Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 26 July 2025Main stream

Lirimi i hapësirave publike, Beci: Shkodra ka nisur të marrë frymë lirisht

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Shkodra ka nisur të marrë frymë lirisht pas lirimit të hapësirave publike.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ndau sot pamje nga qyteti, ndërsa theksoi se bizneset e kanë kuptuar rëndësinë e këtij aksioni.

“Ky është rezultati i 5 ditëve punë nga strukturat e Bashkisë Shkodër dhe bashkëpunimit me bizneset, të cilat kanë kuptuar rëndësinë e këtij aksioni që do të vijojë”, shtoi Beci.

Gjatë gjithë muajit korrik lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror.

Lirimi i hapësirave në qytete dhe plazhet publike në të gjithë vendin, si edhe i hapësirave të përbashkëta mes pallateve, pritet të sjellë më shumë hapësira në shërbim të qytetarëve, si edhe një bashkëjetesë brenda standardeve për të gjithë.

Ky aksion konsiderohet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

/m.m/r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike, Beci: Shkodra ka nisur të marrë frymë lirisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e SHBA: Partneritet në teknologji dhe inovacion, dy studentë shqiptarë rikthehen pas studimeve në SHBA

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Dy ekspertë të rinj të teknologjisë janë rikthyer në Shqipëri, duke sjellë me vete të gjitha njohuritë e fundit që fituan gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara në programin Global Undergraduate Exchange Program (Global UGRAD).

Ambasada amerikane në Tiranë vlerësoi sot se “partneriteti me Shtetet e Bashkuara, një udhëheqës global në teknologji dhe inovacion, sjell mirëqenie dhe siguri për të dy vendet tona”.

Flavio Skoti studioi shkenca kompjuterike në Georgia College & State University, dhe Dea Basha studioi inxhinieri softueri në Bluefield State University.

“Si e përshkruajnë përvojën? Për Dean, të jashtëzakonshme dhe që të ndryshon jetën”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

/m.m/r.e/

The post Ambasada e SHBA: Partneritet në teknologji dhe inovacion, dy studentë shqiptarë rikthehen pas studimeve në SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministria e Mbrojtjes: 247 efektivë të FA-së dhe 4 helikopterë për shuarjen e zjarreve

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur sot se 247 efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar për shuarjen e zjarreve në të gjithë vendin.

Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se janë në gatishmëri 31 mjete të ushtrisë dhe emergjencave civile, shërbimet zjarrëfikëse dhe autoambulanca.

Po ashtu, për shuarjen e vatrave të zjarreve janë në gatishmëri 4 helikopterë për ndërhyjet nga ajri në çdo kohë.

Ministria e Mbrojtjes nënvizoi angazhimin e strukturave lokale dhe atyre qendrore në monitorimin e situatës, ndërsa shprehu angazhimin për ndërhyrjet e nevojshme, me prioritet në zonat e banuara.

/m.m/r.e/

The post Ministria e Mbrojtjes: 247 efektivë të FA-së dhe 4 helikopterë për shuarjen e zjarreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Shkolla “Ndre Mjeda” në Shkodër, standarde bashkëkohore për 800 nxënës e mësues

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Në qytetin e Shkodrës vijon puna për rikonstruksionin e shkollës “Ndre Mjeda”, e cila po rilind me standarde bashkëkohore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky kantier, ku deri më tani ka përfunduar ndërtimi i shtesës së godinës.

Kryeministri theksoi se shkolla “Ndre Mjeda” po rilind me kushte dhe standarde bashkëkohore për afro 800 nxënësit dhe mësuesit e saj.

“Ky investim i qeverisë shqiptare dhe Bashkisë Shkodër, po merr formë dita-ditës, ku deri më tani ka përfunduar ndërtimi i shtesës së godinës, ndërsa po vijon puna në pjesën e brendshme të shkollës, për të hapur dyert e saj në fillim të vitit të ri shkollor”, theksoi kryeministri.

