Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Barcelona po pret oferta për mbrojtësin e vlerësuar spanjoll

Barcelona pritet të miratojë disa largime nga skuadra në javët e fundit të afatit kalimtar veror në La Liga, në mënyrë që të finalizojë regjistrimet  e lojtarëve për sezonin e ri. 

Blaugranasit ndodhen në një situatë delikate, teksa trajneri Hansi Flick synon të regjistrojë transferimet verore Marcus Rashford dhe Joan Garcia, që të jenë të gatshëm për ndeshjen hapëse të sezonit më 16 gusht ndaj Mallorcas. 

Rashford ka deklaruar se është i sigurt që klubi do ta zgjidhë çështjen në kohë dhe se kjo nuk do të ndikojë në debutimin e tij, ndërsa Garcia është ende në pritje të një vendimi për situatën e Marc-Andre Ter Stegen. 

Barcelona pritet të marrë së shpejti lajme mbi mungesën e portierit gjerman pas ndërhyrjes kirurgjikale në shpinë.  

Ter Stegen ka thënë vetë se do të mungojë vetëm për tre muaj, por nëse vlerësimi mjekësor nga La Liga e rrit këtë periudhë në katër muaj, atëherë Barcelona mund të aktivizojë një rregull që i lejon të lirojnë 80% të hapësirës së rrogës së tij për të regjistruar Garcian. 

Ky do të ishte vetëm një zgjidhje e përkohshme, por mjaftueshëm për të shmangur një tjetër siklet për Flick dhe klubin në lidhje me regjistrimet në Kataloni. 

Ndër lojtarët që pritet të largohen është mbrojtësi i djathtë Hector Fort. Kjo pasi përpara tij në hierarki janë Jules Kounde dhe Eric Garcia, ndërsa në krahun e majtë mbulimi vjen nga Alejandro Balde, Gerard Martin dhe Jofre Torrents. 

Skuadra e sapongjitur në Ligue 1, Paris FC, ka shfaqur interes për Fort, ndërsa sipas Mundo Deportivo, në garë për të janë edhe Milan, Borussia Dortmund dhe Ajax. /Telegrafi/

The post Barcelona po pret oferta për mbrojtësin e vlerësuar spanjoll appeared first on Telegrafi.

A mund të vendoset KFOR-i edhe në dy urat e reja që po ndërtohen mbi Ibër?

Teksa punimet për ndërtimin e urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë po i afrohen fundit, ka shqetësime për funksionalitetin e tyre.

Ka mbetur më pak se një muaj deri në afatin e fundit për përfundimin e punimeve, të paktën ashtu siç ka deklaruar kryeministri ë detyrë Albin Kurti, në vendosjen e gurthemeleve.

Në emisionin FIVE të televizionit Dukagjini, dy njohës të çështjeve juridike dhe të sigurisë, avokatët Shkelzen Sopjani dhe Visar Rrecaj, kanë folur mbi fatin e këtyre urave që priten të lidhin pjesën veriore dhe jugore të qytetit të ndarë.

Sipas Sopjanit, nuk duhet përjashtuar skenari ku në ditën e përurimit të urës, KFOR-i mund të vendosë patrulla në të dhe të lejojë vetëm kalimin e këmbësorëve, njësoj siç ka ndodhur me urën kryesore të qytetit.

Ai shton se KFOR-i mund të dalë me një vlerësim të situatës së sigurisë dhe ta ndalojë qarkullimin e automjeteve, nëse kjo shihet si cenim i sigurisë.

“Nuk përjashtohet mundësia në asnjë rrethanë që KFOR-i në ditën e inaugurimit t’i vendos dy patrulla në urë, dhe të thotë se mund të kalojnë vetëm këmbësorë, sikur në këtë urën kryesore. Pasi që ata mund të dalin më një vlerësim të situatës së sigurisë, që mund të vlerësojnë që qarkullimi  i automjete mund të cenojë edhe sigurinë përgjithshme në atë pjesë”, ka thënë Sopjani.

Në të njëjtën linjë, avokati Rrecaj thekson se ndërtimi i urave në të njëjtën vijë me atë ku ndodhet KFOR-i i vendosur, krijon rrezik të përsëritjes së masave ekzistuese.

