TIRANË- Ndërtimi i Spitalit të Kirurgjisë Kardiovaskulare në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po shkon drejt fundit.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili ka ndarë pamjet në rrjetet e tij sociale.
Shefi i qeverisë thotë se ky spital është një nga investimet më të rëndësishme në sistemin shëndetësor në Shqipëri.
“QSUT – ku po punohet për detajet e fundit të Spitalit të ri të Kirurgjisë Kardiovaskulare, një nga investimet më të rëndësishme në sistemin tonë shëndetësor”, shkruan kryeministri.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se do të donte të shihte një “reagim të fortë” nga SHBA-ja nëse presidenti rus, Vladimir Putin nuk do të ishte i gatshëm të ulej për një takim dypalësh me të.
Zelensky ka përsëritur se Ukraina është gati të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Putinin.
“Po sikur rusët të mos jenë gati? Evropianët e ngritën çështjen. Nëse rusët nuk janë gati, atëherë do të donim të shihnim një reagim të fortë nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ai.
Ukraina edhe më parë ka shprehur shpresën se SHBA-ja do ta ndëshkojë Rusinë me më shumë sanksione nëse nuk tregon një gatishmëri serioze për t’i dhënë fund luftës.
Zelensky ka shtuar se nuk ishte e qartë se çfarë lëshimesh ishte e gatshme të bënte Moska në lidhje me territorin dhe se Budapesti si një vendndodhje e propozuar për bisedime të ardhshme midis dy vendeve ishte “sfiduese”.
Evropianët do të duhet të mbajnë mbi supe pjesën më të madhe të barrës së sigurimit të sigurisë për Ukrainën, deklaroi zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance.
“Evropa do të duhet të mbajë mbi supe pjesën e luanit”. Nuk mendoj se duhet edhe ne ta mbajmë mbi supe këtë barrë. Mendoj se duhet të ndihmojmë nëse është e nevojshme për të ndaluar luftën”, thekoi Vance.
”Mendoj se duhet të presim, dhe presidenti sigurisht pret që Evropa të luajë një rol udhëheqës. Cilado qoftë forma që merr, evropianët do të duhet të mbajnë mbi supe pjesën më të madhe të barrës”, shtoi ai.
TIRANË- Një 35-vjeçar, administrator i një farmacie në Tiranë është arrestuar pasi tregtonte medikamente mjekësore të dyshuara të kontrabanduara.
Po ashtu është proceduar penalisht shitësja, e cila ishte punësuar në mënyrë të paligjshme. Sekuestrohen medikamente të ndryshme mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, me vlerë rreth 35 000 euro.
Gjatë kontrollit në farmacinë që administronte 35-vjeçari në bulevardin “Zogu i Parë” shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, medikamente mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, me vlerë rreth 35 000 euro.
Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur në Hamallaj, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 28-vjeçar, gjatë një konflikti me sende të forta e më pas me armë zjarri, për parkimin e një automjeti.
Policia ka arrestuar dy persona si dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë. Po ashtu u sekuestruan dy armë të ftohta (thika) dhe prova shkencore që do t’i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë ligjor të autorësisë së ngjarjes.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se 37 vjeçari, në bashkëpunim me vëllanë e tij 44 vjeç, si dhe nipin e tij, pas një konflikti për motive të dobëta me 28-vjeçarin që lidhej me parkimin e automjetit përpara zonës së plazhit të 37 vjeçarit ka tentuar të vrasë 28 vjeçarin, i cili është banues në Kolesjan, Kukës.
Nga të shtënat, 28-vjeçari ka pësuar dëmtime shëndetësore dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjetën sende të forta si bishta druri të përdorur në konflikt.
Gjykatësi amerikan Frank Caprio, që bëri famë për dhembshurinë e tij në sallën e gjyqit, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare.
Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga familjarët nëpërmjet rrjeteve sociale. Caprio kishte shërbyer për 40 vjet në Gjykatën e Qarkut në Providence.
Ai ishte zgjedhur gjykatës në vitin 1985 dhe u bë i famshëm për serialin e tij televiziv “Caught in Providence”, që ishte nominuar për një çmim në “Daytime Emmy Award” në vitin 2021. Klipet e tij u bënë virale në rrjetet sociale, ku refuzonte t’i gjobiste qytetarët që paraqiteshin në sallën e gjyqit dhe tregonin historitë e tyre personale.
Caprio kishte njoftuar për pensionimin e tij në janar të vitit 2023. Ai ishte diagnostikuar me kancer të pankreasit në fund të vitit 2023.
