Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 July 2025Main stream

Tragjedi në Elbasan, dy vëllezër mbyten në lumin Shkumbin

18 July 2025 at 20:16

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Labinot-Fushë, ku dy të mitur janë mbytur në lumin Shkumbin.

Sipas informacioneve të para të marra nga korrespondentja e Top Channel Bruna Kërçyku, fëmijët kanë qenë duke ruajtur bagëtitë dhe së bashku me një familjare të tyre kishin hyrë në ujë për t’u larë, por rrjedha e fortë dhe mungesa e sigurisë bënë që ata të mos arrinin të dilnin më në breg.

Paraprakisht raportohet se viktimat janë vëllezër 8 dhe 10 vjeç.

Banorë të zonës dhe forcat e emergjencës që mbërritën aty u përpoqën t’i ndihmonin, por fatkeqësisht, trupat e pajetë të të miturve u gjetën pak më vonë në një kanal të lumit më poshtë.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie./tch/

The post Tragjedi në Elbasan, dy vëllezër mbyten në lumin Shkumbin appeared first on Telegrafi.

E dërguara britanike për Ballkanin: S’duhet qasje e re në dialogun Kosovë-Serbi, por zbatim i marrëveshjeve

18 July 2025 at 20:11

E dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce ka folur për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Pierce për BBC në gjuhën serbe, ka thënë se në marrëveshjen e Ohrit ka ide shumë të mira, dhe se çështja është vetëm tek zbatimi i saj.

Negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit janë të bllokuara prej muajsh, dhe që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në pranverën e vitit 2024 nuk ka pasur kontakte të rëndësishme midis liderëve të Serbisë dhe Kosovës.

“Është shumë e rëndësishme që marrëveshjet të zbatohen – si në Marrëveshjen e Brukselit, ashtu edhe në atë të Ohrit ka ide shumë të mira, është vetëm çështje zbatimi. Këto nuk janë marrëveshje teorike, por merren me çështje shumë praktike si liria e lëvizjes, qasja, pjesëmarrja, dhe ne do të donim të inkurajonim politikanët nga të dyja palët që të ndihmojnë në këtë mënyrë qytetarët dhe komunitetet”, ka thënë Pierce.

Ajo shton se nuk nevojitet një qasje e re apo një përgjigje magjike që do të zgjidhte çështjen e Bosnjë-Hercegovinës apo të Kosovës dhe Serbisë.

Karen Pierce u emërua si e dërguara e posaçme e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor në shkurt të vitit 2025, duke marrë përsipër pozicionin e mbajtur më parë nga Stuart Peach. /Telegrafi/

 

The post E dërguara britanike për Ballkanin: S’duhet qasje e re në dialogun Kosovë-Serbi, por zbatim i marrëveshjeve appeared first on Telegrafi.

Thaçi “zbulon shokët” e togerit të policisë të arrestuar nën dyshimin për spiunazh

18 July 2025 at 18:55

Emrush Thaçi, ish-drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), ka “zbuluar shokët” e togerit të Policisë që u arrestua dje nën dyshimin për spiunazh.

Thaçi gjithashtu ka ngritur një shqetësim, se disa drejtorë të AKI-së, policisë dhe të burgjeve, pas përfundimit të mandatit, enden rrugëve të vendit.

“Sot njerëzit, jo të gjithë me vetëdije bëjnë spiunazh… në favor të Serbisë, Rusisë apo diçka tjetër, por dikush joshet edhe në aspektin financiar, nga të mirat materiale, për shkak se hidhet poshtë dhe shumë lehtë nesër targetohen këta njerëz, mund të targetohen shumë lehtë… dhe vjen deri te një shumë marramendëse që dikush lëkundet dhe çka ndodh – e ke hedhur në rrugë dhe ta merr dikush i gatshëm”, ka thënë ai.

“Prandaj, të gjithë këta njerëz kanë bagazh, për shkak se kanë pasur pozita ku në fijokët e tyre të punës, në zyrat e tyre të punës, kanë pasur shkresa konfidenciale që thonë ‘top secret’”.

“Çështja e verifikimit ka qenë në AKI, ku një nga njerëzit që është verifikuar kam qenë edhe unë nga AKI-ja, dhe çka ndodh? Për një moment dikujt i bie në mend që duhet me e largu, se s’mund ta kalojnë verifikimin njerëz të caktuar. Kjo është publike. S’kanë mundur ta kalojnë verifikimin njerëz të cilët kanë background të dyshimtë si njerëz që kanë punuar në ish-pushtetin jugosllav, serb”, ka thënë ai.

