Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ekstremizëm në ushtrinë gjermane, gati 100 ushtarë largohen nga puna

Sipas të dhënave më të fundit, në vitin 2024 janë larguar nga ushtria gjermane 97 pjesëtarë për shkak të përshëndetjeve naziste dhe këndimit të këngëve naziste.

Për krahasim, në vitin 2023 nga ushtria gjermane janë larguar 62 ushtarë për deklarata raciste dhe ekstremiste të djathta, apo për lidhje me grupe ekstremiste të djathta.

Kështu, në maj të vitit 2024, një ushtar në Koln ka kënduar këngë ekstremiste të djathta dhe ka përshëndetur me përshëndetje naziste.
Ajo që është veçanërisht shqetësuese është fakti se janë regjistruar më shumë se 17 raste të përshëndetjes naziste nga ushtarët gjermanë gjatë vitit 2024.

Këto raste kanë të bëjnë vetëm me ushtarë profesionistë, por jo me rezervistët, dhe pritet që raporti i ri që do të publikohet javën e ardhshme të përfshijë edhe më shumë incidente.

Deputetja e Bundestagut, Zada Salihoviç (Linke), konsideron se rritja e numrit të incidenteve me ekstremistë të djathtë është alarmante.

“Në disa raste, të akuzuarit ende kishin qasje në armë ose madje vepronin si instruktorë dhe eprorë”, tha Salihoviç.

Rritja e neonazizmit dhe ekstremizmit në strukturat e sigurisë dhe të ushtrisë në Gjermani i atribuohet problemeve dhe zhvillimeve më të gjera sociologjike në shoqërinë gjermane.

Spanja lufton me zjarret, digjen mbi 400 mijë hektarë pyje

Njësia e Emergjencave Ushtarake (UME) e Spanjës u vendos në provincën Leon për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.

Në Leon dhe Zamora, 435 banorë e kaluan natën jashtë pasi u detyruan të evakuoheshin nga fshatrat e tyre.

Galicia mbetet rajoni më i prekur, me mbi 90 mijë hektarë të shkatërruara.

Sipas Agjencisë kombëtare të motit “Aemet”, temperaturat gjatë valës së të nxehtit nga 3 deri në 18 gusht ishin mesatarisht 4.6 gradë Celsius mbi normat sezonale, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të vendosur në korrik 2022.

Zgjedhjet e 11 majit, Komisioni Rregullator mblidhet të enjten, pritet shpallja e rezultatit përfundimtar

Komisioni Rregullator do të zhvillojë ditën e enjte, një mbledhje në orën 11:30.

Në këtë mbledhje mësohet se rendi i ditës do të jetë për: “Për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të datës 11 maj 2025”.

Njoftimi:

Në mbështetje të nenit 20, pikat 2, shkronja “d”, e 3, dhe nenit 167, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator.

VENDOSI:

Të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvend të datës 11 Maj 2025, si më poshtë vijon:

Numrin e votave, numrin e mandateve dhe listën emërore të deputetëve për çdo subjekt zgjedhor, për çdo zonë zgjedhore, sipas lidhjes nr. 1 që i bashkëlidhet këtij vendimi;

Numrin e votave, numrin e mandateve dhe listën emërore të deputetëve për çdo subjekt zgjedhor në rang vendi, sipas lidhjes nr. 2 që i bashkëlidhet këtij vendimi;

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e tij.

/abcnews.al/

Rohde: S’po shoh zgjidhje të ngërçit, kjo është keq për Kosovën dhe fondet për të

Ambasadori gjerman në Kosovë nuk po sheh zgjidhje institucionale. Në një prononcim për media jashtë ndërtesës së Kuvendit, Jorn Rohde ai tha se nuk po duket se ka vullnet të mjaftueshëm politik për zgjidhjen e krizës.

“Këtë mëngjes pata pak shpresë që kriza do të tejkalohet, por për momentin nuk po duket ashtu. Ndoshta sepse nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik në mesin e protagonistëve për të gjetur një zgjidhje”, tha Rohde duke u përgjigjur në pyetjen e gazetares së Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani.

Ai tha se kjo situatë është e keqe për Kosovën sepse po rrezikohen fondet e jashtme. “Kjo është keq për Kosovën sepse shumë fonde po rrezikohen. Na duhen institucione funksionale, si parlamenti e qeveria”, tha ambasadori Rohde.