“Gjykatësi Frank Caprio vdiq në paqe në moshën 88-vjeçare pas një beteje të gjatë dhe të guximshme me kancerin e pankreasit. I dashur për dhembshurinë , përulësinë dhe besimin e tij të palëkundur në mirësinë e njerëzve, gjykatësi Caprio preku jetët e miliona njerëzve përmes punës së tij në sallën e gjyqit dhe më gjerë. Ngrohtësia, humori dhe mirësia e tij lanë një gjurmë të pashlyeshme tek të gjithë ata që e njihnin. Ai do të mbahet mend jo vetëm si gjykatës i respektuar, por edhe si një bashkëshort, baba, gjysh, stërgjysh dhe mik i përkushtuar. Trashëgimia e tij jeton në aktet e panumërta të mirësisë që ai frymëzoi. Në nder të tij, le të përpiqemi secili prej nesh të sjellë pak më shumë dhembshuri në botë – ashtu siç bënte ai çdo ditë”, thuhet në njoftimin e familjes.
KOSOVË- Një person ka vdekur dhe pesë të tjerë kanë mbetur të lënduar në një aksident rrugor në Klinë të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur Spitali i Pejës, i cili konfirmon se të lënduarit po marrin trajtimin e duhur mjekësor
“Spitali i Përgjithshëm në Pejë njofton opinionin publik se, si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur në fshatin Dollc të Klinës, në Emergjencën e Spitalit është sjellë një person pa shenja jete. Gjithashtu, deri më tani kemi pranuar 5 persona të lënduar nga ky aksident, të cilët po trajtohen dhe po marrin kujdesin e nevojshëm nga ekipet tona shëndetësore”, thuhet në njoftim.
Ngjarja e rëndë po ashtu u konfirmua dhe nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Ai shtoi se janë përplasur një autoveturë dhe një autobus, mëngjesin e kësaj të enjteje.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në terren dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
VLORË- Një tjetër objekt pritet të shembet në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë.
Objekti është rrethuar nga forcat e policisë dhe është vendos shiriti i sigurisë ndërsa nga IKMT konfirmohet se prishja pritet te kryhet me mjetet e tyre dhe jo me shpërthim.
Ndërtesa ndodhet ne zonën e quajtur “Kalaja” aty ku vijohet puna për projektin e “Lungomare 3”.
Objekti që do të shembet është ndërtuar jashtë lejes së ndërtimit sipas IKMT.
Janë tre kate ende të papërfunduara dhe një shtesë pranë objektit ekzistues që do te prishen nga aksioni i IKMT në Vlorë.
Ky është objekti i dytë që ndërhyhet në Vlorë ndërsa vetëm pak ditë më parë një tjetër objekt u shemb në zonën e Radhimës.
MALËSI E MADHE– Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka promovuar bukuritë natyrore të Lëpushës dhe Kelmendit, në Malësinë e Madhe, si destinacione të veçanta turistike në Alpet shqiptare.
Ai ndau pamje nga kjo zonë malore, duke e përshkruar Lëpushën si “një mrekulli të Alpeve tona”.
Sipas Ramës. Lëpusha nuk duhet të mungojë në itinerarin e atyre që janë të apasionuar pas turizmit natyror.
“Lëpusha e Kelmendit në Malësi të Madhe, një mrekulli e Alpeve tona, e një destinacion që s’duhet të mungojë në udhëtimet e të pasionuarve pas turizmit natyror”, thekson Rama.
Shqipëria po e vendos veten me shpejtësi si një nga destinacionet më të habitshme në Ballkan dhe Tirana përfaqëson zemrën që rreh në këtë transformim, shkruan Federico Sala për faqen e njohur turistike italiane agriturismolebalzarine.it.
Nëse jeni duke kërkuar një përvojë autentike udhëtimi, plot kontraste interesante dhe larg nga rruga e rrahur e turizmit masiv, kryeqyteti shqiptar do t’ju ofrojë emocione të papritura.
Me ngjyrat e saj të gjalla, historinë e saj të trazuar dhe energjinë e saj ngjitëse, Tirana është gati t’ju magjepsë.
Duke ecur nëpër rrugët e Tiranës, do të gjeni veten të zhytur në një kaleidoskop përvojash që tregojnë historinë komplekse dhe interesante të Shqipërisë.
Qyteti është si një muze i hapur, ku arkitektura osmane përzihet me arkitekturën italiane nga periudha fashiste, ndërsa ndërtesat e epokës komuniste bashkëjetojnë në mënyrë harmonike me ndërtimet moderne bashkëkohore.