 

The post Thaçi “zbulon shokët” e togerit të policisë të arrestuar nën dyshimin për spiunazh appeared first on Telegrafi.

Osmani dhe Avokati i Popullit diskutojnë për të drejtat e njeriut në Kosovë

18 July 2025 at 18:26

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Avokatin e Popullit, Naim Qelaj ku diskutuan mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në vend dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në takim, Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për garantimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët, pa dallim.

Ajo vuri në dukje se institucionet duhet të jenë të përkushtuara në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, duke e cilësuar këtë si një mjet kyç për forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e të drejtave themelore të njeriut.

Nga ana e tij, Avokati i Popullit, Qelaj informoi presidenten për çështjet më të shpeshta që trajtohen në këtë institucion.

Të dy palët u pajtuan për domosdoshmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut në Kosovë. /Telegrafi/

The post Osmani dhe Avokati i Popullit diskutojnë për të drejtat e njeriut në Kosovë appeared first on Telegrafi.

“Rrezik për sigurinë kombëtare” – caktohet paraburgim për Bojan Jevtiqin, i dyshuar për spiunazh

18 July 2025 at 16:49

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit Bojan Jevtiq, i cili dyshohet për veprat penale të spiunazhit dhe armëmbajtjes pa leje.

Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, vendimi u mor pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe u aprovua nga gjyqtari i procedurës paraprake.

“Gjykata vlerëson se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes dhe shmangies nga procedura penale”, thuhet në njoftim.

Tutje, gjykata thekson seriozitetin e rastit, duke përmendur se “i njëjti dyshohet për vepër penale të një rrezikshmërie shumë të lartë, përkatësisht për vepër penale spiunazhi, dhe cenon sigurinë kombëtare, jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Po ashtu, si arsye për caktimin e paraburgimit përmendet edhe mundësia që Jevtiq të ndikojë në prova dhe dëshmitarë apo të përsërisë veprën penale.

“Çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale dhe parandalimin e përsëritjes së veprave”, nënvizohet në vendimin e gjykatës.

Ndaj këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/

The post “Rrezik për sigurinë kombëtare” – caktohet paraburgim për Bojan Jevtiqin, i dyshuar për spiunazh appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 17 July 2025Main stream

Sveçla konfirmon arrestimin e zyrarit policor për spiunazh: Kështu rritet besimi në institucionet e sigurisë

17 July 2025 at 12:53

Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, kanë realizuar sot një aksion nën dyshimet për spiunazh.

Si rezultat i këtij aksioni një zyrtar policor i nacionalitetit serb ka rënë në pranga.

Telegrafi raportoi më herët se i arrestuari është Bojan Jevtiq i cili mbanë pozitën e zëvendëskomandantit të policisë në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Po është e vërtetë, dua të përgëzoj AKI-në,IPK-në dhe Prokurorinë për këtë aksion jashtëzakonisht të rëndësishëm. Më shumë informacione nuk mund të ju jap, por sinqerisht mund të ju them se kështu rritet besimi në organet e sigurisë”, ka thënë Sveçla para mediave.

Ndryshe nga institucionet e sigurisë ende nuk janë dhënë detaje tjera rreth këtij aksioni. /Telegrafi/

The post Sveçla konfirmon arrestimin e zyrarit policor për spiunazh: Kështu rritet besimi në institucionet e sigurisë appeared first on Telegrafi.

Haxhiu: Kemi vullnet për bashkëpunim me Nismën

17 July 2025 at 12:37

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka theksuar se partia e saj është e hapur për bashkëpunim me Nismën Socialdemokrate, në përpjekje për të tejkaluar ngërçin institucional që po zgjat tashmë prej më shumë se katër muajsh.

Megjithatë, ajo ka qenë e qartë në qëndrimin se propozimi për kryetarin e Kuvendit i takon LVV-së si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Sa i përket takimeve me Nismën, ne kemi thënë që kemi vullnet për bashkëpunim. Ato do të ndodhin, do të ketë takim të kryetarit Kurti me kryetarin Limajn dhe pas përmbylljes së takimeve do të ketë njoftim për opinionin publik nëse do të ketë apo jo marrëveshje”, ka deklaruar Haxhiu pas përfundimit të seancës së 48-të të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Duke iu referuar bllokadës për zgjedhjen e kryekuvendarit, Haxhiu theksoi se kandidimi i saj për këtë pozitë është i bazuar në legjitimitetin që i është dhënë partisë së saj nga zgjedhjet, por mungesa e votave ka pamundësuar përmbylljen e procesit.

