Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Grabitën dhe dhunuan një çift të moshuar, arrestohen 3 shqiptarë në Itali

By: Elva
18 August 2025 at 21:48

Tre shqiptare janë arrestuar nga policia italiane, pasi dyshohen për kryerjen e një grabitjeje të dhunshme në një banesë në qytetin e Padovës, Itali ku u përfshi një çift i moshuar. Ngjarja ndodhi natën e 10 gushtit, kur tre persona të maskuar hynë në shtëpinë e çiftit me qëllim vjedhjen. Pronari i shtëpisë, një 70-vjeçar, […]

The post Grabitën dhe dhunuan një çift të moshuar, arrestohen 3 shqiptarë në Itali appeared first on BoldNews.al.

Anxhela Peristeri zbulon ‘sekretin’ e rënies në peshë

By: M C
5 August 2025 at 17:01

Këngëtarja e dashur për publikun, Anxhela Peristeri, ka dhënë së fundmi një intervistë për “Pushime On Top” me Eni Shehun. Moderatori i njohur e ka nisur duke i bërë komplimente për look-un, ku e ka pyetur edhe sa kilogramë ka humbur.

Anxhela nuk ngurroi që të tregonte se kishte rënë 10 kilogramë në mënyrë të shëndetshme, me palestër dhe regjim ushqimor. Ajo shtoi se nuk ka përdorur asnjë gjilpërë dhe nuk ia rekomandon askujt. Artistja vijoi duke thënë se nuk ka përdorur ndonjë dietë specifike, thjesht ka hequr sheqerin, bukën dhe ëmbëlsirat.

Pjesë nga intervista:

Ti dukesh shumë e bukur, shumë e dobësuar, nuk e di nëse është mirë t’u thuash vajzave këto komplimente në lidhje me peshën?

Unë nuk e kam problem, mund t’a thuash

Dukesh yll, sa kilogramë ke humbur?

Në fakt jam munduar, ka 8 muaj. Kam humbur 10 kg, por në mënyrë shumë të shëndetshme, shumë ngadalë, me palestër dhe regjim ushqimor, me asnjë gjilpërë, nuk ua rekomandoj.

Ke patur ndonjë eksperiencë?

Jo asnjëherë

Por i ke frikë nga natyra?

Mendoj se nuk duhet t’i fusësh trupit gjëra që s’ke pse, ndërkohë që me vullnet mund të arrish gjithçka.

Po nga ana e performancës?

E kam ndjerë veten më energjike

Më të lehtë?

Palestra më ka ndihmuar shumë në këtë pjesë, sepse e ndjen veten më energjike, më të çlodhur

Po dietën?

Asgjë, nuk kam bërë ndonjë dietë specifike, përveçse kam hequr gjërat e bardha, sheqer, bukë, ëmbëlsira.

Nga çfarë tundohesh ti Anxhela së fundmi?

Së fundmi nga plazhi

The post Anxhela Peristeri zbulon ‘sekretin’ e rënies në peshë appeared first on Albeu.com.

Paketa e Maleve, Musabelliu: Mbi tre mijë aplikime për shprehje interesi 

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Nga zonat më malore të veriut të Shqipërisë e deri në skajin më jugor të saj, interesi i qytetarëve për të përfituar nga “Paketa e Maleve” është i lartë.

Prej tri javësh qytetarët po shprehin interes për të marrë në pronësi tokën në mënyrë që më pas të zhvillojnë në projekt biznesi.

Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, u shpreh se, “janë 3175 shprehje interesi që kanë ardhur në këtë platformë. Janë të shpërndara në të gjithë territorin e Shqipërisë por zonat me kërkesë më të madhe janë ato zona ku edhe ka pasur mungesë të titujve të pronësisë. Përgjithësisht në veri dhe në juglindje të vendit”.

Gjatë një interviste televizive, ai bëri të ditur hapat që po ndiqen për zbatimin e Paketës së Maleve.

“Hapi i radhës është përcaktimi i zonave me përparësi zhvillimi, gjë që do të bëhet nga ana e bashkive, pra secila bashki do të shpallë zonat me përparësi zhvillimi në territorin e vet. Bashkitë po punojnë për shpalljen e këtyre zonave. Kur të shpallen zonat, qytetarët që kanë shprehur interes do të duhet të dorëzojnë kërkesat e tyre pranë bashkive”, tha ai.

Pasi të jenë miratuar “zonat për zhvillim”, do të nisë aplikimi real i qytetarëve, ku duhet të dorëzojnë edhe një sërë dokumentesh për të përfituar pronën.

Aplikimi real i qytetarëve me dokumentacionin përkatës që do të nisë pas shpalljes së zonave me përparësi zhvillimi nuk do të ketë afat, të gjithë qytetarët që mund të përfitojnë nga ky ligj do të mund të aplikojnë dhe përfitojnë për sa kohë ligji të jetë në fuqi dhe s’do ketë afat kufizues.

“Do të dorëzojnë një genplan të sipërfaqes që ata duan të zhvillojnë së bashku me planin e biznesit se si duan ta zhvillojnë dhe dokumentacionin që mbështetet faktin që janë zotërues të asaj prone. Pastaj bashkia bën verifikimin nëse prona plotëson kriteret për t’u dhënë në përdorim, më pas miratohet lista e zotëruesve faktikë”, thotë Musabelliu.

Ai bëri të ditur se, “qëllimi është dhënia e tokës në pronësi për ta zhvilluar për ekonominë malore dhe do ta kenë të gjithë ata që do të plotësojnë kriteret për të marrë pronën. Por lehtësitë i përfitojnë vetëm 500 të parët”.

Për 500 të parët për 10 vite nuk do të ketë taksë të ndikimit në infrastrukturë, taksë të pasurisë së paluajtshme, TVSH dhe tatimi mbi fitimin.

Fokusi i “Paketës së Maleve” do të jetë në veri, një hap që vlerësohet për të frenuar shpopullimin dhe për të nxitur punësimin.

/r.e//a.f/

The post Paketa e Maleve, Musabelliu: Mbi tre mijë aplikime për shprehje interesi  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paketa e Maleve/ Cilat do të jenë zonat prioritare për investim, aplikuesit duhet të paraqesin një plan zhvillimi konkret, në shtator përcaktohen territoret që përfitojnë

By: V K
29 July 2025 at 12:36

Zonat malore të vendit, veçanërisht ato në veri, do të jenë në qendër të fazës së dytë të zbatimit të ligjit “Për Paketën e Maleve”, që nis në shtator me përzgjedhjen dhe shpalljen e territoreve ku do të aplikohen lehtësitë fiskale dhe procedurale të parashikuara.

Fokusi është që bashkitë të identifikojnë zonat me potencial zhvillimi, bazuar në kërkesat e qytetarëve që kanë aplikuar gjatë fazës së parë të procesit.

Qëllimi i kësaj pakete është të krijojë kushte të favorshme për investime në zonat e thella malore dhe të nxisë zhvillimin ekonomik përmes legalizimit të pronësisë, lehtësimit të barrës fiskale dhe orientimit të planeve të territorit drejt rigjallërimit rural.

Bashkitë do të paraqesin propozimet për territoret që duan të shpallin për zhvillim malor dhe qeveria do t’u japë atyre status të posaçëm, ç`ka do të mundësojë zbatimin e të gjithë instrumenteve që përmban ligji.

