MM: 27 vatra zjarri aktive, në Delvinë të angazhuar efektivë të FA dhe forca nga katër bashki
TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes dha sot informacion mbi situatën e zjarreve në vend.
Aktualisht në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 27 janë aktive dhe 7 po mbahen nën monitorim. Situata më problematike vijon të jetë në jug të vendit, me rrezik të lartë për zonat e mbrojtura, banesat dhe infrastrukturën.
Në qarkun Vlorë, bashkia Delvinë, zjarri i nisur në Finiq ka kaluar në territorin e Delvinës, duke rrezikuar edhe qytetin, pas fshatrave Pecë, Kranë, Krongj, Kardhikaq dhe Sirakat. Po vijon evakuimi i banorëve në zonat e rrezikuara. Në terren kanë operuar helikopteri i FA-së, 2 avionë grekë PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak. Bashkia Delvinë po hap breza mbrojtës me skrepa, ndërsa kërkohet mbështetje shtesë nga ajri për shkak të riskut të lartë.
Sipas njoftimit, për shkak të flakëve që po afrohen me qytetin, shumica e forcave të bashkive Sarandë, Gjirokastër, Konispol dhe Finiq, së bashku me Brigadën e Mbështetjes së Emergjencave Civile të Forcave të Armatosura, janë dislokuar në terren për të luftuar vatrat e rrezikshme të zjarrit dhe për të ndihmuar në evakuimin e banorëve. Nuk ka rrezik për banesat.
Po ashtu në Delvinë i pranishëm është dhe Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu. Ai po ndjek nga afër situatën.
Fshati Sevaster, Nj. A. Sevaster – Në terren ndodhet mjeti zjarrfikës i Selenicës me efektivët e tij. Flakët, të favorizuara nga era dhe terreni, po rrezikojnë disa banesa. Ka nisur evakuimi i banorëve.
Fshati Mesaplik, Nj. A. Brataj – Zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar banesa. Forcat zjarrfikëse të Vlorës po ndërhyjnë me mjete dhe efektivë, ndërkohë që po vijon evakuimi i banorëve.
Bashkia Dropull – Zjarri i ardhur nga Finiqi është shtrirë nga lartësitë mbi fshatin Goric deri në fshatin Dhuvjan (ish-reparti ushtarak i Leftokaresë). 20 forca të bashkisë Dropull po e mbajnë nën monitorim. Nuk ka rrezik për banesat.
Parku i “Rëzom” – Maja e “Lucës” – Vatra në sipërfaqe me shkurre e pyll vazhdon aktive. Terreni i thyer nuk lejon ndërhyrje me mjete, por AdZM do të kryejë ndërhyrje në orët e para të mëngjesit.
Lagjja “15 Tetori”, Vlorë – Vatër aktive në kodrën pas bashkisë. Në terren ndodhet 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë.
Rrethrrotullimi i Orikumit – Vatër aktive, ku po ndërhyhet me 1 mjet zjarrfikës dhe 3 efektivë.
Në qarkun Dibër në Ternovë, Zerqan – Bulqizë, zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Po punojnë forcat e MZSH-së, pyjores, bashkisë dhe kompanive minerare, si dhe 30 trupa FA.
Mali me Gropa, Biz – Martanesh – Vatër në zonë të mbrojtur, larg zonave të banuara. Monitorim nga AdZM dhe njësia vendore.
Fshati Luzni – Zjarri rrezikoi banesat, por forcat operacionale arritën ta vendosin nën kontroll.
Xibër Murriz – Klos – Vatër nën monitorim, pa rrezik.
Në qarkun Berat, fshati Rehovë – Poliçan – Riaktivizim me përmasa të mëdha, që po prek fshatrat Rehovë, Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik e Panarit, si dhe Rezervatin e Mbrojtur “Balloll”. Kërkohet ndërhyrje nga ajri.