“Së pari, unë nuk e kam karrigen e kryekuvendarit. Jam e propozuar nga LVV për këtë pozitë, por kjo nuk ka ndodhur për faktin se duhen 61 vota. Situata është e tillë që deputetët e opozitës vijnë në seancë, por nuk marrin pjesë fare në votim”, tha ajo.

Në seancën e sotme, të 48-tën me radhë, në sallë ishin të pranishëm 100 deputetë, por vetëm 51 prej tyre morën pjesë në votim, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim duke bërë që Kuvendi të mos konstituohet sërish. /Telegrafi/

The post Haxhiu: Kemi vullnet për bashkëpunim me Nismën appeared first on Telegrafi.

Pranvera Kastrati emërohet në krye të Sekretariatit të CEFTA-s

17 July 2025 at 10:28

Pranvera Kastrati është emëruar zyrtarisht Drejtoreshë e re e Sekretariatit të CEFTA-s (Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore).

Ky vendim erdhi pas një procesi të gjatë dhe transparent përzgjedhjeje, të udhëhequr nga Kosova në cilësinë e saj si kryesuese e CEFTA-s për vitin 2025.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila kryesoi Takimin Special të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s përmes platformës elektronike, njoftoi se vendimi për emërimin e znj. Kastrati u miratua me konsensus të plotë nga të gjitha palët pjesëmarrëse.

Sipas Hajdarit, ky është një hap i rëndësishëm institucional për CEFTA-n dhe një sukses për Kosovën në skenën rajonale dhe evropiane.

“Emërimi i znj. Kastrati u bë pas një procesi përzgjedhjeje të ndarë në tri faza – skanimi fillestar, intervistat dhe vlerësimi final në Bruksel – me përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtarë dhe mbështetjen e Komisionit Evropian”, theksoi ministrja.

Valentina Superti, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, vlerësoi lart procesin dhe theksoi se ky emërim ishte në pritje prej dy vitesh.

Ajo përgëzoi Kosovën për transparencën dhe profesionalizmin e treguar gjatë procesit të përzgjedhjes.

Emërimi i Pranvera Kastrati shihet si një moment i rëndësishëm për vazhdimësinë institucionale të CEFTA-s, veçanërisht në zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM2), që është pjesë kyçe e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/

The post Pranvera Kastrati emërohet në krye të Sekretariatit të CEFTA-s appeared first on Telegrafi.

“Hapave të Sadriut dhe Azemit” – Deçani ecën për përkushtimin e një babai ndaj të birit me sindromën Down

17 July 2025 at 08:34

Qytetarë nga Deçani morën pjesë dje në ecjen simbolike “Hapave të Sadriut dhe Azemit”, një nismë e veçantë që u organizua për të nderuar përkushtimin e rrallë të një babai dhe lidhjen e tij të pazëvendësueshme me të birin me sindromën Down.

Ecja u organizua nga Komuna e Deçanit, si një shenjë nderimi për bacën Sadri, i cili ndërroi jetë disa ditë më parë, por la pas një histori të rrallë përkushtimi, kujdesi dhe dashurie ndaj djalit të tij, Azemit.

Disa ditë para se të ndahej nga jeta, Baca Sadri kishte thënë me krenari “15 kilometra i bëmë sot, bac. Përditë i bëjmë aq. Nganjëherë djali ka qejf me ecë më shumë e i bëjmë 20.”

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, përmes një postimi në Facebook shkroi “Hapave të Sadriut dhe Azemit – ecje për dashurinë dhe përkushtimin familjar”.

Kjo ngjarje shërbeu si një rikujtim të fuqishëm se dashuria prindërore, veçanërisht në sfidat që sjell jeta me sindromën Down, është një forcë e jashtëzakonshme që frymëzon e bashkon./Telegrafi/

 

The post “Hapave të Sadriut dhe Azemit” – Deçani ecën për përkushtimin e një babai ndaj të birit me sindromën Down appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

“Liria nuk gjykohet”, organizatat e luftës reagojnë rreth vendimit të ri të Speciales ndaj Pjetër Shalës

14 July 2025 at 13:57

Organizatat e dala nga lufta, kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Hagë, e cila uli dënimin Pjetër Shalës nga 18 në 13 vjet burgim.

OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së e kanë konsideruar këtë vendim si një tjetër padrejtësi ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Në reagimin e përbashkët, këto organizata shprehin “pakënaqësinë e thellë” me vendimin, duke theksuar se kishin pritur një aktgjykim lirues.

“Edhe pse dënimi është ulur, ne kemi pritur me bindje të plotë një vendim lirues, sepse besojmë në pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë, dhe në luftën tonë të drejtë për çlirim”, thuhet në deklaratë.

Sipas tyre, vendimi i Apelit nuk ndihmon drejtësinë, por “e thellon bindjen se kjo gjykatë ka karakter politik dhe nuk e trajton drejtësinë mbi baza të barabarta e të paanshme”.

Organizatat theksojnë se e vërteta është në anën e UÇK-së dhe nuk kanë frikë nga ajo.

“UÇK-ja nuk ka nevojë të mbrohet nga e vërteta, e vërteta historike është në anën tonë dhe bashkëluftëtarët tanë nuk do t’i nëpërkëmbë askush me procese të motivuara politikisht. Liria nuk gjykohet, ajo respektohet”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

The post “Liria nuk gjykohet”, organizatat e luftës reagojnë rreth vendimit të ri të Speciales ndaj Pjetër Shalës appeared first on Telegrafi.

Vendim i ri për Pjetër Shalën, i ulet dënimi nga 18 në 13 vjet burgim

14 July 2025 at 13:31

Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ka marrë vendim për rastin e Pjetër Shalës, duke rrëzuar shumicën e pikave të ankesës së tij, por duke gjetur disa shkelje në aktgjykimin e shkallës së parë.

“Paneli miraton pjesërisht pikat 7, 12 dhe 14 të ankesës, dhe vendosi t’i ulë dënimin Shalës nga 18 në 13 vjet burgim.

“Paneli i Apelit la në fuqi verdiktin e fajësisë së z. Shala për krimet e luftës të ndalimit arbitrar (pika 1), torturës (pika 3), dhe vrasjes së paligjshme (pika 4)”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, Paneli pranoi pjesërisht tri nga 14 pikat e apelit të Shalës dhe gjeti disa shkelje në vlerësimin e provave dhe në caktimin e dënimit.

Sa i përket dënimit për vrasjen e paligjshme, Apeli theksoi se “Trupi Gjykues nuk i dha peshë të mjaftueshme faktit që ai (Shala) nuk pati rol komandues në lidhje me kontributin personal të tij në krimin e vrasjes”.

Po ashtu, lidhur me disa viktima për të cilat Shala ishte shpallur fajtor për torturë apo ndalim arbitrar, Apeli konstatoi mungesë provash të mjaftueshme.

“Në gjyq nuk ishin paraqitur dëshmi gojore për keqtrajtimin e tyre… ndaj Paneli i Apelit prapësoi verdiktin e fajësisë për këta persona”, thuhet në njoftim.

Pavarësisht kësaj, Apeli konfirmoi se Shala mbetet fajtor për krime të rënda.

“Paneli i Apelit theksoi se ka konfirmuar verdiktet e fajësisë së Shalës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes, dhe se ulja e dënimit të tij nuk sugjeron aspak se krimet për të cilat është shpallur fajtor dhe dënuar, nuk janë të rënda”, u theksua në aktgjykim.

Apeli gjithashtu theksoi se Dhomat e Specializuara kanë juridiksion vetëm mbi individë, e jo grupe apo organizata, dhe se “as UÇK-ja, as populli i Kosovës nuk ishin objekt i këtij procesi dhe nuk u shpallën përgjegjës dhe fajtorë për këto krime”.

Shala më 16 korrik të vitit të kaluar ishte shpallur fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe ishte dënuar 18 vjet burgim.

Më 2 shtator 2024, Mbrojtja e Shalës dorëzoi njoftimin për apel kundër aktgjykimit. /Telegrafi/

The post Vendim i ri për Pjetër Shalën, i ulet dënimi nga 18 në 13 vjet burgim appeared first on Telegrafi.

