rrezikun që i kanoset sot fëmijëve dhe adoleshentëve nga përdorimi pa kriter i internetit.
“ Unë kam në terapi prej disa kohësh një vajzë të mbyllur, jo shumë të shkathët, nxënëse shumë e mirë, e cila ishte futur në këto programet e internetit ku ti dërgon foto dhe fotot kthehen si alienë apo diçka e tillë. Papritur ajo kuptoi që ky ishte një program takimesh virtuale me njerëz të panjohur. Në fillim tha se e kishte nisur si lojë, duke u tallur, dhe duke thënë se ishte pak më e madhe, dhe papritur bie në kontakt me një person i cili i ofron dashuri, siguri dhe dhunë verbale. Rastësisht nëna e saj kontrollon celularin dhe gjen një komunikim i cili nuk ishte fshirë, dhe këtu fillon i gjithë kalvari i ndërprerjes së komunikimeve me këtë person dhe patjetër kanë shkuar dhe në Autoritetin e sigurisë kibernetike që e kanë referuar. Po punojmë shumë me simptomatikën e ankthit tek ajo”- tregon Znj. Alikaj.
Edhe pse përdorimi në masë i teknologjisë nga fëmijët shihet nga mjaft specialistë si burim problemesh në lidhje me shëndetin mendor, disa prej tyre janë më të tërhequr për të dhënë konkluzione.
“Nuk do nxitohesha sepse brezat dhe e fëmijëve dhe adoleshentëve që kanë lindur dhe janë rritur me praninë e përditshme të teknologjisë, kanë akoma kohë për të dhënë produktin e tyre, qoftë nga ana intelektuale, psikologjike apo kontributin në shoqëri”-shprehet për Faktoje.al Neli Demi, mjek psikiatër.
Një prej momenteve ku specialistët e shëndetit mendor ndalen është ai që lidhet me aktet vetëdëmtuese.
Që prej vitit 2019 të dhënat e policisë tregojnë se 36 fëmijë janë vetëvrarë, dy mbi 14 vjeç gjatë këtij viti, ndërsa kanë tentuar të vrasin veten gati dy herë më shumë. Të dhënat zyrtare tregojnë se aktet vetëvrasëse janë ulur ndjeshëm nga 12 në vitin 2019 në 1 në vitin 2024, por sërish ekspertët janë vigjilentë kur bëhet fjalë për jetën.
“Shkaqet janë nga më të ndryshmet. Është shumë e rëndësishme përgjigja në kohë. Studimet tregojnë që vetëvrasjet parandalohen dhe ka mënyra që mund të vlerësohet nëse ekziston një rrezik i menjëhershëm tek një adoleshent, edhe pse është shumë e vështirë, sepse adoleshentët e kanë shumë të vështirë ndryshe nga një i rritur të flasin për problemet e tyre, por nuk është e pamundur” – thotë Znj. Meksi specialiste e shëndetit mendor në ISHP.
“Vihet re një lloj stigme përsa i përket problemeve të shëndetit mendor tek fëmijët dhe adoleshentët. Mund të ketë persona që e vuajnë diçka por kanë shumë turp që problemet t’i ndajnë me dikë tjetër, sepse mendojnë se do duken të dobët në sytë e bashkëmoshatarëve, do të gjykohen, nuk do ndihmohen dhe situata do përkeqësohet edhe më tej”- argumenton Elisa Bano, psikologe në shkollën 9 vjeçare Naim Frashëri në Tiranë.
Ministria e Arsimit në fund të vitit 2024 njoftoi se është miratuar Plani Kombëtar i Veprimit për parandalimin e dhunës, bullizmit dhe rritjen e sigurisë në shkolla, si dhe krijimin e shkollave të hapura për të përfshirë prindrit dhe komunitetin.
E megjithatë aktivistë që mbrojnë të drejtat e fëmijëve në Shqipëri dhe disa mjekë të shëndetit mendor kanë një qasje tjetër për ndërveprimin mes adoleshentëve prindërve dhe komunitetit kur bëhet fjalë për problemet e shëndetit mendor.
“ Edhe kur ulesh të bisedosh me ta një ndër çështjet kryesore për të cilat ankohen adoleshentët dhe fëmijët është mungesa e komunikimit me dhe fakti se atyre u duket sikur nuk kuptohen nga të rriturit. Për ta ky është një problem shumë i madh. Në fakt ata kanë kohë që flasin por nuk jemi ne të gatshëm t’i dëgjojmë”- vijon Z. Hazizaj.