Shkolla “Ndre Mjeda” nga një godinë e amortizuar pa ngrohje, pa palestër, mësim me dy turne, do të rilindë nga e para, me të gjitha standardet bashkëkohore e pajisur me klasa të bollshme, laboratorë, bibliotekë, palestër dhe hapësira rekreative.

Shkolla e re do të jetë në funksion të 800 nxënësve, ndërkohë që në plan për t’u rindërtuar në qytetin e Shkodrës janë edhe pesë shkolla të tjera.

Projekti për rikonstruksionin e plotë të shkollës përfshin edhe ndërtimin e shtesës në godinën 3-katëshe, një palestër të re me një tarracë të shfrytëzueshme, si dhe instalimin e një sistemi ngrohjeje dhe ftohjeje të ri. Po ashtu, do të kryhet edhe sistemimi i sheshit të shkollës.

/m.m/r.e/

The post Rama: Shkolla “Ndre Mjeda” në Shkodër, standarde bashkëkohore për 800 nxënës e mësues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hiqen 85 komplete me çadra dhe shezlongë te Kepi i Rodonit në Durrës, procedohet 59-vjeçari

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna pa lejen përkatëse nga subjekte të ndryshme, përmes vendosjes së çadrave dhe shezlongëve.

Gjatë kontrolleve, në hapësira publike në plazhin e Kepit të Rodonit, u hoqën dhe u sekuestruan gjithsej 85 komplete me çadra dhe shezlongë, të vendosura në mënyrë të paligjshme nga një shtetas.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. S., 59 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet gjatë sezonit veror.

Policia e Shtetit apelon të gjithë qytetarët dhe subjektet që të respektojnë hapësirat publike dhe të mos ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në to, pasi çdo shkelje do të pasojë me masa administrative dhe penale, sipas ligjit.

/m.m/r.e/

The post Hiqen 85 komplete me çadra dhe shezlongë te Kepi i Rodonit në Durrës, procedohet 59-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dy vatra zjarri aktive në qarkun e Korçës, Prefektura: Po punohet për neutralizimin e plotë të flakëve

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Dy vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e Qarkut Korçë, konkretisht në fshatrat Dishnicë (bashkia Korçë) dhe Strelcë (bashkia Maliq).

Në një njoftim zyrtar për mediet, Prefektura e Korçës bëri të ditur se situata në të dyja zonat është nën kontroll të vazhdueshëm, ndërsa forcat në terren po punojnë për neutralizimin e plotë të flakëve.

“Zjarri në fshatin Dishnicë është aktiv me intensitet të ulët. Terreni i thyer dhe me bimësi të dendur e ka vështirësuar ndërhyrjen, por përpjekjet për shuarjen e plotë janë në fazën përmbyllëse”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ndërkohë zjarri në fshatin Strelcë është aktiv vetëm në vatrën veriore me intensitet të ulët.

Forcat në terren po monitorojnë situatën dhe po punojnë për ta mbajtur nën kontroll.

Prefektura e Qarkut Korçë shprehet se vijon të qëndrojë në gatishmëri të lartë, duke siguruar bashkëpunimin e nevojshëm me të gjitha strukturat përkatëse për administrimin e situatës.

/m.m/r.e/

The post Dy vatra zjarri aktive në qarkun e Korçës, Prefektura: Po punohet për neutralizimin e plotë të flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Britanikja këndon këngë shqiptare, Rama: Shqiptar bëhesh edhe me zemër


TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Shqipëria është kthyer në një destinacion të preferuar për shumë të huaj, të cilët kanë zgjedhur të punojnë dhe të jetojnë këtu.

Të tërhequr nga tradita dhe kultura shqiptare, ata janë integruar më së miri në shoqërinë shqiptare.

I tillë është rasti i britanikes Sara Payman, e cila është pasionuar pas muzikës shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale tingujt e këngës “Rrjedh në këngë e ligjërime”, të interpretuar nga Sara.

“Me emocionet e muzikës shqipe që buron nga britanikja Sara Payman, e cila i këndon këngët si të ishin të gjakut të saj, duke na kujtuar se shqiptar bëhesh edhe me zemër përmes dashurisë për këtë vend siç Sara ka zgjedhur Shqipërinë”, u shpreh Rama.

