Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 August 2025Main stream

”New York Times”: Shqipëria vendi që të mahnit me bukuritë natyrore dhe mikpritjen

By: xhir jeta
25 August 2025 at 15:49

Plazhe mahnitëse, natyrë e paprekur, vende historike të pazakonta dhe çmime të ulëta e kanë kthyer këtë ish-shtet eremit në një nga destinacionet më të reja të Evropës, shkruan Valeriya Safronova për prestigjiozen amerikane ”New York Times”.

Në jug të Shqipërisë, praktikisht shumë afër nga ishulli grek i Korfuzit, qyteti i Butrintit ka qëndruar për mijëra vjet. Rrënojat e tij janë një ëndërr për dashamirët e historisë. Një teatër në natyrë, një pagëzimore bizantine dhe një ujësjellës romak. Dhelpra, skifterë dhe shqiponja enden në parkun kombëtar prej 93 kilometrash katrorë që përfshin thesaret arkeologjike të Butrintit.

Dhjetë minuta me autobus larg Butrintit, në resortin modern bregdetar të Ksamilit, turistët shtrihen mbi shezlongë, vallëzojnë me muzikë elektronike dhe lëvizin me jet ski rreth një gjiri piktoresk, të bërë të famshëm nga influencerët e rrjeteve sociale, të cilët e krahasojnë pamjen e tij të harlisur me Maldivet.

Shqipëria është lloj destinacioni, ku një udhëtar mund ta nisë ditën me një shëtitje nëpër antikitet dhe ta mbyllë me një kërcim mbi rërë.

Kjo mund të jetë një arsye madhore pse kaq shumë njerëz po vijnë këtu.

Vitin e kaluar, 11,7 milionë vizitorë hynë në vend nga 10 milionë një vit më parë dhe ata jo vetëm që shkuan në plazhe dhe vende historike, por gjithashtu eksploruan malet dhe liqenet në veri, si dhe Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosë, një nga 52 vendet për t’u vizituar në vitin 2023.

”Shqipëria është ende një vend ekzotik për shumë njerëz”, tha Frenkli Prengaj, i cili merret me ture turistike për “Discover Albania” dhe kaloi dy ditë duke më shëtitur.

Vendi, që shtrihet mes Greqisë dhe Malit të Zi përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, shpalli pavarësinë nga sundimi osman në vitin 1912 dhe duke filluar nga vitet 1940, kaloi dekada nën një diktaturë staliniste, i izoluar nga pjesa tjetër e botës deri në vitin 1990.

Në fund të viteve ’90, Shqipëria përjetoi një krizë ekonomike të ndjekur nga një periudhë trazirash, por vitet e fundit situata politike është përmirësuar dhe turizmi, i nxitur pjesërisht nga çmimet e ulëta, ka lulëzuar.

Shqipëria e re

Resorti i gjallë i Ksamilit është një shembull i qartë i Shqipërisë së re.

”Gjatë dekadave të diktaturës, një numër i vogël vullnetarësh dërgoheshin në Ksamil për të ngritur komunitete bujqësore”, shpjegon Dorina Dhima, një guidë e pavarur.

”Zona, megjithatë, mbetej e kufizuar, sepse njerëzit mund të arratiseshin duke notuar deri në Korfuz. S’kishte më shumë se katër pallate”, shton ajo.

Ajo epokë ka marrë fund prej kohësh. Unë shijova një drekë të qetë me oktapod (1 800 lekë, rreth 22 dollarë) me pamje nga uji kristal dhe ishujt e gjelbër në një ”beach bar” të quajtur “Freskia e Jonit”.

Por, vizitorët që preferojnë një pushim më të qetë mund të zgjedhin destinacionet bregdetare si Jala, Borshi apo Dhërmiu, një deri në dy orë më në veri.

Kur udhëtova në vitin 2023 në Dhërmi për festivalin e muzikës dhe mirëqenies “Kala”, mbeta e mahnitur nga bukuria natyrore e peizazhit dhe mikpritja lokale.

Rreth 20 minuta larg Ksamilit ose 30 minuta me traget nga Korfuzi (bileta një drejtim nga 14 deri në 33 dollarë), qyteti bregdetar i Sarandës ofron një atmosferë të ngjashme të qetë, plazhe publike, një shëtitore të gjallë që mbushet në mbrëmje me vendas të veshur bukur në xhiro, si dhe shumë mundësi për të ngrënë e pirë me fruta deti të shkëlqyera, si te ”Haxhi” dhe ”Marini”.

Qëndrova në “LaFe Boutique Hotel” në qendër të qytetit dhe kalova një mbrëmje të bukur duke parë familje dhe miq.

Çatitë e kuqe dhe domatet gjithë lëng

Shqipëria ka qenë prej kohësh një urë mes Lindjes dhe Perëndimit, Ballkanit dhe botës mesdhetare. Për shkak të shekujve të sundimit osman dhe pavarësisht dekadave të ateizmit zyrtar gati gjysma e popullsisë identifikohet si myslimane. Vendet historike të vendit pasqyrojnë këtë heterogjenitet historik.

Berati, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s rreth dy orë në jug të Tiranës, shtrihet përgjatë brigjeve të lumit Osum, me çatitë me tjegulla të kuqe të shtëpive që ngjiten në shpatet e buta të luginës, me qindra dritare që shohin jashtë si sy vigjilentë.

Kalaja e Beratit (hyrja falas), një kompleks i hapur mbi qytet, përfshin një kishë bizantine, rrënojat e një prej xhamive të para në Shqipëri dhe një lagje me shtëpi ende të banuara nga shekulli XVIII-XIX, disa prej të cilave janë bujtina.

Po ashtu, aty ndodhet muzeu ikonografik ”Onufri”, i cili ekspozon objekte fetare që datojnë që nga vitet 1300, përfshirë një ikonostas të gdhendur në dru të stolisur (biletë me audioudhëzues 500 lekë).

