Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Turqi, tre persona humbin jetën në përpjekje për shuarjen e zjarreve

Tre persona vdiqën gjatë operacioneve të shuarjes së zjarreve në provincën Bursa, në Turqinë perëndimore, ku zjarret në pyje vazhdojnë të shkatërrojnë rajonin, raportuan mediet lokale.

Një kamion që transportonte ujë u përplas në një hendek gjatë rrugës për në një operacion, duke vrarë shoferin dhe duke plagosur dy pasagjerë të tjerë të cilët vdiqën më vonë në spital nga plagët e marra.

Zjarret që po shpërthejnë në Bursa nuk janë ende nën kontroll, me erëra të forta që vazhdojnë të nxisin flakët.

Sipas ministrit të Pyjeve, Ibrahim Yumakli, mbi 3 500 persona janë evakuuar.

”Vullnetarët ende po punojnë për të kontrolluar zjarret në provincën Karabuk, e cila është 65% e pyllëzuar, si dhe në provincën juglindore të Kahramanmaraş”, shtoi ai.

Dhjetë persona vdiqën javën e kaluar gjatë operacioneve të shuarjes së zjarreve në provincën perëndimore të Eskisehir, ndërsa Turqia vazhdon të luftojë zjarret në pyje dhe temperaturat e larta.

Shqipëri-SHBA, 103 vjet marrëdhënie diplomatike/ Ambasada Amerikane: Jemi krenarë për partneritetin tonë!

TIRANË- Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë 103-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike. Ambasada Amerikane në Tiranë, thotë se ndihen krenarë për partneritetin e ndërtuar me Shqipërisë.

Ajo thekson se dyja vendet duhet të çojë përpara përpjekjet për paqen, sigurinë dhe mirëqenien e përbashkët.

“Sot festojmë 103 vjet marrëdhënie diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë! Jemi krenarë për partneritetin tonë me Shqipërinë për të çuar përpara sigurinë, forcën dhe mirëqenien tonë të përbashkët”, shkruan ambasada./abcnews.al

 

Revista e udhëtimeve “Travel Radar”: Shqipëria mes destinacioneve të reja të udhëtimeve në 2025

Me rritjen e çmimeve të udhëtimeve dhe mbipopullimin e destinacioneve kryesore, shumë turistë po kërkojnë përvoja të përballueshme ose të panjohura, shkruan Harmia Amadi në një artikull të botuar në “Travel Radar”.

Revista e udhëtimeve “Travel Radar” e ka renditur Shqipërinë mes tre destinacioneve në zhvillim – nga Evropa bregdetare në Afrikën ekuatoriale – që mund të jenë ndër zgjedhjet më të mira të vitit 2025.

Falë bukurisë së tyre të egër dhe vendeve kulturore këto destinacione mund të jenë duke riformësuar në heshtje hartën globale të udhëtimeve.

Shqipëria: Adriatiku i përballueshëm i Evropës

Me malet e saj të egra, Alpet veriore të pacenuara dhe bregdetin bruz të Ksamilit, Shqipëria është shndërruar nga një sekret për vizitorët e huaj në një konkurrente serioze midis pikave të nxehta turistike alternative të Evropës. Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara raportoi se vendi ballkanik u rendit i treti në rritjen globale të turizmit, me një rritje prej 80% të vizitorëve krahasuar me vitin 2019.

“Shqipëria mirëpriti 11,7 milionë vizitorë ndërkombëtarë në vitin 2024 – dhe është në rrugën e duhur për të patur një rritje të mëtejshme – me më shumë se 3 milionë turistë deri në fund të vitit 2025”, sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë,

Atraksionet

Shqipëria po shfaqet si një alternativë e përballueshme kundrejt destinacioneve të njohura mesdhetare – duke ofruar peizazhe të larmishme për një gamë të gjerë vizitorësh.

Vijat e saj të pastra bregdetare janë të përshtatshme për pushime ideale në plazh, ndërsa adhuruesit e natyrës mund të eksplorojnë liqenet akullnajore, gjiret dhe shtigjet malore. Më pak e globalizuar se fqinjët e saj, Shqipëria ka ruajtur mikpritjen e saj tradicionale, me një ndërthurje kulturore të ndikimeve osmane dhe greke.