Sipas Ministrisë për Pushtetin Vendor, ky proces është një mekanizëm i ri bashkëpunimi, ku njësitë vendore kanë rol vendimtar në përcaktimin e zonave me interes më të lartë për zhvillim, duke u bazuar jo vetëm në analizat e tyre, por edhe në shprehjen konkrete të interesit nga qytetarët.

Ligji parashikon se poseduesit jopronarë të pasurive të paluajtshme shtetërore në këto zona do të mund të blejnë tokën që kanë në përdorim me çmim simbolik prej 1 euro.

Pas regjistrimit të kontratës së shitjes, ata ose investitorët që lidhin marrëveshje me ta mund të aplikojnë për leje ndërtimi për zhvillimin e sipërfaqes përkatëse.

Këto veprime do të kryhen në përputhje me rregullat e ligjit të ri dhe me legjislacionin në fuqi për territorin, për aq sa nuk ka kundërshtim midis tyre.

Përfituesit e parë të kësaj pakete do të jenë 500 aplikuesit që kanë shprehur interes dhe kanë përmbushur kriteret ligjore.

Ata do të përjashtohen për 10 vjet nga tatimi mbi të ardhurat, TVSH-ja, taksa për pasuritë e paluajtshme dhe ajo për ndikimin në infrastrukturë.

Një nga kriteret kryesore për përfitim, është që prona të jetë në përdorim faktik nga aplikuesi për një periudhë të vazhdueshme dhe të jetë pjesë e një zone, që do të shpallet me vendim të Këshillit të Ministrave si “zonë malore me përparësi zhvillimi”.

Aplikuesit duhet, gjithashtu, të paraqesin një plan zhvillimi konkret, që të jetë në përputhje me qëllimet e ligjit dhe të mos cenojë mjedisin apo strukturën tradicionale të territorit. Një rast i veçantë është zona e Thethit, e cila pavarësisht ndërtimeve të fundit pa leje, do të vijojë të mbetet park kombëtar.

Zhvillimi në këtë zonë do të jetë i kontrolluar dhe i orientuar drejt trashëgimisë kulturore dhe turizmit natyror, pa devijuar nga kufizimet e statusit të mbrojtur.

Synimi është që modeli i suksesshëm i Thethit të aplikohet edhe në zona të tjera të vendit me karakteristika të ngjashme malore.

Paketa synon të kthejë në resurse ekonomike zonat e braktisura, të ndalojë fragmentimin e tokës dhe të krijojë një valë të re investimesh në agroturizëm, bujqësi, zejtari dhe shërbime, duke ofruar siguri pronësore dhe përfitime konkrete për banorët dhe investitorët.

Procesi i aplikimeve mbetet i hapur, ndërsa muaji shtator pritet të jetë vendimtar për përcaktimin e hartës së parë të zhvillimit malor në Shqipëri.

KRITERET E LIDHURA ME PRONËN

a) Të jetë pasuri shtetërore. Objekt i procedurave sipas këtij ligji janë edhe tokat në pronësi shtetërore, që janë inventarizuar në përgjegjësi administrimi të institucioneve qendrore, si dhe ato që janë transferuar në pronësi ose në përdorim te njësitë e vetëqeverisjes vendore, me kusht që sipërfaqja e pretenduar nga subjekti të mos përfshijë gjurmën e objekteve shtetërore.

b) Të mos jetë pronë publike e patjetërsueshme. Në kuptim të këtij ligji dhe të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, të ndryshuar, llojet e pasurisë “pyll”, “kullotë” “livadh” nuk janë të patjetërsueshme dhe mund t’u nënshtrohen procedurave të kalimit të pronësisë sipas këtij ligji;

c) Nuk i shërben operacionalitetit të Forcave të Armatosura, sipas legjislacionit në fuqi për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë;

ç) Të mos rëndojnë mbi të të drejta reale të të tretëve;

d) Të mos jetë objekt i procedurave të fitimit të pronësisë sipas ligjit nr.20/2020 dhe ligjeve të tjera të posaçme, që parashikojnë fitimin e pronësisë nëpërmjet procedurave administrative.

dh) Të mos jetë marrë për të vendimi i kthimit ose i kompensimit fizik ish-pronarëve, sipas legjislacionit përkatës.

Ligji ka për objekt përcaktimin e procedurave dhe të rregullave të posaçme për:

a) shpalljen e zonave malore me përparësi zhvillimi;

b) zhvillimin e pasurive shtetërore të poseduara pa titull pronësie nga subjektet private në këto zona, në harmoni me rregullat e legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit;

c) kalimin e pronësisë përmes shitjes me tarifën simbolike 1 (një) euro të këtyre pasurive të paluajtshme shtetërore, të cilat rezultojnë të jenë në posedim faktik të poseduesve jopronarë.

The post Paketa e Maleve/ Cilat do të jenë zonat prioritare për investim, aplikuesit duhet të paraqesin një plan zhvillimi konkret, në shtator përcaktohen territoret që përfitojnë appeared first on Albeu.com.

Paketa e Maleve, mbi 2800 kërkesa nga Thethi në Gjirokastër

By: redi
28 July 2025 at 16:56

Rreth 2800 kërkesa interesi në pak më shumë se 2 javë nga nisja e aplikimeve, Paketa e Maleve po josh shqiptarët. ”Presim që interesi për Paketën e Maleve të vijë në rritje gjatë ditëve në vijim. Shifrat janë inkurajuese, por potenciali është edhe më i madh. Arsyeja është e thjeshtë: zonat malore në Shqipëri, përfshirë ato me bukuri të rralla natyrore dhe trashëgimi kulturore, kanë qenë të lëna…

Source

“Paketa e Maleve”/ Anila Denaj: 2500 qytetarë kanë shprehur interes për të investuar në tokat e tyre

By: V K
28 July 2025 at 10:42

Që prej 11 korrikut pas hapjes së aplikimeve për masat lehtësuese të parashikuara në ligjin e quajtur “Paketa e Maleve”, 2500 qytetarë kanë shprehur interes për të investuar në tokat e tyre.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, tha se; “përmes kësaj nisme, çelet një epokë e re për zhvillimin dhe rijetëzimin e zonave malore, duke çliruar një potencial të ri për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale, përmes nxitjes së investimeve”.

Paketa parashikon që për 500 aplikuesit e parë të ofrohen disa lehtësi, duke përfshirë përjashtim nga taksa mbi vlerën e shtuar (TVSH), tatimi mbi të ardhurat, taksa për pasuritë e paluajtshme dhe taksa për infrastrukturën për një periudhë prej 10 vjetësh.

Gjithashtu, Denaj tha se, “me mundësinë për të fituar pronësinë mbi tokën për vetëm 1 euro dhe duke përfituar lehtësira fiskale për 10 vite, kjo paketë do të rrisë punësimin dhe përmirësimin e jetesës, duke garantuar zhvillim rural të qëndrueshëm”.

Qëllimi kryesor i kësaj pakete, është të krijojë kushte më të favorshme për tërheqjen e investimeve dhe të nxisë zhvillimin ekonomik në zonat malore të vendit, kryesisht ato të veriut.