Në fshatin Vokopolë u evakuuan banorët. Në vendngjarje janë edhe efektivë të FA dhe forca nga bashkitë përreth. Situata është kritike.
Fshati Mbrakull – Poliçan – Zjarri ka kaluar pranë ujësjellësit dhe qytetit. Po punojnë 35 forca FA, 65 forca MZSH, 15 forca bashkiake dhe mjetet zjarrfikëse të zonës.
Fshati Velçan – Sinjë – Vatër nën monitorim.
Fshati Orizaj – Qendër Skrapar – Zjarr në sipërfaqe me shkurre, po monitorohet.
Në qarkun Tiranë në Spanesh – Rrogozhinë, zjarri pranë banesave, është kryer evakuim i banorëve.
Ferraj dhe Zall-Herr – Tiranë – Forcat zjarrfikëse dhe APR po punojnë për izolimin.
Damjan dhe Isufaj – Vaqarr – Vatra e madhe po përparon drejt Pezë-Helmës. Po ndërhyhet me 20 forca zjarrfikëse dhe mjete.
Mali i Bërzhitës – Ibë – Vatra aktive, pa rrezik të menjëhershëm.
Në qarkun Gjirokastër në Hormovë – Tepelenë, zjarri rrezikon banesat, është kryer evakuimi i banorëve. Ndërsa të gjitha strukturat janë në terren.
Koshtan – Memaliaj. Zjarri ka përhapje të madhe. Banorët janë evakuuar, por 3 banesa janë përfshirë nga zjarri. Forcat zjarrfikëse me mjetin zjarrfikës si dhe forca vullnetare dhe Policia e Shtetit janë pozicionuar në sheshin e Teqesë dhe po punojnë për të ruajtur banesat e tjera.
Turan – Tepelenë – Janë djegur dy stalla bagëtish. Po punojnë forcat tokësore dhe ajrore.
Në qarku Elbasan në Kullollas – Gramsh, situatë e rënduar, është raportuar një humbje jete. Banorët janë evakuuar. Për shkak të flakëve janë bllokuar edhe disa rrugë që lidhin fshatrat. Në bashkinë Gramsh janë marrë masa për strehimin e banorëve të evakuuar.
Mukaj dhe Sojnik – Gramsh – Situatë problematike. Mbi 150 forca po punojnë për izolimin e zjarrit në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Është kërkuar ndërhyrja me 50 forca operacionale FA. Në terren janë edhe forcat zjarrfikëse të Elbasanit dhe Gramshit afër fshatit Snosëm e Sojnik, të shoqëruara edhe nga punonjës bashkiak e banorë të zonës.
Në qarkun Shkodër në Xath – Fushë-Arrëz, po ndërhyhet me mbi 170 forca dhe mjete. Falë ndërhyrjes së koordinuar, deri tani është bërë i mundur shpëtimi i banesave që ishin në rrezik në fshatrat Xhath dhe Flet. Aktualisht po punohet me intensitet të lartë për izolimin dhe shuarjen e vatrave në disa drejtime, megjithë terrenin e vështirë.
Baks–Rrjoll – Velipojë – Vatër në kallamishte, po punohet për shuarjen.
Qyteti i Pukës – Vatra në kontroll.
Ura e Shtrejtë – Postribë – Monitorim i vazhdueshëm.
Në qarkun Kukës në Gegaj – Tropojë, vatër e izoluar, pa rrezik për banesat.
Parku i Monellës – Kukës – Vatër nën monitorim.
Në qarkun Korçë në Gërmenj – Leskovik, zjarri në Parkun Natyror vijon aktiv, po monitorohet.
Në qarkun Fier në Gjonc-Selisht – Cakran, vatër e vendosur nën kontroll, monitorim.
Bashkia Lushnjë – Vatër e re, po ndërhyhet me forcat zjarrfikëse të Divjakës.
/gj.m/a.f/r.e/
The post MM: 27 vatra zjarri aktive, në Delvinë të angazhuar efektivë të FA dhe forca nga katër bashki appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.