Muzika popullore, zakonet rajonale dhe identiteti i fortë lokal e bëjnë Shqipërinë gjithnjë e më tërheqëse për turistët e huaj. Plazhet mahnitëse dhe qytetet bregdetare të Rivierës Shqiptare rivalizojnë destinacione si bregdetin e Greqisë, por me një çmim shumë më të ulët.

Sipas “Numbeo”, kostoja e jetesës në Shqipëri – duke përjashtuar qiranë – është 14% më e ulët se në Greqi. Kostot e ushqimit dhe çmimet e restoranteve janë përkatësisht 97% dhe 24% më të ulëta.

Infrastrukturë e përmirësuar

Infrastruktura turistike është përmirësuar, gjithashtu vitet e fundit, me një transport publik më të besueshëm, në aeroport dhe Tunelin e Llogorasë që lehtësojnë aksesin drejt Rivierës Shqiptare. Rritja eksponenciale e turizmit në vend mbështetet nga 33 projekte aktive zhvillimi me një total prej 5,3 miliardë eurosh – të paraqitura në Strategjinë e saj Kombëtare të Turizmit 2024-2030.

Për më tepër, linjat ajrore kanë zgjeruar shërbimin në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës gjatë pesë viteve të fundit.

“Wizz Air” nisi fluturimet ajrore nga Aeroportin i Tiranës në vitin 2020, e ndjekur nga “Ryanair” dhe “British Airways” në vitin 2023. Në qershor, “airBaltic” nisi fluturimet direkte që lidhin vendet baltike me kryeqytetin e Shqipërisë.

Lidhshmëria në rritje pasqyron profilin në rritje të Shqipërisë si një destinacion turistik në zhvillim.

Këndvështrimi diplomatik

Shqipëria nuk është vetëm një destinacion në zhvillim i përballueshëm dhe me më pak turma vizitorësh. Ajo po ripozicionohet në skenën ndërkombëtare si anëtare e NATO-s, kandidatja më e fundit e Bashkimit Evropian dhe një nga vendet turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë – me zhvillime të shërbimeve publike dhe ekonomike të mbështetura nga Banka Botërore dhe BE-ja – duke u shfaqur si një qendër turistike e vendosur strategjikisht dhe e gatshme për investime.

Shqipëria, gjithashtu ofron hyrje pa viza për qytetarët e BE-së dhe të Britanisë së Madhe (90 ditë) dhe shtetasit amerikanë (deri në një vit) – duke përforcuar atraktivitetin e saj si një vend ideal për një arratisje në Mesdhe.

U fut për t’u larë në Sarandë, por humbi kontaktet me miqtë/ Gjendet trupi i pajetë i turistit portugez

SARANDË- Gjendet trupi i pajetë i turistit 57- vjeçar, i cili ishte raportuar i zhdukur në det, në afërsi të lagunës, në vendin e quajtur “Buka e Vivarit” në Sarandë.

Shërbimet e Policisë Kufitare, kanë bërë të mundur gjetjen në det të trupit të pajetë të portugezit, në afërsi të zonës ku ai ishte parë për herë të fundit.

Trupi i pajetë do të transportohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e autopsisë, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes, e cila dyshohet paraprakisht të jetë shkaktuar nga mbytja në det.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

“Berishën e pret burgu i përjetshëm”, Idajet Beqiri: Dosja e “21 janarit” është kopsitur, është faktuar se…

TIRANË- Avokati i njohur Idajet Beqiri, i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News pohoi se shtetit i së drejtës në Shqipëri nuk po funksionon siç duhet pasi sipas tij po bën goditje selektive.

Ai u ndal te ngjarjet e “21 janarit”, ku katër qytetarë të pafajshëm, protestues në bulevard, u ekzekutuan para godinës së kryeministrisë.

Sipas Beqirit, kjo dosje është e kopsitur me prova dhe fakte, ndërsa shtoi se urdhëruesi i vrasjeve të qytetarëve në bulevard është ish-kryeministri, Sali Berisha.