Dështon konstituimi i Kuvendit në Kosovë, shkak mungesa e konsensusit për emrin e nënkryetarit serb

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e ka ndërprerë seancën e Kuvendit në mungesë konsensusi për emrin e nënkryetarit serb.

As deputeti serb Nenad Rashiq nuk arriti t’i merrte votat e mjaftueshme të deputetëve për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, e që emri i tij u tërhoq në short si një prej deputetëve që përfaqëson këtë komunitet aty.

Nga 95 deputetë sa ishin në sallë, për të votuan vetëm 55 deputetë, 1 kundër e 17 abstenime, të pamjaftueshme që të zgjidhej nënkryetar i Kuvendit. Si rrjedhojë, kryeparlamentari Dimal Basha ndëpreu seancën konstituive për të vazhduar të enjten.

Përpjekja e zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit përmes shortit
Verica Çeraniq deputete e Listës Serbe ishte emri i parë që u tërhoq përmes shortit për t’u zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga komuniteti serb, veprim ky i bazuar në Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, meqë Lista Serbe nuk pranoi të propozonte emër tjetër përpos Sllavko Simiqit për këtë pozitë, si i dyti i Kuvendit e i cili dështoi tri herë të merrte votat e deputetëve.
Sipas vendimit tw Gjykatës Kushtetuese që një kandidat nuk mund të propozohet më shumë se tri herë, kryetari i ri i Kuvendit i kërkoi Listës Serbe ta propozonin një tjetër emër, por ata insistuan në emrin e deputetit Simiç.

Por, për të nuk pati asnjë votë për, 51 ishin kundër e 20 abstenime.
Sërish emri i saj u tërhoq nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, edhe në tentimin e dytë ajo nuk mori votat e mjaftueshme për t’u ngjitur në pozitën e nënkryetares së Kuvendit që përfaqëson komunitetin serb.

Ndërkohë, kandidati i tretë që u tërhoq në short ishte Stefan Kovaçeviq i Listës Serbe, dhe i njëjti nuk arriti të merrte votat e mjaftueshme meqë nuk pati asnjë votë për , 48 kundër e 19 abstenime.
Liljana Stefanoviq emri i së cilës u tërhoq në short refuzoi të ishte kandidate për nënkryetare të Kuvendit, duke u eliminuar kështu nga lista.

Shpallen fituesit në Universitete/ Teknologjia e Informacionit dega më e kërkuar, ndiqet nga mjekësia

Këtë të martë janë shpallur fituesit në universitetet publike dhe ato private në vend. Maturantët mund të shohin degët e fituara në portalin u Albania, tek këndi i maturantit.

“Vetëm me ID e tyre mund të logohen dhe të shikojnë renditjen për të gjitha programet ku kanë aplikuar. Të kenë kujdes se një pjese e universiteteve që kanë pasur edhe teste, kanë afishuar vetëm listën e maturantëve që kanë bërë testin.”

Nga 27 gushti maturantët fitues kanë të drejtë edhe të ankimojnë.

“Shkojnë pranë fakultetit përkatës për atë program dhe bëjnë ankimimin nëse nuk janë dakord me pikëzimin. Universiteti ka detyrimin brenda 24 orëve të kthejë përgjigjë dhe ringarkon listat me renditjen e re.”

Më shumë të rinj kërkuan të ndjekin studimet e larta. Sipas Rrjetit Akademik Shqiptar, këtë vit është shënuar dhe numër rekord aplikimesh në universitete.

“Kemi qene 19 700, përgjithësisht 5 vjecari i fundit ka qenë më pak se 20 mijë. Ky është viti i parë kur ne kalojmë atë vijën e 20 mijëshit dhe kemi pasur 20 mijë e 200 aplikime.”

Ekonomiku dhe drejtësia vijojnë të mos jenë më programet më të kërkuara, ndryshe nga disa vite më parë. Sipas të dhënave nga aplikimet dominojnë maturantët që duan teknkologjinë, ndjekur nga shkencat mjekësore në tërësi.

“Kemi dy vite ku udhëhëqin degët e teknkologjisë së informaciont te inxhinierisë, në vend të dytë janë degët mjekësorë dhe në rang të trëtë janë shkencat ekonomike”

Ditën e premte, në 29 gusht nis procesi i regjistrimit. Maturantët duhet të paraqiten pranë sekretarive të fakulteve me dokumentacionin përkatës dhe kanë të drejtë të regjistrohen vetëm për një program studimi.