E lindur në Kembrixh dhe e diplomuar për stomatologji, Sara la Britaninë e Madhe dhe u vendos në Shqipëri. Në intervista të mëparshme televizive ajo ka treguar tërheqjen e saj për kulturën shqiptare, veçanërisht për muzikën, të cilën e interpreton me pasion.

/m.m/r.e/

The post Britanikja këndon këngë shqiptare, Rama: Shqiptar bëhesh edhe me zemër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Rama: Shijet tradicionale të Shqipërisë po fitojnë zemra në mbarë botën

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Tradita e kulinarisë shqiptare mbetet një pikë e fortë krahas bukurive natyrore për tërheqjen e turistëve të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një pjesë nga rrugëtimi 6-ditor i dy blogerëve të shijes  Daniel Balilti dhe videografes Lihi Parnes në zbulim të kuzhinës autentike shqiptare.

Shijet tradicionale të Shqipërisë, sipas kryeministrit, “po fitojnë zemra në mbarë botën”.

“Blogerët e shijes Daniel Balilti dhe videografia Lihi Parnes zbulojnë kuzhinën tonë autentike gjatë një qëndrimi 6-ditor të organizuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit””, bëri të ditur Rama.

Produktet bio dhe gastronomia shqiptare kanë potencial jo vetëm për të rritur ekonominë vendase, por edhe për fuqizuar sektorin e turizmit duke tërhequr gjithnjë e më shumë të huaj.

4,76 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë 6 muajve të këtij viti. Vetëm në qershor 2025 Shqipërinë e vizituan 1 329 204 turistë të huaj, ose 7% më shumë krahasuar me qershor 2024.

/m.m/j.p/

The post Rama: Shijet tradicionale të Shqipërisë po fitojnë zemra në mbarë botën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali në Kamzë: One Stop Shop me asistencë falas për aplikimet në e-Albania


TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Prej 1 viti, sporteli One Stop Shop në bashkinë e Kamzës ofron asistencë të drejtpërdrejtë për aplikimet elektronike në platformën e-Albania.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vizitoi sot bashkinë e Kamzës, ku gjatë 2024-ës janë ofruar rreth 1500 shërbime, duke garantuar mbështetje të vazhdueshme për qytetarët.

“Falë dixhitalizimit të administratës, 95% e shërbimeve publike sot realizohen online, pa nevojë për prezencë fizike në institucionet shtetërore, ndaj lehtësimi i aksesit në përdorimin e platformës është më i rëndësishëm se kurrë”, u shpreh ajo.

Spiropali theksoi se aktualisht në këtë bashki funksionojnë 5 sportele mbështetëse, të shpërndara në Njësitë Administrative, ku mesatarisht.

95% e shërbimeve publike të institucioneve qendrore janë tashmë të aksesueshme me një klikim të vetëm duke ofruar shërbime për mbi 3,3 milionë qytetarë dhe biznese.

/m.m/j.p/

The post Spiropali në Kamzë: One Stop Shop me asistencë falas për aplikimet në e-Albania appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama apel bizneseve në akset kombëtare: Deri më 31 korrik lironi hapësirat ose masa të rënda

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Aksioni për lirimin e hapësirave publike është shtrirë në të gjithë vendin ku po ndërhyhet jo vetëm në zonat urbane dhe plazhe, por edhe në akset kombëtare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga ndërhyrja që po kryhet për çmontimin e një strukture në anë të një rruge kombëtare.

“Ka nisur edhe përpjekja për çlirimin e buzërrugëve kombëtare nga rraqet e llojllojshme të bizneseve anë rrugës”, tha Rama, ndërsa paralajmëroi se bizneset në anë të segmenteve rrugore kanë afat deri në 31 korrik për të larguar vetë çdo lloj materiali që ndodhet më pak se 20 m nga aksi i rrugës.

“Kjo është edhe distanca ligjore e sigurisë, përjashtuar objektet e ndërtuara me leje, po jo materialet në oborret e tyre të përparme, gardhet e të cilëve po ashtu do të duhet të tërhiqen në maksimumin e mundshëm, sipas projektit që do t’u dorëzohet më tutje nga ARRSH”, shtoi Kryeministri.