Qendra e qytetit sillet rreth sheshit madhështor ”Skënderbej”, i dedikuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Këtu mund të admironi Xhaminë e Et’hem Beut, një xhevahir i arkitekturës osmane të shekullit XVIII, i rrethuar nga Kulla e Sahatit që dominon peizazhin e qytetit.
Një nga zonat më interesante është padyshim Blloku, ish-lagjja e elitës komuniste që sot përfaqëson zemrën e jetës së natës dhe argëtimit të Tiranës.
Dikur i ndaluar për qytetarët e zakonshëm, sot Blloku pulson me jetë me kafenetë e tij moderne, restorantet gurme’ dhe butikët modernë.
Për të kuptuar vërtet Shqipërinë bashkëkohore, një vizitë në Bunk’Art është thelbësore. Ky muze, i vendosur në një bunker bërthamor të epokës komuniste, ofron një perspektivë prekëse mbi historinë e kohëve të fundit të vendit. Përvoja është si edukative ashtu edhe emocionalisht tërheqëse.
Nuk mund ta humbisni Piramidën e famshme, ish-mauzoleun e Enver Hoxhës të transformuar në një qendër kulturore. Kjo ndërtesë kontroverse është bërë një simbol i aftësisë së Shqipërisë për të rishpikur veten dhe për të parë drejt së ardhmes.
Përvoja gastronomike që nuk duhet të humbni
Kuzhina shqiptare është një zbulim për shijen, me ndikime osmane, italiane dhe ballkanike që krijojnë shije unike.
Në tregun e Pazarit të Ri, mund të provoni specialitete lokale si tavë kosi (qengj i pjekur me kos) ose byrek në të gjitha variacionet e tij, duke shpenzuar mesatarisht midis 5 dhe 15 euro për një vakt të plotë.
Restorantet në qendrën historike ofrojnë përvoja të rafinuara kulinare me çmime të përballueshme: një darkë e plotë në një lokal të nivelit të lartë rrallë do të kalojë 25-30 euro për person, përfshirë verën.
Vetëm 30 minuta nga qendra e qytetit, teleferiku ju çon në malin e Dajtit, duke ofruar pamje marramendëse të të gjithë luginës së Tiranës. Një biletë teleferiku kushton rreth 8 euro vajtje-ardhje, një investim minimal për pamje spektakolare.
Nëse keni kohë për një udhëtim njëditor, Kruja është vetëm një orë me autobus nga Tirana. Ky qytet mesjetar, djepi i rezistencës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane, do t’ju mirëpresë me kështjellën e tij, pazarin tradicional dhe pamjet e paharrueshme të maleve përreth.
Tirana është një qytet jashtëzakonisht i përballueshëm sipas standardeve evropiane.
Një kafe kushton mesatarisht një euro, ndërsa një biletë autobusi për qytetin kushton jo më shumë se gjysmë euro.
Akomodimi në një hotel të mirë kushton rreth 40-60 euro për natë për një dhomë dyshe në qendër të qytetit.
Monedha lokale është leku shqiptar, por eurot pranohen pothuajse kudo. Gjuha zyrtare është shqipja, por shumë flasin italisht, veçanërisht në zonat turistike dhe hotelet.
Koha ideale për ta vizituar
Fundi i gushtit është koha ideale për të vizituar Tiranën, pasi temperaturat janë ende të ngrohta pa qenë shtypëse dhe qyteti është në nivelin e tij më të lartë.
Mbrëmjet janë perfekte për të shëtitur përgjatë rrugës kryesore ose për të shijuar një aperitiv në një bar në çati me pamje nga qyteti.
Tirana ju pret të tregoni historinë e saj të transformimit dhe qëndrueshmërisë, duke ju ofruar një përvojë udhëtimi që nuk do ta harroni kurrë.
Afër 350 mijë hektarë tokë vlerësohet se është djegur nga zjarret në Spanjë gjatë 13 ditëve të fundit, teksa vendi ende po përballet me 22 zjarre aktive.
Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS) vlerësoi se gjithsej 391.581 hektarë tokë janë djegur në Spanjë deri më tani këtë vit, me 350 mijë hektarë të djegura vetëm në 13 ditët e fundit.
Aktualisht ka 22 zjarre aktive me nivelin më të lartë të rrezikut në të gjithë vendin, që shpërthyen në komunitetet autonome Galicia, Castile, Leon dhe Extremadura.
Autori i dyshuar i tre zjarreve të njëkohshme të djeshme në Madrid gjithashtu është arrestuar.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, njoftoi se të martën e ardhshme qeveria do të shpallë rajonet e goditura nga zjarri zona katastrofe.
