Ndërron jetë gjyqtari Frank Caprio, shquhej për dhembshurinë dhe pozitivitetin në sallën e gjyqit
Gjykatësi amerikan Frank Caprio, që bëri famë për dhembshurinë e tij në sallën e gjyqit, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare.
Ai ishte zgjedhur gjykatës në vitin 1985 dhe u bë i famshëm për serialin e tij televiziv “Caught in Providence”, që ishte nominuar për një çmim në “Daytime Emmy Award” në vitin 2021. Klipet e tij u bënë virale në rrjetet sociale, ku refuzonte t’i gjobiste qytetarët që paraqiteshin në sallën e gjyqit dhe tregonin historitë e tyre personale.
Caprio kishte njoftuar për pensionimin e tij në janar të vitit 2023. Ai ishte diagnostikuar me kancer të pankreasit në fund të vitit 2023.
“Gjykatësi Frank Caprio vdiq në paqe në moshën 88-vjeçare pas një beteje të gjatë dhe të guximshme me kancerin e pankreasit. I dashur për dhembshurinë , përulësinë dhe besimin e tij të palëkundur në mirësinë e njerëzve, gjykatësi Caprio preku jetët e miliona njerëzve përmes punës së tij në sallën e gjyqit dhe më gjerë. Ngrohtësia, humori dhe mirësia e tij lanë një gjurmë të pashlyeshme tek të gjithë ata që e njihnin. Ai do të mbahet mend jo vetëm si gjykatës i respektuar, por edhe si një bashkëshort, baba, gjysh, stërgjysh dhe mik i përkushtuar. Trashëgimia e tij jeton në aktet e panumërta të mirësisë që ai frymëzoi. Në nder të tij, le të përpiqemi secili prej nesh të sjellë pak më shumë dhembshuri në botë – ashtu siç bënte ai çdo ditë”, thuhet në njoftimin e familjes.