Rama tha se “mbajtja buzë rrugëve e rraqeve si këto në foto apo të tjera, nga materialet ndërtimore tek inertet dhe makinat e vjetra e me radhë, përtej afatit të paralajmëruar do të shoqërohet me masa të rënda ndëshkimore sipas parashikimeve ligjore në fuqi”.

“Tanimë Shqipëria po troket në derën e Bashkimit Europian dhe kjo fazë kalimtare e ushtrimit të aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit e të mjedisit në tërësi, po edhe të sigurisë së qarkullimit në rrugët kombëtare në veçanti, duhet të konsiderohet e mbyllur. Nga të gjithë dhe me mirëkuptimin më të madh kombëtar, për Shqipërinë 2030 në BE”, u shpreh kryeministri.

Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Gjatë gjithë muajit korrik lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror.

Lirimi i hapësirave publike në qytete dhe plazhe në të gjithë vendin, synon të garantojë një bashkëjetesë brenda standardeve për të gjithë komunitetin.

/m.m/

The post Rama apel bizneseve në akset kombëtare: Deri më 31 korrik lironi hapësirat ose masa të rënda appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Vizitorë nga e gjithë bota në Butrint

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Qyteti antik i Butrintit vijon të tërheqë një numër të lartë turistësh vendas e të huaj edhe gjatë sezonit veror.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga turistët e shumtë që edhe në këto ditë të nxehta korriku zgjedhin të vizitojnë qytetin antik, që ndodhet 20 km larg Sarandës.

“Parku Kombëtar i Butrintit që zgjohet çdo ditë me zërat e vizitorëve që vijnë nga e gjithë bota për të prekur historinë dhe bukurinë”, shkruan Rama krahas pamjeve.

Ky park vijon të jetë një nga atraksionet më të vizituara turistike edhe gjatë këtij viti në Shqipëri. Kombinimi i natyrës dhe historisë mijëra vjeçare ngjall kuriozitetin e turisëve nga vende të ndryshme të botës.

Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit.

Ai është ngritur në këndin jug-lindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit.

/m.m/j.p/

The post Rama: Vizitorë nga e gjithë bota në Butrint appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Orkestra Simfonike e RTSH-së, koncert me kolonat zanore të filmave shqiptarë

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar zhvilloi mbrëmjen e sotme një koncert, në parkun “Rinia” në Tiranë, me muzikë nga kolonat zanore të filmave më të njohur shqiptarë.

Nën drejtimin e maestros Gridi Kraja, Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar përcolli për publikun artdashës nostalgjinë e filmave shqiptarë.

Në repertorin e koncertit ishin kolonat zanore të filmave të kompozitorëve shqiptarë si Kujtim Laro, Limos Dizdari, Çesk Zadeja, Aleksandër Peçi, Aleksandër Lalo.

Emocionet e kinemasë u përcollën përmes Orkestrës së Radiotelevizionit Shqiptar me fuqinë e muzikës simfonike, që u prit me emocion nga publiku artdashës.

Orkestra Simfonike e RTSH-së u themelua më 16 maj të vitit 1962. Ajo mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, akorduar nga Presidenti i Republikës. Në radhët e saj marrin pjesë instrumentistë virtuozë.

Këtë sezon veror, një tjetër angazhim i rëndësishëm për këtë orkestër do të jetë koncerti i datës 2 gusht, në sheshin “Skënderbej”, në kuadër të edicionit të pestë të “Ramë Lahaj & Friends Concert”, ku do të jenë të ftuar interpretues të mirënjohur të muzikës klasike nga vendi dhe bota.

/m.m//r.e/

The post Orkestra Simfonike e RTSH-së, koncert me kolonat zanore të filmave shqiptarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Lirohen hapësirat publike, rikthehet ajri për komunitetin në zonën e Freskut

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Në rrugë dhe lagje të ndryshme në kryeqytet, por edhe në bashkitë e tjera të vendit, po zhvillohet aksioni për lirimin e hapësirave publike.

Pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike në të gjithë vendin, edhe në Tiranë po hiqen tavolinat, karriget apo tendat nga trotuaret, të cilat cenonin sigurinë e qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga çmontimi, prej vetë bizneseve, i strukturave që cenonin hapësirat publike në zonën e Freskut.

“Edhe tek Fresku në Tiranë rikthehet ajri për komunitetin”, u shpreh Rama.

Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Gjatë gjithë muajit korrik lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror.

Lirimi i hapësirave në qytete dhe plazhet publike në të gjithë vendin, si edhe i hapësirave të përbashkëta mes pallateve, pritet të sjellë më shumë hapësira në shërbim të qytetarëve, si edhe një bashkëjetesë brenda standardeve për të gjithë.

/m.m/r.e/

The post Rama: Lirohen hapësirat publike, rikthehet ajri për komunitetin në zonën e Freskut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan reportazhin e BBC: Lini, vendbanimi më i vjetër liqenor në Europë

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Një nga zbulimet më të jashtëzakonshme arkeologjike ka ndodhur në brigjet e liqenit të Ohrit, në fshatin piktoresk të Linit në Pogradec.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një pjesë nga reportazhi i BBC-së, ku Lini konsiderohet vendbanimi palafit më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Europë.

“Arkeologët kanë zbuluar atë që besohet të jetë vendbanimi më i vjetër liqenor në Europë, në brigjet e Liqenit të Ohrit në Shqipëri. Dëshmitë tregojnë se një komunitet i organizuar gjuetarësh dhe bujqish ka jetuar aty deri në 8 000 vjet më parë”, thuhet në një reportazh të fundit të rrjetit mediatik të BBC.

Kryeministri theksoi se grupi i arkeologëve shqiptarë dhe zviceranë të intervistuar thonë se po vijojnë të punojnë çdo ditë mbi këtë zbulim, duke u zhytur në 3 metra thellësi.

“Deri më tani nuk është zbuluar as 1% e asaj që mendohet të ketë qenë pjesë e këtij vendbanimi të hershëm, ku janë gjetur mostra druri, kockash, qeramike dhe materialesh të tjera”, shtoi Rama.

Sipas arkeologëve nga Universiteti i Bernës dhe Instituti Shqiptar i Arkeologjisë, jeta në këtë vend daton nga 8000 deri në 4000 vjet p.e.s., duke e bërë Linin vendbanimin palafit më të hershëm të zbuluar ndonjëherë në Europë.

/m.m//r.e/

The post Rama ndan reportazhin e BBC: Lini, vendbanimi më i vjetër liqenor në Europë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali në Vorë: Ndihmë falas për qytetarët në përdorimin e mbi 1200 shërbimeve online

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Qytetarëve në gjithë vendin po u ofrohet asistencë e përditshme pranë bashkive në përdorimin e aplikimeve të ndryshme elektronike të Platformës Qeveritare të Ndërveprimit e-Albania, që lidh institucionet, shmang radhët fizike dhe kursen kohë në marrjen e dokumenteve.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ishte sot në bashkinë e Vorës, ku vizitoi nga afër sportelet e vendosura në dispozicion të qytetarëve.

“Çdo ditë, 10–15 qytetarë drejtohen pranë bashkisë Vorë për ndihmë në përdorimin e mbi 1200 shërbimeve të ndryshme online. Fluksi rritet të hënave dhe të enjteve, gjatë ditëve të tregut, kur në qytet vijnë edhe banorë nga zonat përreth”, u shpreh Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit informoi se mbështetja ofrohet falas, në tri zyra të posaçme, nga punonjës të trajnuar me profesionalizëm dhe përkushtim, për ta sjellë administratën më pranë qytetarit.

95% e shërbimeve publike të institucioneve qendrore janë tashmë të aksesueshme me një klikim të vetëm duke ofruar shërbime për mbi 3,3 milionë qytetarë dhe biznese.