“Nga adoleshentët që unë shoh, kuptoj që ka plot prindër të cilët nuk janë gjithë ditën në shtëpi, mungojnë dhe nuk e dinë se çfarë bën fëmija i tij. Dhe jo vetëm kaq, por as nuk e njohin fëmijën e tyre. Prindër që i mbushin fëmijët me lekë, por nuk e njohin fëmijën”- vijon mjekja psikiatre Valbona Alikaj. .
Elementë të këtij realiteti kanë gjetur vend dhe në studimet e ISHP.
“ Shumica e prindërve, gati 90% e prindërve refuzojnë të japin lejen me konsensus, pra me firmë, që fëmijët e tyre të marrin shërbime për probleme të shëndetit mendor. Kjo tregon stigmën e lartë që ekziston. Pra duhet punuar shumë, por gjëja më e mirë është po flitet dhe media luan një rol të rëdësishëm në këtë drejtim”- vijon Andia Meksi, specialiste e shëndetit mendor në ISHP.
Përtej stigmatizimit që ndeshet sot rëndom në lidhje më problemet e shëndetit mendor tek fëmijët dhe adoleshentët, në fakt disa barriera janë thyer. Sot flitet më shumë se më parë për to, ndërsa sfida është që në të ardhmen të flitet më shumë se sot. Nga ana tjetër të gjithë aktorët bien dakort se ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim duke nënvizuar se nuk mund të ketë shëndet pa shëndet mendor.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert”në Tiranë
Pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit punësimi në shtet u zgjerua. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se gjatë tremujorit të parë të këtij viti numri i të punësuarve në administratën publike u shtua me 1109 persona. Faktoje.al i është referuar shifrave të INSTAT, ku numri i të punësuarve në sektorin publik arriti në 185,387 persona në fund të muajit mars. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024 numri i të punësuarve në shtet është shtuar me 3630 individë.
Burimi: INSTAT
Edhe pse ligjërisht punësimi në shtet përpara zgjedhjeve është i ndaluar, të dhënat ndër vite tregojnë se administrata publike në Shqipëri është rritur veccanërisht kur ka pasur zgjedhje.
Rasti më tipik ishte në zgjedhjet e kaluara parlamentare të vitit 2021. Të dhënat e INSTAT tregojnë se punësimi në sektorin shtetëror u zgjerua brenda një viti me 7,812 të punësuar, apo 4,5% më shumë.
Burimi: INSTAT
Punësime elektorale
“Punësimet elektorale janë një traditë e ndjekur në Shqipëri, sidomos në vitet e fundit kur në tre procese zgjedhore sistemi i patronazhizmit ka diktuar nevojën për mobilizim maksimal të burimeve njerëzore,” shprehet për Faktoje.al Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike.
Sipas tij, ky fenomen nuk është i ri, por ka marrë përmasa më serioze në vitet e fundit, siç dëshmohet edhe nga të dhënat për vitin 2021.
“Pavarësisht se është një nga kritikat kryesore në raportete ODHIR-it dhe OSBE-së ndër vite dhe ka pasur rekomandime për ndërhyrje në legjislacion për parandalim të një situate të tillë, progresi është krejtësisht minimal,” shton Krasniqi.
Ai thekson se në raste të tilla, “Prokuroria dhe SPAK do të duhet të bënin një hetim të thelluar të përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë elektorale”, ndërsa “Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të hetojë mbi praktikat e ndjekura, që fenomene të tilla të mos përsëriten.” Sipas tij, kjo është një çështje që “duhet trajtuar me prioritet, edhe në kuadër të procesit të integrimit europian.”
Edhe Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare thekson për Faktoje.al rëndësinë e kësaj çështjeje, duke deklaruar se “jo vetëm ne si aktor lokal, por tashmë edhe OSBE-ODHIR përsërit se në zgjedhje përdorimi i burimeve shtetërore është një nga problemet kryesore në garën për pushtet.”
Ai nënvizon se më shumë sesa asetet materiale, “peshën më të rëndësishme e zënë burimet njerëzore, apo nëpunësit e shtetit,” duke shtuar se “nëse ne kemi një problem me përdorimin e nëpunësve në fushatë, rritja e numrit të tyre e shumëfishon problemin dhe gjithashtu shumëfishon benefitet elektorale të partisë në pushtet.”