“Shteti i së drejtës nuk po funksion siç duhet dhe organet e drejtësisë, duket sikur kanë kaluar në ekstrem, që është e rrezikshme për shtetin e së drejtës. Goditjet po i bëjnë selektive, po marrin dosjen “Partizani” dhe po lënë çështje të tjera, që janë të rënda dhe më pasoja dhe për korrupsion shtetëror me miliarda euro. Po përdoren metodat e frikësimit.  Berisha ka lumë akuzash. Ai ka afera të rënda korruptive.  SHBA dhe BE duhet të ndërhyjnë. 21 janari është dosja e kopsitura me prova. Nuk ka dosja më të hetuar bukur, me prova kaq të shumta që e implikojnë si urdhërues dhe vrasës Sali Berishën, por nga ana tjetër është një dosje nga më të pastra”, tha ai.

Ai foli dhe për lidhjet e Sali Berishës me Damir Fazlliç, ndërsa shtoi se kjo dosje fakton rrethanat se si agjentura serbe arriti të korruptonte ish-kryeministrin e Shqipërisë dhe personat e tjerë të lidhur me familjen e Sali Berishës.

“Dosja e Fazlliç, ajo mund të quhet dosja e pastër serbe në Shqipëri, pra se si Serbia me agjenturën saj korruptoi jo vetëm kryeministrin e vendit, por edhe persona të tjerë të lidhur me familjen e Berishës, dhe i përdori ata në disa plane: si grup i strukturuar kriminal për të ndërtuar dosjet ndaj ish-udhëheqësve të UÇK dhe ashtu i bën provat siç i donin serbët.  Sali Berishën e pret burgu i përjetshëm.”, pohoi ai./abcnews.al

Dështon konstituimi i Kuvendit/ Hisen Berisha: Ka një strategji të qëllimshme për t’i deligjitimuar institucionet e Kosovës

PRISHTINË– Ka dështuar edhe seanca e fundit para hyrjes në fuqi të afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese për ta funksionalizuar legjislaturën e nëntë të Kuvendit.

Pas orës 00:00, deputetët e zgjedhur nuk do të mund të bëjnë asgjë rreth kësaj çështjeje deri më 8 gusht, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në një intervistë për emisionin “Ora e Fundit” në ABC News theksoi se kjo krizë është e qëllimtë dhe fajin për këtë e shikon te Albin Kurtit.

Sipas tij, duket që ka një strategji për të shkuar drejt deligjitimuar institucionet e vendit dhe për të sfiduar rendin kushtetues.

“Kriza e legjitimitetit është kthyer në krizë të qëllimtë politike. Ka një strategji të qëllimshme për t’i deligjitimuar institucionet e Kosovës dhe për ta çuar Kosovën në një humbje të rendit kushtetuese. “, tha ai.

Por çfarë ndodhë pas aktit të fundit, i cili dështoi me sukses? Për këtë, Berisha tha se zgjidhja e ngërçit politik tashmë duhet të jetë te qytetarët, nga presidentja, por pse jo dhe nga ndërhyrjet e partnerëve ndërkombëtarë.

“Tani Barra bie mbi qytetarin dhe votuesit, nëse ata kanë ndërgjegje, dinjitet apo nëse kanë identitetet kombëtar dhe e vlerësojnë sakrificën që është bërë, atëherë barra bie mbi ta. Po ashtu mbi presidenten që ka mandatin kushtetuese dhe e fundit, është mbi partnerët ndërkombëtar për ndërhyje me një presion të tyre. Këto janë tre kategoritë, në të cilat bie barra”, tha ai./abcnews.al

Kosovë, Kuvendi dështon të konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese

KOSOVË- Edhe në përpjekjen e fundit, që erdhi rreth tetë orë pas asaj parapake, deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës dështuan në tentimin për ta konstituuar Kuvendin.

Kjo seancë, e cila dështoi ende pa nisur mirë, ishte përpjekja e 54-të e Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, konfirmoi se 103 deputetë ishin të pranishëm në seancë, por prapë nuk u mbajt votimi për formimin e komisionit të fshehtë parlamentar për zgjedhjen e Kryeparlamentarit.

Kështu, nga nesër (27 korrik) hyn në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese, e cila ndalon deputetët të marrin çdo vendim apo ndërmarrin veprime pas kalimit të afatit 30-ditor për konstituim, të përcaktuar me aktgjykimin e 26 qershorit.