/m.m/r.e/

The post Spiropali në Vorë: Ndihmë falas për qytetarët në përdorimin e mbi 1200 shërbimeve online appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Blushi: Varfëria po thellohet, ushqimet bazë më shtrenjtë se në BE

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi reagoi sot për nivelin e varfërisë në vend, ndërsa u shpreh se “numri i familjeve të rrezikuara nga varfëria pritet të rritet ndjeshëm këtë vit”.

Në një deklaratë për mediet, Blushi theksoi se “rritja e kostos së jetesës për qytetarët shqiptarë, më të varfërit në Europë, vijon me ritme dramatike të pandalshme”.

“Sipas Eurostat, për vitin 2024, çmimet e ushqimeve në Shqipëri ishin sa 100.1% e mesatares së vendeve të BE-së, që do të thotë se qytetarët shqiptarë i blejnë ushqimet bazë të jetesës me shtrenjtë, jo vetëm se të gjithë fqinjët në rajon, por paguajnë më shumë edhe se qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian”, theksoi ai.

Rritja e kostos së jetesës, sipas Blushit, nuk është shoqëruar me rritjen e të ardhurave të në të njëjtën masë.

“Sipas të dhënave të Eurostat, ndërkohë që çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur me 32 pikë përqindje relativisht me mesataren e BE-së, të ardhurat për frymë janë rritur me 7 pikë për qind. Që do të thotë se shqiptarët i paguajnë ushqimet njësoj me vendet e BE-së, ndonëse të ardhurat i kanë 3 herë më të ulëta se europianët”, shtoi ai.

Kostot e larta të jetesës bazë dhe rritja thuajse e papërfillshme e të ardhurave, sipas Blushit “i mbajnë familjet shqiptare të mbërthyera në shpenzimet e mbijetesës”.

“Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka sot, përqindjen më të lartë të familjeve të rrezikuara nga varfëria. Ndaj dhënia fund e këtij modeli të dështuar ekonomik, të orientuar drejt industrisë së ndërtimit, importeve dhe shërbimeve, është më shumë se kurrë një emergjencë kombëtare, jo vetëm që prodhimi vendas të mos përfundojë në kanal, por në tezgat dhe kuzhinat e shqiptarëve, por edhe që ekonomia familjare të marrë frymë lirisht”, theksoi ai.

Blushi tha se “modeli ekonomik që i duhet Shqipërisë, janë 5 prioritetet e Partisë së Lirisë, për 4 milion shqiptarë plus, që jo vetëm i japin fund dramës së madhe të shpopullimit, por edhe e shndërrojnë Shqipërinë në fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon”.

/m.m/j.p/

The post Blushi: Varfëria po thellohet, ushqimet bazë më shtrenjtë se në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Antikorrupsioni” diskuton draftin për konfliktin e interesit, Xhafaj: Rekomandim nga BE

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Parandalimi i konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike ishte në fokus të një tryeze të organizuar sot nga komisioni i posaçëm Antikorrupsion.

Projektligji i ri i prezantuar në këtë tryezë zëvendëson ligjin e vjetër të vitit 2005, dhe sipas propozuesve forcon integritetin e zyrtarëve dhe institucioneve publike.

“Ky projektligj i rëndësishëm, përkon edhe me një rekomandim të BE-së. Është ligj prioritar që duhet t’i kalojë shteti shqiptar. Asistohemi nga Këshilli i Evropës”, tha kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj.

Drafti është ende në hapat paraprakë, dhe ekspertët kërkuan jo pak rregullime të draftit. Një prej tyre solli në vëmendje se ligji nuk parashikonte adresimin e konfliktit të interesit për kreun e SPAK.

“Pse nuk është vendosur drejtuesi i SPAK”, pyeti Juelda Lamçe, këshilltare Ligjore e Kabinetit në SPAK. “Do të plotësohet, drejtuesi i SPAK, çështje harrese”, sqaroi ekspertja e Komisionit Anti-Korrupsion, Migena Leskoviku.