The post “Paketa e Maleve”/ Anila Denaj: 2500 qytetarë kanë shprehur interes për të investuar në tokat e tyre appeared first on Albeu.com.

“Paketa e Maleve”, Denaj: 2500 qytetarë kanë shprehur interes për të investuar në tokat e tyre

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Që prej 11 korrikut pas hapjes së aplikimeve për masat lehtësuese të parashikuara në ligjin e quajtur “Paketa e Maleve”, 2500 qytetarë kanë shprehur interes për të investuar në tokat e tyre.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, tha se, “përmes kësaj nisme, çelet një epokë e re për zhvillimin dhe rijetëzimin e zonave malore, duke çliruar një potencial të ri për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale, përmes nxitjes së investimeve”.

Paketa parashikon që për 500 aplikuesit e parë të ofrohen disa lehtësi, duke përfshirë përjashtim nga taksa mbi vlerën e shtuar (TVSH), tatimi mbi të ardhurat, taksa për pasuritë e paluajtshme dhe taksa për infrastrukturën për një periudhë prej 10 vjetësh.

Denaj tha se, “me mundësinë për të fituar pronësinë mbi tokën për vetëm 1 euro dhe duke përfituar lehtësira fiskale për 10 vite, kjo paketë do të rrisë punësimin dhe përmirësimin e jetesës, duke garantuar zhvillim rural të qëndrueshëm”.

Qëllimi kryesor i kësaj pakete është të krijojë kushte më të favorshme për tërheqjen e investimeve dhe të nxisë zhvillimin ekonomik në zonat malore të vendit, kryesisht ato të veriut.

/r.e/

The post “Paketa e Maleve”, Denaj: 2500 qytetarë kanë shprehur interes për të investuar në tokat e tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata me zjarret, Ministria bën bilancin: 29 vatra në 24 orët e fundit, 10 prej tyre ende aktive

25 July 2025 at 11:39

29 vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit, 10 prej të cilave janë ende aktive, ndërsa 4 janë në monitorim.

Vatrat më problematike janë regjistruar në vendin e quajtur Liqeni i Luleve, Parku, Kombëtar Lurë, ku zjarri po zhvillohet në tre vatra, janë angazhuar rreth 100 forca nga të gjitha strukturat operacionale, ku sot i janë shtuar edhe 25 forca zjarrfikëse dhe bashkiake.

Ndërsa në fshatin Zall-Gjoçaj, bashkia Mat vijon puna për shuarjen e zjarrit me rreth 60 forca vendore dhe nga Forcat e Armatosura, si dhe janë kryer 9 misione nga avioni Canadair kroat.

Në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat, ndërhyrja edhe e dy helikopterëve të Forcës Ajrore solli përmirësim të situatës.

Ndërkohë ekipet zjarrfikëse janë angazhuar edhe gjatë ditës së sotme për të neutralizuar vatra përfundimtare të zjarrit.

Po vijon puna në vatrën e zjarrit të rënë në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, bashkia Delvinë,  ku në terren janë dislokuar katër automjete zjarrfikës dhe rreth 70 forca nga strukturat operacionale dhe kanë operuar 2 helikopterë Cougar të Forcës Ajrore.

Puna vijon edhe në fshatin Ploç të Novoselës, ku janë dy vatra të tjera aktive. Pas ndërhyrjes së forcave operacionale, vatra e zjarrit në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, në Gjirokastër po zhvillohet me intensitet të ulët.

Forcat e emergjencave, ndihmuar edhe nga mjete e 3 avionë dhe 1 helikopter nga shteti grek u angazhuan për shuarjen e zjarrit në fshatin Kakavijë, bashkia Dropull.

Në zonën e Shmilit, Elbasan vijon puna për shuarjen e zjarrit me angazhimin e rreth 90 forcave nga strukturat operacionale. Në zonën e Shkopetit, në bashkinë Kurbin vijon aktiv zjarri, i cili është përhapur edhe në territorin e bashkisë Mirditë. Ka pasur një angazhim të lartë të forcave, gjithashtu edhe të 2 helikopterëve hungarezë, të ndarë në 3 misione, duke ulur ndjeshëm intensitetin e zjarrit.

Aktualisht, banesat janë jashtë rrezikut. Sot do të vazhdojë puna për shuarjen e zjarrit, sërish edhe me ndërhyrjen e dy helikopterëve hungarezë.

Në fshatin Dishnicë, Korçë, vazhdon zjarri ku po punojnë  rreth 70 forca të strukturave operacionale. Në fshatin Muzhak, qarku Berat, zjarri i rënë në një terren malor e bën të vështirë ndërhyrjen, por puna vijon me dy mjete zjarrfikëse.

Forcat e angazhuara në operacionet për shuarjen e zjarreve:

  • 52 automjete zjarrfikëse
  • 680 forca operacionale
  • 215 efektivë nga Forcat e Armatosura dhe 2 helikopterë nga Forca Ajrore si dhe 1 avion Canadair nga shteti kroat
  • 2 helikopterë hungarezë, të angazhuar përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile

Gjatë ditës së sotme janë të angazhuar:

  • 140 efektivë të Forcave të Armatosura
  • 2 helikopterë nga Forca Ajrore
  • 2 helikopterë hungarezë, në bashkëpunim me BE-në

/abcnews.al/

Paketa e maleve, Musabelliu: 1600 aplikime kryesisht për bujtina dhe agroturizëm

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Rreth 1 600 persona kanë shprehur interes për t’u regjistruar në vetëm shtatë ditët e para të thirrjes për investime në skemën e paketës së maleve.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, u shpreh se ka një interes të madh si nga investitorët vendas, ashtu edhe të huaj për të aplikuar në Paketën e Maleve.

Në një intervistë për mediet, Musabelliu tha se “Paketa e Maleve” është një iniciativë ligjore e qeverisë për të mundësuar zhvillimin e ekonomisë malore, e cila për një periudhë të gjatë ka mbetur e pazhvilluar për shkak të mungesës së titujve të pronësisë.

“Të gjithë individët e interesuar mund të shprehin interesin për të zhvilluar një parcelë apo një zonë të caktuar në kuadër të zbatimit të këtij ligji. Deri tani janë rreth 1600 aplikime për shprehje interesi që janë bërë në zona të ndryshme të Shqipërisë“, tha Musabelliu.

Ai vuri në dukje se “nga aplikimet që na kanë ardhur, më shumë interes paraqitet për agroturizmin, blegtoria, bujtinat si dhe aktivitete të tjera të kësaj natyre”.

Sipas tij, ky projektligj i jep mundësi njësoj si qytetarëve shqiptare që jetojnë brenda vendit apo atyre që kanë emigruar që të aplikojnë dhe të kenë një mundësi për të zhvilluar aktivitete ekonomike në zonat malore.

Programi është një nga politikat e reja që mbështet sipërmarrjet në zonat më pak të zhvilluara. Musabelliu nënvizoi se kjo nismë ka sjellë optimizëm dhe besim nga investitorët. Qeveria e konsideron këtë paketë si një instrument për rigjallërimin e zonave malore. /j.p/

The post Paketa e maleve, Musabelliu: 1600 aplikime kryesisht për bujtina dhe agroturizëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Thethi “i plagosur”, nën hijen e “Paketës së Maleve”

15 July 2025 at 14:50

Në momentin që fadromat prishën një nga katër shtëpizat e drurit të Zef Barit, në oborr kishte ende të stivuara materialet e ndërtimit. Gjithçka ndodhi shpejt dhe pa paralajmërim.