“Aferë tradhtie”, vëllai i Liridonës përballet me Naim Murselin në gjykatë

14 July 2025 at 11:32

Seanca në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt po vazhdon në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po dëshmon vëllai i saj, Leonardi i cili tashmë po përballet me Naim Murselin, vrasësin e akuzuar për krimin e rëndë ndaj motrës së tij.

Gazetarja e Klan Kosovës, ka dhënë detaje nga ‘ballafaqimi’ dhe deklarata e fortë e Leonardit për një ‘aferë tradhtie’.

“Naim Murseli: E kom një pyetje për Leonardin, për 12 vjet martesë, a është ankuar ndonjëherë motra e tij për mua apo për raportin tonë?

Leonard Ademaj: Jo, nuk është ankuar, përveç, me aq sa mbaj mend, e kishte prekur shumë një aferë tradhtie e Naimit, por ajo vet e kishte zgjidhur…

Naim Murseli: Ju thatë ma herët Leonard që kinse unë pasna qenë në morg me Kushtrim Kokallën, të nesërmen, në sa ora ka qenë kjo vizitë, e panjohur për mua

Leonard Ademaj: Orën nuk e di, një punonjëse në morg me tha që në mëngjes kanë ardhur Kushtrimi dhe Naimi

Naimi Murseli: Dy javë para ngjarjes, rreth datës 16 tetor, a kemi shkuar së bashku në Budva, për ta festuar ditëlindjen time, unë ti, bashkëshortja ime, bashkëshortja jote dhe fëmijët, me ftesë timen…

Leonard Ademaj: Po…”.

The post “Aferë tradhtie”, vëllai i Liridonës përballet me Naim Murselin në gjykatë appeared first on Telegrafi.

OEK: Gjykata Komerciale pezullon vendimin e ZRrE-së për 5 kompani të tjera

14 July 2025 at 11:28

Gjykata Komerciale ka marrë aktvendimin për pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), për pesë kompani të tjera për dalje në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Lajmi është bërë i ditur nga Oda Ekonomike e Kosovës, e cila theksoi se këto kompani kanë ushtruar padi individuale ndaj vendimit të ZRrE-së, duke ndjekur rrugën ligjore të paraparë nga legjislacioni aktual.

“Siç kemi theksuar edhe më herët, legjislacioni në fuqi nuk parasheh padi grupore ose kolektive, andaj vetëm paditë individuale janë duke u trajtuar dhe pranuar nga gjykata.  Këto pesë kompani kanë fituar të drejtën e tyre ligjore përmes këtij mekanizmi,” thuhet në njoftimin e Odës Ekonomike.

Në reagimin e saj, OEK i bën thirrje ZRrE-së që të anulojë vendimin për detyrimin e bizneseve të kalojnë në tregun e lirë të energjisë, duke paralajmëruar se një qasje e tillë mund të dëmtojë konkurrencën, të rëndojë barrën financiare për bizneset dhe qytetarët, si dhe të godasë ekonominë e vendit. /Telegrafi/

 

The post OEK: Gjykata Komerciale pezullon vendimin e ZRrE-së për 5 kompani të tjera appeared first on Telegrafi.

Fillon seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt, dëshmon vëllai i saj

14 July 2025 at 09:49

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka nisur tashmë seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Në fillim të seancës, Naim Murseli i cili akuzohet për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridonës, kërkoi të konsultohet me avokatin e tij.

Tashmë para trupit gjykues ka nisur të dëshmoi vëllai i viktimës, Leondard Ademaj.

Ditë më parë i akuzuari Naim Murseli u ekzaminua për çrregullime mendore të mundshme, megjithatë ekzaminimet gjetën se ai nuk ka sëmundje mendore apo çrregullim psikologjik.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen.

Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë. /Telegrafi/

The post Fillon seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt, dëshmon vëllai i saj appeared first on Telegrafi.

Gjykimi për vrasjen e Liridonës vazhdon sot, pritet të dëshmoj vëllai i saj

14 July 2025 at 07:26

Sot (e hënë), nga ora 09:00, në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të vazhdojë seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik.

Sipas juristes për media, Flutura Kusari, gjatë seancës pritet të dëshmojë vëllai i viktimës, Leonard Ademaj, nëse nuk do të ketë ndonjë ndryshim në agjendë. Lajmi u bë i ditur përmes një postimi të saj në rrjetin social Facebook.