Kjo ndalesë do të jetë në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht. Gjatë kësaj periudhe pritet një vendim i Gjykatës Kushtetueses për zgjidhjen e ngërçit politik, që vijon prej muajsh./abcnews.al

Ndihmat humanitare fillojnë të hyjnë në Gaza pas disa muajsh bllokadë

Izraeli ka thënë se është i përgatitur të krijojë korridore humanitare për të lejuar transportin e ndihmave nëpërmjet konvojeve të OKB-së në Gaza. Në një deklaratë, Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) thanë se do të lejonin gjithashtu rifillimin e dërgimit të ndihmës humanitare nga ajri në Gaza.

Dërgesat e para përbëheshin nga shtatë paleta që përmbanin miell, sheqer dhe ushqim të konservuar të ofruara nga organizatat ndërkombëtare, shkruan BBC.
Njoftimi vjen mes presionit në rritje ndërkombëtar mbi Izraelin për të lejuar më shumë ndihmë në Gaza, pasi organizatat e ndihmës kanë paralajmëruar për uri masive në enklavë dhe raportime për njerëz që vdesin nga uria.

IDF tha se ka “filluar një sërë veprimesh që synojnë përmirësimin e reagimit humanitar në Rripin e Gazës dhe është “e përgatitur të zbatojë pauza humanitare në zonat me popullsi të dendur”.

Ajo mohoi atë që e quajti “pretendim të rremë për uri të qëllimshme në Rripin e Gazës”, pavarësisht provave në rritje. Ajo gjithashtu deklaroi se kishte rifilluar furnizimin me energji të një centrali shkripëzimi në Gaza, i cili, tha se do të “shërbente për rreth 900,000 banorë në zonë”.

OKB-ja, grupet e ndihmës dhe disa nga aleatët e Izraelit kanë fajësuar vendin për krizën, duke bërë thirrje për hyrje dhe shpërndarje të pakufizuar të ndihmës në Gaza.

Izraeli ndërpreu të gjitha furnizimet për Gazën që nga fillimi i marsit dhe rifilloi me kufizime të reja në maj.

VIDEO/ Flakët “gllabërojnë” malin e Borshit, situatë e rëndë dhe në Shashicë

VLORË- Vijon zjarri në malin e Shashicës në afërsi të fshatit Kaninë.

Më shumë se katër orë, vatrat e zjarrit janë aktive dhe po përhapen me shpejtësi duke djegur kryesisht kullota që ka ky mal, por duke rrezikuar disa  stanet me bagëti.

Rreth 20 forca zjarrfikëse ndodhen në mal duke izoluar flakët dhe mbajtjen në kontroll të tyre.

Situata bëhet kritike në orët e mbrëmjes për shkak te terrenit të thyer dhe të vështirë për te operuar.

Edhe në malin e Borshit situata mbetet problematike.

Pjesa e malit të Borshit vijon të digjet, edhe pse zjarrfikësit e Himarës gjatë gjithë ditës kanë qenë ne terren, por është shumë e vështirë për të ndërhyrë , për shkak të terrenit.

Zjarri vijon të lëshojë tym, i cili përfshin të gjithë vijën bregdetare nga Borshi, Qeparoi deri në Himarë. Deri tani nuk ka rrezik për djegie banesash/abcnews.al

U arratis nga dhomat e paraburgimit/ Arrestohet pas disa muajsh Nazmi Liçi, i dyshuar për disa vjedhje

KAVAJË- Arrestohet në Kavajë Nazmi Eduart Liçi pasi ishte shpallur në kërkim për grabitje në Elbasan.

Ai u arratis nga dhomat e paraburgimit në dhjetor 2024.

Sipas Policisë, Nazmi Liçi, akuzohet për pesë vjedhje në Kavajë dhe Golem. Pas arrestimit, Liçi do të përballet me akuzat që janë ngritur në adresë të tij/ abcnews.al

Situata në Gaza/ Me tenxhere para zyrës së kryeministrit, protesta simbolike në Londër

Mijëra njerëz kanë organizuar një demonstratë jashtë zyrës së kryeministrit në Londër, duke vendosur 1 mijë tenxhere për të simbolizuar të paktën 1 mijë palestinezët që janë vrarë nga Izraeli derisa kërkonin ushqim dhe ata që kanë vdekur nga uria.