“Marrë parasysh qëndrimin e KFOR-it dhe pozitën ku ata janë të vendosur dhe krahasuar me distancën, ku këto dy ura të reja po ndërtohen, që do të thotë janë në të njëjtën vi, në të njëjtin vend. Atëherë ekziston mundësia që KFOR-i të marrë masa të njëjta, t’i lërë të qarkullojnë vetëm këmbësorët. Dhe njëkohësisht t’i mbyll për qarkullim për vetura…”, ka thënë Rrecaj.

Sipas tyre, ndërtimi i këtyre urave është më shumë një veprim simbolik dhe populist sesa një zgjidhje reale.

The post A mund të vendoset KFOR-i edhe në dy urat e reja që po ndërtohen mbi Ibër? appeared first on Telegrafi.

NLB Banka shpall fituesen e kampanjës “Paguaj me kartelë NLB VISA” – Udhëtim magjik në Budapest për të ndjekur garën Red Bull Formula!

Me kënaqësi ju njoftojmë se Blerta Brahimaj është fituesja e kampanjës më emocionuese të verës, “Paguaj me kartelë NLB VISA”!  Falë bashkëpunimit me Visa, klientët tanë patën mundësinë të fitojnë një përvojë të paharrueshme – udhëtim për dy persona në Budapest për të ndjekur nga afër garën ikonike Red Bull Formula. 

Gjatë periudhës së kampanjës, të gjithë klientët që realizuan 7 transaksione në javë me shumë totale prej 70€, u përfshinë automatikisht në lojën shpërblyese. 

NLB Banka falënderon të gjithë klientët që morën pjesë dhe vazhdon të sjellë kampanja inovative që shpërblejnë besimin dhe përdorimin e kartelave moderne bankare.

 Paguaj me kartelë, fito eksperienca që mbahen mend gjithë jetën!

 

The post NLB Banka shpall fituesen e kampanjës “Paguaj me kartelë NLB VISA” – Udhëtim magjik në Budapest për të ndjekur garën Red Bull Formula! appeared first on Telegrafi.

Shaip Kamberi padit Ana Brnabiqin për nxitje të urrejtjes kombëtare e fetare

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, për veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.

Sipas Kamberit, kallëzimi penal është dorëzuar bashkë me kolegët deputetë Ahmedin Skrijelj dhe Minela Kalender, pas deklaratave të Bërnabiqit lidhur me protestat e zhvilluara ditë më parë në Novi Pazar.

“Dhe dëgjuam thirrjen ‘Allahu Ekber’ dhe gjëra të tjera të neveritshme”, kishte deklaruar kryeparlamentarja serbe në një konferencë për shtyp, deklaratë që u bë shkak për reagimin e deputetëve.

Kamberi thekson se kjo fjali e Bërnabiqit stigmatizon fenë islame dhe identitetin e shqiptarëve myslimanë dhe të komuniteteve të tjera që ndajnë të njëjtin besim, duke i asociuar ata me diçka “të neveritshme”, “të rrezikshme” dhe “të huaj”, në një shoqëri që, sipas tij, ende nuk është shkëputur nga nacionalizmi i egër i viteve ’90.

“Ky nuk është një veprim politik, por një thirrje për drejtësi”, ka shkruar Kamberi, duke shtuar se gjuha e urrejtjes nuk mund të trajtohet vetëm si çështje politike apo morale, por është mbi të gjitha çështje ligjshmërie dhe drejtësie.

The post Shaip Kamberi padit Ana Brnabiqin për nxitje të urrejtjes kombëtare e fetare appeared first on Telegrafi.

Liverpooli synon të përforcohet në mbrojtje me një futbollist të Brentfordit

Liverpooli po e ndjek nga afër qendërmbrojtësin e Brentfordit, Nathan Collins, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar repartin defensiv përpara sezonit të ri, raporton GiveMeSport.

24-vjeçari irlandez ka bërë paraqitje mbresëlënëse që nga transferimi i tij nga Wolves te Brentford në vitin 2023, për një shumë prej 23 milionë funtesh.

Që nga ardhja në “Gtech Community Stadium”, Collins është kthyer në një figurë kyçe për “The Bees”, duke fituar besimin e stafit dhe bashkëlojtarëve.

Ai është emëruar së fundmi kapiten i skuadrës, një sinjal i qartë i rëndësisë që ka për klubin, falë lidershipit dhe eksperiencës së tij në Ligën Premier.

Karakteristikat e tij si qetësia me topin, vendosja e mirë dhe prania fizike kanë tërhequr vëmendjen e skuadrës së rekrutimit të Liverpoolit, të cilët po vlerësojnë disa opsione në mbrojtje.

