Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Vengu: Në Finiq dhe Mallakastër intensifikohet puna për shuarjen e vatrave të zjarrit

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Në Finiq dhe Mallakastër është intensifikuar puna nga toka dhe ajri për të frenuar përhapjen e vatrave të zjarrit dhe në mbrojtje të zonave të banuara.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndau sot pamje nga operacioni për shuarjen e flakëve në këto dy vatra.

Vengu u shpreh se, në Finiq, ku intensiteti i erës ndikoi në riaktivizim dhe përhapje të vatrave gjatë natës, 120 forcave operacionale në terren u janë bashkuar që prej orëve të mëngjesit dy avionët suedezë të siguruar nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile dhe një helikopter i Forcës Ajrore.

Falë ndërhyrjes së kombinuar nga toka dhe ajri janë mbrojtur banesat dhe është krijuar perimetër sigurie në Dhivër dhe Janicat.

Të gjitha përpjekjet tashmë të angazhuara në frenimin e vatrave dhe mbrojtjen e banesave në perimetrin Navaricë – Memoraq dhe Rumanxë, dhe vigjilencë të shtuar në zonën e Leshnicës, thekson Vengu.

Në Mallakastër, ku situata është përmirësuar gjatë orëve të fundit, momentalisht po veprojnë 25 forca nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, 25 forca nga MZSH dhe 24 forca nga bashkitë Mallakastër dhe Patos.

Në këtë zonë po vepron aktualisht dhe në avion “Canadair” i Forcës Ajrore kroate.

Ndërkohë, shton ministri, në lartësitë e Bërzhitës, ku dyshohet për zjarrëvënie të qëllimshme, forcat e MZSH Tiranë ndodhen në terren dhe momentalisht nuk ka asnjë rrezik për banesat.

Vengu nënvizon se, situata në rang vendi mbetet dinamike ndërkohë që presim rritje të temperaturave në ditët në vijim.

Ministri i Mbrojtjes u bën thirrje banorëve të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve në terren.

“Ligji do të veprojë me forcën maksimale ndaj çdo zjarrvënësi”, thekson ai.

/gj.m/r.e/

The post Vengu: Në Finiq dhe Mallakastër intensifikohet puna për shuarjen e vatrave të zjarrit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fushat e reja të futbollit në Përrenjas, përfundon sistemi i drenazhimit, gati shtrimi i tapetit

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Punimet për ndërtimin e dy fushave të reja të futbollit në qytetin e Përrenjasit, sipas marrëveshjes ndërmjet FSHF dhe Bashkisë Prrenjas, po vazhdojnë me ritme të shpejta.

FSHF bën të ditur se, aktualisht, është përfunduar instalimi i sistemit të drenazhimit dhe në ditët në vijim do të nisë shtrimi i tapetit artificial.

Me ndërtimin e dy fushave të reja në qytetin e Përrenjasit, një fushë me përmasa olimpike dhe një minifushë, fëmijët do të kenë mundësi të stërviten dhe të luajnë futboll në kushte të përshtatshme.

1 nga 2

/gj.m/r.e/

The post Fushat e reja të futbollit në Përrenjas, përfundon sistemi i drenazhimit, gati shtrimi i tapetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria U-17 kundër Italisë, trajneri Tafaj fton 22 futbollistë për dy miqësoret

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Pas miqësoreve të ekipit kombëtar U-19 kundër Italisë, tashmë është radha e kuqezinjve U-17 të përballen me bashkëmoshatarët axurrë.

Trajneri Fatjon Tafaj do të debutojë në pankinën e kombëtares U-17 me dy ndeshjet miqësore që do të zhvillohen në Coverciano të Italisë, më 11 dhe 13 gusht. Për këto sfida, tekniku shqiptar ka grumbulluar 22 lojtarë, 3 prej të cilëve portierë, 9 mbrojtës, 5 mesfushorë dhe 5 sulmues.

Skuadra është rinovuar me emra të rinj, ndryshe nga kualifikueset dhe finalet e fundit të Europianit për këtë grup-moshë.

Të gjithë lojtarët janë të vitlindjes 2009 dhe vijnë si nga klubet shqiptare, ashtu edhe nga akademitë e klubeve të njohura europiane si Inter, Tottenham, Fiorentina, Bologna, Empoli etj.