Protestuesit, të cilët u mblodhën jashtë zyrës së kryeministrit Keir Starmer, goditnin tenxhere dhe tiganë për të protestuar kundër urisë dhe krizës ushqimore “të imponuar me qëllim nga Izraeli”.

Demonstruesit valëvitnin flamuj palestinezë, mbanin pankarta dhe kritikonin Izraelin dhe qeverinë britanike për situatën e rëndë në Rripin e Gazës.
Së fundmi, Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se nëntë palestinezë të tjerë kanë vdekur në 24 orët e fundit për shkak të urisë dhe kequshqyerjes, duke e çuar numrin e vdekjeve të lidhura me urinë në 122, përfshirë 83 fëmijë.

Demonstruesit më vonë vendosën 1 mijë tenxhere dhe tiganë jashtë zyrës për të kërkuar që qeveria të ndërmarrë “veprime të menjëhershme” për të detyruar Izraelin të ndalojë palestinezët e uritur në Gaza.

Clive, një nga protestuesit, tha se uria dhe kriza ushqimore “pa dallim” në Gaza “duket se nuk kanë fund”.

“Nuk ka askush që po kundërshton veprimin. Kushdo që po kundërshton veprimin etiketohet antisemit për shkak se është humanitar”, tha ai.

“Status quo-ja mbetet. Izraeli vazhdon të vrasë. Jo vetëm Hamasin, por pa dallim, fëmijë të pafajshëm të çdo moshe, gra, burra të tjerë gjithashtu. Dhe askush nuk po e ndalon. Vazhdon përapara. Është e tmerrshme”, tha ai.

Paul, një tjetër protestues, tha se është i “lodhur duke parë imazhe të Gazës që bombardohet, fëmijë që vdesin”.

“Burra, gra dhe fëmijë vdesin nga uria. Kemi parë njerëz që vdesin nga uria tani. Kjo ka ndodhur për një kohë shumë të gjatë”, theksoi ai.

Duke folur për Bregun Perëndimor të pushtuar, Paul tha se ekziston një gjendje e vazhdueshme rrethimi dhe “vjedhje toke” derisa njerëzit po dëbohen nga shtëpitë e tyre dhe sulmohen nga kolonët izraelitë.

Duke kritikuar pretendimet izraelite se ndaloi shpërndarjen e ndihmave sepse ato po vidhen nga Hamasi, Paul tha se edhe nëse do të ishte kështu forcat izraelite mund ta kishin mbrojtur ndihmën.

“Ministrat izraelitë po flasin për spastrim etnik, po flasin për vrasjen e të gjithë palestinezëve. Ata nuk kanë turp të thonë se tortura është në rregull për të burgosurit palestinezë”, theksoi ai.

“Festa e lakrorit”, specialiteti që shkon përtej kufijve të Korçës

KORÇË- Kulinaria tradicionale e Korçës me gatimet tradicionale, nuk kanë mbetur vetëm një recetë që konsumohet brenda familjes, tashmë ajo është kthyer në biznes për të gjithë që jetojnë në këtë rajon.

Byreku, i njohur në rajonin e Korçës si lakrori i pjekur në saç, është një prej këtyre specialiteteve.

Amvisat korçare këtë lloj byreku, e përgatisnin për familjet e tyre, të paktën njëherë në jave. Tradita ka qenë kryesisht në fundjavë, kur gjithë pjesëtarët e familjes ishin pushim.

Me shtimin e numrit të restoranteve, lakrori me dy petë i pjekur në saç, u bë pjesë e menusë së tyre.

Gra të rajonit të Korçës, kryesisht të zonës pranë qytetit, iu ofronin këtë specialitet restoranteve të zonës, ndërsa një pjesë e tyre u punësuan në këto restorante.

Të gjithë vizitorët që vendosnin të drekonin në Korçë, në tryezat e tyre nuk mungonte dhe lakrori me dy petë.

Një ndër fshatrat e rajonit të Korçës që këtë recetë kulinarie e ktheu në biznes janë gratë e fshatit Polenë në bashkinë e Korçës, madje prej disa vitesh ata e bënë edhe “festën e lakrorit”, pjesë të fshatit të tyre. Amvisat e Polenës reklamojnë produktet.