Megjithatë, një transferim në Anfield këtë verë duket i pamundur. Brentford nuk ka shprehur asnjë gatishmëri për ta shitur lojtarin, të cilin e konsideron pjesë kyçe të projektit afatgjatë.

Collins ka ende katër vite kontratë me klubin dhe nuk ka dhënë sinjale se dëshiron një largim, ndaj çdo lëvizje konkrete nga Liverpooli mbetet për t’u parë.

Vetëm një ofertë mbi 50 milionë euro e Liverpoolit mund të bëjë Brentfordin të ndryshojë mendje që ta lejoj largimin e kapitenit të tyre. /Telegrafi/

The post Liverpooli synon të përforcohet në mbrojtje me një futbollist të Brentfordit appeared first on Telegrafi.

Pika kufitare e Dellçevës nuk do të funksionojë nesër nga ora 8:00 deri në orën 14:00

Qendra Rajonale për Çështjet Kufitare “Lindje” njofton se nesër (6 gusht) pika kufitare “Dellçevë”, ose në anën bullgare pika kufitare “Stanke Lisiçkovo”, do të mbyllet plotësisht për të gjithë trafikun nga ora 08:00 deri në orën 14:00.

Arsyeja për këtë, sipas njoftimit zyrtar të marrë nga shërbimet e policisë kufitare bullgare, është puna ndërtimore në seksionin rrugor në pikën kufitare “Stanke Lisiçkovo”.

Pas përfundimit të punimeve, trafiku dhe funksionimi i pikave kufitare do të vazhdojë pa ndërprerje.

The post Pika kufitare e Dellçevës nuk do të funksionojë nesër nga ora 8:00 deri në orën 14:00 appeared first on Telegrafi.

Breshëri dëmton të mbjellat në Gaçkë të Ferizajt

Reshjet e fuqishme të shiut dhe breshërit kanë përfshirë disa rajone të vendit, Brezovicën, Gjilanin, Ferizajn dhe disa fshatra të Gjakovës.

Në fshatin Gaçkë të Ferizajt, ka shkaktuar dëme të mëdha në prodhimet bujqësore të fermerit Mursel Osmani.

Pamjet nga terreni tregojnë shkatërrim të plotë të kulturave bujqësore, përfshirë speca, shalqinj, pemë frutore dhe perime të tjera.

Ndërkohë, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) njoftoi se reshjet kanë shkaktuar dëmtime në rrjetin elektrik, duke lënë pa energji një numër të konsiderueshëm të konsumatorëve, veçanërisht në rajonin e Anamoravës.

“Ekipet tona janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për të rikthyer furnizimin me energji sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Apelohet që organet komunale, Ministria e Bujqësisë dhe mekanizmat përkatës të reagojnë sa më parë.

The post Breshëri dëmton të mbjellat në Gaçkë të Ferizajt appeared first on Telegrafi.

Një sindromë e rrallë është shfaqur në Gaza për shkak të bllokadës izraelite, tre persona kanë vdekur tashmë

Ministria e Shëndetësisë e Gazës njoftoi se tre persona kanë vdekur nga sindroma Guillain-Barré, si pasojë e rrethimit izraelit.

Ministria tha se çrregullimi i rrallë por serioz i sistemit nervor po përhapet si pasojë e kequshqyerjes akute dhe infeksioneve të patrajtuara, të cilat janë rritur nën bllokadën e pamëshirshme izraelite.

“Uria dhe neglizhenca mjekësore po vrasin popullin tonë”, tha ministria, duke i mbajtur autoritetet izraelite plotësisht përgjegjëse për rrëzimin e sistemit të kujdesit shëndetësor të Gazës.

Vdekjet vijnë mes paralajmërimeve nga mjekët se gjendjet kërcënuese për jetën po mbeten të patrajtuara për shkak të mungesës së ilaçeve, energjisë elektrike dhe ujit të pastër.

Ministria Palestineze e Shëndetësisë raportoi se të paktën pesë të rritur kishin vdekur nga uria ose kequshqyerja në 24 orët e fundit, ndërsa Izraeli vazhdon të kufizojë ndihmën.

Kjo e çon numrin e përgjithshëm të vdekjeve të lidhura me urinë në territor në 180, përfshirë 93 fëmijë, sipas ministrisë.