Sipas Qiraxhit, kjo është një nga arsyet pse “administrata jonë vetëm rritet, aq sa të krijojë një administratë dyfish më të lartë se vendet europiane.” Ai kujton se “përgjatë pesë viteve të fundit, Qëndresa Qytetare ka denoncuar mbi 100 raste të përdorimit të administratës në fushatë dhe një pjesë e mirë e tyre janë gjetur në përdorim të shtetit për fushatë.”
Cfarë deklaroi Berisha?
Në linjë me shqetësimet mbi përdorimin elektoral të administratës publike, edhe Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me kryesinë e degës së PD-së në Bruksel, deklaroi se “në 11 maj nuk u bënë zgjedhje, por farsë elektorale.”
Ai vijon të akuzoi qeverinë se ka ndërtuar “një makineri gjigante” të blerjes së votës përmes abuzimit me pushtetin ekzekutiv, duke përfshirë masa të ndaluara me ligj. Sipas Berishës, një nga mekanizmat më agresivë ishte rritja masive e punësimeve.
“Punësoi gjatë zgjedhjeve mbi 10 mijë vetë në qeverinë vendore dhe qendrore”, deklaroi ndër të tjera Berisha.
Përfundim
Deklarata e Kryetarit të PD-së, Sali Berisha, se gjatë zgjedhjeve janë punësuar mbi “10 mijë vetë në qeverinë vendore dhe qendrore”, nuk mbështetet aktualisht nga të dhënat zyrtare. Sipas INSTAT, numri i të punësuarve në sektorin shtetëror për tremujorin e parë të vitit, në prag të zgjedhjeve parlamentare, është rritur me vetëm 1109 persona krahasuar me tremujorin paraardhës. Kështu, ndonëse shqetësimi për përdorimin e administratës në funksion elektoral mbetet i ligjshëm, pretendimi për 10 mijë punësime është i pasaktë në raport me burimet zyrtare si INSTAT.
Pretendimi: Ligji i ri në Itali të çon në burg nëse lexon mesazhet private të partnerit
Verdikti: Mungon konteksti
Nga Barbara Halla
Në një titull bombastik, një portal shqipfolës njofton në 5 qershor ekzistencën e një ligji të ri në Itali, sipas të cilit “kush kontrollon Whatsapp-in apo telefonin e partnerit dënohet me 10 vite burg.” Këtu bëhet fjalë për keqinterpretimin dhe nxjerrjen nga konteksti të një vendimi gjyqësor dhe jo të një ligji të ri në Itali.
Lajmi në fjalë është marrë nga mediat italiane, disa prej të cilave po ashtu kanë përdorur tituj të natyrës clickbait për të marrë vemendjen e lexuesve. Një faqe shkruan: “Whatsapp, të spiunosh mesazhet është krim: për Gjykatën e Kasacionit, rrezikon 10 vite burg.” Ndërkohë, faqe të tjera kanë përdorur një titull më të moderuar: “Gjykata e Kasacioneve: të spiunosh mesazhet private është krim.”
Megjithatë, Parlamenti Italian, i cili është organi shtetëror që mund të miratojë legjislacionin në vendin fqinj, nuk ka marrë një vendim të tillë. Lajmi flet për vendimin e dhënë nga gjykata e Kasacionit (që në Itali, është gjykata që vendos për çështjet pas Gjykatës së Apelit). Vendimi u dha në ditët e fundit si pjesë e një çështjeje gjyqësore, ku një burrë akuzohej se kishte lexuar dhe përdorur pa leje mesazhet private të ish-gruas. Burri ishtë dënuar më parë nga Gjykata e Apelit e Mesinës për përdorimin e bisedave në WhatsApp dhe telefonatave nga dy telefonat e ish-gruas së tij. Ai ja kaloi këtë informacioni avokatit të tij, me qëllim që të përdoreshin përgjatë procesit të divorcit. Në mars 2022, gruaja raportoi sjelljen e të shoqit, duke e akuzuar se kishte dërguar mesazhe private palëve të treta.
Pas vendimit të Gjykatës se Apelit, burri në fjalë e ankimoi vendimin në Kasacion, e cila vendosi kundër tij. Gjykata ka vendosur se leximi i mesazheve private pa dijeninë dhe pëlqimin përbën shkelje dhe këto mesazhe nuk mund të përdorën në procedura divorci nga asnjë palë. Ata që e shkelin këtë ligj mund të marrin deri në 10 vjet burg, por kjo varet nga çështja në çështje dhe do jenë nën diskrecionin e gjyqtarit të çështjes së caktuar. Neni 615 i Kodit Penal Italian parashikon si shkelje penale aksesin e paautorizuar në pajisjet kompjuterike, duke vendosur një dënim deri në tre vjet burgim në rast të përhapjës së përmbajtjes private.