Kuqezinjtë do të nisin grumbullimin nesër direkt në Itali, ku do të zhvillojnë edhe përgatitjet për dy sfidat kundër Italisë.

Sfidat kundër axurrëve janë një test i mirë në kuadër të përgatitjeve për kualifikueset e ardhshme të Kampionatit Europian për këtë grupmoshë, ku Shqipëria bën pjesë në Grupin 8, së bashku me Kroacinë, Holandën dhe Kazakistanin.

/gj.m/r.e/

The post Shqipëria U-17 kundër Italisë, trajneri Tafaj fton 22 futbollistë për dy miqësoret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKMC: 19 vatra zjarri të evidentuara, 3 ende aktive

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 19 vatra zjarri, nga të cilat 3 mbeten ende aktive.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri të ditur sot se sa i përket vatrave aktive, në malin mbi fshatin Dhivër, bashkia Finiq vazhdon zjarri në një sipërfaqe pyjore në lartësi, ndërsa në terren po operojnë 10 mjete të shërbimit zjarrfikës të Finiqit, Sarandës, Delvinës, Konispolit, Gjirokastrës, Himarës dhe rreth 120 forca operacionale të mbështetura nga ajri si dhe nga efektivë të Forcave të Armatosura.

Në fshatin Lofkënd, bashkia Mallakastër, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pisha, ndërsa në terren janë dislokuar 11 automjete zjarrfikëse, ndër të cilat 2 të FA si dhe 130 forca nga të gjitha strukturat operacionale, me mbështetje edhe nga ajri, të cilët po punojnë edhe sot për izolimin e plotë të tij.

Në fshatin Vjollcë, bashkia Mirditë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pyll pishe dhe shkurre. Është punuar deri në orët e vona nga shërbimi vendor i MZSH, shërbimi pyjor dhe vullnetarë të zonës, pa mundur ta izolojnë vatrën. Rrezik për banesat nuk ka.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar: 48 automjete zjarrfikëse dhe 445 forca operacionale, 9 automjete të rënda, të ndihmuar nga FA me 73 forca ushtarake, 8 automjete zjarrfikëse me ekuipazh dhe mbështetje nga ajri, si dhe dy avionë suedezë të aktivizuar në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën të ditur se mbetet në gatishmëri të plotë për koordinimin e mëtejshëm të forcave në terren dhe mbështetjen e çdo strukture me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe pasurisë së përbashkët. AKMC u drejtohet sërish banorëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë çdo vatër të mundshme.

1 nga 5

/gj.m/r.e/

The post AKMC: 19 vatra zjarri të evidentuara, 3 ende aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Europa League, “Drita” përmbyset 3-2 nga FCSB në Bukuresht

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ “Drita” nuk arriti ta mbrojë avantazhin e dy golave në sfidën e parë të raundit të tretë të Europa League kundër FCSB-së në Bukuresht, duke u mposhtur me rezultatin 3-2, në një ndeshje dramatike që ndryshoi krejtësisht rrjedhë në pjesën e dytë.

Skuadra nga Gjilani e nisi shkëlqyeshëm takimin, duke befasuar vendasit me dy gola të shpejtë nga Veton Tusha dhe Arb Manaj, që i dhanë një epërsi të madhe dhe entuziazëm për një rezultat historik.

Megjithatë, FCSB reagoi pas pushimit, duke shënuar tre gola dhe përmbysur gjithçka në favor të tyre para tifozëve të vet.

Pavarësisht humbjes, shpresat e Dritës për një kualifikim historik në fazën ‘play-off’ të Europa League mbeten të hapura.

Gjilanasit do të kërkojnë përmbysjen e madhe në ndeshjen e kthimit, që do të zhvillohet javën e ardhshme në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.

/gj.m/r.e/

The post Europa League, “Drita” përmbyset 3-2 nga FCSB në Bukuresht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Conference League – “Ballkani” i Orges Shehit fiton 1-0 kundër “Shamrock Rovers”

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ “Ballkani” ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt fazës ‘play-off’ të Conference League, duke mposhtur të enjten “Shamrock Rovers” me rezultatin minimal 1-0, në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.

Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi dominoi takimin nga minuta e parë, duke krijuar disa raste të rrezikshme.

Arbër Potoku provoi të zhbllokonte rezultatin në minutën e 15-të, por portieri mik ndërhyri në kohë. Tre minuta më pas, ishte radha e Sunday Adetunjit të rrezikonte, por sërish portieri irlandez reagoi me sukses.

