Qeveria e Kosovës mohon lidhjen me spiunen serbe: Qasja në informacione është strikt e kufizuar
PRISHTINË, 28 gusht/ATSH/ Qeveria në detyrë e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet se spiunia serbe A.M. nga Mitrovica, e cila është arrestuar nga Kroacia nën dyshime për spiunazh për Serbinë, ka pasur lidhje edhe me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, raporton KosovaPress.
Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka thënë se Zyra e Kryeministrit përbëhet nga stafi civil i përhershëm dhe kabinetet e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave të cilat përbëhen nga të emëruar politikë.
“Duam të theksojmë se qasja në informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit është strikt e kufizuar. Andaj ne hedhim poshtë çdo pretendim se personi në fjalë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.
“Ju kujtojmë se në muajin korrik një toger i Policisë së Kosovës, i etnisë serbe, ishte arrestuar mbi dyshime të bazuara për veprimtari spiunazhi në Republikën e Kosovës, për interesa të Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA), me synim rrezikimin e sigurisë në përgjithësi dhe operacionet e Policisë së Kosovës në veçanti. Kurse në shkurt ishte arrestuar një person tjetër mbi dyshime për spiunazh, po ashtu e etnisë serbe, e cila punonte në misionin e OSBE-së në Kosovë. Institucionet tona të sigurisë dhe inteligjencës po punojnë në vazhdimësi e me vigjilencë të lartë, dhe suksesshëm po i kundërvihen përpjekjeve të dashakeqe dhe destabilizuese të Serbisë në Kosovë.”
Kryeziu ka thënë se institucionet e Kosovës janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit, pasi që veprimtaria e A.M. dhe shtetasit kroat J.I., të dy të arrestuar më 25 korrik në Kroaci, është zhvilluar në Kosovë.
“Viteve të fundit, si pasojë e humbjes së kontrollit në veri përmes rrjetit kriminal të udhëhequr nga Millan Radojiçiq, Serbia ka rritur aktivitetet e spiunazhit dhe ne vazhdimisht kemi ngritur në publik shqetësimet tona mbi aktivitetet e inteligjencës serbe në territorin e Republikës së Kosovës.”
/kosovapress/
The post Qeveria e Kosovës mohon lidhjen me spiunen serbe: Qasja në informacione është strikt e kufizuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.