Ato tregojnë edhe sekretin e shijes duke i dhënë rëndësi se të gjitha produktet janë bio nga prodhimet e kopshteve të tyre. Për të shijuar lakrorin e tyre tashmë janë tejkaluar kufijtë e vendit.

Për ta mbajtur gjallë traditën familjare, amvisat tregohen të kujdesshme që ajo të mos zhduket.

Pjesë të kësaj kulinarie bëjnë dhe vajzat.

Por sekreti i shijes unike mbetet tek pjekja e këtij lakrori. Nuk përdoren furrat as ato elektrike. Pjekja është mjeshtëri më vete.

Ky lloj lakrori që të ketë këtë lloj shije, piqet vetëm me saç dhe për përgatitjen e pjekjes zakonisht kujdesen burrat.

Nëse jugu i Shqipërisë dallohet për shumëllojshmëri gatimesh, një prej tyre është pikërisht lakrori me dy petë i përgatitur në rajonin e Korçës./abcnews.al

Heroi “i heshtur”/ Luigj Mila, 13 vite në shërbim të njerëzve me aftësi ndryshe

SHKODËR– Ky është Luigj Mila, i cili bën një punë me mision të veçantë, aspak të lehtë, por me përkushtim e dashuri.

Në kampin e Velipojës, i cili është unik në Ballkan dhe më gjerë, ku që 30 vite çdo verë, për rreth një muaj e gjysmë pushojnë persona me aftësi të kufizuara, Luigji merret drejtpërsëdrejti me mbarëvajtjen e punëve.

Kisha Katolike në Shkodër ka programe të ndryshme në ndihmë të personave vulnerabël, ndërsa më i veçanti është “Shpresa”, i cili për 30 vite trajton një numër të konsiderueshëm të personave me aftësi të kufizuara.

Vështirësitë janë të mëdha, por sot ai shprehet se kanë arritur që të krijojnë bashkëpunime me strukturat shtetërore dhe me donatorë të ndryshëm. Por e gjitha bëhet me një staf të devotshëm dhe profesional.

Moshat e personave që trajtohen janë nga 20 deri në 55-vjeçarë. Tipologjitë e sëmundjeve janë të ndryshme, por përpjekjet bëhen përmes programeve specifike dhe duhet të ndahen për 65 persona.

Një pjesë e mirë e këtyre personave janë integruar në tregun e punës ku janë të punësuar në ndërmarrje shtetërore dhe private në Shkodër

Kampi veror është një ngjarje për secilin nga personat që frekuentojnë këtë kamp, por ajo që mbetet është vullnetarizmi nga vendasit, pasi nga vendet tjera çdo vit vijnë vullnetar si nga Spanja, Italia apo Polonia.

Shpeshherë mundohet të vlerësoj punën e tij pas 13 vjetësh ndërsa shprehet se ka arritur të kuptojë dhe të njohë trajtim shumë të mirë nga shoqëria./abcnews.al

Robot kamerier në Durrës/ “Melisa”, teknologjia më e fundit në shërbimin e ëmbëlsirave

DURRËS– Në zemër të qytetit bregdetar të Durrësit, një pastiçeri po bën një hap të madh drejt të ardhmes. Për ëmbëlsirat dhe kafetë e shijshme ka integruar në staf një anëtar të ri – një robot kamarier që i ka çuar shërbimet në një nivel krejt tjetër.

Roboti quhet Melisa dhe është më shumë se një pajisje teknologjike; është një mrekulli e vogël që ka tërhequr vëmendjen dhe dashurinë e klientëve.

Pronarja pastiçerisë, Eriona Sopi, na tregon rrugëtimin e këtij investimi që shënon risinë e parë për qytetin.

“Donim të sillnim diçka të re”

Melisa nuk është thjesht një robot që bart pije apo ëmbëlsira. Ai është i programuar të njohë dhe të vizitojë çdo tavolinë në ambientin e biznesit.

“Ai di saktësisht ku duhet të shkojë, çfarë duhet të sjellë dhe si të reagojë ndaj klientëve”

Por ajo që e bën Melisën të veçantë është mënyra se si njerëzit reagojnë ndaj tij.

“Shpeshherë klientët shpërqendrohen duke e ndjekur me sy robotin, sidomos fëmijët. Ata i kanë vendosur edhe emrin ‘Melisa’, dhe ai tashmë është bërë pjesë e ambientit tonë.”