I revoltuar për “pabesinë e qeverisë” Zefi nisi të ndajë mendimin se banorët e Thethit u mashtruan nga Kryeministri një vit më parë, kur bashkë me premtimin për fshirjen e gjobave ai u pati bërë thirrje emigrantëve të kthehen dhe të investojnë në turizëm.

“Solla djemtë nga Gjermania dhe Franca ku kishin ndërtuar jetën e tyre dhe po investonim në shtëpizat e drurit. Na mashtroi dhe na preu në besë qeveria”, tha ai, teksa tregoi se shpenzimet shkonin deri në 30 mijë euro.

Sipas Zefit, të gjitha institucionet kanë qenë në dijeni për ndërtimet në Theth dhe “të gjithë thonin vazhdoni”.  

Edhe familja e Bekim Koçekut nxitoi të largojë shtëpizat e drurit nga aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT). Ata thanë se bashkë me investimin, po shuhej edhe përpjekja disa vjeçare për të ndërtuar të ardhmen në këtë vend.

“Kemi qenë plot me turistë dhe jemi detyruar t’i nxjerrim në orën 5 të mëngjesit nga shtëpia. Fëmija i tyre 10 vjeç qante se nuk po e kuptonte çfarë po ndodhte, ishte i trembur. Ky është krim!” tha mes lotësh, Edmira, motra e Bekimit, e cila shpjegoi për Citizens.al se u kishin kërkuar më kot autoriteteve t’i lejonin të punonin deri në shtator.

“Bekim Koçeku ka lënë garanci në bankë pensionin e invaliditetit për të ndërtuar këto shtëpi, tani ka 200 milionë lekë borxh”, tha e dëshpëruar Edmira, duke treguar tokat ku ata kanë jetuar ndër shekuj.

Qetësia e fshatit të fshehur mes maleve u trondit nga zhurma e fadromave javën e dytë të muajit korrik. Lugina u kthye në një skenë lufte, ku policë me kallashnikovë u përballën më banorë të zëmëruar që sulmuan me molotovë mjetet e IKMT-së.

Në mes të kësaj përplasjeje, qindra turistë që kishin rezervuar në Theth, anuluan rezervimet dhe ia mbathën. Bashkë me ta, duket se u largua edhe shpresa se fshati mund të ketë një të ardhme në turizëm.  

A po prishen ndërtimet në Theth për “Paketën e maleve”?

Ekspertët fajësojnë një zinxhir të gjatë institucionesh për neglizhencë dhe degradim të situatës. Ndërkohë, banorët e Thethit pretendojnë se pas aksionit fshihet “Paketa e Maleve”.  

“Për çfarë vijnë ato helikopterët me investitorë strategjikë?! Për të na marrë atë që është e jona. Këtu nuk ka tokë të xanun,” tha një banor i Thethit për Citizens.al.

Për t’i fryrë edhe më shumë këtij dyshimi, shërbeu edhe një postim gjatë ditës së shtunë, i kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, ku ftonte të gjithë të interesuarit të aplikojnë për “Paketën e Maleve”.

Aranita Brahaj, drejtuese e Open Data Albania, e lidh këtë qasje me trysninë që kryeministri Rama ka bërë së fundmi në kërkesat për dorëheqjen e drejtuesve të drejtorive në autoritetet lokale.

“Nuk përjashtohet mundësia që edhe ‘reprezaljet’ që po ndërmerren nga Kryeministri në bashki të ndryshme, të jenë pjesë e një strategjie për të keqpërdorur stafet bashkiake në vendimmarrje klienteliste në transferim të paligjshëm të pronës publike,” tha Brahaj.

“Paketa e Maleve”, e miratuar në janar të këtij viti, synon “të nxisë zhvillimin dhe rigjallërimin ekonomik të zonave malore kundrejt lehtësirave fiskale dhe dhënies së tokave shtetërore në posedim”.

Ilustrim nga aksioni i IKMT-së në tokën e familjes Koçeku, Theth/Citizens.al

Aktualisht procesi është në fazën e shprehjes së interesit, e cila bëhet pa pagesë përmes e-albanias, si për bizneset, ashtu edhe për qytetarët.

Pa qenë pronarë trojesh, me një përzgjedhje pike në hartë, gjithsekush mund të interesohet për sado sipërfaqe të dëshirojë (e shprehur në hektarë).

Nevojitet vetëm një përshkrim me maksimumi 500 fjalë, të caktohet tipologjia e investimit: turizëm, energjetikë, blegtori, projekte sociale etj; dhe kohëzgjatja e posedimit të tokës: më pak ose më shumë se 10 vite. (link ilustrues)

Shprehja e interesit i dërgohet bashkive përkatëse, të cilat do t’i trajtojnë për evidentime për zonat zhvillimore. Ligji i “Paketës së Maleve” i lejon bashkitë që pas procesit të evidentimeve t’i propozojnë qeverisë të ndryshojë cilësimin e tokave duke shpallur “zona zhvillimore” zonat e interesuara.

Nga kjo paketë ligjore pritet të përfitojnë “500 aplikuesit e parë”.

Zef Preçi, drejtues i Qendrës për Kërkime Ekonomike (ACER) që ka kryer një vlerësim të rrezikut për korrupsion të këtij ligji thotë se ka mungesë transparence dhe se “përmbajtja krijon premisa për qëllime të fshehura ose të padeklaruara”.

“Ligji prek në mënyrë të rëndësishme interesa publike ndërsa bëhet fjalë për shitje të pasurisë shtetërore, për vlera të parëndësishme fare, tek subjekte private,” tha Preçi.

Sipas drejtuesit të ACER, ligji prek në mënyrë problematike ekuilibrin mes interesit publik dhe atij privat, veçanërisht në lidhje me mekanizmin e kalimit të pronës shtetërore te poseduesit jopronarë ose thënë ndryshe “faktikë” pa titull pronësie.

“Toka jonë iu duhet për tua dhënë investitorëve strategjikë, jemi të bindur që pas kësaj qëndron Paketa e Maleve”, tha një banor i Thethit për Citizens.al

Urbanisti Imeldi Sokoli, njëherësh anëtar i Këshillit Bashkiak Shkodër, nuk është i sigurt, por e cilëson jo të rastësishme hapjen e aplikimeve për “Paketën e Maleve” me ndërhyrjen në Theth.

“E njëjta gjë ka ndodhur me disa tentativa për të marrë investitorë strategjikë për resorte skish dhe kjo ka ndodhur diku nga marsi, kur Benet Beci shkoi me investitorët për të parë se ku mund të bëhet një resort dimëror,” thotë Sokoli.  

Ilustrim nga aksioni i IKMT-së në Theth/Citizens.al

Edhe për Preçin, ndërhyrja në Theth nuk duket e rastësishme. Ai e konsideron atë vijim të tjetërsimit të territorit që ka nisur prej vitesh.