Zyra e medias e qeverisë së Gazës tha se vetëm 80 kamionë me ndihma hynë në territor të dielën, shumë më pak se 600 kamionët e nevojshëm çdo ditë për të përmbushur nevojat minimale humanitare.

Në një deklaratë të ndarë, zyra tha se pjesa më e madhe e ndihmës së kufizuar u plaçkit mes kaosit të vazhdueshëm të sigurisë, për të cilin fajësoi pushtimin izraelit.

“Nevojat aktuale ditore të Rripit të Gazës janë jo më pak se 600 kamionë me ndihma dhe karburant për të përmbushur nevojat minimale të jetës në Rrip.”

Zyra dënoi atë që e përshkroi si “uri sistematike”, mbylljen e vazhdueshme të kalimeve kufitare dhe pengimin e qëllimshëm të ndihmës humanitare. /Telegrafi/

The post Një sindromë e rrallë është shfaqur në Gaza për shkak të bllokadës izraelite, tre persona kanë vdekur tashmë appeared first on Telegrafi.

Aro Muric bëhet me skuadër të re, arrin marrëveshje me klubin turk

Portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muric, do të rikthehet në futbollin turk pas tre viteve të kaluara në Angli.

Muric më parë ka luajtur për një sezon në Superligën turke si i huazuar te Adana Demirspor, ku pati paraqitje shumë të mira.

Pas një periudhe dyvjeçare te Burnley dhe një sezoni te Ipswich Town, 26-vjeçari ka gjetur klubin e ri.

Sipas raportimeve të mediumit turk 90min.tr, Muric ka arritur marrëveshje me Rizesporin dhe pritet që t’i bashkohet skuadrës brenda kësaj jave.

🔥 Çaykur Rizespor, daha önce Adana Demirspor forması giyen 26 yaşındaki Kosovalı kaleci Arijanet Muric ile büyük ölçüde anlaştı! pic.twitter.com/hcl5rYIprJ

— Transfer Merkezi ™ (@TransferMerkez) August 3, 2025

Rizespor është në fazën e ndërtimit të një ekipi konkurrues për sezonin e ardhshëm, me synimin për të siguruar një vend në garat evropiane.

Ende nuk është bërë e ditur nëse kalimi i Muric te Rizespori do të jetë në formë huazimi apo transferim përfundimtar nga Ipswich Town.

Gjatë karrierës së tij, Muric ka qenë pjesë e disa skuadrave evropiane. Në Angli ai ka luajtur për Manchester Cityn, Nottingham Forestin, Burnleyn dhe Ipswich Townin. Po ashtu ka mbrojtur portën e NAC Breda dhe Willem II në Holandë, si dhe të Gironas në Spanjë. /Telegrafi/

The post Aro Muric bëhet me skuadër të re, arrin marrëveshje me klubin turk appeared first on Telegrafi.

Ashton Kutcher dhe Mila Kunis vodhën vëmendjen në koncertin e grupit legjendar

Ashton Kutcher dhe Mila Kunis vendosën t’i jepnin vetes një fundjavë romantike në Las Vegas, dhe kulmi i mbrëmjes ishte një koncert nga grupi legjendar Backstreet Boys.

Çifti, i cili u pa së fundmi duke bërë pazar rastësisht me fëmijët e tyre në Los Angeles, e shijuan nostalgjinë muzikore të shtunën në mbrëmje dhe ishin të akomoduar në në seksionin VIP të sallës Sphere.

TikTok është plot me video të çiftit të famshëm, të cilët festuan 10-vjetorin e martesës më 4 korrik, duke kërcyer dhe kënduar së bashku me këngën hit “I Want It That Way”.

@asahedbonilla Anoche en Las Vegas 🎤 Mila Kunis y Ashton Kutcher coreando “You are… my fireee” 🔥 con los Backstreet Boys 🤩 ¡Momentazo de nostalgia total! @Backstreet Boys @Sphere #BackstreetBoys #LasVegas #MilaKunis #AshtonKutcher #IWantItThatWay #ConcertVibes ♬ original sound – Asahed Bonilla | Viajes

Kasti i “That ’70s Show” nuk dukej se e kishin problem se kush po i shikonte, dhe në një moment ata madje ndanë një puthje pasionante.

