Marsh drejt Europës/ Hapet grupkapitulli i pestë i negociatave
SHQIPËRI-Shqipëria ka shënuar një tjetër moment historik në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare të BE ka dhënë miratimin për të vijuar negociatat me vendin tonë për Grupkapitullin 5, që përfshin Burimet, Bujqësinë dhe Politikat e Kohezionit.
Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se Presidenca Daneze e BE-së është autorizuar tashmë të ftojë zyrtarisht Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues mbi këtë grupkapitull.
“Sot, më 23 korrik 2025, në vijim të progresit të vazhdueshëm e dinamik të Shqipërisë në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të BE-së autorizoi Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat mbi Grupkapitullin 5.
Ky grupkapitull përfshin sektorë me rëndësi jetike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, si bujqësia, zhvillimi rural, menaxhimi i burimeve natyrore, si dhe politikat e kohezionit territorial dhe rajonal, të cilat janë themelore për përafrimin me standardet e BE-së dhe për përfitimin e fondeve europiane në mënyrë efikase dhe të drejtë.
Ajo që e bën këtë hap edhe më të rëndësishëm është fakti se Grupkapitulli 5 është kapitulli i fundit i negociatave, duke i hapur rrugë përmbylljes së fazës së hapjes së të gjithë kapitujve teknikë. Kjo do të thotë se procesi i negociatave hyrëse për secilin grup tematik tashmë është i plotë, dhe Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret për të kaluar në fazën përfundimtare të përmbylljes së kapitujve dhe përgatitjes për anëtarësim të plotë./abcnews.al