Pra kemi të bëjmë me një diferencë të hollë, por të rëndësishme midis një ligji dhe një vendimi gjykate. Ligjet kalohen nga parlamenti italian dhe aplikohen në mënyrë të përgjithshme për të gjithë popullsinë. Ndërkohë që Gjykata e Kasacionit interpreton ligjet ekzistuese, dhe aplikohet vetëm për çështjen në fjalë. Megjithatë, edhe pse vendimet e Gjykatës së Kasacionit (si një nga gjykatat më të larta të shtetit italian) nuk janë të detyrueshme për gjykatat më të ulëta, në shumicën e rasteve ato përdorën nga këto gjykata për të interpretuar çështjet në të ardhmen.
Pretendimi: Lady Gaga iu përgjigj me një puthje në buzë gruas që e mallkoi
Verdikti: Mungon konteksti
Nga Barbara Halla
Në rrjetet sociale shqiptare po qarkullon një klip i këngëtares dhe aktores Lady Gaga duke puthur në buzë një grua tjetër. Ky klip është shpërndarë pa kontekst, duke pretenduar se bëhet fjalë për një skenë nga jeta personale e Lady Gaga. Por klipi në fjalë është një skenë nga filmi Joker: Folie à Deux, ku Gaga luan personazhin kryesor, Harley Quinn.
Në disa klipe në mediat sociale dallohet vetëm figura e Lady Gaga, duke ngjitur shkallët, kur një grua e ndalon duke i bërtitur në anglisht “do shkosh në ferr.” Gaga ndalon dhe e puth gruan në buzë duke e lënë atë të shtangur. Rezulton se ky klip është shkëputur nga një video më e gjatë, ku dallohet qartazi që bëhet fjalë për një shesh xhirimi. Në videon e plotë, mund të vihen re dhe kamerat që e ndjekin Lady Gaga në rol.
Në fund të videos, dallohet po ashtu Gaga që flet me regjizorin e filmit, Todd Phillips.
Ky klip qarkullon në rrjet që prej marsit të vitit 2023, kur një fans e kishte xhiruar skenën nga telefoni i tij. Në muajt në vazhdim, fansat spekuluan për filmin që ende nuk kishte dalë në kinema. Kjo skenë u rikthye në vemendjen e publikut me daljen e filmit Joker: Folie à Deux në kinematë amerikane. Diskutimi kësaj rradhe kishte të bënte më faktin se regjizori vendosi të mos e përfshinte në versionin përfundimtar të filmit.
Siç e shpjegon edhe Phillips, Gaga e kishte improvizuar momentin, por ai vendosi të mos e përdorte pasi nuk shkonte me vizionin e tij për atë moment të filmit.
“A i marr falas këto ilaçet”?-pyet një paciente 61-vjeçare mjekun e familjes, teksa në vijim do i duhet të përballet me sëmundjen kronike të hipertensionit (tensioni i lartë arterial). Mjeku pohon për ilaçet falas, por sa për efektshmërinë e tyre, dukshëm vë në dyshim. “Falas i merr, po pyet çunat mos i kanë mundësitë t’i marrin më cilësore në farmaci”-thotë ai, duke bërë edhe një përllogaritje të shpejtë- “diku tek 28-30 mijë lekë (të vjetra) në muaj të shkojnë”. Pa e dhënë shumë veten, pasi ju duken shumë, gruaja 61-vjeçare thotë se t’i marrë një herë falas dhe pastaj të shohë e bëjë. Ky dialog pacient-mjek u zhvillua në një qendër shëndetësore në rrethinat e Tiranës. Kjo është një përballje e zakonshme në qendrat shëndetësore në vend, por pavarësisht shtimit të listës së ilaçeve të rimbursuara, cilësia e tyre është në pikëpyetje serioze. “Pacientët kanë kufizime në listën e ilaçeve të rimbursueshme dhe zakonisht jepen altenativat më të lira të barnave, rrjedhimisht për një pjesë të tyre edhe cilësia, për pasojë edhe efektshmëria vihet në dyshim”-thotë për Faktoje.al, mjeku Ilir Allkja.
