“Rilindja Urbane 2.0”, Rama: Transformojmë hapësirat publike në hapësira cilësore komunitare
TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama kujtoi sot se lirimi i hapësirave publike nuk është një aksion i përkohshëm, por është një program katërvjeçar që quhet “Rilindja Urbane 2.0”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga çmontimi i një tjetër strukture metalike që kishte zënë hapësirat publike.
Rama siguroi se “ky program nuk mbaron me këto çmontime, po vazhdon me rehabilitimin e me transformimin e hapësirave publike në hapësira cilësore bashkëjetese komunitare”.
“Disa e vonojnë çmontimin vullnetar me idenë e gabuar se ‘aksioni do mbarojë’, por ky nuk është një aksion, është një program katërvjeçar që quhet Rilindja Urbane 2.0 dhe ky program nuk mbaron me këto çmontime, po vazhdon me rehabilitimin e me transformimin e hapësirave publike në hapësira cilësore bashkëjetese komunitare”, shtoi Rama.
Kryeministri u kujtoi përfaqësuesve të bizneseve se nëse nuk i çmontojnë vullnetarisht këto struktura, ato jo vetëm që do të hiqen, por do të ketë edhe gjobë.
“Kush nuk e heq më mirë vetë atë që ka bërë, në fund do ta heqë po bashkë me një gjobë”, theksoi ai.
Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.
Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.
Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
Aksioni ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.
/m.m/r.e//a.f/
The post “Rilindja Urbane 2.0”, Rama: Transformojmë hapësirat publike në hapësira cilësore komunitare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.