Portugalia gjithashtu është duke u përballur me të paktën katër zjarre aktive që nga mëngjesi i së mërkurës.
Duke cituar të dhëna zyrtare të përkohshme, raporti i sistemit EFFIS tha se më shumë se 222 mijë hektarë janë djegur në Portugali deri më 20 gusht, duke tejkaluar sipërfaqen totale të prekur gjatë gjithë vitit 2024.
Ndërsa Evropa hyn në një fazë të re të investimeve masive në mbrojtje, dilema thelbësore është: të mbështetet te teknologjia amerikane apo të fuqizojë industrinë ushtarake të kontinentit?
Për 23 shtetet që janë pjesë e BE-së dhe NATO-s, angazhimi për të shpenzuar 3.5% të PBB-së në mbrojtje përkthehet në rreth 270 miliardë euro shtesë në vit.
Shumica e këtyre fondeve shkojnë për pajisje ushtarake dhe rekrutim, shkruan Euractiv.
Por vendimi i madh është se ku do të investohen këto para: në blerje nga jashtë apo në ndërtimin e kapaciteteve të brendshme?
Armatimi amerikan i avancuar, por i shtrenjtë
Pajisje si F-35 dhe sistemi Patriot janë shumë të kërkuara.
Një bateri Patriot kushton rreth 1 miliard dollarë dhe çdo raketë 4 milionë.
Disa shtete, si Polonia, kanë zgjedhur këtë rrugë duke përparuar shpejt në modernizimin e ushtrisë së tyre.
Zhvillimi vendor më ekonomik dhe strategjikisht i qëndrueshëm
Alternativa evropiane, si sistemi SAMP/T, ofron zgjidhje të ngjashme me kosto më të ulët.
Franca, Spanja dhe Gjermania janë ndër vendet që shtyjnë për pavarësi strategjike, përmes projekteve si FCAS, një avion luftarak i gjeneratës së ardhshme.
Polonia: përparësi shpejtësisë, jo bashkëpunimit evropian
Varshava ka dyfishuar buxhetin e saj ushtarak dhe ka bërë blerje të mëdha nga SHBA dhe Koreja e Jugut, shpesh duke anashkaluar projektet e përbashkëta evropiane.
Kjo ka ngritur shqetësime për mungesën e kohezionit strategjik brenda BE-së dhe NATO-s.
Rreziqet e varësisë nga SHBA
Rikthimi i mundshëm i Trump dhe paqartësitë për angazhimin amerikan ndaj mbrojtjes së Evropës kanë nxitur debat për varësinë afatgjatë nga SHBA.
Kritika gjithashtu ngrihen ndaj objektivave të NATO-s që bazohen në PBB, duke stimuluar më shumë shpenzime sesa ndërtim të kapaciteteve reale.
Rritja e çmimeve dhe sfidat në zinxhirin e furnizimit
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka katërfishuar çmimet e municioneve.
Linjat evropiane të prodhimit janë të ngadalta, ndërsa furnitorët amerikanë dhe aziatikë dorëzojnë më shpejt.
Kjo rrit presionin ndaj vendeve që duan rezultate të menjëhershme.
Ditën e enjte, Shqipëria do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.
Moti parashikohet me kthjellime dhe vranësira të cilat do të jenë të përqendruara kryesisht në veriperëndim.
Reshjet e shiut pritet të bëhen prezente në orët e pasdites në veriperëndim të vendit me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.
Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 8 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës do të fitojë shpejtësi deri në 20 m/s.
Do të jeni më të fortë edhe fizikisht gjatë kësaj dite dhe gati për të fituar. Nëse keni angazhime të rëndësishme, mos i shtyni për më vonë. Mund të përballeni me çdo gjë. Udhëtimet janë gjithashtu mjaft të favorshme.
Demi
Do të ketë një rritje ekonomike, por kujdes me shpenzimet. Nëse duhet të bëni një blerje të rëndësishme, bëni mirë që ta shtyni për pak më vonë. Në dashuri do të përjetoni emocione të bukura. Mund të gjeni një marrëveshje edhe për personin që ju intereson. Atmosfera mund të jetë mjaft harmonike për raportet në çift.
Binjakët
Nëse jeni më të qetë në dashuri, kjo ndodh për shkak të ndikimit të Hënës në shenjën tuaj. Këshillohet që të bëni kujdes ndaj impulsivitetit. Shmangni largimin ndaj një personi që tashmë bën pjesë në jetën tuaj. Një punë e re ose një transferim është shumë i mundshëm.