“Me sa duket përvoja e ndërhyrjes brutale të qeverisë në bregdetin e Jugut dhe në Tiranë (5 Maji), Portit të panevojshëm të Durrësit dhe etja e pashuar e lobistëve, oligarkëve dhe segmenteve të krimit që kane akumuluar pasuri kolosale po e shtyjnë agresivisht përpara edhe këtë proces fatal dhe të pakthyeshëm për fatin e pjesës më të bukur të natyrës sonë,” thotë ai.

Për Brahajn “Paketa e Maleve” është një ligj problematik “që rrezikon rendin juridik të pronësisë”.

“Krijon kompetenca arbitrare dhe anashkalon institucionet që kanë mandat ligjor për regjimin e pronësisë. Në mënyrë të pajustifikuar, ai i kalon kompetenca të ndjeshme stafeve bashkiake, duke shmangur rolin e sistemit gjyqësor dhe institucioneve të regjistrimit. Mund të quhet me plot kuptimin e fjalës ligj për keqqeverisje,” shpjegon Brahaj.

Analizuar sipas metodologjisë së vlerësimit të rrezikut për korrupsion, ky ligj, rezulton me nivel të lartë risku.

Ekziston mundësia që “klientë të pushtetit” të përfitojnë prona pa asnjë kosto privatizimi përmes procedurave arbitrare dhe të pakontrolluara.

“Krijojnë mundësinë që shumë nga klientët e bashkive, të cilët deri më tani kanë përfituar prona publike me qira apo përmes ankandeve për periudha 10-vjeçare, tani të përfitojnë në mënyrë arbitrare, pa garë të ndershme,” thotë Brahaj.

Duke u referuar hapjes së aplikimeve për këtë paketë, Zef Preçi, thotë se “do të ishte mirë që qeveria dhe Bashkia e Shkodrës të heqin dorë nga brutaliteti policor dhe të mos ngutet në kënaqjen e interesave okulte në dëm të komuniteteve lokale”.

Kullat shekullore të paregjistruara

Urbanisti Imeldi Sokoli, ishte i pari që denoncoi kompleksin e shtëpizave të drurit pas oborrit të kishës. Ai e sheh këtë situatë të lidhur me paaftësinë për të menaxhuar territorin.

“Shteti justifikon mos-menaxhimin e situatës me këtë ndërhyrje brutale, në mes të sezonit,” thotë ai “Është totalisht problem i paaftësisë për të funksionuar instrumentet ligjore në territor”.

Urbanisti ka pikëpyetje edhe për mënyrën se si po zhvillohet aksioni i IKMT-së, duke e konsideruar “ndërhyrje të jashtëligjshme”.

“Minimalisht duhet të ishin njoftuar banorët, pra t’u ishte dhënë një paralajmërim, t’u ishte lënë kohë t’i hiqnin vetë dhe më pas të niste aksioni i prishjes,” thotë Sokoli.

Ai e sheh zanafillën e situatës së ndërtimeve pa leje, tek mungesa thuajse totale e regjistrimit të pronave në hipotekë, një gangrenë që nuk po gjen zgjidhje prej vitesh në Theth dhe fshatra të tjerë malorë.

“Ligjërisht të gjitha ndërtimet rezultojnë pa leje, edhe kullat e vjetra shekullore, jo vetëm ndërtimet e reja. Dhe ky është problemi,” sqaron më tej Sokoli.

Të njëjtin opinion ndan edhe Aranita Brahaj, kur shprehet se censi i pronave në zonat rurale nuk është bërë kurrë në mënyrë të plotë dhe asnjë qeveri nuk e ka ushtruar ketë detyrë.

Ilustrim nga aksioni policor i prishjeve të ndërtimeve në Theth/Citizens.al

“Pas 40 vitesh regjimi bolshevik, edhe qeverisja aktuale vazhdon të mohojë të drejtën e qytetarëve për të gëzuar plotësisht pronën, qoftë: truall themel i familjes, tokë bujqësore, kullota apo pyje. Si në formën e pronësisë, ashtu edhe në posedim të ligjshëm,” shpjegon ajo.

Amullinë me këtë e aksion e tregon edhe mungesa e të dhënave për numrin e objekteve pa leje që do të prisheshin.

Fillimisht u tha se ishin 10 ndërtime pa leje, më pas 40, më pas drejtuesit e IKMT-së folën për rreth 80 ndërtime, teksa në fund të javës së dytë të korrikut numri shkoi në rreth 120.

Situata me mbi 100 ndërtime pa leje duket se u ka shpëtuar institucioneve që kanë për detyrë kontrollin e territorit, përfshirë edhe administratën rajonale të Zonave të Mbrojtura.

Vitin e fundit, 2024-2025 në Parkun Kombëtar Alpet e Shqipërisë, ku përfshihet Thethi, nga rojet mjedisore janë mbajtur mbi 36 konstatime për gërmime, zënie fondi pyjor, prerje drurësh dhe hapje rrugësh në pyll.

“Këto konstatime, sipas klasifikimit te kundërvajtjes i janë dërguar institucioneve përkatëse dhe kur ka ndërtime vihen në dijeni, pasi institucioni ynë, në aktet ligjore nuk parashikon ndërtimet pa leje,” thanë për Citizens përfaqësues të administratës rajonale të zonave të mbrojtura Shkodër.

Mos-regjistrimit të pronës, i mbivendosen edhe shtresëzime të tjera ligjore që janë shtrënguese për banorët.

I shpallur Park Kombëtar që në vitin 1966, cilësimi i zonës kryesore si Qendër Historike në vitin 2017, i jep vlerë monumentale fshatit të Thethit, por nuk u jep banorëve mundësi zhvillimi të pronës.

Po ashtu edhe ligji për Zonat e Mbrojtura, sipas të cilit kjo zonë u përfshi në Parkun Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, në vitin 2022, kufizon ndërtimin.

Për ekspertët pikërisht këtu duhet të kishte lindur formalizimi.

“Ky është rasti tipik që shteti ishte i paaftë për t’i dhënë një instrument ligjor të aplikueshëm që këto banorë të kenë një pronë të ligjshme,” thotë Sokoli.

Lexoni gjithashtu:

The post Thethi “i plagosur”, nën hijen e “Paketës së Maleve” appeared first on Citizens.al.

Premtimet që mbetën në letër: Spitali i Dibrës ende i parikonstruktuar

15 May 2025 at 13:14

Autore: Ilda Hoxha | Citizens.al | Tiranë

Në vitin 2023, u premtua se Spitali Rajonal “Rrahim Xhika” në Dibër do të rikonstruktohej brenda dy vitesh. Sot, dy vite më vonë, asnjë punim nuk ka nisur. Tenderi është anuluar, ndërsa godina e spitalit vijon të jetë në gjendje të mjerueshme – me mure të çara, myk dhe mungesë mjekësh specialistë.

Për të përballuar situatën, janë angazhuar mjekë të dalë në pension. Ndërkohë, pacientët detyrohen të përdorin shërbimet private për analiza dhe ekzaminime, për shkak të mungesës së kapaciteteve.

Sipas ekspertit të shëndetësisë Erion Dasho, kjo është një dëshmi e qartë e angazhimit sipërfaqësor të qeverisë në sektorin e shëndetësisë pasi aktualisht teknologjia dhe shërbimet janë përkeqësuar, duke thelluar hendekun mes spitaleve rajonale dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë (QSUT).

