TOKIO, 22 qershor /ATSH/- Japonia dhe Koreja e Jugut shënojnë sot 60-vjetorin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre diplomatike, sipas AP.
Dy fuqitë aziatike, rivale dhe fqinje, nuk kanë pasur shumë ngjarje për të festuar – pjesa më e madhe e mllefit të tyre lidhet me sundimin brutal kolonial të Japonisë mbi Korenë në fillim të shekullit XX.
Marrëdheniet mes dy vendeve janë përmirësuar vitet e fundit, por të dy kombet – secila një aleate e fortë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – tani përballen me pasiguri politike dhe një shqetësim në rritje për të ardhmen e lidhjeve të tyre.
Dy korrespondentët e “Associated Press”, nga të dy kryeqytetet kanë paraqitur pikëpamjet e tyre mbi marrëdhëniet më të rëndësishme në Azinë Verilindore:
Pikëpamja nga Kim Tong-hyung, Seul
Presidenti i ri liberal i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, është i vendosur të shkëputet nga politikat e paraardhësit të tij, Yoon Suk Yeol – i cili tani përballet me akuzat për udhëheqjen e një kryengritjeje për shkak të vendosjes së ligjit ushtarak në dhjetor.
Megjithatë, marrëdhëniet me Japoninë janë një fushë ku Lee – i cili e përshkruan veten si pragmatist në politikën e jashtme – mund ta gjejë veten duke ndërtuar me kujdes mbi qasjen e Yoon.
Para shkarkimit të tij nga detyra në prill, ish-presidenti konservator u përpoq të rindërtonte marrëdhëniet me Japoninë.
Yoon donte gjithashtu të forconte bashkëpunimin tripalësh të sigurisë të vendeve me Uashingtonin – për t’iu kundërvënë kërcënimeve bërthamore të Koresë së Veriut.
Në vitin 2023, Yoon njoftoi një plan kompensimi të financuar nga Koreja e Jugut për punonjësit e detyruar të epokës koloniale.
Ky vendim shkaktoi një reagim të fortë nga viktimat dhe mbështetësit e tyre – të cilët kishin kërkuar pagesa të drejtpërdrejta nga kompanitë japoneze dhe një kërkimfalje nga Tokio.
Përpjekjet e Yoon nxitën turizmin dhe lidhjet e biznesit – por në Korenë e Jugut ende ekziston një pakënaqësi – që Japonia nuk iu drejtua më sinqerisht ankesave historike të Seulit.
Ndërsa mbron pragmatizmin dhe zgjidhjen e problemeve në politikën e jashtme, Lee gjithashtu e ka kritikuar prej kohësh Japoninë – se vazhdon të kapet pas të kaluarës së saj imperialiste duke e fajësuar për dëmtimin e bashkëpunimit midis vendeve.
Disa ekspertë thonë se stabiliteti i lidhjeve të përmirësuara të vendeve mund të vihet në provë së shpejti, ndoshta rreth përvjetorit të 15 të çlirimit të Koresë nga sundimi kolonial japonez në fund të Luftës së Dytë Botërore – kur Lee pritet të flasë publikisht për historinë e dhimbshme të kombit me Japoninë.
Disa të tjerë në Seul duan që kryeministri japonez Shigeru Ishiba të shënojë përvjetorin me një deklaratë më të fortë pendimi – për të kaluarën e luftës së Japonisë – për të vendosur lidhjet dypalëshe në një bazë më të fortë.
Ndërsa historia e kohës së luftës do të mbetet gjithmonë në sfondin e marrëdhënieve Seul-Tokio, Lee dhe Ishiba mund të përballen me një shqetësim më të menjëhershëm, tarifat në rritje të presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe politikat e tjera tregtare.
Gazeta “Hankyoreh” e Koresë së Jugut në një editorial këtë javë bëri thirrje që Koreja e Jugut dhe Japonia të bashkëpunonin menjëherë – për një përgjigje të përbashkët ndaj politikave të Trump, duke argumentuar se tarifat e propozuara të SHBA-së mbi automobilat paraqesnin kërcënime të ngjashme për ekonomitë e të dy vendeve – të varura nga tregtia.
Pikëpamja nga Mari Yamaguchi, Tokio
Ishiba, i etur për të përmirësuar lidhjet me Seulin, e ka pranuar agresionin e Japonisë gjatë kohës së luftës dhe ka treguar më shumë empati ndaj viktimave aziatike – sesa paraardhësit e tij të fundit.
Takimi i tij i parë me Lee dukej pozitiv, pavarësisht shqetësimeve në Japoni për qëndrimin e Koresë së Jugut – nën drejtimin e një udhëheqës liberal të njohur për sulmet ndaj të kaluarës së luftës së Japonisë.
Lee, në takimin me Ishiba në G7, i krahasoi të dy vendet me fqinjët që ndanin të njëjtin oborr dhe bëri thirrje për ndërtimin e një marrëdhënieje të orientuar drejt së ardhmes që shkonte përtej dallimeve dhe mospajtimeve të tyre të vogla.
Ishiba dhe Lee ranë dakord të komunikojnë ngushtë dhe të bashkëpunojnë në një sërë çështjesh, duke përfshirë zhvillimin bërthamor dhe raketor të Koresë së Veriut.
Sipas një traktati normalizimi të vitit 1965, Japonia i dha Koresë së Jugut një ndihmë ekonomike me vlerë 500 milionë dollarë, duke thënë se të gjitha çështjet e kompensimit gjatë kohës së luftës ishin zgjidhur.
Megjithatë, çështjet historike, duke përfshirë punën e detyruar dhe abuzimin seksual të grave koreane gjatë luftës, kanë prishur lidhjet gjatë dekadave – ndërsa Koreja e Jugut është bërë një fuqi aziatike dhe një rivale e Japonisë – ndërsa Tokio, kryesisht gjatë drejtimit të kryeministrit të ndjerë Shinzo Abe – ka promovuar pikëpamje revizioniste.
Që atëherë, Japonia është ofruar dy herë para – për shlyerjen e fajit për të ashtuquajturat “gratë e ngushëllimit” – një fond gjysmëprivat të mëparshëm dhe një të dytë të shpërbërë në mënyrë të njëanshme nga qeveria liberale e ish-presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in.
Marrëdhëniet janë përmirësuar vitet e fundit dhe Japonia po vëzhgon nëse Lee do të vazhdojë me diplomacinë më pajtuese të paraardhësit të tij konservator apo do të kthehet në përballjen që karakterizoi qeveritë e mëparshme liberale.
“Bashkëpunimi midis dy palëve është më thelbësor se kurrë – për të kapërcyer problemet e tyre të përbashkëta – të tilla si përkeqësimi i sigurisë rajonale dhe tarifat e Trump që kanë tronditur sistemet e tregtisë së lirë”, tha gazeta japoneze “Yomiuri”, në një editorial.
Në pritje të 60-vjetorit në Tokio, Ishiba tha se sheh një të ardhme të ndritur në marrëdhënie.
Ai shprehu besimin për bashkëpunim në sfidat e përbashkëta – siç janë normat e ulëta të lindjeve dhe rënia e popullsisë. //a.i/
The post ANALIZË – Japonia dhe Koreja e Jugut shënojnë 60-vjetorin e normalizimit të marrëdhënieve pavarësisht tensioneve dhe pasigurisë politike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.