Normal view
Shira të rrëmbyeshëm në Korenë e Jugut, shkon në 17 numri i viktimave
Numri i viktimave nga shirat e rrëmbyeshëm që përfshinë Korenë e Jugut në ditët e fundit ka shkuar në 17, ndërkohë që 12 të tjerë janë ende të zhdukur.
Ministria e Brendshme e vendit tha se gati 4 mijë persona mbeten ende të evakuuar nga shtëpitë e tyre, për shkak të rrezikut që vazhdon, edhe pse shiu ndaloi në pjesën më të madhe të Koresë së Jugut të dielën dhe alarmet janë hequr.
Një person u vra të dielën pasi shtëpia e tij u shemb gjatë shirave të rrëmbyeshëm dhe një person tjetër u gjet i vdekur pasi u përfshi nga një përrua.
Ministria e vendit tha se tetë persona u gjetën të vdekur dhe gjashtë të tjerë u raportuan të zhdukur në qytetin jugor të Sancheong (Sançeong) gjatë ditës së shtunë, pasi shirat e shkaktuan rrëshqitje toke, shembje shtëpish dhe përmbytje të menjëhershme.
Më herët javën e kaluar, tre persona u gjetën të vdekur në një makinë të zhytur në ujë, dhe një person u vra kur makina e tij u mbulua nga dheu dhe betoni pasi një mur mbajtës i një mbikalimi u shemb.
Vdes 102-vjeçari i njohur si “Papa Jake”, ylli veteran i “TikTok”
SHBA- Ka ndërruar jetë në moshën 102 vjeçare Jake Larson, i njohur si “Papa Jake”, një veteran i Luftës së Dytë Botërore dhe më tej edhe një “yll” i “TikTok”.
“Papa Jake”, i lindur në Minesota, ndihmoi në planifikimin e zbarkimit në Normandi dhe stuhisë në plazhin Omaha në Normandi.
Ai fillimisht u rekrutua në Gardën Kombëtare në vitin 1938, por njësia e tij u transferua në shërbim federal pas sulmit në Pearl Harbor në vitin 1941.
Janarin pasardhës, ai u vendos në Irlandën e Veriut. Ai u ngrit në gradën e rreshterit të operacioneve dhe mori pjesë në planifikimin e pushtimit të Normandisë, duke marrë pjesë përfundimisht në zbarkim. Më pas ai luftoi në Betejën e Bulge.
Vitet e fundit, ai ishte rikthyer në Normandi për përvjetorët e Ditës-D. Në vitin 2021, ai shkroi një autobiografi të titulluar “Njeriu më me fat që është gjallë”; Histori nga jeta e Papa Jake”.
/abcnews.al/
Trump: Kemi rigjallëruar SHBA-në, tani jemi më të respektuarit
“Sot shënohet përvjetori gjashtëmujor i mandatit tim të dytë, i konsideruar si një nga periudhat më domethënëse të çdo presidenti, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump.
“Me fjalë të tjera, ne kemi arritur shumë gjëra të mëdha, duke përfshirë përfundimin e disa luftërave në vende që nuk janë të lidhura me ne. Gjashtë muaj nuk është një kohë e gjatë për të rigjallëruar një vend të madh. Një vit më parë, ne ishim të vdekur, pothuajse pa asnjë shpresë për rigjallërim. Tani, ne jemi vendi më i respektuar në botë”, shtoi ai.
Në një postim të publikuar në platformën Truth Social, Trump deklaroi: “Shifrat e mia në sondazhe brenda Partisë Republikane dhe brenda lëvizjes MAGA janë rritur ndjeshëm që kur u zbulua mashtrimi me çështjen e Jeffrey Epstein.”
Aksident i trefishtë në rrugën Prishtinë-Pejë, të paktën 9 të lënduar
Kosovë- Të paktën nëntë persona janë lënduar pas një aksidenti të regjistruar në aksin Prishtinë-Pejë.
Sipas mediave në Kosovë, një prej të lënduar është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në aksident raportohet se janë përfshirë tri automjete. Ndërkohë zëdhënësi i policisë në Pejë, Fadil Gashi tha se është ndërhyrë menjëherë nga autoritetet pas aksidentit. Gjithashtu si pasojë e përplasjes së tri automjeteve, pati vështirësi në qarkullim në këtë segment rrugor.
/abcnews.al/
GPS me Albana Ruçin, (20/07/2025)
-
- Nderohet shitësi i fundit i gazetave/ Ali Akbar shpërblehet për gjysmëshekulli punë në rrugët e Parisit
Nderohet shitësi i fundit i gazetave/ Ali Akbar shpërblehet për gjysmëshekulli punë në rrugët e Parisit
Mes kafeneve dhe butikëve elegantë në lagjen Saint German des Pres të Parisit, jehon zëri i një burri që endet nëpër rrugët me kalldrëm me gazeta në duar.
Ali Akbar nga Pakistani, pa e hequr buzëqeshjen nga fytyra, ka shitur gazeta për gjysmë shekulli. Për të tërhequr njerëzit dhe për të shtuar pak efekt dramatik, ndonjëherë ai sajon histori që shumë do donin t’i dëgjonin: Kaq ishte! Lufta mbaroi, Putini kërkoi falje!” ishte një deklaratë e kohëve të fundit që shkaktoi të qeshura në zonë.
Akbar ushtron një tregti në zhdukje të një malli në pakësim. Ai konsiderohet të jetë shitësi i fundit i gazetave në Francë.
Përmes këmbënguljes dhe humorit të mirë, ai është bërë “pjesë e strukturës kulturore të Parisit”. Fama e Akbar është aq e madhe në Francë, saqë së fundmi presidenti Emmanuel Macron i dha titullin e “Legjionit të Nderit”, të cilin do e marrë në dorëzim në një ceremoni në Pallatin Élysée në vjeshtë.
Akbar shpreson që ky titull t’i japë pasaportën franceze. Ai ka një leje qëndrimi, por aplikimi i tij për shtetësi franceze është i bllokuar në burokracitë e lodhshme.
Në moshën 72-vjeçare, Akbar ka një energji për t’u marrë shembull, ai bën disa kilometra në ditë duke shitur gazetat më të njohura franceze.
I lindur në vitin 1953 në një familje me 10 fëmijë, dy prej të cilëve vdiqën të rinj, Akbar u rrit në Rawalpindi në Pakistan mes varfërisë së madhe. Ai e la shkollën kur ishte 12 vjeç, duke bërë punë të ndryshme dhe pavarësisht vështirësive, ia doli që të mësonte vet të lexonte.