Deklarata për garanci dhe shëndetësi falas
Sigurimi i barnave cilësorë dhe inovatore ishte një ndër premtime Ministres së Shëndetësisë Albana Kociu, në fund të vitit 2024 në konferencën për “Rikonceptimi i Kujdesit Shëndetësor, vizioni për një Shqipëri më të shëndetshme”.
“Sot flasim si të zhvillohemi më shumë, si të forcojmë akoma më shumë partneritetin mes nesh, si të zhvillojmë një platformë komunikimi të hapur, aktive të bashkëpunimit të ndërsjellë me qëllim që t’u sigurojmë qytetarëve, medikamente cilësore, barna inovatore në trajtimin e sëmundjeve”, u shpreh ministrja.
Por cilësia e ilaceve, e veçanërisht ajo e atyre të rimbursueshme vijon të mbetet e diskutuar në Shqipëri.
Ilaçe plot, efektshmëri e ulët
Një qytetar tregon sesa herë mundet barnat i blen jashtë. “Dallimi qoftë në cmim, por edhe në cilësi është shumë i ndjeshëm. Kostoja është gati e njëjtë, por cilësia dhe efektshëmëria e barnave të blera në vendet e BE-së, është e ndjeshme dhe me shëndetin nuk bëhet shaka”- përfundon qytetari A.K për Faktoje.
“Ne kemi një listë të ilaçeve të rimbursueshme, kryesisht pensionistë por edhe pacientë që trajtohen me kemp janë pjesa kryesore që trajtohen, por efektshmëria e barnave nuk është e njëjtë me pjesën tjetër të medikamenteve të cilat nuk përfshihen në rimbursim”-pohon një farmacist në kushtet e anonimatit për Faktoje.al.
Zgjidhja që kanë bërë një pjesë është blerja e medikamenteve në farmaci, duke rritur kostot e shpenzimeve, sidomos për kategorinë e pensionistëve me të ardhura të pakëta financiare.
“Shpenzoj 63 mijë lekë në muaj, por jam më mirë, ilaçet i blej, ato tjerat (të rimbursueshmet) nuk më bënin shumë efekt”- thotë ajo, ndërsa thekson se “marr 120 mijë lekë (të vjetra) pension, por mi blen djali”.
Xhemile Sula
Pensionistja 67-vjeçare Xhemile Sula thotë për Faktoje.al se ka rreth një vit që vendosi të blejë ilaçet në farmaci, edhe pse për sëmundjen që ka (tension arterial dhe diabet) një pjesë i merrte me rimbursim.
“Shpenzoj 63 mijë lekë në muaj, por jam më mirë, ilaçet i blej, ato tjerat (të rimbursueshmet) nuk më bënin shumë efekt”-thotë ajo, ndërsa thekson se “marr 120 mijë lekë (të vjetra) pension, por mi blen djali”.
Rimbursim me ilaçe alternative
Nga 1366 lloje ilaçesh që rimbursohen plotësisht ose pjesërisht 47.2 % e tyre janë ilaçe alternative. Kjo nënkupton se rreth 53 % e ilaçeve rimbursohen sipas recetës së mjekut dhe pjesa tjetër në mungesë për shkak të çmimit të lartë, plotësohet me medikamente alternative për pacientët.
Duke e krahasuar me vitin 2013, ka një shtim të numrit të ilaçeve të rimbursueshme dhe shtrirje në kategori pacientësh. “Krahasuar me LBR (listën e barnave të rimbursueshme) 2013, dhe LBR në fuqi, janë më shumë në total: rreth 20.4% alternativa tregtare me rimbursim (janë 1.366 nga 1.135), rreth 56.9% principe aktive (janë 375, nga 239), rreth 47.2% alternativa të para (janë 627 nga 426)”-thuhet në qëndrimin zyrtar të FSDKSH-së për Faktoje.al. Të thjeshtuara, këto shifra nënkuptojnë se edhe në listën e ilaçeve të rimbursueshme aktualisht nga 1366 në total, 627 prej tyre janë ilaçe alternative. Sipas ekspertëve të shëndetësisë, kjo nënkupton se për një sëmundje të caktuar rekomandohet një ilaç bashkë me dozën përkatëse, në mungesë të tij, rimbursohen ilaçe alternative që ka përbërës të barit parësor, por jo në cilësinë dhe dozën e kërkuar dhe efektshmëria e tij ulet ndjeshëm.
