Shkolla “Muhamet Gjollesha” në Lazarat, Manastirliu: Në shtator gati me kushte moderne
TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Shkolla e bashkuar “Muhamet Gjollesha” në Lazarat do të mirëpresë këtë shtator nxënësit dhe mësuesit në ambiente të rikonstruktuara dhe kushte moderne.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau sot foto nga ambientet e rikonstruktuara të kësaj shkolle, e cila është një tjetër institucion arsimor me standarde bashkëkohore për mësuesit dhe nxënësit që i shtohet “zinxhirit” të shkollave të reja që po transformohen në të gjithë vendin.
Manastirliu tha se po investohet për transformimin e shkollave nga veriu në jug, me të njëjtin standard, për të garantuar kushte dinjitoze për mësim dhe zhvillim për nxënësit dhe stafet mësimore.
Shkolla do të jetë e pajisur me ambiente të standardeve të larta, që përfshijnë laboratorë, hapësira për aktivitete kulturore dhe sportive, si dhe ambiente të gjelbra për qëndrim dhe rekreacion.
Ministria e Arsimit dhe Sportit synon të garantojë kushte bashkëkohore mësimore për nxënësit dhe mësuesit në të gjithë vendin.
Nga viti 2025 e në vijim, fokusi mbetet te cilësia në arsim përmes investimeve të qëndrueshme në shkolla, objekte sportive dhe ambiente ndihmëse, duke rritur aksesin, sigurinë dhe funksionalitetin e institucioneve arsimore.
/e.i/r.e/
The post Shkolla “Muhamet Gjollesha” në Lazarat, Manastirliu: Në shtator gati me kushte moderne appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.