Presioni i Ballkanit nuk u ndal as në pjesën e dytë. Në minutën e 54-t, Adetunji gjeti rrjetën me një lëvizje inteligjente në zonë, duke shënuar golin që në fund rezultoi vendimtar.

Pas golit, ekipi nga Kosova kërkoi edhe një të dytë. Almir Kryeziu dhe sërish Adetunji patën raste për të thelluar epërsinë, por portieri i Shamrock Rovers mbajti gjallë shpresat e skuadrës së tij për ndeshjen e kthimit.

Me këtë rezultat, Ballkani siguron një avantazh të rëndësishëm para sfidës së kthimit javën e ardhshme në Irlandë, ku do të kërkojë të mbyllë me sukses një tjetër kapitull evropian.

/gj.m/r.e/

The post Conference League – “Ballkani” i Orges Shehit fiton 1-0 kundër “Shamrock Rovers” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: 1634 aplikime për programet bachelor në AFA, shifra më e lartë ndonjëherë

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Akademia e Forcave të Armatosura po tërheq çdo vit e më shumë të rinj e të reja.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur sot se janë 1634 aplikime deri më tani për programet Bachelor për vitin akademik 2025-2026, shifra më e lartë ndonjëherë.

Vengu thekson se, regjistrimet hapen më 8, 11 dhe 12 gusht, pranë ambienteve të Akademisë së Forcave të Armatosura

“Akademia e Forcave të Armatosura po tërheq çdo vit e më shumë të rinj e të reja të përkushtuar për t’i shërbyer vendit me dije, disiplinë dhe ndershmëri. 1634 aplikime deri më tani për programet Bachelor për vitin akademik 2025-2026 – shifra më e lartë ndonjëherë! Regjistrimet hapen më 8, 11 dhe 12 Gusht, pranë ambienteve të Akademisë së Forcave të Armatosura. Nise sot rrugëtimin tënd drejt së ardhmes”, shkruan Vengu në rrjetet sociale.

/gj.m//a.f/

The post Vengu: 1634 aplikime për programet bachelor në AFA, shifra më e lartë ndonjëherë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e SHBA ndan deklaratën, Shqipëria dhe aleatët perëndimorë kundër kërcënimeve të Iranit

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Shqipëria, Belgjika, Danimarka, Gjermania, Finlanda, Franca, Kanadaja, Holanda, Austria, Suedia, Spanja, Çekia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një deklaratë të përbashkët mbi kërcënimet shtetërore nga shërbimet e inteligjencës iraniane.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ndau sot deklaratën e përbashkët duke cituar edhe zëdhënësen e Departamentit Amerikan të Shtetit, Tammy Bruce.

“Jemi të bashkuar me partnerët tanë europianë në kundërshtim të përpjekjeve të shërbimeve të inteligjencës iraniane për të vrarë, rrëmbyer dhe shqetësuar njerëzit në Europë dhe Amerikën e Veriut, në shkelje të qartë të sovranitetit tonë. Ne e dënojmë numrin në rritje të kërcënimeve ndaj shteteve dhe jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të parandaluar që këto veprime të ndodhin”, thekson zëdhënësja e Departamentit, Tammy Bruce.

“Shqipëria, Austria, Belgjika, Kanadaja, Republika Çeke, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Spanja, Suedia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të dënojnë numrin në rritje të kërcënimeve shtetërore nga shërbimet sekrete iraniane në territoret tona përkatëse.

Ne jemi të bashkuar në kundërshtimin tonë ndaj përpjekjeve të shërbimeve sekrete iraniane për të vrarë, rrëmbyer dhe intimiduar njerëz në Evropë dhe Amerikën e Veriut, në shkelje të qartë të sovranitetit tonë. Këto shërbime po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me organizatat kriminale ndërkombëtare duke synuar gazetarët, disidentët, qytetarët hebrenj dhe zyrtarët aktualë dhe të mëparshëm në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Kjo është e papranueshme.

Ne i konsiderojmë këto lloje sulmesh, pavarësisht nga objektivi, si shkelje të sovranitetit tonë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të parandaluar që këto veprime të ndodhin dhe u bëjmë thirrje autoriteteve iraniane që menjëherë t’u japin fund aktiviteteve të tilla të paligjshme në territoret tona përkatëse”, thuhet në deklaratë.