Kur e vizitova Beratin në fund të qershorit, qyteti ishte i heshtur deri në perëndim, kur rrugët papritur u mbushën me fëmijë me biçikleta, burra që luanin domino dhe shitës që ofronin kupa plastike të mbushura me rrush e qershi për rreth 100 lekë.

Bollëku i përbërësve të freskët e bënte ushqimin në Shqipëri një kënaqësi.

Në “Amalia Homemade Food” në Berat, bëra një duzinë fotosh të tryezës, e thjeshtë dhe e bukur. Sallata me domate ishte aq e lëngshme dhe e gjallë, sa ndjeva sikur kisha zbuluar një dije të humbur prej kohësh mbi shijen e vërtetë të domates.

Pjesa tjetër e menusë përfshinte djathë dhe perime të pjekura në enë balte; speca të mbushur me oriz e barishte; patëllxhan me hudhër, spec dhe domate; byrek me spinaq dhe djathë; dhe biftek vjenez, mish i mbushur me djathë (menu me 11 pjata për dy persona, 28 euro ose 32 dollarë).

Siç është tipike në Shqipëri, vakti u mbyll me një gotë raki, një pije e fortë alkoolike e bërë nga frutat e fermentuara, versione të së cilës janë të zakonshme në gjithë Ballkanin.

“Ata që janë mbi 40 vjeç e pinë pothuajse çdo ditë”, tha Andi Kallanxhi, punonjës i “Pupa Winery”, 20 minuta me makinë në juglindje të Beratit.

”Dy gota të mëdha në 5 ose 6 të mëngjesit, të shoqëruara me një cigare dhe kafe turke, dy teke rreth orës 10 ose 11, një tjetër pas punës me kafe, dhe pastaj edhe tre a katër të tjera pas punës me salcë kosi e hudhër”, shton ai.

Rakia “te Amalia”, e zbutur me kanellë, ishte një përzierje ngrohtë dhe e fortë për fytin dhe një fund i përsosur i darkës sime.

Do ta pija për mëngjes? Më pyesni kur të kem mbushur 40 vjeçe.

Vizita në një bunker të Luftës së Ftohtë

Ismail Kadare, fitues i çmimit ”Booker International”, e përshkruan qytetin e Gjirokastrës, rreth dy orë e gjysmë në jug të Beratit, si një “krijesë parahistorike që ngjitet si me grep në shpatin e malit”.

Gjirokastra më dukej më shumë si diçka nga një libër me përralla, shtëpitë e saj prej guri të zbukuruara me gdhendje të hollësishme druri dhe të grumbulluara rreth rrugëve me kalldrëm. Por, ai është një libër me figura me një anë të errët pasi, në qendër të qytetit ndodhet një tunel i Luftës së Ftohtë, një nga mijëra bunkerët që diktatori Enver Hoxha ndërtoi në të gjithë vendin gjatë mbretërimit të tij, nga viti 1944 deri në vitin 1985, nga frika e një sulmi të huaj.

Për t’u bashkuar me një tur prej 200 lekësh, shkoni në agjencinë turistike ”Experience Gjirokastra” në sheshin ”Çerçiz Topulli”.

Nëse ngjiteni përtej qendrës historike të Gjirokastrës, mund të vizitoni një kështjellë shekullore (hyrja 400 lekë), pjesë të së cilës u përdorën si burg, së fundmi gjatë regjimit të Hoxhës.

Qelitë e burgut dhe dhomat e torturave janë lënë kryesisht të paprekura dhe janë një muze magjepsës (200 lekë).

Tarifa shtesë e hyrjes përfshin hyrjen në Muzeun e Armëve si dhe në Muzeun e Gjirokastrës, i cili ofron një histori kompakte, por të plotë të rajonit.

Disa nga muzetë më të papritura dhe interesante në Gjirokastër janë shtëpi të epokës osmane.

Në shtëpinë e Skendulajve, Edlira Skenduli, një pasardhëse e familjes së pasur tregtare që ndërtoi shtëpinë më shumë se 300 vjet më parë, na udhëhoqi në një tur (300 lekë).

“Ka 64 dritare, 44 dyer, gjashtë banjo dhe katër hamame”, shpjegon ajo.

”Dhoma e sigurt e shtëpisë”, tha ajo, ”funksiononte si strehë për 70 persona gjatë Luftërave të Parë dhe të Dytë Botërore. Pikat kryesore të tjera përfshinin një frigorifer natyror, një hapësirë ​​nëntokësore të ftohur nga një cisternë ngjitur, dhe dhomën e dasmës, të dekoruar me dru shege, të pikturuara dhe të gdhendura, me një ballkon të mbrojtur të caktuar për gratë beqare që donin të shikonin ceremoninë”.

Ndërsa zbrisja shpatin nga kështjella drejt hotelit ”Rose Garden”, ku po qëndroja, mund ta shihja diellin duke filluar të perëndonte ngadalë pas maleve, duke lënë vija portokalli dhe rozë të pluhurosura mbi qytetin prej guri.

Një thirrje melodike për lutje mbushi luginën, duke më kujtuar edhe një herë pasurin kulturore të Shqipërisë.

Vendpushimet e zhurmshme të plazhit, në anën tjetër të maleve, dukeshin shekuj larg.

Të huajt, punëtorë në Shqipëri/ INSTAT: Në 2024, mbi gjysma e lejeqëndrimeve ishin për punë

By: xhir jeta
25 August 2025 at 15:17

Qytetarët e huaj nuk e preferojnë Shqipërinë vetëm për të pushuar por edhe për të punuar dhe jetuar.Të dhënat e instat konfirmojnë se vetëm gjatë vitit 2024 rezulton se janë rreth 22 mijë persona të cilët kanë marë leje qëndrimi për të qëndruar në Shqipëri.Arsyet kryerore të marjes së lejeve të qëndrimit rezulton për arsye punësimi.Sipas të dhënave të INSTAT gjatë vitit 2024 në më shumë se gjysma ose mbi 54 % kanë ardhur në Shqipëri për arsye punësimi ose rreth 12 mijë shtetas.Shumë biznese kohët e fundit kanë marë staf të huaj për të punësuar .

