Rama ndan pamje nga Shkodra: Program i ri në funksion të cilësisë së hapësirave komunitare të Shqipërisë 2030
TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Puna për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga një aksion për çlirimin e hapësirave publike në Shkodër, ku shihen fadromat që shembin strukturat metalike dhe ato të xhamit, të subjekteve që kanë dalë jashtë perimetrit duke zaptuar trotuaret e dedikuara për qytetarët dhe komunitetin.
Kryeministri Rama shprehet se ky aksion “vazhdon si në një sërë qytetesh të tjera, për t’i hapur rrugë Rilindjes Urbane 2.0, me një program të ri qeveri – bashki – sipërmarrje – komunitet, në funksion të cilësisë së hapësirave komunitare e të Shqipërisë 2030 në BE”.
Kioska, subjekte baresh dhe restorantesh, ngrehina metalike poshtë pallateve apo të pozicionuara në mes të lagjeve, këto janë vetëm një pjesë e shembjeve nga aksioni për çlirimin e hapësirave publike që po ndodh në Shkodër, por edhe në të gjithë vendin.
Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.
Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.
Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
Lirimi i hapësirave publike ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.
/e.i/r.e/
The post Rama ndan pamje nga Shkodra: Program i ri në funksion të cilësisë së hapësirave komunitare të Shqipërisë 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.