Ikja e kompanive serioze farmaceutike
Deri në fundin e vitit 2014 disa kompani serioze në tregun farmaceutik, kryesisht të vendeve të BE-së, kishin vendosur në Shqipëri filialet e tyre ose distributorë. Pas vitit 2014, të gjithë u larguan sidomos pas ndryshimeve ligjore mbi përdorimin e barnave. Futja në treg e barnave që jo domosdoshmërisht duhet të tregtohen edhe në vendet e BE-së (që nënkupton cilësi dhe çmim më të lartë), apo dominimi i kompanive farmaceutike vendase bënë që të mbylleshin filialet e tyre, pasi nuk gjenin hapësirë në tregtinë e produkteve farmaceutike.
“Janë disa lloje ilaçesh të rimbursueshme pjesërisht ose të pjeshme që kanë cilësi. Kryesisht për sëmundjet tumorale dhe së fundmi edhe ato të diabetit”-thotë një mjek familje i cili kërkoi të prononcohej në kushtet e anonimatit. Specialistët e shëndetësisë cilësojnë si problematike për nga cilësia ilaçet e rimbursueshme që përdoren për tensionin arterial, disa sëmundje kronike që prekin zakonisht moshat e mëdha, por edhe medikamente që përdoren për pacientë të shëndetit të diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor dhe që përfitojnë edhe kemp.
Kostoja e ilaçeve të rimbursuara
Fondi i përcaktuar çdo vit për ilaçet e rimbursueshme mban një zë të rëndësishëm në shpenzimet për shëndetësinë. “Vlera e shpenzimeve të rimbursimit e realizuar në total për barnat gjatë vitit 2024, ishte rreth 11.8 miliardë lekë. Në zbatim të Ligjit 115/2024 “Për buxhetin e vitit 2025”, fondi i akorduar për rimbursimin e barnave të Listës së Barnave të Rimbursuara për vitin 2025 është 12.6 miliardë lekë”-thotë FSDKSH.
Kush dhe sa përfitojnë
Të dhënat e FSDKSH-së, të vëna në dispozicion për Faktoje.al, theksojnë se ndër kategoritë me peshën më të lartë në rimbursim për vitin 2024, janë; “Pensionistë pa afat”; “Persona me sëmundje kronike” dhe “Invalid i Plotë”, buxheti i rimbursimit të të cilave në raport me rimbursimin total vjetor (për të gjitha kategoritë) rezulton respektivisht: rreth 48.1%, rreth 32.6% dhe rreth 16%. “Bazuar në të dhënat e Drejtorisë së Informacionit dhe Analizës Statistikore për vitin 2024, rezulton se: Numri i pacientëve, të cilët kanë përfituar nga skema e rimbursimit për vitin 2024, janë në total 442.586 pacientë, nga të cilët 385.075 pacientë kanë përfituar barna të rimbursuara dhe 57.511 pacientë kanë përfituar pajisje mjekësore me rimbursim (fisha diabeti)”-thotë për Faktoje.al FSDKSH.
Premtim gjysmë i mbajtur
Krahasuar me vitin 2013 lista e ilaçeve të rimbursueshme plotësisht ose pjesërisht ka ardhur në rritje. Nga 1135 lloje medikamentesh në vitin 2013, lista është shtuar në 1366 për vitin 2025. Por, cilësia e barnave sikurse pranohet nga mjekë dhe farnacistë ka rënie pasi nuk është më kriter që këto medikamente duhet të tregtohen të paktën në dy nga vendet e BE-së. Ndaj premtimin për sigurimin e medikamente cilësore qytetarëve e kategorizojmë gjysmë i mbajtur.
Gjithashtu premtimi për shëndetësinë falas konsiderohet gjysmë i mbajtur. Kjo duket edhe nga një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ku në studimin e saj thekson se rreth 60 % e kostove të shëndetit shqiptarët i paguajnë nga xhepi dhe vetëm 40 % e shpenzimeve mbulohen nga shteti. Një pjesë e mirë e shpenzimeve shëndetësore lidhet me blerjen e ilaçeve edhe nga të sëmurë që përfshihen në kategorinë e pacientëve që përfitojnë rimbursim të plotë ose të pjesshëm, por për shkak të cilësisë së ulët të barnave të rimbursueshme detyrohen t’i blejnë në farmaci.