Në vend të dytë renditet bashkimi familjar por nuk mungojnë edhe lejet e qëndrimit të mara për të studiuar në Shqipëri.Sipas Instat grupmosha 30–39 vjeç mban peshën kryesore ndërsa sipas gjinisë mbizotërojnë meshkujt.

Gjatë vitit të kaluar ka pasur gjithashtu rritje edhe të numrit të aplikimeve për leje qëndrimi me rreth 6 %, krahasuar me vitin paraardhës. Shtetasit nga India dhe Italia përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të aplikimeve, me 28,8 % të totalit.

Një e dhënë interesante është edhe ulja e ndjeshme e numrit të të huajve të parregullt në territorin shqiptar. Gjatë vitit 2024 u identifikuan 1,540 raste të tilla, shumë më pak se në vitin 2023.

Ndërkohë që shtetasit e huaj që jetojnë aktualisht në Shqipëri, numrin më të madh e përbëjnë ata nga Kosova, Italia dhe Turqia./abcnews.al

“Djali erdhi për pushime, mori plumba”/ Babai i të plagosurit, Liridon Rata: E qëlluan pa shkak, duam drejtësi

By: xhir jeta
25 August 2025 at 15:13

Ishte kthyer në Shqipëri për të pushuar nga Vjena e Austrisë, Liridon Rata, mori dy plumba për një vend parkimi në Hamallaj të Durrësit.

Babai i 28 vjeçarit, Besnik Rata ka reaguar për Abc Neës, duke kërkuar drejtësi për të birin, që autorët e ngjarjes të marrin dënimin maksimal.

“Quhem Besnik Rata nga Kukësi në fshatin Kolesjan. Kam djalin të shtruar këtu te spitali. E kam të plagosur me 2-3 plumba. Djali ka ardhur nga Austria, me dokumenta të plota. Sa ka shkuar në plazh të Durrësit, është përballur me plumbat e kriminelëve. Unë e kam marr vesh nga televizionet ngjarjen, prandaj kërkoj drejtësi të ndiqet hap pas hapi, sipas ligjit të merituar për këtë krim. Ju bëj thirrje shtetit, policisë, dhe medias.”

28 vjeçari, prej 4 ditësh ndodhet në gjendje stabël në Spitalin e Truamës, me plagë në brinjë e kraharor.

“Djali ka reagu, ka dëmtime shumë. Plumbin e ka në trup. E ka përshkru nga mushkria, në brinjtë dhe ka përfunduar te krahu. Plumbi kuptohet që ka bërë dëmet e veta.”

Ngjarja u shënua pasditen e të mërkurës në fshatin Hamallaj, në zonën e bregut të detit, dhe shkak i sherrit ka qenë parkimi i automjetit të 28 vjeçarit përpara zonës së plazhit.

“Si sherr, kanë lënë makinë. Dhe janë larguar. Kur kanë tentuar me ik, u kanë thënë me largu makinën. Ata kanë dal vetë i treti me hunjë. Djali ka qenë me një kushëri dhe familjen e tij. Djali ka pranuar, ata kanë lokalet, shazlonet aty.”

I plagosuri dhe autori ishin përfshirë në konfliktin banal prej disa ditësh, pasi 28 vjeçari parkonte automjetin e tij përpara lokalit të 44 vjeçarit Altin Lekgegaj. Fillimisht ata kanë debatuar me fjalë, dhe më pas sherri agravoi në përdorimin e armës së zjarrit. Altin Lekgegaj qëlloi ndaj të riut, duke e lënë të plagosur.

Pas krimit, ai u largua menjëherë për t’i shpëtuar prangave, por arratia nuk zgjati më shumë se pesë orë, pasi u arrestua nga efektivët e policisë së Durrësit.

Altin Lekgegaj nuk rezulton me precedent të mëparshëm penal. Familja e tij është vendosur në Hamallaj të Durrësit pas viteve ’90 pasi u larguan nga Mirdita. Ata ushtronin aktivitetin e tyre në biznes me parkim dhe shezlongë pranë plazhit.

Edhe 28 vjeçari i plagosur nuk rezulton i skeduar. Liridon Rata nga Kolesjani i Kukesit ndodhej në Hamallaj për të pushuar me familjen e tij.

Altin Lekgega akuzohet per vrasje me dashje mbetur ne tentative dhe armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, në lidhje më këtë ngjarje policia e Durrësit ka shpallur në kërkim vëllain dhe nipin e autorit Alfons dhe Serxhio Lekgegaj./abcnews.al

Real “fluturon” me Mbappe/ Dy gola nga sulmuesi francez, madrilenët mundën 0-3 Oviedo

By: xhir jeta
25 August 2025 at 13:38

Kishte nevojë vetëm për pak kohë. Por tani që Real Madrid ka hyrë në mekanizmat e reja të Xabi Alonso është bërë me të vërtetë I frikshëm.

Pas nisjes me fitore në sezonin e ri të La Liga, “los blamcos” u konfirmuan me një tjetër sukses, këtë herë 3-0 në fushën e Real Oviedo.

Edhe një herë protagonist ishte Kylian Mbappe, i cili duket se është kthyer në liderin e skuadrës madrilene.

Dy gola për sulmuesin francez, duke nisur nga ai që I dha epërsinë Real në minutën e 37-të dhe vendosi fatin e pjesës së parë.

Pas pushimit, ekipi drejtuar nga Xabi Alonso vijoi dominimin e tij me lojë dhe raste. Por goli i dytë dhe i qetësisë do të vinte vonë.Vetëm në minutën e 83-të, Kilian Mbappe gjeti sërish rrugën e rrjetës, duke dyfishuar avantazhin e miqve.