Ishte maji i vitit 2023, kur ministret Ogerta Manastirliu – asokohe ministre e Shëndetësisë – dhe Belinda Balluku prezantuan para stafit mjekësor të spitalit të Peshkopisë pamjet se si do të dukeshin pavijonet pas rikonstruksionit të plotë nga projekti me vlerë 3.2 milionë euro.

Ministret Balluku dhe Manastirliu duke prezantuar projektin e spitalit të Dibrës/Facebook.

“Do të ketë parametra evropian të infrastrukturës, duke bërë të mundur që ne të kemi një spital, i cili do të integrojë në një strukturë unike shërbimin e pediatrisë, gjinekologjisë, imazherisë, tek laboratori, shërbimi patologjisë, kirurgjisë, blloku operator dhe reanimacionin,” deklaronte Manastirliu.

Rreth 8 muaj më vonë, në janar 2024, ministrja e re e Shëndetësisë, Albana Koçiu deklaroi se brenda pak javëve do të niste puna për rikonstruksionin e spitalit, mirëpo ka kaluar më shumë se një vit dhe puna nuk ka nisur, përkundrazi.

Anulimi i tenderit të spitalit 

Në vitin 2023 u zhvillua një procedurë tenderuese për rikonstruksionin e spitalit “Rrahim Xhika” ku fitues u shpall “Rafin Company” në ortakëri me “Udha shpk”, me një ofertë prej 2.9 milionë eurosh dhe me afat punimesh 24 muaj.

Në mars të vitit 2024, tenderi u anulua, por megjithatë në dhjetor Agjencia e Prokurimit Publik njoftoi gjithsesi lidhjen e kontratës me dy operatorët.

Projekti i Spitalit të Dibrës/Prokurimet Publike.

Pyetur për këtë situatë, Spitali Rajonal Dibër tha se “procedura është pezulluar me vendim të Gjykatës së Lartë pas kërkesës nga Komisioni i Prokurimit Publik”. Sipas përgjigjes nga spitali ndaj një prej kompanive ka pasur një çështje gjyqësore ndërkohë që nuk ka një datë se kur pritet të nisin punimet.

“Rikonstruksioni i Spitalit Rajonal Dibër është pezulluar me vendim të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë […] Ky pezullim është bërë me kërkesë të Komisionit të Prokurimit Publik, përfaqësuar nga Avokatura e Shtetit, në çështjen kundër shoqerisë ‘Rafin Company’ dhe me palë të paditur Komisionin e Prokurimit Publik dhe Drejtorinë e Spitalit Rajonal Dibër”, nënvizon drejtoria e spitalit.

Pacientët: Kushtet në spital të mjeruara

Ata që po i vuajnë pasojat e kësaj situatë janë banorët e Dibrës. Ata tregojnë për kushte të papranueshme në spital: mure të krisura, lagështi, mungesë higjiene dhe mungesë ajrosjeje në dhomat e shtrimit. Shumë prej tyre duhet të shpenzojnë para në privat për analizat më bazike.

“Asnjë punim nuk është bërë deri më sot. Muret e spitalit janë të krisura dhe shumë të mykura. Gjendja me higjenën, pastërinë është skandaloze. Tualetet e spitalit janë katastrofë, sidomos të urgjenca e spitalit, shumë keq”, ngre shqetësimin Izeti, banor i Peshkopisë. 

Pamje nga Spitali Rajonal i Dibrës/ Foto: Ilda Hoxha

Të njëjtin shqetësim ka edhe Drita, e cila shprehet se gjendja e spitalit është e mjerueshme. 

“Kushtet nuk janë aspak të mira. Spitali ka shumë lagështirë, dhoma e shtrimit nuk janë të ajrosura”, thotë 54-vjeçarja. 

Përpos kushteve, pacientët ankohen edhe për mungesën e marrjes së shërbimeve në këtë spital. 

“40 mijë lekë (400 euro) kam bërë analizat në privat, se aty në spital në Peshkopi nuk m’i bënë. Si Tirana si Peshkopia kudo që të shkosh në spitale për ‘ibret’ janë”, shton Drita. 

Për ekspertin e shëndetësisë, Erion Dasho, spitalet rajonale në Shqipëri kanë një problematikë të madhe të përbashkët, pasi janë ndërtuar para viteve ’90. 

“Janë ndërtuar sipas një koncepti sovjetik të asaj kohe. Ky koncept nuk përputhet më me konceptin bashkëkohor në ofrimin e kujdesit shëndetësor, i cili bazohet në spitale vertikale dhe komunikim eficent midis departamenteve të shërbimeve të ndryshme.”

“Problemi i dytë madhor i spitaleve rajonale është se këto spitale nuk kanë atë status real që duhet të kishin. Një sërë shërbimesh janë të centralizuara në QSUT”, thekson Dasho. 

Më tej ai shton se kontributi i qeverisë ka qenë kryesisht sipërfaqësor në sistemin shëndetësor, ndërsa teknologjia dhe kushtet reale janë përkeqësuar, duke thelluar hendekun mes spitaleve rajonale dhe QSUT-së.

“I vetmi kontribut i qeverisë është se ka lyer muret dhe ka shtruar pllakat.” thekson Dasho.

Sipas tij, në pamje të parë, kushtet duken të përmirësuara. Por teknologjia nuk është përmirësuar, madje ka ngelur prapa.

“Nëse do të shohim sa medikamente të reja futen, sa teknologji të reja janë futur, sa teknika te reja ndërhyrje operatore janë futur, unë do të thosha që kushtet vetëm kanë ardhur në përkeqësim dhe disniveli midis spitaleve rajonale dhe QSUT vetëm është rritur”, argumenton Dasho.

Projekti i Spitalit të Dibrës/Prokurimet Publike.

Mungesa e mjekëve në spitalin rajonal Dibër

Sikur të mos mjaftonin kushte e vështira në këtë spital, pacientët duhet të përballen edhe me mungesën e mjekëve specialistë, Ky problem pranohet edhe nga vetë spitali në përgjigjen zyrtare.

Sipas informacioneve, spitali rajonal “Rrahim Xhika” ka munngesë të mjekëve specialistë: 1 dermatolog; 1 kirurg, 1 Pediatër, 1 shef të klinikës së pediatrisë infektive, 1 mjek për njësinë e trajtimit me metadon etj.

Sipas pacientëve, për shkak të mungesës së mjekëve, në këtë spital ofrojnë shërbim mjekë të dalë në pension.  

“Janë disa mjekë që kanë dalë në pension, por janë në detyrë në spital se nuk ka mjekë të tjerë për t’i zëvendësuar. Nuk ka mjekë të rinj të spital, janë mbi 70 e kusur vjeç”, tregon Dilaveri, banor i Peshkopisë. 

Referuar të dhënave zyrtare nga Spitali Rajonal Dibër, mjekët e dalë në pension janë në kë shërbimin e përgjithshëm (2 mjekë); në klinikën e neurologjisë (1 mjek) dhe në shërbimin e reanimacionit (1 anestezist-reanimator).

Sipas Erion Dashos spitalet rajonale janë prekur rëndë nga largimi i mjekëve, duke mbetur pa specialitete të rëndësishme ose duke u mbështetur te mjekët pensionistë, të cilët përfshihen edhe në statistikat zyrtare.

