“NATURE” – Google nxjerr një mjet të IA-së që plotëson fjalët e munguara në mbishkrimet romake
NOTINGHEM, 23 korrik /ATSH/ – Përveç higjienës, mjekësisë, arsimit, verës, rendit publik, ujitjes, rrugëve, sistemit të ujit të pijshëm dhe shëndetit publik, romakët prodhuan gjithashtu një numër të madh mbishkrimesh, shkruhet sot në gazetën “The Guardian”, duke ju refeuar një botimi në revisten “Nature”.
Të kuptuarit e këtyre teksteve të lashta është një sfidë për studiuesit, por një mjet i ri i inteligjencës artificiale nga “Google DeepMind” synon ta lehtësojë këtë proces.
I quajtur “Aeneas”, sipas heroit mitik trojan, programi parashikon se ku dhe kur janë bërë mbishkrimet dhe jep sugjerime për fjalët që mungojnë.
Historianët që e testuan thanë se ky mjet u transformoi punën, duke i ndihmuar të identifikonin mbishkrime të ngjashme me ato që po studionin, një hap kyç për vendosjen e tyre në kontekst , dhe duke sugjeruar fjalë për të plotësuar boshllëqet në artefaktet e dëmtuara nga koha.
“Aeneas ndihmon historianët të interpretojnë, atribuojnë dhe rikonstruktojnë tekstet e fragmentuara latine”, tha dr. Thea Sommerschield nga Universiteti i Nottingham. “Ky ishte qëllimi madhor që vendosëm të realizonim”.
Mbishkrimet janë ndër burimet më të rëndësishme për jetën në botën antike, që nga dekretet e perandorëve, grafitet politike, poezitë e dashurisë, regjistrat tregtarë dhe deri te epitafet në varre. Studiuesit vlerësojnë se çdo vit zbulohen rreth 1 500 mbishkrime të reja.
“Sipas tyre, janë vetë njerëzit e lashtë që flasin,nga të gjitha shtresat shoqërore”, tha Sommerschield. “Nuk është vetëm historia e shkruar nga fitimtarët”.
“Por problemi qëndron në faktin se këto tekste janë shpesh të copëzuara ose aq të dëmtuara nga koha sa që pjesë të tyre janë të palexueshme. Shumë objekte me mbishkrime janë shpërndarë ndër vite dhe origjina e tyre është e pasigurt”, shtoi ai
Ekipi i Google, i udhëhequr nga Yannis Assael, bashkëpunoi me historianë për të krijuar një mjet të Inteligjencës artificiale që ndihmon në kërkime. Programi u trajnua me një bazë të dhënash prej afro 200 000 mbishkrimesh të njohura, me gjithsej 16 milionë karaktere.
“Aeneas” merr tekstin, dhe në disa raste imazhet, nga mbishkrimi që po studiohet dhe e krahason me mbishkrimet ekzistuese nga shekulli i 7 p.e.s. deri në shekullin e 8-të e.s. Inteligjenca Artificiale nuk kërkon vetëm fjalë të ngjashme, por lidh mbishkrime përmes lidhjeve historike më të thella.
Duke u bazuar në trajnimin me këtë koleksion të pasur, “Aeneas” mund të caktojë një tekst studimi në një nga 62 provincat romake dhe të parashikojë kohën kur është shkruar me një saktësi brenda 13 vitesh. Gjithashtu sugjeron fjalë për të plotësuar boshllëqet, megjithëse kjo veçori është testuar vetëm me tekste të njohura ku disa fjalë janë fshehur qëllimisht.
Në një test, “Aeneas” analizoi mbishkrimin madhështor Res Gestae Divi Augusti të gdhendur në monumente të ndryshme të Perandorisë Romake, që përshkruan arritjet e perandorit August. Inteligjenca artificiale sugjeroi dy periudha të mundshme për tekstin, dekada e parë para erës sonë ose periudha 10-20 e.s, pikërisht si debatet mes historianëve.
Në një rast tjetër, “Aeneas” analizoi mbishkrimet mbi një altar votiv në Mogontiacum (Mainz, Gjermani) dhe zbuloi përmes ngjashmërive të hollësishme gjuhësore se ai ishte ndikuar nga një altar më i vjetër në të njëjtin rajon. “Ishin momente mahnitëse për ne,” tha Sommerschield.
Detajet janë botuar në revistën “Nature”, dhe “Aeneas” është tashmë i disponueshëm online për studiuesit.
Në një bashkëpunim, 23 historianë përdorën “Aeneas” për të analizuar mbishkrime latine dhe në 90% të rasteve, konteksti i ofruar nga inteligenca artificiale u konsiderua i dobishëm.
“Ky mjet ka potencial të jetë transformues”, tha Mary Beard, profesore e klasikes në Universitetin e Kembrixhit.
Profesor Jonathan Prag nga Universiteti i Oksfordit shtoi se Aeneas mund të përdoret për të rianalizuar mbishkrimet ekzistuese për të përmirësuar interpretimin. “Më parë, kjo kërkonte një njohuri të jashtëzakonshme personale ose një bibliotekë gjigante,” tha ai. “Por sigurisht, duhet ta përdorësh atë në mënyrë kritike”. /Ad.Ab./
The post “NATURE” – Google nxjerr një mjet të IA-së që plotëson fjalët e munguara në mbishkrimet romake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.