Gaforrja
Dita parashikohet mjaft premtuese dhe gjatë fundjavës Hëna do të hyjë në shenjën tuaj. Kjo gjë do të çojë në ngjalljen e interesave të reja. Gjithashtu jeni me shumë fat në dashuri. Në familje, vështirësitë do të zvogëlohen.
Luani
Mund të ndodhë diçka e papritur gjatë kësaj dite. Brenda fundit të muajit parashikohet që të kthehet në një dashuri të madhe. Janë ditë pasionante në maksimum, ku mundësia e takimeve dhe krijimit të çifteve të reja nuk do të mungojë. Në punë situata do të përmirësohet, por ndoshta do të jetë e nevojshme që të ndryshohet rrugë.
Virgjëresha
Tregohuni të kujdesshëm ndaj një situate të pasigurtë, sidomos lidhur me ndjenjat. Kjo e enjte parashikon rikuperim terreni. Në dashuri do të përballeni me dyshime, ndaj bëni mirë që të mos i mbani brenda vetes gjërat që nuk shkojnë.
Peshorja
Disa tensione që keni përjetuar së fundmi, mund të kenë shkaktuar tensione dhe pasiguri. Jeni duke dalë nga një periudhë kaotike, por dashuria do ju dhurojë emocione të reja. Në sajë të ndikimit të Hënës në shenjën tuaj, përmirësimi do të jetë i ndjeshëm, sa i takon punës.
Akrepi
Ju pret një situatë shumë e rëndësishme sa i takon dashurisë. Hëna do të ketë ndikim mjaft pozitiv. Ndonjëherë i shihni gjërat gri, ndërsa realisht do të ndiheni më të stimuluar. Edhe sa i takon dashurisë, do të ketë një rikuperim të ndjeshëm. Intensiteti do të jetë më i mirë me të lindurit e shenjës së peshqve, bricjapit dhe demit.
Shigjetari
Do ju duhet ti bëni llogarinë me ndikimin e kundërt të Hënës. Ju presin orë me luhatje lidhur me raportet ndërpresonale. Një mik ose partner, mund t’iu dalë nga fjala që iu ka dhënë. Gjatë pasdites, do të keni një shpërqendrim i cili mund t’iu acarojë.
Bricjapi
Do të jeni të karikuar me energji dhe kjo periudhë do ua shpërblejë. Dashuria mbetet pozitive, por vetëm pas datës 26, situata do të marrë një kthesë të ndjeshme pozitive. Nëse jeni të përfshirë në një histori të turbullt, duhet të tregoheni më të qartë. Në punë, do të keni mundësi që të bëni hapa përpara.
Ujori
Hëna do të ketë ndikim mjaft pozitiv në shenjën tuaj. Do të ketë përmirësim të ndjeshëm, pas një lodhje të madhe që keni kaluar. Situatat që do të lindin në këtë moment, do të sjellin një sërë përfitimesh. Mos reagoni gjithmonë me nervozizëm dhe mundohuni që të mos jeni shumë konfliktual, shkruan noa.al. Kërkoni brenda vetes, dimensionin që keni ende pa zbuluar.
Peshqit
Do të merrni jo pak kënaqësi gjatë kësaj periudhe. Dashuria do të sjellë harmoni, por mbani parasysh se ditët më të mira do të jenë mes të shtunës dhe të dielës. Bëni mirë që ta programoni fundjavën në mënyrë sa më pozitive. Ndikimi i Hënës do të sjellë jo pak probleme, ndaj bëni kujdes me paratë.
Pothuajse dy të tretat e gjermanëve mbështesin vendimin e kancelarit Friedrich Merz për të pezulluar pjesërisht eksportet e armëve drejt Izraelit, sipas një sondazhi të YouGov.
Sondazhi zbuloi se 65% e të anketuarve mbështetën masën e njoftuar nga qeveria në Berlin në fillim të këtij muaji, ndërsa 19% e kundërshtuan atë dhe 16% ishin të pavendosur.
Sondazhi me 2 175 persona u krye në mesin e gushtit. Merz tha se eksportet e armëve drejt Izraelit, që mund të përdoren në Rripin e Gazës do të pezullohen, duke përmendur vendimin e qeverisë izraelite për të zgjeruar operacionet ushtarake në territorin palestinez.
Kancelari tha se Berlini do të vazhdojë të mbështesë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, por nuk mund të ofrojë armë për një konflikt që mund të kushtojë qindra mijëra jetë civile.
Gazetari i Radios Evropa e Lirë, Vladyslav Yesypenko, ka treguar për herë të parë rreth torturave që i ka përjetuar pasi është arrestuar në Krimenë e pushtuar nga Rusia më 2021.