“Pjesa më e madhe e spitaleve rajonalë ose kanë të pambuluar specialitetet shumë të rëndësishme ose detyrohen që të zgjasin kontratat e mjekëve pensionistë dhe sot kur themi që ka një numër të caktuar mjekësh për 1 mijë banorë, këtu llogariten edhe mjekët pensionistë”, shprehet Dasho.

The post Premtimet që mbetën në letër: Spitali i Dibrës ende i parikonstruktuar appeared first on Citizens.al.

“Paketa e Maleve çelësi për zhvillimin rural”, Denaj: Synimi i qeverisë përafrimi i ligjeve sipas standardeve të BE

By: Rovena
18 July 2025 at 21:13

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, shprehu besim të plotë në suksesin e “Paketës së Maleve”, gjatë një interviste në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC Neës. Sipas saj, kjo paketë nuk ka të bëjë vetëm me lehtësimin e dokumentacionit të pronësisë, por përfaqëson një hap të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të zonave malore përmes nxitjes së 500 bizneseve të para me përjashtim nga taksat për një periudhë 10-vjeçare.

Denaj theksoi se kjo nismë synon të krijojë punësim, të rrisë reputacionin dhe vlerën e zonave të thella. Ajo foli gjithashtu për sfidat që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke vënë në dukje nevojën për përafrimin e legjislacionit dhe përforcimin e kapaciteteve njerëzore në administratë.

Ministrja nënvizoi se mungesa e stafit të specializuar është një nga problemet më të mëdha që kërkon zgjidhje të shpejtë, duke përmendur si zgjidhje përfshirjen e studentëve të vitit të fundit në praktika profesionale me qëllim punësimin e tyre në sektor.

“Jam shumë shpresë plotë tek ‘Paketa e Maleve’. Unë nuk mendoj që paketa e maleve nuk është thjesht që lehtësi për një dokument pronësie, por ai është hapi i parë dhe nëse ai shoqërohet me 500 bizneset e para me 0 taksa në 10 vite dhe këto 500 biznese janë brenda standardeve dhe madhësisë së fermës kaq është Shqipëria dhe kaq janë zonat malore të Shqipërisë për të ngritur edhe vlerë edhe reputacion dhe punësim.

Bujqësia të gjithë sektorët dhe i gjithë mandati i Partisë Socialiste është një mandat drejt integrimit në Bashkimin Europian, dhe një merak është se ai do i arrijmë në kohë ne të gjithë ligjet që kërkohen. Ky është meraku i vetëm. Dhe puna e përditshme që këtu bëhet është se si të përafrojmë ligjet sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe burimet njerëzore janë një element shumë i rëndësishëm unë në këtë ministri kam vlerësuar çdo ditë të punës si një vlerë të shtuar duke mësuar nga agronomë që kanë 40 vite në këtë ministri.

Por, është dhe koha biologjike dhe u ka ardhur koha për të dalë në pension dhe sado që ne duam t’i mbajtën ata duhen zëvendësuar me profesorët më të mirë sot, shpresoj nga fakulteti, por pse jo dhe studentët më të mirë. Nga ana tjetër ne kemi vendosur kuota në ministri të paktën 100-150 duhen ardhur studentet e viteve të fundit për të bërë praktikat dhe më pas për t’u punësuar. Ne vetëm kështu mund ta mbyllin handikapin e burimeve njerëzore që është dhe një andikap natyror”, tha Anila Denaj./abcnews.al

Denaj: “Paketa e Maleve”, çelësi për zhvillimin rural, 500 biznese me zero taksa

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë një interviste sot në media, shprehu besim të plotë në suksesin e “Paketës së Maleve”, duke e cilësuar atë si një nga nismat më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të zonave të thella malore.

Sipas Denaj, kjo paketë nuk kufizohet vetëm në lehtësimin e dokumentacionit të pronësisë, por përfaqëson një hap strategjik për rigjallërimin e ekonomisë rurale nëpërmjet nisjes së 500 bizneseve të para që do të përfitojnë përjashtim nga taksat për një periudhë 10-vjeçare.

“Jam shumë shpresëplotë tek ‘Paketa e Maleve’. Nuk është thjesht për dokumentin e pronësisë, ai është vetëm hapi i parë. Nëse kjo shoqërohet me 500 biznese me zero taksa për 10 vite, dhe këto biznese janë në përputhje me madhësinë reale të fermave në Shqipëri, atëherë ne mund të rrisim reputacionin, vlerën dhe punësimin në zonat malore”, u shpreh Denaj.

Ministrja theksoi se procesi i integrimit në Bashkimin Europian është shtylla kryesore e mandatit qeverisës, ndërsa përafrimi i legjislacionit me standardet e BE-së kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe një administratë të përgatitur.

“Bujqësia është pjesë e rëndësishme e negociatave me BE-në. Meraku ynë më i madh është përmbushja në kohë e të gjitha ligjeve të kërkuara nga ky proces”, deklaroi ajo.

Një ndër pengesat më të mëdha, sipas Denajt, është mungesa e burimeve njerëzore të specializuara, për shkak edhe të largimit në pension të specialistëve me përvojë shumëvjeçare.

Ajo propozon përfshirjen aktive të studentëve të vitit të fundit në praktika profesionale, si një mundësi për të rritur kapacitetet dhe për të siguruar brez të ri profesionistësh.

“Kemi vendosur kuota të qarta, të paktën 100 deri në 150 studentë të viteve të fundit të angazhohen për praktika në ministri, me qëllim punësimin e tyre të mëvonshëm”, theksoi Denaj.

Ministrja theksoi se vetëm me një qasje të kombinuar midis politikave zhvillimore, përkrahjes financiare dhe investimit te kapitali njerëzor, mund të përmbyllen me sukses objektivat e “Paketës së Maleve” dhe të përafrimit me Bashkimin Europian.

/r.e//a.f/

The post Denaj: “Paketa e Maleve”, çelësi për zhvillimin rural, 500 biznese me zero taksa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Paketa e Maleve e Ramës është një përpjekje për të nxitur gjakderdhje

By: Oldi
17 July 2025 at 13:16

Kreu i PD, Sali Berisha denoncon Paketën e Maleve të Edi Ramës si një mjet për të nxitur gjakderdhje, armiqësi, urrejtje dhe përçarje në veri. Ai thekson se kjo paketë mbështetet në një paligjshmëri absolute, ku Rama autorizon veten të marrë dhe të dhurojë toka që nuk i përkasin, duke shkelur traditën e ndarjes së […]

The post Berisha: Paketa e Maleve e Ramës është një përpjekje për të nxitur gjakderdhje appeared first on BoldNews.al.

Paketa e Maleve, kryeministri Rama publikon hartën: 787 aplikime në vetëm 5 ditë

By: Rovena
16 July 2025 at 12:56

Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë të mërkurë në faqen e tij zyrtare në Facebook një përditësim mbi interesin e madh për Paketën e Maleve, një nismë e re që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe turistik në zonat malore të Shqipërisë.

Ai publikoi hartën e aplikimeve, ku theksoi se brenda vetëm 5 ditëve nga hapja e thirrjes, janë regjistruar plot 787 aplikantë nga e gjithë Shqipëria.

