Vrau policin e “Shqiponja”-ve, prokuroria kërkon burg përjetë për Azgan Mërnicën
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin Azgan Mërnica, i akuzuar për vrasjen e një punonjësi të Policisë së Shtetit në rrethana të rënduara, si dhe për mbajtje pa leje të armës së zjarrit dhe drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier. Sipas hetimeve, i pandehuri A.M., pas një debati të çastit për shkak të një manovre të rrezikshme në rrugë, qëlloi me armë zjarri në fytyrë dhe vrau në vend efektivin e Forcave Speciale “Shqiponja”, Novruz Cenalia, i cili ndodhej brenda mjetit të tij të shërbimit dhe ishte në uniformë.
Sipas provave të mbledhura, Mërnica kishte ndaluar makinën e tij, kishte zbritur me një çantë ku mbante armën, e kishte mbushur atë dhe më pas kishte hapur zjarr mbi viktimën. Ngjarja është cilësuar si një akt i rëndë kundër përfaqësuesit të ligjit, kryer me dashje dhe me armë të paligjshme.
Në diskutimet përfundimtare të mbajtura sot, Prokuroria kërkoi që Mërnica të dënohet si më poshtë:
-Burgim të përjetshëm për “Vrasjen e punonjësve të Policisë së Shtetit” (neni 79/b i Kodit Penal),
-7 vite burgim për “Mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit” (neni 278),
-6 muaj burgim për “Drejtimin e automjetit në mënyrë të parregullt” (neni 291).
Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, Prokuroria kërkoi bashkimin e dënimeve në një dënim të vetëm: burgim të përjetshëm.
The post Vrau policin e “Shqiponja”-ve, prokuroria kërkon burg përjetë për Azgan Mërnicën appeared first on Lapsi.al.