/abcnews.al/
Edicioni Qendror me Fabiola Hoxha, (20/07/2025)
VIDEO/ Zjarri përfshin malin e Moravës, dyshohet i qëllimshëm
Korçë- Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe toke në malin e Moravës, pjesë e fshatit të Dishnicës.
Flakët fillimisht kanë përfshirë një sipërfaqe me shkurre, por në afërsi ndodhet pylli dhe ka depërtuar edhe brenda tij.
Sipas informacioneve, zjarri mendohet të jetë i qëllimshëm, ndërsa policia ka shoqëruar një person në komisariat.
Personi i shoqëruar dyshohet se e ka rast të përsëritur zjarrvënien, ndërsa dyshohet se mund të jetë me probleme të shëndetit mendor.
/abcnews.al/
-
- VIDEO/ Zjarri në Shkopet ende aktiv, ndërhyhet me helikopter, ekipe zjarrfikëse dhe forca të ushtrisë në terren
VIDEO/ Zjarri në Shkopet ende aktiv, ndërhyhet me helikopter, ekipe zjarrfikëse dhe forca të ushtrisë në terren
Zjarri që ka përfshirë sipërfaqe kodrinore në fshatin Shkopet vijon të mbetet problematik. Kreu i njësisë së zjarrfikësve të Kurbinit Paulin Lleshi, tha se është ndërhyrë me helikopterin e Forcave të Ushtrisë për neutralizimin e flakëve.
Ndërkohë edhe gjatë ditës, forca të ushtrisë dhe ekipe zjarrfikëse kanë ndërhyrë në terren por ende nuk është arritur të shuhen flakët.
VIDEO/ Ish-polici u plagos, ngjarja në Sarandë, policia: 56-vjeçari u godit me tytën e pistoletës
Sarandë-Policia e Sarandës ka dhënë detaje lidhur me të shtënat e raportuara më herët në lagjen nr4 të qytetit. Sipas policisë, rreth orës 19:10 ka ndodhur një konflikt në këtë zonë dhe dyshohet se 56-vjeçari Adil Veli është goditur me tytën e një pistolete. 56-vjeçari është transportuar në spital ku edhe po merr trajtim mjekësor.
Ndërkohë policia më tej sqaron se nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, dyshohet se gjatë momentit të goditjes me tytën e armës, arma është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme në ajër, pa shkaktuar pasoja.
Si provë materiale, në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë arme zjarri.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të saj.
(ish-polici i plagosur, Adil Veli)
/abcnews.al/
Arma e prishur e një vrasësi/ Skerdi Tase, rrëfimet e të penduarit të tretë
Kreshnik Ajazi, kryeprokuror i Elbasanit, 30 mars 2022
“Prandaj e thashë që kërkoj mirëkuptimin tuaj, sepse jemi në fazat e para të veprimeve hetimore. Është e vërtetë që shtetasi Nuredin Dumani, është person në hetim, ka qenë person në kërkim, sot i kapur, në lidhje me procedimin penal për vrasjen e shtetasit Bujar Çela. Natyrisht edhe për procedime të tjera jemi duke zhvilluar hetimet. Është shumë shpejt. Është vetëm momenti i parë, sepse ky arrestim besoj i ka dhënë impulse disa ngjarjeve…”
Pa kaluar as dy muaj nga kjo deklaratë e kryeprokurorit të Elbasanit, Kreshnik Ajazi, pak momente pas arrestimit të Nuredin Dumanit, më 29 mars të vitit 2022, rezultoi pikërisht ashtu siç ai tha.
Pra arrestimi i Nuredin Dumanit, që deri në atë moment po kërkohej për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, hapi një kapitull të ri, jo vetëm për drejtësinë, por edhe për vetë krimin.
Prokurorisë iu deshën disa ditë që ta bindë të kthehet në të penduar dhe që nga ai moment, gjithçka mori një rrjedhë tjetër. Akuza kishte tashmë në dorë një bashkëpunëtor të çmuar.
Aq sa, 50 ditë pas arrestimit të Nuredin Dumanit, më 19 maj 2022, një operacion që u shtri në të gjithë vendin, i cili u kodua “Golden bullet”, pra “Plumbi i Artë”, u finalizua duke çmontuar bazat e disa grupeve kriminale. Pati dhjetëra arrestime e shumë të tjetër u arrestuan në ditët në vijim. Sigurisht, disa personazhe të rëndësishëm që prodhoi dëshmia e Nuredin Dumanit, e ndërthurur edhe me prova të tjera, vazhdojnë të jenë edhe sot në kërkim.
Por pa diskutim, Nuredin Dumani, sot është një nga të penduarit më të rëndësishëm që ka pasur ndonjëherë drejtësia shqiptare. Një njeri që ka kryer vrasje për llogari të krimit të organizuar. Që ka ekspozuar disa nga njerëzit më të rëndësishëm të krimit, me të cilët ka komunikuar vetë, apo nëpërmjet të tjerëve. Një njeri që edhe sot, në dosjet më të fundit të SPAK, emri i tij del i lidhur edhe më grupe të tjera kriminale nga më të rrezikshmet, jo vetëm në Shqipëri. Një njeri që zbuloi skutat më të errëta të krimit dhe lidhjet e tij me Policinë e sistemin e drejtësisë.
Procesi i “Plumbit të artë”, që tashmë po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme, ka mbledhur në një sallë 3 të penduar e 15 të pandehur. Pa dyshim që është një nga ato procese që ndodh një herë në shumë vite. Nuk ndodh shpesh, që në një sallë të vogël gjyqi, të ketë aq shumë vrasës dhe të penduar njëkohësisht.
Nuredin Dumani ishte i aftë të bënte gjithçka, sidomos të vriste.
Madje këtë ai e kishte kthyer në biznes. Një biznes gjaku, nga i cili për vite me radhë përfitoi miliona. Ai mund të konsiderohet tashmë si vrasësi serial i dekadës së fundit. Jo pa qëllim policia e kodoi me emrin “Plumbi i artë”, operacionin e vitit 2022. Dumani ishte nisur për të kryer një vrasje në Elbasan, kur ra pre e një atentati ku mbeti edhe i plagosur. Pas arrestimit të tij dhe bashkëpunimit me prokurorinë, SPAK lëshoi 32 urdhra arresti ku u vunë në pranga 20 persona dhe u shpallën në kërkim 12 të tjerë. Mes personave të shpallur në kërkim janë edhe emra të njohur si, Ervis Martinaj, Talo Çela e Suel Çela.