“Nesër në 9.00 vazhdon gjykimi në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Pritet që nesër të dëshmojë vllau i Liridonës, Leonardi (nëse nuk ka ndonjë ndryshim). Shpresoj që mediat do të na bashkohen në ndjekjen e seancës”, ka shkruar Kusari.

Ndërkohë, para dy ditësh, Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar vlerësimin psikiatrik ndaj Naim Murselit, i cili akuzohet për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridonës.

Sipas raportit të institutit, Naim Murseli nuk vuan nga ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore, e as nga ndonjë gjendje e përkohshme që do të ndikonte në gjykimin apo perceptimin e realitetit.

Ekspertiza forenzike thekson se në momentin e kryerjes së veprës penale, Murseli ka qenë i vetëdijshëm për veprimet e tij dhe nuk ka pasur ndonjë gjendje psikologjike që do ta bënte të paaftë për të kuptuar rëndësinë e veprës apo për ta kontrolluar sjelljen e vet.

Po ashtu, nuk janë gjetur shenja të abuzimit me substanca narkotike apo alkool.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje tek i pandehuri i parë Naim Murseli, ky i fundit ka bërë planin ta largojë tani të ndjerën Liridona nga jeta e tij.

Në aktakuzë thuhet se pas datës 25 qershor 2022, kur është paguar polica e sigurimit jetësor në emër të Liridona Murselit me kompaninë Folksam, në shumën prej 3.000.000 kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes të ketë edhe dobi financiare, Naimi të pandehurit të tretë (Kushtrim Kokalla), ia ka shpalosur planin e likuidimit të bashkëshortes së tij dhe nga ai ka kërkuar të gjejë mundësi për vrasjen e saj. /Telegrafi/

 

The post Gjykimi për vrasjen e Liridonës vazhdon sot, pritet të dëshmoj vëllai i saj appeared first on Telegrafi.

Fillim i nxehtë i javës, por temperaturat bien gjatë fundjavës

14 July 2025 at 07:12

Gjatë kësaj jave, moti në vendin tonë do të paraqitet i ndryshueshëm, me një fillim të ngrohtë dhe kryesisht me diell.

Sipas parashikimeve meteorologjike, nga mesi i javës pritet një ndryshim gradual i kushteve atmosferike, me rënie të temperaturave dhe paraqitje të reshjeve të përkohshme.

Vranësirat dhe rrebeshet lokale pritet të jenë më të theksuara në pjesën e dytë të javës, sidomos në zonat malore dhe ato veriore. Temperaturat do të luhaten ndjeshëm nga mbi 30°C në fillim të javës, ato do të zbresin deri në rreth 23°C gjatë fundjavës.

Ndërkaq sot, e hënë moti do të jetë kryesisht me diell. Temperaturat minimale do sillen nga 13 – 16°C kurse ato maksimale nga 31 – 35°C.

Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtime të ndryshme, ndërsa indeksi UV do të jetë i lartë gjatë gjithë javës.

Autoritetet shëndetësore këshillojnë shmangien e ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell, veçanërisht gjatë orëve 09:00 – 17:00.

Të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike mbeten më të rrezikuarit nga rrezatimi ultraviolet. /Telegrafi/

 

The post Fillim i nxehtë i javës, por temperaturat bien gjatë fundjavës appeared first on Telegrafi.

“Turistët po anulojnë rezervimet”, banori i Thethit: IKMT ka shembur rreth 100 objekte, s’po kemi guxim me punu

13 July 2025 at 15:58

Në zonën e Thethit ka hyrë në ditën e gjashtë aksioni i IKMT-së për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje, e po ashtu edhe kundërpërgjigja e banorëve me protesta dhe përplasje me policinë.

Për situatën e krijuar në këtë zonë turistike foli në “Ditarin e fundjavës” me Erion Dushin, në A2 CNN, banori dhe sipërmarrësi Edmir Grela.

“Situata nuk duket shumë mirë. IKMT dhe policia e shtetit vazhduan prapë me shembjet. Kjo nuk pritej nga shteti në kulmin e sezonit si nga turistet dhe banorët e Thethit. Jo unë nuk jam prekur, por janë prekur kushërinjtë tanë, të afërmit tanë që u kthyen për të ndërtuar dhe hapur dyert me prit turistët në Theth, pasi kishte një rritje shumë të madhe Thethi këto dy vitet e fundit”, tha Grela.