Investimi për këtë teknologji nuk ishte i vogël. Melisa u soll nga Kina, një udhëtim që zgjati plot dhjetë muaj, duke kaluar nëpër sfida logjistike dhe teknike.

“Një mik i afërt na e solli nga Kina”

Melisa ka qenë pjesë e stafit për pak ditë, por tashmë ka sjellë një atmosferë krejt të ndryshme.

“Është një fluks i paprecedent klientësh, si të ishim në një botë tjetër”

Duket se bizneset shqiptare po përqafojnë teknologjinë për të përmirësuar përvojën e klientëve dhe për të qëndruar konkurrues në treg. Robotët si Melisa mund të jenë fillimi i një revolucioni në shërbimin e mikpritjes, duke sjellë efikasitet, argëtim dhe një dozë inovacioni./abcnews.al

8-vjeçari që skalit trashëgiminë/ Historia e Vivaldo Nurçes që po ecën në gjurmët e babait

GJIROKASTËR- Ende nuk ka mbushur 9 vjeç, por talenti I tij premton për të ardhmen.

Vivaldo nisi të përdorë veglat e punës së babait të tij Viktorit në mënyrë të fshehtë, kjo për arsye të moshës, por edhe rrezikut që jep zanati i drugdhendjes.

Mes emocioneve të pranueshme për moshën, zanatçiu më i ri i qytetit muze të Gjirokastrës flet për pasionin e tij.

Babai I duarartit të vogël, Viktor Nurçe, një emër mjaft i njohur sa i takon zanatit të drugdhendjes në Gjirokastrës tregon përjetimet për të birin.

Jo pak herë vogëlushi artizan punon edhe me bashkëmoshatarët e tij, që kanë habitur edhe turistët vendas apo të huaj që vizitojnë qytetin e gurtë të Gjirokastrës.

Shumë profesione apo zanate të cilat përcjellin traditën, trashëgiminë dhe historinë, jo vetëm të qytetit të gurtë sipas mjeshtrit Nurçe fatkeqësisht po humbasin.

Shumë prej zanateve të trashëguara brez pas brezi janë duke u venitur apo akoma edhe më keq, po humbasin e për fat të keq edhe ajo pjesë e trashëgimisë kulturore e materiale. Por rastet si Vivaldo na tregojnë që ka ende shpresë/abcnews.al

Virtuozi gjerman magjeps Durrësin/ Festivali i Muzikës së Dhomës sjell artistë të mëdhenj në skenë

DURRËS- Publiku në Katredalen Shën Lucia të Durrësit pati rastin të përjetojë nga afër një performancë të rrallë nga artisti I njohur gjerma, Felix Kleiser në instrumentin e kornos, I shoqëruar në piano nga pianistja e mirënjohur Lirika Pula Kasapolli.

Koncerti u organizua në kaudër të festivalit Chamber Fest Durrës, një ngjarje që është bërë pikë referimi tashmë për muzikën klasike në Shqipëri. Në repertorin e mbrëmjes u përfshinë disa nga kompozitorët më të njohur të muzikës klasike, si Shcumman, Strauss e Beethoven, të interpretuara me një ndjeshmëri dhe nivel artistik të lartë që mbushi sallën me emocione.

Felix Kleiser, I njohur jo vetëm për virtuozitetin e tij, por edhe për historinë frymëzuese, solli në skenë një interpretim të jashtëzakonshëm që u duartrokit gjatë nga të pranishmit. Ndërkohë, bashkëpunimi I tij me pianisten Kasapolli u vlerësua për harmoninë dhe finesën artistike.

Vetë artisti, I vlerësuar me një sërë çmimesh në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës, thotë se ndihet shumë i lumtur që mori pjesë në Festivalin e XX Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës duke vlerësuar mbajtjen e koncertit në mjediset e kishës.