Dosja ndaj 20 personave të marrë të pandehur pas dëshmisë së Nuredin Dumanit më 29 janar 2024 kaloi për gjykim. Kjo është çështja më voluminoze në Prokurorinë e Posaçme pasi pjesë e saj janë disa procedime penale, për 18 ngjarje kriminale mes të cilave vrasje , grabitje me armë, vendosje tritoli, trafik të lëndëve narkotike deri tek dhuna në familje.
Vrasje të kryera gjatë një dekade, të mbetura pa autor, u zbardhën nga vetë vrasësi me pagesë që u kthye në të penduar. Krimet që me gjasë mund të mos zbardheshin edhe për dekada të tjera, tashmë kanë emra porositësish, organizatorësh dhe vrasësish që kanë nisur të gjykohen. Ishte vetë killeri Nuredin Dumani, i arrestuar në Fier marsin e vitit 2022, ai që, ndoshta i detyruar nga rrethanat zgjodhi të tregojë gjithçka.
Emri i Nuredin Dumanit doli në skenë më 9 tetor të vitit 2020, kohë kur u shpall në kërkim për vrasje. Policia njoftonte në atë kohë se, strukturat hetimore të Policisë së Elbasanit, nën drejtimin e Prokurorisë, 20 ditë pas vrasjes së Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela, kishin identifikuar autorin. Bëhej fjalë për Nuredin Dumanin, në atë kohë 37 vjeç, lindur në Dibër e banues në Durrës, ndaj të cilit ishte vendosur masa e sigurisë “arrest me burg”, në mungesë, me akuzën e “vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim.
Arratia e tij mori fund në mars të vitit 2022, kur teksa po tentonte të kryente një tjetër vrasje, mbeti vetë i plagosur. Tani, më shumë se dy vite pas arrestimit, Gjykata e Posaçme ka nisur procesin për Nuredin Dumanin dhe personat e tjerë që u prangosën gjatë operacionit “Plumbi i Artë”.
Përveç Nuredin Dumanit, pjesë e dosjes janë disa bashkëpunëtorë të drejtësisë, mes të cilëve edhe Skerdi Tase. Në muajin gusht 2023, pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe u kthye në të penduar, edhe Erjon Alibej, që ishte në rolin e porositësit. Më herët kanë bashkëpunuar me SPAK edhe Henrik Hoxhaj e Klevis Alla, por disa dëshmi të tyre kanë rezultuar të pasakta dhe për këtë arsye kanë humbur statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
RRËFIMET E TË PENDUARVE
Pasi bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, përfundoi dëshminë e tij gjatë disa seancave të procesit “Plumbi i artë”, më 29 maj 2025 ishte radha e një tjetër të penduari. Erion Alibejt.
Rrëfimi i tij në sallën e gjyqit ishin një dëshmi, që shpjegonte jo vetëm si bëhej trafiku i drogës, si bëheshin vrasjet e si kontraktoheshin killerat por edhe se si bliheshin oficerët e Policisë.
Një roman i tërë kriminal, me histori gangsterësh, trafikantësh kokaine, killerash me pagesë, policë e shefa Policie që i shërbenin krimit, duke u vënë në dispozicion edhe sistemin TIMS e duke komunikuar në SKY.
Ndërsa tani radhën e ka i penduari i tretë i të njëjtës dosje, Skerdi Tase. Më 15 korrik 2025 ai nisi rrëfimin e tij në Gjykatën e Posaçme, duke treguar krime, për të cilat kishin dëshmuar edhe Dumani, edhe Alibej. Por edhe ngjarje që u anashkaluan nga Henrik Hoxhaj, një tjetër personazh që u kthye në të penduar, por me pas e humbi statusin, ndoshta pikërisht për ato krime që sot po flet Skerdi Tase.
Që në nisje të dëshmisë së tij, Tase u pyet nga prokurori i SPAK Behar Dibra për atentatin e vitin 2017 ndaj tregtarit të naftës Aredin Behari.
Skerdi Tase
Me Henkrik Hoxhën jam njohur nga një shok i përbashkët. Ky shtetas, Viron Tavanxhiu, na foli për një atentat që do i bëhej një personi në Fier. Henriku kishte siguruar një makinë, armët dhe ishin vëne në ndjekje këtij personi. Ditën e ekzekutimit Henriku më tha se porositësi e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë: “Pse po e vononi atë pune…”. I shkuam në lokal për ta qëlluar por u fut poshtë tavolinës e më pas brenda në lokal. Nuk u futa më tej se isha pa doreza.
Viron Tavanxhiu, personi që Skerdi Tase e përmend në dëshminë e tij si porositës të vrasjes, rezulton një personazh me të shkuar të hershme kriminale. Ai u arrestua më 10 tetor të vitit 2020 në Fier, pasi ishte në kërkim për vrasje nga drejtësia Italiane. Tavanxhiu, i njohur me pseudonimin “Kabuçi”, dyshohej për vrasjen e një shtetasi tunizian dhe plagosjen e një shqiptari, më 1 shtator të vitit 2001, në Milano. Pak më shumë se 19 vjet pas asaj ngjarjeje, të cilën hetimet dhe gjyqet e kanë lidhur me një armiqësi midis grupeve kriminale shqiptare për kontrollin e prostitucionit, Tavanxhiu u arrestua në qytetin e tij të lindjes, Fier, si pjesë e një operacioni midis Romës dhe Tiranës. Ai ishte dënuar me 22 vjet burg në shkallën e parë. Vendimi u la në fuqi në Apel dhe u bë i formës së prerë nga Gjykata e Lartë e Kasacionit më 12 nëntor 2008. Tavanxhiu u gjykua gjithashtu për të njëjtin krim nga Gjykata e Fierit, e cila e liroi atë me një vendim të formës së prerë më 6 mars 2006, dy muaj para se të shpallej fajtor në Milano. Për këtë arsye, avokatët e tij kërkuan anulimin e vendimit italian, duke përmendur faktin se një person nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtin krim. Megjithatë, gjykatat në Itali në vitin 2019 e hodhën poshtë kërkesën.
Në rrëfimin e tij, Skerdi Tase tregon se Viron Tavanxhi e ka kontaktuar edhe për një tjetër vrasje në Fier. Atë të Agim Boriçit, që sipas tij e kërkonte edhe Renato Saliu, apo i njohur ndryshe si Renato Çami. Këtë, Tase shpjegon se e ka dëgjuar nga Henrik Hoxhaj.