“Kanë në dispozicion 48 orë kohë. Pas 48 oreve listat mbyllen dhe nëse nuk janë te regjistruar e humbin të drejtën për atë program, por kanë të drejtë të regjistrohen në programe të tjera. Pas kësaj fillon procesi i levizjes së vijës së kuqe, maturantët që kanë qenë në pritje u shfaqët nje vijë e verdhë që është indikacion që janë fitues në raundin tjetër.”

Raundi i parë i regjistrimeve ka 7 faza 48 orëshe. Raundi i dytë nis pas fazës së çregjistrimit, për maturantët që duan të ndryshojnë zgjedhjen e tyre./abcnews.al

Opozita e copëzuar e Berishës/ Doktori: Na duhen tre grupe parlamentare t’i bëjmë ballë qeverisë

I shqetësuar nga raportimet e fundit, doktor Berisha doli të justifikojë copëzimin e opozitës në tre grupe parlamentare.

“Koalicioni është bërë mbi bazën e rekordeve elektorale. Unë nuk di ndonjë teknikë tjetër më të drejtë, më të ndershme, se sa rekordin elektoral për të bërë koalicionin. Gjithmonë në eksperiencën e gjatë, koalicionet kanë pasur në bazë rekordin elektoral. S’di ndonjë mënyrë më të mirë.”

Por pse i duhen 3 grupe parlamentare Berishës?

“Opozita nuk është e kontrolluar nga qeveria. Por e shtypur nga qeveria.  Diktaturat totalitare, ato me ligj ndalohet formimi i forcave të tjera politike dhe kjo forcë politike është hegjemone. E thotë Kushtetuta. Por kjo quhet diktaturë autoritare, jo totalitare, autoritare. Kjo e pranon pluralizmin, por çfarë bën? Kjo e shtyp pluralizmin.”

Me paratë në xhep dhe kohën në dorë, doktori konfirmoi edhe një herë se do të hyjë në parlament. Si humbës, mendon se është legjitim, kurse fituesi Edi Rama jo.

“A ka legjitimitet Edi Rama të krijojë qeveri me farsë elektorale, unë të them kurrë.”

Po Gazment Bardhi?

“Urdhëro? Gazment Bardhi, meqë po më pyet mua, gjykoj se e ka kryer me dinjitet dhe e përmbush me dinjitet atë detyrë. Por një gjë, funksionet ne i përcaktojmë në mënyrë demokratike. Ka rregulla aty”

Një opinion që ia ngroh zemrën Gazit, por kur vjen puna tek rregullat e doktorit, Bardhi e di se buzëqeshja ngrin. Të gjitha pikëpyetjet marrin fund më 10 shtator.

Seancën e parë parlamentare, të cilën Berisha si deputeti më i vjetër refuzon ta drejtojë.

“Një parlament jo legjitim, nuk mund ta hap kurrë, kurrë. Harroje”

Por për një moment, dhe vetë doktorit i ngriu buzëqeshja.

“Më fal, po pas Tritanit kujt i vjen radha?

Vasil Llajos?

Kujt?

Vasil Llajos?

Aha, thashë se ishte Edit./abcnews.al

KE i përgjigjet kërcënimeve të Trump për tarifa doganore: BE ka “të drejtën sovrane” për sektorin e teknologjisë

Komisioni Evropian deklaroi këtë të martë, 26 gusht, se Bashkimi Evropian ka “të drejtën sovrane” për të rregulluar sektorin e teknologjisë, pas kërcënimeve të Donald Trump për vendosjen e tarifave doganore ndaj vendeve që, sipas tij, synojnë kompanitë amerikane të teknologjisë.

Presidenti amerikan sulmoi një ditë më parë vendet dhe organizatat që rregullojnë sektorin e teknologjisë, duke i kërcënuar me tarifa dhe kufizime eksporti. Edhe pse nuk përmendi drejtpërdrejt BE-në, kjo e fundit ka arsenal juridik më të fuqishëm në botë për rregullimin e tregut digjital.

“Është e drejtë sovrane e BE-së dhe e shteteve anëtare që të rregullojnë aktivitetet ekonomike në territorin tonë, në përputhje me vlerat tona demokratike”, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho.

Komisioni gjithashtu hodhi poshtë akuzat e administratës Trump dhe gjigantëve të teknologjisë për “censurë”, duke i quajtur ato “plotësisht të pabazuara”.

 

Në Donetsk dhe në Zaporizhia luftime të ashpra, Zelensky: Duhen përforcime

Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky ka theksuar se në Donetsk dhe në Zhaporizhia duhen përforcime pasi situata është tejet shqetësuese.

