Zhduket pasagjeri i tragetit, Shqipëria operacion kërkimi nga Kepi i Stillos në grykëderdhjen e Semanit
TIRANË, 4 gusht/ATSH/- Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit në bashkëpunim të ngushtë me Forcat e Armatosura, Policinë Kufitare dhe autoritetet italiane po zhvillon një operacion të gjerë kërkimi për personin e raportuar të zhdukur nga trageti ndërkombëtar “AKKA”.
Ministria e Mbrojtjes deklaron se është kërkuar me intensitet në segmente detare të zgjeruara nga Kepi i Stillos në jug, deri në grykëderdhjen e Semanit në veri.
Në njoftimin për mediet, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë këtij operacioni janë angazhuar 8 mjete ajrore e detare dhe 22 efektivë të përfshirë dhe konkretisht; 1 Dron TB2 i Forcave Ajrore, 1 Helikopter UH-60 i FA me 3 efektivë, 1 anije patrulluese P05 e Forcës Detare me 4 efektivë, 1 motor uji me 2 efektivë dhe 4 mjete patrullimi të Policisë Kufitare (BP-01, BP-06, BP-09, BP-30) me gjithsej 13 efektivë
Operacioni është zhvilluar në koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, duke ndjekur çdo protokoll të kërkim-shpëtimit në det.
Ministria shton se kërkimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, në varësi të zhvillimeve dhe kushteve detare.



The post Zhduket pasagjeri i tragetit, Shqipëria operacion kërkimi nga Kepi i Stillos në grykëderdhjen e Semanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.