Skerdi Tase
Vironi më ka kontaktuar edhe për të bërë vrasjen e Agim Boriçit po në qytetin e Fierit. Mora vesh se Henriku kishte marrë porosi edhe nga një person tjetër, Renato Çami, për Gim Boriçin, që kemi ndenjur 8 muaj duke e ruajtur. U realizuan veprimet në vitin 2018. Me Henrikun takoheshim përditë për të bërë planet. Riku më tha se kishte marrë dhe një punë tjetër për Aredin Beharin. Qëllova një breshëri tek Aredin Behari, mendova se e kapën fishekët, pastaj u largova. Më priste Riku 100 metra më larg. Unë mendova se e kisha vrarë. Kaluam mbi lumin Gjanica, aty ku hodhëm dhe armën “Scorpion”. Debatuam me Henrikun pse nuk u krye vrasja. Më tha: “Pse e more përsipër kur s’e bëje dot?” Aredini kishte thënë emrin e porositësit në Polici.
Agim Boriçi, është po ashtu një personazh i njohur nga drejtësia Shqiptare, dikur i akuzuar për 3 vrasje. Më 3 prill të vitit 2008, ai u arrestua gjatë operacionit të koduar “Ulpjana”, nga forcat speciale RENEA, në bashkëpunim me Policinë e Tiranës dhe të Fierit. Boriçi, në atë kohë 36 vjeç, ishte person i shpallur në kërkim, pasi ishte dënuar me vendim të formës së prerë me 20 vjet burgim, për vrasjen e Ervin Gjinit, ngjarje e ndodhur më 12 prill 1994, vrasjen e Edmond Zefit më 5 qershor 1998 dhe vrasjen e mbetur në tentativë të Agim Ulajt në të njëjtën ditë.
Për këto ngjarje Agim Boriçi në vitin 2001 është deklaruar i pafajshëm nga Gjykata e Fierit. Më pas, në janar të vitit 2008 është dënuar me 20 vjet burg nga gjykata e Apelit në Vlorë. Në zbatim të këtij vendimi edhe u arrestua më 3 prill të vitit 2008. Por më 8 korrik të vitit 2009, ai mori pafajësinë, me një vendim të Gjykatës së Lartë.
Sipas dëshmisë së Skerdi Tasit, veç interesit të Renato Saliut, Agim Boriçi, kërkohej të vritej edhe nga Albert Pashaj.
Skerdi Tase
Kam punuar edhe teknik në një televizion në Fier për 1 vit. Shokët që kisha, ishin banakierë e kamarierë. Mes tyre ishte edhe Armando Mita. Kam pasur shokë fëmijërie që jam rritur. Pas atentatit ndaj Abedinit, bëmë debate me Henrikun, se personi që e kishte porositur ishte thirrur në Polici. Henriku më thoshte: “Ç’punë ka ai kur ne s’e kryem dot?”. Quhej Albert Pashaj. Me sa menduam më vonë, se në atë kohë s’e dija. Henriku ishte pyetur për këtë gjë. Personi që iu bë atentati kishte treguar se ku dyshonte. Me Henrikun pothuajse takohesha përditë. Deri në ato momente nuk dija asgjë për Henrikun. Vironi më kishte treguar që merret me atentate. Vironi në atë kohë ishte në kërkim për një vrasje në Itali. Dija që merrej me prostitucion e me drogë. Vironi edhe pse ishte në kërkim nga Interpoli, nuk ruhej aq shumë sepse kishte njohjet e veta në Policinë e Shtetit, të cilat e njoftonin. Te lokali i Gent Xhaferrit takoheshim me Vironin. Vironi kërkonte të më takonte. Deri në vitin 2016 ndodhesha në Itali. Ishte koha e hashashit dhe më kërkon Vironi. Kam qëndruar diku te 3-4 muaj në Itali. Nuk pata bërë punë atje. Kam qenë tek një shok. Vironi kërkonte kontakt te shtëpia ime. Vajta për të bërë letrat por s’i bëra dot. U ktheva se Vironi kishte shkuar te shtëpia ime dhe më kishte kërkuar ta ndihmoja për një punë. Kur u ktheva, më tha më ndihmo se kishte mbjellë kanabis.
Gjatë rrëfimit të tij, Skerdi Tase ka treguar edhe për takimet që bënte me Henrik Hoxhajn. Madje edhe që ka qëlluar me armë në ajër disa herë në prezencë të tij. Ndërsa shpjegon se këtë e bënte pasi donte që ta shihte edhe atë duke qëlluar, për ta vënë në provë nëse ishte në gjendje të kryente vrasje.
Skerdi Tase
Henrik Hoxha qëndronte gjithmonë i armatosur. Pinim alkool me të, takoheshim shpesh. Disa herë mund të hapte dhe xhamin e makinës dhe qëllonte në ajër. E kam parë duke qëlluar. Unë nuk mbaj mend të qëlloja ndonjëherë në prezencë të tij. Henriku donte të më vinte në provë nëse jam i aftë të kryej vrasje para se të shkonim tek Agim Boriçi. Kishim rënë dakord që edhe Henriku, nëse do duhej, do ishte gati për të vrarë Aredin Beharin, edhe nëse do qëllonim nga makina në makinë.
Skerdi Tase tregon një nga episodet e vrasjes së Agim Boriçit, kur ai ishte në lokal duke pirë kafe bashkë me të vëllain, por pasi ka filluar të qëllojë i ka ngecur arma. Për këtë arsye, ishte Henrik Hoxhaj ai që qëlloi me pistoletë derisa i mbaruan fishekët. Megjithatë objektivi nuk u godit nga asnjë plumb.
Skerdi Tase
Gim Boriçin shkuam ta qëllonim tek spitali por nuk e gjetëm, ishte larguar. Në makinën e punës, “Reno Clio” kishim edhe armët. Ishim të pajisur dhe me maska si këto që përdor Policia. Pastaj shkuam tek shtëpia e tij. E pamë duke pirë kafe me vëllain. Tha Henriku: “Bëhu gati se qenkan të dy…” Ndaluam para lokalit. Fillova të qëlloj por më ngeci kallashi. Henriku gjuajti me një pistoletë derisa i mbaruan fishekët. Ata nuk i kapi asnjë fishek.
Bashkëpunëtori i drejtësisë tregon se për vrasjen e Aredin Beharit do të merrnin 80 mijë euro, pasi kishin marrë fillimisht një kapar për armën. Por edhe në këtë ngjarje, që ka ndodhur në prill të vitit 2019, sërish i ka ngecur arma, kësaj here Henrik Hoxhajt dhe vrasja nuk është realizuar.