/gj.m//a.f/

 

 

The post Ambasada e SHBA ndan deklaratën, Shqipëria dhe aleatët perëndimorë kundër kërcënimeve të Iranit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kreshnik Loka, përzgjidhet Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i RYCO

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Kreshnik Loka është përzgjedhur Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i RYCO (Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor).

Lajmin e dha ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, e cila theksoi se, Loka ka mbi 10 vite përvojë në fushën e politikave rinore, bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimit të paqes.

Kreshnik Loka ka qenë një nga zërat më të qëndrueshëm dhe vizionarë të angazhimit rinor në rajon.

Si Drejtues i Zyrës Vendore të RYCO në Tiranë që prej vitit 2017, ai ka menaxhuar një portofol grantesh me mbi 35 projekte rajonale rinore, ka bashkëorganizuar mbi 100 aktivitete me aktorë nga i gjithë Ballkani, ka garantuar fonde deri në 1.5 milion €, ka ndërtuar partneritete të qëndrueshme me aktorë kombëtarë, rajonalë dhe europianë, ka përfaqësuar RYCO-n në tryeza ndërkombëtare për rininë, paqen dhe pajtimin.

Përtej rolit të tij në RYCO, ai ka kontribuar si ekspert për organizata ndërkombëtare, dhe ka qenë një nga nismëtarët e themelimit të vetë RYCO-s, përfaqësues i qeverisë shqiptare në grupin punues që e krijoi.

Kreshnik Loka mban një Master në të Drejtat e Njeriut nga London School of Economics, si dhe Master dhe Bachelor në Jurisprudencë nga Universiteti i Tiranës.

“RYCO forcohet edhe më shumë si një strukturë e pavarur rajonale që dëgjon, përfaqëson dhe fuqizon të rinjtë, dhe me Kreshnikun në këtë rol kyç, drejtimi është i sigurt”, thekson mw tej Muzhaqi.

/gj.m//a.f/

The post Kreshnik Loka, përzgjidhet Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i RYCO appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Itodo Mandela largohet nga Dinamo City, transferohet në Ukrainë

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Dinamo ka konfirmuar zyrtarisht largimin e sulmuesit Itodo Mandela, i cili do të vazhdojë karrierën në kampionatin ukrainas, duke u bashkuar me skuadrën Metalist 1925.

Klubi ‘Blu’ ka bërë publike marrëveshjen përmes një postimi në rrjetet sociale, ku falënderon lojtarin për kontributin e tij gjatë sezonit të kaluar.

“Klubi i Dinamo City bën të ditur se ka arritur marrëveshjen për transferimin e lojtarit Peter Itodo Mandela në Ukrainë, tek skuadra e Metalist 1925. Presidenti Adrian Bardhi dhe klubi e falënderojnë sulmuesin për kontributin e dhënë me fanellën blu sezonin e kaluar, ku ai spikati me golat e tij. Gjithashtu, i urojmë lojtarit suksese me skuadrën e tij të re”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.

Ky është largimi i radhës te Dinamo në këtë merkato vere, por jo i vetmi që pritet. Baton Zabërgja është gjithashtu në bisedime për një transferim drejt Ukrainës, edhe pse klubi ende nuk ka konfirmuar asgjë zyrtarisht.

Nga transferimi i Itodo Mandelës përfiton gjithashtu edhe Luzi 2008, klubi nga i cili Dinamo e kishte blerë sulmuesin.

Mandela spikati me fanellën e Luzit në Kategorinë e Parë deri në sezonin 2023-24, përpara se të transferohej te Dinamo ku la gjurmë me paraqitjet dhe golat e tij.

/gj.m//a.f/

 

The post Itodo Mandela largohet nga Dinamo City, transferohet në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Conference League- Egnatia dhe Dinamo luajnë sot në Slloveni dhe Kroaci

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Egnatia dhe Dinamo luajnë sonte sfidat e para në turin e tretë të UEFA Conference League.

Egnatia luan në transfertë kundër Olimpija Ljubljana, ndërsa në Split, Dinamo përballet me Hajdukun.