Zelensky është takuar me udhëheqësin ushtarak në zonë i cili vuri rëndësinë tek domosdoshmërinë e mbështetjes ushtarake.

Në Donetks dhe në Zaporizhia luftimet mbeten të ashpra.

Zelensky shtoi se pjesa mbrojtëse e garancive të sigurisë pritet të sqarohet në të ardhmen e afërt, duke sugjeruar se bisedimet me partnerët perëndimorë po hyjnë në një fazë kritike.

/abcnews.al/

Rusia sulmon një minierë ukrainase, 150 minatorë të bllokuar nën tokë

Një sulm rus në një minierë ukrainase raportohet se ka vrarë një punëtor, ka plagosur tre të tjerë dhe ka bllokuar  rreth 150 minatorë nën tokë.

“Sulmi dëmtoi ndërtesat dhe pajisjet e ndërmarrjes, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike”, u citua të thoshte DTEK, investitori më i madh privat i energjisë në Ukrainë, nga media lajmesh Kyiv Independent.

“Në atë kohë, 146 minatorë ishin nën tokë; ngjitja e tyre në sipërfaqe është duke vazhduar”, shtoi DTEK në lidhje me grevën kundër objekteve të saj.

Firma e energjisë nuk specifikoi vendndodhjen e saktë të minierës së prekur, megjithëse kreu i sindikatës Mykhailo Volynets tha më parë se 148 minatorë mbetën të bllokuar nën tokë pas një sulmi rus në Dobropillia, Donetsk./abcnews.al

Ministria e Mbrojtjes: Është vënë në kontroll vatra e zjarrit në segmentin Laç-Lezhë

Vatra e zjarrit e rënë në një objekt biznesi në krahë të segmentit Laç-Lezhë është vene nën kontroll.

Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet një njoftimi zyrtar informon se po punohet për fikjen e plotë të saj.

Forcat zjarrfikëse mbeten të angazhuara në terren. Kujtojmë se zjarri i rënë në segmentin Laç-Lezhë u përhap me shpejtësi i favorizuar edhe nga era, duke rrezikuar kështu edhe disa banesa që ndodheshin aty pranë./abcnews.al

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar/ Kapen në Itali me qëllim ekstradimin dy vëllezër shqiptarë

Në kuadër të operacionit “The Wanted”, kapen në Itali dhe arrestohen me qëllim ekstradimin në Shqipëri, dy vëllezër, të cilët ishin shpallur në kërkimn ndërkombëtar. H. alias E. L., 35 vjeç. Gjykata e Durrësit, në muajin janar 2022, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Ai akuzohet se në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, më datë 07.02.2021, ka vjedhur me dhunë, një automjet, një shumë parash dhe një celular, në ambientet e një fabrike qumështi. Gjithashtu, ka ndihmuar të fshihej shtetasin H.H, i shpallur në kërkim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”;

H., 31 vjeç. Gjykata e Dibrës, në muajin korrik 2020, e ka dënuar këtë shtetas me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vitin 2019, shtetasi K. H. është kapur në flagrancë brenda një sere në Martanesh, ku kishte kultivuar fidanë narkotikë në 1324 gota plastike. Nga dënimi, këtij shtetasi i kanë mbetur për të vuajtur dhe 1 vit, 6 muaj e 15 ditë.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po kryejnë procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri.

Australia akuzon Iranin për dy sulme të vitit të shkuar

Australia ka njoftuar se do ta dëbojë ambasadorin e Iranit nga shteti, pas dyshimeve për përfshirjen direkte të qeverisë iraniane në sulmet antisemitike në Sydney dhe Melbourne.

Kryeministri Anthony Albanese ka thënë se sulmet ishin “akte të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme të agresionit, të orkestruara nga një shtet i huaj”. Askush nuk ishte lënduar në sulmet që ndodhën vitin e kaluar.

Shefi i organizatës së Inteligjencës së Sigurisë në Australi, Mike Burgess, ka thënë se informatat që posedon agjencia e tij janë se Irani ka shumë gjasa të ketë qenë prapa sulmeve ndaj komunitetit hebre në incidentet në Australi.

Ambasadori Ahmad Sadeghi dhe tre zyrtarë të tjerë iranianë janë urdhëruar të largohen nga Australia brenda shtatë ditësh. Irani nuk ka komentuar akuzat.