Për këtë rast, 41-vjeçarja Kunis zgjodhi një kombinim të përditshëm të një bluze të ngushtë dhe pantallonave me bel të lartë, ndërsa 47-vjeçari Kutcher mbante veshur një bluzë të gjerë, pantallona me prerje të drejtë dhe një kapelë të zezë bejsbolli të kthyer mbrapsht. /Telegrafi/

The post Ashton Kutcher dhe Mila Kunis vodhën vëmendjen në koncertin e grupit legjendar appeared first on Telegrafi.

Marcus Rashford gjen golin e parë me fanellën e Barcelonës

Marcus Rashford ka shënuar golin e parë si lojtar i Barcelonës në turneu parasezonal në Azi. 

Pas humbjes së vendit në formacionin e Manchester United nën drejtimin e Ruben Amorim, Rashford gjeti një shans të ri me Barcelonën.  

Pas një sezoni premtues te Aston Villa që u ndërpre nga një dëmtim, ai u huazua te Barcelona dha dëshmoi se ka ende vlerë, me një marrëveshje sezonale që përfshin opsionin për transferim të përhershëm në 2026. 

Gjatë turneut parasezonal në Azi, Rashford është adaptuar mirë me bashkëlojtarët si Lamine Yamal dhe pjesën tjetër të ekipit. 

Rashford’s first goal pic.twitter.com/y4Kji3xTld

— FC Barcelona (@FCBarcelona) August 4, 2025

Në takimin ndaj Daegu FC, ai shënoi golin e pestë për katalanasit, me një goditje të saktë nga 12 metra, duke vulosur fitoren e thellë në miqësore. 

Ky ishte goli i parë i Rashford si lojtar i Barcelonës, një sinjal i qartë për energjinë dhe ndoshta rikthimin në versionin më të mirë të vetes për sezonin që po vjen për sulmuesin 27-vjeçar./Telegrafi/

The post Marcus Rashford gjen golin e parë me fanellën e Barcelonës appeared first on Telegrafi.

Putini nuk përjashton mundësinë e bisedimeve direkte me Zelenskyn

Udhëheqësi rus Vladimir Putin nuk e përjashton mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, por beson se një takim i tillë nuk është ende gati të zhvillohet.

Kjo, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, është thënë nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“E gjithë puna përgatitore për një takim të tillë [midis Putinit dhe Zelenskyt] nuk është bërë ende. Dua t’ju kujtoj se Putini nuk e përjashton mundësinë e mbajtjes së bisedimeve të tilla pasi të përfundojnë punimet e nevojshme në nivel ekspertësh dhe të bëhet përparimi i duhur”, citohet të ketë thënë Peskov.

Zelensky deklaroi më parë se Ukraina është e hapur për një samit udhëheqësish nëse Rusia është vërtet e përkushtuar për t’i dhënë fund luftës dhe për të vendosur paqe të qëndrueshme.

Më 14 korrik, presidenti i SHBA-së, Donald Trump lëshoi një ultimatum 50-ditor që synonte të bënte presion mbi Rusinë për paqe.

Megjithatë, më 28 korrik, ai e shkurtoi afatin e tij kohor në 10-12 ditë, duke thënë se nuk dëshironte më të takohej ose të fliste me Putinin, megjithëse këmbënguli që Rusia duhet të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Kujtojmë se raundi i fundit i negociatave ukrainaso-ruse u zhvillua në Stamboll më 23 korrik. /Telegrafi/

The post Putini nuk përjashton mundësinë e bisedimeve direkte me Zelenskyn appeared first on Telegrafi.

Stresi dhe Jozi pajtohen pas incidentit të shuplakës – Gjesti reagon duke e hequr nga ndjekësit në Instagram

Dikur në qendër të vëmendjes pas shuplakës së Jozit ndaj Gjestit në Big Brother VIP Albania, Jozi dhe Stresi kanë befasuar ndjekësit me një video të re që sugjeron një pajtim të papritur.

Në pamjet që po qarkullojnë në TikTok, reperi shfaqet në një bisedë të çiltër me Jozin, duke i bërë një pyetje miqësore: “Çka i ke çunat e Fushë-Krujës?”, ndërsa Jozi përgjigjet: “Vëllezër.” Më pas, me humor, ai i kërkon një puthje në faqe dhe Stresi e pranon.

Kjo skenë, që u komentua si një shenjë pajtimi dhe mbyllje e kapitullit të vjetër të përplasjes fizike, mori vëmendje të madhe në rrjetet sociale.