Skerdi Tase
Në vitin 2019 më kontaktoi serish Henriku që kishte marrë një tjetër punë, po për Aredin Beharin. I kishte marrë një kapar prej 4 mije eurosh për armët. Në total do të merrnim 80 mije euro. Pak a shumë ai bënte të njëjtat lëvizje që kishin qenë tek atentati i parë. Në muajin prill të vitit 2019, nga ora 9-10 e darkës, sa doli nga lokali e po shkonte për tek shtëpia, ishte në këmbë. Iu afruam me makinë. Kur Riku qëlloi, pas 3-4 plumbash Kallashi i ngeci. Henriku sërish më bëri fajtor mua: “Ku e gjete këtë Kallash që ngec kështu…” E dogjëm prapë makinën, bashkë me Kallashin dhe u larguam.
Skerdi Tase tregon se pasi dështoi atentati i dytë, ai është larguar dhe ka qëndruar disa muaj në Gjermani. Me Henrik Hoxhajn shpjegon se është takuar në vitin 2020, pasi ai kishte nisur kontaktet me Nuredin Dumanin. Pas këtij takim, Tase rrëfen se kanë nisur të diskutonin për vrasjen e vëllait të Talo Çelës.
Skerdi Tase
Pas atentatit të dytë ndaj Aredin Beharit, ika disa muaj në Gjermani. Me Henrikun u takova në vitin 2020 kur ky ishte vënë në kontakt dhe me Nuredin Dumanin. Henriku më tha: “I ke parë 4 vrasjet në Durrës? Kam marrë pjesë dhe unë. Pse ike, do kishe marrë ndonjë lekë?” Henriku ishte në merak se mund t’i dilte gjë për vrasjet, sidomos tek vëllezërit Haxhia, pasi mund t’i dilte gjurma e gjakut që kishte lënë në makinë. Më pas mora vesh që “kusho”, që Henriku i referohej, ishte Nuredin Dumani. Fillimisht mu ofrua të merrja pjesë në vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çelës. Morëm 5 mijë euro kapar, diku në një fshat të Peqinit. Na treguan makinën që lëvizte Bujar Çela, por ne nuk donim ta vrisnim, edhe kur e shikonim e anashkalonim. Nuredini e kuptoi pastaj.
Gjatë rrëfimit të tij, Erion Alibej në një formë hedh dyshimet e tij se mund të jetë shitur edhe nga vetë autoritetet shtetërore, të cilëve tregon se herë pas here u ka dhënë informacione për vendndodhjen e Talo Çelës, që në atë kohë ishte një nga personat më të kërkuar nga Policia. E megjithatë ai thotë që jo vetëm nuk u veprua për kapjen e tij, por gjithçka po i kthehej kundër. Nisën të vriteshin njerëzit e tij, madje edhe djali i dajës, Andi Zylyfi. Kjo ishte arsyeja pse Alibej, ndonëse ishte person në kërkim, u investua të siguria e tij, i bindur tashmë që do ishte radha e tij për t’u vrarë. Shpjegon se Suel Çela kontrollonte kamerat e gjithë qytetit, ndërsa vetë ai kishte akses në disa prej tyre. Por nga ana tjetër, lëvizte me motor si shpërndarës picash për të verifikuar terrenin, por edhe informacionet që i vinin, disa prej të cilave e çuan tek Emiljano Ramazani. Dhe sërish, edhe pse nuk kishte më besim tek drejtësia, edhe informacionet në lidhje me Emiljano Ramazanit, ai ia çoi Policisë dhe Prokurorisë.
Planet për vrasje vazhduan. Në listë ishte vëllai i Talo Çelës, Bujar Çela, Regis Runaj dhe Emiljano Ramazani. Ndërsa si informator shërbente Eljo Bitri dhe Xhulian Hoxha. Erion Alibej tregon se si u thur plani dhe çfarë synohej me eliminimin e tyre.
Në rrëfimin e tij, Erion Alibej shpjegon të gjitha detajet e ngjarjeve. Kush ka marrë pjesë, mjetet dhe armët e përdorura, sa para janë paguar dhe si janë dorëzuar paratë. Ndërkohë shpjegon edhe planin se si pas vrasjes së Emiljano Ramazanit, armën e krimit kishin vendosur ta linin tek shtëpia e Bujar Çelës, në mënyrë që grupet të përplaseshin me njëri-tjetrin.
Vrasja e Emiljano Ramazanit, është një tjetër ngjarje që në fakt është rrëfyer edhe nga Nuredin Dumani edhe nga Erion Alibej.
Më datë 20 Korrik 2020, rreth orës 16:00, në lagjen “28 Nëntori”, në Elbasan, në oborrin e një pallati u gjet i vrarë me armë zjarri Emiljano Ramazani. Ai ishte qëlluar për vdekje brenda makinës “Ford Focus”. Rreth orës 16:44 të po kësaj dite, në fshatin Vidhas, të Elbasanit, u gjet tërësisht i djegur automjeti “Volksëagen Passat”, ngjyrë blu dhe brenda tij janë gjetur 2 armë zjarri automatike pa fishekë.
SPAK, pasi ka kryer veprimet hetimore të çmuara të nevojshme ka dërguar për gjykim të pandehurit Erion Alibej, Euglen Halili dhe Xhuliano Hoxha, ndërsa ka vijuar hetimet në lidhje me zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.
Në kuadër të procedimit është administruar deklarimi i Henrik Hoxhajt, i cili jep detaje shumë të rëndësishme në lidhje me porositësin, ekzekutorin si dhe rolin e tij në kryerjen e këtij krimi. Hoxhaj deklaron se ai ka qenë në rolin e ndihmësit në kryerjen e këtij krimi, pasi drejtonte makinën që u gjet e djegur. Ndërsa identifikon ekzekutorin, që sipas tij është Skerdi Tasi, personi i cili afrohet tek automjeti dhe qëllon me armë zjarri Emiljano Ramazanin. Gjithashtu Henrik Hoxhaj shpjegon se këtë vrasje e ka bërë me pagesë pasi këtë ia ka kërkuar i dyshuari tjetër në krim, Nuredin Dumani.
Nga ana tjetër, për ngjarjen ka dhënë shpjegime edhe Nuredin Dumani, i cili ka shpjeguar se porosinë për vrasjen e Emiljano Ramazanit e kishte marrë nga Erion Alibej dhe Arjan Spahiu.
Edhe deklarimet e fundit që dha në seancë Skerdi Tase, përkojnë me dëshmitë e personave të tjerë, pjesë e dosjes “Plumbi i artë”.