“Ky ligj duhet të sigurojë mbrojtjen e të dhënave personale dhe dinjitetin e zyrtarëve”, tha Besnik Dervishi, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Aldo Merkoci, këshilltar në Ministrinë e Pushtetit vendor tha se ”kufizimi kaq ekstrem demotivon ata që janë të suksesshëm në jetën e tyre e që duan të japin kontribut, ndërsa një tjetër rrezik është që i shtyn zyrtarët ‘shkelës të ligjit’ drejt fshehjes së konfliktit të interesit”.

Pasi të konsultohet me të gjitha grupet e interesit, projektligji do të jetë një nga prioritetet e legjislaturës së re të Kuvendit në muajin shtator.

Drafti i projektligjit “Për parandalimin e Konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” përcakton se konflikti i interesit duhet të deklarohet 30 ditë nga data e fillimit të detyrës pranë ILDKPKI.

Ai vendos kufizimet për zyrtarët e lartë, që nga deputeti, Kryeministri, të zgjedhurit vendorë apo njerëzit e drejtësisë, të cilët me marrjen e detyrës nuk mund të jenë drejtues ose anëtarë të organeve drejtuese të organizatave jofitimprurëse, të ushtrojnë̈ veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e tregtarit, shoqërisë tregtare, apo të çdo forme tjetër.

Po ashtu ata nuk mund të zotërojnë në mënyrë aktive aksione ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare të çdo forme etj, si dhe përcakton vlerat e gjobave me të cilat zyrtarët do të përballen në rast të shkeljes së këtij ligji.

/m.m/j.p/

The post “Antikorrupsioni” diskuton draftin për konfliktin e interesit, Xhafaj: Rekomandim nga BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet grupkapitulli i fundit BE-Shqipëri

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Shqipëria po shkon drejt përmbylljes së hapjes së të gjithë kapitujve të negociatave me BE-në.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian autorizoi sot Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë Grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.

Ky zhvillim i rëndësishëm i hap rrugën organizimit të Konferencës Ndërqeveritare në muajt në vijim, duke përmbyllur hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave për Shqipërinë.

Ky vendim konfirmon vlerësimin e BE-së për përgatitjen teknike, institucionale dhe ekonomike të Shqipërisë, si dhe angazhimin e saj ndaj perspektivës evropiane.

Rëndësia e Grupkapitullit 5 është thelbësor për ekonominë shqiptare, pasi përfshin fusha kyçe për zhvillimin ekonomik dhe social të qëndrueshëm, mbështetjen e fermerëve dhe peshkatarëve, dhe sigurinë ushqimore.

Grupkapitulli 5 përbëhet nga 5 kapituj: Kapitulli 11 (Bujqësia dhe Zhvillimi Rural); Kapitulli 12 (Siguria Ushqimore, Politika Veterinare dhe Fitosanitare); Kapitulli 13 (Peshkimi); Kapitulli 22 (Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore) dhe
Kapitulli 33 (Dispozitat financiare dhe buxhetore).

Negociatat e këtij Grupkapitulli do të nxisin reforma për modernizimin e bujqësisë, përmirësimin e standardeve të prodhimit ushqimor dhe forcimin e politikave të kohezionit.

Shqipëria synon të hapë të gjithë kapitujt e negociatave gjatë vitit 2025 dhe të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, me synimin për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030.

/m.m/j.p/

The post Hapet grupkapitulli i fundit BE-Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ ndan mandatet e 11 majit për qarkun e Tiranës

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ndau sot  37 mandatet e qarkut të Tiranës, sipas tabelës së rezultateve zgjedhore të 11 majit.

Bazuar në rezultatin zgjedhor të 11 majit, 19 mandate janë për Partinë Socialiste, 13 për Partinë Demokratike, 2 për “Mundësia”, 1 për Partinë Socialdemokrate, 1 për “Lëvizjen Bashkë” dhe 1 për koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Më poshtë lista e plotë emërore e shpërndarjes së mandateve në Tiranë:

PS: 19 mandate
Edi Rama
Ogerta Manastirliu
Elisa Spiropali
Lindita Nikolla
Taulant Balla
Adea Pirdeni
Albana Koçiu
Igli Hasani
Delina Ibrahimaj
Ilva Gjuzi
Iris Luarasi
Erion Malaj

