Mbi 600 zjarre të raportuara javën e fundit në Kosovë, nëntë vatra aktive
PRISHTINË, 13 gusht/ATSH/- Agjencia për Menaxhim të Emergjencave (AME) ka njoftuar të mërkurën se gjatë javës së fundit janë raportuar 633 zjarre në gjithë territorin e Kosovës, ndërsa aktualisht nëntë vatra janë aktive.
Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se deri më sot janë arrestuar 23 persona për zjarrvënie të qëllimshme.
Në një konferencë për media, drejtori i AME-së, Genc Metaj tha se falë ndërhyrjes profesionale nga ekipet e tjera ndihmuese, përfshirë edhe KFOR-in, zjarret kanë arritur të lokalizohen.
Metaj tha se gjendja është e stabilizuar, por e brishtë për shkak të temperaturave të larta dhe zjarrvënieve të qëllimshme.
Drejtori i AME-së theksoi se sfidë mbetet ndërgjegjësimi i qytetarëve, prandaj çdo neglizhencë do të pasohet me dënime ligjore.
“Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 633 zjarre. Falë ndërhyrjes profesionale të zjarrfikësve, por edhe asistencë nga Policia e Kosovës dhe qytetarët, zjarret kanë arritur të lokalizohen. Kemi pasur ndërhyrje edhe të KFOR në Kçiq të Vogël dhe në Kamenicë. Momentalisht kemi nëntë vatra aktive dhe po punohet që edhe këto të shuhen plotësisht. Gjendja aktuale në vend është stabile, por e brishtë për shkak të temperaturave, thatësirave dhe zjarrvënieve të qëllimshme. Ndalohen të gjitha format e ndezjes së zjarreve në hapësira të hapurave të vendit çdo neglizhencë, qëllim apo pakujdesi do të trajtohet seriozisht dhe do të pasojë me dënime ligjore. Apelojmë tek qytetarët për kujdes maksimal dhe te angazhohen dhe të marrin veprimet e nevojshme parandaluese. Bashkëpunimi ndërinstitucional është në nivel të duhur, por sfidë mbetet vetëdijësimi i qytetarëve”, tha Metaj.
Ndërsa, drejtori i divizionit të komunikacionit rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi bëri të ditur se Policia ka arrestuar 23 persona dhe ka inciuar 193 raste që lidhen me zjarrvënie të qëllimshme duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm.
Ai kërkoi nga qytetarët të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre dhe të ketë një bashkëpunim me institucionet për të parandaluar rrezikun./KosovaPress/
The post Mbi 600 zjarre të raportuara javën e fundit në Kosovë, nëntë vatra aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.