Skerdi Tase
Pastaj vendosëm të merrnim pjesë tek vrasja e Emiljano Ramazanit, pasi për Bujar Çelën, teksa po e ruanim një herë na u identifikua makina “Passat”, që do përdornim. Nuredini e dëgjoi në radion e Policisë që u dha si targë e dyshimtë. Për Emiljano Ramazanin jepeshin 130 mijë euro. Këtë kohë shkonim përditë në Elbasan. Përdornim makina me qira. Makinën e atentatit e kishte siguruar Erion Alibej me Nuredin Dumanin. Kishim 4 armë, 2 Kallashë dhe 2 pistoleta. Ditën e ngjarjes jemi nisur herët për në Elbasan. Na vinin info nga Nuredini, është në palestër, është këtu, është atje. Në palestër s’na u duk e përshtatshme për ta vrarë dhe e lamë kur të vinte tek shtëpia. E pritëm tek pallati, sapo ai parkoi. Zbrita nga makina. Henriku ishte shofer. Iu afrova dhe e qëllova disa herë në kokë dhe në qafë me pistoletë. Dogjëm makinën dhe u larguam me makinën me qira, që kishim ardhur nga Tirana. I ramë nga Rrogozhina. Armën e krimit e lamë në një vend rrugës, që e dinte Nuredini, pasi do vendosej diku për të akuzuar një person tjetër. Kam marrë 23 mijë euro për vrasjen, edhe pse sipas muhabeteve na binte nga 60 mijë. Lekët i ka sjellë një grua. Klara quhej. Henriku më tha emrin e saj.
Rreth orës 4:20, të mëngjesit, ndodh një shpërthim në banesën dy katëshe të Talo Çelës, në fshatin Katund i Ri të Bradasheshit. Lidhur me këtë çështje është administruar deklarimi i Nuredin Dumani dhënë për organin e akuzës më datë 15 prill 2022, i cili sqaron se:
Nuredin Dumani: Këtë ngjarje e kam organizuar unë për llogari të Arjan Spahisë. Fillimisht kam siguruar një sasi lënde plasëse prej rreth 5 kg. Lëndën plasëse e kam marrë të përgatitur me sa mbaj mend tek kushëriri i Elio Bitrit. Pasi sigurova lëndën plasëse kam biseduar me Henrik Hoxhajn, të cilit i kam ofruar 15 mijë euro që të bënte vendosjen e eksplozivit. Riku pranoi dhe di që e ka kryer vendosjen e eksplozivit së bashku me nipçen.
Dumani ka shpjeguar se për ngjarjen ishin paguar 20 mijë euro nga Arjan Spahia. Në kohën që është vendosur eksplozivi ai ka qenë në Kosovë, por bisedonte me Henrik Hoxhajt përmes aplikacionit SKY. Nga deklarimi i Dumanit, duket se qëllimi i tyre ka qenë më serioz, pa çka se ndodhi vetëm një dëmtim i shtëpisë.
Nuredin Dumani: Faktikisht nga shpërthimi nuk u shemb e gjithë shtëpia. Riku me ka thënë se e kishte ngjitur eksplozivin në dy kolona të banesës së Talo Çelës. Riku më ka thënë se paratë i ka marrë nga i njëjti person që i kishte marrë edhe në rastin e vrasjes së Emiljano Ramazanit. Unë u nxeha me Rikun duke i kërkuar llogari se përse nuk e kishte kryer punën tamam dhe ai e pranoi gabimin.
Këtë ngjarje e ka rrëfyer në Gjykatë edhe Skerdi Tase.
Skerdi Tase
Takohesha çdo ditë me Rikun. Morëm porosi nga Nuredini për të bërë atentatin me tritol në shtëpinë e Talo Çelës. Kishim shokë në Shëngjin dhe kur po ktheheshim nga andej do takonim në Fushë – Krujë një person, që quhej Besian Xhixha. Morëm 2 copa të mëdha me tritol tek rrethrrotullimi i Rinasit.
Ndërhyn i pandehuri Besian Xhixha: A më ka takuar mua?
Skerdi Tase: Jo, iu ka takuar Henrik Hoxha. Unë iu pashë nga makina në distancë.
Skerdi Tase
Morëm përsipër të vendosnim tritolin tek shtëpia e Talo Çelës. E solli Besian Xhixha nga Fushe – Kruja, 2 kg ndoshta, se ishte i ndarë në disa copa. Pas vrasjes se Emiljano Ramazanit mora telefon SKY. S’e mbaj mend pinin që kam pasur. Për tek shtëpia Talos na orientoi një person që i thërrasin “çami”, që na tregoi rrugën. I vura tek kolonat e katit të parë. Ideja ishte që duhej shembur shtëpia e Talo Çelës, por nuk ndodhi, pasi 2 kallëpet nuk plasën njëkohësisht. Ne e dinim nga Nuredini që në shtëpi nuk banonte njeri. Unë mora 3 mijë euro, pasi puna nuk u bë siç duhet.
Më 18 janar të vitit 2022, në orën 9:40 të mëngjesit, pranë Liqenit Artificial të Tiranës, një person ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit “Mercedes Benz ML”, që drejtohej nga Lulzim Masha, i cili ka mbetur i plagosur.
Edhe rrethanat e kësaj ngjarje janë sqaruar nga Nuredin Dumani, po ashtu edhe nga Skerdi Tase. Dumani pretendon se porosinë e kishte marrë nga Suel Çela. Ai ka deklaruar se porosia ishte që për të vrarë administratorin e shkollës private, Lulzim Masha, por ngjarje mbeti në tentativë. Në dëshminë e tij Dumani tregoi se kishte komunikuar me Suel Çelën dhe i kishte dhënë kontaktin e një mikut të vet që ishte i interesuar për eliminimin e Mashës. Pasi ka komunikuar me personin e interesuar, i ka ofruar shumën 150 mijë euro për vrasjen.
Nuredin Dumani: I thashë Rikut që do t’i jepja 100 mijë euro që të kryente këtë punë. Me Rikun kontaktova në telefon me aplikacionin Matrix. Ai pranoi dhe unë i dhashë atij fotografinë e personit si dhe të ambienteve që mi kishte dërguar i interesuari për të realizuar vrasjen. Henriku më ka treguar se pronari i shkollës e pinte kafen zakonisht te lokali përballë garazhit. Riku ka ardhur në Kosovë dhe i dhashë një armë “Skorpions” që e mbaja vetë. Mbaj mend që Riku ka ardhur edhe një herë tjetër dhe më ka takuar në Kosovë ku ishte së bashku me nipçen. Kur ka ardhur me nipçen, Rikut i kam dhënë edhe një pistoletë. Organizimin e vrasjes së këtij personi e ka bërë Riku.
Këtë ngjarje e shpjegon në rrëfimin e tij edhe Skerdi Tase. Por nga ana tjetër, ai tregon se nëpërmjet Henrik Hoxhajt, kishin marrë porosi edhe për të vrarë Abedin Mamën, i njohur si Dine Çami, dhe Elton Kilën.
