Siguria Detare – Shpëtohen 18 shtetas, 36 mjete lundruese të bllokuara nga Ksamili në Koman
TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, vijon operacionin “Siguria Detare”, me qëllim garantimin e sigurisë për pushuesit dhe përdoruesit e mjeteve lundruese përgjatë gjithë vijës bregdetare, zonave liqenore dhe lumore.
Gjatë javës së fundit janë kontrolluar 254 mjete lundruese, nga të cilat 36 janë bllokuar për shkelje të perimetrit të sigurisë, ushtrim aktivitetesh jashtë zonave të miratuara dhe mungesë dokumentacioni. Ndër mjetet e bllokuara përfshihen 24 Jet Ski, 5 skafe, 4 gomone dhe 3 varka metalike.
Gjithashtu, janë konstatuar 13 mjete duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100,000 lekësh secili.
Policia Kufitare ka ndërhyrë në 10 raste, nga Ksamili në Velipojë, për të shpëtuar 18 shtetas (shqiptarë dhe të huaj) që ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet lundruese.
Policia e Shtetit apelon për respektimin e rregullave të sigurisë detare dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në numrin 112.
/a.f/
The post Siguria Detare – Shpëtohen 18 shtetas, 36 mjete lundruese të bllokuara nga Ksamili në Koman appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.