Edhe Vinicius Junior kurorëzoi mbrëmjen e tij pozitive. Sulmuesi brazilian shënoi golin e tretë në shtesë, duke vulosur përfundimisht fitoren e Real Madrid, që nga distanca I përgjigjet rivalëve të përjetshëm të Barcelonës në atë që pritet të jetë sërish një garë dyshe për titullin kampion në La Liga./abcnews.al

Juventus e nis si ‘Zonjë’/ Parma reziston vetëm një pjesë, gola nga David e Vlahoviç

By: xhir jeta
25 August 2025 at 13:36

Sukses shumë i mirë, por qetësi të plotë nuk ka. Juventusi e nisi siç duhet vitin e ri të Serisë A, duke mundur Parmën 2-0, veçse njëri nga heronjtë edhe mund të largohet.

Sulmuesi i ri, Zhonatan David i ardhur nga Lila e Francës, debutoi me gol, ashtu si yjet e dikurshëm ofensivë si Vieri, Inzagi, Ibrahimoviç, Dibala apo Higuain. Madje, ashtu si dy sulmuesit që janë sot në ekip, Kolo Muani e Dushan Vlahoviç, por që njëri prej tyre mund të largohet.

Francezi nuk ishte as në stol, ndërsa futbollisti i Serbisë u detyrua ta niste nga stoli. David shënoi për 1-0 në minutën e 59-të, pasi Parma rezistoi gati një orë me mbrojtjen e betonuar në stadiumin “Alianc”.

Vlahoviçit iu deshën vetëm 4 minuta në fushë për të tundur rrjetën, madje e bëri në një moment shumë të vështirë.

“Zonja e Vjetër” kishte mbetur me 10 lojtarë pasi Kambiazo mori të kuq direkt në 83’, veçse pa kaluar 60 sekonda Dushani shënoi.

Për gazetën e Torinos, “Tutosport”, kjo ishte dita “D”: Jildiz krijon, David godet, Dushan mbyll gjithçka! Juventusin e kemi! Vlahoviç nga vërshëllimat te brohoritjet!”

“Goditje prej Juventusi, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – Vendosin David e I rigjeturi Vlahovic! Tudor: I kënaqur nga Dushani, por vendos klubi!”

Trajneri Tudor ishte I kënaqur, por edhe hermetik.

“Jam i kënaqur për fitoren, edhe sepse ishte ndeshja e parë dhe mund të kishte të papritura. Nuk e njihnim mirë kundërshtarin, dhe patëm tension mes lojtarëve para ndeshjes. Kjo është normale. Parma e luajti ndeshjen me “katenaçon” e kohëve të vjetra dhe me kundërsulm. Patëm durim, ndaj fituam. Jam I lumtur me sulmuesit e mi. David e ka golin në gjak, dhe lëviz shumë mirë në zonën e rreptësisë. Koló është rritur. Vlahoviç luajti mirë, ka mentalitetin e duhur, dhe shënoi një gol të madh. Nuk dua t’iu them se cili prej tyre duhet të rrijë apo të largohet. Mendimin tim ia kam thënë klubit”.

Nisje e mirë për Juventusin, duke iu përgjigjur Napolit, e duke mos bërë figurë të keqe si Milani, që mund të jetë destinacioni për Vlahoviçin.  Të shohim nëse rekordmenët e titujve mund të pretendojnë për “skudeton”./abcnews.al

Asani debuton si titullar/ Trajneri Sa Pinto e përfshin menjëherë në skuadrën e tij

By: xhir jeta
25 August 2025 at 13:33

Nuk ka nevojë të tregojë se cili është. Jasir Asani njihet mirë në kontinentin më të madh të botës për heroizmat e tij me skuadrën koreanojugore, Kuangju, dhe trajneri I ekipit të tij të ri, Esteglal, ka vendosur ta përfshijë menjëherë në skuadër.

Siç njoftojnë mediat në Iran, tekniku portugez Sa Pinto, do ta ketë shqiptarin në listën prej 18 lojtarësh për ndeshjen e kësaj të marte ndaj rivalit Zob Ahan në Ligën Profesioniste iraniane të futbollit.

Bashkë me të, në listë do të jetë edhe lojtari tjetër I prezantuar të shtunën, Musa Genpo, ndonëse mes të dyve ekziston një dallim.

Pas seancës së parë stërvitore, Sa Pinto kuptoi se Asani e Genpo janë në formën e duhur, veçse vetëm për yllin kuqezi ai duket se ka vendosur që ta ketë titullar.

Asani u bashkua me skuadrën më të njohur të Iranit dhe nënshkroi një kontratë dyvjeçare.

Besohet se për të u paguan 1 milionë euro, padyshim më pak sesa vlera reale e kartonit, dhe kjo sepse kontrata e tij në Kuangju përfundonte në dhjetor të këtij viti.

Lojtari I kombëtares shqiptare shpreson që të ketë sukses në një skuadër me kaq shumë emër, që ka fituar 9 tituj kampion, dy Champions të Azisë dhe që fitoi pak ditë më parë Kupën e Iranit.

Asani shkëlqeu fort në Korenë e Jugut, duke shënuar 9 gola në 10 ndeshje në Championsin e Azisë këtë sezon, duke qenë Këpucë e Argjendit e duke arritur çerekfinalen, ndërsa në ligën koreanojugore këtë edicion pati 8 gola e 2 asistë në 22 ndeshje./abcnews.al

Antisemitizmi, përplasje Francë-SHBA/ Parisi thërret ambasadorin Kushner pas letrës së tij drejtuar Macron

By: xhir jeta
25 August 2025 at 13:31

Franca ka thirrur për sqarime ambasadorin amerikan në Paris,  Charles Kushner, pasi ky i fundit publikoi një letër të hapur drejtuar presidentit Emmanuel Macron ku akuzon qeverinë franceze se nuk ka bërë mjaftueshëm për të frenuar dhunën kundër hebrenjëve. Në letrën e botuar në Wall Street Journal, Kushner, i cili është hebre dhe babai i Jared Kushnerit – bashkëshorti i Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan Donald Trump – shkruan se antisemitizmi në Francë është rritur ndjeshëm që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

“Çdo ditë në Francë ndodhin sulme ndaj hebrenjve në rrugë, shkollat dhe sinagogat dhunohen, ndërsa bizneset e hebrenjeve vandalizohen,” shkruan ai, duke i kërkuar Macronit zbatim më të ashpër të ligjeve kundër krimeve të urrejtjes dhe ndalimin e deklaratave që, sipas tij, nxisin antisemitizëm.