Pasojat e aksionit të IKMT-së sipas Grelës janë ndjerë pasi ka pasur anulime rezervimesh dhe turistë që largohen të frikësuar. Po ashtu sipërmarrësi tha se janë të paqartë për atë çka i pret në të ardhmen, duke mos pasur më guximin të investojnë për përmirësim të infrastrukturës në ambientet e tyre të shërbimit.

“Po kishim shumë kërkesa, bile edhe vetë personalisht ishim duke u munduar për të bërë rritje të biznesit por mbetëm të bllokuar tanimë, edhe s’po guxojmë më për të punuar. Edhe ato që kishim nis për ti ndërtuar për ti prit të huajt, gjysma janë shemb. Janë shembur rreth 50 deri në 100 objekte. Nuk dihet sa do zgjasë, as nuk e dimë kë do të kap them inshallah nuk vijnë tek unë. Rruga është e kalueshme por ka polici. Normal janë të trembur turistët, janë larguar. Pyesin a mund të vijmë, a ka probleme. Pyesin çfarë po ndodh… Janë anuluar rezervimet. Nuk ka përgjigje apo informacion. As nuk thonë pritni, nuk dimë gjë”, shpjegoi Grela.

Më tej ai nënvizoi se të gjithë sipërmarrësit në zonën e Thethit kanë paguar taksa dhe detyrimet ndaj shtetit në mënyrë të rregullt.

“Krejt paguhen, të gjithë janë me taksa, me nipte, paguajnë ujë dhe drita. Njëherë të thotë shteti ndërto dhe mbrapa të vjen e t’i prishë. Por pse lë me ndërtu atëherë kur është e padrejtë.”

I pyetur nëse ka dijeni për investime strategjike në zonë pas aksionit të IKMT-së, duke qenë se opozita pretendon se një investitor austriak ka shprehur interesin për Thethin, Grela u përgjigj duke thënë: “Jo deri tani unë nuk kam dëgjuar gjë. Nuk është se janë toka të zanuna, janë trashëguar brez pas brezi”. /A2cnn/

The post “Turistët po anulojnë rezervimet”, banori i Thethit: IKMT ka shembur rreth 100 objekte, s’po kemi guxim me punu appeared first on Telegrafi.

Zbulohet armë zjarri pas aksidentit në fshatin Burrnik – një person dërgohet në QKUK

13 July 2025 at 15:50

Një aksident trafiku në fshatin Burrnik të Ferizajt ka çuar në një zbulim të papritur nga Policia e Kosovës.

Gjatë trajtimit të të lënduarve në Qendrën Emergjente të qytetit, autoritetet policore kanë identifikuar një armë zjarri në njërën prej veturave të përfshira në aksident.

Sipas njoftimit të Policisë Rajonale të Ferizajt, rreth orës 11:20 patrullat policore janë njoftuar për një person të lënduar në një aksident trafiku që po trajtohej në emergjencë. I lënduari është identifikuar si Sh.K., 38 vjeç.

Aksidenti kishte ndodhur në aksin rrugor Gaçkë–Burrnik, ku ishin përfshirë dy automjete, njëra me targa vendore dhe tjetra pa targa. Njësia e Trafikut Rajonal ka dalë në vendin e ngjarjes për të bërë ekzaminimin e automjeteve.

Gjatë kontrollit të veturës pa targa, në pjesën e pasme të saj është gjetur një armë zjarri – pistoletë, e cila më pas është konfiskuar nga njësitë hetimore dhe forenzike të policisë.

I dyshuari është dërguar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Policia ka bërë të ditur se hetimet lidhur me aksidentin dhe gjetjen e armës janë ende në vijim dhe se publiku do të njoftohet me raport shtesë për zhvillimet e reja në këtë rast./Telegrafi/

The post Zbulohet armë zjarri pas aksidentit në fshatin Burrnik – një person dërgohet në QKUK appeared first on Telegrafi.

Simbol i verës në Prishtinë, por pa standarde – qytetarët ankohen për kushtet dhe çmimet në Pishinën e Gërmisë

13 July 2025 at 15:19

Pishina e Gërmisë, një prej destinacioneve më të frekuentuara gjatë verës nga qytetarët e Prishtinës dhe më gjerë, është hapur më 8 korrik për sezonin veror, pas një vonese të shkaktuar nga mungesa e ujit.