Është hera e parë që Australia ka dëbuar një ambasador që prej Luftës së Dytë Botërore. Albanese po ashtu ka thënë se qeveria e tij do t’i shpallë Trupat e Gardës Revolucionare Iraniane si organizatë terroriste.

Fieri tërheq gjermanët e anglezët/ Natyrë, arkeologji dhe gastronomi, rritet interesi i të huajve

Fieri po kthehet në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për turistët e huaj. Krahas trashëgimisë arkeologjike në Apoloni dhe Bylis, këtë verë vizitorët kanë zbuluar edhe plazhet e Semanit dhe Darëzezës.

Operatorët turistikë thonë se kryesisht janë gjermanë dhe anglezë ata që preferojnë natyrën dhe gastronominë vendase.

Sipas të dhënave, numri i vizitorëve është rritur me 15 për qind, por vetëm pak prej tyre qëndrojnë më shumë se një natë në Fier. Pasi vizitojnë parqet dhe bregdetin, shumica udhëtojnë drejt jugut ose Beratit, ku gjejnë një ofertë më të pasur akomodimi.

Fieri ka aktualisht 13 hotele me rreth 330 shtretër dhe vetëm një bujtinë, ndërsa operatorët turistikë shpresojnë që vitet e ardhshme bregdeti të pajiset me struktura të reja, për ta kthyer zonën në destinacion të mirëfilltë turistik.

VIDEO/ Zjarri në afërsi të superstradës Lezhë-Milot, raportohet për dëme të shumta materiale

Flakët që kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe me shkurre dhe ferra pranë një biznesi në afërsi të superstradës Lezhë-Milot, janë përhapur me shpejtësi duke kërcënuar edhe disa banesa e një restorant që ndodhet aty afër.

Në vendin e ngjarjes ndodhet forcat zjarrfikëse të cilat po luftojnë me flakët për të bërë të mundur neutralizimin e flakëve. Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga gazetari i ABC News, Gjergj Figuri, dëmet materiale janë të konsiderueshme. Ndërkohë që fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar./abcnews.al

Rama, gati qeveria e re/ Meçe: Misioni i tij është të përgatisë ndryshime të reja

Analisti Arben Meçe i ftuar në “News Line” në ABC News, komentoi të reja e fundit sa i takon ndryshimeve që pritet të bëjë kryeministri i vendit Edi Rama, për nisjen e legjislaturës së re parlamentare.

Meçe tha se kryeministri në një mënyrë apo në një tjetër ka paralajmëruar ndryshime. Analisti shtoi se pritet të shohim një qeveri me një natyrë të panjohur më parë për ne, ku do të lartësohet të gjitha figurat politikë që kanë spikatur. Sipas Meçes, kësaj here jo si zgjatime të Ramës, por si figura individuale.

“Pjesën tjetër e vë në dyshim nëse kanë një forcë të pavarur. Rama duhet të përgatisë një strukturë të re evidente. Ministrat nuk duhet të jenë teknikë, duhet që të jenë edhe politikë. Ky është misioni i Ramës. Unë mendoj se Rama në kuadrin e gjithë kësaj skeme që ndërton, qeveria do të jetë e një natyre të panjohur që ne jemi mësuar të shikojmë. I ka dhënë shenjat, por mendoj të mos e vazhdojë këtë skemë në qeveri, sepse ministrat duhet që të jenë ikonat. Rama në kuadër të këtij plani, do të bëjë që këto figura që kanë arritur të evidentohet, do i ngrejë në nivele të larta, por jo si zgjatimi i Ramës, por si individë më vete. Në parim jo më qeveri teknike”, tha analisti./abcnews.al

“Beteja e Berishës, justifikimi i humbjes”, Meçe: Në Parlament do të hyjë me strategjinë e zhurmës

Në një intervistë për “News Line” në ABC News, analisti Arben Meçe ka komentuar zhvillimet më të fundit në opozitë, duke theksuar se strategjia politike e Sali Berishës është e përqendruar tek justifikimi i humbjes dhe prodhimi i zhurmës.

Sipas tij, Berisha nuk synon më fitoren, por ruajtjen e një ndikimi të vetëm personal në të djathtën shqiptare. Meçe thekson se opozita ka dështuar të paraqitet si një alternativë reale për qytetarët dhe se veprimet aktuale nuk i shërbejnë ndërtimit të një opozite funksionale, por vetëm tensionimit të qëllimshëm të skenës politike.