Në orën 20:00 në Slloveni, kampionët e Shqipërisë, Egnatia ka një detyrë jo të lehtë kundër kampionëve vendas. Edhe pse Olimpija ndërroi trajner vetëm disa ditë më parë, organika e rivalëve është për t’u respektuar. Pasi eliminuan Dinamon e Minskut një tur më parë, Egnatia do kërkojë të bëjë surprizën dhe të kërkojë historinë për të shkuar në play-off e këtij kompeticioni.

Në orën 21:00 në Kroaci, Hajduku i Splitit pret Dinamon. Djemtë e Ilir Dajës kanë përballë një rival historik dhe në letër kroatët janë më shumë se të favorizuar. Dinamo do kërkojë të bëjë pjesën e saj, paçka se pa Itodo Mandelën të shitur te Metalist në Ukrainë.

Në fushë zbresin edhe dy klubet nga Kosova. Në orën 20:30 Ballkani pret në “Fadil Vokrri” irlandezët e Shamrock Rovers në ndeshjen e vlefshme për Conference League.

Ndërkohë në turin e tretë të Europa League, Drita e Gjilanit luan kundër Steauas në Bukuresht, po në orën 20:30.

/gj.m//a.f/

The post Conference League- Egnatia dhe Dinamo luajnë sot në Slloveni dhe Kroaci appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Ziraat Bank” merr miratimin paraprak për të operuar në Shqipëri

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e sotme vendosi të japë miratimin paraprak për licencimin e degës së bankës së huaj “Dega e Bankës Turkiye Cumhuriyeti Ziraat Bankasi A.S., Albania” për të ushtruar veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë.

“Ziraat Bank” është një bankë tregtare që operon në Republikën e Turqisë prej vitit 1863, me licencë të vlefshme bankare dhe leje operimi nën mbikëqyrjen e Agjencisë së Rregullimit dhe Mbikëqyrjes Bankare. Jashtë territorit të Turqisë, aktiviteti i saj shtrihet edhe në disa shtete të tjera, si: Mbretëria e Bashkuar, Bullgaria, Greqia, Kosova, Qiproja Veriore, etj.

Dega e bankës së huaj që ka marrë miratimin paraprak për licencë, brenda 12 muajve nga data e këtij vendimi, duhet të plotësojë të gjitha kushtet e parashikuara në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, në mënyrë që të pajiset me licencën për fillimin e veprimtarisë bankare në vendin tonë.

/r.e/

The post “Ziraat Bank” merr miratimin paraprak për të operuar në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vllaznia afron sulmuesin Lirim Kastrati

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Klubi i Vllaznisë ka afruar sulmuesin 26-vjeçar, Lirim Kastrati.

Lojtari dikur cilësohej si e ardhmja e sulmit të Kosovës dhe ishte pjesë e skuadrave me emër si Dinamo Zagreb e Legia Varshavë që në moshë të re.

Ai u transferua te Vllaznia si lojtar i lirë, pasi mbylli kontratën me hungarezët e Videoton.

“KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojë se që nga dita e sotme, Lirim Kastrati është zyrtarisht futbollist kuqeblu. Sulmuesi 26 vjeçar që ka luajtur 17 ndeshje me kombëtaren e Kosovës, pas eksperiencës me ekipe të tilla si Dinamo Zagreb, Legia Varshavë, Lokomotiva Zagreb, Fehervar e Videoton, tashmë do të jetë pjesë e skuadrës tonë. Kastrati ka firmosur me Vllazninë kontratë njëvjeçare, me të drejtë zgjatje edhe një vit tjetër. Mirë se erdhe në familjen kuqeblu Lirim!”, thekson “K.F Vllaznia” në një njoftim.

The post Vllaznia afron sulmuesin Lirim Kastrati appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e SHBA takime me deputetët e rinj të Kuvendit: Presim të punojmë me përfaqësuesit e të gjithë spektrit politik

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se përfaqësues të saj janë takuar së fundmi me anëtarë të sapozgjedhur të Kuvendit të Shqipërisë, në prag të fillimit të legjislaturës së re.

Sipas ambasadës, këto takime kishin për qëllim të kuptonin më mirë shqetësimet dhe prioritetet e komuniteteve që secili deputet përfaqëson.

“Së fundmi, personeli i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara u takua me anëtarë të sapozgjedhur të Kuvendit për të kuptuar shqetësimet e komuniteteve të tyre dhe përparësitë në prag të fillimit të mandatit”, bën të ditur Ambasada.