Skerdi Tase
Pastaj Henriku kishte një punë tjetër. Kishte në telefon foton e djalit të Lulzim Mashës. Për këtë ngjarje morëm një motor dhe një armë. Djalin s’po e gjenim dhe Henriku më tha që porositësi thotë që, meqë s’po gjeni atë, vrisni babanë. Ne dinim pallatin ku banonte djali i Lulzim Mashës, në ish-Bllok. Kur vendosëm për babanë, e lamë ta bënim rrugës kur shkonte tek shkolla private. Gjatë kësaj kohe ne kishim marrë porosi për të vrare edhe Dine Çamin dhe Oti Kilen. Vendosëm që motori nuk ishte i përshtatshëm për të kryer vrasjen dhe morëm një “Golf 4” nga Nuredini. Në këtë kohë shkuam në Kosovë, takuam Nuredinin dhe folëm për ngjarjen. Na dha dhe një pistoletë tjetër. Për ndjekjen e Lulzim Mashës na ndihmonte një person që quhet Ledi, lidhje e Henrikut. Ai e ruante tek shtëpia. Na thoshte doli ose erdhi. Ditën e ngjarjes më la Henriku tek kthesa ku prita Lulzimin. Sa e pashë i gjuajta por me ngeci arma. Lulzimi i dha gaz për nga shkolla. Kalova rrugën, autostradën për nga Liqeni i Thatë. Pastaj shkuam në Fier. Henriku më tha se kishte gjetur një punë tjetër, për të vrarë një shokun e “Ben Qimes”.
Pra, pjesën e parë të rrëfimit të tij, Skerdi Tase e ka mbyllur me porosinë që i kishte thënë Henrik Hoxhaj, për të vrarë, një mik të Arben Isufit, apo i njohur si “Ben Qimja”, në Fier.
E duket se kjo ngjarje, por edhe të tjera do të vazhdojnë të shpjegohen me detaje në Gjykatën e Posaçme, nga i penduari i tretë i dosjes “Plumbi i artë”.
Pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani e mijëra bisedave në platformën SKY, rrëfimi i të penduarit tjetër Erion Alibej, hedh edhe më shumë dritë rreth lidhjeve të oficerëve të Policisë me grupet kriminale. Shërbimet që ata u kanë dhënë në këmbim të shpërblimeve monetare. Madje në ndonjë rast, duke u renditur krah krimit të organizuar, si pjesë e strukturave të tyre.
Ndërsa Skerdi Tase, i kontraktuar në rolin e ekzekutorin, me dëshminë e tij duket se plotëson tablonë kriminale, të disa prej ngjarjeve më të rënda të ndodhura vitet e fundit.
Pas urdhëruesve, financuesve, ndërmjetësuesve dhe atyre që siguronin mjetet, duket se “Plumbi i artë”, mund të përmbyllet me rrëfimet e një vrasësi që vazhdimisht i ngecte arma.
Po punonte tokën/ Përmbyset mjeti bujqësor, ndërron jetë 62-vjeçari në Divjakë
Divjakë- Një 62-vjeçar ka humbur jetën. Sipas policisë, 62-vjeçari ka qenë duke punuar në një tokë arë me një mjet bujqësor. Dhe dyshohet se aksidentalisht mjeti është përmbysur dhe për pasojë 62-vjeçari ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.
/abcnews.al/
Zjarret, 32 vatra në një ditë/ Flakët kanë djegur qindra hektarë pyje, 9 vatra ende aktive
Në vend 9 prej vatrave të zjarrit nga 32 të raportuara 24 orët fundit janë ende aktive. Në liqenin e luleve në Parkun Kombëtar të Lurës flakët sipas ministrisë së Mbrojtjes kanë përfshirë një sipërfaqe në vendin e quajtur fusha e pelave dhe një mbi fshatin Gurë – Lurë. Të dyja vatrat po mbahen në monitorim.
Në Zerqan të Bulqizës zjarri ka rënë në një terren të vështirë me shkurre dhe dushqe. Ndërsa në Zall Gjoçaj të Matit relieve i thyer vështirëson ndërhyrjen për të shuar flakët në zonën e mbrojtur me pisha.
Zjarri është riaktivizuar në Dovolan të Maqellarës dhe sipas ministrisë së Mbrojtjes po përhapet drejt Pejkës dhe zonës pranë Drinit të Zi.
Aktive është dhe vatra në fshatin Belishovë të Mallakastrës. Mbi Dukat flakët janë riaktivizur në majën e Paliskës. Ndërhyrja për shuarjen e tyre po vijon nga ajri.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, mesditën e kësaj të diele, kanë shkuar në Dukat të Vlorës për të parë nga afër situatën me zjarrin që kërcënon Parkun Kombëtar të Llogarasë.
Ministri Vengu thotë se orët në vijim do të jenë të vështira për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta.
“Që prej orëve të para të mëngjesit, kemi një ndërhyrje nga ajri dhe mbështetje nga toka me efektivë të Forcave të Armatosura, të Bashkisë Vlorë, të Pyjores së Vlorës, praktikisht 50 persona që janë në operacion e sipër sot në këtë zone…Do jenë orë të vështira për efekt jo vetëm të termometrit, por edhe të erërave të forta që ka zona, ndaj duhet të ruajmë vigjilencën maksimale. Operacioni i mbështetjes nga ajri me helikopterët Cougar do të vijojë gjatë gjithë ditës në mënyrë që të kemi të gjithë instrumentet në dispozicion”, tha ai.
Ndërsa kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, thekson se synimi është që të mos lejohet avancimi i zjarrit drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë.
“Angazhimi është për ta mbajtur zjarrin në kontroll që është relativisht shumë e vështirë në aspektin e gjeografisë, pasi është pjesë e Malit të Çikës, një pjesë e Qafës së Shëngjergjit del në lumin e Vlorës, por që një pjesë e konsiderueshme është djegur dhe shpresohet të mbahet nën kontroll për të mos vijuar më pas në afërsi të fshatit të Dukatit apo ndonjë rrezik evident në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë”, shtoi Haki Çako.
Ndërkohë që po mbahet në monitorim zjarri pranë antenave celulare në afërsi të Beçishtit në Tepelenë.
Ne Shkopet pavarësisht përpjekjeve, nuk është arritur izolimi i zjarrit; janë djegur rreth 65 ha pyje.
Aktive është dhe vatra në kufirin mes fshatrave Shmil dhe Gurakuq. Zjarri ka përfshirë një pyll gështenje me përmasa të mëdha.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave rrezik i lartë për zjarre mbetet në shtatë Qarqe të vendit, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera parashikohet rrezik i moderuar.