Por, ndërsa videoja u bë virale dhe nisi të shoqërohej me meme dhe rikrijime, Stresi sqaroi se gjithçka ishte një “prank” përpara publikimit të një kënge të re me Jozin.

Ndërkohë, Gjesti, i cili dikur kishte mbështetje të hapur nga Stresi, nuk ka qëndruar indiferent.

Ai e ka hequr Stresin nga lista e ndjekësve në Instagram.

Ky veprim vjen pas këtij afrimi publik mes Stresit dhe Jozit, që dikur kishin qenë në anë të kundërta nga incidenti që tronditi rrjetin. /Telegrafi/

 

The post Stresi dhe Jozi pajtohen pas incidentit të shuplakës – Gjesti reagon duke e hequr nga ndjekësit në Instagram appeared first on Telegrafi.

Shqiptohen 13 gjoba dhe konfiskohen 23 motoçikleta në rajonin e Ferizajt

Policia Rajonale e Ferizajt, në kuadër të planit operativ “Motoçikleta 2025”, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion, gjatë periudhës 28.07 – 03.08.2025 ka shqiptuar 13 gjoba dhe ka konfiskuar 23 motoçikleta, për shkak të mungesës së dokumentacionit dhe shkeljeve të rregullave të trafikut.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjitha zonat e rajonit.

“Policia Rajonale e Ferizajt, në kuadër të planit operativ “Motoçikleta 2025”, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion, gjatë periudhës 28.07 – 03.08.2025 ka shqiptuar 13 gjoba dhe ka konfiskuar 23 motoçikleta, për shkak të mungesës së dokumentacionit dhe shkeljeve të rregullave të trafikut. Kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjitha zonat e rajonit. Ftojmë qytetarët që të raportojnë çdo shkelje përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”, si dhe në numrat: 192, 0290/326-250, 0290/322-406”, thuhet në postim. /Telegrafi/

The post Shqiptohen 13 gjoba dhe konfiskohen 23 motoçikleta në rajonin e Ferizajt appeared first on Telegrafi.

Ky ‘gjeni ekstrem’ thuhet se ka refuzuar një ofertë prej 1 miliard dollarësh nga CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg

Andrew Tulloch, specialist australian i Inteligjencës Artificiale dhe diplomuar në Universitetin e Sidneit, raportohet se ka refuzuar një ofertë prej 1 miliard dollarësh nga CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg.

Tulloch, i cili ka origjinë nga Perth, kaloi mbi një dekadë duke punuar në kompaninë mëmë të Facebook-ut, përpara se të bashkohej me rivalin OpenAI, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Në shkurt të këtij viti, ai themeloi së bashku me Mira Muratin, ish-drejtoreshën teknike të OpenAI, start-up-in e tyre të AI-së “Thinking Machines Lab”, i cili tani vlerësohet në 12 miliardë dollarë amerikanë (rreth 18.5 miliardë dollarë australianë).

Sipas “Wall Street Journal”, Zuckerberg tentoi të blejë këtë kompani në fillim të vitit, por oferta u refuzua nga Murati.

Më pas, Meta u përpoq të tërhiqte talentet kryesore të start-up-it, përfshirë Tullochin.

Mësohet se Tulloch ka marrë një ofertë prej 1 miliard dollarësh amerikanë, të shpërndarë në gjashtë vite, me mundësi shtesë bonusesh dhe përfitimesh nga performanca e aksioneve.

Megjithatë, ky ‘gjeni’ nga Perthi e hodhi poshtë këtë ofertë.

Meta më pas e përshkroi shifrën prej 1 miliard dollarësh si “të pasaktë dhe qesharake”.

Tulloch u transferua në SHBA në vitin 2012 dhe punoi për 11 vjet në kompaninë e AI-së së Facebook-ut, ku u ngjit deri në pozicionin e inxhinierit të dalluar.

Një ish-ekzekutiv i Facebook-ut, Mike Vernal, e përshkroi atë si një “gjeni ekstrem”.

Në vitin 2023, ai u bashkua me OpenAI, organizatën pas ChatGPT, përpara se të formonte Thinking Machines Lab me ish-kolegun e tij.

Zuckerberg ka një histori për të tentuar të “rrëmbejë” punonjës të kompanive konkurrente.

