Këshilli bashkiak i Tiranës masa për shtëpitë funerale, jo në godina të banuara
TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Këshilli bashkiak i Tiranës, një ndër vendimet që mori gjatë mbledhjes së datës 10 qershor 2025 ishte miratimi i disa masave shtrënguese në lidhje me agjencitë/shtëpitë funerale që ushtrojnë aktivitetin e tyre në kryeqytet.
Në vendimin që ka si objekt përcaktimin e kritereve dhe kushteve që agjencitë/shtëpitë funerale duhet të plotësojnë, thuhet se “shtëpitë funerale nuk duhet të jenë në godina banimi dhe veprimtaria e ushtruar në to nuk duhet të jetë e dukshme për publikun”.
“Agjencitë Funerale mund t’i kenë zyrat e shërbimit edhe në godina banimi, por në asnjë rast nuk munden që në të njëjtin ambient të ekspozojnë dhe të tregtojnë materiale si arkivole, kurora, vazo etj. Këto materiale duhet të mbahen në ambiente të veçanta, jo të dukshme për publikun”, cilësohet në vendimin e këshillit bashkiak të Tiranës.
Po ashtu, në vendim theksohet se nuk duhet të kenë shenja dalluese, fetare, të përhershme, në fasadën e tyre apo në mjedisin përreth.
“Duhet të kenë të paktën një makinë autofunebër, e cila duhet të jetë sipas specifikimeve teknike të vendosura nga inspektorati i shëndetësisë. Të kenë garazh të përshtatshëm në varësi të numrit të makinave autofunebër që disponojnë. Minimalisht hapësira e përshtatshme për një makinë duhet të jetë deri në 15 m2. Burime njerëzore të mjaftueshme për ushtrimin e aktivitetit të shërbimit funeral, përkatësisht për Agjencitë Funerale minimalisht 3 (tre) punonjës, ndërsa për shtëpitë funerale minimalisht 10 (dhjetë) punonjës”, vijon vendimi.
Gjithashtu, në këtë vendim specifikohen edhe kushte të tjera që duhet të plotësojnë subjektet që aplikojnë për një licencë si agjenci apo shtëpi funerale. Kriteret bazohen në një numër të caktuar punonjësish, kushte higjieno-sanitare, kapacitetet e godinës ku kryhet shërbimi etj.
Vendimi cilëson se për t’u pajisur me licencë për shërbime funerale, subjektet me NIPT duhet të paraqesin pranë Bashkisë Tiranë një sërë dokumentesh, përfshirë: kërkesën për licencë, vërtetim nga gjykata për mosndjekje penale, vërtetim për shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe të sigurimeve shoqërore/shëndetësore, ekstraktin historik me objekt aktivitetin funeral, NIPT-in, si dhe dokumentacion që vërteton përmbushjen e kushteve për mjetet e transportit të kufomave sipas rregullores për varrezat.
Ndërsa për subjektet të cilat aplikojnë për pajisje me licencë për ofrimin e shërbimit për shtëpi funerale duhet të dorëzojnë përveç dokumentacionit të përcaktuar, edhe listën e personelit të nevojshëm për të zbatuar objektin e veprimtarisë (përfshirë këtu, por pa u kufizuar infermier, sanitar, shofer, financier etj.).
Subjektet duhet të paraqesin gjithashtu listën e mjeteve e pajisjeve teknike, të nevojshme që kanë në dispozicion (përfshirë këtu, por pa u kufizuar makina autofunebër, kapak frigoriferik, frigorifer të posaçëm për mbajtjen e kufomave etj.).
Sipas vendimit të këshillit bashkiak, subjektet që e ushtrojnë këtë aktivitet, duhet të marrin masa që parashikimet e këtij vendimi, të zbatohen brenda 6 muajve.
/e.i/r.e/
The post Këshilli bashkiak i Tiranës masa për shtëpitë funerale, jo në godina të banuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.