Strukturat e Mbrojtjes Civile sipas ministrisë vijojnë të jenë të angazhuara pa ndërprerje në menaxhimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në të gjithë territorin.
/abcnews.al/
Shqipëria, “më para se BE”/ Presidenti i EESC vlerëson vendin tonë për reformat e kryera
Shqipëria ka marrë një vlerësim maksimal nga Brukseli. Në forumin e dytë për zgjerimin e BE, Presidenti i EESC, Këshilli Ekonomik Social Evropian, Oliver Ropke pohoi se reformat e Shqipërisë si vend kandidat, janë më të mira se sa të vetë shteteve anëtare të unionit.
“Ne shohim përparim të dukshëm me reformat e integrimit në disa shtete kandidate, megjithëse mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Në të vërtetë, në disa raste, standardet janë edhe më të larta se në vendet anëtare të BE-së. Nëse marrim reformën e gjyqësorit, shtete si Shqipëria po bëjnë hapa gjigantë përpara, megjithëse problemet vazhdojnë në fusha si transparenca dhe antikorrupsioni. Nëse ndalemi në lirinë e shtypit, për shembull, do të shohim se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë rezultate më të mira se Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Greqia, Hungaria, Italia, Malta dhe Rumania”.
Ropke shtoi se rritja e buxhetit financiar për 6-vjeccarin nga viti 2028 deri në 2034, do të përfshijë përpjekjet e Shqipërisë dhe vendeve të tjera kandidate me përparimin në reformat apo asistencë teknike në procesin e integrimit.
Vetëm pak muaj më parë gjatë një vizite në Tiranë, Ropke konfirmoi se objektivi i qeverisë së kryeministrit Rama për të përmbyllur negociatat brenda vitit 2027 është mëse e realizueshëm, si dhe e vlerësoi si një nga vendet më të mira në këtë proces.
/abcnews.al/
Ra nga lartësia/ Transportohet te Trauma i riu, ishte me pushime në Shëngjin
Në ambientet e një hoteli në Shëngjin, dyshohet se ka rrëshqitur aksidentalisht dhe ka rënë nga lartësia një 23-vjeçar, pushues në Shëngjin.
23-vjeçari është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, për ndihmë më të specializuar mjekësore.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
VIDEO/ Sherr me thikë e sëpatë mes të rinjve në Shkodër, plagoset 33-vjeçari
Një ngjarje e rëndë është regjistruar Shkodër në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës, pranë sheshit “Prekë Cali”, ku një sherr mes të rinjsh ka degjeneruar në dhunë fizike ku janë përdorur edhe thikat e sëpata.
Sipas të dhënave paraprake, gjatë përplasjes janë përdorur thika dhe një sëpatë, ndërsa njëri prej të rinjve ka mbetur i plagosur. Sipas policisë i plagosur ka mbetur 33-vjeçari Pjetër Guraleci, pasi është goditur me thikë.
Shkaqet e konfliktit ende nuk janë bërë të ditura, ndërkohë që forcat e policisë janë vënë në ndjekje të autorit të përfshirë në ngjarje.
/abcnews.al/
-
- Sasi rekord kokaine në kufirin bullgar/ 206 kg drogë në furgon me targa belge, përfshihet edhe një diplomat
Sasi rekord kokaine në kufirin bullgar/ 206 kg drogë në furgon me targa belge, përfshihet edhe një diplomat
Autoritetet kufitare bullgare sekuestruan një sasi rekord kokaine nga një furgon me targa belge që udhëtonte drejt Turqisë.
Sipas zyrtarëve doganorë, kjo ishte sasia më e madhe drogës së sekuestruar në kufi tokësor, rreth 206 kilogramë. Droga ishte fshehur në 179 çanta të vulosura të fshehura midis sendeve personale në pesë valixhe.
Tre personat që po përpiqeshin të kalonin kufirin për në Turqi ishin një diplomat 40-vjeçar nga Republika Demokratike e Kongos i akredituar në Belgjikë, një shtetas belg 54-vjeçar dhe një shofer bullgar 43-vjeçar.
Nëse ata dënohen për akuzat e trafikimit të drogës, mund të përballen me deri në 20 vjet në burg.
Autoritetet bullgare kanë nisur një hetim në bashkëpunim me partnerët europianë për origjinën e kokainës dhe blerësit e saj të fundit.
Bullgaria, e cila ka ndërmarrë hapa vitet e fundit kundër trafikimit të drogës, konsiderohet një pikë tranziti në të ashtuquajturën rrugë ballkanike të trafikimit të drogës, e cila përdoret për të furnizuar Evropën Perëndimore me heroinë nga Azia dhe Lindja e Mesme, si dhe me kokainë nga Amerika Latine.
/abcnews.al/
Protesta masive në Poloni kundër emigrantëve
Protestat në Poloni kundër emigrantëve nuk kanë ndaluar. Qindra mijëra njerëz dolën në rrugë duke protestuar për gjetjen e një zgjidhjeje ndaj emigrimit të paligjshëm në Poloni.
Demonstratat ishin të mbështetur nga partia populiste e djathtë Konfederacja. Kjo parti polarizon me slogane radikale dhe po fiton gjithnjë e më shumë ndikim.
Sipas raportimeve nga zyrtarët, është vlerësuar se në tubime kanë marrë pjesë rreth 3 000 njerëz.
Gjithashtu demonstrime pati edhe në Varshavë, ndërsa pati edhe të arrestuar nga policia.
Ndërkohë politikanë të krahut të djathtë pretendojnë se Polonia është në rrezik për shkak të emigracionit të paligjshëm. Gjatë viteve të fundit, në vend emigracioni është rritur.
/abcnews.al/
-
- Netanyahu mungoi në mbledhjen e kabinetit, shkak helmimi, si është gjendja shëndetësore e kryeministrit izraelit
Netanyahu mungoi në mbledhjen e kabinetit, shkak helmimi, si është gjendja shëndetësore e kryeministrit izraelit
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka munguar në mbledhjen e kabinetit. Ishte zyra e kryeministrit izraelit që njoftoi se Netanyahu është helmuar nga ushqimi duke bërë që të mungojë në mbledhje.
Ndërkohë është sqaruar se për tri ditët e ardhshme do ta menaxhojë punën nga shtëpia. Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, ai është ndjerë keq gjatë natës dhe më pas u ekzaminua në shtëpi nga një mjek.
Më tej sipas informacioneve nga zyra e tij, tashmë gjendja shëndetësore e kryeministrit izraelit është e mirë.
/abcnews.al/