Në qershor, kreu i OpenAI, Sam Altman, zbuloi se Meta kishte ofruar bonuse prej 100 milionë dollarësh për stafin e tij, një “përpjekje e dështuar” për të tërhequr talentët. /Telegrafi/

The post Ky ‘gjeni ekstrem’ thuhet se ka refuzuar një ofertë prej 1 miliard dollarësh nga CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg appeared first on Telegrafi.

Heung-min Son arrin marrëveshje me klubin e ri pas largimit nga Tottenhami

Heung-min Son është pranë transferimit te LAFC për një shumë prej 13 milionë eurosh, duke i dhënë fund me shumë emocion një qëndrimi prej dhjetë vitesh te Tottenham Hotspur. 

Ylli koreano-jugor përshëndeti tifozët e Spurs në Seul të dielën dhe tashmë po finalizon dokumentacionin me klubin nga MLS, përpara se të zyrtarizohet si lojtar i LAFC. 

Sipas Fabrizio Romano, Son ka arritur një marrëveshje verbale me LAFC pas një dekade të shkëlqyer në veri të Londrës. 

Sulmuesi nuk u kthye me ekipin në Angli, pasi po pret kontrollin mjekësor dhe finalizimin e kontratës me skuadrën amerikane. 

🚨🇺🇸 Heung-min Son to LAFC, here we go! Verbal agreement in place between all parties.

Son, ready to complete his move to MLS with Spurs due to receive fee in excess of €15m.

Son didn’t travel back to UK with Spurs squad as he’s waiting for documents to be signed with LAFC. pic.twitter.com/a0MpvptPcy

— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) August 3, 2025

Tottenham pritet të përfitojë më shumë se 13 milionë euro nga largimi i 33-vjeçarit, i cili u përshëndet në mënyrë emocionale në miqësoren ndaj Neëcastle në Seul, ku mori duartrokitje dhe gardën e nderit nga të dy ekipet. 

Me plot 173 gola në 454 ndeshje, Son largohet si legjendë e klubit dhe një nga futbollistët më të dashur nga tifozët. 

Pas largimit të Harry Kane drejt Bayern Munich dhe tashmë edhe Sonit në MLS, te Tottenham ka nisur zyrtarisht një epokë e re./Telegrafi/

The post Heung-min Son arrin marrëveshje me klubin e ri pas largimit nga Tottenhami appeared first on Telegrafi.

Kompania indiane Tata Motors do të blejë Iveco-n italiane për 4.4 miliardë dollarë

Kompania indiane Tata Motors ka njoftuar planet për të blerë grupin italian Iveco për 3.8 miliardë euro (4.4 miliardë dollarë), me synimin për të krijuar një “kampion global” në sektorin e automjeteve tregtare.

Marrëveshja përjashton divizionin e mbrojtjes së Ivecos, i cili do të shitet veçmas kompanisë italiane të mbrojtjes dhe aeronautikës, Leonardo, për 1.7 miliardë euro.

Kompania e bashkuar pritet të shesë rreth 540,000 automjete në vit dhe të arkëtojë të ardhura totale prej 22 miliardë eurosh, ku rreth gjysma e shitjeve pritet të vijë nga Europa, 35% nga India dhe 15% nga Amerika.

Tata dhe Iveco, të cilat gjithashtu prodhojnë motorë dhe autobusë, thanë në një deklaratë të përbashkët se nuk ka mbivendosje në aktivitetet dhe zonat gjeografike të tyre, duke krijuar kështu një entitet më të fortë dhe më të diversifikuar që do të përdorë një vizion strategjik të përbashkët për rritje afatgjatë.

Mbyllja e marrëveshjes pritet në tremujorin e parë të vitit 2026, duke forcuar praninë e Tata në Evropë, ku Jaguar Land Rover është tashmë një filial i saj në pronësi të plotë.

Kryetarja e Iveco-s, Suzanne Heywood, tha se perspektivat e reja janë shumë pozitive për sigurinë e vendeve të punës dhe për prani industriale të grupit Iveco në tërësi. /Telegrafi/

The post Kompania indiane Tata Motors do të blejë Iveco-n italiane për 4.4 miliardë dollarë appeared first on Telegrafi.

Liqeni në Turqi që njihet si “parajsë” për qindra flamingo gjatë muajve të verës

Pellgu i Liqenit Van në Turqinë lindore ofron strehim për qindra flamingo gjatë muajve të verës.

Derisa temperaturat rriten, mijëra flamingo dynden në Liqenin Van për të qëndruar, duke i mahnitur vizitorët me trupat e tyre të mëdhenj, qafat elegante dhe këmbët e gjata.

