Balluku në Lushnjë, takim me deputetët e rinj të PS-së
TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Belinda Balluku zhvilloi sot një takim informal me deputetët e rinj të bashkisë Lushnjë.
Balluku ndau në rrjetet sociale momente nga takimi me deputetët Kiduina Zaka, Asfloral Haxhiu dhe Elton Korreshi, të cilët do të hyjnë për herë të parë në parlament, si të zgjedhur të PS-së në qarkun e Fierit.
“Një mbrëmje e këndshme në Lushnje, me deputetët e rinj të kësaj bashkie, që në shtator do të nisin një rrugëtim të ri në karrierën e tyre politike. Kush mendon që Lushnja nuk ka jetë nate e ka gabim. Ja ku jemi ne të katërt, të premten në mbrëmje, në një nga kafet e këndshme të qendrës së Lushnjës, që mbushet plot me rini”, tha Balluku.
Balluku u shpreh se takimi u organizua në një kohë kur pas pak ditësh do të mblidhet parlamenti.
“Pas pak ditësh fillon parlamenti dhe tre kolegët e mi janë për herë të parë në parlament dhe kanë emocionet e tyre. Megjithatë diskutuam se çfarë kemi bërë gjatë verës, çfarë do të bëjmë nga shtatori e tutje, por mbi të gjitha kemi qeshur shumë sonte me doktorin (Asforal Haxhiu), i cili është me një këmbë nga politika dhe këmba tjetër në sallën e kirurgjisë. As ai nuk e di se si do t’ia dali”, tha Balluku.
/m.m/j,p.
The post Balluku në Lushnjë, takim me deputetët e rinj të PS-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.