Diagnozat me numrin më të lartë të pacienteve janë:
-Hipertension arterial
-Diabet Mellitus
-Çrregullime të metabolizimit të yndyrnave
-Insuficencë kardiake
-Angor pectoral
-Astma bronkiale, SPOK.
Shpenzimeve kryesore të rimbursimit:
-Diabet Mellitus
-Hipertension esencial
-Tumori malinj i gjirit te femrat
-Insuficencë kardiake
-Çregullime të ritmit të zemrës
-Angor pectoral (sëmundje kardiovaskulare)
-Melanoma malinje
-Astma bronkiale
-Bllokim kronik
-Sëmundje të organeve hemopoetike -Leuçemia mieloide
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë
Pretendimi: Biden është ekzekutuar në 2020 dhe zëvendësuar me sozi
Verdikti: I pavërtetë
Barbara Halla
Në mediat sociale shqipfolëse po qarkullon teoria e konspiracionit se ish-Presidenti i SHBA-ve Joe Biden është vrarë në vitin 2020 dhe zëvendësuar me një klon, i cili ka marrë vendin e tij. Postimi përmban po ashtu lajme të rreme mbi prejardhjen e Biden, si dhe gjuhë antisemite.
Për fat të mirë bëhet fjalë për pretendime të pavërteta, të bazuara në teori konspiracioni që kanë lindur para disa vitesh në forume si QAnon. Nuk ka asnjë provë mjekësore apo shkencore pas tyre. Biden është gjallë dhe ka folur në muajt e fundit për problemet shëndetësore, duke përfshirë diagnozën me kancer të prostatës.
Postimi në Facebook nis me pretendimin se Biden është vrarë me date 17 janar 2020, dhe përdor si fakt një postim të bërë nga presidenti i tanishëm i SHBA, Donald Trump. Me datë 31 maj, në rrjetin social Truth Social, Trump shpërndau postimin e një përdoruesi ku pretendohej se Biden ka vdekur dhe është zëvendësuar nga një klon robotik. Truth Social, platforma e krijuar nga vetë Trump kur u përzu nga rrjetet e tjera për dizinformim, dhe një hapsirë që njihet si përhapëse e lajmeve të rreme. Trumpi vetë, siç e tregon edhe USA Today, ka shpërndarë shpesh teori konspiracioni.
Komentet e Trump vijnë pasi sekretarja e tij e shtypit, Karoline Leavitt, i bëri thirrje ish-zonjës së parë Jill Biden të fliste për problemet shëndetësore të burrit të saj. Biden u tërhoq nga gara presidenciale në 2024 pas kritikave të shumta mbi aftësitë e tija mendore. Pavarësisht këtyre problemeve, nuk ka asnjë provë se Biden ka vdekur.
Edhe pse është ndarë nga Trump në maj, kjo teori konspiracioni ka disa vite që qarkullon në rrjet dhe ka fillesat e saj nga forume të së djathtës ekstreme. Që në vitin 2023, kur Biden nisi fushatën zgjedhore për t’u rizgjedhur president i SHBA, në rrjetet sociale filluan të qarkullojnë teoritë e konspiracionit se ai kishtë vdekur, së bashku me Hilary dhe Bill Clinton.
Përtej pretendimeve për jetën, postimi në shqip pretendon po ashtu se Biden e përfaqëson veten si hebre dhe ka prejardhje nga Ukraina, diçka që Biden nuk e ka pretenduar kurrë. Në fakt, ai ka folur shpesh për faktin se është katolik. Po ashtu, Biden nuk ka prejardhje ukrainase, por irlandeze, siç e ka shprehur ai vetë, dhe siç e tregon dhe biografia e shkruar nga Jules Witcover në 2010. Stërgjyshërit e Joe Biden kanë rrënjët në Irland që prej të paktën shekullit të 19-të.
Në Facebook, shkruhet po ashtu se Biden “zotëron 32,000 km rrjet tunelesh nëntokësore për trafikimin e fëmijëve dhe njerëzve, organeve njerëzore, adrenokromit, drogës dhe armëve.” Kjo është tërësisht e pavërtetë. Nuk ka asnjë provë se Bideni ka prona në Ukrainë, e sidomos jo tunele ku trafikohen qënie njerëzore. Ndërsa Biden ishte president, pati disa teori sipas të cilave ai apo djali i ti Hunter Biden kishin prona apo interesa ekonomike në Ukrainë, por këto janë hedhur poshtë nga burime të besueshme për verifikimin e fakteve.