Duke folur për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, në intervistën e tij të parë prej kur është liruar nga burgu rus në qershor, Yesypenko ka treguar se si rrahjet dhe elektroshoku janë përdorur për ta detyruar që të bëjë një deklaratë para gjykatës, të cilën më vonë e ka tërhequr.
“Fillimisht të rrahin, pastaj e përdorin elektroshokun, më vonë të rrahin prapë, dhe sërish e përdorin elektroshokun. Dhe përderisa vazhdon kjo situatë, ata të bëjnë pyetje”, ka thënë ai.
“U kam thënë, djem ndaluni dhe do të nënshkruaj çfarë të ketë nevojë. Nëse më thoni që e kam vrarë [ish-presidentin amerikan] Kennedy, mirë, do të them se e kam vrarë. Por, ju lutem ndaleni torturën”.
Fushata në mbështetje të Yesypenkos, e mbajtur në korrik të vitit 2021 në Kiev.
Yesypenko ka shtetësi ruse dhe ukrainase, dhe ka punuar si kontribuues në një program të Radios Evropa e Lirë për Krimenë. Ai është liruar nga burgu pas më shumë se katër vjetësh prej kur ishte ndaluar nën dyshimet për mbledhje të informacioneve për inteligjencën ukrainase, akuzë të cilën e ka mohuar.
Përgjatë intervistës, Yesypenko e ka kujtuar momentin e arrestimit të tij më 10 mars 2021. Ai ka thënë se është ndaluar nga një polic trafiku sa ka qenë duke vozitur me një mik në Krime. Mirëpo, thuajse menjëherë, agjentët e Shërbimit rus të Sigurisë, janë shfaqur afër dhe e kanë rrëzuar në tokë.
Shërbimi rus i Sigurisë (FSB) e ka publikuar një video të një granate afër ulëses së shoferit në makinën e Yesypenkos. Ai thotë se ata ia kanë montuar granatën aty dhe që ajo është përdorur si prova kryesore kundër tij në gjykatë.
Disa muaj më vonë, Yesypenko është akuzuar për “posedim apo transportim të lëndëve shpërthyese”, ndonëse prokurorët më vonë e kanë pranuar se granata e “gjetur’ në makinën e tij nuk i ka pasur shenjat e tij të gishtërinjve.
Yesypenko ka thënë se pas arrestimit atij i janë mbyllur sytë, i janë lidhur duart dhe është dërguar në një bodrum. Aty ka nisur tortura kundër tij.
“E kam kuptuar që nuk isha hero në atë pikë. Thjesht doja të jetoja. Doja që ajo të përfundonte sa më shpejt që ishte e mundur. Kaq”, ka thënë ai.
“Në atë moment nuk kishte rëndësi çfarë nënshkruaja. E kuptova që në atë moment më duhej të mbijetoja”.
“Ata të kërkojnë në çdo vend”
Një apo dy ditë më vonë, Yesypenkon e ka vizituar një avokate e angazhuar nga Rusia, Violetta Sinyeglazova, e cila është siguruar që ai do t’i nënshkruajë deklaratat e rreme që i ishin përgatitur.
“Ajo më ka thënë që nëse i nënshkruaj dokumentet, gjykata do ta shohë veprimin si rrethanë lehtësuese kur të marrë vendimin”, kujton ai.
Shtatë ditë më vonë, ai e parë që në dhomën e gjyqit nuk i janë afruar shumë zyrtarë të FSB-së dhe ka arritur të flasë me një avokate që ka qenë aty për të ndalurit tjerë.
“Ajo më ka thënë ‘pra, ju jeni Yesypenko. Ata po të kërkojnë në çdo vend – gruaja dhe avokatët. Shumë mirë që jeni shfaqur’”.
Ditën pasuese, një avokat i pavarur ka arritur dhe Yesypenko e ka nënshkruar një deklaratë duke thënë se braktisë avokaten Sinyeglazova për shkak të ekipit të ri ligjor.
Vladyslav Yesypenko me gruan e tij, Katerynan, para arrestimit.
Më 18 mars, tetë ditë pas arrestimit të tij, Yesypenko e ka dhënë një intervistë për televizionin shtetëror Crimea-24. Ai ka thënë se ajo ka qenë njëra prej kushteve për t’u rrëfyer publikisht sa ka qenë nën presion.
Shërbimi rus i Sigurisë ia ka dhënë një letër për ta lexuar, të cilën ai e ka përsëritur përgjatë intervistës. Në letër është thënë kinse ai e ka pasur granatën në makinë.
