Drafti/ Nga 3 deri në 16 vite, bigamia dhe bashkëjetesa me të mitur do të dënohet me burg!
Nga Gazeta ‘SI’- Me Kodin e ri Penal lidhja e më shumë se një martese në të njëjtën kohë do të konsiderohet vepër penale dhe do të ndëshkohet me burgim deri në 3 vjet, sipas nenit 742 të draftit që është hedhur për konsultim publik.
Në draft theksohet se bigamia, pra lidhja e dy ose më shumë martesave njëkohësisht, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Ndërsa në rast se personi vazhdon të jetojë në bigami edhe pas një dënimi penal të mëparshëm, atëherë dënimi ashpërsohet dhe parashikohet burgim nga 6 muaj deri në 4 vjet.
1. Lidhja e dy ose më shumë martesash në të njëjtën kohë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet
2. Nëse bigamia vazhdon pas dënimit të parë, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.
3. Ky nen gjen zbatim edhe kur fakti është konsumuar jashtë territorit nga një shtetas shqiptar ose nga një i huaj me banim në Shqipëri ose në dëm të një shtetasi shqiptar ose të një të huaji me banim në Shqipëri, në vende apo shtetas të vendeve që e lejojnë bigaminë.
Një tjetër nen në dokument kriminalizon edhe bashkëjetesën me të mitur për qëllime të ngjashme me martesën, në varësi të moshës së të miturve.
Bashkëjetesa e një personi madhor me një të mitur nga mosha 14 deri nën 16 vjeç, dënohet me burgim nga 4 deri në 8 vjet. Nëse bashkëjetesa ndodh me një të mitur 16 deri në 18 vjeç, dënimi është nga 2 deri në 5 vjet.
Për rastet më të rënda, kur bashkëjetesa ndodh me një të mitur nën moshën 14 vjeç, dënimi shkon nga 8 deri në 16 vjet burg. Ndërkohë, kur bashkëjetesa me të miturin kryhet me qëllim përfitimi pasuror, dënimi në secilin rast rritet me deri në 50%.
Drafti parashikon edhe dënime për prindërit apo kujdestarin në rast se ata udhëzojnë, lejojnë, këshillojnë, ose e shtyjnë të miturin e moshës 14 deri 18 vjeç që të bashkëjetojë me personin madhor. Ata rrezikojnë dënim me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
The post Drafti/ Nga 3 deri në 16 vite, bigamia dhe bashkëjetesa me të mitur do të dënohet me burg! appeared first on Gazeta Si.