Nga lista e hapur:
Blendi Gonxhja
Erion Braçe
Ervin Hoxha
Fatmir Xhafaj
Ornaldo Rakipi
Anila Denaj
Olta Xhaçka

PD: 13 mandate
Sali Berisha
Flamur Noka
Albana Vokshi
Belind Këlliçi
Tedi Blushi
Jozefina Topalli
Fatmir Mediu
Edi Paloka
Erisa Xhixho
Mesila Doda
Klevis Balliu
Besart Xhaferi

Nga lista e hapur: Jorida Tabaku

Partia Mundësia: 2 mandate
Agron Shehaj
Erald Kapri

Lëvizja Bashkë: 1 mandat

Redi Muçi

PSD: 1 mandat

Tedi Mula

Nisma Shqipëria bëhet: 1 mandat

Kleana Xhuveli

/m.m/j.p/

The post KQZ ndan mandatet e 11 majit për qarkun e Tiranës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konsultime për draftprojektligjin e financimit të partive politike, Xhafaj: Duhet të ruajmë standardet më të mira

TIRANË, 23 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj vlerësoi sot rëndësinë e hartimit të një drafti lidhur me çështjen e financimit të partive politike.

Gjatë një tryeze konsultimi të draftit paraprak të projektligjit “Për financimin e partive politike”, Xhafaj tha se kjo mbetet një çështje tejet e rëndësishme pasi lidhet me shtyllën antikorrupsion dhe është përcaktuar si prioritet në Planin e Veprimit.

Kjo, sipas tij, përkon njëkohësisht edhe me disa detyrime që ka Shqipëria në kuadrin e procesit të negociatave.

“Ky draft është kusht i përcaktuar nga BE, që do të duhet të jetë në listën e projekt-akteve që janë detyrim i shtetit shqiptar për t’u hartuar dhe miratuar”, tha Xhafaj, ndërsa pranoi se kjo është një vendimmarrje e vështirë.

Xhafaj nënvizoi se ky është një projekt shumë i vështirë, edhe për shkak se eksperienca është minimaliste dhe interesat në këtë aspekt janë shumë të forta.

“Këtu subjekte të drejtpërdrejta janë partitë politike. Por edhe për shkak të disa praktikave jo të shëndetshme që mendohen ose perceptohen që janë të pranishme sidomos kur bëhet fjalë për financimin e fushatave zgjedhore. Por ne nuk duam ta shohim çështjen e financimit vetëm në aspektin zgjedhor, por duam ta shohim shumë më gjerë”, shtoi Xhafaj.

Dilema, sipas tij, ka të bëjë me faktin nëse do të duhet të bëhen ndryshime në kuadrin ligjor ekzistues që ka vendi, apo të bëhet një ligj i ri që është i dedikuar vetëm për financimin e partive politike.

“Natyrisht edhe ne kemi këndvështrimet tona të cilat janë të diskutueshme, të debatueshme dhe kjo është arsyeja kryesore që ne kërkuam të kemi këtë tryezë sot për të tërhequr mendime nga ky auditor dhe në vijimësi edhe nga ekspertët ndërkombëtarë”, tha Xhafaj.

Sipas tij, “Bashkimi Europian ja ka deleguar Këshillit të Europës përgjegjësinë për të na asistuar edhe për shkak të eksperiencës të dedikuar dhe ekspertizës shumë të mirë që ka Këshilli i Europës në në këtë fushë”.

“Ndaj do të duhet të hartojmë një draft paraprak për ta parë me këtë ekspertizë. Ne do shohim se cila është më e përshtatshme, një ligj i posaçëm, i dedikuar për këtë çështje apo një amendim i legjislacionit ekzistues. Pasi të kemi zgjidhur këtë vendimmarrje do të kalojmë në hartimin e draftit. Më e rëndësishmja është të bëjmë diçka me standardet më të mira”, shtoi ai.

/m.m/j.p/

The post Konsultime për draftprojektligjin e financimit të partive politike, Xhafaj: Duhet të ruajmë standardet më të mira appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