Kushner kritikoi gjithashtu qëndrimin e Parisit për njohjen e një shteti palestinez, duke thënë se deklaratat e tilla “i japin zemër ekstremistëve, ushqejnë dhunën dhe rrezikojnë jetën e hebrenjve në Francë”.

Ministria e Jashtme franceze reagoi menjëherë, duke i cilësuar akuzat si “të papranueshme” dhe theksoi se ambasadori do të paraqitet për të dhënë sqarime mbi komentetet e tij. “Franca i refuzon me vendosmëri këto pretendime. Ambasadorët nuk lejohen të ndërhyjnë në çështjet e brendshme të një vendi pritës, siç përcakton Konventa e Vjenës e vitit 1961,” thuhet në deklaratën e Parisit zyrtar.

Letra e Kushner vjen disa ditë pas një komunikimi të ngjashëm të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu drejtuar Macronit, ku Kreu I Qeverise Izraelite  akuzonte presidentin francez se po ushqente antisemitizmin me mbështetjen për njohjen e Palestinës.

Franca, që ka komunitetin më të madh hebre në Europën Perëndimore – rreth gjysmë milioni persona – por edhe një komunitet të madh mysliman, ka raportuar rritje të ndjeshme të incidenteve të urrejtjes që nga fillimi i luftës Izrael–Hamas.

Macron, i cili ka dënuar hapur antisemitizmin, ka paralajmëruar se Franca do të njohë zyrtarisht shtetin palestinez gjatë një mbledhjeje të OKB-së në shtator, duke iu bashkuar mbi 147 vendeve që e kanë ndërmarrë ose shpallur një hap të tillë./abcnews.al

Plan për lirimin e pengjeve/ Shefi i ushtrisë izraelite: E kemi gati, vendos Netanyahu

By: xhir jeta
25 August 2025 at 13:28

Shefi i Shtabit të Ushtrisë Izraelite, gjenerali Eyal Zamir ka deklaruar këtë të hënë  se ekziston një marrëveshje konkrete për lirimin e pengjeve që mbahen ende në Gaza, marrëveshje kjo që duhet të shqyrtohet nga Kabineti i Sigurisë Izraelite. Zamir është shprehur sipas asaj që shkruajnë mediat Izraelite se ushtria e vendit ka krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për zbatimin e kësaj marrëveshje, por vendimi final mbetet në dorën e Kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Kabineti I Sigurisë Izraelite pritet të mblidhet të martën për të marrë një vendim final mbi një marrëveshje armëpushimi që u pranua nga Hamas javën e Shkuar.

Marrëveshja është hartuar nga ndërmjetësuesit e Egjipit dhe Katarit bazuar në një draft të të dërguarit amerikan për Lindjen e Mesme Steve  Witkoff. Ajo parashikon një armëpushim 60 ditor, lirimin në dy faza të rreth gjysmës së pengjeve dhe vazhdimin e negociatave për ti dhënë fund luftës përfundimisht në Lindjen e Mesme. Hamas mban aktualisht 50 pengje ende në gaza, por sipas inteligjencës së Tel Avivit vetëm 20 prej tyre besohet se janë gjallë ende.

Mediat Izraelite shkruajnë se Kryeministri Benjamin Netanyahu vijon të jetë kundër një marrëveshje të ndarë në disa faza, pasi kreu I qeverisë kërkon që të ketë lirim të të gjitha pengjeve njëherazi nga Hamas. Dicka e tillë ka sjellë përplasje brenda qeverisë izraelite. Shefi i Shtabit të Ushtrisë Izraelite, gjenerali Eyal Zamir ka paralajmëruar më herët se pushtimi i plotë I qytetit të Gazës, një vendim i miratuar nga qeveria Izraelite mund të rrezijojë seriozisht jetën e pengjeve të mbetura Gjallë si dhe mund të sjellë një katastrofë për forcat ushtarake të vendit për shkak se lufta do të zgjaste.

Familjarët e pengjeve të cilat kanë protestuar kundër Netanyahut dhe kërkojnë marrëveshje të menjëhershme  ka mbështetur planoin e Shefit të Shtabit të Ushtrisë izraelite, duke e konsideruar atë si një shpresë për rikthimin e familjarëve të tyre./abcnews.al

Kolegji Zgjedhor rrëzon Lapajn/ Lë në fuqi vendimin e KAS, mandati i ‘Shqipëria Bëhet’ për Ana Dajko

By: xhir jeta
25 August 2025 at 11:53

Adriatik Lapaj përfundimisht mbetet jashtë Kuvendit, në legjislaturën e re që pritet të nisë në shtator. Kolegji Zgjedhor i mbledhur këtë të hënë, i dha fund sagës së Lapajt për të marrë mandatin e deputetit.

Kolegji Zgjedhor la në fuqi vendimin e KAS, sipas të cilit mandatin e merr Ana Dajko, e renditur e para në listën e mbyllur të “Shqipëria Behet”.

Në argumentin e kësaj trupe edhe nëse bëhet transferimi i mandatit, në të gjitha rastet duhet të kalojë në dorën e një zonje, pasi Kodi Elektoral përcakton qartë se një grua nuk mund të zëvendësohet me një burrë.

Ana Dajko, 60-vjeçarja nga Saranda u kandidua nga djali i saj, anëtar i kryesisë së “Shqipëria Bëhet”, ndërsa njihet edhe si tezja e Lapajt. Nëse ajo nuk e pranon mandatin e dyta në listë është partnerja e Endri Shabanit.

Në zgjedhjet e 11 majit, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, për të shmangur listat e mbyllura vendosën në to familjarë dhe të afërm, të cilët do të jepnin dorëheqjen dhe mandati do t’i kalonte me të votuarit mes tyre./abcnews.al

Before yesterdayMain stream

Trump: Nuk ka marrëveshje, por është arritur përparim pas bisedimeve me Putin për Ukrainën

By: xhir jeta
16 August 2025 at 01:38

Trump dhe Putin folën krah për krah në konferencë për rreth 10 minuta. Të dy treguan se ishte bërë përparim gjatë bisedimeve të tyre private, por ato përfunduan pa një marrëveshje të fortë.