“Kjo është një hartë frymëzuese e aplikimeve për Paketën e Maleve, ku në vetëm 5 ditë numërohen 787 aplikantë”, shkroi Rama, duke nënvizuar entuziazmin dhe interesin që ka gjeneruar kjo paketë tek qytetarët që jetojnë apo duan të investojnë në zonat malore.

Pritet që Paketa e Maleve të ketë një impakt të ndjeshëm në promovimin e turizmit të qëndrueshëm, zhvillimin rural dhe fuqizimin ekonomik të komuniteteve lokale.

/abcnews.al 

 

Shembjet në Theth/ Tabaku: Konflikti është pasojë direkte e “Paketës së Maleve” (VIDEO)

By: Ela
15 July 2025 at 12:49

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar për situatën e krijuar në Theth, ku qeveria Rama ka ndërmarrë një aksion për shembjen e disa bizneseve dhe banesave. Në një video në rrjete sociale, tabaku shprehet se kjo është vjedhja e radhës e qeverisë Rama ndaj qytetarëve të ndershëm të veriut. “Biznese dhe prona që prej 25–30 […]

The post Shembjet në Theth/ Tabaku: Konflikti është pasojë direkte e “Paketës së Maleve” (VIDEO) appeared first on BoldNews.al.

Aplikimet për Paketën e maleve përmes portalit e-Albania

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Janë hapur tashmë prej pak ditësh aplikimet për Paketën e Maleve. Pas miratimit në Kuvend dhe botimit në Fletoren Zyrtare tashmë ka nisur zbatimi i ligjit nga i cili parashikohet të mbështeten 500 projekte që do të përfitojnë lehtësi fiskale.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale linkun e portalit ku aplikohet online.

“Shprehni interesin për të investuar në tokën që posedoni dhe bëhuni pronarë të saj me Paketën e Maleve duke ndjekur disa hapa shumë të thjeshtë në portalin www.paketaemaleve.gov.al.”, shkroi Denaj.

Ministrja tha se, për investimin përfitohen lehtësi fiskale, 10 vjet pa asnjë taksë.

Përmes “Paketës së Maleve” synohet: zhvillim i qëndrueshëm i ekonomisë rurale; promovimi i produkteve “Made in Albania”; lehtësi procedurash për pronësinë dhe ndërtimin; politika fiskale stimuluese dhe zgjerim i hartës turistike.

Nisma për “Paketën e Maleve” përmes projektit “Investo në tokën tënde”, synon të ofrojë një qasje realiste për tërheqjen e investimeve në zonat malore të vendit, falë politikave të reja të mbështetjes kundrejt investitorëve.

Paketa synon të krijojë një ekuilibër në zhvillimin e qëndrueshëm të aktiviteteve ekonomike të turizmit malor, bujqësisë, industrisë dhe inovacionit të lidhur me ekosistemin e këtyre zonave, bazuar në mbrojtjen e peizazhit natyror, ruajtjes së trashëgimisë kulturore, kulturës dhe identitetit lokal në këto zona të shpallura me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore. /j.p/

The post Aplikimet për Paketën e maleve përmes portalit e-Albania appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tensionet në Theth/ Rama me dy standarde, dikur i ftonte emigrantët të investonin sot i quan të huaj

By: Elva
14 July 2025 at 09:13

Kryeministri Edi Rama, mbajti sot një takim me deputetët e qarkut të Tiranës dhe drejtorët e Bashkisë së kryeqytetit, me qëllim diskutimin e sfidave dhe çështjeve që po hasen në terren. Ndër te tjera, Rama, foli për aksionin e prishjes së objekteve pa leje në Theth. Pasi “lau duart”, duke e theksuar dhe një herë […]

The post Tensionet në Theth/ Rama me dy standarde, dikur i ftonte emigrantët të investonin sot i quan të huaj appeared first on BoldNews.al.

Teliti: Oligarkët e mëdhenj do kapin Thethin përmes ‘Paketës së Maleve’

By: Ardit
12 July 2025 at 21:58

Zyrtari i Partisë Demokratike, Dorian Teliti ka zbuluar prapaskenat e aksionit të ndërmarrë nga IKMT, me urdhër të kryeministrit Edi Rama për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje në Theth. Sipas Telitit, me hyrjen në fuqi të “Paketës së maleve”, për të cilën u hapën sot zyrtarisht thirrjet për aplikime, Thethi do të përfundojë […]

The post Teliti: Oligarkët e mëdhenj do kapin Thethin përmes ‘Paketës së Maleve’ appeared first on BoldNews.al.

10 korriku Dita Ndërkombëtare e Koteleve

By: Kult Plus
10 July 2025 at 21:01

Dita Ndërkombëtare e Koteleve festohet çdo vit, më 10 korrik, sipas “National Today”.

Kotelet! Kush nuk i do kotelet e vogla dhe të adhurueshme? …kokat e tyre të mëdha, sytë gjigantë, putrat dhe hundët e vogla rozë, dhe mjaullimat e adhurueshme që bëjnë…

Nuk mund t’i rezistojmë sharmit të tyre. Çuditërisht, amerikanët duket se i pëlqejnë më shumë macet dhe kotelet.

Sipas Shoqatës Amerikane Humane, 95,6 milionë mace ishin në pronësi, ndërsa 83,3 milionë familje zotëronin një qen.

Sigurisht që nuk ka asgjë të keqe me qentë, por një kotele e vogël është e parezistueshme!

Kur është Dita Ndërkombëtare e Koteleve?

Dita Ndërkombëtare të Koteleve festohet çdo vit, më 10 korrik – për të rritur ndërgjegjësimin për kotelet e pastreha dhe për të promovuar adoptimet dhe donacionet për strehimoret e kafshëve.

Historia e Ditës Ndërkombëtare të Koteleve

Macet janë një enigmë, dhe ne njerëzit jemi plotësisht të magjepsur prej tyre.

Macet kanë jetuar me njerëzit për 12 000 vjet, sipas shkencëtarëve.

Ende nuk jemi saktësisht të sigurt se kur u bënë të zbutura, veçanërisht pasi skeletet e maceve të egra dhe maceve të zbutura – të zbuluara në vendet arkeologjike janë shumë të ngjashme.

Megjithatë, shumica e provave sugjerojnë se zbutja e maceve ndodhi më shumë se 8 000 vjet më parë.

Sikur macet të mos ishin kaq të lezetshme dhe të parezistueshme, ato janë edhe më të adhurueshme si kotele!

Kotele të ëmbla që thjesht duam t’i mbajmë dhe t’i përkëdhelim, dhe sapo fillojnë të mjaullojnë, zemrat tona shkrihen.

Dita Ndërkombëtare e Koteleve është koha kur i llastojmë dhe i përkëdhelim kotelet tona të vogla me gëzof.

E krijuar nga avokatja e kafshëve dhe ekspertja e kafshëve shtëpiake Colleen Paige, Dita Ndërkombëtare e Koteleve është gjithashtu një mundësi për kotelet e braktisura që të adoptohen.

Dita Ndërkombëtare e Koteleve shërben edhe si një fushatë ndërgjegjësimi për të shpëtuar këto kafshë dhe për t’u dhënë atyre dashurinë që meritojnë. /atsh/ KultPlus.com

❌
❌