“Ata kanë dashur ta komprometojnë Radion Evropa e Lirë. Ata kanë dashur t’i tregojnë botës se njerëzit që punojnë për Radion Evropa e Lirë janë edhe spiunë”, ka thënë ai.
Kërcimi “përtej humnerës”
Gjyqi ishte planifikuar të niste më 6 prill. Mirëpo, Yesypenko ka thënë se disa ditë më parë i ka ardhur në vizitë një zyrtar i FSB-së, i quajtur Korovin, i cili i ka ofruar cigare dhe ka tentuar të mësojë më shumë nëse Yesypenko do të vepronte sipas skriptës.
Korovin ka thënë se gruaja e Yesypenkos dhe avokatë tjerë do të ishin në dhomën e gjyqit, por që ai duhet të punonte vetëm me Sinyeglazova. Yesypenko është pajtuar, mirëpo ai ka gënjyer.
“Aty e kuptova që jam duke bërë kërcim përtej humnerës. Kurrë nuk i dihet a keni sukses apo jo” ka thënë ai.
“Secilën herë që i bëja ato deklarata ndihesha keq. Ndihesha se po tradhtoj gjithçka që më përket mua”.
Mirëpo, në gjykatë ka vendosur të rrezikojë. Duke hequr dorë nga fjalimi i skriptës, ai ka treguar se është torturuar, se që gjithçka që i ka ndodhur ka qenë ilegale dhe që do të kalojë në ekip të pavarur të mbrojtjes.
“Ka qenë diçka tronditëse për gjyqtarët dhe ka qenë tronditëse për prokurorët, sepse gjyqi ishte planifikuar të shkonte ndryshe”, ka thënë ai.
Disa ditë më vonë, Departamenti amerikan i Shtetit ka kërkuar lirimin e Yesypenkos dhe u është bashkuar shqetësimeve të ngritura nga grupet për të drejta të njeriut lidhur me trajtimin e tij.
Mirëpo, ai nuk është liruar. Për shumë muaj të tjerë, seancat gjyqësore kanë vazhduar dhe Yesypenko ka thënë se i është bërë presion për të bashkëpunuar, dhe është kërcënuar me torturë shtesë.
Në shkurt të vitit 2022, një gjykatë në Krime, e administruar nga Rusia, e ka dënuar atë me gjashtë vjet burgim nën akuzat për spiunim, të cilat ai, punëdhënësi i tij dhe grupet për të drejta të njeriut i kanë cilësuar si të fabrikuara.
Gjykata Supreme në Krime, e kontrolluar nga Moska, ia ka zvogëluar më vonë dënimin në pesë vjet.
Vladyslav Yesypenko në Kiev më 1 gusht 2025.
Pak pas lirimit të tij më 20 qershor, ai është nisur me aeroplan për në Jerevan të Armenisë.
“Ka qenë moment shumë emocional. E kam kuptuar se jam i lirë dhe gjithçka ka përfunduar. Ka qenë sikur të lindja sërish”, ka thënë ai.
Prej Armenisë, ai ka udhëtuar në Pragë, ku është takuar me familjen dhe më pas është kthyer në Ukrainë.
“Kur kemi hyrë në stacionin hekurudhor në Kiev, e kam parë qytetin, zhurmën dhe rrëmujën. Aty e kam kuptuar se jam kthyer në shtëpi”./ REL
Një Real i ri në pamje dhe përmbajtje debutoi me fitore në sezonin e ri të La Liga. Madrilenët mundën 1-0 Osasuna në tempullin e tyre “Santiago Bernabeu”, ndërsa Xabi Alonso zbuloi se si do të jetë skuadra e tij, shumë ndryshe nga ajo e viteve të fundit.
Shumë lojtarë të rinj në fushë, shumë kontroll topi dhe sulme graduale.
Po ashtu pesë lojtarë bënë debutimin e tyre në La Liga: Hujisen, Alexander Arnold, Carreras si titullarë dhe Manstantuono e Gonzalo Garcia si zëvendësues. Por sfida dhe suksesi i Real u vendos nga ylli më I madh i skuadrës, Kilian Mbappe.
Pas pjesës së parë të mbyllur me dominin e vendasve, sulmuesi francez zhbllokoi rezultatin në minutën e 51-të. Me numrin e rëndë 10 në shpinë për këtë sezon, Mbappe ktheu në gol 11 metërshin e fituar po vetë.
Edhe pas epërsisë, të besuarit e Xabi Alonso mbajtën kontrollin e lojës, por dështuan në të gjitha tentativat e tyre për të vrarë garën.