Ja pikat kryesore të deklaratave të tyre sipas BBC:

Putin thotë se është “sinqerisht i interesuar” për t’i dhënë fund konfliktit, të cilin e përshkroi si një “tragjedi”.

Por ai thotë se Rusia duhet të eliminojë “shkaqet kryesore” të konfliktit – dhe paralajmëron Ukrainën dhe Evropën se nuk duhet të “sabotojnë” bisedimet.
Putin e përshkruan takimin si një “pikënisje për zgjidhjen” e konfliktit.

Ai e përshkruan marrëdhënien e tij me Trump si “të ngjashme me biznesin” – dhe pajtohet me pretendimin e përsëritur të presidentit amerikan se lufta nuk do të kishte filluar nëse ai do të kishte mbetur në detyrë pas zgjedhjeve të vitit 2020.

Trump thotë se ka ende pika mosmarrëveshjeje dhe “nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje” – duke shtuar “nuk arritëm atje” pavarësisht progresit.

Ai thotë se “u ra dakord për shumë pika”, por “disa” mbeten, duke shtuar se “një është më e rëndësishmja” pa specifikuar se si.

Ai thotë se do t’i njoftojë Zelesnky dhe udhëheqësit evropianë së shpejti – dhe “në fund të fundit varet prej tyre”.

Trump përfundon duke thënë se “ndoshta” do ta shohë përsëri udhëheqësin rus së shpejti

Putin përgjigjet: “Herën tjetër në Moskë”.

‘Nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje”, Trump: Takimi me Putin produktiv

By: xhir jeta
16 August 2025 at 01:28

Presidenti Donald Trump tha se ai dhe Presidenti rus Vladimir Putin “bënë disa përparime” dhe “përparim të madh” në takimin e tyre dypalësh.

Megjithatë, shtoi ai, “nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje”.

“Do të telefonoj NATO-n pas pak. Do të telefonoj njerëzit e ndryshëm që mendoj se janë të përshtatshëm. Dhe, sigurisht, do të telefonoj Presidentin Zelensky dhe do t’i tregoj për takimin e sotëm. Në fund të fundit, varet prej tyre”, tha Trump.

“Patëm një takim jashtëzakonisht produktiv dhe u ra dakord për shumë pika”, por Trump tha, “Nuk arritëm atje, por kemi një shans shumë të mirë për të arritur atje.

“Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie fantastike me Presidentin Putin.”, thotë Trump.

Ai e quan takimin e tyre “jashtëzakonisht produktiv”, por shton se disa gjëra ende nuk janë vendosur.
Por ne kemi një “shans shumë të mirë” për përparim të mëtejshëm, thotë ai.

Trump dhe Putin nuk pranuan pyetje në konferencën për shtyp pas deklaratave të tyre.

Presidenti Putin nuk dha komente dhe foli për rreth tetë minuta. Në krahasim, Trump, i cili nuk është zakonisht i shkurtër në fjalime, foli vetëm për rreth tre minuta.

‘Ukraina çështja qendrore’, Putin në konferencë me Trump: Për zgjidhje afatgjatë duhet…

By: xhir jeta
16 August 2025 at 01:19

‘Çështja qendrore e diskutimit me Presidentin Trump ishte konflikti në Ukrainë’, thotë Putin.

Ai shton se për të bërë një “zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë, ne duhet të eliminojmë shkaqet kryesore të konfliktit”, pa dhënë detaje se çfarë nënkupton.

Putin dhe Trump ndodhen ne një konferencë për mediat, pas një takimi dypalësh që zgjati për rreth 3 orë në Alaskë.

‘SHBA dhe Rusia janë fqinjë të ngushtë’, Putin zbulon çfarë i tha Trump gjatë shtrëngimit të duarve

By: xhir jeta
16 August 2025 at 01:10

Putin thotë se si SHBA-ja ashtu edhe Rusia, “edhe pse të ndara nga oqeanet, janë fqinjë të ngushtë”.

“Ata janë vetëm 4 km larg njëri-tjetrit. Ne jemi fqinjë të ngushtë dhe ky është një fakt”, vazhdon ai.

Për këtë arsye, ai i tha Trumpit “përshëndetje, fqinj”, kur ata shtrënguan duart në pistë më herët sot, thotë Putin.
Putin vazhdon të përshkruajë historinë e Alaskës, e cila ishte pjesë e territorit të Rusisë përpara se t’i shitej SHBA-së në mesin e viteve 1800.

Ai vëren praninë e kishave ortodokse ruse në shtetin amerikan, duke u thënë gazetarëve: “Jam i sigurt se kjo trashëgimi do të na ndihmojë të rindërtojmë dhe të nxisim lidhje të ndërsjella të dobishme dhe të barabarta”.
Ai vëren se nuk ka pasur samite midis dy vendeve për disa vite dhe thotë se marrëdhëniet dypalëshe kishin “rënë në pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë”.
Ai thotë se ishte koha për të kaluar nga konfrontimi në dialog dhe e quan takimin “të vonuar prej kohësh”.
Ai thotë se ai dhe Trump kanë pasur një numër telefonatash “të sinqerta” dhe vëren se i dërguari special i Trump, Steve Witkoff, gjithashtu e ka mbajtur dialogun në vazhdim.

Pas tre orësh takim, Trump dhe Putin në konferencë, çfarë shkaktoi të qeshurat në sallë

By: xhir jeta
16 August 2025 at 01:04

Donald Trump dhe Vladimir Putin kanë në konferencë së bashku pasi zhvilluan rreth tre orë bisedime me dyer të mbyllura.

Kjo konferencë e përbashkët për shtyp po zhvillohet rreth gjysmë ore më herët nga sa pritej.