Flamingot, të cilët mblidhen në numër të madh përgjatë Liqenit Van, admirohen si nga dashamirësit e natyrës ashtu edhe nga entuziastët e fotografisë.

Fotografët entuziastë të natyrës që vizitojnë rajonin kapin habitatin natyror të flamingove, të cilët gjejnë një zonë të madhe ushqimi në liqen.

Fotografja e natyrës, Ayşenur Köse ka thënë se përpiqet të dokumentojë speciet e shpendëve përgjatë brigjeve të Liqenit Van duke i fotografuar sa herë që mundet.

“Liqeni Van është shtëpi e shumë llojeve të shpendëve. Kam fotografuar flamingot që shpejt po migronin. Kam bërë disa imazhe të bukura. I ftoj të gjithë fotografët dhe dashamirësit e natyrës të shohin flamingot. Shfaqjet elegante dhe shumëngjyrëshe të flamingove në bukurinë unike natyrore të Liqenit Van ofrojnë një festë vizuale”, tha Köse.

“Ndërsa numri i tyre dikur ishte shumë i vogël, ne kemi vërejtur rritjen e numrit të tyre vitet e fundit. Është e mundur t’i shohësh në tufa në shumë zona. Fotografimi i tyre është një përvojë unike”, tha ajo. /AA/

The post Liqeni në Turqi që njihet si “parajsë” për qindra flamingo gjatë muajve të verës appeared first on Telegrafi.

Mexhiti: Nëse unë zgjidhem kryetar komune, Bekim Sali do të jetë zv. kryeministër i parë në RMV

Zv. kryeministri dhe Ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, deklaroi sot se nëse fiton garën për komunën e Çairit, atëherë deputeti dhe ish-ministri, Bekim Sali do të marrë postin e zv. kryeministrit të parë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Mexhiti, në një deklaratë për mediat , theksoi se brenda koalicionit VLEN, ata ranë dakord që Sali është personi më kompetent, i përgatitur dhe ka përvojën për të kryer detyrat e punës.

Kryeministri, Hristijan Mickoski deklaroi sot se Mexhiti do të vazhdojë të përmbushë detyrat e tij pavarësisht kandidaturës së tij të shpallur për zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Çdo ministër ka një zëvendësministër. Ata nuk japin dorëheqjen. Është normale që ata do të përmbushin detyrat e tyre brenda kuadrit të dikastereve ku janë ministra dhe në të njëjtën kohë do të jenë kandidatë”, theksoi Mickoski, duke shtuar se kjo nuk është hera e parë që zyrtarët kanë kandiduar për poste ndërsa mbajnë poste publike.

Mickoski thotë se raste të tilla kanë qenë praktikë e zakonshme në të kaluarën dhe nuk ka arsye të priten ndërprerje në funksionimin e institucioneve./Telegrafi/

The post Mexhiti: Nëse unë zgjidhem kryetar komune, Bekim Sali do të jetë zv. kryeministër i parë në RMV appeared first on Telegrafi.

Gjendet pa shenja jete 64 vjeçari në oborrin e shtëpisë së tij në Gjilan, Hashani: Dyshohet për vetëvrasje

Një person i moshës 64 vjeç sot rreth orës 08:00 është gjetur pa shenja jete nga familjarët në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Cërnicë të komunës së Gjilanit.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Sipas tij, njësitet relevante policore, së bashku me Prokurorin e Shtetit dhe ekipin emergjent mjekësor, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

Ndërkaq, Hashani theksoi se nga hetimet e para dyshohet për vetëvrasje.

“Me datën 04.08.2025 rreth orës 08:00, kemi pranuar informacion nga familjarët se në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Cërnicë të komunës së Gjilanit, është gjetur pa shenja jete një person i gjinisë mashkullore, i lindur në vitin 1961. Njësitet relevante policore, së bashku me Prokurorin e Shtetit dhe ekipin emergjent mjekësor, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës, nga hetimet e para dyshohet për vetëvrasje”, ka thënë Hashani.

Tutje tha se mme urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion , hetimet rreth këti rasti i cilësuar si “ Hetim i vdekjes” janë duke vazhduar”. /Telegrafi/

The post Gjendet pa shenja jete 64 vjeçari në oborrin e shtëpisë së tij në Gjilan, Hashani: Dyshohet për vetëvrasje appeared first on Telegrafi.

❌