Goli i Mbappe qëndroi në fuqi deri në fundin e ndeshjes, duke i dhuruar Real Madrid fitoren në premierën e tij në edicionin e ri të La Liga, ku pritet një tjetër kapitull i sfidës së përjetëshme me Barcelonën për titullin kampion.
Shumë gola dhe fitore në transfertë në tre sfidat e para të play off në Champions League.
Club Brugge, Qarabag dhe Pafos kanë hedhur një hap të sigurt drejt fazës fianle të turneut më të rëndësishëm të futbollit europian për klube, duke kaluar me sukses sfidat e vajtjes.
Skuadra belge fitoi me lehtësi 3-1 në fushën e Glasgoë Rangers, me vendasit që u dorëzuan që në pjesën e parë. Vermant, Spilers dhe Mechele shënuan tre gola në vetëm 20 minutat e para për Clubb Brugge, që vrau garën përpara pushimit të ndeshjes.
Në fraksionin e dytë, skocezët vetëm sa zbutën humbjen me realizimin e Danilo Perrera. Këtë disfatë të Rangers, Nedim Bajrami e ndoqi nga tribuna, pasi nuk ishte I grumbulluar.
Me të njëjtin rezultat Qarabag kaloi Ferenncvaros me një përmbysje të madhe në transfertën hungareze. Vendasit mbyllën pjesën e parë në epërsi me realizimin e Varga në minutën e 29-të.
Pas pushimit, skuadra azere reagoi fort duke kthyer fatin e ndeshjes. Jankovic, Medina dhe Kuarbanli shënuan tre herë për fitoren e madhe të formacionit që në raundin e tretë kualifikues eliminoi Shkëndijën e Tetovës.
Mbrëmja e surprizave të mëdha në play off e Champions League u plotësua nga Pafos. Kampionët e Qipros mundën në transfertë 2-1 Crvena Zvezda.
Miqtë shënuan që në minutën e parë golin e epërsisë, ndërsa në fraksionin e dytë dyfishuan shifrat me 11 metërshin e ekzektutuar saktë nga Pepe.
Skuadra serbe u kthye në lojë me Bruno Duarte, që nuk nuk evitoi humbjen në shtëpi, por mban të hapur çështjen e kualifikimit për sfidën e kthimit/abcnews.al
TIRANË- Edon Zhegrova është shumë pranë transferimit te Juventus, ndërsa kalimi i tij në Serinë A pritët brenda kësaj jave.
Sulmuesi i Kosovës ka pranuar ofertën e “Zonjës së Vjetër”, që do të paguajë rreth 20 milion euro për kartonin e tij.
Edon Zhegrova thotë “PO” dhe është gati të martohet me “Zonjën e Vjetër” të futbollit italian.
Juventus ka avancuar në tratativat për të transferuar sulmuesin e kombëtares së Kosovës, ndërsa operacioni në merkato pritet të finalizohet shumë shpejt.
Sipas mediave përtej Adriatikut, sidomos të përditshmes torineze “Tuttosport”, gjithmonë e mirëinformuar për çështjet në klubin juventin, ky i fundit ka bindur Zhegrovën për t’iu bashkuar në Serinë A.
Gazeta ka zbuluar edhe detajet e transferimit të pritshëm, ndoshta brenda kësaj jave. Në marrëveshjen personale me Juventus, futbollisti 26 vjeçar ka siguruar një kontratë deri në qershor të vitit 2030, nga e cila do të fitojë 2.5 milion euro në sezon, plus bonuset për arritjet sportive të lojtarit dhe skuadrës.
Tani “Zonja e Vjetër” duhet të gjejë gjuhën e parbashkët me Lille që ka në pronësi kartonin e Edon Zhegrovës.
Klubi francez pretendon 25 milion euro për të lënë të lirë sulmuesin e Kosovës, por nuk është aspak komod në tavolinën e bisedimeve. Kjo pasi kontrata e futbollistit skadon verën e vitit 2026 dhe atëherë mund ta humbasë atë me parametra zero.
Këtë situatë do ta shfrytëzojnë te Juventus, që kërkon të mbyllë marrëveshjen për një shumë që varion nga 18 deri në 20 milionë euro.
Kështu, transferimi i Edon Zhegrovës te gjigandët e futbollit është vetëm çështje kohe, ndërsa ai do t’i bashkohej kolonisë së madhe të futbollistëve shqiptarë në Serinë A.
Po ashtu, te Juventus, sulmuesi do të bashkohej me Jonathan David me të cilin formoi një dyshe të shkëlqyer në edicionin e fundit në Francë dhe Kupat e Europës/abcnews.al