Ata po flasin në podiume që mbajnë vulën presidenciale të SHBA-së, me një sfond ku shkruhej “në ndjekje të paqes”. Flamujt rusë dhe amerikanë janë të pozicionuar krah për krah.
Trump i bën shenjë Putinit, duke i lejuar atij të flasë i pari, ç’ ka u shoqërua me të qeshura në sallë.

Zgjati rreth 3 orë/ Përfundon takimi Trump – Putin në Alaskë

By: xhir jeta
16 August 2025 at 00:48

Ka përfunduar takimi nes presidentit të SHBA, Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin në Alaskë, takim i cili zgjati për rreth tre orë.

Referuar burimeve nga Kremlini, BBC shkruan se Kremlini konfirmoi se kishin përfunduar vetëm pak kohë më parë.
I dërguari rus Kirill Dmitriev i thotë agjencisë së lajmeve Interfax se takimi Trump-Putin kishte shkuar “jashtëzakonisht mirë”.
Në imazhet e shpërndara në Telegram nga media të tjera ruse, Dmitriev shihet gjithashtu duke buzëqeshur gjerësisht dhe duke u ulur në sallën e konferencës për shtyp.
I pyetur për më shumë detaje, ai i shmanget pyetjeve, por i thotë një korrespondent për median Rossiya 24: “Vetëm për një sekondë do të mësojmë gjithçka rreth kësaj.”

Të dy udhëheqësit përshëndetën njëri-tjetrin me një shtrëngim duarsh pasi zbresin nga aeroplanët e tyre në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson në Anchorage të Alaskës.

Trump, i buzëqeshur e duartrokiti presidentin rus ndërsa ky i afrohej në qilimin e kuq.

Shkëlqim Devolli dhe Richard Grenell diskutojnë bashkëpunimin ekonomik dhe marrëdhëniet aktuale SHBA-Kosovë

By: xhir jeta
8 August 2025 at 15:35

Gjatë qëndrimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Richard Grenell, Emisari për Misione të Veçanta i Presidentit Amerikan Donald Trump, ka zhvilluar një takim me Shkëlqim Devollin, aksionarin e Devolli Corporation.

Ata u përqendruan në disa çështje me rëndësi strategjike. Në qendër të bisedimeve ishin mundësitë për të nxitur rritjen ekonomike në Kosovë përmes investimeve të huaja, bashkëpunimit tregtar dhe iniciativave që forcojnë sektorin privat.

Sipërmarrësi Devolli ndau vizionin e Devolli Corporation për zgjerimin e aktiviteteve të saj dhe kontributin në zhvillimin ekonomik të vendit. Ai theksoi rëndësinë e krijimit të një mjedisi të favorshëm për bizneset, si dhe nevojën për mbështetje ndërkombëtare për të përshpejtuar rritjen e sektorëve strategjikë për vendin.

Nga ana e tij, emisari Grenell rikonfirmoi angazhimin e administratës Trump 2 për të mbështetur Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Ai theksoi se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të promovuar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon përmes bashkëpunimit ekonomik dhe dialogut politik. Grenell theksoi rolin e rëndësishëm të sektorit privat në Kosovë, duke e konsideruar atë si një motor kryesor për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Palët ranë dakord të vazhdojnë dialogun dhe të eksplorojnë rrugë konkrete për të realizuar projekte të përbashkëta që do të sjellin përfitime të qëndrueshme për ekonominë e Kosovës dhe forcimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë.

“Berlini” mblidhet në Londër/ Samiti i rradhës i “procesit të Berlinit” mbahet në 22 tetor

By: xhir jeta
8 August 2025 at 14:54

Mbretëria e Bashkuar është mikpritësja e samitit të rradhës së procesit të Berlinit. Kështjella historike Hillsborough në Irlandën e Veriut do të bëjë bashkë ministrat e jashtem të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Bashkimit Europian, të mërkurën e 8 tetorit. Takim ky që i paraprin samitit të lidërve, i cili do të mbahet në Londër me 22 tetor

Sekretari i Jashtëm, David Lammy do të udhëheqë bisedimet që synojnë promovimin e paqes dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor.

Në një deklaratë të qeverisë angleze thuhet se fokusi do të jetë tek bashkëpunimi dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, duke ndalur edhe tek cështjet e pazgjidhura të rajonit.

“Duke shfrytëzuar përvojën e Irlandës së Veriut, shpresojmë të mbështesim partnerët në Ballkanin Perëndimor për të kapërcyer sfidat e së kaluarës përmes pajtimit domethënës dhe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe të begatë. Si pjesë e Planit për Ndryshim, kjo qeveri është e përkushtuar të forcojë partneritetet me Evropën, duke siguruar themele të forta të stabilitetit ekonomik, kufijve të sigurt dhe sigurisë kombëtar.” 

Pjese bisedimeve do të jetë edhe forcimi i sigurisë kolektive të Europës, lufta kundër krimit të organizuar dhe bandave të trafikimit të njerëzve.

Nga zgjedhjet e vitit të kaluar, Britania e Madhe ka shtuar angazhimin dhe bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke zgjeruar Task Forcën e Përbashkët të Migracionit me Shqipërinë dhe Kosovën për të përfshirë dhe Maqedoninë e Veriut.  Ndërsa pak javë më parë njoftoi regjimin e parë në botë të sanksioneve që synon migracionin e parregullt dhe kriminelët e trafikimit – përfshirë ata nga Ballkani Perëndimor.

Takimi i ministrave të Jashtëm është pjesë e kryesimit nga Mbretëria e Bashkuar të Procesit të Berlinit në vitin 2025: forumi kryesor ndërkombëtar, i iniciuar nga Gjermania, dhe që bën bashkë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku me vendet partnere europiane për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor./

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vendos rekord të ri: 50,892 pasagjerë dhe 298 fluturime në një ditë të vetme

By: xhir jeta
8 August 2025 at 13:11

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) shpall me krenari një arritje historike. Më 4 gusht 2025, aeroporti regjistroi ditën më të ngarkuar ndonjëherë, duke përpunuar 50,892 pasagjerë dhe duke menaxhuar 298 lëvizje avionësh.

