Asistencë falas për shërbimet në “e-Albania”, Balluku në Fier: Ofrimi me pagesë do të konsiderohet vepër penale
TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Zëvendëskryeministrja njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bashkë me kryetarin e Bashkisë Fier Armando Subashi, monitoruan nga afër sportelet në bashkinë Fier, ku ofrohet asistencë dhe shërbim falas për të gjithë qytetarët, të cilët që kanë vështirësi në përdorimin e platformës e-Albania.
Balluku tha se shërbimi do të ofrohet jo vetëm tek bashkitë, por edhe tek qendrat administrative.
“Kemi identifikuar kohët e fundit, që ka një abuzim në treg, ku në zyrat e avokatëve dhe noterëve kemi parë afishime, ku shkruhen që ofrohen shërbime për e-albania. E-albania është një nga krenaritë e qeverisë shqiptare, është pikërisht pika ku çdo qytetar mund të aplikojë për të marrë shërbime duke mos pasur nevojë për të pasur asnjë ndërmjetës, as avokatë, dhe as noterë. Janë shërbime që ofrohen online dhe janë shërbime të cilat janë digjitalizuar për të shkurtuar kohën e aplikimit dhe të marrjes së shërbimit. Ndaj ne i kemi kërkuar të gjithë bashkive kudo, edhe njësive administrative madje, që të kenë pozicione të dedikuara ku vijnë qytetarët, qofshin këta të moshuar, apo nuk kanë mundësi të aksesojnë e-albania dhe ta marrin këtë shërbim në kohë reale dhe pa asnjë pagesë”, tha Balluku.
Ajo theksoi se në rastet kur ky shërbim ofrohet me lekë do të konsiderohet vepër penale.
“Në ditë në vijim do të ketë një komunikim nga ministri i Drejtësisë, pikërisht sa i takon këtij abuzimi nga noterët dhe avokatët, pasi është e nevojshme të kuptojnë të gjithë qytetarët që e-Albania është falas, pa asnjë pagesë. E-Albanai është ndërtuar nga qeveria për qytetarët për shërbime të shpejta dhe të sigurta pa pagesë”, theksoi Balluku.
Ajo i bëri apel qytetarëve të drejtohen në qendrat që kanë hapur bashkitë, ose edhe në njësitë administrative, sepse janë të hapura edhe aty, teksa tha se, “ne kemi dalë të gjithë në terren, për ta prezantuar këtë shërbim që ofrohet nga bashkitë dhe është abuzim nëse shikoni qendra avokatie që e ofrojnë këtë shërbim me pagesë, sepse është një abuzim i rëndë”, tha Balluku.
Ndërsa kryetari Subashi tha se, në Bashkinë e Fierit, qytetarët kanë dy sportele në dispozicion për të marrë shërbimet online në e-albania, pa pagesë shtesë.
“Kjo është zyra me një ndalesë e Bashkisë, këtu vijnë të gjithë njerëzit. Çdo drejtori që ka marrëdhëniet me publikun, ka sportelin dhe përfaqësuesin e vet, pret njerëzit, i sqaron, merr ankesat. Më pas drejtoria përkatëse i shqyrton dhe u kthen përgjigje. Pas ndryshimit, ne kemi hapur dy sportele të reja. Kemi lënë dy operatorë në dispozicion për të asistuar moshat e thyera, të cilat nuk janë në gjendje të futen vetë dhe të aksesojnë e-albania dhe asistohen nga punonjësit e bashkisë falas”, tha ai. /j.p/
The post Asistencë falas për shërbimet në “e-Albania”, Balluku në Fier: Ofrimi me pagesë do të konsiderohet vepër penale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.