“Ne presim me kënaqësi të punojmë me përfaqësues të zgjedhur nga i gjithë spektri politik për të vijuar partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, thekson Ambasada e SHBA.

/gj.m/r.e/

The post Ambasada e SHBA takime me deputetët e rinj të Kuvendit: Presim të punojmë me përfaqësuesit e të gjithë spektrit politik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: Ekipet e zjarrfikësve angazhim për të kontrolluar flakët në bashkinë Finiq

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur sot se, ekipet e zjarrfikësve, të mbështetura nga trupat e Forcave të Armatosura, ato të Policisë së Shtetit dhe me ndërhyrjen nga ajri, po punojnë për të vënë nën kontroll flakët në zonat e Çerkovicës dhe Dhivrit, në bashkinë Finiq.

Prej disa orësh, efektivët janë angazhuar në terren, duke luftuar intensivisht me flakët dhe duke ndihmuar në evakuimin e përkohshëm dhe shoqërimin e banorëve brenda perimetrit të sigurisë së përcaktuar.

Gjithashtu, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin me strukturat në vend për të garantuar eliminimin e rrezikut në zonë.

/gj.m/r.e/

The post MM: Ekipet e zjarrfikësve angazhim për të kontrolluar flakët në bashkinë Finiq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Partizani prezanton trajnerin e ri, Mladen Milinkoviҫ

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Mladen Milinkoviҫ është trajneri i ri i FK “Partizani”.

Kryeqytetasit prezantuan sot teknikun 57-vjeçar, i cili do të pasojë Skënder Gegën.

Milinkoviҫ është një emër i njohur për futbollin shqiptar, pasi ka drejtuar më herët Luftëtarin dhe Kukësin.

Debutimi i tij në një ndeshje zyrtare në stolin e Partizanit do të vijë në takimin e parë të kampionatit, atë ndaj Vorës, sfidë kjo e programuar të luhet me 23 gusht.

Milinkoviҫ ka udhëhequr më parë ekipe si Keshla, Sirianska, Buduçnost dhe Al Sahel.

/gj.m/r.e/

The post Partizani prezanton trajnerin e ri, Mladen Milinkoviҫ appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Kombëtare e Investimeve, Kote takim me fermerë në Gjirokastër

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote, së bashku me stafin teknik të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, zhvilloi një takim me fermerë në Gjirokastër.

Në këtë takim u prezantuan mundësitë që ofron Skema Kombëtare e Investimeve 2025 përmes 9 masave mbështetëse.

Gjatë takimit u sqaruan në detaje kriteret e aplikimit, mënyrat e përfitimit dhe dokumentacioni i nevojshëm, me qëllim maksimizimin e mbështetjes financiare për fermerët.

Përmes përfitimit të 50% grant nga skema dhe kombinimit me Kredinë e Butë me interes vetëm 2% dhe garanci sovrane prej 70% të kolateralit, fermerët sigurojnë financim të plotë për të gjithë investimin.

Aplikimet janë të hapura deri më datë 30 shtator 2025.

Për më shumë informacion të interesuarit duhet të kontaktojnë në numrin falas: 0800 83 83

Website: www.azhbr.gov.al

Email: info@azhbr.gov.al

/gj.m/r.e/

The post Skema Kombëtare e Investimeve, Kote takim me fermerë në Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UEFA Conference League, Egnatia dhe Dinamo City luajnë nesër ndeshjet e para të turit të tretë në transfertë

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Egnatia dhe Dinamo City do të luajnë mbrëmjen e të enjtes takimet e para të turit të tretë të UEFA Conference League.

Të dyja ekipet shqiptare do të zhvillojnë përballjet e para në transfertë. Kampionët e Shqipërisë do të përballen me kampionët e Olimpijas, me takimin që do të luhet në stadiumin “Stožice”, në orën 20:00.

Sakaq, Dinamo City ka udhëtuar drejt Splitit, ku do të luajë kundër Hajdukut në stadiumin “Poljud”, në orën 21:00.

FSHF u uron shumë suksese të dy skuadrave shqiptare në këtë tur të tretë të Conference League.

/r.e/

The post UEFA Conference League, Egnatia dhe Dinamo City luajnë nesër ndeshjet e para të turit të tretë në transfertë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

20 200 aplikime në universitete, numri më i madh që pas pandemisë

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Raundi i parë i garës për në universitet është mbyllur me të dhëna pozitive; më shumë maturantë kanë aplikuar që prej periudhës post-COVID-19.