Kjo shifër tejkalon rekordin e mëparshëm të vendosur më 16 gusht 2024, kur TIA kishte pritur 44,885 pasagjerë dhe kishte operuar 251 fluturime, duke shënuar një rritje të ndjeshme si në numrin e udhëtarëve, ashtu edhe në lëvizjet ajrore, krahasuar me një vit më parë.

Korrik 2025 – Rritje e qëndrueshme për 43 muaj radhazi

Performanca e TIA-s është rezultat i një tendence të qëndrueshme rritjeje gjatë katër viteve të fundit. Pas gati 3 milionë pasagjerësh në vitin 2021, aeroporti pothuajse e dyfishoi trafikun në vitin 2022, duke arritur në mbi 5 milionë udhëtarë. Rritja vazhdoi në vitin 2023 me mbi 7 milionë pasagjerë, dhe u përshpejtua ndjeshëm në vitin 2024, kur për herë të parë TIA kaloi 10 milionë pasagjerë, duke vendosur një rekord të ri ndërkombëtar.

Muaji korrik 2025 shënoi një tjetër arritje, me 1,286,707 pasagjerë që udhëtuan nga dhe drejt destinacioneve ndërkombëtare përmes TIA-s, një rritje prej 9% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024. Edhe numri i fluturimeve u rrit me 5% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.

Destinacionet më të preferuara mbeten Milano, Londra, Bolonja, Treviso dhe Vjena.
Në 7 muajt e parë të vitit 2025, numri total i pasagjerëve që kaluan nëpër TIA arriti në 6.4 milionë, duke shënuar një rritje prej 8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Zgjerimi i rrjeteve ajrore në vitin 2025

Ky ritëm i lartë rritjeje është mbështetur nga zgjerimi i linjave ajrore dhe hapja e destinacioneve të reja. Gjatë vitit 2025, TIA ka shtuar një sërë destinacionesh kyçe në Evropë, përfshirë Lisbonën, Nantes, Bordeaux, Talinin, Vilniusin dhe Tel Avivin, ndërsa pas verës pritet të fillojnë edhe linjat e reja drejt Malagas, Larnakës dhe Valletës.

Dixhitalizimi – Për një të ardhme më të mirë

Me qëllim përmirësimin e përvojës së udhëtarëve, TIA po investon në infrastrukturë dhe zgjidhje dixhitale moderne, duke përfshirë:

  • Porta elektronike kufitare për përpunim më të shpejtë të kontrolleve të pasaportave
  • Skanerë të avancuar të sigurisë, që shkurtojnë kohën e kontrollit dhe përmirësojnë efikasitetin
  • Zgjerim i hapësirave të parkimit (tashmë me 1,900 vende) me një strukturë të re shumëkatëshe tërësisht funksionale
  • Bordimi me karta dixhitale, që u mundëson pasagjerëve të shmangin radhët për check-in në sportele

TIA shpreh falënderimet e saj më të sinqerta për të gjithë pasagjerët, linjat ajrore dhe stafin e përkushtuar, që e kanë bërë të mundur këtë arritje historike.

Rreth Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” është porta kryesore ajrore e Shqipërisë, që lidh vendin me mbi 90 destinacione në Evropë dhe më gjerë. Përmes investimeve të vazhdueshme dhe inovacionit, TIA po udhëheq zhvillimin e udhëtimeve ajrore në Shqipëri dhe po pozicionohet si një ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon.

Kosovë, Kushtetuesja: Kuvendi të zgjedhë kreun e ri me votim të hapur. Kandidati mund të votohet deri në 3 herë

By: xhir jeta
8 August 2025 at 13:06

Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur. Konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka propozuar vetëm Albulena Haxhiun për postin e të parës së Kuvendit, teksa edhe pas aktgjykimit paraprak të Kushtetueses, kishte argumentuar se ajo mund të zgjidhej përmes votimit të fshehtë.

Në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht, Kushtetuesja tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të “ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në tre herë për kandidatin/en e njëjtë”.

Po ashtu ka urdhëruar që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të gjithë deputetët e zgjedhur të pranishëm dhe të votojnë.

Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kishin shpërfillur një vendim të Kushtetueses, e cila u dha afat deri më 26 qershor të konstituonin organin ligjvënës. Pas kësaj, Gjykata vendosi masë të përkohshme, deri në shqyrtimin e lëndëve të dërguara nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, lëndë për të cilat shpalli aktvendimin të premten, më 8 gusht.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.

Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.

Kjo formë e votimit u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

Gjatë seancave para 1 majit – kur votimi ishte i hapur – e propozuara e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime nuk kishte arritur që të merrte 61 votat e nevojshme.

Haxhiu është cilësuar nga PDK-ja dhe AAK-ja si “figurë përçarëse”, ndërkaq LDK-ja ka deklaruar se nuk voton për asnjë kandidat të LVV-së për postin e kryetarit të Kuvendit./rel

E mbijetuara e dhunës në protestë/ Vasfije Krasniqi: Kam dalë për t’i mbrojtur vlerat tona, jam krenare me UÇK-në

By: xhir jeta
7 August 2025 at 16:51

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, i është bashkuar protestës kundër padrejtësive ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë.

Në një prononcim për gazetaren e Klan Kosovës, Krasniqi tha se në protestë ka dalë për t’i mbrojtur vlerat kolektive, teksa protestën e cilësoi si pak të vonshme.

“Sot kam dalë këtu për t’i mbrojtur vlerat tona kolektive. Është pak me vonesë, por shpresoj që të jetë protestë e fortë për t’i mbështetur vlerat tona të UÇK-së”.

“Vlerësimi im për UÇK-në s’ka ndryshuar kurrë. Në vitin 1998 kur është betuar vëllai im për të luftuar për UÇK-në, është edhe ditën e sotme”, tha Krasniqi për Klan Kosova.

Tutje, ajo u shpreh krenare për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që e ka pasur Kosova dhe për ushtrinë që Kosova e ka në ditën e sotme.

❌
❌