“Justifikimi i humbjes është e gjithë beteja e Berishës. Doktorit i intereson që të justifikojë humbjen. Ajo që është më kryesorja është e nesërmja se çfarë parlamenti do të kemi. Strategjia e Berishës është që të prodhojë sa më shumë gjëra për të prodhuar një opozitë që nuk vjen vetëm nga Berisha. Situata politike është ‘pro-Rama’, ‘anti-Rama’, nuk ka anë tjetër. Pritshmëria më pozitive është që t’u jepet hapësirë këtyre partive që t’u jepet terren. Por, pse Berisha po krijon këto grupe?!

Berisha edhe kur nuk është në Parlament dhe e ke në televizor për gati 6 orë. Berisha e ka pasur gjithmonë të njëjtën strategji. Berisha e ka pasur gjithmonë të njëjtën strategji, çdo opozitë të re e ka neutralizuar për të qenë e vetmja frymë e djathtë në Shqipëri. Por, cila do të jetë strategjia e Berishës në parlament?! Unë mendoj se Berisha nuk di të bëjë gjë tjetër vetëm se të bëjë rrëmujë në Parlament. Do të vazhdojnë që të kërkojnë komisione nga më absurdet.

Asnjëherë opozita nuk u ngrit në një perceptim që qytetari ta shihte si zgjidhjen e probleme të tij, ky ishte dhe shkaku që opozita nuk fitoi kurrë. PD asnjëherë nuk u prodhua si një alternativë zgjidhje. Kërkojnë të marrin fitoren në tavolinë, por nuk funksionon kështu. Duan të fitojnë nëpërmjet zhurmës. Farsa e Berishës ra dhe nuk ka qytetar në Shqipëri që ta besojë atë”, tha analisti Meçe./abcnews.al

VIDEO/ Zjarr pranë një biznesi në afërsi të superstradës Lezhë–Milot, flakët rrezikojnë banesat përreth

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe ferra pranë një biznesi në afërsi të superstradës Lezhë–Milot.

Për shkak të përhapjes së flakëve nga era, në rrezik janë edhe disa banesa përreth, si dhe një restorant i madh dasmash që ndodhet pranë zonës së përfshirë nga zjarri.

Forca të shumta zjarrfikëse janë angazhuar në terren për të penguar përhapjen e flakëve dhe për t’i vendosur ato nën kontroll.

Deri më tani nuk raportohet për dëme në njerëz, ndërsa zjarrfikësit po punojnë për të vënë nën kontroll flakët./abcnews.al

Thatësira shton importin e energjisë/ KESH blen 8.3 milionë euro energji elektrike për një javë

Mungesa e reshjeve përgjatë verës dhe temperaturat e larta kanë shtuar ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike e si pasojë edhe importin e saj. Të dhënat e Korporatës Elektroenergjitike shqiptare tregojnë se për periudhën 25 deri në 31 gusht është blerë energji në vlerën e 8.3 milionë eurove.

Sasia e energjisë së nevojshme është siguruar nëpërmjet tre loteve dhe është blerë me një çmim mesatar që varion nga 115 euro deri në 125 euro për megavator. Moti i nxehtë ka bërë që konsumi i energjisë elektrike të pësoj rritje nxitur edhe nga përdorimi i kondicionerëve jo vetëm nga konsumatorët familjarë por edhe në biznese.Madje sipas të dhënave tashmë në Shqipëri konsumi më i lartë regjistrohet gjatë verës duke tejkaluar periudhën e dimrit dhe periudhën e festave të fundvitit.

Të dhënat e rrjetit tregojnë një rritje të vazhdueshme të konsumit të energjisë në vend nga viti në vit, në të gjithë elementët e tij, referuar të dhënave të Operatorit të Shpërndarjes të Energjisë, konsumi i energjisë elektrike, krahasuar me një vit më parë, me vitin 2024, u rrit me 2.2% ose me mbi 41,885 megavatorë. Krahasuar me vitin 2023 u rrit me 10.3% ose me 18,4151 megavatorë.

Për të ulur varësinë nga prodhimi i energjisë hidro, tashmë fokusi është vendosur në prodhimin energjisë elektrike nga dielli. Nga të dhënat zyrtare konfirmohet se gjatë vitit të fundit ka pasur një rritje të ndjeshme te prodhimit të energjisë nga parqet Fotovoltaike të cilat prodhuan një sasi prej prej 489 mijë mëh, ose rreth 16% të prodhimit total./abcnews.al

❌