“Kam qenë në Tiranë disa  vjet më parë në Tiranë dhe së fundmi mora një ftesë për të ardhur në Durrës dhe kështu vendosa të vij. Nuk e dija që koncerti do të luhej në kishë, ndonjëherë është e vështirë të luash në mjedise të tilla, por është ide shumë e mirë dhe këtu më pëlqeu shumë ambienti, akustika ishte e mrekullueshme gjithashtu. Pashë shumë njerëz entuziastë në këtë koncerte dhe më vjen mirë që e shijuan atë. Unë që në vitet e hershme kam menduar të luaj në shkollë, të interpretoj në këtë vegël, të kaloj kohën e lirë duke u argëtuar, jo të bëhem një profesionist, por me kalimin e viteve, u desh shumë kohë në fakt që të arrij deri këtu, me durim dhe këmbëngulje”, tha ai.

Ky koncert ishte një dëshmi tjetër e fuqisë që ka muzika për të bashkuar kultura dhe për të sjellë art të vërtetë në zemrën e qytetit bregdetar. Festivali i XX Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës vazhdon rrugëtimin e tij, duke ofruar edhe më tej koncerte dhe përvoja të paharrueshme për dashamirësit e muzikës klasike.

Milan, një triumf “i kuq”/ Ekipi italian mund Liverpool, në përballje miqësore

Po presin një Ardon Jashari e ndonjë yll tjetër, por njeriu që kanë në stol e ka nisur transformimin. Të paktën kështu kuptohet gjendja e Milanit pas fitores 4-2 ndaj Liverpulit në miqësoren e luajtur në Hong Kong.

Gati 50 000 spektatorë në stadiumin “Kai Tak Sports Park” padyshim që patën çfarë të shikonin, dhe nuk u penduan për biletën e blerë.

Impianti thuajse u mbush plot dhe kjo shifër tifozësh është një rekord.

Milani I trajnerit Masimiliano Alegri, dhe I drejtorit sportiv, Igli Tare, kaloi I pari në epërsi që në 10’ kur shënoi ylli ofensiv portugez, Rafael Leao, që nderoi kujtimin e patriotit dhe shokut të tij, Diogo Zhota, ish-lojtarit të Liverpulit, që humbi jetën pak ditë më parë në aksident automobilistik.

Kampionia e Anglisë barazoi në 26’ falë hungarezit Soboslai, dhe me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë. Pas pushimit, kuqezinjtë zbatuan taktikën alegriane, mbrojtje e fortë dhe kundërsulm I shpejtë duke marrë frytet.

Loftus-Çik, një anglez, dhe sulmuesi zviceran Okafor shënuan në 52’ e 59’ duke mbyllur praktikisht ndeshjen.

Patën vetëm vlerë statistikore rrjetat për 3-2 nga Kodi Gakpo në 93’ dhe sërish Okafor për 4-2 në minutën e katërt shtesë.

Liverpuli bëri më shumë, mbajti topin 67 për qind e pati dyfishin e gjuajtjeve, por italianët ishin më konkretë.

Gjithsesi, kjo ishte një miqësore, ndërsa sezoni do të jetë diçka tjetër.

Vazhdon “mrekullia” Asani/ Lojtari kuqezi mbetet më i miri i ekipit të tij në Korenë e Jugut

Realizon bukur dhe nuk di të ndalet. Jasir Asani vazhdon dashurinë e tij me golin te Kuangju në Korenë e Jugut, pavarësisht se skuadra ndoshta nuk është brenda objektivave, të paktën në kampionati.

Me rrjetën e shënuar dy ditë më parë, ylli kuqezi arriti në 8 të tilla në ligën koreanojugore, duke qenë më I miri I skuadrës, e duke iu afruar vendeve të larta të renditjes së Këpucës së Artë.

Numri 1 I golit në ligë ka 12.

Jo vetëm kaq. Asani është I domosdoshëm për Kuangjunë sepse ka shënuar një në çdo tre gola në kampionat.

Futbollisti I kombëtares shqiptare ka qenë vazhdimisht I rëndësishëm për lojën, dhe jo më kot agjencia e specializuar e vlerësimeve dhe statistikave “sofaskor” I jep notën 7.04 për këtë edicion në ligë, duke qenë I katërti më I miri I skuadrës dhe shumë më lart se mesatarja.

Natyrisht, sezoni nuk do të ishte I plotë pa përfshirë edhe Championsin e Azisë, në të cilin Asani shënoi 9 gola e shërbeu një asist në 10 ndeshje.

Në total, shqiptari ka 17 gola e 3 asistë në 30 ndeshje, me një mesatare prej një kontributi për rrjetë në 1.5 ndeshje.

❌