“Është viti më i mirë do thoja krahasuar me kohën pas pandemisë që pati rënie. Kemi lëvizur gjithmonë në shifrat 19 500, por nën 20 000. Kjo është hera e parë që kalojmë në raundin e parë shifrën 20 mijë. Kemi pasur 20 200 maturantë, diku te 500 maturantë më shumë nga viti i kaluar. Presim që nga vjeshta dhe maturantët e viteve të shkuara të kemi edhe 3 000 – 4 000 që do shtohen në raundin e dytë”, shprehet Arjan Xhelaj, kreu i Rrjetit Akademik Shqiptar.

Në 10 programet e listuara si preferencat e 20 200 maturantëve aplikantë, interesi vazhdon të jetë i ngjashëm ndër vite.

Teknologjia, mjekësia dhe financat renditen në 3 fushat më të kërkuara, ku edhe mundësia për vende të lira në raundin e dytë zerohet.

“Programet me konkurs si mjekësia, arkitektura, urbanistika janë programe që iu ezaurohen kuotat gjatë regjistrimit brenda dy-tri fazave të para. Një trend rritje në shkencat inxhinierike dhe informatike. Shkencat mjekësore janë të dytat, me mjekësinë e përgjithshme, infermieritë, stomatologji; e ndjek ekonomiku dhe pastaj të tjerat kanë qenë stabël, me juridikun në të njëjtat vlera. Sportet dhe artet ndikohen që nuk kanë mesatare dhe përzgjidhen. Sporti sidomos ka ardhur në rritje ndër vite”, shton më tej ai.

Programet që të çojnë drejt mësuesisë vazhdojnë të jenë më pak të preferuara, megjithëse shifrat e aplikimeve ngrenë shpresat se nuk ka degë me prioritet kombëtar të riskuara për t’u mbyllur.

“Shkencat e natyrës, sociale apo gjuhët e huaja lëvizin po te 7,5%, te shkencat e natyrës të paktën në aplikime ka qenë një shifër mbi 100 te të gjitha programet. P.sh., kimi farmaceutike, shifër goxha e lartë, me 400 kërkesa”, vazhdon kreu i RASH.

Surpriza mbeten studimet afatshkurtra që po thithin më shumë aplikime.

“Nëse filluam para 4 vitesh me 4-5%, sot programet dyvjeçare janë me mbi 10%”, përfundoi ai.

Kjo është tendenca paraprake, pasi regjistrimet që nisin në shtator do të tregojnë zgjedhjet përfundimtare të të rinjve. /TCH/

The post 20 200 aplikime në universitete, numri më i madh që pas pandemisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ura të reja bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe policisë kineze

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda priti në një takim zyrtar, ministër-këshilltarin e Ambasadës Kineze në Shqipëri, Huang Xuehu.

Fokusi i këtij takimi, i cili u zhvillua në ambientet e DPPSh-së, me pjesëmarrjen e drejtuesve të lartë të strukturave qendrore, ishte ndërtimi i urave të reja të bashkëpunimit bilateral, nëpërmjet nënshkrimit të një marrëveshjeje të përbashkët dhe krijimit të pikës së kontaktit të Policisë kineze, në Policinë e Shtetit.

Proda dhe Huang u dakordësuan se këto elemente do të jenë përgjigjja më efikase kundër krimit të organizuar ndërkontinental.

Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua për operacionet e fundit të Policisë së Shtetit, kundër shfrytëzimit për prostitucion, objekt i të cilave kanë qenë shtetase kineze të rekrutuara për të ushtruar këtë veprimtari të kundërligjshme, në apartamente me qira, në vendin tonë.

Në vijim të angazhimit policor për ndjekjen penale të shtetasve përgjegjës, ka patur një qasje të integruar institucionale, për t’iu ofruar asistencë shtetaseve të përfshira në këto raste.

Proda, gjatë takimit, theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit, nëpërmjet shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, me qëllim parandalimin dhe goditjen më efikase të krimit ndërkombëtar.

Nga ana e tij, ministër-këshilltar Huang falënderoi Policinë e Shtetit për bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu angazhimin e agjencive ligjzbatuese kineze, për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët policor ndërkombëtar.

/gj.m//a.f/

 

The post Ura të reja bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe policisë kineze appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