Megjithatë, vizitorët po përballen me kushte të papërmirësuara dhe ndotje të dukshme në ambientet e saj.

Qytetarët që sot (e diel) kanë frekuentuar këtë pishinë kanë dërguar pamje në adresë të Telegrafit, ku janë shprehur të pakënaqur me kushtet.

Ata gjithashtu janë ankuar për çmimet e shtrenjta, ky hyrja për person është 5 euro ndërkaq çmimet e çadrave sillen nga 5 më të thjeshtat deri në 15 euro tek ato më të mëdha.

Edhe pse çmimet shihet se janë dukshëm më të larta, infrastruktura e pishinës nuk është përmirësuar në krahasim me vitet e kaluara.

Përveç kësaj, qytetarët kanë ngritur shqetësime për nivelin e papastërtisë në ujë dhe në hapësirat përreth.

Por një anë tjetër të kësaj pishine ka paraqitur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Rama ka shpërndarë një video nga Pishina e Gërmisë duke ftuar qytetarët që ta vizitojnë.

“Pishina e Gërmisë – për krejt ju që jeni n’Prishtinë këto ditë. NPL Sport Marketing”, ka shkruar Rama.

Qytetarët kërkojnë që të bëhen investime serioze në këtë hapësirë rekreative dhe të rritet kontrolli sanitar, në mënyrë që Pishina e Gërmisë të mos mbetet vetëm simbol i verës në kryeqytet, por edhe shembull i standardeve moderne për shërbime publike. /Telegrafi/

The post Simbol i verës në Prishtinë, por pa standarde – qytetarët ankohen për kushtet dhe çmimet në Pishinën e Gërmisë appeared first on Telegrafi.

Kuvendi i bllokuar, pagat ecin – Demi: Mbi 1 milion euro janë shpenzuar për 120 “badihavgji” për 4 orë punë

13 July 2025 at 13:50

Bllokada në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, që tashmë ka hyrë në muajin e katërt po vazhdon të shkaktojë kosto të larta për buxhetin e shtetit, ndërsa reagimet nga shoqëria civile nuk mungojnë.

Agron Demi nga Atlas Institute ka kritikuar ashpër këtë situatë, duke theksuar se deri tani janë harxhuar mbi 1 milion euro nga paratë e taksapaguesve për paga të deputetëve që nuk po kryejnë asnjë funksion parlamentar.

“Tash që po shkon edhe korriku pa u konstituu Kuvendi, na si taksapagues kemi shpenzu mbi 1 milion euro për pagat e këtyre 120 badihavgjive,” ka shkruar Demi në një postim në Facebook.

Ai ka publikuar edhe të dhëna specifike për shpenzimet mujore të Kuvendit.

“Brenda muajit maj janë shpenzu 235 mijë euro për pagat e 103 deputetëve. 17 deputetë që vazhdojnë me qenë në Qeveri kanë vendosë me ju përkushtu benefiteve më të majme që ofron ekzekutivi”, ka shkruar Demi.

Sipas tij, paga bazë e një deputeti është 1,859 euro, por ajo rritet në bazë të përvojës.

“Për shembull, në muajin maj ka deputetë që i kanë marrë mbi 2,600 euro edhe për të hyrat retroaktive,” shkruan ai.

Në të njëjtin postim, Demi vë në pah absurditetin e situatës.

“Një seancë po zgjatë rreth 5 minuta mesatarisht. 46 seanca të dështume, deputetët maksimum prej prillit kanë punu 4 orë. E për këto 4 orë i kanë marr deri tash rreth 7 mijë euro”, shprehet Demi.

Demi drejton një thirrje kritike ndaj votuesve, duke ironizuar me faktin që deputetët nuk po përballen me pasoja.

“Emrat nuk po i qes këtu, ngase të gjithë e dini se kush është deputet/e e kënd e keni votu. Tash, ti që merr pagë minimale, e për të njëjtën kohë je me fat nëse ke punu 12 orë në ditë e i ke marr 1,000 euro, herën tjetër dil e votoi prapë të njëjtit”, ka shkruar Demi. /Telegrafi/

The post Kuvendi i bllokuar, pagat ecin – Demi: Mbi 1 milion euro janë shpenzuar për 120 “badihavgji” për 4 orë punë appeared first on Telegrafi.

❌
❌