“Miliona euro humbje për buxhetin e shtetit”, sipërmarrësi Malushaj flet për daljen e biznesve në tregun e lirë energjetik
Në episodin më të ri të “Përballje Podcast”, mysafir ishte Hamdi Malushaj, themelues dhe drejtor i “evroTarget” dhe “KiKxxl”, dy kompani që operojnë në sektorin energjetik dhe teknologjik në Kosovë.
Malushaj foli për sfidat me të cilat përballen bizneset vendore, përfshirë vështirësitë në hyrjen në tregun e lirë të energjisë elektrike, si dhe ndau përvojën e tij si sipërmarrës në vend.
Ai theksoi se shkyçja nga rrjeti i energjisë ka sjellë pasoja të rënda për funksionimin e kompanive dhe mirëqenien e punonjësve.
Malushaj deklaroi se nga liberalizimi i tregut të energjisë elektrike, buxheti i Kosovës do të humb miliona euro.
“Trembëdhjetë milionë euro do t’i humb buxheti i Kosovës nga tatim në fitim. Unë tash fitimet i kam ma të vogla, dhjetë për qind është tatimfitimi. Nëse njëqind e tridhjetë milionë euro i kemi fitimet më të vogla si biznese, duhet me i heq faturat, me thanë lirona, prejt tatimit. Pasi, tash fitim, nuk mundemi me të dhënë, sikur të kem dhënë përpara”, potencoi ai.

Gjatë bisedës, ai u shpreh se brenda dy-tre muajsh, askush nuk do të mundet t’i bëjë konkurrencë KESCO, duke shtuar se “Përveçse ajo mundet t’i bëjë edhe disa kompani me emra të ndryshme edhe ajo me lut me oferta, përndryshe këta që s’e kanë lidhje le ta harrojnë që munden me shit”.
Malushaj deklaroi se në secilin shtet bizneset e kanë energjinë elektrike, duke përmendur kështu edhe disa vende të rajonit.
Ai nënvizoi se në Kosovë nuk është bërë liberalizimi i tregut të lirë energjetik, por monopolizim me ligj.
“Nuk është liberalizim, por është monopolizim me ligj. Domethënë, ligji e mbështet monopolin edhe i dhunon bizneset në drejtim të s’ka konkurrencë treg”, pohoi mes tjerash ai.
Në podcast, ai tha se liberalizimi i energjisë elektrike përfshinë 60 përqind të ekonomisë kosovare.
“Është bërë jo profesionalisht, është bërë qysh nuk ka ndodhë kurrkund në botë, me njëfarë vendimi arbitrar, domethënë vendim pa e përgatitë, me zero përgatitje. Janë katër, pesë vetë që e kanë bërë këtë punë edhe nuk e kanë bërë duke mbrojtur konsumatorin”, deklaroi ai. /Telegrafi/
The post “Miliona euro humbje për buxhetin e shtetit”, sipërmarrësi Malushaj flet për daljen e biznesve në tregun e lirë energjetik appeared first on Telegrafi.