Hiqen 85 komplete me çadra dhe shezlongë te Kepi i Rodonit në Durrës, procedohet 59-vjeçari
TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna pa lejen përkatëse nga subjekte të ndryshme, përmes vendosjes së çadrave dhe shezlongëve.
Gjatë kontrolleve, në hapësira publike në plazhin e Kepit të Rodonit, u hoqën dhe u sekuestruan gjithsej 85 komplete me çadra dhe shezlongë, të vendosura në mënyrë të paligjshme nga një shtetas.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. S., 59 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet gjatë sezonit veror.
Policia e Shtetit apelon të gjithë qytetarët dhe subjektet që të respektojnë hapësirat publike dhe të mos ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në to, pasi çdo shkelje do të pasojë me masa administrative dhe penale, sipas ligjit.
/m.m/r.e/
The post Hiqen 85 komplete me çadra dhe shezlongë te Kepi i Rodonit në Durrës, procedohet 59-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.